Kreu Blog Faqe 440

Poema e Trojës, mendime rreth poezisë së Shqipe Bytyqit

0

Shqipe Bytyqi

POEMA E TROJËS SIME

Duke pritë vendimin

ne të gjithë ngjajmë

në copëzat e historisë së thyer

në një mbështjellse dosjesh

ligj mbi tavolinën

e një zyrtari të lartë

që gjamën e burrave

bën brryle, nofulla, ballë, djersë

të qeshura krejt të ngrira

darka nën qiej të rrejshëm

dhe një vendim

që dridhshëm

Trojën time rikonfiguron…

Është e ardhmja e mexhave t’babës

t’gjyshit e t’Kostandinit

është e ardhmja e fëmijve t’mi.

Në një univers paralel

mbase do isha princeshë e ishujve blu

ose grua e pafat në kontinentin e zi

kush e di çfarë do isha

por jo në këtë univers

ku vetëtimat djegin tokën time

e njerëzit bëhen gati për gjumë

gjumë dekadash, mbase shekujsh

nga frika se do jenë tē shtrënguar

të shohin jetën drejt në sy

të shohin një histori

që para syve tyre shkruhet

gjersa nuk ka asnjë kundërshti

për kokat që gënjejnë

mbledhur mbi tavolinë

se gënjeshtrën herët kishin mjeshtëruar

të zgjuara dhe dinake

presin Trojën time në pritë

marrëveshjeve të detyruara

lojën e shkronjave bëjnë

Në tavolinën e madhe

makthi im

kishte mbërri

disa ditë para meje.

Të zhdukurit, të vrarët

të dhunuarat me gojë të qepura

qëndronin aty

medikamentet, stimuluesit

këpucët e hapave të ngathtë

qilimi kuq në rast firmosjeje

marionetat me fytyrë prej mumje

të gjithë ishin aty

dhe mbanin nga një mollë mbi krye

rreshtoheshin para shigjetarëve

50 me 50 gjasat

E tëra ish vënë në lojē

lufta e Trojës sime

falja e gjakut të viktimave

zhdukja nga kujtesa

sikur t’mos kishin qenë kurrë

bile edhe vrasja e mbetjeve mortore…

Kurrë s’i mësova

ato sekretet e vogla të zanatit

që në fakt vidhen

ato vendimet e pista,

të parfumosura

se zaten

t’mos kundërmoj pisllëku

parfumi u zbulua!

Kurrë s’i mësova

ato mashtrime n’dukje t’vockla

arsyetime interesash regjionale, globale

hingëllima kuajsh para porte

aktvendime faljeje ujrash, tokash, malesh

të mbëshjella në letër vizlluese

rëndë-rëndë

të parfumosura

S’di pse u fiksova

pas lojës së shkronjave

shoh si vallzojnë mbi dosje

si ndryshojnë paragrafet, nenet

si riformësohen

unë kam ngecë mes dy rreshtash

aq shumë më shtypin nga jashtë

më zihet fryma brenda një teze

pastaj ato më bartin

në një kryerresht tjetër

një tjetër epokë

zgjidhja është e largët, e huaj

si shtëpi e pambaruar

e pakulm

si Trojë

në fatamorganë kthyer…

Shkruan: Dardan Berisha

Ka vite që ne lexuesit, poeten Shqipe Bytyqi e njohim për poete që i qaset thellë historisë antike, epikës, legjendës, eposit, mitologjisë dhe realitetit të dhembshëm, dashurisë së brishtë, forcës së gruas dhe heroizmit të popullit të cilit i përket me të gjitha atributet, doket dhe zakonet. Por, në këtë poezinë, POEMA E TROJËS SIME, poetja i qaset në mënyrë shumë të thellë në kuptimin historiko-antik që reflektohet në pasqyrën e qelqtë të aktuales së sotme, Trojës moderne.

Kemi të bëjmë me një poezi-poemë të gjatë, komplekse dhe e pasuruar me simbole e figura të fuqishme poetike. Përqendrohet te pritja e një vendimi politik/juridik, i cili për poeten nuk është vetëm një akt formal, por një ngjarje që rishkruan fatin e saj personal dhe kombëtar, ku pritja bëhet një metaforë e një historie të thyer, ku pushteti, korrupsioni dhe kompromiset e dhimbshme mbulojnë gjakun e viktimave dhe ngulfatin zërat e të zhdukurve:

Duke pritë vendimin

ne të gjithë ngjajmë

në copëzat e historisë së thyer

në një mbështjellse dosjesh

ligj mbi tavolinën

e një zyrtari të lartë

Në qendër të saj qëndron Troja, simbol i qytetërimit të shkatërruar me tradhti, që këtu përfaqëson atdheun e poetes, kujtesën historike dhe dinjitetin e lënduar.

Troja – nuk është vetëm një metaforë historike, por një imazh i rikthyer për të shprehur tragjedinë dhe rrezikun e humbjes së identitetit.

Dosjet dhe tavolina e zyrtarëve – shfaqen si shenjë më e zymtë e burokracisë së ftohtë dhe e vendimeve të shkruara nga njerëz pa ndërgjegje, imbecilë, thellësisht të mjerë, ku fati i një kombi, nga apetite sipërfaqësore, reduktohet në “lojën e shkronjave”.

Ajo që na vret më së shumti dhe na shkakton plagë të përhershme është Molla mbi krye para shigjetarëve, që na kujton dramën/legjendën, “Wilhelm Tell“-it, të autorit Fridrich Schiller, por këtu është metaforë e gjendjes së pasigurt të popullit: jeta ose vdekja përcaktohet nga një shigjetë, kur trolli dhe egzistenca e popullatës hidhen n’treg të tradhtisë:

falja e gjakut të viktimave

zhdukja nga kujtesa

sikur t’mos kishin qenë kurrë 

Parfumi mbi pisllëkun – një figurë që denoncon hipokrizinë: krimet e mëdha fshihen pas arsyetimeve diplomatike dhe premtimeve të bukura:

ato vendimet e pista,

të parfumosura

se zaten

t’mos kundërmoj pisllëku 

Fatamorgana – përmbyllja e poezisë me imazhin e Trojës së kthyer në iluzion: një shtëpi e pambaruar, pa kulm, që ekziston mes realitetit dhe zhgënjimit:

zgjidhja është e largët, e huaj

si shtëpi e pambaruar

e pakulm

si Trojë

në fatamorganë kthyer…!

Stili poetik,

është i ashtuquajtur rrëfim proteste, ku poetja Sh. Bytyqi ndërthur lirizmin personal, dhe jo vetëm, me kritikën politike në përgjithësi. Kjo poezi ka një fuqi të madhe metaforike dhe emocionale. Ajo ngjan më shumë me një monolog dramatik sesa me një poezi klasike, ku përmendet në thurjen mes historisë mitike (Troja, Kostandini) dhe realitetit politik bashkëkohor.

Pa dyshim se kjo poemë është një akt akuze poetike kundër padrejtësisë historike dhe politike. Ajo ndërthur simbolin e Trojës me përvojën e një kombi të lënduar, ku pritja e vendimeve të fuqive të mëdha shndërrohet në makth. Forca e saj është në metaforat tronditëse, gërshetimin e historisë me të tashmen dhe në shpirtin e saj rebel, që nuk pranon harrimin.

Poezia, POEMA E TROJËS SIME, është një tekst i ngjeshur me metafora, figura historike e mitologjike, dhe njëherësh me tone të forta politike e etike. Ajo mund të lexohet si një monolog dramatik, në të cilin subjekti lirik shfaq revoltën, ankthin dhe zhgënjimin ndaj një procesi historik e politik që nuk përcakton vetëm fatin individual, por të një kombi të tërë.

Tematika dhe motivet

Motivi qendror është pritja e një vendimi, që në dukje i takon një zyrtari të lartë apo një institucioni, por në kuptimin e thellë simbolizon pafuqinë e individit dhe të një populli të tërë përballë mekanizmave burokratike e politike. Në këtë kontekst, pritja nuk është akt pasiv, por makth i gjallë, një ngjarje që risjell trauma dhe rrezikon të rikonfigurojë Trojën e subjektit, pra atdheun dhe kujtesën historike kolektive.

Simbolikat:

Troja shndërrohet në metaforën qendrore të tekstit: qytetërimi i tradhëtuar, djegia dhe humbja e dinjitetit. Kjo Trojë është njëkohësisht atdheu i poetit dhe një hapësirë mitike e universale.

Dosjet, ligjet, tavolina e zyrtarëve: shenjë e ftohtësisë së pushtetit, që e redukton fatin njerëzor në “lojën e shkronjave”, ku jeta, gjaku dhe kujtesa fshihen me një firmosje.

Molla mbi krye para shigjetarëve: metaforë e gjendjes së pasigurt të popullit, ku ekzistenca varet nga një akt arbitrar, me gjasë të barabarta mes shpëtimit dhe zhdukjes.

Parfumi mbi pisllëkun: një figurë e fuqishme e hipokrizisë, që shfaq si mbulim artificial të krimeve dhe kompromisve politike.

Fatamorgana e mbylljes: e ardhmja shfaqet si një shtëpi e pambaruar, e pakulm, një iluzion i paqëndrueshëm, ku identiteti dhe kujtesa kombëtare mbeten në rrezik.

Struktura dhe stili

Poezia shmang strukturën klasike të strofave dhe ndërtohet si një rrjedhë lirike e thyer me vargje të shkurtra, të ngjeshura e retorike. Kjo e bën tekstin të ketë karakter dramatik e performativ, më afër monologut teatror se sa poezisë tradicionale.

Përsëritjet, Kurrë s’i mësova… i japin forcë akuzës, duke shfaqur një varg denoncimesh të shkallëzuara. Pra, stili është i ngarkuar me tone epike, protestuese, por njëkohësisht ruan intimitetin e lirikës, sidomos aty ku përmenden figura familjare (babai, gjyshi, fëmijët).

Mesazhi

Poema është një akt akuze kundër harresës, kompromisit dhe tradhtisë politike. Ajo denoncon mekanizmat e pushtetit që fshijnë gjakun e viktimave, zhdukin kujtesën kolektive dhe imponojnë marrëveshje të padrejta. Subjekti lirik i kundërvihet këtij realiteti me anë të fjalës poetike, duke ngritur një klithmë që shkon përtej një kohe të caktuar dhe merr përmasë universale.

Kjo poezi ndërthur elementin historik (Troja, Kostandini), mitologjinë dhe realitetin politik bashkëkohor në një tekst të vetëm. Ajo është poezi e kujtesës, e rezistencës dhe e akuzës. Forca e saj qëndron te metaforat e goditura, imazhet tronditëse dhe gërshetimi i përjetimit personal me tragjedinë kolektive.

Në këtë mënyrë, POEMA E TROJËS SIME, hyn në traditën e poezisë protestuese shqiptare, duke ofruar një vizion poetik që është njëkohësisht intim dhe universalisht i kuptueshëm.

Poetes Shqipe Bytyqi i jam mirënjohës për artin poetik që na e dhuron pa asnjë kusht, por vetëm ta lexojmë me endje dhe të mësojmë dy gjëra: artin poetik dhe historinë e vërtetë!

I uroj shëndet dhe shumë forcë dhe krijimtari të mbarë në artin poetik, siç është kjo poema me vlera shumë të larta artistiko-kombëtare!

22.09.2025, Prishtinë

Besa Tafilaj Pinchotti përzgjidhet në listën prestigjioze amerikane “The Mighty 25”

0

Nga: Adem Lushaj

(Zëri i fuqishëm i familjeve ushtarake amerikane)

Në mesin e emrave të shquar që formësojnë të ardhmen e komunitetit ushtarak dhe atij të veteranëve në Shtetet e Bashkuara, këtë vit është renditur edhe një shqiptare me rrënjë thella në Kosovë, Besa Tafilaj Pinchotti.

Në Konferencën e Influencuesve Ushtarakë (MIC), të mbajtur në Atlanta-Georgia, Besa Tafilaj u nderua si pjesë e klasës 2025 të listës vjetore “The Mighty 25”, një përzgjedhje që nderon liderët të cilët me vizionin, guximin dhe ndikimin e tyre, i japin formë një komuniteti që ka dhënë aq shumë për lirinë dhe paqen botërore.

Ky nderim e vendos emrin e saj përkrah personaliteteve të shquara amerikane si senatorja Elizabeth Dole, ish-presidenti George W. Bush dhe Princi Harry, një dëshmi e peshës që zëri dhe puna e saj kanë sot në mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së familjeve ushtarake.
Historia e Besës është e mbushur me sakrifica dhe frymëzim. Ajo lindi e u rrit në një familje shqiptare dhe patriotike nga Kosova, ku lufta mori jetë njerëzish të dashur dhe detyroi shumë të tjerë të linin shtëpitë. Frymëzimin dhe ndjenjat e para të patriotizmit për popullin amerikan dhe atë shqiptar, veçanërisht për Kosovën, i mori nga babai i saj, z. Ramiz Tafilaj. Në ato vite të errëta për Kosovën, ndërhyrja e forcave amerikane jo vetëm që solli shpresë për popullin shqiptar, por ndezi në zemrën e saj një respekt të thellë për ushtarakët që shërbenin larg shtëpisë.

Më vonë, si gazetare televizive, ajo raportoi nga kampi amerikan Bondsteel në Kosovë. Aty, për herë të parë u përball me historitë njerëzore të ushtarakëve.

“Ata nuk donin të flisnin për misionin. Ata flisnin për ditëlindjet e humbura, për garat sportive të fëmijëve që nuk mund t’i ndiqnin. Atëherë kuptova, historia e vërtetë ishin familjet”-na tregon Besa nga Amerika e largët.

Ky moment u bë busull për jetën e saj. Pas martesës me një marins amerikan dhe përjetimit të drejtpërdrejtë të sfidave të jetës ushtarake, Besa la pas karrierën në sektorin e gazetarisë për t’iu përkushtuar misionit të madh, mbrojtjes dhe fuqizimit të familjeve të ushtarakëve përmes Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (NMFA).

Që prej vitit 2013, kur Besa iu bashkua NMFA-së, dhe veçanërisht që nga viti 2021, kur mori drejtimin ekzekutiv, ka transformuar këtë organizatë me traditë 55-vjeçare. Ajo ka zgjeruar programet për fëmijët dhe adoleshentët, ka investuar miliona dollarë në bursa për bashkëshortët e ushtarakëve dhe ka ngritur në nivel kombëtar debatin për cilësinë e jetës së këtyre familjeve.

Disa nga arritjet e saj përfshijnë:

  • Zgjerimin e kampeve “Operation Purple” dhe përfshirjen e programit Bloom: Empowering the Military Teen, duke krijuar hapësira të sigurta dhe edukative për fëmijët e ushtarakëve.
  • Dhënien e mbi 10 milionë dollarëve në bursa për bashkëshortët e ushtarakëve që ndjekin rrugën e arsimit dhe karrierës.
  • Angazhimin e saj si dëshmitare dhe këshilltare pranë politikëbërësve, duke trajtuar tema jetike si kujdesi për fëmijët, shëndetësia dhe mbështetja psiko-sociale.

Besën tashmë e njeh i gjithë kombi amerikan, por edhe shqiptarët anembanë globim. Ajo ka qenë e pranishme në platformat më të mëdha mediatike si CNN, CBS, NBC, NPR dhe Military Times.

Në vitin 2022, ajo iu drejtua audiencës së zgjedhur të First Lady’s Luncheon, krijoi një partneritet me Congressional Club dhe u nderua në nivel ndërkombëtar për avokimin e saj.

Me pasionin për të ngritur lart zërat e familjeve, bashkëshortëve dhe fëmijëve të ushtarakëve, Besa kthen përvojën e jetuar nga lufta në Kosovë në zgjidhje konkrete. Ajo është po aq e fuqishme duke dëshmuar në Kongres, sa edhe kur ulet pranë një nëne ushtarake në kampet verore të NMFA-së. Për të, çdo histori individuale është një gur i çmuar në ndërtimin e një vizioni të madh.

Përfshirja e Besës në listën prestigjioze “The Mighty 25” nuk është vetëm një nder personal. Ajo është një kujtesë e fuqishme për sakrificat e shumta e shpesh të padukshme të familjeve ushtarake. Është një homazh për nënat që rrisin fëmijët vetëm, për bashkëshortët që sakrifikojnë karrierat, për fëmijët që rriten me mungesën e një prindi.

Për komunitetin shqiptar në SHBA dhe Kosovë, ky vlerësim është gjithashtu një krenari e madhe kombëtare. Ai tregon se bijat dhe bijtë e kësaj toke, edhe pse larg atdheut, po lënë gjurmë të thella në shoqërinë amerikane dhe botërore.

Besa Tafilaj Pinchotti është më shumë se një emër në një listë. Ajo është një shembull se si dhimbja mund të kthehet në forcë, si kujtesa mund të bëhet vizion dhe si një zë i vetëm mund të ngrejë në këmbë mijëra të tjerë.

Pushim dhe festë në Lixha të Elbasanit: Një javë kujtimesh për pensionistët e Komoranit

0

Kosova në amulli: Kur politika hesht, rinia duhet të flasë

0

Nga: Isidora Nikollëbibaj

Kosova e vitit 2025 është një vend me rini të talentuar por të zhgënjyer, me pasuri mendore por me institucione të plogëta, dhe me një horizont të mbuluar nga mjegulla e një politike që i ngjan më shumë një rrethi vicioz sesa një rruge drejt progresit.

Sot, ajo që e përshkruan më saktë politikën kosovare është mungesa e energjisë, mungesa e vizionit dhe ajo çka është më alarmante – mungesa e ndjeshmërisë ndaj realitetit në terren. Politika kosovare ka hyrë në një fazë evazioni të heshtur: Mungesë përballjeje me temat thelbësore, heshtje përballë krizës sociale dhe ekonomike, dhe një përkushtim alarmant ndaj lojërave të brendshme politike në vend të interesit qytetar.

Rinia kosovare nuk është vetëm viktimë. Ajo është pasuri, forcë dhe zgjidhje. Por po përjashtohet.

Papunësia po rritet. Shumë të rinj sot e shohin të ardhmen jashtë Kosovës. Jo për shkak se nuk e duan vendin, por sepse vendi nuk po ju ofron më asnjë sinjal se ky i do ata. Institucionet publike janë bërë vende ku meritokracia vdes në pritje, ndërsa servilizmi, militantizmi dhe nepotizmi lulëzojnë si bar i keq në çdo zyrë shtetërore.

Një shembull i qartë i kësaj gjendjeje është fenomeni i largimit masiv të mjekëve dhe anestezistëve të rinj. Pasi i kalojnë vitet më të vlefshme në studime të lodhshme, sakrifica personale dhe edukim të lartë profesional, ata përballen me pagë minimale, mungesë të kushteve dhe një sistem shëndetësor që as nuk i stimulon, as nuk i respekton. Ndërkohë, Gjermania dhe shtetet e tjera të Perëndimit i presin “me duar të hapura”, falas, gati si dhuratë. Kjo është një katastrofë kombëtare që po ndodh nën hundën e një shteti që nuk ka as kurajo, as vullnet për të mbajtur njerëzit më të vlefshëm pranë vetes.

Kemi kthyer vendin në një pikë eksporti talentesh – por importojmë vetëm fjalë të zbrazëta.

Çështjet madhore si arsimi, drejtësia, zhvillimi ekonomik dhe marrëdhëniet me jashtë, janë zëvendësuar nga narracione boshe, akuza politike dhe populizëm i lodhur. Ndërkohë, rinia po ikën. Jo vetëm fizikisht. Por po ikën edhe shpirtërisht. Po e humbet besimin, po e humbet interesin, dhe ajo që është më e rrezikshme – po e humbet durimin.

Por kur politika hesht, rinia duhet të flasë.

Të rinjtë duhet të jenë më shumë se votues. Ata duhet të jenë pjesëmarrës. Të mos kënaqen me premtime boshe, me statuse në Facebook nga politikanët apo me konferenca që nuk sjellin asnjë veprim konkret. Duhet ta kërkojnë llogarinë, t’i vënë politikanët në presion, të organizohen, të ngrejnë zërin. Jo për ideologji, por për të ardhmen.

Ky është momenti, që, të gjithë ata që kanë mendjen e kthjellët dhe shpirtin kritik, të mos heshtin. Të mos rrinë indiferentë. Sepse indiferenca sot është një lloj bashkëpunimi me regresin.

Kosova ka nevojë për një zgjim. Jo thjesht politik. Por shoqëror. Moral. Mendësor. Dhe ky zgjim nuk do të vijë nga lart. Do të vijë nga poshtë. Nga njerëzit. Nga rinia. Nga ata që nuk janë të kapur, që nuk janë të korruptuar, që nuk janë të ngopur.

E ardhmja e këtij vendi nuk mund të mbetet në duart e atyre që janë të lidhur me të kaluarën. Ajo ju takon atyre që kanë vizion për të nesërmen.

Kjo është koha për të folur. Sepse nëse nuk flasim sot, nesër nuk do të kemi më asgjë për të thënë.

Përfundim: Rreziku i një devijimi kulturor

Fenomen tjetër shqetësues që po zë gjithnjë e më shumë vend në shoqërinë tonë është solidarizimi i një pjese të rinisë me një version regresiv të fesë islame, dhe braktisja e lidhjes shpirtërore, historike dhe kulturore me Perëndimin, me krishterimin dhe me vetë aleatin tonë më të madh: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vend që të krenohemi me Amerikën – që na ndihmoi gjatë eksodit tonë biblik dhe kontribuoi në mbijetesën tonë si komb – një pjesë e paarsimuar dhe e dezinformuar e shoqërisë, e impresionuar nga ndikimi i errët i ish-okupatorëve tanë shekullorë, ia kthen shpinën pikërisht atij që përfaqëson lirinë dhe të ardhmen: Amerikës.

Ky është jo vetëm një gabim politik e strategjik, por një devijim kulturor i rrezikshëm që duhet adresuar me guxim dhe me mençuri.

Kosova nuk mund të ecë përpara duke u kthyer prapa. Rinia nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke e mohuar të vërtetën. Zëri i saj duhet të dëgjohet – sepse ky vend nuk ka luksin të heshtë më.

Adem Haxhosaj, uragani i Luftës Çlirimtare nga Rrafshi i Dukagjinit

0

Nga: Dr. Bekim Vishaj, Deçan

Në vend të përkujtimit: Komandantit, Adem Haxhosaj – Epror i lartë i UÇK-së në ZOD-it dhe epror në FSK

Me rastin e ndarjes nga jeta të Komandantit, Adem Haxhosaj. Familja Haxhosaj, humbi më të dashurin e vet, Prokollukasit e Vokshjanët humbën një vëlla – një djalë fisi, ne – bashkëluftëtarët – humbëm një shok besnik e trim të luftës, kolegët e punës -humbën një koleg fisnik dhe profesionist, Deçani humbi një qytetar të kulturuar e punëtor, Kosova humbi një njeri që kontribuoj shumë në luftë dhe në paqe. 

Adem Haxhosaj, (19.06.1967-19.09.2025). Lindi në fshatin Prokolluk të Deçanit në një familje me tradita patriotike, të cilët ishin në shërbim të atdheut brez pas brezi. Djalë i babë Rrustemit dhe nënës Tushë, vëlla i 3 vëllezërve dhe 4 motrave.

Shkollën fillore e kreu në Irzniq, të mesmen në Deçan, përfundoj fakultetin – dega e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.

Babai i Ademit, Rrustem (Alia) Haxhosaj, ishte pjesëtar i Organizatës së Ballit Kombëtar bashkë me të vëllanë. Rrugën patriotike të trasuar nga familja e ndoqi edhe Adem Haxhosaj me vëllezërit e tij më të mëdhenj, Aliun, Avdiun dhe mbarë familjen e tyre që prej kohësh njiheshin si kundërshtarë të pushtetit serb. “Kjo familje, e pathyeshme ndër breza, mbeti e qëndrueshme edhe gjatë luftës së fundit, kur mbi supe bartën barrën e dyluftimit në shumë beteja. As plagët e rënda nuk i larguan nga fronti. Kujtesa jonë historike mban vulën e Komandant Ademit dhe Prof. Aliut (cituar: Daut Haradinaj).

Jeta e Ademit, dhe kontributi i tij patriotik e atdhetar, mund të ndahen në tri periudha të rëndësishme të jetës së tij, gjithmonë në shërbim të vendit dhe popullit tonë. Periudha para luftës (vitet 80 dhe 90-ta), periudha gjatë Luftës Çlirimtare 1998-1999 dhe periudha e tretë pas luftës (shtet ndërtimi i Kosovës).

-Periudha para luftës, Ademi si i ri, si nxënës dhe student, asnjëherë nuk pajtohej më gjendjen që ishte në Kosovën e atyre viteve. Ishte pjesëmarrës dhe organizator në protestat e demonstratat e kohës në Kosovë. Kishte rol të rëndësishëm në këto ngjarje dhe lëvizje popullore. Për aktivitetin e tij dhe të familjes, disa herë ishte arrestuar nga forcat serbe por gjithmonë qëndroi i papërkulur.

Aktivist me një kontribut të veçantë në lëvizjet atdhetare gjatë viteve 80 –ta dhe 90-ta.

-Periudha e luftës Çlirimtare – 1998-1999. Luftëtar i orëve të para të luftës së UÇK-së në Dukagjin, e udhëhequr me shumë sukses nga komandanti i saj, Ramush Haradinaj.

Ademi, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte angazhuar qe nga 15 korriku i vitit 1997.

Me luftën e Jasharajve në Prekazin e Drenicës me 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ademi tashmë ishte edhe më i vendosur se duhej luftuar me çdo çmim për lirinë e Kosovës.

Fillimi i luftës në Dukagjin, 24 marsi i vitit 1998 dhe sulmi i forcave serbe mbi familjen Haradinaj në Gllogjan, atë, e gjen të përgatitur për luftë, që nga ajo ditë ai ishte aktiv në terren, do zgjerohej dhe obligohej në kryerjen e shumë detyrave tjera të kohës. Në fshatin e tij të lindjes në Prokolluk angazhohet në shërbim të UÇK-së me gjithë familjen e tij. Vëllau, Ali Haxhosaj, tashmë ishte emër i rëndësishëm në organizimet e paraluftës në këtë rajon dhe me gjerë. Ademi, së bashku me vëllezërit, më gjithë familjen e tyre, marrin detyra të rëndësishme në shërbim të luftës.

Gjatë luftës, në vitet 1998-99, shërbeu me sukses po thuajse në tërë Zonën Operative te Dukagjinit, Në Prokolluk e Rostovicë, në Prejlep e Carrabreg, në Gllogjan e Pozhar, Dashinoc e Jabllanicë, në Gërgoc e Lumbardh, në Maznikë e Ratishë, aty ku e kërkonte lufta dhe shokët, aty ishte Ademi.

Adem Haxhosaj, kishte marrë pjesë në ditën e parë kur ishte sulmuar Carrabregu i Epërm, dt. 29 maj 1998, në këtë betejë, gjatë luftimeve nga granatimet i ishte vrarë vajza e motrës, Teuta Loshaj 21 vjeçare, si dhe ishte plagosur rëndë motra e tij, Hatmanja (kujton bashkëluftëtari i tij, Jashar Dobraj).

Ademi disa herë ka shkuar në Shqipëri për furnizim me armatim. Një kohë kishte qëndruar atje me detyra organizative për ti përforcuar vijat e furnizimit me armatim. Së bashku me shokët tjerë  bënë organizimin e disa grupeve, të cilat hynë me sukses në Kosovë (kujton bashkëluftëtari i tij, Faton Mehmetaj).

Ademi, hyn në Kosovë në tetor të vitit 1998, me grupin e luftëtarëve të Smolicës dhe vendoset në Jabllanicë të Dushkajës. Pas një kohe kalon në Brig. 131 “Jusuf Gërvalla” në Ratish të Deçanit, ai emërohet Komandant i Batalionit të I-rë në kuadër të brigadës.

Ademi, ishte Komandant i vijave të frontit dhe njëri prej luftëtarëve më të spikatur të Zonës së Dukagjinit. Nuk kishte front-vijë frontale të luftës kur UÇK përballej me forcat serbe e që aty nuk ishte Adem Haxhosaj.

Ademi, gjatë kohës së lirë, jashtë angazhimeve direkte në vijat e frontit, punonte nate e ditë me ushtarë të rinj, i përgatiste për luftë, i trajnonte dhe i motivonte ata. E donin dhe vlerësonin të gjithë. Gjatë luftës, bashkëluftëtarët Ademit i kishin vënë nofkën “Komandant Daja”.

Si, Komandant Batalioni në Brigadën Heroike 131 “Jusuf Gërvalla”, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj së bashku me shokë, ka zhvilluar shumë beteja të rëndësishme në luftën çlirimtare kundër armikut serb, ka mbijetuar beteja të përgjakshme e heroike, pa u trembur kurrë…, dhe pa humbur asnjë betejë.

Batalioni i Ademit (Batalioni i I-rë i brig. 131 “Jusuf Gërvalla” në ZOD) ishte një ndër njësitet ushtarake më të rëndësishme gjatë luftës në Zonën Operative të Dukagjinit dhe me gjerë. Njësit mirë i organizuar, i disiplinuar, funksional dhe i suksesshëm në luftën e shenjtë për liri. Ky njësit, vendit i kishte dhënë shumë luftëtarë – emra të mëdhenj të luftës së UÇK-së në Dukagjin.

Në luftimet me forcat armike disa herë u plagos për vdekje, por shpëtoj, u shërua dhe vazhdoi luftën për liri.

Ai ishte simbol i trimërisë në Dukagjin, fuqi e shumë betejave dhe frymëzim për të gjithë ata që e njihnin dhe e kishin afër në luftë. Mbetët simbol i pavdekësisë. Udhëheqës – bartës dhe meritor i shumë betejave të lavdishme në Rrafshin e Dukagjinit gjerë. “Në momentet më të vështira, ishte ai që na dha kurajë dhe besim, se fitorja ishte e pashmangshme” (kujtojnë bashkëluftëtarët).

Komandant Ademi, nga Lufta doli me plot merita dhe shumë krenar- veteran i Luftës, me shumë plagë në trup – Invalid i UÇK-së, doli me një bagazh të pashoq dhe përvojë të madhe ushtarake.

-Periudha e tretë, kontributi në shtet ndërtimin e Kosovës.

Vepra e Adem Haxhosajt nuk përfundoi me luftën. Ai nuk u ndal asnjëherë, vazhdoi me përkushtim t’i shërbejë Kosovës si pjesëtar i TMK-së dhe FSK-së – Epror i Lartë me gradën kolonel në Ushtrinë e re të Kosovës. “Ishte bartës i proceseve në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar me përkushtim, profesionalizëm dhe vizion, duke u bërë shembull i punës dhe profesionalizmit, punoj derisa u pensionua me dt. 15.06.2022”. (kujton bashkëluftëtari, Nazim Ademaj – epror në FSK). 

Karakteri personal dhe trashëgimia

Adem Haxhosaj, ishte njeri i mirë, familjar i mirë, punëtor, atdhetar, luftëtar i zoti dhe  profesionist i madh. Shumë epitete këto që e karakterizonin atë, por, ai me shumë vullnet, punë e sinqeritet i bëri suksesshëm pjesë të jetës dhe karakterit të tij personal.

Kur duam të kujtojmë figurën shumëdimensionale dhe historinë e Ademit, aty në sinonim shohim historinë e popullit tonë.

-Sa herë do kujtojmë përpjekjet dhe luftën e popullit tonë – kujtojmë edhe kontributin e Adem Haxhosaj si atdhetar e ushtar lirie.

Kur kujtojmë Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës  – Ademin e kujtojmë si komandant trim i vijave të frontit, gjithmonë në ballë të luftës. Komandant batalioni, që u shqua për disiplinë, drejtim, trimëri dhe përkushtim.

Kur kujtojmë betejën e Pozharit (mars 1999) – Ademin do ta kujtojmë si komandant të suksesshëm, luftëtar dhe epror vizionar edhe në këtë betejë ku u thyen keq forcat serbe, aty, ku lanë të vrarë mbi 40 policë e ushtarë serbë, e nga radhët e UÇK, heroikisht ranë për të mos vdekur kurrë Elez Geci e Maxhun Berisha, dhe u plagosën disa ushtarë të tjerë të UÇK-së. Kjo betejë – Beteja e Pozharit ishte një ndër fitoret më të mëdha gjatë Luftës Çlirimtare. “Në fundin e marsit 1999, kur Kosova po digjej në të katër anët, bashkëluftëtarët e mi të Zonës Operative të Dukagjinit, thyen keq armikun në Betejën e Pozharit. Kjo betejë u shënua me emrat e heronjve të saj, Elez Geci e Maxhun Berisha”. “Beteja e Pozharit i tregoi armikut vendosmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta vazhduar luftën deri në fitore”. (cituar: Ramush Haradinaj).

-Adem Haxhosaj, do e kujtojmë si bashkëluftëtar i heronjve: Shkëlzen Haradinaj, Enver Dobraj, bacës – Elez Geci, Maxhun Berisha, Fatmir e Luan Nimanaj, Çelë Ukaj, bashkëluftëtar i Beg Rizaj, Bajram Latës e Selmon Kuqit, bashkëluftëtar edhe i shumë dëshmorëve tjerë. Bashkëluftëtar i shumë luftëtarëve – ushtarë të UÇK-së, me të cilët bashkëpunoj edhe pas luftës në shërbim të vendit.

E sot, kur shijojmë lirinë e Kosovës, e ndiejmë mundin dhe gjakun e tij si çlirimtarë i atdheut.

Kur shikojmë gjeneratat e reja të ushtarëve dhe oficerëve tanë – shohim se gjurmët e Adem Haxhosajt ende jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë.

Emri i tij është simbol dhe mishërim i përkushtimit, guximit dhe sakrificës për liri. Ai nuk ishte vetëm një ushtar i luftës çlirimtare, ai ishte një strateg, një udhëheqës i pashoq dhe një burrë trim, gjithherë kishte besim të palëkundur se Kosova do të jetë e lirë.

Adem Haxhosaj, pas vetes la gruan – Valbonën, dy djemtë Arbrin dhe Arditin të cilët do të burrërohen me të bëmat e babait të tyre, çlirimtar i atdheut.

Përmbyllje

Komandant, “Ndershëm luftove, ndershëm jetove dhe ndershëm punove, për të qenë shembull i patriotizmit dhe humanizmit”. Njeri me një biografi të veçantë – unike, shembull për të tjerët.

Ishe një burrë i madh, një luftëtar i pathyeshëm.

Tani në përjetësi, po ju bashkohesh shokëve – Dëshmorë të luftës që kanë fituar pavdekësinë …!

Përjetësisht mirënjohës për mundin, luftën dhe sakrificat që ke bërë për lirinë tonë.

Lavdi jetës dhe veprës suaj, komandant !

Lavdi dëshmorëve të kombit !

Operacionet psikologjike – rreziku i ri mbi simbolet e luftës dhe kujtesën kombëtare !

0
Drizan Shala, ekspert për çështje të sigurisë
___
Në muajt e fundit, mekanizmat e sigurisë kanë evidentuar disa raste të dyshimta që sugjerojnë një rritje të përgatitjeve për operacione psikologjike të orkestruara nga aktorë të jashtëm, kryesisht të lidhur me Serbinë.
Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar tre incidente që ngrejnë hipotezën se mund të ketë një strategji më të gjerë për të testuar vigjilencën institucionale dhe për të goditur moralin e qytetarëve. Ky fenomen nuk është i ri: në vitin 2023 janë dokumentuar dy raste të qarta, ndërsa për vitin 2024 ekziston dyshimi se aktivitete të ngjashme kanë ndodhur, por nuk janë evidentuar nga strukturat vendore të sigurisë.
❗️Qëllimi i këtyre veprimeve nuk është vetëm material, por kryesisht simbolik. Objektivat më të mundshëm janë:
📍Monumentet e luftës si Baza e Koshare, që përfaqësojnë rezistencën dhe sakrificën kombëtare;
📍Varrezat e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të cilat janë vende me peshë të madhe emocionale dhe historike;
📍Targetimi i personaliteteve publike gjatë manifestimeve të 9 Prillit, ku prania e qindra qytetarëve do ta shumëfishonte efektin psikologjik të një provokimi apo sulmi.
Këto veprime, nëse ndodhin, nuk kanë për qëllim vetëm dëmtimin fizik, por edhe krijimin e një ndjenje pasigurie, të frikës dhe të përçarjes brenda shoqërisë kosovare. Një vandalizëm i thjeshtë në një varrezë dëshmorësh mund të shndërrohet menjëherë në një krizë politike e mediatike, nëse shoqërohet me propagandë të mirëkoordinuar në rrjete sociale.
Prandaj, autoritetet e sigurisë duhet të rrisin prezencën parandaluese në këto vende simbolike, sidomos në periudhat përkujtimore, ndërsa mediat duhet të raportojnë me maturi, duke shmangur amplifikimin e narrativave që kërkojnë aktorët destabilizues.
Vetë qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se çdo akt vandalizmi apo provokimi i tillë është pjesë e një strategjie më të gjerë për të cenuar unitetin dhe besimin në institucione vendore të Kosovës.

Porsgrunn, Norvegji: Një tjetër shtëpi adhurimi e krishterë është shndërruar në xhami

0

Vestre Porsgrunn (shtëpia në të djathtë në foto) është shitur për 3.5 milionë korona dhe e ka shndërruar ndërtesën e vjetër në xhami. Fotografia e dytë tregon se ndërtesa është marrë në përdorim nga pronarët e rinj. Pamje e ekranit nga Facebook/Google Street View.

/ Document.no

Një organizatë islamike me 673 anëtarë ka blerë shtëpinë e kongregacionit

Shtëpia e kongregacionit njëqindvjeçar Vestre Porsgrunn është marrë nga një organizatë islamike dhe është shndërruar në një xhami Porsgrunn. Xhamia ka një adresë në Kirkegata dhe ndodhet pranë Kishës së nderuar Vestre Porsgrunn (e quajtur edhe Kisha e Imanuelit) nga viti 1758. Organizata që ka blerë shtëpinë e vjetër të kongregacionit ka 673 anëtarë. Aktiviteti bazohet ekskluzivisht në mbështetjen publike. Shteti financon islamizimin e Norvegjisë.

Ishte katër ditë para Krishtlindjeve në vitin 2024 që Xhamia Porsgrunn Trossamfunn Khalid mori përsipër shtëpinë e kongregacionit Vestre Porsgrunn. Ndërtesa e kishës ishte një fondacion i themeluar në vitin 1976 nga Porsgrunn Indremisjon, Vestre Porsgrunn Kristelige ungdomsforening dhe Vestre Porsgrunn Menighetsråd, sipas Regjistrit të Fondacionit. Por ndërtesa e vjetër e kishës ka një histori shumë më të gjatë se kaq. Gjatë viteve, ndërtesa 100-vjeçare e kishës është përdorur për shkollën e së dielës, koret dhe klubet, ndër të tjera. Pronarët e krishterë i thonë gazetës Dagen se ishte e trishtueshme që duhej ta shisnin ndërtesën e kishës.

– Disa njerëz kanë një marrëdhënie të ngushtë me të dhe praktikisht janë rritur atje, thotë kryetari i bordit Terje Michelsen.

– Çfarë mendoni për faktin që tani ka një xhami atje?

– Nëse dikush tjetër do të kishte ofruar, mund të dukej ndryshe. Por mendoj se do të kishte pasur shumë probleme nëse do të thoshim jo për arsye fetare, përgjigjet ai.

Dekani dhe peshkopi: Në rregull t’ua shesim myslimanëve
Michelsen thotë se ata kërkuan këshilla si nga dekani ashtu edhe nga peshkopi.

– Ata nuk kishin kundërshtime.

Me zemër të rëndë e nxorën shtëpinë në shitje në prill të vitit të kaluar. Por sipas udhëheqjes së bordit, ata nuk kishin zgjidhje tjetër.

– Ne shpresonim që bashkia do ta blinte, por ata nuk donin. Kishte vetëm një person të interesuar. Ata ofruan e ofruan, dhe ne e shitëm për çmimin e kërkuar prej 3.5 milionë korona, i thotë Michelsen Dagen.

“Bashkohuni me rinovimin e një xhamie”, shkroi Porsgrunn Moske në Facebook më 11 nëntor 2024. Ata kishin parasysh rinovimin e një ndërtese kishe të krishterë njëqindvjeçare, të cilën e kishin synuar qartë. Komenti shoqërues nuk ishte një dialekt nga Grenland. Pamje e ekranit.

Ndërtesa e vjetër e kishës tani do të përdoret për adhurimin e Allahut dhe për një shkollë Kurani. Diçka që ata njoftuan në Facebook më 10 gusht të këtij viti:

“Assalamualaikom wa rahmatullahi wa barakatuhu Siç shumë njerëz e dinë tashmë, xhamia e re në Vessia më në fund ka hapur dyert e saj. Kjo është bërë e mundur falë përpjekjeve fantastike të shumë vullnetarëve, të cilët kanë kontribuar si me rinovimin ashtu edhe me blerjen e të gjitha pajisjeve të nevojshme për të krijuar një vend të mirë dhe funksional për lutje dhe tubim. Seksioni për gratë që duan të marrin pjesë në lutje është ende në rinovim. Do t’ju njoftojmë sapo të përfundojë kjo pjesë. Siç u përmend më parë, xhamia do të ofrojë një numër aktivitetesh, duke përfshirë: • Pesë lutjet ditore • Shkollë Kur’ani për fëmijë dhe të rinj • Aktivitete dhe udhëtime për fëmijë dhe të rinj • Bashkëpunim me agjenci të ndryshme në komunë.

Xhamia e organizatës së sponsorizuar nga shteti dhe bashkia norvegjeze kështu operon ndarje gjinore, me një seksion të veçantë për gratë.

Udhëheqësi i xhamisë nuk ka kohë për koment
Gazeta u ka kërkuar gjithashtu pronarëve të rinj një koment, por Abdul Rehman Malik, i cili sipas Proff.no është njëkohësisht kryetar i bordit dhe drejtor i përgjithshëm i Xhamisë Khalid të komunitetit të krishterë në Porsgrunn, i thotë gazetës se nuk është në gjendje të komentojë për këtë çështje tani.

Organizata, e cila kështu ka blerë ndërtesën e vjetër të kishës që të krishterët në Porsgrunn nuk mund ta përballojnë më ta mbajnë, ka 673 anëtarë sipas një përmbledhjeje qeveritare. Dhe aktiviteti i saj bazohet ekskluzivisht në mbështetjen publike, sipas dy llogarive vjetore që mund të gjenden në regjistrat e Brønnøysund.

 

Meka duket të jetë modeli për xhaminë në Porsgrunn. Pamje e ekranit.

Xhamia jeton me grante
Nga raporti i fundit vjetor i paraqitur në Brønnøysund, pra për vitin 2020: “Kompania ka pasur një grant publik prej 650,105 NOK dhe ka pasur disa të ardhura në formën e dhuratave nga anëtarët. (rreth 4,000 NOK) Kompania nuk ka punonjës. Bordi përbëhet nga 6 burra. Bazuar në një vlerësim, bordi nuk e ka gjetur të nevojshme të zbatojë masa të veçanta në lidhje me barazinë gjinore. Biznesi ka pasur një fitim prej 481,136 NOK për vitin 2020, i cili është transferuar në kapital tjetër.” (datë prill 2021)

Grantet 2020: 650,105 NOK. Të mbledhura/dhurata: 4,100 NOK.
Grantet në vitin 2019: 570,091 NOK. Të mbledhura/dhurime: 4,070 NOK.
Depozita bankare, para të gatshme etj. 2019: 665,184 NOK në vitin 2019. U rritën në 1,148 milionë NOK në vitin 2020.

Kryetari i bordit është: Abdul Rehman Malik (l. 1988). Anëtarët e bordit janë Zinat Hotak Sakhizadah (l. 2003), përfaqësuesi i punonjësve, Suleiman Abdisalam Hashi (l. 1968), përfaqësuesja e punonjësve, Ajna Bislanovna Alieva (l. 1980), përfaqësuesi i punonjësve, Abdo Mohamad Almohaymid (l. 1981), përfaqësuesi i punonjësve, Ali Mohammad Sakhizadah (l. 1976). Ndryshe thuhet se shoqata nuk ka punonjës.

Telemarksavisa ka shkruar gjithashtu për ndërtesën e kishës në Porsgrunn që është shndërruar në xhami. Ata e mbyllën shpejt seksionin e komenteve kur e ndanë historinë në Facebook. Ndoshta sepse 315 nga lexuesit kanë shtypur fytyra të zemëruara, 151 fytyra të qara, ndërsa “vetëm” 128 kanë shtypur Pëlqej.

Ndërtesat e krishtera janë tërheqëse për myslimanët që duan t’i shndërrojnë ato në xhami. Transformime të tilla po ndodhin në të gjitha vendet perëndimore me emigracion të madh musliman, dhe ka shumë shembuj edhe në Norvegji. Për të përmendur disa.

Në vitin 2013, Qendra Kristiane Grenland ia shiti kishën që kanë në Skien Shoqatës Islamike Telemark. 350-400 anëtarët paguan 3.7 milionë krona, përpara se të rrëzonin kryqin dhe simbolet e tjera të krishtera.

Në vitin 2019, Shoqata Misionare Luterane Norvegjeze në Fredrikstad ia shiti Seierstens Misjonshus shoqatës muslimane Masjid Darussalam. Peshkopi Atle Sommerfeldt i uroi ngrohtësisht:

“Unioni Misionar Norvegjez po tregon shumë bujari kur i shet Seierstens Misjonshus Shoqatës Muslimane. Kjo është diçka për t’u respektuar. Mendoj se është shumë mirë që muslimanët po gjejnë vende të mira për të qenë!”, raportoi Document.

Në një anketë në vitin 2019, Dagen pyeti 1,600 të krishterë aktivë në kishë se çfarë mendonin për shitje të tilla. Mbi gjysma, 52.7 përqind, nuk ishin dakord ose nuk ishin aspak dakord që shtëpitë e adhurimit ose kishat duhet t’u shiten komuniteteve fetare muslimane, ndërsa një e treta u përgjigj se ishte në rregull.

Porsgrunn: Enda et kristent gudshus har blitt moské

Shtetndërtimi i Kosovës dhe fshirja e kujtesës historike!

1
Reagim ndaj përpjekjeve që të anashkalohen datat historike që lidhen me shtetndërtimin e Kosovës, ku ajo e Referendumit për Pavarësi e 26 shtatorit 1991 duhet të shpallet festë zyrtare
___
“Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë veni dike të shkruajë libra të rinj, të krijojë kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë ishte dhe çfarë është…”
Këto fjalë të publicistit të njohur Eduard R. Murrov, të cilat qëndrojnë si moto e “Kosovës” në pesë vëllime (2015), edhe si të shkëputura flasin për vrasjen e kujtesës historike, por edhe të historisë konkrete, me të cilën lidhet qenia e një populli të gjykuar për t’u zhdukur, përvojë kjo e njohur që ka të bëjë me gjenocidet e ushtruara ndaj disa popujve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët.
Sigurisht se metafora e Murrovit për fshirjen e kujtesës historike si dhe rishkrimin e saj, ka një mesazh tepër dramatik për viktimat e historisë, në mënyrë që ajo të mos u përsëritet. Për shqiptarët e Kosovës, që brenda një shekulli e gjysmë përjetuan tre gjenocide, ndërsa këtij të katërtit (në fundvitet e nëntëdhjeta) i shpëtuan në saje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA-të, kujtesa historike ka rëndësi të veçantë, ngaqë me të lidhet edhe çlirimi, lidhet liria e pa përfunduar ose e abuzuat, lidhet edhe demokracia, e mbi të gjitha lidhet krijimi i shtetit të Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit.
Dhe, kujtesa historike e shtetit të Kosovës, që si pjesë e Shqipërisë së natyrshme lidhet me mbretërinë dardane si dhe strukturat e saj të shkapërderdhura nën kurorën e Bizantit (principatat dhe zhupanitë e shumta),të cilat i rrënoi pushtimi pesëshekullor osman, prore ushqeu lëvizjet për çlirim dhe liri.
Të tilla ishin ato gjatë pushtimi osman, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 nxori në skenë nacionalizmin polititik (shqiptarizmin), që u kurorëzua me qeverinë e përkohshme të Lidhjes Shqiptare (1881), të parin organizim shtetëror pas shtetit të Skënderbeut, që i parapriu edhe pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Edhe gjatë kohës së pushtimit nga Beogradi (1912-1999), lufta për çlirim dhe bashkim kombëtar nuk reshti dot. Në përputhje me rrethanat, veçmas ato ideologjike, ndryshoi formën por jo edhe përmbajtjen.
Kështu, në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta dhe ato të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, koncepti i iredentizmit ideologjik, me kërkesën për Republikën e Kosovës, u zëvendësua me atë për barazi në federatën jugosllave, me çka barazia kthehet në një strategji të re për shkëputjen nga pushtimi i Beogradit. Dhe si e tillë, në rrethanat e rënies së komunizmit dhe fillimit të shpërbërjes së federatës jugosllave, me krijimin e Lëvizjes Kombëtare te fundviteve të tetëdhjeta dhe atyre të nëntëdhjeta e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë të gjithë shqiptarët pa përjashtim ideologjie dhe përkatësi sociale, përfundimisht u vu në binarët e pandalshëm historik.
Kjo lëvizje kombëtare ndër më të fuqishmet dhe njëherësh ndër më të sukeseshmet e historisë sonë, ka kalendarin dhe arkitekturën e vet politike, që kaloi nëpërmes legjitimitetit të infrastrukturës demokratike të domsdoshme për një shtet të pavaur: Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të mbajtur më 7 shtator 1990 dhe, sidomos, Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991, ku qytetarët e Kosovës në rrethanat e një kërcënimi policor dhe ushtarak, që u vinte nga soldateska e Beogradit, votuan për pavarësi, me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të shtetit të Kosovës, i cili filloi të jetësohet me zgjedhjet e para pluraliste dhe presidenciale më 24 prill 1992, që për pasojë patën krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe atë që u shfaq si shtet paralel, i cili mori përsipër organizimin e jetës institucionale, ku bënte pjesë edhe rezistenca e armatosur, e cila, edhe përkundër vështirësive të njohura të shkaktuara nga përçarjet e brendshme nga rrymat e ndryshme ideologjike po edhe koninkturat e jashtme për “politikën pa luftë dhe luftën pa politikë” me limitet e së cilës kishte punë, në çastet e domosdoshme, me shfaqjen e UÇK-së, u kthye në mjet të dobishëm të politikës me të cilën u legjitimua edhe ndërhyrja e armatosur ndërkombëtare.
Pra, 26 shtatori i vitit 1991 është themel i shtetit të Kosovës, që u konfirmua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Si e tillë, kjo datë duhet të shpallet festë zyrtare.
Por, kujtesa historike e shtetit të Kosovës si dhe datat e saj që u përmendën më lart anashkalohen, por edhe “harrohen” fare dhe qëllimisht madje nga mohuesit e historisë së njëmendtë brenda e jashtë, qëllimi i të cilëve është të “dëshmohet” se shteti i Kosovës është një projekt i dështuar politik që nuk e duan as shqiptarët! Në këtë sfond gjithëses se 26 shtatorit 1991, dita e Referendumit për Pavarësi, si akt historik dhe legjitim i vetëvendosje, ndonëse së voni shënohet kalimthi nga drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit (presidentja dhe kryeministri), vazhdon të injorohen nga institutet ( ai i Historisë dhe Albanologjisë), paçka se me këto veprime shkëpusin qëllimisht shtetndërtimin e Kosovës nga proceset historike, që cilat e sollën në gjendjen e tanishme.
Me këtë qëndrim antihistorik dhe antikombëtar, që ruan diskurin e diktatit ahtisarian, me të cilën Beogradit në përputhje me Memorandumin e Çubrilloviqit iu dhanë tapitë e drejtës historike mbi trashëgiminë mesjetare, shteti i Kosovës, pa krishterimin mesjetar që ishte i shqiptarëve nga shfaqja e tij në Ilirik dhe Dardani nga shekulli IV, kthehet në një shtëpi pa themel, e mbi të gjitha në një feud pa kujtesë historike, pa trashëgimi shpirtërore, pa identitet etnik dhe kulturor të një qytetërimi të lashtë antik (dardan-ilir), në një si çorbë e mbetjes otomane dhe hiç tjetër, ku madje zhvlerësohen edhe konceptet intelektuale, shoqërore, që lidhen me ato të Rilindjes kombëtare dhe shtyllave kryesore mbi të cilat qendronte shqiptarizmi si program politik, që nuk është përmbylllur ende, gjë që si po sillemi ne me shtetin tonë sikur tumirë akuzat që Beogradi ka ngritur kundër nesh në memorandumet e akademikëve serbë, atë të vitit 1937, 1944 dhe të vitit 1986!
Dhe, kur Murrov fliste për shkatërrues të kujtesës historike dhe të historisë, te ne, çuditërisht po ndodhë vetë-shkatërrimi i historisë nëpërmes vetë-harresës; po ndodhë vetë-shkatërrimi i identietit kulturor dhe shpirtëror (duke u zëvendësuar kombëtarja me fetaren dhe arabizimin brutal të modelit të umës).
Pra, po ndodh vetë-shkatërrimi i shtetit të Kosovës dhe karakterit laik në përputhje me planet e armiqëve të tij shekullor, e me këtë edhe vetë-shkatërrimi ynë!
Dhe, nga mallkim i vetë-shkatërrimit, nuk ka shpëtim, e as fajtor madje!…

Presidente e nderuar, duket se keni humbur rastin për të fituar edhe një mandat!

0

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, mori pjesë në një takim të rëndësishëm në OKB. Ajo që e bën shqetësues këtë ngjarje është fakti se ajo aty u duk më shumë si statiste sesa si Presidente!

Ndërkaq, arsyeja kryesore e shqetësimit është se ky takim nuk ishte i organizuar ose i sponsorizuar nga zyrtarët amerikanë, por nga qeveria serbe, konkretisht nga ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq!

Pastaj, pjesëmarrja e saj u mundësua nga ftesa e një lobisti të paguar nga qeveria serbe, z. Richard Grenell, i cili de facto dhe de jure nuk përfaqëson SHBA-të në Kombet e Bashkuara dhe as që ushtron ndonjë rol të veçantë zyrtar në OKB!

Andaj, ky takim “famoz” për Serbinë që sot është ka i “del flaka” nga “bllokaderët”(studentët), pa praninë ose përfaqësimin zyrtar të SHBA-ve, ka shumë gjasa të perceptohet nga publiku kosovar si komprometues për imazhin e saj të lakmuar dhe të vlerësuar gjerësisht!

S’fundmi, ky incident mund të ndikojë negativisht në reputacionin tuaj të brendshëm të ndërtuar me vite. Madje, edhe si humbje e mundësive për të forcuar pozicionin tuaj ndërkombëtar dhe ndikimin politik në rajon!

P.S.

Më vjen shumë keq që reputacionin tuaj, që ka shkëlqyer deri tani dhe është vlerësuar nga e gjithë Kosova, e keni vendosur me (pa) vetëdije si llotari në “Shtratin e Prokrustit”…

Provokimet e Federatës Ruse ndaj hapësirës ajrore të shteteve anëtare të NATO-s

0
Prof. Kolë Krasniqi, ekspert i sigurisë
Shkeljet e hapësirës ajrore të shteteve anëtare të NATO-s nga ana e Federatës Ruse nuk përbëjnë incidente të rastësishme, por paraqesin një praktikë të qëllimshme strategjike, e cila duhet të analizohet brenda kornizës së tensioneve aktuale ndërkombëtare dhe veçanërisht të luftës në Ukrainë. Këto veprime ushtarake kanë karakter shumëdimensional, duke kombinuar elementë të sigurisë, politikës së jashtme, psikologjisë strategjike dhe propagandës së brendshme.
Në aspektin ushtarak, shkeljet e hapësirës ajrore shërbejnë si instrument për testimin e gatishmërisë dhe koordinimit të forcave të NATO-s. Çdo ngritje e avionëve aleatë për interceptim përbën një mundësi për Rusinë që të masë shpejtësinë e reagimit, të analizojë procedurat mbrojtëse dhe të evidentojë kapacitetet operative të vendeve anëtare. Ky proces është pjesë e një logjike të “zbulimit aktiv” të kundërshtarit, e cila njihet në literaturën e sigurisë ndërkombëtare si metodë e provokimit të kontrolluar.
Në planin politik dhe strategjik, këto veprime përdoren për të sinjalizuar vendosmërinë e Moskës përballë Perëndimit dhe për të projektuar imazhin e një fuqie që refuzon të izolohet. Shkeljet ajrore janë pjesë e një repertori më të gjerë të “zonave gri”, ku provokimet mbeten nën pragun e konfliktit të hapur, por gjithsesi e minojnë stabilitetin rajonal dhe rrisin kostot e sigurisë për NATO-n. Në këtë mënyrë, Rusia arrin të ushtrojë presion pa përballuar pasojat e një konfrontimi të drejtpërdrejtë.
Në aspektin psikologjik dhe propagandistik, shkeljet e hapësirës ajrore shërbejnë për të krijuar pasiguri në opinionin publik të vendeve perëndimore dhe për të përforcuar narrativën e brendshme të Kremlinit. Përmes këtyre veprimeve, udhëheqja ruse synon të ushqejë diskursin e “rrethimit armiqësor” dhe të paraqesë Rusinë si aktor që guxon të sfidojë strukturën më të fuqishme ushtarake të botës. Ky dimension është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e luftës në Ukrainë, ku legjitimiteti i brendshëm i regjimit varet nga ruajtja e imazhit të fuqisë dhe rezistencës.
Në përfundim, shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s nga ana e Federatës Ruse përfaqësojnë një instrument të shumëfishtë të strategjisë së saj ndërkombëtare. Ato nuk duhet interpretuar vetëm si akte ushtarake të kufizuara, por si pjesë e një qasjeje më të gjerë hibride, që synon të testojë kundërshtarin, të shpërqendrojë burimet e tij, të krijojë pasiguri dhe të konsolidojë narrativën politike të Kremlinit. Në këtë kuptim, hapësira ajrore është shndërruar në një arenë të simbolikës strategjike, ku mesazhi politik dhe psikologjik ka po aq peshë sa edhe veprimi ushtarak në vetvete.