Kreu Blog Faqe 438

Ese mbi romanin Iliriana të  autorit Reshat Sahitajt

0

Shkruan: Qazim Ali Deda

Romani Iliriana i autorit Reshat Sahitaj, i botuar rishtazi nga shtëpia botuese Liberty Presse në Francë (2025), me një parathënie të ngjeshur nga kritiku dhe poeti francez Daniel Leuwers, më ra në dorë si një frymë e re, një zë i veçantë që vjen nga trualli shqiptar, për të rrëfyer jo vetëm një histori dashurie, por një univers të tërë ndjenjash, përplasjesh dhe ëndrrash që kapërcejnë kufijtë e zakonshëm të një romani tradicional. Leximi i tij, i bërë për një frymë, më mbushi me një emocion të veçantë: ndjeva se nuk isha vetëm përballë një teksti letrar, por në një udhëtim të thellë estetik dhe filozofik, ku historia e dy të rinjve të dashuruar shndërrohej në një metaforë të madhe të jetës ballkanike, të përjetësisë së dashurisë dhe të luftës së njeriut për të dalë mbi kufizimet që i imponon realiteti shoqëror e historik.

Në hyrje të romanit, përmes fjalës së Daniel Leuwers, lexuesi ftohet të hyjë në një botë të përftuar me finesë, ku freskia e shprehjes dhe tisat e hollë të emocioneve e bëjnë leximin një përjetim estetik. Leuwers nuk kufizohet vetëm në prezantimin e autorit, por na zbulon edhe atë çelës që i hap portat për një lexues të huaj: origjinalitetin e stilit dhe fuqinë e një penë që buron nga përvoja e një populli dhe e një shpirti të pasur, që di të bartë plagët e historisë, por edhe të gjejë në dashuri dhe fantazi një formë të lartë shërimi e shprehjeje. Kështu, qysh në hyrje, krijohet një ndjesi se romani nuk është vetëm një histori intime, por një udhëtim që merr me vete dritëhijet e një bote të tërë.

Qendra e romanit është një histori dashurie mes dy të rinjve, që i përkasin kombeve të ndryshme. Një dashuri që në shikim të parë duket e thjeshtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi ndjenja njerëzore universale, por që në thelb bart një kompleksitet të madh: përplasjen e mentaliteteve ballkanike, pengesat që lindin nga historia dhe paragjykimet, tensionet e përditshmërisë dhe, mbi të gjitha, sfidën e të qenit ndryshe në një shoqëri që shpesh ngurtësohet në forma të caktuara të të menduarit. Kjo dashuri nuk është e stolisur me lajka apo sentimentalizëm artificial; ajo është e zhveshur nga zbukurimet e tepërta dhe shfaqet ashtu siç është: e sinqertë, e vështirë, e përballur me antagonizma, por njëkohësisht edhe e mbështjellë me një urtësi të brendshme që e bën të pavdekshme.

Në këtë kuptim, romani bëhet më shumë se një rrëfim dashurie. Ai është një pasqyrë e shpirtit ballkanik, ku psikologjia e individit përplaset me realitetin kolektiv, ku dashuria e pastër përballet me paragjykimin, ku fantazia shndërrohet në një mburojë ndaj fatit. Kjo e bën Iliriana-n një vepër që nuk mund të lexohet vetëm si një roman, por si një traktat i heshtur mbi njeriun, mbi guximin për të dashur dhe mbi luftën për ta mbajtur të gjallë shpresën edhe aty ku duket se gjithçka është e pamundur.

Stili i Reshat Sahitajt është i veçantë. Ai nuk niset për të shkruar një roman të zakonshëm, por një tekst që i ngjan një tapicerie të gërshetuar me shumë fije: realizëm, humor, ironí, mençuri dhe një fantazi të gjallë, që nuk i largohet kurrë realitetit. Në faqet e romanit ndihen qartë mendimet e tij diplomatike, përvoja e gjatë në botën e madhe, por edhe ndjenja e hollë e një shkrimtari që i njeh mirë mekanizmat e shpirtit njerëzor. Ai di të ngrejë një tension dramatik pa e shndërruar atë në patetikë të panevojshme, di të ndërthurë lojën e fatit me ironinë e jetës, di të thurë një alegori që lexuesin e bën të ndalet dhe të reflektojë. Alegoria këtu nuk është thjesht një ornament estetik; ajo është thelbi i veprës, një mënyrë për të thënë më shumë nga sa duket në sipërfaqe, një ftesë për ta lexuar romanin si metaforë të jetës dhe të fatit njerëzor.

Në planin filozofik, Iliriana është një meditim mbi dashurinë dhe lirinë. Dashuria në këtë roman nuk është vetëm ndjenjë intime, por një akt rebelimi ndaj kufijve, paragjykimeve dhe barrierave që i vë shoqëria. Ajo është një formë rezistence, një mënyrë për të thënë se njeriu nuk duhet të pranojë të jetojë në kornizat e imponuara, por duhet të guxojë të ndjekë zemrën dhe ëndrrën e vet. Ky mesazh e shndërron romanin në një vepër universale, sepse dashuria si akt lirie është një temë që prek çdo kulturë, çdo kohë dhe çdo lexues.

Në këtë pikë, është e pamundur të mos e krahasosh Sahitajin me autorë të tjerë botërorë. Është e vërtetë që në Iliriana mund të gjesh ngjashmëri me Tagorën, me freskinë e rrëfimit të tij; me Salman Rushdie-n, për nga mënyra si imagjinarja dhe realja shkrijnë kufijtë; me Steinbeck-un, për nga pasioni për jetën e thjeshtë dhe dramat e saj; me Thomas Gifford-in, për nga tensioni narrativ që ngrihet mbi çdo faqe. Por, në të njëjtën kohë, Sahitaj është unik: ai ka zërin e vet, që vjen nga Ballkani, me gjithë peshën e historisë dhe me gjithë pasurinë e kulturës që bart ky rajon. Zëri i tij është origjinal, i pandryshueshëm, sepse ai nuk përpiqet të imitojë, por të rrëfejë atë që ka përjetuar dhe besuar.

Ky origjinalitet lidhet drejtpërdrejt me personalitetin e autorit. Reshat Sahitaj nuk është vetëm shkrimtar; ai është edhe një atdhetar, një intelektual që ka jetuar midis dy botëve – asaj të Kosovës së plagosur dhe asaj të hapësirës ndërkombëtare ku është shquar si diplomat e njeri i kulturës. Kjo përvojë i jep romanit një thellësi të veçantë: çdo fjali është e ngarkuar me një peshë të brendshme, çdo episod përçon diçka që lidhet me historinë dhe fatin e një populli. Në këtë kuptim, Iliriana është më shumë se një roman: është një pasqyrë e identitetit shqiptar, një dëshmi se edhe në mes të dhimbjeve dhe pengesave, shpirti i njeriut mbetet i aftë të ëndërrojë, të dashurojë dhe të shpresojë.

Lexuesi që e mbyll këtë libër nuk mbetet vetëm me historinë e një dashurie. Ai del prej tij me ndjesinë se ka kaluar një udhëtim të gjatë nëpër labirintet e shpirtit njerëzor. Ndjen se është përballur me pyetje themelore: Çfarë do të thotë të duash? Çfarë kuptimi ka liria? Sa i aftë është njeriu të kapërcejë kufijtë që ia imponon jeta? Këto pyetje e bëjnë romanin të qëndrueshëm, e bëjnë një vepër që nuk mbaron me faqen e fundit, por që vazhdon të jetojë në mendjen dhe zemrën e lexuesit.

Për këtë arsye, Iliriana duhet parë si një arritje e madhe e letërsisë shqipe bashkëkohore. Ajo dëshmon se penat shqiptare mund të prodhojnë vepra që nuk mbeten vetëm brenda kufijve të një gjuhe apo të një kulture, por që flasin në një gjuhë universale, që prekin lexues nga kultura të ndryshme. Botimi në Francë dhe vlerësimi nga kritika ndërkombëtare është një dëshmi e qartë se Reshat Sahitaj ka sjellë një vepër që meriton vëmendjen më të lartë.

Në fund, unë e ndjej veten me fat që pata mundësinë ta lexoj këtë roman menjëherë pas promovimit të tij në Prishtinë. Ishte një përjetim i veçantë, një udhëtim që më bëri të reflektoj, të ndiej dhe të rikujtoj fuqinë e letërsisë për të ndryshuar shpirtin e njeriut. Iliriana nuk është vetëm një histori dashurie; është një mrekulli e shprehjes, një himn për dashurinë, lirinë dhe shpirtin njerëzor. Është një roman që do të qëndrojë gjatë, sepse është i ndërtuar mbi themele të forta: mbi bukurinë e gjuhës, fuqinë e mendimit dhe universin e pafund të zemrës njerëzore.

Ka lidhje logjike midis Albanisë së Kaukazit dhe Shqipërisë

0

Pirro Prifti, Tiranë

Egzistenca e një Albanie të lashtë që egzistonte nga shek IV p.e.s., në Kaukaz, në vëndin ku ndodhet Azerbajxhani dhe armenët e Nagorni Karabakut të sotëm, që nga  koha kur Alexandri i Madh me ushtrinë e tij me ilirë  bëri betejën e Gaugamelës në vitin 331p.e.s., deri në shek XI kur Kaukazi hyri tërësisht nën influencën islame (përveç Armenisë).

Pas shek XI e.s., Albania e Kaukazit nuk përmëndet më. Albania e Kaukazit e kanë përmëndur autorë të lashtë nga Herodoti, e deri tek historiani austriak Hahn. Interesant është fakti se Principata e Arbërit apo Albania përmëndet për herë të parë në Ballkan si principatë e Arbërit  e mbiquajtur nga Romaket -Albania (nga Alba – i bardhë) u krijua në Ballkan   si Arbëria (1190-1216 si principatë e pavarur, rreth 1216-1255).

Shkaku i zhdukjes së Albanisë së Kaukazit mendoj se ka ardhur nga islamizmi i popujve kaukazianë por edhe nga  largimi i banorëve që të mos konvertoheshin. Pra largimi i tyre  për në gadishullin Ilirik nga dhe ku e kishin origjinën sepse mendohet që ata mund të kenë qënë pasardhës së ushtarëve ilirë të Alksandrit të madh, njëlloj si banorët e Hundëzës në Aganistan që janë pasardhës të ilirëve, me sy bojqielli nuk flasin gjuhë arabe dhe kanë fjalë shqip. Ka disa ngjashmëri me fjalët shqip të asaj kohe me vëndbanimë  dhe dis emra të sotëm në Shqipëri.

Pak Histori.

Dihet gjithashtu se banorët e Albanisë së Kaukazit apo arnautët ishin të ndarë në 60 schiatte (prejardhje), secili duke folur gjuhën e vet amtare të saj, të veçantë që nga fillimi dhe kishte mbretin e vet. Por në kohën e lindjes së Krishtit, të gjithë banorët e Albanisë të ndarë në schiatte njihnin fuqinë supreme e një mbreti të vetëm. Është e vështirë për të përcaktuar karakteristikat e racës së tyre. Sipas njërit prej shkrimtarëve më vonë romakë (sek. IV), ata kanë “flokë të bardhë”sicc quheshin nga Persët ishin të krishterë , madje nga të krishterët e parë.

Albania e Kaukazit është realisht një territor që ndahet midis shteteve të sotme të Armenisë, Gjerogjisë dhe Azerbajxhanit. Popullsia që gjallon sot në shekullin e XXI në ato rajone është ajo abhkaze dhe rajoni mbi të cilin ata jetojnë është një mollë e vërtetë sherri midis armenëve, gjeorgjianëve dhe azerëve që pretendojnë secili se janë pasardhës direkt të Albanisë antike përfshi dhe Nagorni-Karabakun plot konflikte.

Sipas legjendave arabe që citon Hahn, origjina e arnautëve është nga disa vise të Detit të Kuq (jo larg Kaukazit), ku njëri nga liderët e tyre i shkeli kaftanin një shehu dhe gjatë grindjes i nxori atij madje edhe syrin. Dhe meqë nga kokëfortësia nuk pranoi të vuante ndëshkimin (arnaut nga arabishtja d.m.th. “refuzues”), u dëbua së bashku me fisin e vet për të mbërritur në Ballkan (https://lapsi.al/2015/02/11/histori-a-eshte-kaukazi-vendbanimi-i-pare-i-shqiptareve-te-sotem/).

Dihet se mbreti i parë i Albanisë  quhej Arranshahu!!.

Ata pretendojnë se banorët e atjeshëm e kanë quajtur kështu fare rastësisht vendin e tyre ngaqë ai ishte tepër i thepisur me male dhe origjina e emrit të tij vjen nga “alp” që janë lartësitë dhe jo nga fisi i “albanëve” që quhej kështu për shkak se për latinët ata ndodheshin andej nga lind dielli (alba).

Koincidenca e Matit shqiptar dhe atij kaukazian si dhe shumë e shumë vendbanimeve, lumenjve, liqeneve etj., e lë pezull misterin e kësaj afërsie të çuditshme. Hahn: `çاdo shqiptar do të çuditej kur të lexonte në një nga veprat antike greke “Kserksi” që përshkruan luftën e këtij mbreti pers me grekët, përmendet Dotos si prijësi i matjanëve. Dote, ose Dodë është ndërkohë një nga emrat e rëndomtë shqiptarë në Mat. Kështu quhet p.sh. shefi i sotëm i mirditorëve Bib Doda, për shkak se emri i të atit ka qenë Dodë”, – thotë studiuesi austriak (Johann Georg von Hahn: “Albanesische Studien” (Studime shqiptare) në tre volume, botim në vitin 1854 (ribotim 2001). Studiuesit nga Azerbajxhani zbuluan së fundi se banorët e Albanias së lashtë, kanë qenë të krishterët e parë të Kaukazit, të evangjelizuar qysh në shekullin e parë nga apostulli Elysee. “Kisha më e vjetër kaukaziane është ajo shqiptare me emrin “Kish” në rajonin Sheki, si dhe tempujt Ganxhasar dhe Amaras në zonën e Karabakut janë edhe sot e kësaj dite vende ku gjallojnë pasardhësit e shqiptarëve të ndarë në fiset e gunave, gelëve, alpnasëve, legave dhe udinajve”, mund të lexosh në secilën nga guidat turistike të Azerbajxhanit në internet.

Por çfarë lidhje ka Emathia-Mati i Aleksandrit të Madh ( 356 BC – 323 BC), me Albaninë e Kaukazit? Ndoshta faktin se i vetmi “ballkanas” që e përshkroi atë territor para Herodotit ishte pikërisht Aleksandri me etnicitet të diskutueshëm dhe me qindra mijëra ushtarët e tij? Ndoshta sepse sipas shumë versioneve, pas dështimit të fushatës së tij në Indi, garnizone “emathia-nësh” të Aleksandrit u hallakatën nëpër gjithë rrugën e kthimit për në Ballkan e madje shumë prej tyre u ngulën diku ku malet u kujtonin atdheun një pjesë malore e të cilit quhej edhe Albania? Hahn kishte zbuluar pra se jo vetëm “Albania” e lashtë ilire me Albanopolisin e vet ndodhej përafërsisht në Matin e Shqipërisë së sotme, por edhe se kjo Albania e Europës, ishte identike me një Albania tjetër, pikërisht atë që gjeografi dhe historiani antik grek Herodoti e përmend në “Historinë” e tij si një mbretëri e fortë në Kaukaz. Brenda së cilës- Herodoti përshkruan- se jetonte një popull barbar por i bardhë. Dhe një nga fiset e tij më të njohura ishin pikërisht… “matjanët”. Sipas Herodotit, Albania e Kaukazit banohej nga një popull i cili kishte një vitalitet të jashtëzakonshëm. “Me përjashtim të formave të njëllojta të Albania-s, ne gjetëm si këtu, ashtu edhe atje (në Kaukaz) një krahinë që quhej njëlloj Hotene (Hot) dhe një tjetër Blymals (…mal), veç kësaj edhe një krahinë që quhej Bolbene (Bulqiza) në Shqipëri dhe liqenin Bolge në Kaukaz. Një lumë të quajtur atje Arsenia dhe Arzin = Het-Arzum dhe këtu lumin Erzen. Sipas George Vernadsky (“Albania Zakavkazje”, George Vernadsky. The Columbia Encyclopedia, sixth edition, 2006) – Ish emri i një vendi mbi lumin Kir (Kur), mbi-Kaukaz, në brigjet e Kaspikut, pak a shumë brenda kufijve të republikës së sotme të Azerbajxhanit. Disa autorë përmëndin emrin e një mbreti gjerogjian të asaj kohe -Mirdat-, nga i cili më pas erdhën mirditorët!  (History of Albania composed by abbot Chamchian, Mikayel. ‘History of Caucasian Albania, Venice, 1786, p. 131). Historiani armen Moisiu Khoren i ka quajtur albanët e asaj kohe (shqiptarët) me emrin -Alani. Emërtimi Albani zhduket nga koha e pushtimit arab të Përtej-Kaukazit (shekulli pas VII C). Fakti u përmend më lart, se shumëllojshmëria e dialekteve ( në atë kohë albanët apo arnautët e Kaukazit ishin rreth 60 fise), duket në gjendje për të shqiptuar tezën mbi shqiptarët kaukazianë. Albanët e Kaukazit, si një popullsi dhe shtet përmenden gjithnjë krahas armenëve dhe iberëve (gjeorgjianët) me emra të ndryshme sipas gjuhës së burimeve: greqisht-alvania; latinisht-albania; armenisht-aluank; gjeorgjianshe-rani; siriane-aran; medo-persisht-ar(r)an; arabisht -arran[1]. Është me interes e dhëna e Stefan Bizantinit i cili thotë se ata janë arianoi, me sa duket termi fillestar aran, prej nga nën influencën e armenishtes kemi alvan-aluan prej nga rrjedh greqishtja-alvanoi. Oponenca ndaj këtyre pohime tregon se Asnjë nga gjuhët që fliten në Kaukaz  sot, nuk ka ngjashmëri me gjuhën Shqipe (por kjo nuk do të thotë se gjuha e atëhershme nuk kishte ngjashmëri me tonën)! (Libri `Pwrse e kthyen Arbwr&Epirotwt nw shqiptarw`, P.Prifti, botim viti 2022).

Prof. Aleksandër Meksi shkruan se “një tezë e tillë është ajo mbi ardhjen e shqiptarëve nga Kaukazi, diku nga shekujt X-XI me qenë se atëherë përmendemi për herë të parë me emrin albanoi-arbanoi në trojet e sotme në burimet bizantine. Përgjithësisht historiografia shqiptare dhe jo vetëm ajo, e ka refuzuar këtë pseudo-teori në mënyrë intuitive pa i hyrë në brendësi të dhënave historike që lidhen me albanët e Kaukazit. Përmendja e parë e tyre është në betejën e Gaugamelës në vitin 331 para Krishtit kur ata u rreshtuan së bashku me persët kundër ushtrisë së Aleksandrit të Madh. Ata përmenden si një popull pranë Armenisë dhe Iberisë (Gjeorgjia), pra si një entitet politik i rëndësishëm i rajonit të Kaukazit“. Për gjuhën e albanëve kemi alfabetin me 52 shkronja, pak mbishkrime, emrat e muajve, fjalë jo armene në historitë e hershme të armenëve (shek. VII-X).

Mendimi im për këtë problem është pak më i ndryshëm nga ai që i dhanë Stalinit (kur ai i pyeti gjatë vizitës së diktatorit Hoxha në BS), historianët rusë kur spjeguan  se nuk kanë lidhje shqiptarët e sotëm me albanët e Kaukazit (V. Minorsky. Caucasica IV. Bulletin of the School of Oriental and African Studies, University of London, Vol. 15, No. 3. (1953), p. 504).

Albanët e kaukazit kanë origjinën e tyre sipas të dhënave historike në Kaukaz që nga shek 4 pes, në kohën e pushtimit nga Aleksandri i Madh i cili kaloi në ato zona madje shkoi deri në Nuristan të Afganistanit, dhe mendohet që kanë qënë ushtarë të Aleksandrit të madh që qëndruan aty dh formuan një shtet midis spopullsive azere, armene. Kjo mbretëri vazhdoi deri në shek 10 kur ajo zonë u pushtua nga Islami pra, banorët e lashtë të Shqipërisë Kaukaziane flisnin shqipen kaukaziane, një gjuhë që u zhduk në shekullin e 10-të në kulmin e Kalifatit Abasid gjatë Mesjetës (Caucasian Albania – Simple English wikipedia, the free encyclopedia). Interesant është fakti që shteti i parë i Arbërisë në Ballkan u themelua në shek e XI-XII). Ndoshta është rastësi por mesa duket një pjesë e `matjanëve` të Albaniasë së Kaukazit erdhën përsëri në vëndin e tyre pas 14 shekujsh nga qëndrimi i tyre në Kaukaz. Pjesa tjeter u asimiluan dhe u islamizuan. Kjo principatë e Arbërit e krijuar në Ballkan   si Arbëria (1190-1216 si principatë e pavarur, rreth 1216-1255) ishte një principatë mesjetare e familjes së Progonit (përfshinte dhe Matin e Krujën), si dhe e para njësi politike arbërore gjatë Mesjetës. Fillimisht ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe më pas u formua si shtet nga Dhimitër Progoni. Pas vdekjes së tij u bë pjesë e Despotatit të Epirit. U themelua nga arhondi Progon rreth Krujës, rreth vitit 1190. Progoni u pasua nga djemtë e tij, Gjini dhe më pas Dhimitri, gjatë sundimit të së cilit principata kaloi periudhën më të mirë të saj. Pas vdekjes së Dhimitrit, i fundit i familjes së Progonëve, Kruja u drejtua nga Grigor Kamona dhe më vonë Golemi deri në shpërbërjen e saj në vitin 1255.

Si pjesë e analizës time mendoj se egziston një lidhje e logjikëshme midis Albaniasë së Kaukazit dhe Shqipërisë së sotme pikërisht për shkak të ngjashmërivë të fjalëve por edhe kur shihet në rrjedhën historike se Albania e Kaukazit zhduket rreth shek të X-XI, dhe duket pa pritur në Gadishullin Ilirik si Principata e Arbërit (Albania), e cila vendost përreth lumit Mat, në Mirditë në Krujë pra në Amathia-n e lashtë nga ku e ka origjinën Aleksandri i Madh i cili lindi në Pela (pela- shqip). Kjo gjithashtu nuk do të thotë se nuk ka patur pelasgo- ilirë në gadishullin Ilirik që para luftës së Trojës para se të vinin greket më gadishullin ilirik. Ata kanë qënë këtu, por një pjesë iku që atëhere me ushtrinë e Aleksandrit të madh dhe pasardhësit e tyre u rikthyen përsëri në trojet e tyre të AMATHIA-S.

priftipirro2017@gmail.com

Në Panairet Ndërkombëtare të mjaltit, ai i Pollatës së Podujevës me cilësinë më të lartë

0

Arif Ejupi 

Vëllezërit Riad dhe Valdet Dema nga fshati Pollatë i Podujevës, edhe pse me një përvojë jo shumë të gjatë në fushën e bletarisë, kanë shënuar suksese të njëpasnjëshme. Këtë veprimtari me pak shpenzime dhe me mjaft leverdi ata e nisën fillimisht vetëm me pesë koshere bletësh.

Me dëshirën e madhe për të avancuar në këtë degë, ata u këshilluan me ekspertë të fushës dhe studiuan literaturë profesionale. Pas fitimit të njohurive bazë dhe vlerësimit të terrenit nga profesionistë, Riad dhe Valdeti vendosën që mbarështimin dhe shumëzimin e bletëve ta zhvillojnë në fshatin e tyre të lindjes – Pollatë të Podujevës.

Prej kohësh dihet se Gryka e Mavriçit, bashkë me fshatrat përreth, ofron kushte të përshtatshme natyrore për zhvillimin e bletarisë. Megjithatë, deri në shkëputjen e Kosovës nga sundimi serb, bletaria në zonën e Llapit ishte e pazhvilluar.

Me këtë disiplinë të rëndësishme shoqërore, për shkak të mungesës së njohurive dhe pajisjeve adekuate, merreshin pak familje. Kullimi i mjaltit bëhej me metoda primitive dhe jo higjienike, çka ndikonte negativisht në cilësinë e produktit përfundimtar.

Pas pavarësimit të Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke u frymëzuar nga modeli slloven dhe ai i vendeve të rajonit, filloi të japë subvencione për bletarët e interesuar.

Në të gjitha komunat e Kosovës u formuan shoqata të bletarëve, duke mundësuar shkëmbim përvojash dhe ngritje profesionale të kultivuesve. Po ashtu, kjo ministri ofroi pajisje moderne për filtrimin dhe përpunimin e mjaltit, duke e ngritur këtë sektor në nivel ndërkombëtar.

Kjo përkrahje institucionale u bë një shtysë e fuqishme edhe për vëllezërit Dema, të cilët iu qasën me përkushtim dhe seriozitet të plotë bletarisë. Sot, ata numërojnë mbi 250 shoqëri të shëndetshme bletësh dhe konsiderohen ndër bletarët më të suksesshëm në komunën e Podujevës.

Edhe pse vitet e fundit shumë bletarë të kësaj komune janë përballur me vështirësi për shkak të kushteve klimatike jo të favorshme dhe mungesës së nektarit, Riadi dhe Valdeti kanë arritur ta ruajnë shëndetin e bletëve të tyre, falë përkushtimit të vazhdueshëm dhe menaxhimit të shkëlqyeshëm.

Mjalti i prodhuar në Pollatë të Podujevës, falë punës së tyre, është vlerësuar me cilësinë më të lartë në Panairet Ndërkombëtare të Tuzllës dhe Tetovës, duke u shpërblyer për dy vite radhazi me vendin e parë, në një konkurrencë të denjë prodhuesish të mjaltit.

“Puna me bletët kërkon dashuri, durim e mbi të gjitha vëmendje. Ne kemi bërë që Pollata të njihet jo vetëm për bukuritë e rralla natyrore, por edhe për produktin e pastër të mjaltit. Kjo shihet më së miri nga vlerësimi i bërë mjaltit tonë në Panairet Ndërkombëtare,” – thonë vëllezërit Riad dhe Valdet Dema.

Vizioni dhe përkushtimi i tyre duhet të merren si shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë që duan t’i kthehen jetës në këtë fshat piktoresk. Në Pollatë dhe fshatrat përreth është paraparë edhe ndërtimi i një liqeni artificial. Në rast se ky projekt madhor jetësohet, banorëve të kësaj pjese të Llapit do t’u shtohet dëshira për kthim dhe jetë të dinjitetshme në tokat e tyre stërgjyshore.

Gjenevë,29 shtator 2025

Diella, jo “Djella”

1

Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani 

I.

           Nuk ishte hera e parë që një një emër, një shaka e hedhur nëpër rrjetet sociale shndërrohej në grindje të panevojshme. Por këtë herë, ishte emri “Diella” që ndezi grindjen. Një emër i njomë, i pafajshëm, por, si çdo gjë që lidhej me politikën shqiptare u bë pretekst për kritika, ironi e fyerje.

Kryeministri Edi Rama, me gjasë i magjepsur nga idetë e kohës digjitale, kishte nxjerrë në pah një protagoniste të re, digjitale, të quajtur Diella, emër i bukur, që sillte dritën e diellit në syrin shqiptar.

Një shkrimtar, Agron Tufa, i njohur edhe për ironinë therëse, por edhe antikomunist i kategorisë që shkrimtari Havel e quante më të keq se komunistin, nuk e la pa thumbuar. Ai nxori përballë Diellës së Ramës, “Djellën” e Martin Camajt – një heroinë e letërsisë së hershme të mërgatës.

“Kjo është Djella e inteligjencës natyrore,” shkroi Tufa, duke ia vënë përballë artificës digjitale të kryeministrit dhe e shoqëroi me fotografinë e romanit të Camajt, që mban titullin “Djella”, botuar në vitin e largët 1958. Ngjante me ato shkrimet e mërgatës, ku gjithçka kumbonte si jehonë e largët e atdheut të humbur.

Unë, i trazuar nga përbuzja ime e kahershme ndaj Martin Camajt, të cilit nuk ia falja lidhjet me UDB-në famëkeqe, nuk durova pa hyrë në valle. “Djella e Camajt,” shkrova me gjuhë diskredituese, “ishte vajza e Kryetarit të Komunës së Beogradit, të cilën Martini e bëri bashkëshorte, që e deshi më shumë se Shqipërinë…”

Pikërisht aty plasi. Fjala u bë thikë, komentet u shndërruan në gurë. Unë dhe Agroni, dy protagonistë të ndryshëm, mbetëm të përplasur në një arenë virtuale. E kuptova shpejt kotësinë. U tërhoqa. Kërkova falje!

Por, siç thotë urtia, çdo fatkeqësi e ka një të mirë brenda. Nga kjo grindje u mëkua një kujtim i vjetër, i largët – një emër që më ndriti shpirtin si rreze e humbur: Diella ime, e njohur dikur, shumë vite më parë, në veriun e ftohtë të Suedisë.

II.

           Pas tërheqjes nga debati, mendja më mbeti pezull. Nuk ishin fjalët e Agronit që më ndiqnin, as emri i Camajt i cili aq shumë ma nxinte gjakun. Ishte tjetër gjë që më zinte frymën: emri Diella, një dritë e harruar të hapej brenda meje, si një fener i vjetër i lënë në errësirë, që papritur ndizet e shndrit këndet e pluhurosura të kujtesës. Atë çast, më pushtoi një mall i papritur, një mall që më ktheu pas në kohë, në vitin e largët 1983, kur për herë të parë e pashë Diellën time.

Ishte në veriun e Suedisë, atje ku dimri zgjatet si shekull, ku bora nuk mbaron dhe dielli del si mysafir i rrallë. Njohja ndodhi rastësisht por la gjurmë të pashlyeshme. S’e quajta asnjëherë “dashuri” me zë të lartë, por zemra e dinte të vërtetën e saj.  U dogja “me shikim të parë”.

Më kaplon keqardhja sa herë e kujtoj, sepse tani, pas dyzet e dy vitesh, nuk kam asnjë fjalë, asnjë letër, asnjë shenjë prej saj. Atëherë nuk kishim mjetet e sotme; as telefona inteligjent, as internet, as rrjete ku një klikim të bashkon. Dhe më tepër, nuk ishte koha për të komunikuar me vajza “të huaja”.

Për ne, të rriturit me moralin e rëndë të traditës, çdo shkelje e tillë dukej si mëkat i pamoralshëm, një blasfemi do të thosha.

Prandaj kujtimi im për Diellën është një thesar i mbyllur. Nuk kam fjalë të mjaftueshme ta përshkruaj atë dritë që më erdhi nga veriu i largët, ndonëse edhe sot rri vetëm në imagjinatën time. Një kujtim që më rrëzon e më ngre, që më lëndon e më gëzon, njëkohësisht.

Dhe ndërsa emri i saj u ringjall përmes grindjes virtuale, unë e kuptova se ndonjëherë, jeta na i risjell mrekullitë nga pasqyrat më të papritura.

III.

Ishte vera e vitit 1978 kur mora rrugën drejt Suedisë. Ishte një udhëtim i improvizuar, më shumë i shtyrë nga nevoja se sa nga dëshira. Motra ime, Fatmija, përmes bashkëshortit të saj, dhëndrit Ramush, i cili ishte si mjeshtër në Gjermani, më kishte lutur ta vizitoja kushëririn Sherif Gjonbalajn. Ajo ishte fqinjë me motrën e Sherifit në Pejë. Kështu nisa udhëtimin.

Nuk kisha para për turizëm, as për komoditet. Imitova studentët gjermanë që i kisha parë shpesh. Ata dilnin buzë rrugës, ngrinin gishtin dhe udhëtonin falas, duke i lutur shoferët t’i merrnin me vete në veturë ose në kamionin e tyre. E quanin “autostop”. Ishte vera e dytë që e kaloja në Gjermani, pasi kisha emigruar nga Kosova në korrik të vitit 1976. Ndonjëherë e quaja arratisje atë emigrim. Tashmë ndiqja studimet në Ruhr-Universität, në Bochum, në degën e germanistikës.

Nga Bohumi arrita deri në Helsingborg me këtë mënyrë, me pak shpenzime por me më shumë lodhje. Prej andej mora drejtimin e fshatit buzë Ängelholm-it, aty ku duhej të ishte Sherifi. Kur mbërrita, në derë gjeta një shënim në suedisht e shqip: “jemi me pushime”. Eca rrugëve i hutuar, me çantë në shpinë dhe me shumë mëdyshje në zemër.

Ku duhet ta thyej qafën tani? pyeta veten.

Shikova në numëratorin telefonik, shpresa ime e fundit. Nuk gjeta ndonjë Kelmend. U ktheva te mbiemrat e tjerë shqiptarë. Hasa shumë Gashianë në Malmo. Vendosa të marr në telefon njërin prej tyre. Pas një befasie befasuese më tha të shkoja në një lokal në lagjen Rosengard të Malmo-s, aty ku shqiptarët e mërguar takoheshin me njëri-tjetrin. Do të vinte më vonë të më merrte, pasi të kthehej nga aeroporti i Kopenhagës.

Kur hyra në lokal, më priti një tryezë e zhurmshme, me shtatë-tetë burra të mbledhur. Unë i lodhur, i zhubravitur, me rrobat e rrugës dhe çantën në shpinë, u ula pranë tyre pa folur. Njëri nuk duroi pa më tallur, për të mos thënë pa më sharë. Kur përfunduan bisedën që po më interesonte prandaj e dëgjova, iu qasa tavolinës së tyre. Fola duke e shoqëruar me të qeshur: “Nëse do të ta fal sharjen, duhet të më qeraste me një pije”. Në prezantim, njëri më doli i njohur. Ishte nga Ramuni i Pejës, fshat fqinj me fshatin tim Llabjan. Nuk e zbulova kush isha. U prezantova si Mirani, nga Sukobina e Ulqinit, sepse kisha njohje me atë fshat. Gjatë studimeve të fizikës në Prishtinë e kisha koleg e shok Abaz Mustafën e Sukobinës.

Në atë mbrëmje, më shumë se gjithçka, më bëri përshtypje një burrë i thinjur i cili rrëfente i penduar arratisjen e tij nga Pogradeci në Strugë, dhe pastaj mërgimet e tij në Turqi e Suedi. Quhej Nexhmi Sherolli.

Ai dhe bashkëshortja e tij, Ablla, do të bëheshin më vonë miqtë e mi të ngushtë, një derë e hapur në dhe të huaj. Në ato momente s’e dija por ai takim në lokalin e Malmo-s do të shënonte një hov të rëndësishëm në veprimtarinë time të mërgimit.

           Malmo nuk ishte vetëm një qytet i huaj. Ishte një botë e ndarë, një mikroskop i vogël i shqiptarëve në mërgim. Lokalet në lagjen Rosengord ishin si qendra të vogla të universeve të tyre. Aty takoheshin të arratisurit, të lodhurit, të uriturit për biseda, lajme dhe solidaritet. Zotëria i parë që më ofroi strehim shumëditor ishte tetovari Sherif Osmani.

Çdo natë në atë lokal ishte një spektakël i vogël: biseda të zhurmshme, debate për politikën, histori arratisjeje, përpjekje për të kuptuar ku ndodhej secili dhe çfarë kishte kaluar. Njëra nga ato net më la mbresë të veçantë. Thinjoshi që rrëfeu për Pogradecin, Nexhmiu, u bë pika ime e referimit. Ai nuk fliste vetëm për vetveten; rrëfente, dëgjonte dhe vlerësonte çdo detaj, duke më bërë të ndihesha pjesë e një bote më të madhe se vetja ime.

Më tregoi për Abllën, bashkëshorten e tij nga Mitrovica, e cila pas shpërnguljes në Turqi ishte pjesë e imigracionit politik të shqiptarëve në Stamboll, kryesisht ortodoks të diasporës se vjetër në Stamboll. Ata të dy ishin ura lidhëse midis mërgimit të largët dhe nevojave të atyre që kërkonin strehim apo ndihmë. Ishin shembuj të pakushtëzuar të bujarisë.

Gjatë atyre ditëve ndjeva një lidhje të brendshme me këtë botë, dëshira për të kuptuar dhe për të mbajtur gjallë lidhjet me atdheun. Ishte një mërgim që nuk fliste vetëm për largimin, por për mbijetesën, për solidaritetin, për ndihmën reciproke mes të huajve që kishin mbetur vetëm.

Aty, në ato net të zhurmshme u ndjeva pjesë e diçkaje më të madhe se unë – një rrjet i padukshëm shqiptarësh që luftonin të mbajnë gjallë identitetin, shpresën dhe idealet. Tashmë, ndërsa po i kujtoj ato përjetime, zemra ime shpesh fluturonte te kujtimi për Diellën, ende e freskët, ende e paharruar, si një dritë që më shoqëronte edhe në errësirën e këtij emigracioni.

V.

           Nexhmiu dhe Abllaja nuk ishin thjesht miq. Ata ishin rruga ime edhe drejt besimit, se një njeri mund të gjejë njerëz për të bashkëvepruar edhe në vendet më të largëta. Nexhmiu ishte modest, i qetë, i mençur – një burrë që kishte kaluar shumë stacione të jetës, si arratisjen nga Pogradeci, periudha në Turqi, pastaj në Suedi. Por më shumë se eksperiencat e tij, ajo që ma bëri të qartë ishte përkushtimi i tij ndaj njerëzve të tjerë.

Abllaja, bashkëshortja e tij, me mbiemër vajzërie Nokshiqi, ishte e fuqishme edhe në heshtje. Shfaqej e dashur dhe e vendosur. Ishte me një dinjitet që nuk mund ta sfidoje. Ajo kishte kaluar vetë dhimbjet e imigracionit politik. Vinte nga Mitrovica, ishte dëbuar në Turqi në vitin 1956, në moshën 16-vjeçare, kishte vazhduar gjimnazin dhe studimet në Stamboll. Por nuk kishte harruar rrënjët e saj dhe kurrë nuk i mungoi gatishmëria për t’i ndihmuar bashkëkombësit në nevojë.

Gjatë atyre ditëve ata më sugjeruan të vizitoja edhe shqiptarë të tjerë në Suedi. Na ftuan bashkatdhetarët që kishin përjetuar arratisje, humbje, vrasje dhe dhimbje të pafundme. Çdo familje kishte historitë e veta të dhimbshme, por edhe të mrekullueshme në forcën e solidaritetit.

Nexhmi dhe Ablla më këshilluan ta vizitoja imgracionin tonë në Bruksel, meqë vëllai i Abllas, Enesi, kishte njohje e shoqëri të madhe atje.

Një moment i veçantë mbeti dorëzimi i ndihmës financiare nga Ablla dhe Nexhmiu për veprimtarinë e organizatës. Një zarf me 50 mijë korona suedeze, që për ne ishin thesar i çmuar për ta financuar veprimtarinë për kauzën tonë. Ata e bënë këtë pa asnjë dyshim, duke më treguar se besimi dhe përgjegjësia janë vlera që nuk maten me kohën apo vendin. Na dhuruan edhe nga 10 mijë korona ndihmë secilit, Bules, Hasanit dhe mua.

Në mesin e gjithë kësaj ndjeva se çdo hap që kam bërë atëherë në atë shtet të huaj, çdo rrugicë dhe çdo lokal, më afronte drejt Diellës. Nuk e dija ende si, por intuita më thoshte se ndonjëherë, ndërsa ndërton jetën e re në një vend të largët, zemra gjen rrugën e saj drejt asaj që ka humbur prej kohësh.

Kështu, me Nexhmiun dhe Abllën mësova se mërgimi nuk ishte vetëm ikje nga diktatura, por edhe rrugë për të gjetur njerëz të mirë, miqësi të forta dhe mundësi për dashuri të papritur, si ajo që do të vinte pak më vonë, me Diellën.

VI.

           Janari i vitit 1982 na gjeti në Untergruppenbach edhe në një ceremoni mortore për vrasjet tragjike të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. Ishte një ngjarje që nuk lë asnjë shpirt të pa lënduar. Dhimbja dhe pikëllimi mbushnin çdo cep të dhomës. Po ashtu aty fshiheshin edhe hije dyshimesh dhe intrigash.

Disa pjesëmarrës ishin të dërguar nga organizatat dekadente që kishin marrë detyra të caktuara për të mbajtur rendin, por shpesh veprimet e tyre shndërroheshin në shpifje dhe komplote.

Digresion

Në buzëmbrëmjen e fundjavës së tretë të janarit 1982, sapo nga ceremonia mortore u larguan rreth 70 bashkatdhetarë të Klubit Shqiptar të Dyseldorfit, që kishin ardhur me autobusë dhe vetura, kryeplaku dhe arkëtari i ceremonisë mortore, Nuhi Sulejmani, i caktuar në atë rol nga Sabri Novosella, thërret në “takim urgjent” Agron Haradinajn dhe Agron Selën. Ngjitet në dhomën e vockël, në krye të shkallëve të katit të parë, të cilën Gërvallët tashmë e quanin “dhoma e Brahimit”, meqë aty unë flija përherë, duke qenë se isha shpesh mysafir. Nuhiu e këshilloi Agronin e Naimin të uleshin në shtratin tim. Në fakt, ishte vetëm një dyshek sfungjeri mbi dysheme. Nuhiu simulon babaxhanin që po respekton rininë, prandaj kap jorganin e palosur që ishte i vendosur të krye të shtratit për t’ua vendosur prapa shpine dy viktimave të tij, që ta kenë për mbështetje në mur. Sapo e kap jorganin në cepin siç e kishte planifikuar, bien të holla. Nuhiu simulon të befasuarin: “Këto janë të hollat që la Dyseldorfi dhe do bashkatdhetarë nga Zvicra. I paska fshehur Brahimi këtu për t’i vjedhur.” Me kaq e ndërpreu “takimin”.

Rreth orës 21:00 thirret takimi urgjent i “komitetit” të organizatës LNÇKVSHJ-së për Gjermaninë, meqë Jusufi i kishte anëtarësuar në të gjithë Gjermaninë gjithsej 9 bashkatdhetarë, gjatë mbi dy viteve ekzil atje. Kryetar i “Komitetit”, tashmë ishte emëruar Xhafer Durmishi, që prezantohej si trashëgimtar organizativ i Jusufit, ishte ardhur para pak ditësh nga Kosova, pasi ishte informuar për vrasjet. Në tunib të “komitetit” merrnin pjesë Xhaferi, Nuhiu, Faridin Tafallari, Nami Ramadani, Naim Haradinaj e Agron Sela. Ishin edhe dy veta të tjerë që ua paskam harruar emrin. Rendi i punës ishte: “vendimmarrja kundër tentativës për vjedhjen nga Ibrahim Kelmendi, dhe të ndryshme”. Pjesëmarrës isha edhe unë si i pandehur.

Kryetari Xhafer ia jep fjalën Nuhiut. Ai me teatralizim amatoresk zë të rrëfejë ecurinë e ndodhisë, se si janë befasuar nga të hollat që Brahimi i kishte fshehur nën jastëk, që kur të gdhihet të ikë me gjithë ato. Nuhiu bënte pauza sepse priste miratim nga Naimi e Agroni, qoftë më lëvizje koke, apo me pëshpëritje pohuese. Pasi e mbaroi teatralizimin, Xhaferi më pyeti: “Ke gjë për të thënë, meqë e ke të drejtën për t’u mbrojtur?”.

Unë, i përcaktuar për të ruajtur qetësinë, si variant më racional për ta sfiduar atë komplot, thashë: “Fillimisht, kam një pyetje! Nuhi, mund të na tregosh përse e thirre atë takim urgjent pikërisht me Naimin e Agronin dhe pikërisht në dhomën time?”.

Nuhiu u befasua nga pyetja, sepse nuk kishte pasur asgjë tjetër për ta trajtuar në atë mes, me ata më të rinjtë, pos t’i manipulonte si dëshmitarë për komplotin që po kurdiste. Ai debat për “tentativë vjedhjeje” zgjati deri kur unë u ngrita ta thërras Suzanën të vinte për të rrëfyer, çfarë kishte bërë ajo me të hollat. Ajo nuk hyri në dhomë, por ndeji në këmbë te dera. Pyeti: “Për çka po ju duhem?”.

Ibrahimi iu drejtua Suzanës: “A i ke pranuar ti ndihmat nga bashkatdhetarët e Dyseldorfit dhe ku i ke lënë ato?”.

Suzana iu përgjigj: “Kryetari i Klubit Hyzri Reka m’i dorëzoi mua dhe unë menjëherë ia dorëzova shokut Nuhi. Ishte kështu shoku Nuhi?”. Nuhiu mbeti pa fjalë. Të tjerët morën pamje kufomash, sepse nuk prisnin që ai komplot mund të ndodhte në shtëpinë e Gërvallëve, gjatë ceremonisë mortore. Xhaferi ndërhyri: “Je e lirë shoqja Zana, mund të shkosh, se kemi pika të tjera për të diskutuar.” Sapo u largua Suzana, Xhaferi pyeti: “Kush është dakord që Ibrahimi të dëbohet nga ceremonia mortore?”. Shumica ngriti dorën. Xhaferi përsëri vazhdoi: “Nga ky moment nuk ke të drejtë të qëndrosh në këtë shtëpi. Mblidhi plaçkat e Faridini me veturë do të dërgojë deri në stacionin e trenit në Heilbronn.

“Le të vijë prapë Suzana që të deklarohet për këtë vendimmarrje”, i thashë. “Nëse ajo nuk e miraton, unë nuk largohem, por nesër do e bisedoj me bashkatdhetarët që do vinë, nëse ti, Xhafer, e Nuhiu duhet të ikni që këtej, meqë jeni njerëzit e gabuar në këtë mes.”

Suzana nuk e tumiri atë vendim.

Ndërsa po i kujtoj netët në atë Untergruppenbach të mallkuar, me borë dhe dritat e zbehta të rrugëve, ku na kishte ndodhur gjëma e kobshme, mendja ime kthehet sërish te Diella, e cila do të bëhej pjesë e udhëtimit tim në arkivin e kujtimeve të mia. Kujtimi i saj fillonte të merrte formë, jo thjesht si një fytyrë simpatike, por si shpresa e një lidhjeje që do të thoshte diçka të re, të ndritshme, mes hijeve të mërgimit dhe hijeve të historisë së dhimbshme të njerëzve tanë.

VII.

Ishte vera e vitit 1983 kur rruga më çoi në veriun e largët të Suedisë, në një vend ku bora, ndonjëherë, nuk shkrihej për muaj me radhë, dhe dielli dukej si mysafir i rrallë. (Tashmë rrugëtimet i kisha më komode dhe pa shpenzime, sepse shumë bashkatdhetarë punonin në DSG në Hamburg-Altona. Ajo firmë menaxhonte vagonët restorante dhe të fjetjes në trenat që shkonin për në Stokholm, Oslo, Zyrih, Paris, Vjenë e gjetiu. Ata ma mundësonin udhëtimin pa pagesë e pa kontroll kufitar, meqë tashmë nuk kisha pasaportë, sepse nga janari i vitit 1983 isha detyruar të bëhesha azilkërkues në Bremen.) Në udhëtimin për te Diella shkonim me idenë e Nexhmiut, të zgjidhnim problemin e strehimit të një bashkatdhetari nga rrethi i Istogut dhe ta martonte vajzën e shokut të tij, Diellën.

Në derën e banesës na priti Paloka, babai i Diellës, një malësor tipik nga anët e malësive tona në Mal të Zi. Kur Nexhmiu i shpjegoi arsyen e vizitës, ai tha duke e shoqëruar me humor:
“Prit pak, mos më fol kot mua, se shpejt, nga stërvitja e tenisit, vjen Diella dhe do bisedoni me atë. Ajo është perëndia e vendimmarrjes për martesën e saj.”

Kur e pashë për herë të parë Diella më surprizoi. Ishte simpatike, me një energji pozitive që të tërhiqte menjëherë. Ajo nuk kishte nevojë për fjalë të shumta. Nexhmiu m`u lut ta rrëfeja unë arsyen e vizitës. Duke belbëzuar për shkuesinë që po bëja, Diella ndërhyri me qetësi: “Po e patët hallin vetëm për leje qëndrimi, më thoni. Simulojmë martesën zyrtare dhe kaq. Po synuat që të martohemi, do ta strehoj në banesën time 6 muaj, si provë, që ne e quajmë fejesë. Nëse pëlqehemi, bëjmë martesë të njëmendtë. Nëse jo, secili në jetën e tij personale…”

I arratisuri, që e kishte shansin të bëhej bashkëshort fatlum, më pëshpëriti në vesh: “Ndërpreje, se kjo qenka kurvë.”

Diella e dëgjoi. Ajo e ruajti qetësinë dhe iu kthye me vendosmëri:
“Unë nuk jam kurvë, por ti je zhablok i rrafshit, prapanik mysliman. Dhe mirë që e the tani, që të mos vuanim gjatë provës së pamerituar prej teje!”.

Për ta tejkaluar tensionin, bëra humor: “Malësore, po të dija se do ofroje martesë me provë 6 mujore brenda, do të bëja shkuesi për vete e jo për ketë pis.”

Diella qeshi, gjithë humor: “Nëse j has malësor vuthjan, guxo e provoje, ja ku jam.”

Ajo, malësore 23-vjeçare, më përtoku mua, malokun 29- vjeçar.

Në atë çast, ndjeva se Diella nuk ishte thjesht një vajzë simpatike. Ajo ishte shenja e një shprese të re, një energji që shfaqet papritur dhe të ndryshon rrjedhën e jetës, edhe nëse nuk e kupton menjëherë. Ishte drita që ngjante me atë që kishim humbur në mërgim, por që ende mund ta gjeje te njerëzit e mirë dhe vende të papritura.

VIII.

           Për herë të parë ndjeva se zemra ime nuk i përkiste vetëm kauzës kombëtare. Ajo nuk ishte më thjesht për idealet e largëta. Ajo filloi të rritej në brendësi, te një vajzë e re, e guximshme dhe e drejtë – Diella.

Çdo ditë pranë saj do të ishte një provë e vetëkontrollit. Dashuria ime nuk mund të shprehej plotësisht, sepse për mua, jeta ishte e mbushur me përgjegjësi dhe veprimtari për kauzën e çlirimit kombëtar. Por çdo buzëqeshje e saj, çdo shikim i vogël apo i fshehtë, do të më shtynte të ndihesha i gjallë dhe i plotë.

Qeshja e saj, humori, mënyra si qëndronte e drejtë përballë çdo situate, ndaj e gjitha kjo rriste ndjeshmërinë time dhe dëshirën për ta njohur më thellë. Nuk mund të them se e dashuroja pa kushte, por ndjenja ime ishte aq e fuqishme sa çdo frikë apo përgjegjësi dukej e vogël përballë saj.

Për herë të parë kuptova se dashuria mund të ekzistojë edhe kur nuk mund të jetohet e lirë. Se ndonjëherë, dashuria më e pastër është ajo e përmbajtur, që rritet brenda nesh, fshehur e ruajtur, duke u bërë pjesë e kujtesës dhe e çdo vendimi që marrim.

Diella nuk ishte vetëm një fytyrë që më bëri të ndiej diellin. Ajo ishte simboli i një shprese, një dritë që më mësoi se dashuria dhe përgjegjësia mund të bashkëjetojnë, edhe kur janë të ndara nga distanca dhe kohë të pafavorshme.

 IX.

           Gjatë gjithë atyre viteve kujtimi i Diellës time mbeti një burim i heshtur dritë dhe shprese. Ajo ishte Diella reale, jeta e gjallë, energjia dhe vendosmëria e një vajze që më shndriti ditët në veriun e largët të Suedisë.

Papritmas bota shqiptare rikthehej me Diellën artificiale, një protagonist digjital, një emër i thjeshtë që ngjallte debate politike.

Kur Agron Tufa e ironizoi këtë Diellë digjitale, duke e vënë përballë Djellës së Martin Camajt, unë u ndjeva i përzier. Një pjesë e imja qeshi nga ironia, por një pjesë tjetër u trondit nga përplasja e kujtimeve të vjetra me realitetin e ri.

Diella ime reale kishte qenë simbol i shpresës, dashurisë së heshtur dhe guximit për të ndërtuar diçka të vërtetë në një botë të huaj. Ndërsa Diella artificiale ishte një figurë digjitale, e shfaqur nëpër ekrane, një emblemë e politikës dhe virtualitetit. Ndërsa Djellën e Martin Camajt nuk e njihja…

Në atë moment kuptova se jetët e dy Diellave rrëfenin diçka më të thellë. Kujtesa, dashuria dhe përvoja personale janë të vërteta që nuk mund t’i zëvendësojë asnjë figurë digjitale, dhe se gjërat që kemi prekur me shpirtin nuk humbin kurrë, edhe kur koha dhe hapësira i largojnë.

Dhe kështu, ndërsa grindjet digjitale për Diellën dhe Djellën vazhdonin, unë u largova me qetësi, duke kujtuar, duke dashuruar dhe duke ruajtur atë Diellë që kishte ndriçuar veriun e largët të Suedisë, dhe që kishte lënë gjurmë të pakthyeshme në kujtesën time. 

Epilogu 

Katër dekada kanë kaluar që nga veriu i largët i Suedisë. Koha ka bërë të vetën: fytyrat ndryshojnë, qytetet rriten, botët ndryshojnë. Por Diella ime mbetet aty – jo si imazh i kohës së kaluar, por si një pjesë e pandashme e kujtesës sime.

Ndërsa shoh sot debatin për Diellën artificiale të Ramës dhe Djellën e Camajt, buzëqesh, sepse e para është vetëm digjitale, ndërsa e dyta, edhe emrin e ka të gabuar, meqë në malësitë tona vajzat emërohen me emrin Diella e jo me Djella, siç e ka modifikuar Martini. E di se asnjëra nuk është si Diella ime, dhe nuk mund të jetë. Ajo Diella që mbaj në zemër është e vërtetë, e gjallë dhe e përshkuar nga emocionet, sakrificat dhe udhëtimet që na formuan. Ky është dallimi midis tyre.

Mendoj për udhëtimet e gjata, netët e zhurmshme në Malmo, takimet me Nexhmiun dhe Abllën, përkujdesjen e tyre dhe solidaritetin që shndërrohet në dashuri të heshtur. Mendoj për forcën që kërkon veprimtaria dhe besnikëria ndaj idealit, dhe për dashurinë që ndodh pa e kuptuar, e cila nuk kërkon të  zotërojë, por të ndriçojë.

Ky është mësimi i madh se: dashuria e vërtetë, kujtesa dhe shpresa nuk mund të jenë as artificiale, as të mbështetura mbi botën digjitale. Ato janë, ato qëndrojnë pas çdo përplasjeje, pas çdo udhëtimi dhe pas çdo veprimi që ndërtojmë për botën tonë dhe për idealet tona.

Ndërsa mbyll sytë dhe kujtoj veriun e largët të Suedisë, buzëqesh. Diella ime, ajo reale, është aty, gjithmonë e gjallë në kujtesën time – një dritë që nuk shuhet, një histori dashurie guximi dhe përkushtimi, që mbetet gjithmonë e paprekur nga koha.

“Faji i ëndrrës”, katarsisi moral dhe intelektual i Pal Shtufit

0
KATARSIS MORAL-INTELEKTUA DHE POLITIK…
-Pal Shtufi: “Faji i ëndrrës”, memoare politike 1980-1992, Prishtinë, 2025
Libri i Pal Shtufit “Faji i ëndrrës” paraqet një rrëfim të veçantë në formë kujtimesh, i parë i llojit të tillë, i një djaloshi njëzetvjeçar, plot iluzione, i përfshirë në veprimtarinë ilegale për çlirim kombëtar në fillim të viteve të tetëdhjeta, me ç’rast, i dekonspiruar, detyrohet të kërkojë strehim politik në Gjermani, si shumë të tjerë.
Rrëfimi i brendshëm rreth qëndrimit trevjeçar në Gjermani (1980-1983), kthimi në Kosovë për ta vuajtur dënimin, jeta e burgut si dhe e pasburgut në rrethanat e lëvizje së rezistencës institucionale paqësore në të cilën përfshihet në mënyrë aktive si dhe largimi përfundimtar nga Kosova në vitin 1992 për në Zvicër, paraqet një katarsis përbrenda trekëndëshit moral-intelektual-politik, ku në njërën anë shfaqet pendimi për naivitetin ndaj konceptit enverist-stalinist, të cilit i kishte takuar fillimisht nga indoktrimimi ideologjik i një brezi të ri dhe, në tjetrën anë, shënohet edhe kapërcimi tek lëvizja e rezistencës institucionale paqësore e fundviteve të tetëdhjeta dhe e viteve të nëntëdhjeta, si një koncept me postulatet e lirisë, demokracisë dhe përkatësisë perëndimore.
Ky ndryshim arsyetohet me atë se “gjenerata e viteve ’80, deri tek ardhja e Rugovës, ishim adoleshentë në politikë. Mirëpo, në vitin 1989, iluministët e asaj kohe, në krye me Ibrahim Rugovën, na hoqën zhigun stalinist, duke na vendosur në raftin e fildishtë të popujve euro-perëndimorë…”
Pra, si i tillë rrëfimi i Shtufit, plot e përplot momente dramatike, përjetime sublime dhe gjykime politike të nivelit të thellë intelektual, fiton në peshë në saje të kundrimit subjektiv të shumë e shumë akterëve të saj qoftë nga tabori i ilegales, sipas tij të indoktrinuar deri në fanatizëm me ideologji të enverizmit stalinist, qoftë nga “elita e ndritshme intelektuale e viteve 1968-1981, që pati ndonjëherë Kosova, që ajo e mori fatin e kombit nën përkujdesje” për ta sjellë deri te çlirimi, liria dhe pavarësia.
Vlerësimet për personalitet e shumta, jashtë konvencave bardh-zi, sado kritike, janë të sinqerta dhe paraqesin vlerë të veçantë të këtij libri, ngaqë thyejnë shumë nga stereotipet e vendosura mbi diskurse të paqëndrueshme morale dhe politike të kohës sonë, që madje pretendojnë të kthehen edhe “në sistem vlerash”!

Çka ishte “Libri Blu” nga viti 1977

1
Enver Ferati, Prishtinë
“Libri Blu” i vitit 1977, zyrtarisht i titulluar “RS e Serbisë dhe krahinat autonome brenda saj (pozicioni dhe praktika kushtetuese)”, u përfundua dhe u dorëzua më 5 janar 1977.

Ky dokument u përgatit nga një grup pune i formuar nga Presidenca e Serbisë, i kryesuar nga Najdan Pashiq. Dokumenti u shkrua me qëllim dhe paralajmëronte se roli kushtetues i Republikës së Serbisë si shtet kombëtar i popullit serb vihej në pikëpyetje. 

Pas përfundimit të dokumentit, përfaqësuesit e Lidhjes të Komunistëve të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës u takuan me Josip Broz Titon më 27 korrik 1977, i cili u ftua të arbitronte në këtë mosmarrëveshje midis republikës dhe krahinave. “Libri Blu” shpejt u hodh poshtë dhe u harrua.

“Libri Blu” i vitit 1977, i lëshuar nga Republika Socialiste e Serbisë, ishte një dokument kyç politik që shkaktoi polemika të konsiderueshme në ish-Jugosllavi. Ky dokument, zyrtarisht i titulluar “RS e Serbisë dhe krahinat autonome brenda saj (pozicioni dhe praktika kushtetuese)”, u përgatit nga një grup pune i formuar nga Presidenca e Serbisë. Kryetari i grupit ishte Najdan Pashiq, dhe midis bashkëpunëtorëve ishin Drazha Markoviq, Dushan Çkrebiq, Gjorgje Llaziq dhe Ivan Stamboliq.

Përmbajtja dhe qëllimi i dokumentit.

“Libri Blu” analizoi pozicionin kushtetues të Serbisë brenda federatës së re të krijuar me Kushtetutën e vitit 1974, e cila rriti ndjeshëm autonominë e Krahinsve të Vojvodinës dhe të Kosovës. Dokumenti vinte në dukje çekuilibrin në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Krshinave autonome, veçanërisht në fusha të tilla si:
• mbrojtja kombëtare
• planifikimi dhe ekonomia
• drejtësia dhe siguria
• politika e personelit
• arsimi, kultura dhe informacioni

Dokumenti sugjeronte se roli kushtetues i Serbisë vihej në pikëpyetje dhe ngrihej pyetja nëse populli serb po e realizonte të drejtën e tij historike për një shtet kombëtar brenda federatës jugosllave.

Reagimet dhe pasojat.

“Libri Blu” shkaktoi një reagim të fortë në establishmentin politik të Jugosllavisë. Shumë e konsideruan atë një dokument nacionalist dhe unitarist, gjë që çoi në kundërshtim të ashpër nga përfaqësuesit e krahinave dhe qeveria federale.
Disa nga kundërshtarët më të shquar ishin Milosh Miniq, Zhivan Vasiljeviq, Momçillo Dugaliq dhe Fadil Hoxha.

Më 27 korrik 1977, përfaqësuesit e Lidhjes të Komunistëve të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës u takuan me Josip Broz Titon, i cili u ftua të arbitronte në këtë mosmarrëveshje. Tito mbështeti pikëpamjet e provincave dhe “Libri Blu” u hodh poshtë dhe u harrua shpejt

Rëndësia dhe trashëgimia.

Edhe pse nuk e arriti qëllimin e tij politik, “Libri Blu” u bë simbol i aspiratave kombëtare dhe mosmarrëveshjeve kushtetuese brenda Jugosllavisë.
Ajo propozoi ndryshime kushtetuese që do të mundësonin një centralizim më të madh dhe një pozicion më të fortë të Serbisë në federatë.
Edhe pse dokumenti u refuzua, pyetjet që ngrinte mbetën relevante gjatë dekadave në vijim, pas vitit 1981 veçanërisht në Tezat e Memorandumit të Akademisë të dhe Arteve të Sërbisë nga viti 1986 dhe në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe formimit të shteteve të reja kombëtare.

Edi Rama, kryeministër i luksit, po bëhet varrmihës i “ëndrrës shqiptare” të Lidhjes së Prizrenit!

2
Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina
___

Edi Rama, pas fitores së 11 majit, po shfaqet jo si kryeministër i një sistemi të dëshmuar parlamentar, por si një lider (Ajatollah!?) suprem, që duhet të vendosë për gjithçka dhe për çdo gjë në Shqipëri dhe (madje, shih ti; edhe për) bashkimin e trojeve shqiptare!?

Duke e quajtur synimin, ambicien, shpresën dhe aspiratën shqiptare si një “formulë të shekujve XIX dhe XX”, ky njeri, përmes këtij deklarimi, përveçse shpreh zhveshjen totale nga rrënjët kombëtare (që as vetë duket ai ka të qarta!), rrezikon ta relativizojë skajshmërisht idenë e bashkimit kombëtar. Një ide për të cilën shumë gjenerata në të kaluarën sakrifikuan edhe jetën dhe që mbetet ende një aspiratë e papërfunduar historike.

Kjo thënie, e bërë virale në media, ka “mision” dhe qëllim djallëzorë të zbehë mitin kombëtar, të ftohë emocionalisht raportin Shqipëri–Kosovë, si edhe të injektojë një mesazh ambiguiteti, dyshimi e konfuzioni që vetëm ai mund ta imagjinojë!

Kjo retorikë, gjoja moderniste, kozmopolite e integriste, përmban edhe një tendencë publike (!) për t’u “shkurorëzuar” përfundimisht nga narrativat e sakrificës kombëtare (Lidhja e Prizrenit, luftërat për liri, UÇK-ja) gjatë gjithë peripecive historike, dhe për t’i varrosur ato te gjeneratat e reja, që tashmë duken më pak të interesuara e të gatshme për këtë ëndërr gjithshqiptare.

Këtë e bën, sepse i zhytur në luksin e megalomanisë dhe të vetëmjaftueshmërisë së senilizuar, pretendon të “mirëmbajë” një pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar deri në palcë. Pra, me këtë “formulim”, në fakt ai shmang publikisht përgjegjësinë për të ofruar hapa konkretë se si duhet të bëhet ky bashkim.

Ky diskurs i papërgjegjshëm, i mbushur me hile dhe mashtrime ordinere mediatike në rrethanat e mjegullta aktuale, e ka edhe një qëllim morbid; t’u injektoj shqiptarëve gjithandej, qëllimisht(!), përveç ndjenjës së inferioritetit, edhe apatinë, konfuzionin, dobësimin dhe humbjen e besimit në kapacitetet (politike, ekonomike, kulturore e ushtarake) shtetërore dhe kombëtare shqiptare…

Ngjarja e rrënimit të Kishës së Klinës nga komunistët dhe ringjallja në kapelën e “Shën Mëhillit” në Deiq të Klinës

0

Shkruan: Don Fran Sopi

(Rrëfim esesistik e shpirtëror në kuadër të ditës së Shën Mëhillit, Pajtorit të Kishës së Deiqit, e cila i parapriu themelimit, ndertimit të Famullisë dhe Pajtores së Famullisë-Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë)

“Do ta godasin bariun dhe delet e grigjës do të shpërndahen. Por Unë do të jem me ju deri në të sosur të botës.” (krh. Mt 26,31; 28,20). I kujtoj si sot vitet e rënda të komunizmit, kur çdo shenjë e Zotit shihej si kërcënim për regjimin dhe çdo shfaqje e fesë së Krishtit konsiderohej armike e pushtetit. Ishte një kohë kur fjalët “fe katolike” dhe “besim katolik” përktheheshin si “armiqësi” dhe “reaksion”. Ishte një epokë kur shtëpitë e Zotit rrënoheshin me buldozerë, ndërsa zemrat e njerëzve të bashkuar përpiqeshin të mos shembeshin.

Në këtë klimë frike e represioni, në vitin 1974, në Klinën time të dashur, me shumë mund, dashuri dhe entuziazëm, filloi ndërtimi i Kishës Katolike, që do të ishte filial i Kishës së Zllakuqanit. Famullitari i atëhershëm, don Tunë Gllasoviqi, me guxim e vizion mbolli farën e parë të shpresës në këtë tokë të përvuajtur, duke besuar se drita e fesë do të mund të ndriçonte edhe errësirën më të thellë.

Populli ynë, i lidhur fort me fenë, traditën, kulturën dhe identitetin e vet shpirtëror, atëherë u bashkua si një trup i vetëm: dikush dha djersën, dikush ofroi ndihmë materiale, e dikush u lut me gjithë zemër. Dhe kështu, mbi themelet e besimit dhe dashurisë ndaj Zotit, filloi të ngrihej një shtëpi e re për Hyjin dhe për grigjën e Tij – një vend ku shpirtrat e lodhur do të gjenin prehje, ku fëmijët do të rriteshin me Ungjillin dhe ku populli ynë do të mund të gjunjëzohej para altarit të shpresës. Por gëzimi i Lugdrinasve u shndërrua shpejt në dhimbje dhe zhgënjim. Organet komuniste të Klinës, të përbëra nga serbo-malazezë dhe shqipfolës të shitur e të nënshtruar ndaj ideologjisë komuniste dhe ateiste, urdhëruan rrënimin e Kishës së Klinës. Në një mëngjes të zymtë, buldozerët e ndërmarrjeve “Mirusha” dhe “Miniera e Boksitit” në Volljak u drejtuan drejt tempullit që sapo kishte nisur të merrte frymë, duke përmbysur muret e sapongritura me një brutalitet të pashembullt. Justifikimi i tyre ishte absurd dhe qesharak: një kishë e vogël, sipas tyre, rrezikonte një shtet të madh.

Në të vërtetë, ata kishin frikë nga Kryqi – sepse Kryqi është shenjë shëlbimi dhe triumfi mbi vdekjen; kishin frikë nga kumbimi i këmbanës – sepse ajo zgjon ndërgjegjen e popullit; kishin frikë nga Ungjilli që fliste shqip – sepse ai mbante brenda fjalën e lirisë dhe të identitetit kombëtar. “Qielli e toka do të zhduken, por fjalët e mia nuk do të bien poshtë.” (Mt 24,35). Por Hyji, që është gjithmonë me popullin e vet, nuk e la grigjën e Tij në vetmi. Në mes të asaj errësire shpirtërore dhe politike, Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të ndriçuar shpresën. Don Mark Sopi – atëherë famullitar i Zllakuqanit (më vonë ipeshkëv i Kosovës) – dhe më vonë unë, pra në vitin 1978, si kapelan dhe dorë e djathtë e tij, na lindi ideja e shenjtë për të mos lejuar që flaka e besimit të shuhej. Vendosëm të ndërtonim një kapelë të vogël në varrezat e Deiqit të Klinës, një vend që ishte nën ombrellën e famullisë së Zllakuqanit dhe që pushteti nuk guxonte ta prekte nga frika se mos trazonte eshtrat e të ndjerëve. Dhe kështu, në heshtje e përkushtim, u ngrit Kapela e “Shën Mëhillit Kryeengjëll” – një dritë e re në errësirë dhe një shenjë e gjallë se Zoti nuk e braktis popullin e vet. Ishte një shenjë rezistence pa fjalë, një akt i guximshëm kundër tiranisë së shpirtit. Në atë kapelë të vogël, Hyji bëri mrekulli të mëdha. Aty, mes dhimbjeve të heshtura, u kremtuan meshët e para. Aty, foshnjat e porsalindura morën pagëzimin dhe emrin e tyre të parë hyjnor; të rinjtë morën Krezmimin dhe lidhnin martesat me bekimin e Zotit; ndërsa të moshuarit, që kishin parë shumë stuhi në jetë, gjenin ngushëllim dhe forcë. Ajo u bë strehë shpirtërore dhe shtëpi e ngrohtë për një popull që jashtë përjetonte shtypjen, por brenda gjente paqe, dashuri dhe siguri.

Kapela e Deiqit ishte më shumë se një vend lutjeje – ajo ishte një simbol i pavdekshëm i qëndresës, një “arkë e besimit” që lundronte mbi dallgët e represionit. Më kujtohet ajo natë e vonshme e vitit 1978, kur bashkë me të amshuarin Dedë Zeqirin nga Deiqi shkova për të bekuar kapelën e sapo përfunduar. Heshtja e varrezave atë natë ishte e thellë dhe prekëse, por ajo heshtje u mbush me një dritë të padukshme, me një prani të shenjtë që vetëm shpirti mund ta ndjejë. Aty ndjeva sikur qielli dhe toka u përqafuan dhe Zoti vetë zbriti për të bekuar atë vend të vogël, por të madh në kuptim. Fjala e Psalmistit më kumbon ende në zemër: “Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë; i butë e i mëshirshëm është njeriu i drejtë.” (Ps 112,4). Pra, e them me plot përgjegjësi se çdo gur i asaj kapeleje ishte më shumë se gur ndërtese: ishte lutje, djersë, dashuri dhe rezistencë e kthyer në altar. Ishte një qëndresë e heshtur ndaj pushtetit që dëshironte të shlyente Zotin nga jeta jonë. Por Zoti ishte aty. Dhe aty ku është Zoti, asnjë forcë njerëzore nuk mund të fitojë. “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, kot mundohen ata që e ndërtojnë. Nëse Zoti nuk e ruan qytetin, kot rri zgjuar ai që e ruan.” (Ps 127,1). Rruga e shërbesës sime në Klinë nisi me këtë hap të vogël, por të bekuar. Kapela e përulur në varrezat e Deiqit ishte shenja e parë e shpresës, vendi ku besimtarët mblidheshin fshehurazi për lutje, meshë e sakramente, shpeshherë duke rrezikuar edhe vetë lirinë e tyre. E dija se ajo nuk ishte fundi, por fillimi – fara e vogël që një ditë do të rritej në një pemë të madhe: Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Më 1 janar 1983 u themelua famullia e Klinës dhe unë u emërova famullitari i saj i parë. Nevojat ishin të shumta: për sakramente, për mësim të fesë, për liturgji – por mbi të gjitha për një shtëpi të Zotit ku komuniteti të mblidhej i bashkuar. Lutjet e popullit më jehonin në zemër: “Zot, na jep një vend ku mund të përulemi përpara Teje.” Por rruga drejt ndërtimit të Kishës ishte e mbushur me kryqe, pengesa dhe përndjekje. Regjimi komunist dhe më vonë pushteti okupues serb e konsideronte fenë armik dhe Kishën kërcënim apo bastion të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar. Kërkesat tona për leje ndërtimi zvarriteshin me vite në gjykatat e Prishtinës e Beogradit, ndërsa besimtarët ndiqeshin, përndiqeshin dhe kërcënoheshin. Në shumë raste jam thirur në polici e gjuqe të ndryshme ku morëm në pyetje rreth ndertimit të Kishës. Megjithatë, nuk u ndala sepse e Zotin dhe Zojën e Këshillit të mirē, pikërisht i kisha besimtarët e mi në mbeshtetje. Me këmbëngulje iu drejtova ambasadorëve, diplomatëve dhe strukturave ndërkombëtare, duke dëshmuar padrejtësinë që na bëhej dhe duke kërkuar të drejtën tonë themelore për të ndërtuar një shtëpi për Zotin.

Më 6 qershor 1996, me zemër që më rrihte fort, së bashku me pjestarët e famullisë filluam hapjen e themeleve të Kishës. Ishte një ditë e mbushur me shpresë dhe gëzim. Por ky gëzim nuk zgjati shumë. Pushteti serb ndërhyri me dhunë brutale: themelet u rrënuan, punëtorët u kërcënuan me burg, ndërsa paramilitarët e armatosur rrethuan oborrin tonë për të na trembur. Në atë çast dëgjova në shpirt fjalët e Krishtit: “Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.” (Mt 5,10). Me dhimbje urdhërova që të ndalonin punimet, por jo shpresën. Në heshtjen e lutjes i thashë Zotit: “Nëse kjo është vullneti Yt, mos e lejo popullin të humbasë shpresën.” Dhe Zoti dëgjoi. Pas luftës së Kosovës, më 30 gusht 1999, kërkesa jonë më në fund u miratua. Ky ishte një çast i shenjtë, një përmbushje e një lutjeje të pritur për më shumë se dy dekada. Projekti u përgatit në Osijek, KFOR-i italian na ndihmoi me siguri dhe logjistikë, ndërsa besimtarët – ata brenda vendit dhe ata të mërgatës – dhanë gjithçka kishin: para, materiale, djersë dhe dashuri. Kur bekova gurthemelin e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, lotët më mbuluan fytyrën. Nuk ishin lot trishtimi, por të një gëzimi të thellë shpirtëror, të një fitoreje morale dhe hyjnore. Çdo gur i saj ishte dëshmi e përndjekjes, e qëndresës dhe e dashurisë sonë ndaj Zotit dhe Kishës. Sot, kur hyj në Kishën e grigjës sime ku kam sherbyer për afro 24 vite dhe shoh dritën që bie përmes dritareve të saj, ndjej thellësisht të vërtetën e fjalëve të Krishtit: “Kush ndërton shtëpinë mbi shkëmb, ajo nuk rrëzohet, sepse ka themel të fortë.” (krh. Mt 7,24-25).

Në përfundim, e them me përulësi se qëllimi i meshtarisë sime ka qenë gjithmonë shërbimi me dashuri ndaj Zotit, përkushtimi ndaj Kishës së Krishtit dhe kujdesi për grigjën që më është besuar. Jam përpjekur dhe përjetësisht do të jem udhërrëfyes shpirtëror, ngushëllim në dhimbje dhe shpresë në çdo rrethanë. Nga kapela e vogël në varrezat e Deiqit (tashmë e ndertuar edhe Kisha e re në Deiq nën famullinë e Klinës…) deri Kisha e madhe “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë, e cila Kishë sot bashkon qindra familje, rruga ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por ajo na mësoi një të vërtetë: kur Zoti është në qendër, vepra nuk dështon kurrë. Pra, Kisha jonë është kujtesë e sakrificës, dëshmi e besimit dhe shenjë e dritës hyjnore që nuk shuhet kurrë.

Zoti e bekoftë Kishën ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ në Klinë dhe gjithë grigjën e saj, të cilën e kam dhe e mbaj përjetësisht në zemër. Kujtimet për këtë kishë të dashur dhe për grigjën time lugdrinase të bekuar do t’i ruaj me dashuri e mirënjohje përgjithmonë. Gëzuar festën e Shën Mëhillit!

Kryeministri Kurti takoi kongresistin amerikan, George Latimer

0

New York, ShBA, 28 shtator 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe konsullin e përgjithshëm, ambasadorin Blerim Reka, mirëpritën në Konsullatën e Përgjithshme të vendit tonë në New York, kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, George Latimer.

Forhåndsvisning av bilde

Diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, dhe për marrëdhëniet dhe partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri e njoftoi për progresin në rrafshin ekonomik, rezultatet e luftimit të korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit të reflektuara edhe në raportet ndërkombëtare. E falënderoi për rolin historik dhe aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe për sigurinë dhe paqen e rajonit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme dypartiake ndaj shtetit të Kosovës në çdo etapë të zhvillimit.

U pajtuan që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të promovuar vlerat dhe interesat e përbashkëta të dy shteteve tona, duke përfshirë investimet në infrastrukturë dhe bashkëpunimin ekonomik, në dritën e vendimit të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të hequr tarifën ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pritja e jashtëzakonshme e Presidentes Osmani në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane (U.S. Army War College)

0

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane (U.S. Army War College). 

“Nga pritja e jashtëzakonshme në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane (U.S. Army War College), institucion ku formohen gjenerata të tëra liderësh ushtarakë amerikanë e ndërkombëtarë, përfshirë edhe nga Kosova. Faleminderit për mikpritjen!”, ka shkruar Presidentja Osmani. 

https://www.facebook.com/reel/1167206505275745