





Lejimin e ndërtimin e një xhamie të tillë në Klinë, ta quash skandal është pak pasi nuk thuhet e vërteta e plotë, është të thuash asgjë.
Kjo është veprimtari e qartë antishqiptare.
Kryetari Zenun Elezi jep lejepër ndërtimin e Xhamisë më të madhe në Kosovë në zonë arkeologjike dhe me banorë kryesisht katolikë.
Një vendim i papritur dhe gjithnjë e më i diskutueshëm i kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezi nga radhët e AAK-së së Ramush Haradinajt, ka ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik dhe atë profesional.
Sipas burimeve të shumta, Elezi ka dhënë leje për ndërtimin e një xhamie gjigante – e konsideruar më e madhja në Kosovë – në një zonë tejet të ndjeshme: një fshat ku arkeologët kanë zbuluar vazhdimisht gjurmë të një qytetërimi të lashtë ilir, themele kishash, mozaikë dhe artefakte të rëndësishme historike, përfshirë një kryq bronzi. Kjo leje është dhënë në një lokalitet ku jetojnë kryesisht shqiptarë të besimit katolik dhe ku komuniteti mysliman përbëhet nga rreth 20 deri në 30 familje. Kjo ka shtyrë shumë qytetarë, historianë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore të pyesin nëse ndërtimi i kësaj xhamie përfaqëson realisht nevojat e komunitetit, apo nëse bëhet fjalë për një akt politik apo provokim të qëllimshëm.
Fillimisht, kryetari Elezi mohoi të kishte dijeni për këtë vendim, por më vonë e pranoi se leja ishte dhënë që para dy muajsh.
Kjo kontradiktë ka shtuar edhe më shumë dyshimet për mënyrën se si është marrë ky vendim dhe për motivet e tij të vërteta.
A është ky një veprim i pastër elektoral për të siguruar një tjetër mandat duke shfrytëzuar ndjeshmëritë fetare?
Apo është një neglizhencë serioze ndaj vlerave arkeologjike dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës?
Arkeologët që punojnë në këtë lokalitet janë të shqetësuar, duke paralajmëruar se ndërtimi mund të dëmtojë një nga pasuritë më të rralla të trashëgimisë kulturore në vend.
Ndërkohë, zërat nga komuniteti vendor i konsiderojnë këtë një akt të panevojshëm, aspak të koordinuar me interesat e banorëve dhe të rrezikshëm për harmoninë ndërfetare që e ka karakterizuar rajonin.
Ky vendim i Zenun Elezit nuk është thjesht një çështje urbane apo fetare – është një skandal institucional që kërkon urgjentisht përgjigje të qarta, transparencë dhe një hetim të thelluar nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe nga vetë organet e drejtësisë.
Në një vend si Kosova, ku historia, feja dhe identiteti ndërthuren thellësisht, vendime të tilla arbitrare dhe të paarsyeshme rrezikojnë jo vetëm trashëgiminë kombëtare, por edhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare.

Ibrahim Kelmendi, shkrimtar, Gjermani
REAGIM KUNDËR KOLONELIT DILAVER GOXHAJ
Meqë ushtaraku i Ushtrisë Shqiptare, labi Dilaver Goxhaj, kishte përgjegjësi të lartë ushtarake në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), deri edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm (Sh.P.), po i ofroj ca mendime e kritika për disa pasaktësi që i ka thënë ai në bashkëbisedim me zonjën Rudina Xhunga, moderatore e TV-emisionit SHQIP [emetuar më 10 qershor 2025].
Për ata që nuk i kanë përcjellë informimet, z. Goxhaj [në vazhdim të tekstit do ta përdor Goxhaj, meqë emri Dilaver më ngjan deshqiptarizues] është kooptuar nga “ndërmarrja e përbashkët kriminale” (NPK), siç janë akuzuar nga ZPS-ja, në mars 1999 dhe më 7 mars 1999, bashkë me Hashim Thaçin, janë nisur nga Tirana në drejtim të Maqedonisë për të hyrë prej andej në Kosovë. Z. Goxhaj ende nuk ka ofruar konkretizime: cili person ka qenë kooptuesi, nëse ai kooptues ishte kompetent ta bënte kooptimin drejt e në Shtab të Përgjithshëm dhe cila ka qenë marrëveshja mes tyre. Siç ka rrëfyer vetë Goxhaj, më 7 mars 1999 kanë rrugëtuar me xhipa në drejtim të Maqedonisë, për ta kaluar kufirin “ilegalisht”. Në anën tjetër i ka pritur kryepolici i Maqedonisë, z. Zymri Qamili.
Ai i ka shoqëruar deri në Jazhincë, ku prapë “ilegalisht” e kanë kaluar kufirin, që atëherë kontrollohej nga kufitarët serbë, dhe kanë hyrë në Kosovë. Kur e kam sqaruar z. Goxhaj se kryepolici Zymri ka qenë i ngarkuar nga DBK-ja (agjentura sekrete e Maqedonisë) ta bënte atë shërbim, nuk i ka ardhur mirë; atë shërbim Zymriu e ka bërë sa herë që Hashimi ka hyrë dhe ka dalë nga Kosova përmes Maqedonisë, duke e (sh)përdorur automjetin e policisë së Maqedonisë, që të evitoheshin kontrollet rutinore gjatë rrugëtimit nëpër Maqedoni. Në dosjet përkatëse të DBK-së duhet të jetë shënimi se ai shërbim i është bërë Hashimit, meqë ka qenë kërkesë e RDB-së së Serbisë (pararendësja e BIA-s)…
GOXHAJ [nga minuta 1 e bashkëbisedimit]: Më 10 qershor 1999 isha në Shtabin e Përgjithshëm në Katunin e Ri, në Drenicën e Poshtme. Një ditë përpara qe nënshkruar marrëveshja mes Serbisë dhe NATO-s. Neve nuk shkuam për fajin tonë në mbledhjen e Kumanovës. (…) UÇK nuk ishte prezent, sepse amerikanët kërkonin që duhej të ishte prezent shefi i Shtabit. Ishte Bislim Zyrapi, i cili e kishte drejtuar luftën dy vjet. Këta të ish-Drejtorisë Politike donin të ishin vetë, por nuk pranonin amerikanët. Pra, Thaçi këmbëngulte të ishte aty. (…) Megjithatë, nënshkrimi në Kumanovë ishte kapitullim i Serbisë para UÇK-së…
KELMENDI [koment/reagim]: Rrëfim paksa anekdotik, spekulues. Më 8 qershor 1998, Hashimi erdhi në Këln të Gjermanisë (i shoqëruar nga Bilall Sherifi), meqë aty po mbahej Samit ndërkombëtar për Kosovën, nën patronazhin e Kancelarit të Gjermanisë. Hashimi donte të ishte pranë atij samiti për të takuar ndonjërin nga kryeministrat e presidentët e shteteve pjesëmarrëse. Fatkeqësisht, pati ndodhur ndalimi rreth dyorësh i Hashimit në aeroport, meqë e kishte të ndaluar hyrjen në Gjermani. U dashtë t’i bëja ca telefonata funksionarëve gjermanë që t’i mundësohej Hashimit hyrja në Gjermani.
Mund që Z. Goxhaj, për një moment, nuk është mjaftueshëm i vëmendshëm kur e dyzon UÇK-në në ushtri dhe në organizatë politike. Unë përherë e kam pas dhe e kam mendimin se UÇK, pos emrit, nuk kishte pothuajse asgjë ushtarake, nga ato që i kanë ushtritë klasike, sado që kemi simuluar sikur kemi formuar ushtri. Në fakt, ushtri formojnë shtetet, dhe jo organizatat politike, siç ishte Lëvizja jonë.
Arsyetimi i Z. Goxhaj se UÇK ishte ushtri dhe organizatë politike, sepse LPK paskësh qëndrua jashtë Kosove, nuk është i saktë. Lëvizja ishte në Kosovë dhe kishte Degë edhe në Emigracion. Pothuajse të gjithë militantët të Lëvizjes në Kosovë, që kishin moshë e vitalitet fizik për të qenë guerilë, ishin bërë guerilë të UÇK-së, ndërsa ata që nuk ishin adapt apo frikacakë vazhduan të ishin vetëm në LPK. Fatkeqësisht Z. Goxhaj i ka bërë këto shkarje, duke u mundua me i arsyetua eprorët e ti, që ishin kapo të NPK-së.
Jo vetëm për Z. Goxhajn, por edhe për të tjerë bashkatdhetarë në Shqipëri, po ofroj informacionin, se NPK-ja ishte një kompilim nga RDB-ja e Serbisë (pararendësja e BIAs) dhe DGSE-ja franceze, të cilat ishin bashkë-angazhuar për ta komplotua Kosovën, më konkretisht, për ta komplotuar UÇK-në. Ajo NPK përbëhej nga krerët Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Nait Hasani, Rexhep Selimi…
Nga njohuritë e grumbulluara deri tani, organizimet klandestine në Kosovë, – të cilët quheshin e quhen gabimisht organizata ilegale, – kanë pas jetëgjatësi dhe përmasa e kapacitet, varësisht sa ishin të kapura nga agjenturat sekrete jugosllave (që për lehtësi komunikimi po i përfshi të gjitha nën akronimin famëkeq: UDB). Në shumë raste vetë UDB i formonte ato organizata, sepse i përdornin si preventivë kundër angazhimeve çlirimtare. Ato duhej të peshkonin të interesuar për veprimtari klandestine çlirimtare dhe në momentin e volitshëm i burgosnin.
Jam befasuar kur Jusuf Gërvalla më pat informuar: “UDB-ja, duke formuar organizata ilegale për qëllime komplotiste, e ka mbajt frymën gjallë për angazhime të fshehta çlirimtare. UDB-ja, përmes atyre komploteve, i mbushte burgjet me të burgosur politikë shqiptarë dhe kështu rritej pakënaqësia popullore kundër regjimit titist…” [perifrazim] Për keqardhja ishte fakti, se vet Jusufi nuk e ka ditur që ishte militant në organizatë të formuar nga UDB-ja dhe e vlerësonte pothuajse si idhull kryetarin e organizatës Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), rrobaqepësin autodidakt e gjysmanalfabet, Sabri Novosella, i cili ishte marionetë e UDB-së dhe ia delte ta manipulonte e viktimizonte edhe Jusufin!
Meqë kam përjetime konkrete, tipike ishin organizatat e formuara nga UDB-ja: LNÇKVSHJ, kryetar i se cilës ishte caktuar marioneta e UDB-së, Sabri Novosella, Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ), kryetar i së cilës ishte oficeri profesionist i UDB-së Abdullah Prapashtica, Grupi Komunist Zëri i Kosovës, kryetar i se cilës ishte Riza Salihu; fatkeqësisht edhe unë jam bërë bashkëthemelues i Frontit të Kuq Popullore (FKP), i formuar në vitin 1978 me insistim të UDBashit Xhevat Ramabaja. Për Grupin Revolucionar, i avancuar në Organizata Marksiste-Leninist e Kosovës (OMLK), që udhëhiqej nga Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni e Kadri Zeka, nuk kam kisha e nuk kam informacion. Por edhe pothuajse të gjithë anëtarët e saj qenë burgosen gjatë vere 1981. Që do të thotë se UDB-ja duhet të ketë pas njeri të saj në krye të OMLK-së, i cili ka pas qasje në evidencën e emrave të anëtarëve…
Fatkeqësisht, po më rezulton se edhe OMLK-ja e dytë, formimin e të cilës e ka simuluar Xhabir Morina, në vitin 1983, duhet të ketë qenë pjellë e UDB-së. Ende nuk jam përcaktuar cilët ishin pjesëtarë të NPK-së që e “udhëheqte” atë organizatë. Tashmë jam i bindur se NPK e OMLK-së se dytë (me kuadër edhe Xhavit Halitin) ia doli të ishte komplotistja kryesore e Lëvizjes dhe e UÇK-së gjatë viteve 1993-1999.
Edhe LR(S)SHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi), e formuar më 16 janar 1982 (siç ka informuar Ambasada shqiptare në Turqi Ministrinë e jashtme në Tiranë, me kabllogram të datës 16 janar 1982), e “zyrtarizuar” me datë themelimi më 17 shkurt 1982, ishte pjellë e UDBashëve Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, ndoshta e ndihmuar nga marionetat e UDB-së që ishin kuadro të lartë në Sigurimin e Shqipërisë, siç duhet të ishin Bujar (kadri) Hoxha, Ajet Haxhia, Sali Shatri…
Kryetari i delegacionit, Hashim Thaçi, i imponuar nga DGSE-ja franceze dhe RDB-ja serbe, refuzoi ta nënshkruante atë marrëveshje më 23 shkurt 1999, jo pse ishte patriot konsistent, por sepse ashtu e komanduan ato dy shërbime armiqësore, nga se përmes refuzimit nga Hashimi, Kosova barazohej në faj me Serbinë. Anëtarët tjerë të delegacionit, që ishin pro nënshkrimit më 23 shkurt 1999, për arsyet që nuk i di, nuk u rrebeuan kundër Hashimit. Hamendësoi se nuk guxonin nga eprorët e tyre, të cilët i kishin bërë anëtarë të delegacionit…
Fatmirësisht qysh më 23 shkurt 1999 u kuptua se Hashimi po komandohej nga DGSE-ja, konkretisht nga Z. Danjean Arnaud, prandaj u shty ndërprerja e Konferencës deri sa amerikanët, anglezët, gjermanët, e binden Kryetarin e Francës që ta urdhëronte DGSE-në për ta ndryshuar qëndrimin refuzues. Më 18 mars 1999 marrëveshja u firmos nga Delegacioni shqiptar në Paris. Por, kjo zvarritje i pat krijuar Serbisë hapësirë kohore 23-ditore për ta shtuar praninë e forcave të armatosura në Kosovë. Nënshkrimi më 18 mars 1999 nuk ishte rezultat i mirëkuptimit të Hashimit me komandantët e zonave, por rezultat i ndërhyrjes se Presidentit të Francës…

GOXHAJ [nga minuta 23]: Anëtarët e Lëvizjes e kishin obligim të paguanin 1000 Marka në muaj në Fondin “vendlindja thërret”. Anëtarët e LPK-së.
KELMENDI: Me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së në dhjetor 1993, emigrantët, anëtarë të LPK-së, e kishin obligim të paguan NJËMIJË Marka (DM) në vit në Fondin “vendlindja thërret” dhe nga 50 Marka anëtarësi mujore, nga të cilat 60 % kalonin në Fondin “vendlindja thërret”.
GOXHAJ [nga minuta 24]: Në një kuvend të veteranëve në Prishtinë në vitin 2004 pata kërkuar të paraqitej llogaridhënie për mjetet e Fondit “vendlindja thërret”. Ca që dukej se kishin qenë pjesë e Fondit kërkuan të zbrisja nga foltorja. (…) Që atëherë Hashimi ma hoqi statusin e veteranit të luftës.
KELMENDI: Meqë Z. Goxhaj nuk e kishte informacionin burimor, po e informojë se Fondin “vendlindja thërret” e ka formuar LPK në dhjetor 1993. Përgjegjësitë e Fondit zgjedheshin nga Këshilli i Përgjithshëm. Fillimisht kryetar ishte Musa Xhaferri, pastaj Jashar Salihu. Edhe unë kam qenë i zgjedhur në Këshill të Fondit. NPK-ja ka bërë përpjekje disa herë për të bërë puç, duke e fut në kthetra krejt Fondin, por Këshilli i Përgjithshëm ka rezistuar…
Nga maji 1998, kur u binda se NPK-ja po sabotonte dhe komplotonte UÇK-në dhe luftën e saj, në marrëveshje gjentlemene me Jashir Salihun, e “kapa” Fondin në Gjermani, që aty e tutje të mos i dorëzohej mundësisht asnjë qindarkë NPK-së (Xhavit Halitit), siç i ishin dorëzuar përherë, por të ndihmoheshin shtabet e zonave operative (kur ato të kërkonin ndihmë) dhe sektori i logjistikës. Inxhinieri Agim Reshani (shok i Hashimit dhe Kadriut), me banim në Dyseldorf, bashkëpronar i kompanisë DITURIA, na pat programuar databazë elektronike për evidencë të mjeteve financiare dhe për lëshim të autorizime për veprimtarët e autorizuar të Fondit.
Nga maji 1998 të gjitha të hyrat në Fond i kemi legalizuar përmes xhirollogarisë bankare (banka Sparkasse Bonn), sepse ajo që këshillë edhe e LVS (“udb” gjermane për Republikën ku ishte selia e Fondit), nga se Fondi në Gjermani, i vetmi në botë, e kishte statusin zyrtar të bamirësisë humanitare. Në mbarim të luftës, ndoshta menjëherë më 10 qershor 1999, Adem Graboci, si “ministër” i financave në “qeverinë Thaçi”, bëri puç kundër Fondit, duke e shpall atë “fond të qeverisë së përkohshme”. Si shef të Fondit në Gjermani e emëroi Kushtrim Haderxhonajn…
Një ditë më vonë lëshova komunikatë publike se Fondi “vendlindja thërret” në Gjermani mbyll veprimtarinë.
Meqë kisha prioritet kthimin sa më të shpejt në Kosovë, pas 24 viteve në ekzil, nuk përgatita raport financiar për organizatë as për publikun. Ishte punë e kollajshme, sepse administrata e Fondit kishte evidentuar në databazë secilën qindarkë hyrëse dhe dalëse. Kur u nisa drejt aeroportit në Hamburg në agimin e hershëm të 15 qershorit 1999, për të fluturuar për Tiranë (me “Malev” hungarez), BKA (Endi federativ gjerman për kriminalistikë) ka bastis banesën në Këln, zyrën në Bonn dhe banesat e shumë veprimtarëve të Fondit. Me atë rast i ka konfiskuar të gjitha mjetet financiare, kompjuterët dhe gjithë dokumentacionin, me akuzë se kemi financuar UÇK-në terroriste. Mezi ia kam dalë të arratisem nga Gjermania.
Këto zhvillime patën pamundësuar llogaridhënien për Fondin në Gjermani, edhe pse nuk e kishim të nevojshme dhe të domosdoshme, meqë LPK e zhbëri ekzistencën e saj në Kuvendin e shtatë, mbajtur në fund të qershorit 1999 në Prizren.
Besoj, Z. Goxhaj vazhdon me e pas statusin zyrtar të veteranit të UÇK-së, siç e kam pa në listën zyrtare, publikuar në portalin zyrtar të qeverisë, por duhet ta kenë hequr nga pagesa (170 Euro në muaj) sepse në ligjin përkatës është precizuar që ndihmë marrin vetëm veteranët që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër të rregullt financiare, nga puna, pensioni… E këshilloj të informohet me përcaktimet që i përmban Ligji për veteranët dhe nëse i është bërë padrejtësi ligjore, le ta denoncon Ministrinë që i paguan ndihmat për veteranë.
GOXHAJ [nga minuta 25]: Bukoshi raportoi në kuvend dhe ato që i kishte në gjendje i dorëzoi në Bankë të Kosovës. Nuk ka fakte që ai ka shpërdorua…
KELMENDI: Për kohën që po flet Z. Goxhaj Kosova nuk kishte as Kuvend dhe as bankë, por “kryeministri” Bukoshi ka “raportuar” para ca bashkëveprimtarëve të tij. Ta zëmë, unë moti e kam publikuar një informatë të një funksionari të lartë gjerman, i cili qe bërë edhe këshilltar i kryeshefit të UNMIK-ut, më vonë qe dërgua në ambasadën gjermane në Beograd (Axel Dittmann). Ai, në një gosti që pata shtruar për hir të ardhjes se Bukurie Gjonbalajt e Migjen Kelmendit, në fund të prillit 1999, “rastësisht” pat thënë se Bukoshi dhe Mustafa i kishin transferuar 500 milionë Marka të Fondit të 3-përqindshit në Beograd, në fillim të prillit 1999, por nuk kishin informata konkrete, kujt ia kishin dorëzuar dhe përse i kishin transferua…
GOXHAJ [nga minuta 33]: Me kërkesë që i është bërë [Bukoshit] nga Shtabi i Përgjithshëm (…) Ahmet Krasniqi, ministri i mbrojtjes, i dha 20 milionë marka Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
KELMENDI: Vazhdon me u përmend kjo shifër edhe nga Z. Goxhaj, edhe pse nuk është ofrua asnjëherë dëshmi konkrete, si për raste të tjera. Në fakt Bukoshi i ka dhënë ndihma edhe më herët NPK-së, por jo për ta ndihmuar UÇK-në, por për ta forcuar NPK-në që ta komploton sa më shumë UÇK-në dhe LPK-në. Qysh në verë 1996 është bë marrëveshje klandestine mes Xhavit Halitit dhe Bujar Bukoshit (në Rosenheim të Gjermanisë, me ndërmjetësim të Adem Demaçit), për 30 mijë DM ndihma mujore. Xhaviti vetë shpesh e ka përsërit se nga “ministri” Ahmet Krasniqi ka pranuar vetëm 4 milionë DM ndihma. Në ndërkohë që publikuar edhe kërkesa e Jakup Krasniqit dhe Bislim Zyrapit, që ia kanë bërë “ministrit të mbrojtjes” Halil Bicaj (pasuesit të Ahmet Krasniqit), për ta ndihmuar UÇK-në me 4 milionë DM. Ato i janë dorëzuar korrierit të NPK-së, njëfarë Burim Marmullakut dhe ende nuk dihet “korrieri” kujt ia ka dorëzuar ato 4 milionë DM!!
GOXHAJ [nga minuta 35]: Në gjykatë speciale është ngrit akuza se UÇK-ja është organizatë terroriste…
KELMENDI: Shpifje ordinere! Nuk e di pse e përsërit edhe Z. Goxhaj këtë shpifje. Në aktakuzë akuzohen ca persona konkret që shisnin taraf se ishin krerë e komandantë të UÇK-së, por që tani po e mohojnë. Ata persona, Hashimi & Co, janë akuzuar si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” (NPK). Fatkeqësisht ishin NPK por kundër UÇK-së…
– Lavdi dëshmorëve dhe UÇK-së se Vegjëlisë çlirimtare, e cila, pos Serbisë, sfidoi edhe NPK-në, pacifistët e Rugovës, bandën e KM Nano dhe sabotuesi e profiterët e luftës tonë çlirimtare!
***
Këtu intervista e Zotëri Dilaver Goxhajt:
JEFS-ISLAMIST: Diktatori suprem, Ayatollah Ali Khamenei e do sharian. (Zyra e Liderit Suprem të Iranit përmes AP) l
Espen Teigen / Document.no
Në Iran, errësira e mesjetës ende mbizotëron në vitin 2025. Një përmbledhje e fundit tregon sa ekstreme janë bërë ligjet nën regjimin islamist. Në ditët e fundit, Irani është bërë një nga temat më të nxehta, dhe çfarë do të bëjë SHBA në përballje me vendin terrorist. Në të njëjtën kohë, kjo ka bërë që disa të përsërisin pikëpamjet nga regjimi i ashtuquajtur iranian, i cili në realitet është një diktaturë islamike që praktikojnë sharian.
Ja një listë me 20 ligje që tregojnë brutalitetin ekstrem të regjimit përballë lirisë së individëve.
1. Apostazia nga Islami
Burrat rrezikojnë dënimin me vdekje, gratë me burgim të përjetshëm.
2. Homoseksualiteti
Burrat dënohen me vdekje, gratë dënohen deri në 100 goditje.
3. Blasfemia dhe shpifja e besimit
Dënohet me vdekje.
4. Tradhti
Mund të çojë në vdekje me gurë.
5. Pirja e alkoolit
Hera e parë: 80 goditje me kamgjik. Përsëritja mund të rezultojë me dënim me vdekje.
6. Akuza për “korrupsion në tokë”
Akuza të paqarta, të gjera që shpesh keqpërdoren për të burgosur kundërshtarët politikë dhe aktivistët. Mund të përfundojë në ekzekutim.
7. Shkelja e detyrimit të hixhabit
Gratë rrezikojnë burgim, fshikullim dhe gjoba të mëdha nëse nuk mbulohen sipas ligjit islamik.
8. Kritika ndaj udhëheqësit suprem të Iranit
Edhe memet humoristike mund të çojnë në një dënim me burg.
9. Kontakti fizik midis personave të pamartuar në publik
Dënohet me deri në 74 kamgjikosje.
10. Martesa e detyruar e fëmijëve
Legalizuar nga nëntë vjet për vajzat dhe 13 vjet për djemtë, me pëlqimin e prindërve.
11. Muzika dhe kultura
Censura e muzikës, filmave dhe shfaqjeve televizive perëndimore. Shkelja mund të çojë në dënim me vdekje.
12. Vallëzimi publik
Mund të çojë në burgim dhe kamxhikosje.
13. Ateizmi
Deklaratat hapur ateiste ndëshkohen si blasfemi, me dënimin me vdekje si rezultat të mundshëm.
14. Aborti
E ndaluar dhe gratë rrezikojnë dënime të gjata me burg ose dënim me vdekje.
15. Lojërat e fatit
Dënohet deri në 80 goditje ose burgim.
16. Tatuazhe
E ndaluar dhe mund të rezultojë në një dënim me burg ose kamxhikosje.
17. Hamendja dhe astrologjia
Dënohet me fshikullim ose burgim, konsiderohet magji.
18. Të thysh agjërimin gjatë Ramazanit
Thyerja publike e agjërimit mund të çojë në dënim me burg ose fshikullim me kamgjikosje.
19. Kritikë ndaj islamit ose ligjeve sheriat
Dënimi është shumë i rreptë me burg, torturë ose vdekje.
20. Ngjarjet sportive femërore
Ndalohet hyrja për publikun për burra.
Shkeljet mund të sjellin dënim me burg.
Këto ligje tregojnë fytyrën groteske dhe totalitare të islamizmit në praktikë. Ndërsa politikanët dhe akademikët në Perëndim vazhdojnë të pretendojnë se ideologjia islamiste mund të moderizohet ose reformohet, realiteti i ashpër në vende si Irani vazhdon të tregojë të kundërtën: Kjo nuk ka të bëjë me individë të radikalizuar, por me një sistem të tërë të ndërtuar mbi frikë, shtypje dhe urrejtje.
Kur gratë, homoseksualët dhe disidentët në Iran i nënshtrohen terrorit dhe vrasjeve sistematike, duhet pyetur se çfarë po bën Perëndimi në të vërtetë për të kundërshtuar këtë barbari. Fondet e ndihmës nga vendet evropiane po dërgohen vazhdimisht në Iran përmes organizatave të OKB-së dhe kanaleve të tjera – para që në mënyrë indirekte legjitimojnë dhe mbështesin një regjim që e mban popullsinë e tij në një kontroll të hekurt.
Islamizmi nuk është një ideologji që mund të zbukurohet, moderohet ose injorohet. Ligjet e mësipërme tregojnë qartë se cili është rezultati kur feja ekstreme sundon një komb.
Në Norvegji dhe Evropë, alarmi duhet të bie me zë të lartë kur mendime dhe ide të ngjashme radikale përhapen brenda kufijve tanë.
Islamismens brutale ansikt: 20 iranske lover som sjokkerer verden – Document


Sapo doli nga shtypshkronja margaritari i radhës, libri im i dhjeti më radhë “PERSONALITETE QË LANË GJURMË” në Bashkësinë Lokale të Grabanicës (1). Ky është vëllimi i parë monografik kushtuar personaliteteve më të dalluara të lokalitetit tonë.
Në 35 personalitetet e këtij libri e gjeni një pjesë të historisë sonë personale dhe kolektive, e cila na bën të ndjehemi krenarë me të kaluarën tonë. Tridhjetepesë personalitetet e këtij libri janë 35 mostrat apo kampionët e qindra e mijëra banorëve të këtij lokaliteti që i përjetuan mbi supet e tyre dhunën dhe represionin serb përgjatë viteve 1981-1995.
Tridhjetepesë personalitete janë pak, por edhe 35 të tjerë do të ishin të pamjaftueshëm për t’i përfshirë të gjithë ata që e meritojnë të shkruhet për ta.
![]()
Ky libër është dedikim për të gjithë banorët e lokalitetit tonë, pa dallim moshe dhe gjinie, religjioni apo etnie. Kjo punë e vogël e imja le të jetë motivim për gjeneratat e ardhshme që të punojnë pa rreshtur për familjet dhe atdheun, këto dy motive të fuqishme, që janë kallxuesi dhe kryefjala e jetës sonë, pa të cilat nuk ka kuptim jeta e një qenje njerëzore.
Shfrytëzojeni kohën, si dhuratën më të çmuar nga i madhi Zot për të bërë vetëm punë të mira në shërbim të vendit dhe qytetarëve. Ndihmoni dhe këshilloni ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj pa llogaritur në asnjë përfitim material. Është Zoti apo fuqia mbinatyrore që do ta shpërblejë secilin prej nesh në kohën e duhur.
E falenderoj shtëpinë botuese “LIBRI IM” në Pejë, me drejtor Xhavit Thaqi për përgatitjen e lartë teknike të këtij libri me vlera historike. Meritat për kopertinat e librit i takojnë dizajnerit Xhavit Thaqi, i cili me kujdes maksimal e ka përfshirë çdo detaj nga përmbajtja e librit.

Meritat për daljen në dritë të këtij libri i kanë të gjithë familjarët e personaliteteve të cilët nuk hezituan për asnjë çast në dhënjën e shënimeve dhe rrëfimin e tregimeve për familjarët e tyre.
Me këtë libër nuk përfundon asgjë, shpresoj të vazhdoj aty ku e kam lënë me librin e radhës për të kompletuar të gjitha personlaitet e Bashkësisë Lokale të Grabanicës që kanë lënë gjurmë dhe kanë punuar shumë lirinë që e gëzojmë sot.

Po ashtu pres që nga viti 1995 e tutje të merren autor të rinj që e kanë jetuar dhe përjetuar epokën e luftës çlirimtare dhe pasluftën deri në ditën e sotme!

Me respekt: Florim Zeqa
Aurel Dasareti
Evropa (BE-ja) po e mbështet Trumpin në majë të gishtave. Ata nuk e pëlqejnë. Ata do të donin të flisnin dhe të bënin plane. Trump e di që ky lloj marrëzie është i paefektshëm. Në konflikt, rregullat e lojës ndryshojnë nga sekonda në sekondë. Trump nuk është i interesuar për teorinë dhe marrëzitë (budallallëqet) e detyrueshme. Ai është njeriu i veprimit. Ai zgjedh veprimin e zgjedhur sekonda më parë. Për folësit evropianë, kjo do të jetë e vështirë (lexo: e pamundur) për t’u përballuar.
Vlen të përmendet se me çfarë arrogance absolute tallet Trump me klerin qesharak iranian Ajatollah Ali Khamenei: “Ishte mirë ta nxirrnim nga sistemi, apo jo?” Ai (Trump) nuk i jep armikut liri veprimi retorike. Është sjellje e saktë kundër një armiku që luan në galerinë e tij – duke përdorur konfliktin gjeopolitik për të krijuar paqe të brendshme në një vend që është në prag të luftës civile.
Atëherë, u takon vetëm të mençurve të imagjinojnë se çfarë do të kishte ndodhur nëse Trump nuk do të kishte dhënë dritën jeshile për këtë operacion. Dhe Irani në fakt arriti të zhvillonte një arsenal armësh bërthamore dhe filloi të kërcënonte të gjithë botën me luftë bërthamore.
Për mua (dhe jo vetëm), mendoj se kjo ishte diçka që duhej të ndodhte. Herët a vonë, gjithsesi. Alternativa është shumë më e frikshme!
Më 23.06.2035

Shkruan: Shefqet DIBRANI
Lumni Nimani “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “LENA Graphic”, Prishtinë 2024, faqe 128. ISBN 978-9951-29-832-2.
NË FILLIM
Motivi i dashurisë është njëra nga shtyllat kryesore në veprën poetike të Lumni Nimanit, ky motiv shfaqet me një thellësi të veçantë dhe me një shumëllojshmëri formash të shprehjes lirike. Poezitë e vëllimit “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, shpërfaqin ndjenjën personale, dhe në anën tjetër pasqyron reflektim të përvojave më universale të nocionit dashuri – duke nis nga malli dhe nostalgjia për atdheun, e deri te dhimbja e skajshme në ciklin “me elegji”, si dhe shpresa për përjetësim lirik. Në poezinë e parë “Iliri”, poeti shprehet: “Je e vjetër;/ sa Tomorri e Shkëlzeni,/ sa Sharri e Luboteni/ dhe e dashur; si askush tjetër”, (faqe 21). Ndërsa vlerësimi im kritik ka për qëllim të analizojë disa veçori që e karakterizojnë poezinë e këtij poeti, i cili ka arritur të ndërtoj motivin e dashurisë si formë lirike, motivin e atdhedashurisë si topikë, dhe motivin e ndjenjës si asociativë e përjetimit, dhe duke u fokusuar kryeisht në simbolet figurative ai ka arritur emocionin personal ta shprehë në mënyrë brilante përmes kësaj poezie.
PËRVIJIMI ARTISTIK
“N’Drenicë, n’atë krenari shqiptare”, (faqe 25), poeti motivin epik e ndërlidh me heroizmin e gjeneratave nëpër epoka të kohës, që nga Ahmet Delia e gjerë tek Hamzë e Adem Jashari. Një përvijim sa artistik po aq epik dhe heroik, përkatësisht: “Krenarinë Kambit lart ja ngriti./ N’luftë kundër hordhisë barbare,/ Adem Jashari, Zahir Pajaziti,/ N’ballë t’Ushtrisë Çlirimtare”, (poezia KËNGA E LIRISË, faqe 25-26).
KOPSHTI I SHPIRTIT
Akoma po kërkon atë që tinëzisht iku.
Në mbrëmjen e asaj nate në mugëtirë.
Duke i lënë dhe portën e shpirtit hapur.
Në mos po rikthehet sërish me pahirë.
Në vend të mallkimit për thyerje zemre.
Ende po ja ruan të freskët atë dashuri,
që pabesisht keq atë mbrëmje ta përbuzi.
Ja ujitë me hoje shpirti me plot ëmbëlsi.
Në kopsht t’shpirtit tim të pata mbjellur.
Në fillim të kësaj pranvere o vasha ime.
Me afsh dashurie të kam mbështjellur.
Qeshu, gëzohu, mos rri në psherëtime!
Se zemërthyerit nuk i do as vet Zoti.
Mallkuar qofshin ata për jetë e mote!
Mos shiko prapa me ata sy të bukur,
por kthehu këndej shiko kah zemra jote!
Faqe 57.
Vëllimi me poezi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, mban brenda vetes peshën e emocioneve më të thella njerëzore – dhimbjen për të birin dhe mallin dhe dashurinë që ka për atdheun, të shprehura me ndjenjë e përkushtimin, sidomos në poezitë që kanë motiv atdheun. Në poezinë “MË MUNGON”, ja si shprehet poeti: “Pritmë Atdheu im i dashur e i shtrenjtë!/ Se malli për ty më është bërë sa një mal./ Me ty të çmallem o Tokë e shenjtë./ Do nisem për rrugë sapo agimi të dal.”, pastaj ai shprehet: “T’kënaqem n’atë vend ku u linda e u rrita./ Në atë Shqypninë teme që më mungon./ Atje ku diellit n’agim i del e bardhë drita./ E shpirtin tim me ngrohtësi ma ledhaton.”, (faqe 27).
VEÇANTIA LIRIKE
Poezia “E HYJNISHMJA DASHURI”, është e llojit të vet, sidomos për strukturën estetike që ka, pastaj për vet prapashtesat përgjat tërë poezisë: “1. (‘irë): Dëlirë, pahir, ogurmirë, gdhirë; 2. (‘esh): Lulesh, puthesh, lutesh, futesh, ngutesh, ruhesh; 3. (‘on): Fton, mjalton, përqafon, dashuron, fluturon; 4. (‘olla): Shkolla, fjolla, holla; 5. (‘init): Drinit, Dukagjinit, Ulqinit, Shkumbinit, synit; 6. (‘inës): Luginës, t’kanarinës, trëndelinës, Prishtinës, tinëz; 7. (‘ane): llapjane, shkupjane, Tirane, kane, nane; 8. (‘isë): Çamërisë, Labërisë, Toskërisë, Gegnisë, Dardanisë, Shqipërisë; 9. (‘ia): djelmënia, njerëzia, dashuria, mia, zilia, Perëndia”. Pikërisht për këtë karakteristikë të sufksit, përkatësisht prapashtesave poezia në fjalë bëhet e rrallë, e mirë dhe artistike, prandaj për bukurinë që ka, po e risjell të plotë edhe këtu:
E HYJNISHMJA DASHURI
Nuk vdes kurrë,
e hyjnishmja dashuri,
sa të ketë:
Lule aromëmirë,
Të çiltër e të dëlirë,
që dashuron me pahir,
atë djaloshin ogurmirë,
që nga muzgu në të gdhirë.
Ai trandofil lulesh;
para se të puthesh,
të bën, që asaj t’i lutesh,
n’shpirt thell që t’i futesh,
të nxitosh, të mos ngutesh,
xhembash kujdes t’i ruhesh.
E që hojesh e fton.
Fjalë e saj e mjalton.
Me afsh shpirti e përqafon.
Me musht zemre e dashuron,
edhe pa krah e bën të fluturon.
Nuk vdes kurrë
e hyjnishmja dashuri,
Sa të dredhet belholla,
aromëftua e kuq si molla;
goca e çuna nëpër shkolla,
ca flokarta e ca fjolla – fjolla
Me sytë e zi e vetullat e holla.
…
Sa të ketë:
djem e vasha t’anës Drinit,
Vasha e djemë prej Dukagiinit,
e vajza të bukura prej Ulqinit,
bardh bash si vala e Shkumbinit,
që çunit ja bäjnë me bisht të synit.
E…
kur sybukura prej Luginës,
me zë t’bukur si t’kanarinës
dhe me aromë të trëndelinës,
e do atë djaloshin e Prishtinës,
e puth jo n’sy të botës – por tinëz.
E pehria t’ëmbla llapjane;
e cuca të majra shkupjane;
e çika malësore tropojane,
me goca belkëputura Tirane,
e bëhen gati për atë natë kane.
Lum ai që i ka kësmet – ai bir nane!
Me arvanitet e Çamërisë.
Me djemë burra të Labërisë,
e me shtojzovalle të Toskërisë.
Me çuna të pashëm të gegnisë,
pa harruar as të bijtë e Dardanisë,
m’ia shtojnë nurin nanë Shqipërisë.
O vajzëri e ju djelmënia,
qëkur në botë u krijua njerëzia,
atëherë lindi e hyjnishmja dashuria.
E ju dëgjoni, e mos i harroni fjalët e mia!
Se s’ka dobi as nga urrejtja dhe as nga zilia
Kush dashuron: është i bekuar nga Perëndia!
Faqe 51-53
Vetë titulli i vëllimit me poezi është një metaforë e fuqishme që përmbledh thelbin e poezisë së Lumni Nimanit. Lirikë e ndjeshme sa vetë dhimbja dhe lotët e poetit. “Ditët shpalosen një nga një,/ bëhen javë e javët bëhen muaj./ Atje do të vij se nuk duroj më, më mbyti më treti ky dhe i huaj”, (poezia FJALË E ËMBËL, faqe 29). Në anën tjetër disa nga poezitë e Lumni Nimanit janë thellësisht përjetime personale por, njëkohësisht ato përçojnë vlera universale. Po ashtu motivi i disa poezive kanë burim përvojën e mërgimit, ku dashuria për vendlindjen, ndjenja e ndarjes dhe mallëngjimi për tokën e shenjtë janë të përhershme. Tashmë ato ndjenja janë shprehur përmes vargjeve lirike. Në këtë mënyrë poeti lidh zemrën e shpërngulur me rrënjët shpirtërore, duke krijuar një urë të padukshme midis dy botëve: asaj të ikjes dhe asaj të kujtesës, përmes të të cilave ai ruan kujtimin e gjallë për kohën që tash nuk i kthehet më. “Përveç shpalosjes së kujtimeve,/ për vitet e lumtura në Dardani./ Një pellg i tërë i përjetimeve,/ seç më rinon; më bën prap fëmijë”, (poezia SHPIRT I MEKUR, faqe 32).
MOTIVET DALLUESE
Janë katër motive dalluese, që e përshkojnë poezinë e vëllimit “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”: Dashuria, kurbeti, atdheu dhe dhimbja. a) Motivi i dashurisë, manifestohet si ndjenjë e triumfit dhe, është forca që mban shpirtin gjallë dhe ndriçon muzat e brendshme të poetit është: “Ndjenjë e dashurisë,/ që moti ka mbirë aty,/ ajo n’largësi merr udhë/ e më shpjerë tek ti”, (poezia NGJYRA YLBEROSHE, fqe 50). b) Motivi i kurbetit, është plagë dhe po aq edhe sfidë, motiv ky që ndërthuret me ndjeshmëri të rrallë: “Tretmë o Zot/ nga kjo tokë e mallkueme!/ t’rroj aty,/ ku balta asht,/ ma e amel se mjalta/ e ku, krahëhap m’pret,/ e mira – flokarta./ Në Atdhe, te votra”, (poezia DY DASHNI, faqe 23-24). c) Motivi i poezive për atdheun, që është aq pranishëm, është frymëzim por edhe krenari dhe identitetit: “E kthjelltë si vala e Valbonës;/ e bardhë si vala e Drinit të Zi;/ e qetë si Llapi im i Kosovës./ Me shkrimet e para je histori”, (poezia THESAR I SHQIPES, faqe 30). d) Ndërsa Motivi i dhembjes në ciklin e fundit e shpon edhe gurin, dhimbja e poetit është e papërshkrueshme, dhe duke iu shmangur për një çast kësaj metamorfoze, poezitë janë të ngarkuara me emocione, përjetohen thell dhe mund të konsiderohen më të realizuarat brenda vëllimit, për vet faktin e mesazhit si amanet si trashëgimi e dhembjes që përqojnë. Çasje e mirë estetike dhe realizime të bukura artistike. Vëllimi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, pa ciklin elegjiak, kushtuar të birit Vetonit – nuk do ta kishin këtë vlerë dhe këtë ndjenjë të veçantë dhe po aq përjetuese.
SHEMBJE SHPIRTI
(Tim bir – Vetonit të dashur ge iku n’amshim)
Nuk i dua më fare lulet e prillit,
as flladin e ngrohtë në pranverë.
S’dua t’ja dëgjoj më as këngën bilbilit.
Pa ty engjëlli im kjo botë është skëterrë.
Ah jetë e padrejtë sa keq më godite…!
Bash mu aty ku më së shumti dhemb.
Më more djalëbukurin fare nuk prite.
Nga dhimbja që kam shpirti m’u shemb.
Përse ishe për mua kaq e pa mëshirë?
Jeta larg Atdheut pak të dukej vallë?!
Përse më le mua kur më more tim bir?
Oh sa shumë ndjejë për të dashuri e mall…!
Shpirtin dhe zemrën në dysh mi çave
Ah mortje e shkretë ti qofsh mallkuar!
Bimën nga shpirti përjetë ma ndave,
Për mua s’lind më diell – ai ka perenduar.
Ah ti toka e shtrenjtë e Llapit tim!
Ty të përgjërohem me një porosi!
Ma ruaj djalin tim që ndërroi jetë n’mërgim!
Se është i ri, i njomë, ma mbaj but në gji!
Faqe 115.
Të jemi të sinqert, nuk e shikoj këtë motiv, vetëm si shprehje e dhembjes së poetit për të birin, por e shohë si humbje e besueshmërisë, shprehur me pezmë në vargun “Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi”, që është një moment i trishtët, thirrje drejtuar Zotit të mos i sprovoj edhe prindërit tjerë, njëjt si poetin, dhe ky mallkim, tashmë as këtij prindi-poet nuk do t’i errësohej mëtej dritën, por dy pika loti i shkunden sa herë kthehet në vendlindje atje ku e pret varri i të birit, siç shprehet vet poeti: “Nëse nuk vi shpesh, më fal o biri im!/ Në atë tokë të shtrenjtë që në gji të mbanë./ Se jam larg nga ju në këtë t’mjerë mërgim, e ti më ndriçon si yll nga bota matanë...”, (poezia SY YLL MË NDRIÇON NGA BOTA MATANË”, faqe 119).
DHEMBJA SI TRISHTIM
Prandaj ky motiv ka një kujtesë të rënduar nga emocionet, këput shpresën për botën që e rrethon, në anën tjetër kemi një frymëzim të ndjerë e të dukshëm shpirtëror, püer të jetuar, për tu përpjekur dhe për të gjallëruar. Këto nunaca dhembjeje përbëjnë disa nga veçoritë më dalluese të këtij vargu poetik. Andaj kjo përzierje ndjenjash e bën këtë vëllim poetik sikur të ishte një udhëtim emocional përmes rrugëtimit të jetës së poetit dhe përjetimeve të tij si njeri, si prind dhe si krijues.
PA TY
Vitet ndërrohen nëpër motmote.
Por dhimbja për ty sa vjen e shtohet.
Shpirtin ma keputi mungesa jote.
Jeta pa ty është vuajtje – s’durohet…
Në këtë ditë feste të këtij dhjetori.
Kur zemrat gëzohen lumturi mbushen.
Shumë mall për ty kam unë i gjori.
O ylli im në qiell që shndrit mal e fushën.
Në vend që të festoja me ty n’përqafim.
Të ndjenim së bashku gëzim dhe dashuri.
Ti më le dhe ike nxitove për n’amshim.
Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi!
Faqe 117.
Në këto vargje, dhimbja e poetit është e papërmbajtshme, e zhveshur nga çdo zbukurim, e stolisur me vellin e dhimbjes, prandaj prania e dhembjes bëhet një mjet për të përjetësuar kujtimin e të birit, i cili tashmë prehet në Kosovë. Elegjitë e këtij libri nuk janë vetëm përjetimi personal i poetit, ato janë dëshmi poetike e brishtësisë së jetës dhe vuajtjes njerëzore – dhimbje kjo që do t’i flet çdo prindi, çdo zemre të thyer. Me këto nunaca dhembjeje janë edhe poezitë tjera si: “Ah…”, “Lotë për ty”, “N’vend t’urimit – Lot për ty”, “Kur loti flet”, që janë poezi të dhimbshme dhe përjetuese sepse “vapa e gushtit ato lule,/ i kishte vyshkur e tharë,/ Bash ashtu, siç zemrën time dhimbja për ty…”, (faqe 123), prandaj poeti shprehet se “Edhe varret ia dua…”, Atdheut, sepse poeti-prindi, Atdheut pos tjerash ia ka falur edhe një varr, dhe aty ka të birin e vet Vetonin, i cili si Vetëtima që Veton ia ngjall babit mallëngjimin dhe ia shkund dhimbjen të cilën ai do ta bart gjerë sa të shkoj në varr.
Vëllimi poetik “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, në tërësinë e saj, është një mozaik ndjenjash, një përshkrim i thellë i shpirtit njerëzor dhe i marrëdhënies së tij me dashurinë, mallin, humbjen dhe shpresën. Vëllimi nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një dëshmi e një jete të përjetuar me ndjeshmëri të lartë dhe me një përkushtim të sinqertë ndaj së bukurës dhe së vërtetës poetike. Me “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, Lumni Nimani, na dhuron dhembjen e vet, jo vetëm vargje të bukura, por edhe një pasqyrë të shpirtit të tij – të trazuar, të ndjeshëm dhe të pasuruar me përvojë. Ky vëllim është një ftesë për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të ndjerë gjamën e Poetit Lumni Nimani!
PËRFUNDIM
Nga analiza e poezive të Lumni Nimanit del qartë se motivi i dashurisë, motivi i mërgimit dhe ai i dhimbjes janë trajtuar me ndjeshmëri, elegancë dhe përkushtim të veçantë. Dashuria, për poetin, nuk është thjesht një përvojë personale romantike, por një ndjenjë e gjerë dhe e thellë që përfshin: Atdheun, kujtimet, hyjnoren dhe dhimbjen. Në vëllimin me poezi “DRITËLOTËT E SHPIRTIT”, ai arrin të krijojë një lidhje të fortë me lexuesin përmes gjuhës së pasur, figuracionit poetik dhe përshkrimeve emocionale.
Poezitë e tij shërbejnë si një reflektim mbi përvojat universale të dashurisë – të bukurën, të vështirën dhe të përjetshmen. Nëpërmjet këtyre vargjeve, lexuesi ftohet të zbulojë thellësitë e shpirtit dhe të përjetojë dashurinë në të gjitha format e saj, duke e bërë poezinë e Lumni Nimanit një burim të çmuar frymëzimi dhe meditimi.