Një person nga Kosova dhe tjetri nga Maqedonia akuzohen në Zvicër për terrorizëm
Zyra Federale e Prokurorisë: 36-vjeçari akuzohet si udhëheqës i degës zvicerane të një grupi terrorist kosovar
Akuza ndaj drejtuesit të një organizate terroriste kosovare
10 orë më parë

Reklamë
Organizata terroriste kosovare ka si qëllim jo vetëm që të mbledhë rreth vetes sa më shumë besimtarë për kauzën dhe ideologjinë e saj salafiste-xhihadiste, por synon gjithashtu të përfitojë nga destabilizimi i shtetit të Kosovës dhe që me forcën e armëve të vërë nën kontroll një territor të caktuar dhe të krijojë atje një shtet islamik të qeverisur në emër të Shtetit Islamik nga sheriati, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Federale të Zvicrës.
Në vitet 2014 dhe 2015 disa burra shqipfolës, ndër të cilët edhe 36-vjeçari Emir me shtetësi kosovare dhe i akuzuari i dytë, një 33-vjeçar me shtetësi të dyfishtë zvicerane dhe të Maqedonisë së Veriut, u bashkuan dhe formuar një grup që ndjek ideologjinë e Shtetit Islamik.

Emiri, i akuzuari i parë, dyshohet se është zgjedhur në qershor të vitit 2025 si kreu i grupit, i cili më pas u bë dega zvicerane e organizatës terroriste kosovare
Rekrutim anëtarësh në zonën e Gjenevës
36-vjeçari Emir që ishte personi përgjegjës për grupin akuzohet se me mbështetjen e të akuzuarit të dytë ka indoktrinuar dhe rekrutuar anëtarë të rinj në emër të kësaj organizate terroriste, sidomos në rajonin e Gjenevës. Prokuroria dyshon se ai ka qenë edhe anëtar i organit udhëheqës të grupit terrorist në Kosovë, përgjegjës për degën zvicerane dhe bashkëpërgjegjës për një degë rajonale.

Ai thuhet se ka qenë përgjegjës për menaxhimin e degës zvicerane dhe sigurimin e ndërlidhjes midis udhëheqjes në Kosovë dhe degës së Gjenevës. Po ashtu thuhet se ai ka mbledhur para nga anëtarët e degës së Gjenevës dhe i ka dërguar këto shuma në Kosovë për të financuar aktivitete të ndryshme të organizatës terroriste atje.
Sipas Prokurorisë Federale të Zvicrës të akuzuarit kanë financuar në të njëjtën mënyrë edhe ryshfete për zyrtarë të huaj që ishin përgjegjës për ndjekjen penale të anëtarëve të organizatës terroriste. Kjo i mundësoi njërit prej anëtarëve të kësaj organizate t’i shpëtonte ndjekjes penale.
Leksione nga predikues të huaj
I akuzuari i dytë akuzohet se ka qenë gjithashtu anëtar i degës zvicerane të organizatës terroriste. Thuhet se ai ka marrë pjesë në mbledhjet e saj dhe ka vënë në dispozicion apartamentin e tij për ngjarje të tilla. Përveç kësaj thuhet se ai ka organizuar vizita nga predikues të huaj që janë të njohur si ndjekës të urdhërave dhe bindjeve të Shtetit Islamik.
Prokuroria Federale e Zvicrës e akuzon atë gjithashtu se në mënyrë të pavarur ka bërë propagandë në favor të organizatave terroriste Shteti Islamik dhe Fronti Al-Nusra. Thuhet se ai ka përhapur himne lavdërimi për këto dy organizata terroriste.
Aktakuza hedh dritë edhe mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimorpër organizatat xhihadiste, ku jo vetëm Kosova shërben si qendër lidhëse mes të dyshuarve në Evropën Perëndimoredhe strukturave ndërkombëtare të ISIS-it.
Akuza ndaj drejtuesit të një organizate terroriste kosovare – DW – 07/07/2025
Kori Siparantum fiton medaljen e argjendtë në “European Choir Games & Grand Prix of Nations Aarhus 2025”
Aarhus, Danimarkë – Kori i njohur “Siparantum” është nderuar me Medaljen e Argjendtë në Grand Prix of Nations, pjesë e European Choir Games Aarhus 2025. Duke garuar në kategorinë elitare “Chamber Choir”, ku paraqiten vetëm ansamblet më të mira ndërkombëtare, Kori Siparantum dëshmoi përkushtim artistik të lartë, precizitet teknik dhe thellësi interpretative.
Ky festival i shquar, i cili u mbajt nga 28 Qershor deri më 6 Korrik 2025, mblodhi mbi 130 kore dhe afër 6,000 pjesëmarrës nga 35 vende, duke bashkuar tingujt e muzikës korale me gjithë botën.
Kosova u paraqit jo vetëm si pjesëmarrëse, por si një zë i fuqishëm artistik, duke përfaqësuar një vend me trashëgimi të pasur kulturore dhe një vizion të qartë për artin në skenën ndërkombëtare.
Më 5 Korrik, Vor Frue Kirke në Aarhus u bë skenë e koncertit të titulluar “Nordic Night” – një ngjarje muzikore bashkëpunuese që solli në skenë korin Siparantum dhe korin danez
CÆCILIAKORET, nën drejtimin e dirigjentit Michael Deltchev. Ky koncert ilustroi fuqinë
bashkuese të muzikës, duke treguar aftësinë e saj për të kapërcyer ndarjet kulturore dhe për të ndërtuar mirëkuptim të ndërsjellë mes kombeve.
Kori Siparantum interpretoi një repertor të përzgjedhur me kujdes, duke shfaqur një gamë të gjerë stilesh dhe duke vendosur theks të veçantë mbi veprat e kompozitorëve shqiptarë – një dëshmi e përkushtimit të korit për të promovuar rrënjët e veta kulturore. Ky përzgjedhje jo vetëm që pasqyroi shumëllojshmërinë artistike të korit, por gjithashtu ngriti trashëgiminë muzikore të Kosovës.
Mbrëmja u përmbyll me një interpretim të përbashkët emocional të një vepre korale nga Edvard Grieg – një moment i ndjerë uniteti dhe ndërlidhjeje mes dy koreve dhe komuniteteve të tyre.
“Kjo Medalje e Argjendtë është një dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe artit të koristëve tanë, si dhe dëshmi e punës së palodhshme për të prezentuar kulturën tonë në arenën ndërkombëtare. Kori Siparantum është zëri i një gjenerate që guxon të ëndërrojë më shumë, që punon me pasion dhe këndon me shpirt. Unë besoj në këtë brez, në potencialin që tashmë po kthehet në realitet! Në kulturën tonë që po i kalon kufijtë – me dinjitet, me muzikë, me dashuri. ” , u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum.
Ky vlerësim përfaqëson çmimin e 19-të të fituar nga Kori Siparantum në festivale të njohura ndërkombëtare, duke forcuar më tej reputacionin e korit dhe kulturës sonë kombëtare. Suksesi i arritur në Grand Prix of Nations është një sukses i rëndësishëm në udhëtimin artistik të Kosovës dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm.
Kori Siparantum
Peticioni i serbëve kundër urave mbi Lumin Ibër, është kundër integrimit të veriut të vendit në Republikën e Kosovës

Gani I. Mehmeti
Urat, ose janë ura që lidhin njerëzit ose nuk duhet as të thuhet se i lidhin popujt, deri sa në njërën anë luftohet ndërtimi i tyre, e në anën tjetër thuhet se lidhin popuj e njerëz.
Është parë se urat shërbejnë për të kaluar lumenj. Por, në Kosovë disi kjo zbehet e minimizohet deri në kundërshtim ta hapjes së tyre apo edhe të ndërtimit të tyre kur këtë e kundërshtojnë serbët.
Dhe, pse kundërshtohet ndërtimi i uravae nga serbët, tani sikur është bërë “normale” sepse ata nuk duan të bashkëjetojnë me shqiptarët, ata duan të jetojnë pa shqiptarët dhe kundër shqiptarëve. Kjo nuk është parë vetëm tani, tani uroj të jetë fundi i kundërshtimeve të tyre.
Më shqetëson kundërshtimi i ndërkombëtarëve, të cilët përkrahin komunitetin serb! E, të përkrahësh komunitetin serb, është të veprosh kundër shqiptarëve dhe kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Po, sepse serbët nuk e njohin sovranitetin e Republikës së Kosovës e aq më pak serbët e dirigjuar nga Vuçiqi dhe politika e Beogradit.
Ne falënderojmë NATO-n e KFOR-in që rrinë në Kosovë si trupa paqëruajtëse për të gjithë etnitetet në Kosovë. Mirëpo, ata duhet të dinë se nga shqiptarët nuk i ka ardhur kurrë asnjë e keqe askujt nga komunitetet e tjera. Shqiptarët nuk kanë qenë dhe nuk janë shovenë, ata duan vetëm mbrojtjen e tokave të tyre, asgjë më shumë. Ndërkaq, serbët ishin dhe janë shovenë dhe vazhdimisht ëndërrojnë në pushtime të tokave shqiptare, ashtu sikur ishin prej kur fituan autonominë e tyre në Pashallëkun e Beogradit. Ata e thonë haptas edhe sot se vetëm presin momentin e hyrjes së tyre në Kosovë dhe askush asnjë fjalë nuk ua thot.
Ata të pakten e duan veriun e Kosovës, prandaj bëjnë peticione kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër. Për këtë peticion do duhej ta reagonin ndërkombëtarët, e jo të përkrahen.
Me gjasë, vetëm në Kosovë reagohet kundër ndërtimit të urave mbi lumenj për lidhjen e popullsitë mesvetit. Ndryshe, si ka mundësi të kundërshtohen ndërtimet e urave, për të cilat aq shumë flitet se janë që lidhin njerëzit e popujt mes tyre. Apo, kjo qenka vetëm një farsë dhe shjegohet e kuptohet sipas vullneteve të njerëzve.
E serbët, do të vazhdojnë gjithherë me peticione e kundërshtime ta ndërtimit të urave dhe hapjes së urës së ndaluar deri tani, për derisa këtë e kundërshtojnë edhe ndërkombëtarët.
Biri i Kallmetit Imzot Gjergj Koleci (Kallmet 1868 – 1928)

Kur harrohet historia, humbet drejtësia
Nga: Isuf Bajraktari
Në shoqëritë e reja si e jona, paragjykimi ndaj atyre që vijnë “nga opozita e kaluar”, “nga opozita aktuale”, apo “pa përvojë udhëheqjeje”, është shndërruar në një armë të heshtur që vret dinjitetin, barazinë dhe vetë shtetin. Ky nuk është vetëm një problem etik. Është një krizë kulturore dhe institucionale që rrezikon themelet e Republikës.
Aty ku kultura politike ndërtohet mbi përçmimin e rrënjëve, mbi etiketimet boshe dhe arrogancën e përkohshme të pushtetit, aty edhe shteti fillon të lëkundet.
Kosova nuk është e para që përjeton këtë përplasje të brendshme, por ka shumë për të mësuar nga historia e saj dhe e kombit shqiptar. Në çdo vend që ka dalë nga lufta, nga represioni, nga një sistem shtypës, lind përherë një betejë e heshtur: midis kujtesës dhe harresës, midis moralit të qëndresës së gjatë dhe mendjemadhësisë së elitave të reja.
Historia jonë, nga Shkodra në Prizren, nga Tropoja në Drenicë, nga Vlora në Ferizaj, nga Tetova në Preshevë, nga Ulqini në Pejë, na mëson një të vërtetë të pakundërshtueshme: nuk janë opozitat që e kanë prishur Republikën, por janë ata që kanë shkelur mbi të vërtetën për interesa personale, duke ndërtuar pushtetin pa një platformë, pa një vizion dhe shpeshherë, pa ndershmëri.
Kur Kosova digjej nga flakët e pushtimit e gjenocidit, ishin djemtë e opozitës, të margjinalizuar, të përndjekur, por të palëkundur, që u bënë mburojë e popullit. Nuk ishin zyrtarët e zyrave sterile, por bijtë e Drenicës, të Karadakut, të Dukagjinit, të Anamoravës,të Tropojës, të Kumanovës, të Preshevës, të Mërgatës, ata që u rreshtuan të parët përballë armikut. Kur Adem Jashari, Agim Ramadani, Ahmet Hoxha, Naim Beka, dhe shumë të tjerë dhanë jetën për lirinë tonë, ata nuk e ndanë Kosovën në pushtetarë e opozitarë. Ata e panë Kosovën si një tërësi, një amanet të shenjtë.
Përkrah pushkës, qëndroi edhe penda. Nuk mungoi mendja e urtë, fjala e qartë dhe qëndrimi i pathyeshëm i liderëve të opozitës intelektuale si Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani, që krijuan urën e nevojshme ndërmjet idealit dhe realpolitikut, ndërmjet fjalës dhe veprës, ndërmjet opozitës dhe pozitës. Ishte kjo harmoni mes sakrificës dhe mençurisë që i dha Kosovës dinjitet dhe qëndresë, shumë përpara se ta fitonte njohjen ndërkombëtare.
Por a mundet kjo frymë të rifitohet sot?
Apo kemi lejuar që arroganca e pushtetit të zëvendësojë respektin për idealin? A kemi ngritur një kastë politike që përçan në vend që të bashkojë? A kemi ngatërruar pjekurinë politike me egon personale?
Nëse Republika jonë ka ngecur në vendnumëro, është sepse ajo është ndërtuar më shumë mbi lojë politike, mbi aleanca të jashtme, sesa mbi vlerat-nundësit e brendshme, mbi forcën morale që e çliroi këtë vend, dhe që e bëri atë të njohur nga mbi 119 shtete të botës.
Sot nuk ka rëndësi kush ka më shumë diploma, kush e ka më të madhe zyrën apo më të fortë partinë. Rëndësi ka kush ka ruajtur përulësinë përpara historisë, kush e ka të qartë sakrificën që është bërë për këtë vend dhe kush është gati të udhëheqë me karakter, jo me karrierë.
Shteti nuk ndërtohet duke përçmuar rrënjët. Ai forcohet duke i nderuar ato.
Kosova ka nevojë për një kthesë të thellë në frymën e udhëheqjes. Jo me fjalë, por me vepra. Jo me përjashtime, por me përfshirje. Jo me fyerje të heshtura ndaj opozitës, por me bashkëpunim institucional. Ka nevojë për ndërtim institucionesh që nuk janë vetëm funksionale, por që përfaqësojnë vlera.
Dhe vlera nuk është vetëm ligj. Vlera është kujtesë. Vlera është burrni. Vlera është respekt për ata që ndërtuan themelet e kësaj Republike. Sot, në këtë moment kritik të zhvillimit të vendit, është detyrë e secilit deputet, ministër, president e qytetar, të kujtojë se nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, nëse ndërtojmë mbi harresë.
Revista argjentinase (1930) / Metamorfoza dhe lulëzimi i Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Korrik 2025
“Caras y Caretas” ka botuar, me 19 prill 1930, në faqen n°144, një shkrim asokohe rreth metamorfozës dhe lulëzimit të Tiranës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Metamorfoza dhe lulëzimi i Shqipërisë

Burimi : Caras y Caretas, 19 prill 1930, faqe n°144
Ndër kryeqytetet evropiane, më pak i njohur është me siguri Tirana. Për shkak të konsonancës së tij, dikush do të mendojë për një qytet të vogël lombard ose kalabrez.
Por Tirana është në të vërtetë kryeqyteti i mbretërisë së Shqipërisë, e cila siç dihet u krijua nën qeverinë e Ahmet Zogut, i quajtur sot Zogu i Parë, mbret i shqiptarëve.
Tirana për një kohë të gjatë nuk ishte gjë tjetër veçse një qendër distrikti modeste në Turqinë Evropiane, pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria. Kur Shqipëria u bë e pavarur në 1913, qeveria e saj u vendos në Tiranë. Aty u zhvilluan skenat e shumta të tragjikomedisë në njëqind akte që e shndërruan Shqipërinë nga perandori në republikë dhe nga republikë në mbretëri nën protektoratin, në mos normal, të paktën efektiv, të fuqisë së madhe fqinje.
Deri në Luftën e Madhe, Tirana nuk ishte gjë tjetër veçse një lagje e populluar vetëm nga disa mijëra banorë, shtëpitë e të cilëve ishin grumbulluar rreth kështjellës ku banonte guvernatori turk.
Këto shtëpi ishin të vogla, shumica prej tyre të ndërtuara prej druri dhe dukeshin më shumë si një grup rrënojash sesa një qytet. Kishte vetëm një vend të gjallë : pazari, i përbërë nga një labirint kasollesh ku në ditët e tregut takoheshin përfaqësues të racave të ndryshme : mirditorë, toskë, gegë, disa të veshur me uniforma turke, të tjerë me fustanella, madje edhe palikarë grekë.
Llojet e mbulesave të kokës ishin po aq të shumta. Çallma e bardhë e gjerë ose medreset e nyjtura përmbledhëse u bashkuan me plisin e bardhë që është bërë kapelë shqiptare.
Por, sot Tirana ka fituar shumë në rëndësi.
Qendra e qeverisjes dhe e rrugëve, politike dhe administrative, ka parë një numër të madh zyrtarësh, oficerësh, një gjykatë, etj. Dhe udhëtarët turistikë. Kështu që tani është një qendër tërheqëse për të gjitha zonat përreth. Lulëzon, pra, me mbretërinë dhe tashmë ka tejkaluar në pasuri dhe bukuri ndërtimore qendrat e lashta që dikur e shikonin me indiferencë përçmuese. Kështu, Elbasani, Korça, Vlora, madje edhe vetë Durrësi e Shkodra, janë tashmë inferiorë ndaj Tiranës përparimtare…
- Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/revista-argjentinase-1930-metamorfoza-dhe-lulezimi-i-tiranes-kryeqytetit-te-shqiperise/.
Në kujtim të mikut tim të shtrenjtë dhe veprimtarit të palodhur – Faruk Osmani
![]()
Nga : Arif Ejupi
Në jetë disa njerëz lënë gjurmë të pashlyeshme me sjelljet e tyre të mira dhe veprat e krijuara . I tillë ishte edhe ing. Faruk Osmani i lindur më 1965 në fshatin Zhiti të komunës së Vitisë, ndërkohë i zhvendosur në Ferizaj.
Faruku ishte njëri prej atyre njerëzve të rrallë, që nuk jetoi vetëm për veten, por edhe për të tjerët.
Ai ishte një idealist i madh edhe pse në mërgim për asnjë çast nuk e harroi Kosovën, familjen dhe shokët.
Përgjatë 30 -vjetëve sa qëndroi në Gjenevë të Zvicrës, ishte në shërbim të çështjes shqiptare dhe çlirimit të Kosovës nga pushtimi serb.
Me Farukun u njohëm në shtator të vitit 1995, në Shoqatën ‘Ikballe Prishtina’ të Gjenevës, dy-tri ditë para demonstratës së madhe të mbajtur më 25 shtator ’95 përpara selisë së OKB-së, në Gjenevë.
Këtu lindi miqësia jonë e cila u forcua dita-ditës, duke u shndërruar në miqësi të vërtetë dhe të painteres. Me Farukun ishim të pranishëm në të gjitha tubimet e LAPSH-it, në Gjenevë, duke ndarë të njëjtin përkushtim për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në mërgatë.
Nuk ishim vetëm bashkëveprimtarë në organizime kombëtare, por edhe shokë që ndanim kohën dhe pasionet tona.
Të shtunave dhe të dielave shkonim bashkë për të ndjekur FC Kosovën, e cila garonte në Ligën e Dytë Rajonale të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Në këtë skuadër luante si qendërsulmues i biri i Farukut, Alban Osmani, dhe ne e ndiqnim me kënaqësi çdo ndeshje, duke e mbështetur ekipin dhe djalin e tij me entuziazëm dhe krenari.
Një njeri i përkushtuar ndaj komunitetit
Faruku nuk ishte vetëm një mik besnik, por ishte edhe një veprimtar i shquar. Ai shërbeu për dy mandate si këshilltar në komunën Meyrin të Gjenevës, duke u angazhuar maksimalisht për të drejtat dhe integrimin e shqiptarëve.
Ishte njeri i punës, me një etikë dhe ndershmëri që e bënte të dallonte nga të tjerët.
Përkushtimi i tij nuk u ndal vetëm në nivel lokal. Gjatë kohës kur ing.Ibrahim Makolli, ishte Ministër i Diasporës së Republikës së Kosovës, Faruku shërbeu si këshilltar i jashtëm i tij, duke u bërë një zë i fuqishëm i mërgatës shqiptare dhe duke ndihmuar në ndërlidhjen e saj me atdheun.
Një mik i vërtetë në kohë të vështira
Faruku gjithmonë ishte aty kur e kërkonte nevoja. Ai jo vetëm që më përkrahte në angazhimet e mia profesionale dhe shoqërore, por më rrinte pranë në momentet më delikate të jetës sime.
Më 14 maj të vitit 2018, u operova në Spitalin e Gjenevës dhe më pas më transferuan për rehabilitim në Cras-Montana të kantonit Valais. Pas vetëm dy ditësh, Faruku, bashkë me bashkëshorten e tij, Atifeten erdhi të më vizitonte.
Ky ishte një moment i paharrueshëm, një gjest që e tregonte qartë se ai nuk ishte vetëm një mik, por një vëlla i vërtetë.
Kjo vizitë do të mbetet e skalitur në kujtimet e mia deri në vdekje. Vizita që më bëri Faruku me të shoqen nuk ishte një detyrim shoqëror, por një shprehje e një dashurie të sinqertë e të pakushtëzuar.
Takimi që nuk ndodhi kurrë
Jeta shpeshherë godet befas dhe shumëçka lë pezull, lë me fjalë të pathëna dhe takime të parealizuara.
Një ditë para se të nisej për në Kosovë, Faruku më telefonoi për të më ftuar për një kafe. Por, atë ditë, për fat të keq, nuk ndodhesha në shtëpi.
Ai më la një mesazh në sekretarinë telefonike, ku më njoftonte me zërin e tij të ngrohtë e të qetë se të nesërmen do të nisej për në Kosovë.
Nuk e dija se ajo do të ishte thirrja e tij e fundit që do të ngulitej përgjithmonë në kujtesën time.
Pas dy-tri ditësh, nga çuni im, Arbnori mora lajmin thikë në kraharor që nuk e kisha menduar kurrë se më 7 korrik 2024, gjatë natës, Faruku në shtëpinë e tij në Kosovë, u nda nga jeta si pasojë e një sulmi në zemër.
Ky lajm erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Ai nuk ishte ankuar kurrë për probleme me zemrën, nuk kishte dhënë asnjë shenjë se diçka nuk shkonte me shëndetin e tij.
Ishte një njeri i fortë, plot energji dhe vullnet për jetën. E, pabesueshme sesi një moment mund të ndryshojë gjithçka.

Një boshllëk që s’ mund të mbushet asnjëherë
Me ndarjen e tij nga jeta, unë humba një mikun tim më të ngushtë të mërgimit, një vëlla shpirtëror, një njeri që nuk do të zëvendësohet kurrë.
Humbja e tij nuk është vetëm dhimbje personale për mua dhe familjen e tij, por edhe për gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, për të cilin ai dha shumë.
Faruk i dashur, pusho në paqe! Ashtu si të deshëm në jetë, të duam dhe të kujtojmë edhe përtej saj.
Gjenevë,7 korrik 2025






