Kreu Blog Faqe 247

Hafiz Sabri Koçi, një kujtesë që sfidon diktaturën, një test për ndërgjegjen morale e politike të shqiptarëve sot

Hafiz Sabri Koçi (1921–2004) & Me rastin e muajit të Ramazanit

Nga Frank Shkreli

Atdhetar dhe fetar

Hafiz Sabri Koçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të Islamit në Shqipëri gjatë shekullit XX dhe periudhës së tranzicionit pas komunizmit. Të ndjerin e kisha takuar në Tiranë në Mars të vitit 1991 në vizitën e parë të delegacionit të Deparatmentit Amerikan të Shtetit, në Shqipërinë ende të sunduar nga regjimi komunist. Me atë rast, përveç aktiviteteve të tjera, delegacioni pat organizuar një pritje modeste në hotel Dajti për nja 100 zrytarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, disa amerikanë dhe diplomatë të huaj të akredituar në kryeqytetin shqiptar të ftuar nga përfaqësia e parë diplomatike amerikane në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Në atë pritje delegacioni kishte vendosur të ftonte edhe përfaqësues të feve dhe tjerë të shoqërisë shqiptare, të posa liruar nga burgjet e komunizmit: Hafiz Sabri Koçin, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe At Simon Jubanin, (1927–2014), Nga Frank Shkreli/ Apostulli i Lirisë Fetare Dom Simon Jubani: Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri dhe vizita e tij në Amerikë në maj të vitit 1991 | Gazeta Telegraf — prifti katolik që mbijetoi 26 vjet burg e internim — dhe i cili kishte celebruar meshën e parë në Shkodër me 4 nëntor të vitit 1990, pas 23 vitesh të ndalimit brutal të fesë nga regjimi komunist. Mesha publike e Dom Simon Jubanit u konsideruar në atë kohë si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj shpalljes së Shqipërisë si “shteti i parë ateist në botë”, dekada më parë.  Në mungesë të një kleriku ortodoks, i ftuar ishte edhe një përfaqësues civil i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Takimi me Papa Gjon Palin e II-të, Shqipëri, 1993

Megjithse ai rast nuk ishte koha as mundësia të bisedoja pak më gjatë me këto dy figura të mëdha të fesë e Kombit Dom Jubani dhe Hafiz Sabri Koçin përveç përshëndetjeve të rastit – por i kujtoj si dy individë të vuajtur por të vendosur në parimet e tyre të fesë në Zotin dhe në dinjitetin dhe lirinë njerëzore – dhe si dy protagonistë fetarë, simbole të fillimit të një epoke të re.  Kësaj radhe do përqendrohem pak – duke përkujtuar — në shënjë nderimi dhe respekti, njëkohsisht, dhe me rastin e këtij muaji të Ramazanit, Hafiz Sabri Koçin, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1991–2004).  Pas rënies së regjimit komunist, ai udhëhoqi ringritjen institucionale dhe shpirtërore të besimit islam në vend.  I burgosur politik (1966–1986) – kaloi rreth 20 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha për shkak të besimit dhe veprimtarisë fetare. Ai luajti rol kyç në rihapjen e xhamive, në organizimin e jetës fetare dhe rikthimin e edukimit islam pas ndalimit brutal të fesë në vitin 1967.  Sipas atyre që e kanë njohur, Hafiz Sabri Koçi është dalluar për qëndrimet e tija të moderuara, për dialog ndërfetar dhe për ruajtjen e harmonisë tradicionale fetare ndër shqiptarët.  Si i tillë, megjithse në amshim, ai vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, një prej simboleve të qëndresës fetare, i faljes dhe i bashkëjetesës ndërfetare, ndër shqiptarët.  Ai ka kontribuar që, pas shembjes së komunizmit zyrtar antifetar, Islami shqiptar të riorganizohej mbi baza kombëtare dhe larg ndikimeve radikale. Si i tillë, figura e Hafiz Sabri Koçi zë një vend të veçantë në historinë moderne shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një klerik mysliman; ai ishte edhe simbol i qëndresës shpirtërore përballë një prej periudhave më të errëta të shtetit shqiptar.

Foto e rrallë — Nenë Tereza në vitin 1990, ishte takuar me Myftiun e Madh të Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi, njoftone gazeta zvicerane (Canton27.ch)

Siç dihet, Shqipëria jonë e pësoi si asnjë shtet e komb tjetër në botë komunizmit anti-Zot, kur regjimi i Enver Hoxha kishte shpallur Shqipërinë shtet ateist në vitin 1967. Dhe si rrjedhim regjimi tij barbar mbylli çdo institucion fetar, shumë klerikë u burgosën, u internuan ose u detyruan të heshtin. Hafiz Sabri Koçi kaloi afro dy dekada në burgjet komuniste. Si shumë të tjerë si ai –sy pa trembur, as përball vuajtjeve e burgjeve, punës së detyruar dhe persekutimeve komuniste, ai me shokë klerikë të feve të tjera, nuk hoqën kurrë dorë nga besimi, por as nga dashuria për Kombin e vet, pa dallim.

Pas rënies së komunizmit zyrtar, ai mori drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në një kohë kur institucionet fetare ishin të shkatërruara, ndërsa  shoqëria shqiptare ishte e çoroditur, shpirtërisht, por jo vetëm. Sabri Koçi me urtësi dhe maturi, udhëhoqi rihapjen e xhamive, edukimin e brezit të ri të imamëve dhe rikthimin e jetës fetare në normalitetin e traditës shqiptare.  Por ndoshta merita më e madhe e tij ishte dhe mbetet se ai punoi për ta ruajtur Islamin shqiptar në traditën e tij të moderuar, kombëtare dhe harmonike me besimet e tjera dhe me shioqërinë në përgjithsi. Në një kohë kur Ballkani po përjetonte tensione të forta fetare, politike e etnike, ai zgjodhi rrugën e dialogut dhe të bashkëjetesës midis shqiptarëve të feve të ndryshme, ashtu sipas traditës.  Pas vitit 1990, kur shumë ndikime të jashtme — jo të natyrshme për bashkjetësën fetare të shqiptarëve —  kërkonin të mbushnin vakumin shpirtëror të lënë nga diktatura komuniste, Hafiz Sabri Koçi zgjodhi rrugën e traditës shqiptare: duke predikuar një Islam kombëtar, të moderuar, të lidhur ngusht dhe historikisht, me kulturën dhe me bashkëjetesën shqiptare. Ai e kuptonte se feja pa atdhe bëhet instrument, ndërsa feja me përgjegjësi kombëtare, bëhet mburojë ndaj infleuncve të huaja.  Duke lënë kështu një trashëgimi fetare, morale dhe kombëtare, por jo vetëm. Duke na kujtuar të gjithëve, se ndryshe nga propaganda komuniste anti-fetare e Enver Hoxhës dikur, feja kur lidhet me atdhedashurinë dhe me përgjegjësinë morale, bëhet faktor stabiliteti dhe jo përçarjeje, midis shqiptarëve. Hafiz Sabri Koçi, sipas atyre që e njihnin mirë, nuk e përdori kurrë fenë për përfitime personale, as politiko-fetare. Përkundrazi, ai e mbrojti pavarësinë e institucionit fetar nga instrumentalizimi.  Prandaj, sot, si i tillë, në këtë muaj të Ramazanit, 2026, kur Shqipëria përballet me sfida identitare, emigracion masiv, korrupcion dhe polarizim politik, modeli i tij i maturisë dhe i përkushtimit ndaj harmonisë ndërfetare dhe vlerave kombëtare –mbetet shembullor dhe aktual.   Prandaj, Hafiz Sabri Koçi ishte më shumë se vetëm udhëheqës fetar. Ai ishte një ndër ata klerikët e vuajtur — nepër burgje e kampe përqendrimi, të vrarë e të persekutuar — të feve shqiptare nën diktaturën komuniste enveriste, katolikë, bektashinjë msyslimanë e ortodoksë — simbole ndërgjegjeje morale të një shoqërie që po kërkonte dhe gjithnjë kërkon të ringrihet moralisht, mbi plagët e diktaturës antifetare hoxhiste – madje edhe 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit.

Vet Hafiz Sabri Koçi vuajti afër njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha – jo për pushtet, jo për para, por sepse refuzoi të hiqte dorë nga besimi dhe dinjiteti i tij. Ndërsa shumë ish-persekutorë të regjimit komunistë që dënuan klerikët me vrasje e burg, u ricikluan në të ashtuquajturën, “demokracinë” e sotëme. Çfarë hipokrizie kombëtare! Persekutorët komunistë edhe sot vazhdojnë në detyra të larta të “drejtësisë” së re.  Shumë oportunistë të tillë – të mbështetur nga politika e tranzicionit, mjaft prej tyre edhe ata me rrënjë të thella politike dhe akademike në ish-regjimin e Enver Hoxhës, sot janë vet- shpallur “pro-evropianë” e “pro-amerikanë”. Brenda natës u kthyen nga persekutorë komunistë në prokurorë të drejtësisë së re. Shumë prej këtyre “moralistëve” të rremë predikojnë tolerancë, “drejtësi e demokraci” nga komoditeti i studiove televizive oe nga sallat e gjykatave. Por, Hafiz Sabri Koçi – si shumë klerikë të tjerë shqiptarë, katolikë, myslimanë, ortodoks bektashinjë —  në burg dhe jasht burgut – mbeti ai që ishte: një njeri që pagoi me liri personale për të drejtën për të besuar në Zotin.

Quaje ironi, në daç hipokrizi,ose të dyja. Fakti i realitetit politik shqiptar është i hidhur: përfaqsuesit politikë të pozitës dhe opozitës të këtij shteti shqiptar që kemi sot në “demokraci”, e që dikur e burgosi për besimin e tij Hafiz Sabri Koçit dhe shumë bashkvëllezër të tij fetarë, sot krenohet nepër botë duke marrë kredinë për harmoninë ndërfetare ndër shqiptarët. Harmoninë që mbijetoi falë njerëzve si ai, jo kësaj klasës politike aktuale, as falë ideologjisë shtetërore antifetare komuniste gjysëm shekullore në të cilën shumë prej këtyre politikanëve ende mbeten të brumosur në të. Vërtetë, meritë e kujt është bashkjetesa fetare në Shqipëri?!

Sabri Koçi me shokë kërkon drejtësi historike!  E kam thënë shpesh gjatë dekadave të fundit se Shqipëria “post-komuniste”, u ka borxh këtyre përfaqsuesve të përsekutuar të Kombit – të gjallë e të vrarë nga regjimi komunist — një rivlerësim serioz historik të rolit të tyre në mbijetesën shpirtërore të Kombit gjatë komunizmit dhe në ringritjen morale të kësaj mbijetese fetare sot ndër shqiptarët.  Por politika shqiptare në “demokraci”, e ka treguar se nuk ka guximin as vullnetin që të flasë, seriozisht, për krimet e së kaluarës komuniste në përgjithësi, ndërkohë që refuzon një përballje të thellë me persekutimin fetar nën regjimin komunist në atë vend dhe me krimet e komunizmit në përgjithsi. Ende mungon një ndjesë e plotë morale dhe institucionale për atë që ka ndodhur. Një “harresë” e mirë organizuar nga politika dhe nga academia.

Nëse Shqipëria, si shtet dhe si komb — dëshiron të ndërtojë një të ardhëme me dinjitet, duhet të përballet ndershmërisht, me të kaluarën e saj të hidhur – dhe të pranojë se ndërgjegjja morale e atij tranzicioni nuk erdhi nga politika, por nga shqiptarë, kundërshtarë të komunizmit, si Hafiz Sabri Koçi. Dhe nëse sot ka stabilitet dhe bashkjetesë fetare në Shqipëri, kjo është meritë e tij dhe shumë të tjerëve si ai. Për këtë meritë,  ata nuk kërkojnë lavdërime boshe, por do donin një klasë politike dhe një shoqëri që e kupton se liria as demokracia nuk janë dhuratë – por janë një  trashëgimi e paguar me sakrifica –e që historia duhet ta njoh, për ndryshe, ajo shoqëri rrezikon të humbasë busullën morale, por jo vetëm.

Imponimi i narrativës për Kosovën si “shoqëri islamike”, nuk mund të jetë i vërtetë dhe nuk pranohet nga kombi shqiptar

0
Ka një narrativë që po tentohet të imponohet: se Kosova është shoqëri islamike dhe se politikanët thjesht po reflektojnë vullnetin e një popullate fetare.
Kjo është e pavërtetë.
Shqiptarët e Kosovës historikisht nuk janë identifikuar si popull fetar në kuptimin politik. Identiteti i tyre ka qenë kombëtar, gjuhësor dhe kulturor, ndërsa feja ka qenë dimension privat.
Ajo që po shohim sot nuk është “shprehje e popullit”, por rritje e ndikimit të strukturave fetare dhe tolerim apo mbështetje politike ndaj tyre.
Politikanët nuk po i bëjnë lëshime sepse populli kërkon fetarizim – por sepse fetarizimi krijon terren më të lehtë për kontroll social, klientelizëm dhe ndikim ideologjik.
Në këtë kuptim, krijohet një rreth vicioz:
– struktura fetare fitojnë hapësirë publike
– politika i përdor për legjitimitet dhe mobilizim
– pastaj kjo paraqitet si “realitet shoqëror” edhe kur nuk është shumicë
Prandaj është e rëndësishme të ndahet qartë:
besimi personal i qytetarëve ≠ projektet politike që përdorin fenë
Shqiptarët nuk kanë nevojë për identitet fetar politik për të ekzistuar si komb. Historia e tyre dëshmon pikërisht të kundërtën: mbijetesa kombëtare erdhi nga tejkalimi i ndarjeve fetare.
Kur shoqëria reduktohet në etiketa fetare, dobësohet kohezioni kombëtar dhe hapet rrugë për ndikime të jashtme dhe manipulim politik.

Edhe 6 vjet nga vrasja e Heroit Qerim Kelmendit – mungesë e vazhdueshme e hetimit efektiv…!

0
KOMUNIKATË PËR MEDIA
(27 shkurt 2026)
6 vjet nga vrasja e Heroit Qerim Kelmendit – mungesë e vazhdueshme e hetimit efektiv
Sot, më 27 shkurt 2026, bëhen gjashtë vjet nga vrasja e qëllimshme dhe në rrethana veçanërisht të rënda e familjarit tonë, Heroit Qerim Kelmendi, njërit nga guerilët e parë të UÇK-së, bashkëluftëtar i Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi Lladrovci, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi, Mujë Krasniqi dhe i shumë dëshmorëve e luftëtarëve të tjerë të lirisë.
Përgjatë jetës së tij, Qerim Kelmendi ka qenë objekt i fushatave të vazhdueshme të shpifjes dhe etiketimit publik, me një diskurs që ngjasonte me propagandën kriminalizuese të regjimit jugosllav dhe serb para luftës. Në këtë kontekst, e konsiderojmë të domosdoshme t’ua rikujtojmë mediave dhe opinionit publik një fakt juridik të pakontestueshëm: nga përfundimi i luftës e deri në ditën e vrasjes, Qerim Kelmendi nuk është thirrur, ndaluar, intervistuar apo marrë në pyetje asnjëherë nga Policia apo nga Prokuroria e Kosovës (apo e cilido shtet tjetër), për çfarëdo dyshimi për ndonjë vepër penale.
Ky fakt ka peshë juridike dhe publike, sepse sipas parimit të prezumimit të pafajësisë dhe standardeve të shtetit të së drejtës, shpifja publike pa bazë institucionale përbën cenim të së vërtetës, dëmton reputacionin e viktimës dhe familjes, si dhe ndihmon drejtpërdrejt në mjegullimin e hetimit penal.
Edhe pas më shumë se gjashtë vitesh nga nata e 27–28 shkurtit 2020, vrasja e Qerim Kelmendit mbetet e pazbardhur. Familja jonë nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar substancial që do të dëshmonte përparim real në hetime. Kjo situatë bie ndesh me detyrimin ligjor të institucioneve për të zhvilluar një hetim efektiv, brenda një afati të arsyeshëm, siç parashihet nga legjislacioni dhe standardet europiane për të drejtat e njeriut.
Sa i përket trajtimit të rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, faktet janë këto:
– Prokurori i parë i rastit, Haki Geci, e mbajti lëndën për rreth tre vite pa veprime të dukshme hetimore dhe doli në pension pa rezultat konkret.
– Prokurori pasues, Shpëtim Peci, pas rreth një viti u largua nga Prokuroria Speciale dhe u kthye në Prokurorinë e Mitrovicës, pa konkretizuar ndonjë rezultat5 hetimor.
– Prej dy vitesh, rasti është në kompetencë të prokurores Arbëresha Raça Shala, pa asnjë informim zyrtar për masa konkrete hetimore apo rezultate të matshme.
Kjo situatë krijon dyshim të arsyeshëm për shkelje të parimit të efikasitetit procedural dhe të së drejtës së familjes për të ditur të vërtetën mbi rezultateve hetimore.
Si familje, ne qëndrojmë publikisht dhe juridikisht pas dyshimit tonë se vrasja e Qerim Kelmendit lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e tij çlirimtare, si dhe me një fushatë të organizuar shpifëse që mban elemente të luftës diversioniste të shërbimeve armiqësore ose të një strukture të përbashkët kriminale. Këto dyshime kërkojnë trajtim serioz profesional dhe nuk mund të injorohen pa shkelur parimin e hetimit të gjithanshëm.
Qerim Kelmendi ka qenë i përndjekur që nga fëmijëria për veprimtari çlirimtare; si student është arrestuar, burgosur dhe torturuar nga strukturat e regjimit jugosllav, përfshirë bashkëpunëtorë shqipfolës të atij regjimi, dhe është gjykuar në mungesë me 12 vjite burg nga Gjykata serbe e Prishtinës, në dhjetor 1997. Edhe familja jonë ka qenë e persekutuar për shkak të angazhimit të tij, si një nga guerilët e parë të UÇK-së, i plagosuri i parë në aksion çlirimtar. Këto fakte përbëjnë motiv të qartë politik, i cili duhej të ishte trajtuar si pistë prioritare hetimore.
Në këtë kontekst, mungesa e veprimeve konkrete, zvarritja dhe heshtja institucionale përbëjnë neglizhencë serioze dhe janë të papranueshme për një rast me peshë të lartë publike, historike dhe politike.
U bëjmë lutje mediave dhe gazetarëve që:
• të kërkojnë transparencë ligjore mbi rezultatet hetimore;
• të kërkojnë llogaridhënie institucionale për vonesat e pajustifikuara;
• të insistojnë në veprime konkrete që e çojnë rastin drejt zbardhjes së plotë dhe ndjekjes penale të kriminilëve.
Familja Kelmendi nuk do të heqë dorë nga kërkimi i drejtësisë. Ne kërkojmë zbardhjen e plotë dhe gjykimin e krimit. Në të kundërtën, do të kërkojmë përgjegjësi ligjore dhe institucionale për dështimet e deritanishme.
_____
Me respekt,
Man Kelmendi
(në emër të Familjes Kelmendi)

Vërtetë, kush po i financon “iftaret politike”…, në shtetin laik të Kosovës?

0
LAIK NË LETËR KONFUZ NË PRAKTIKË ?
Ramazani është muaj i shenjtë për besimtarët myslimanë – muaj reflektimi dhe devotshmërie personale. Kjo është e drejtë e pacenueshme.
Por ajo që po ndodh në hapësirën publike të Kosovës nuk është më vetëm praktikë fetare. Është shfaqje simbolike dhe institucionale që ngre një pyetje themelore:
A po sillet shteti si neutral, apo si pjesëmarrës?
1. Laiciteti në heshtje, politika në iftar
Sheshe të mbushura me tenda.
Iftare masive me prezencë politike.
Liderë institucionalë që garojnë për dukshmëri në tryeza fetare.
Në këto aktivitete shfaqen përfaqësues të shtetit në bashkëveprim publik me strukturat e Bashkësia Islame e Kosovës.
Kjo nuk është më vetëm çështje besimi personal.
Kjo është afërsi institucionale e demonstruar publikisht.
Laiciteti nuk është dekor kushtetues.
Është ndarje e qartë mes shtetit dhe organizimeve fetare.
Kur kjo ndarje zbehet në praktikë, lind konfuzioni.
2. Shteti nuk agjëron: pse politika po e bën?
Shteti nuk ka fe.
Institucionet nuk agjërojnë.
Kushtetuta nuk përshtatet sipas kalendarit fetar.
Askush nuk sulmon agjërimin.
Por kur politika fillon të sillet si aktor devocional në hapësirën publike, roli i saj ndryshon.
A është kjo bindje personale?
Apo kalkulim elektoral?
Në çdo rast, mesazhi publik është i qartë: politika po kërkon legjitimitet përmes simbolikës fetare.
3. Kur simbolika fetare bëhet strategji politike
Transformimet institucionale nuk fillojnë me ndryshim sistemi.
Fillojnë me normalizim simbolik.
Me fotografi.
Me heshtje.
Me përshtatje graduale.
Kur shfaqja e devotshmërisë bëhet element i komunikimit politik, kemi hyrë në zonën e instrumentalizimit.
Feja është e shenjtë për besimtarin.
Por ajo bëhet mjet kur përdoret për kapital politik.
4. Orientimi euro-atlantik apo balancim fetar?
Kosova është projekt politik i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Është projekt qytetar dhe demokratik.
Në momentin kur hapësira publike dominohet nga simbolikë fetare me prezencë të fortë politike, dërgohet sinjal i paqartë për orientimin tonë strategjik.
A jemi të vendosur qartë në boshtin euro-atlantik?
Apo po kërkojmë balancime simbolike për konsum të brendshëm?
Shteti modern nuk ndërton identitet mbi religjionin.
Ai ndërton identitet mbi qytetarinë.
5. Kush e mbron shtetin laik kur politika hesht?
Heshtja është pozicion.
Fakti që askush nga liderët politikë nuk flet qartë për kufirin mes shtetit dhe organizimeve fetare tregon një realitet të pakëndshëm:
Frikë elektorale.
Varësi nga ndikimi fetar.
Mungesë guximi për të mbrojtur parimin.
Laiciteti nuk është anti-fetar.
Ai është garanci për barazi të të gjithëve – besimtarë dhe jobesimtarë.
Përfundim :
Ramazani është i shenjtë për besimtarët.
Por shteti është i shenjtë për qytetarët.
Nëse politika vazhdon të përkulet para simbolikës fetare për arsye kalkulimi, atëherë laiciteti mbetet vetëm fjali në Kushtetutë.
Pyetja mbetet:
A jemi shtet laik në praktikë – apo vetëm në letër?

Përfaqësimi nga Vjosa Osmani, një grua e shkolluar dhe me përvojë, na nxjerrë para botës si popull të emancipuar

0
LËRENI CIC-MICIN, MOS NA BËNI PËRRALLË !
Deklarata koti, debate nepër ekrane, përshpëritje nëpër korridoret e klaneve dhe partive, në një kohë kur nuk prêt koha.
Foli edhe Murati, foli, si gjithmonë, me mend; nuk kam ambicje politike.
E njoh mirë Muratin: është burrë i fortë, është burrë i zgjuar, është burrë i ndershëm.
Besa edhe ka dijtë me u sjellë, ka dijtë me e ruajt Familjen dhe emrin e saj.
Tash topi është para derës së Albin Kurtit, Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut.
Nëse këta dy të fundit duan me luejt cic-mic, kryeministri Kurti duhet t’ua ndalë lojën me qëndrim konkret dhe të vendosur:
Kosova nuk ka kohë.
Bota është në udhëkryq. Krijimi i Bordit të Paqes, është një projekt në nisje. Vjosa Osmani është ftuar aty. Na ka përfaqësuar mirë.
Përfaqësimi nga një grua e shkolluar e me përvojë na nxjerrë para botës si popull të emancipuar. Prandaj është në interesin e Kosovës që asaj t’i vazhdohet mandati, por me një marrëveshje interne të qartë bashkëveprimi:
Nuk lejojmë federalizimin e Kosovës;
Nuk lejojmë që 3% t’ua imponojnë vullnetin, tekat dhe inatin e vet 97% të qytetarëve të tjerë; Sepse kjo nuk është as liri, as demokraci, por tirani;
Prandaj duhet ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet që e mbajnë Kosovën pezull;
Pastrimin e sistemit të drejtësisë. Në çfarë gjendje dhe në duar të kujt është sistemi i drejtësisë këtë e ka nxjerrë në pah, më së miri, rasti i prokurorit Besim Kelmendi;
Futja e referendumit si kategori kushtetuese;
…
Natyrisht, këto ndryshime nuk bëhen dhe nuk duhet të bëhen pa opozitën, me të cilën kryeministri Kurti duhet të ndërtojë raporte mirëbesimi.
Aq më tepër kur e di shumë mirë se sa herë është përpjekur ta ‘lumturojë’ Kosovën, e besa edhe Shqipërinë, një subjekt i vetëm politik, ne shqiptarët kemi pësuar dhe jemi ndarë keq.
…
Të gjitha të tjerat janë lojna për të cilat Kosova nuk ka as kohë, as nevojë.

Siguria e Kosovës nuk është çështje simbolike

0

Ushtarë amerikan të KFOR, duke e ruajtur Kosovën në Kufi…!

Nga: Isuf Bajraktari, Suedi

Raportimet për një rishikim të mundshëm të pranisë amerikane në Kosovë kanë ngritur shqetësime të kuptueshme në opinionin publik. Në një botë të trazuar nga luftëra, rivalitete globale dhe kriza të papritura gjeopolitike, çdo lëvizje strategjike e Shteteve të Bashkuara interpretohet me ndjeshmëri të lartë — sidomos në një rajon historikisht të brishtë si Ballkani.

Pyetja e parë është thelbësore: a po përgatitet një rikonfigurim i heshtur i rolit të NATO-s në Kosovë?

Sipas deklarimeve zyrtare, nuk ka ndryshime të rëndësishme në shqyrtim. Aktualisht nuk ekzistojnë sinjale për një tërheqje të menjëhershme. Megjithatë, rishikimi i pranisë ushtarake është praktikë normale në politikën ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara operojnë në një mjedis global me prioritete të shumta, dhe çdo rajon vlerësohet në raport me interesin strategjik afatgjatë.

Kosova, megjithatë, nuk është një hapësirë periferike në arkitekturën euro-atlantike. Një rikonfigurim i mundshëm do të ishte përshtatje taktike, jo ndryshim strategjik. Këto dy koncepte nuk duhen ngatërruar.

Pyetja e dytë lidhet me kapacitetin real të KFOR-it në rast të një zvogëlimi amerikan.

Formalisht, misioni është shumëkombësh dhe vendet evropiane kanë kapacitete për ta ruajtur funksionalitetin e tij. Por siguria nuk matet vetëm me numër trupash. Prania amerikane ka peshë politike dhe efekt parandalues që tejkalon dimensionin operacional. Ajo ndikon drejtpërdrejt në kalkulimet strategjike të aktorëve rajonalë.

Një reduktim i moderuar nuk do të prodhonte krizë. Por një dobësim i theksuar do të ndikonte në balancën e perceptuar të fuqisë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, perceptimi i ekuilibrit është shpesh po aq i rëndësishëm sa kapaciteti real ushtarak.

Pyetja e tretë është ndoshta më delikatja: a po zhvendoset përgjegjësia nga garancia ushtarake tek diplomacia?

Diplomacia është rruga e vetme për stabilitet afatgjatë. Asnjë mision ushtarak nuk mund të zëvendësojë zgjidhjen politike të çështjeve të hapura. Por diplomacia funksionon vetëm kur mbështetet nga një garanci e besueshme sigurie. Ajo nuk mund të operojë në vakuum.

Nëse diplomacia shihet si plotësim i sigurisë ushtarake, ajo është efektive. Nëse perceptohet si zëvendësim i saj, atëherë rreziku i pasigurisë rritet.

Në këtë kontekst, Serbia vazhdon të ndjekë një politikë balancimi mes Perëndimit dhe Rusisë. Çdo ndryshim në praninë amerikane në Kosovë do të analizohej me kujdes në Beograd. Rusia, edhe pa prani të drejtpërdrejtë, e përdor çështjen e Kosovës në diskursin e saj ndërkombëtar dhe mbetet faktor indirekt në rajon.

Kosova sot nuk është në prag konflikti. Por siguria e saj është e ndjeshme ndaj zhvillimeve të jashtme dhe kalkulimeve rajonale. Ajo mbështetet mbi praninë ndërkombëtare, mbi dialogun politik dhe mbi stabilitetin e brendshëm institucional.

Prandaj, debati për praninë amerikane nuk duhet të jetë emocional, por strategjik. Kosova duhet të mbetet e lidhur fort me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e saj shtetërore dhe unitetin politik.

Sepse në fund, siguria nuk është vetëm çështje pranisë së një aleati të fuqishëm. Ajo është çështje serioziteti shtetëror, vizioni politik dhe pozicionimi të qartë në arkitekturën euro-atlantike. Në një botë me surpriza të shpejta dhe rivalitete të forta, vetëm një Kosovë e qëndrueshme, e matur dhe e orientuar qartë drejt Perëndimit mund ta ruajë stabilitetin e saj afatgjatë.

Kosova është Perëndim, se Shqiptarët nuk i takojnë asnjë gjografie tjetër

0

Sak Muji , Rugovë

MANIFEST: KOSOVA ËSHTË PERËNDIM

Kosova është Perëndim, se Shqiptarët nuk i takojnë asnjë gjografie tjetër, andaj Gadishulli Ilirik, Dardania për këtë pjesë të Atdheut, nuk është përkundur në ndonjë djep tjetër, përpos në atë të Nanave Dardane !

Nga Sak Muji – smuji’26 Zgjohu, shqiptar. Kosova s’është eksperiment. Kosova s’është sekt. Kosova s’është pazar identitetesh. Kosova është Republikë. Ligji është një. Kushtetuta është një. Shteti është laik. Pikë.

Feja? Në zemër. Jo në polici. Jo në parti. Jo në gjykatë.

Demokracia? Nuk është zhurmë. Është rregull. Është liri. Është përgjegjësi.

Jo…Jo dhe Jo…!

Ekstremizmi? Nuk ka fe. Ka agjendë. Ka financim. Ka rekrutim. Ka propagandë. Vjen me mjekër. Vjen me kollare. Vjen me mikrofon. Por gjithmonë kërkon të njëjtën gjë: me e zëvendësu Kushtetutën me “doktrinë”.

Jo, bre. Ne s’kemi luftu për dy ligje. Një për rrugë.

Një për shije ideologjike. Ne kemi luftu për Republikë.

Dhe mos harro: Kosova u çlirua me NATO. Jo me Azi. Jo me Arabinë. Jo me “përralla morali”.

Hahaha — kësaj here e zgjodhëm Perëndimin. Sepse Perëndimi na dha aleancë. Na dha mbrojtje. Na dha shtet.

Kush s’e kupton këtë, s’e kupton Kosovën. Perëndimi = shtet ligjor. Perëndimi = liri fjale. Perëndimi = barazi. Perëndimi = institucione.

Nuk ka Perëndim pa shtet laik. Pa shtet të fortë Laik, kombin shqiptar e zhdukin armiqët e shumtë, ata që kombit tonë duan t’i japin identitet fetar.

Edhe nëse ka origjinë shqiptare, është punuar që të mos jetë e tillë…!

Të mos e lënë ashtu qysh e ka falur natyra , vetëm Shqiptar…!

Nuk ka shtet laik pa Kushtetutë. Nuk ka Kushtetutë pa rend. Prandaj: Respekt për besimtarin. Respekt për jobesimtarin. Por zero tolerancë për politizimin e fesë. Kosova është e shqiptarëve. E qytetarëve. E ligjit. Jo e sektesh. Jo e ekstremëve. Jo e agjendave të importit. Kaq.

smuji’

Askush që do të zgjidhej për president/e të Kosovës, nuk ka kapacitet intelektual ta përfaqësojë Kosovën, më mirë sesa Vjosa Osmani

0

Gani I. Mehmeti

PËR KRYETARIN/EN E KOSOVËS

Kalkulimet e të gjitha partive politike për zgjedhjen e kryetarit/es së Kosovës, disi po duken si një lojë e pandershme dhe një dukje e vënë në pah vetëm për interesat politike të partive në Kosovë.

Kjo sjellje tregon një papërgjegjësi politike për të mirën e Kosovës, që është për çdo kritikë ndaj të gjitha partive.

Nuk ka lojë me shtetin, nuk duhet të rrezikohet e as të pengohet zhvillimi i shtetit për një interes të të gjitha partive apo edhe vetëm të një partie politike.

Për ne si vëzhgues nga jashtë partive politike, na duket se personi më i mirë e më i dinjitetshëm për kryetare të Kosovës është Vjosa Osmani, e cila e ka përfaqësuar më së miri Kosovën në arenën ndërkombëtare deri sot këto kohët e fundit.

Vjosa është personaliteti më i duhur i shtetit po edhe i partive politike, përkundër që partitë janë çuar në këmbë kundër Vjosës, se gjoja ajho nuk qenka unifkuese p[r të gjitha partitë!

Vjosa Osmani ka dhënë dorëheqje nga partia e saj e formuar “Guxo” dhe tani është jopartiake.

Cilindo person tjetër ta zgjedhin për kryetar të Kosovës, nuk ka mundësi as dije e kapacitet ta përfaqësojë interesin e Kosovës më mirë sesa Vjosa Osmani.

Sa i përket përfaqësimit të unitetit ndër shqiptarë, siç është kërkuar dhe akuzuar Vjosa nga disa parti, ajo nuk ka qenë kundër e as për aq shumë, për çka disi po hezitohet ta kandidojnë dhe ta zgjedhin. Duhet ta dinë të gjithë se me Vjosën, shteti do të eci më përpara në organizatat ndërkombëtare. Është mirë të mos dëgjohen analistët jo qëllimmirë e që haptas shprehen kundër Vjosës nëpër debate. Kryetari i shtetit duhet të bëjë aq sa mundet në interes të shtetit, kështu siç është treguar Vjosa.

Deri sa kryetari i Kosovës zgjedhet nga partitë, atëhere për zgjedhjen e saj përgjegjësinë e bartin të gjitha partitë politike, në veçanti Lëvizja Vetëvendosje që ka shumicën e deputetëve pastaj vijnë edhe PDK e LDK, sepse, edhe vetëm me njërën nga këto dy parti, do të mund të zgjedhet kryetari/ja e Kosovës. Kështu që, duhet lënë anash interesat pqartiake e individuale në këtë rast për të mirën e vendit.

Ne nuk e kemi luksin të shkojmë edhe një herë në zgjedhje edhe për shkaqe të shpenzimeve edhe për atë se me zgjedhje nuk do të bëhet asgjë, deri sa del po i njëjti rezultat nga zgjedhjet, përveç dëmeve financiare, do i shkaktohen edhe dëme të tjera, që do mbetet pa kryetar e institucione tjera deri pas zgjedhjeve.

Nëse dikush i druhet Vjosës për ta zgjedhur kryetare, ajo ka deklaruar me kohë se me moszgjedhjen e saj kryetare do të angazhohet në politikë. Dhe, po u angazhua në cilën do parti politike, si në atë Guxe si në LDK, gjithsesi do të marrë votat më të shumta, ndoshta edhe me mbi 50 për qind. Atrëherë, do të dëmtohet më së shumti Lëvizja Vetëvendosje, PDK më pak, por ka gjasa të bie më poshtë. Do të bie edhe më poshtë LDK, nëse Vjosa shkon në GUXO.

Me një fjalë, kah të shkojë Vjosa, do të shkojnë edhe vutioesit, ajo ka konsidertaën në popull më shumë se akëcili tjetër.

Populli brenda Kosovës shihet se është për Vjosën, ashtu edhe mërgimtarët, prandaj, i jepni edhe një mandat të dytë për kryetare të Kosovës Vjosa Osmanit e mos luani me shtetin.

Bjeshkë përballë stuhishë

1

Bjeshkë përballë stuhishë

Poezi

(Këto vargje i kushtohen z. Adem Demaçi, që i dha gjithçka Atdheut — e prej tij mori vetëm një copë tokë për varr.)

 Shtatshkurtër,
por me gjurmë hapi kudo.
Frikën nuk e mbaje barrë së koti.
Atyre që mendonin se ua kishe zënë diellin —
në sy ua thoshe: ja ku jam.

Kosova është djep i të parëve të mi.
Do ta mbroje qoftë edhe me thonj,
ashtu siç i mbron shqiponja zogjtë e saj.

Me guxim u përballje
me çakallë e dobiçë,
të lindur në stepat e Azisë.

I dashur e i butë
ndaj të njerëzishmëve
e punëtorëve;
i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj atyre
që preknin djersën e popullit të shkërmoqur
nga plagët e pushtimeve në çdo stinë.

Në djalëri e në pleqëri ishe
dhe mbete vetvetja.
Atë që e ndjeje në shpirt
e nxirrje nga goja —
kurrë hipokrit.

Ballafaques e guximtar ndaj armiqve,
mirënjohës ndaj miqve.

Njëzet e tetë vjet
ngujuar në qeli,
por gjithnjë
me hapin e luanit.

Bjeshkë ndaj sulmeve e shpifjeve
që pillnin
të shiturit
e gojëkëqijtë.

Kur zagarët të lehnin prapa,
ti vazhdoje rrugën,
duke thënë:
detyrë e kanë.

Gjithmonë ecje
me ballin lart, e krenar.
Shpesh thoshe: me vdekjen s’kam
kontratë — kur të dojë, le të më marrë.

Jetove pa u ankuar
dhe pa kërkuar lëmoshë.
Vdiqe pa gjëmë,
ashtu siç vdesin
luftëtarët e lirisë
në beteja.

Gjatë gjithë jetës — urë e Atdheut!

Arif Ejupi
Gjenevë, 26 shkurt 2026

Gjilani jep shembullin: Institucionalizohet bashkëpunimi kombëtar

0

Ismet Azizi nga Gjilani dhe Sazan Guri nga Tirana

Gjilan, më 26.02.2026

OJQ “Kosova për Sanxhakun” dhe Akademia “Rrënjët Tona” formalizojnë marrëveshje bashkëpunimi

Sot në Gjilan u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet OJQ “Kosova për Sanxhakun” dhe Akademisë “Rrënjët Tona” nga Tirana, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit kombëtar ndërmjet organizatave nga Kosova dhe Shqipëria.

Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i OJQ “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi, dhe drejtori ekzekutiv i Akademisë “Rrënjët Tona”, Sazan Guri.

Nga deklaratat te mekanizmat konkretë

Në një kohë kur shpesh flitet për unitet kombëtar, por rrallë krijohen struktura të qëndrueshme për ta materializuar atë, ky memorandum synon të ndërtojë një kornizë konkrete bashkëpunimi në fushën e:

· kulturës dhe trashëgimisë kombëtare,

· hulumtimeve historike,

· projekteve akademike dhe botimeve,

· aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese,

· koordinimit në çështje me interes strategjik.

Ky akt institucional krijon bazën për projekte të përbashkëta me shtrirje Kosovë–Shqipëri–Sanxhak, duke e zhvendosur bashkëpunimin nga niveli simbolik në nivel operacional.

Një aks i ri: Gjilan–Tiranë–Sanxhak

OJQ “Kosova për Sanxhakun” ka qenë prej vitesh aktive në dokumentimin e historisë së Sanxhakut dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Akademia “Rrënjët Tona”, ndërkaq, ka kontribuar në debatet mbi identitetin kombëtar dhe politikat kulturore në Shqipëri.

Bashkëpunimi i formalizuar sot krijon një bosht të ri institucional që synon koordinim afatgjatë dhe projekte të qëndrueshme.

Mesazhi nga Gjilani

Nga Gjilani sot u dha një mesazh i qartë: bashkëpunimi kombëtar duhet të ndërtohet mbi marrëveshje konkrete dhe vizion afatgjatë.

Në kohë sfidash rajonale dhe tensioneve identitare, institucionalizimi i bashkëpunimit kulturor dhe akademik përbën një investim strategjik për të ardhmen.