Kreu Blog Faqe 525

Fotaq Andrea: Pregatitjet e Delegacionit Shqiptar per Konferencën e Paqes në Paris – 1919

0

(Fotaq Andrea lindur në Delvinë në vitin 1953, është diplomat, publicist dhe përkthyes i shumë veprave, kryesisht prej letërsisë frënge)

Konferenca e Paqes në Paris në mbarim të Luftës së parë botërore, organizuar nga shtetet fituese të saj (janar 1919 – qershor 1920), shënon një ngjarje tejet të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, që vulosi përfundimisht, pas një mbijetese historike të paepur, fatet e tij brenda kufijëve të sotëm territorialë të shtetit shqiptar.

Meritë dhe lavd u takon delegacioneve shqiptare që morën pjesë në Konferencë, e në radhë të parë përfaqësuesve të qeverisë së Durrësit dhe të diasporës shqiptare që ditën të bashkëpunojnë dhe koordinojnë veprimet e tyre politike e diplomatike për zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes kombëtare dhe njohjen e domosdoshme të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Delegacioni kryesor shqiptar në këtë Konferencë, me në krye ImZot Luigj Bumçin dhe sekretar Atë Gjergj Fishtën, pasuar nga një plejadë e tërë patriotësh, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja, Mid’had Frashëri, Mihal Turtulli, Lef Nosi etj. shkëlqeu në përpjekjet e tij të suksesshme për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe tërësisë territoriale të kombit shqiptar, kërcënuar vazhdimisht me coptim e zhdukje nga shtetet fqinje. Historiografia shqiptare i ka një borxh të madh pasqyrimit në gjerësi e thellësi të kësaj veprimtarie të fuqishme atdhetare, dhe 100 vjetori i kësaj ngjarjeje të shënuar, pasuar nga 100 vjetori i Kongresit të Lushnjës përbënin rastin më të mirë për organizimin e një konference shkencore në rrafsh të lartë institucional e kombëtar, ndonëse nuk munguan shkrime, studime e artikuj seriozë, sidomos nga publicistët e mirënjohur Fritz Radovani, Frank Shkreli, Dalip Greca, etj. Për më tepër që edhe vetë konteksti aktual në Kosovë, përballur me makinacionet politike dhe rivendikimet e përhershme serbe në kurriz të shtetit të ri kosovar e kërkon si një domosdoshmëri jetike analogjinë dhe referencën historike të themelimit të shtetit të parë shqiptar, për t’u mbështetur në mësimet e tij se si mbrohet me dashuri të shenjtë dhe dinjitet kombëtar çdo pëllëmbë trualli kombëtar.

Është fakt i njohur historik se, që para Konferencës së Paqes në Paris, takimi i Fan Nolit me ish presidentin amerikan Wilson në korrik 1918, si dhe premtimi i tij për të mbështetur çështjen shqiptare në kuadrin e të drejtës së mbarë kombeve për sovranitet dhe integritet territorial, i çelën udhë njohjes së shtetit të ri shqiptar dhe të të drejtave të Shqipërisë etnike dhe të shqiptarëve si komb, viktimë e hershme e Perandorisë osmane, e fqinjëve grabitqarë, e Kongresit të Berlinit më 1878 dhe e vetë Traktatit të Londrës së vitit 1913.

Delegacionet kryesore shqiptare në Konferencën e Paqes, mbështetur mbi një bazë të fuqishme përfaqësuesish të diasporës dhe veçanërisht të Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, nuk rreshtën së paraqituri promemorie e protesta të fuqishme në emër të kombit shqiptar kundër padrejtësive historike, kundër krimeve të vijueshme serbo-greke ndaj shqiptarëve, kundër pretendimeve absurde greke për të shpallur territore greke krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, dhe po ashtu kundër makinacioneve italiane për të mbajtur të zaptuara Vlorën dhe rrethinat e saj. Kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencë, ImZot Luigj Bumçi, “me aftësi gjeniale”, siç shprehet me të drejtë për të studjuesi Fritz Radovani, luajti rol parësor në takimet e tij të shumta me krejt delegacionet e vendeve pjesëmarrëse në Konferencë kundër planeve për coptim dhe zhdukje të Shqipërisë, e sidomos gjatë takimit me papa Benediktin XV, të cilit i kërkoi drejtpërdrejt të ndërhynte që Korça dhe Gjirokastra të mbetshin krahina shqiptare, duke hedhur kësisoj poshtë marrëveshjen Titoni-Venizellos që i shkëpuste këto krahina nga trungu i Shqipërisë etnike1.

E ndërsa, jo pa dëshpërim, Shoqëria “Vatra” do të kërkonte në mars 1920 që Shqipërisë t’i “liheshin të paktën kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës (më 1913) dhe t’i shmangej një copëtim të ri”2, kur Greqia dhe Serbia kërkonin ethshëm të zgjeroheshin ende në kurriz të Shqipërisë, Esat pasha, i vendosur në Paris që më 1918, në ambicien e tij politike si i vetëshpallur mbret në kurriz të interesave kombëtare, deklaronte me cinizëm në prill 1919: “Mora vesh, në të vërtetë, se ardhja ime [në Konferencë] pothuajse përkoi me të ashtuquajturit delegatë shqiptarë që e kaluan pjesën më të madhe të kohës gjatë luftës në Vjenë, në Kostandinopojë a gjetkë. Nuk e di përse kanë ardhur në Paris e çfarë mund të bëjnë këtu; por di që gjatë gjithë periudhës së gjendjes së luftës, ndërsa unë isha duke luftuar në krye të trupave të mia përkrah Antantës, ata mezi lodheshin në favor të aleatëve. Sot, ata do të ishte më mirë dhe më saktë t’i cilësojmë si delegatë të Hohenzollern-it a të Habsburgëve, por jo si përfaqësues të Shqipërisë. Përveç kësaj, unë nuk kam ndërmend të kujdesem për atë që ata dashkan të bëjnë këtu.”3

Shfaqet në këtë deklaratë, veç akuzave të rreme, mashtrimit, cmirës, fodullëkut e injorimit të kundërshtarëve sivëllezër politikë, edhe sëmundja e hershme e politikave të vogla separatiste dhe egoiste, që i ka bërë historikisht – dhe vazhdon t’i bëjë – dëm të madh çështjes kombëtare. Sepse është fakt po aq historik që në këtë ngjarje madhore për fatet e Shqipërisë, siç ishte Konferenca e Paqes e viteve 1919-1920, një numër delegacionesh shqiptare shkonin mjerisht të përçara, me interesa të ngushta rajonale e fetare, duke zgjedhur gjithkush “aleatin” e vet të jashtëm për mbështetje klanore, por gjithnjë në dëm të tërësisë etnike dhe integritetit territorial të kombit shqiptar. Dhe do ndodhte në këtë kuadër vdekja e papritur para Konferencës së Paqes e Ismail Qemalit, kryetar i Partisë së Kombit, vdekje e cilësuar “misterioze”, por aspak e tillë në kontektin e kohës, si dhe vrasja e Esad Pashës në emër të tradhtisë kombëtare, si “zgjidhje” këto të dëshpëruara e të përshpejtuara me anë të zhdukjes fizike të personazheve politikë, duke i çelur rrugën vrasjeve dhe atentateve politike që do pasonin në vitet ’20 e më tej, kur Faik Konica kishte paralajmërur tashmë që më 1906 “dëmin e madh që mund t’i sjellë kombit tonë një politikë shtazërisht e gjakshme…[kur] krimi politik është një luftë vëllavrasëse, …[kur] krimi i ka duart me gjak, i ka duart e zeza”.4

Në këtë kuadër të errët përçarës, me mungesë të theksuar të kohezionit politik e të largpamësisë – sëmundja foshnjore kjo e krejt politikave të djeshme dhe të sotme shqiptaro-kosovare që mban peng e në vend numëro përparimin dhe europianizimin e kombit – del edhe më në pah merita e madhe historike dhe patriotike e ImZot Luigj Bumçit që predikoi parreshtur “bashkimin e plotë, urtësinë e madhe, durimin dhe nderin për njeni-tjetrin”, për të shuar “hidhënimet e mënitë që na ndajnë, për të respektuar mendimet e shokëve tanë, për të mos ftohur e ashpërsuar marrëdhaniet në mes të Shqiptarëve prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të vijnë. Për të mirën e Atdheut, – thekson ai (nënvizojmë) – duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerëve”5. Ja këtu një apoftegmë e pavdekshme e ImZot Bumçit, me vlerë proverbiale për domosdoshmërinë jetike të bashkimit të shqiptarëve, shenjtëruar që në vargun e parë të Himnit kombëtar “Rreth flamurit të përbashkuar”. Vetë shtypi francez i kohës nuk mungonte të theksonte këtë bashkim nën titullin “Myslimanë e të krishterë, të bashkuar në një zë në Shqipëri”.“Delegacioni shqiptar pranë Konferencës së Paqes, vinte në dukje gazeta “Paris-Midi”, u shtua me dy anëtarë të rinj. Janë ImZot Bumçi, peshkop i Alessios dhe anëtar i qeverisë së përkohëshme, dhe Atë Goerges Fishta, franciskan i Skutarit dhe poet i madh kombëtar shqiptar. Këta dy delegatë të rinj, që u pritën në audiencë nga Papa në Romë, morën miratimin e Atit të Shenjtë dhe afirmuan në Konferencë bashkimin e ngushtë të krishterëve të Shqipërisë me myslimanët në kërkesat e tyre kombëtare që parashtruan”.6 Pikërisht, këta dy delegatë në Konferencë, ImZot Bumçi dhe Atë Fishta do të përbënin një binom bashkëpunimi të ngushtë, rreth të cilëve nuk do vononin të gumëzhinin e vepronin si përreth një koshereje bletësh punëtore mori emrash të shquar të Rilindjes shqiptare, përfaqësues të drejtpërdrejtë të kombit dhe të diasporës, delegatë nga SHBA-ja, Rumania, Zvicra, Turqia, Egjipti, etj., duke lënë në bisht e të izoluar do emra “pashallarësh” fanatikë e dritëshkurtër, si Esad Pasha. Në këtë kontekst bashkëpunimi të shëndoshë atdhetar, integrohet edhe Fjala e ImZot Bumçit gjatë Konferencës së Paqes në Paris, e cila, siç dihet, u përgatit – me argumente të fuqishme diplomatike, politike, historike, etnografike, etj. por mbi të gjitha me bukuri të veçantë letraro-artistike në gegërishte të ëmbël – nga “Eksperti”, siç mbiquhej ndryshe me respekt të thellë Ati i Ndritur (Révérend Père) Gjergj Fishta, patriot i flaktë dhe penë e zjarrtë e orëve të para të Rilindjes, që do merrte pjesë në Konferencë në cilësinë e Sekretarit të delegacionit shqiptar, ndërkohë që shtypi italo-francez nuk do mungonte ta cilësonte edhe “poeti kombëtar shqiptar”,“Akademiku”, “Tirtaiosi shqiptar”7, (Tirtaios – poeti spartan i shek. VII p.e.s. i këngëve luftarake për edukimin e të rinjve).

Atë Fishta do ta shoqëronte kështu ImZot Bumçin në Konferencë dhe në takimet e shumta me delegacione të tjera me një energji e urtësi shembullore, e mbi të gjitha me një frymë të fuqishme besimi se vepra e madhe atdhetare që po realizonin me përkushtim tërë patriotët e vërtetë do jepte doemos frytet e veta e do nderohej në shekuj nga breznitë e ardhshme të kombit shqiptar, siç e vinte në dukje gazeta franceze “La Croix” më 1930 : “Franciskani Georges Fishta konsiderohet si një nga artizanët më aktivë të pavarësisë dhe unitetit të Shqipërisë, që e përfaqësoi atë në Paris”8.

Deri më sot njihen dhe janë botuar në shtyp dy variante të Fjalës së mbajtur në Konferencën e Paqes titulluar “Të drejtat e Shqipërisë etnike” dhe përgatitur nga Atë Fisha. Varianti i parë, jo i plotë, nis me forcë e bukuri të veçantë poetike drejtpërdrejt me fjalët: “Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakerauneve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe kombeve”. Varianti i dytë, më i plotësuar nga vetë Fishta, me shtesa të gjata dhe përpunim teksti për t’i dhënë këtij një paraqitje sa më diskursive, nis me fjalët: “Zotnij – me ç’kohë të Luftës turko-ballkanike e tektej, zemrat e Shqiptarëve kanë pikue gjak prej dhimbjes e mjerimit, për arsye që Europa e qytetnueme përkuli në Konferenë të Londrës së 1913 ma se gjysën  e Shqipnisë e plot nji milion Shqiptarë nën zgjedhë të randë  t’anmiqëve të tyne kufitarë…”

Një përqasje e këtyre dy varianteve nxjerr në pah se varianti i parë i shkurtër ka shërbyer si “projekt”, apo si dorë e parë për variantin e dytë, më të plotësuar, që do të shërbente si bazë përkthimore në gjuhën frënge, gjuha kryesore e punës e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Ky variant i dytë i Fishtës shfaqet më i pasur në ide, është më koherent dhe ndjek përgjithësisht një linjë kronologjike me ngjarjet kryesore madhore të historisë së Shqipërisë, ku i është dhënë hapësirë e veçantë epokës skënderbejane dhe kontributit të saj në rrafsh europian e më tej. Kështu, i janë shtuar variantit të parë që në fillim gjashtë paragrafë hyrës, si më pranë aktualitetit, përqendruar në  padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar që nga Kongresi i Berlinit, në lakmitë e parreshtura të fqinjëve armiqësorë për të coptuar e zhdukur Shqipërinë etnike, në shpifjet, pengesat dhe vështirësitë që ata përhapin e krijojnë kundër afirmimit të të drejtave të kombit shqiptar, duke i stigmatizuar pa dorashka fqinjët lakmiqarë e grabitqarë, po prapë me ton disi të matur, siç e kërkonte vetë atmosfera diplomatike e pasluftës gjatë Konferencës së Paqes. Ky variant i plotë në shqip është botuar në Shkodër me titullin “Shqyptarët e të drejtat e tyne”, më 1929, nga Shtypshkronja Franciskane dhe përmban si nëntitull: “Teksti shqyp i konferencës s’mbajtme frëngjisht prej të Përshnditshmit e të Përnderueshmit Emzot Luigj Bumçit, Ipeshkvit të Lezhjes, në salë t’Universitetit Katolik në Paris.” Kohët e fundit, i njëjti tekst është ribotuar nga studjuesi Fritz Radovani në forumin “Zemra Shqiptare”, etj. nën titullin : “Fjalimi i plotë i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes – 100 vjetori i Fjalimit “Shqiptarët e të drejtat e tyne”, në Konferencën e Paqes Paris, 20 qershor 1920.”

Duke bërë një përqasje të këtij varianti të dytë të plotësuar të Fjalimit në shqip me tekstin frëngjisht dorëzuar në Sekretariatin e Konferencës, vërejmë përsëri ndryshime të konsiderueshme, ku shfaqet tashmë, – do thonim – një variant i tretë origjinal, i ripunuar e i ripërpunuar, me redaktime të shumta, bashkime paragrafësh apo paragrafë të rinj, me një gjuhë më pak letraro-artistike dhe më shumë politike e diplomatike. Kështu, që në paragrafin e parë bien në sy ndryshime të shumta redaktoriale, dhe konkretisht fjalia e origjinalit shqip “…zemrat e Shqyptarvet kanë pikue gjak prej dhimet e mjerimit”, thjeshtësohet në variantin frëngjisht të përkthyer: “Zemra e shqiptarëve u gjakos”, ku domosdo forca e fjalëve në gegënishte e ka humbur bukurinë e vet shprehëse. Po në të njëjtin paragraf të fillimit, fjalia në shqip: “… Europa e gjytetnueme përkuli në Konferencë të Londonit të 1913 ma se gjymsën e Shqypnies e plot nji milju Shqyptarë nën zgjedhë të randë t’anmiqëve të tyne kufijëtarë” është dhënë në frëngjisht, – përkthejmë: “… Europa e qyterëruar, të nesërmen e luftërave ballkanike dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, i shkëputi tokës mëmë dhe ia nënshtroi zgjedhës së huaj më shumë se gjysmën e vëllezërve tanë, së bashku me trojet e tyre të pasura.” . Vetëm në këtë fjali të paragrafit të parë hyrës, dallimet janë të dukshme: 1. ka shtesë ideore “të nesërmen e luftërave ballkanike”; 2. është shmangur termi “anmiqtë”, që është dhënë në variantin frëngjisht me togfjalëshin “zgjedhë e huaj”; 3. është zhdukur nga origjinali shqip ideja e numrit “plot nji milju Shqyptarë”të shkëputur, duke u mjaftuar me togëfjalshin “më shumë se gjysmën e vëllezërve tanë”, por duke shtuar njëkohësish togëfjalëshin “së bashku me tokat e tyre pjellore”, kur originali shqip ishte më i dretjpërdrejtë: “ma se gjymsën e Shqypniës”. Me një fjalë, kjo përqasje nxjerr në pah se 22 rreshtat apo dy paragrafët e parë të variantit të dytë të Fjalimit të Atë Fishtës janë përgjysmuar e përmbledhur në variantin e tretë frëngjisht në një paragraf të vetëm me 11 rreshta, që do të thotë se përkthimi nuk i përmbahet aspak besnikërisht tekstit shqip, por shfaqet një përkthim i lirë, i lirshëm, më konciz, kur do shprehje e figura letrare me bukuri të veçantë në gegënishte zhduken gjatë përkthimit ose “rrumbullakosen”, të themi, dhe kur të tjera shprehje në frëngjisht shfaqen aty ku mungjnë në origjinalin shqip. Kështu, zhduket deri edhe shprehja e bukur “Thika ka mrrijt m’asht”, po nuk është ngurruar të jepet në frëngjisht në mënyrë letrare: “… pa kurrfarë argumenti tjetër në mbështetje, veç atij të ujkut që lakmon çka i pëlqen përballë qengjit të shkretë dhe pa armë tjetër përveç nënkuptimeve keqdashëse”, kur e tërë kjo fjali mungon në origjinalin shqip.

Mund të vijohet kësisoj me shembuj të shumtë që shfaqin dallime thelbësore redaktoriale të variantit të tretë në frëngjisht me variantin e dytë të gegënishtes së Atë Fishtës, ku vërehet para së gjithash shmangia e gjuhës “së ashpër” apo thënia e gjërave troç, që përbën një ton më të drejtpërdrejtë akuzues, për t’ia lënë vendin gjuhës së zbutur e diplomatike. Kështu për Sllavin, ndërsa Fishta e cilëson si “i kadalshëm e i ngathët, qi, përulë mbi shat der dje pa nji ukaz të Tzarit të vet autokrat, s’i bahej, të thuesh as me marrë frymë…”, apo për Grekun – “si ajo skilja e vjetër – qi gjithmonë si një bimë parasite iu njesh ma të fortit për me gjallue n’shpinë të tij”, në variantin e tretë frëngjisht të tëra këto cilësime zhduken për t’ia lënë vendin një fjalie më koncize e diplomatike dhe konkretisht : “Historia e pushtimit osman të Ballkanit është e pranishme për të vërtetuar se grekët e serbët nuk bënë gjë tjetër veçse u nënshtruan dhe iu përshtatën sundimit turk, ndërkohë që shqiptari, me besim vetëm në forcën dhe armët e tij, i ndershëm ndaj miqve, mikpritës ndaj të huajit, i frikshëm ndaj armiqve që i përbuz pa i urryer, kurrë nuk iu nënshtrua  asnjë zgjedhe.” Më tej, hiqet një citim i bukur i Miss Durham nga teksti origjinal i Fishtës për të përmendur një studim mbi Shqipërinë nga italiani Pedrotta, por duke lënë të plotë citimin e Fishtës marrë nga francezi René Pinon lidhur me cilësitë historike të Shqiptarit. Ndryshime fjalish dhe paragrafësh të tërë janë bërë po ashtu për periudhën historike të shek. XV, kur është hequr tërësisht në frëngjisht ky portretizim i bukur i Skënderbeut i originalit shqip të Fishtës: “Kur qe, se mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrëfeje, me dy sy si gaca e nji mjekër të thijtë, që si shtëllungë gjatë çenave i shtiellet, si re mizore kresë së një shkambi të thepisun. Tmerrshëm përkrenarja i flakon mbi krye, e cila, n’ atë vezullimin e vet të trishtueshëm, danë si kometë zharitëse, sherbëtore e mënisë së perfrigueshme të Perëndisë. Ai asht Gjergj Kastrioti Skënderbeu, fatosi në za Skënderbeg Kastrioti”.    

Me sa duket, varianti i tretë përfundimtar i Fjalimit në frëngjisht që do të mbahej në kuadër të Konferencës së Paqes në auditoriumin e lartë të Universitetit katolik të Parisit është mbështetur mbi kriterin bazë që Fjalimi t’i përshtatej sa më mirë atmosferës së përgjithshme dhe gjuhës diplomatike të Konferencës, duke shmangur hollësitë apo përshkrimet letrare dhe duke e ngjeshur e mbrujtur sa më shumë tekstin frëngjisht me ide të reja. Në fakt, që më 1906, Faik Konica porosiste në artikullin frëngjisht “Shënime” të “Albania-s” se si ndërtohet një promemorie apo një fjalim i destinuar për Konferenca ndërkombëtare: “…Është për të ardhur keq, thekson ai, njëfarë stili i fryrë dhe ndonjëherë agresiv, që do tingëllonte më drejt në ndonjë “mbledhje” socialiste. Madje një nga këto promemorie (ajo e shqiptarëve të Egjiptit) sikur shkon tepër larg në euforinë e vet”. Dhe, duke i cilësuar “foshnjëri inkoherente” fjalitë bombastike, ai vijonte:”… Pak më shumë thjeshtësi do t’u bënte mirë dhe do t’i nxirrte edhe më në pah… Të përdorësh fjali më shumë bombastike se sa të dobishme nuk është gjë tjetër veçse një ushtrim i kollajtë i një retorike të ulët. Gojëtaria e vërtetë është një parashtrim i ngjeshur faktesh të sakta harmonizuar bukur. Le ta kenë këtë parasysh redaktorët e ardhshëm”9.

Nisur nga kjo porosi e F. Konicës dhe nga frëngjishtja tepër e saktë dhe elegante e Fjalimit të ImZot Bumçit, për një hop menduam se përkthyesi dhe rishkruesi i tij mund të ishte vetë Faik Konica. Por jo, në atë kohë, ai ndodhej në Itali dhe nuk luajti ndonjë rol të veçantë për Konferencën e Paqes, duke ia lënë, me sa duket, vendin e “primadonës” familjare për Konferencën vëllait të tij Mehmetit, anëtar aktiv i delegacionit shqiptar në Konferencë dhe nga të paktët “ekspertë” shqiptarë të gjuhës angleze, si gjuhë e dytë e punës në Konferencë.

Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Kush është përkthyesi dhe rishkruesi i Fjalimit të ImZot Bumçit në Konferencën e Paqes? Ndonëse nuk kanë munguar këtu hamendësimet pa vend se është vetë Fishta ai që ka paraqitur e përgatitur edhe tekstin e tij në gjuhën frënge. Jo aspak. Sepse Fishta, si autor i variantit të dytë shqip të Fjalimit nuk mund të “tradhtonte” assesi vetveten për të mos i qendruar besnik atij varianti dhe për t’i hyrë për të tretën  herë rishkrimit të tij nga e para. Nga ana tjetër, Atë Fishta nuk njihet dhe aq për përkthime nga shqipja në frëngjisht apo për shkrime drejtpërdrejt në këtë gjuhë tepër delikate e të saktë. Kur ndërkohë, nga vetë përqasja midis variantit të dytë shqip të Fjalimit dhe përkthimit të tij në frëngjisht na del në pah një penë zanatlliu në të përkthyer e në të shkruar me finesë të gjuhës frënge. E në këtë rast, ka shumë të ngjarë të jetë, për mendimin tonë, pena e fuqishme e Mid’hat Frashërit në ndërtimin e variantit të plotë të tretë të Fjalimit. E mbështesim këtë hamendësim tonin jo vetëm në faktin se Mid’hat Frashëri – anëtar aktiv i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, delegat i Qeverisë së Durrësit, i Shoqërisë “Vatra”, i kolonisë shqiptare të Turqisë dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”10 –, kishte një përvojë të pasur e të gjatë në punën publicistike e përkthimore, dhe sidomos në përgatitje memorandumesh, por edhe në faktin e dukshëm që nënvizuam se teksti në frëngjisht i Fjalimit është një përkthim krejt i lirë, i lirshëm, me fluiditet po se po në frëngjisht, por aspak një përkthim besnik, literal.

Sigurisht që rishkrimi dhe përkthimi në frëngjisht i Fjalimit ka kaluar më pas në shumë duar, ka marrë më së pari “bekimin” e vetë Atë Fishës, të Dhimitër Beratit si njohës i mirë i frëngjishtes dhe të tjerëve anëtarë të delegacionit, e mbi të gjitha të kryetarit të tij ImZot Bumçit, duke dëshmuar kësisoj për punë ekipi të nivelit të lartë, për punë solidare e koherente, kur tërë anëtarët ishin të ndërgjegjshëm se ky Fjalim historik, pas mbajtjes në Universitetin Katolik, në kuadër të Konferencës së Paqes, me një auditor të gjerë të Shoqërisë së Ekonomisë sociale, do të dorëzohej e arkovohej në Sekretariatin e Konferencës si një dokument bazë i delegacionit shqiptar. Për rrjedhojë, Fjalimi në frëngjisht merr kësisoj vlerë zyrtare, të themi, ndonëse vetë Shqipërisë iu mohua që në fillim një pjesëmarrje zyrtare në Konferencën e Paqes11. Dhe, i veshur me këtë cilësi të re, Fjalimi në gjuhën frënge i ImZot Luigj Bumçit merr domosdoshmërisht edhe autorësinë e vetë referuesit, duke qenë se teksti në frëngjisht shihet tanimë si origjinal më vete dhe kur dihet nga ana tjetër që vetë përkthimi është po ashtu edhe krijim. Fakti është se ky fjalim në frëngjisht, i botuar në revistën franceze “La Réforme sociale”, janvier-juin 1920, Paris,12 është regjistruar, skeduar dhe referuar nën emrin e Imzot Luigj Bumçit në anale bibliotekash,13 ku gjejmë edhe një të dhënë interesante, se ImZot Bumçi ka drejtuar meshën kryesore në Kishën e Shën Trinitesë në Paris më 20 prill 1919 në ceremoninë solemne të pasditës, pas fjalës së rastit të mbajtur nga abati Delor.14

Po japim më poshtë të përkthyer për herë të parë nga origjinali frëngjisht Fjalën e plotë të ImZot Luigj Bumçit, në emër të delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve të saj, kur Kongresi i Berlinit i vitit 1878 dhe Konferenca e Londrës e vitit 1913 kishin shkëputur tashmë nga trualli kombëtar më shumë se gjysmën e territoreve të tij dhe kur Shqipëria rrezikohej të zhdukej plotësisht. Fakti historik është që Republika e Kosovës me dy milionë shqiptarë do të rilindte e rigjallërohej në agim të shekullit XXI, kur që në dhjetor 1920, publicistja dhe mikja e Shqipërisë Elise Aubry parandjente tashmë fuqinë ripërtëritëse apo ringjalljen si një feniks të kombit shqiptar, tek shkruante gjithë besim : “Më në fund, Shqipëria u njoh nga Fuqitë. E di fare mirë që ka dy coptime në Veri dhe në Jug, por jam e bindur që pak nga pak shqiptarët do t’i marrin të gjitha tokat e tyre”15. E për t’i marrë, nuk duhet lëshuar më as edhe një pëllëmbë tokë shqiptare, boll na kanë rrjepur! A e dëgjoni këtë thirrje nga shpirti i popullit, o politikarucë?!

Marre nga gazeta Zemra Shqiptare

( Fotaq Andrea: Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris )

“Sa kushton Atdheu” shkrimi i historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi, botuar më 14 mars 1994!

0
Nga: Nijazi Halili
____
Shkrimi “Sa kushton Atdheu” i historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi, botuar më 14 mars 1994, është një reflektim i thellë mbi gjendjen politike dhe shoqërore të shqiptarëve në Kosovë në kohën kur represioni serb ishte në kulm dhe rrezikohej vetë ekzistenca e popullit shqiptar nën sundim. Ishte një kohë kur çdo fjalë e shkruar me për të vërtetën kishte peshën e një akti rezistence!
Ky shkrim, përveç vlerave historike dhe letrare, mbart në thelb tezën morale dhe politike se atdheu nuk matet me çmim tregu, por me përkushtimin, flijimin dhe guximin për ta ruajtur dhe mbrojtur atë, sidomos në kohë rreziku.
Në mars të vitit 1994, Kosova jetonte nën një regjim aparteidist të instaluar nga Serbia e Millosheviqit, dhe çdo akt i fjalës së lirë, si ky shkrim, ishte një formë e rezistencës qytetare dhe intelektuale.
Në këtë tekst, Buxhovi thekson se:
• Liria nuk dhurohet, ajo fitohet me gjak, mendje dhe shpirt.
• Atdheu është detyrim moral, jo përfitim personal.
• Shqiptarët e Kosovës kishin hyrë në një fazë vendimtare, ku mbijetesa kombëtare kërkonte jo vetëm organizim politik, por edhe një vetëdije historike e kulturore.
Shkrimi juaj “ka qenë një kohë e vështirë dhe ka qenë dashur që njeriu të ketë zemër e guxim” të përmbledh në mënyrë shumë të saktë frymën e shkrimit.
Për rëndësinë historike, “Sa kushton Atdheu” mund të konsiderohet si një dokument etik dhe politik i kohës, i cili ruan ende aktualitet dhe u flet brezave për çmimin e lirisë dhe përgjegjësinë ndaj kombit.
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti
Me respekt: Nijazi Halili

Kuvendi në shkronjën ZH: A do t’i përsërisim të gjithë vitin shkollor politik?

0

Nga Isuf Bajraktari 

Pas 36 tentimeve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, jemi në pikën ku kriza institucionale e Kosovës është bërë simbolike dhe shqetësuese. Jemi te shkronja “ZH” e alfabetit, fundi i një cikli që nuk solli as mësim, as rezultat. Në vend të një përmbylljeje të vitit politik me notë kaluese, kemi një klasë të bllokuar ku të gjithë janë duke përsëritur vitin. E në këtë metaforë të zymtë, Kuvendi është bërë një shkollë pa orar, pa mësues dhe pa dëshirë për të mësuar.
Në një demokraci funksionale, mësimi institucional fillon me respektimin e rregullave, vullnetit qytetar dhe kompromisit si mjet bashkëjetese politike. Por në Kosovë, këto janë kthyer në nocione të huaja. Deputetët, që në këtë analogji janë nxënësit, duken sikur janë përfshirë në një lojë personale, e jo në një proces kolektiv ndërtimi shtetëror.
Ndërsa opozita, në vend që të jetë bashkëudhëtare në rrugën e dijes politike, mjaftohet me një pjesëmarrje të heshtur dhe refuzuese, pa shprehur gjithmonë vizion të qartë për dalje nga ngërçi. Megjithatë, një përjashtim i rëndësishëm është propozimi prej 15 pikash i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili synon ndërtimin e një qeverie uniteti kombëtar për tejkalimin e kësaj bllokade të hermetizuar dhe inatçore. Kjo qasje dëshmon se ekzistojnë përpjekje për dialog politik dhe zgjidhje të qëndrueshme, të cilat duhen marrë seriozisht nga të gjitha palët.
Në anën tjetër, partia më e madhe po e luan rolin e vet të shumicës me një lloj vetëbesimi të izoluar, pa ndërtuar platformë gjithëpërfshirëse dhe pa ushtruar diplomaci konstruktive që kërkon gjetjen e marrëveshjeve reale. E vetme, asnjëra palë nuk e çon procesin përpara.
Kryesuesi i seancave, që në këtë metaforë është mësuesi, i ngjan një pedagogu që ka humbur kontrollin e klasës. Ai thërret për rend e disiplinë, por askush nuk dëgjon. E kur as mësuesi nuk komandon dot, nxënësit bëjnë ç’të duan – dhe mësimi dështon.
Në këtë situatë, dilema është e qartë: A do të përsërisin të gjithë klasën apo do të njihet suksesi i atyre që kanë kaluar me notë kaluese? Apo do të vendosim ta fillojmë vitin nga e para, me një plan mësimor të ri dhe me kritere të qarta për notim politik?
36 shkronjat e alfabetit shqip përkojnë këtë vit edhe me 36-vjetorin e themelimit të LDK-së. Por, ndryshe nga alfabeti që përmbyllet, ky cikël politik nuk duhet të vazhdojë në pafundësi. Demokracia nuk është lojë pa fund. Është proces që ka rregulla, ka kohë, dhe ka përgjegjësi.
Zgjidhja nuk është në përsëritje, por në reflektim. Partitë që kanë guximin të dalin nga inatet, të pranojnë peshën e kompromisit dhe të shikojnë përtej interesave afatshkurtra, janë ato që do të meritojnë të udhëheqin. Të tjerët – le të mbeten në bankat e fundit të klasës, për të mësuar nga fillimi çfarë do të thotë të jesh deputet, përfaqësues dhe qytetar i denjë i Republikës.
Sepse në fund të ditës, nuk është vetëm një krizë kuvendi – është një provim i madh i pjekurisë politike të gjithë sistemit tonë demokratik.

Bota në udhëkryq dhe apokalipsë totale

0

Irani mund të përpiqet të sulmojë bazat amerikane dhe personelin ushtarak të vendosur në Lindjen e Mesme. Këtu një anije flote amerikane po kalon përmes ngushticës së Hormuzit në nëntor 2023, si pjesë e një dislokimi më të gjerë amerikan në rajon në lidhje me luftën midis Izraelit dhe Hamasit. Foto: Informacioni Teknik i Klasës së Dytë Ruskin Naval, AP/NTB (Aftenposten, me 23.06.2025)

Akademik Prof Dr Hakif Bajrami

-“Nuk di çka të ju them për Luftën e Tretë Botërore. Por, nëse ndodhë e Katërta, njerëzit do të luftojnë me shigjeta”! Albert Ajnshtajn

E shënuam këtë profeci të njohur sepse për çdo ditë po flitët e shkruhët për mundësin e shpërthimit të Luftës Tretë Botërore. Lufta po zhvillohët si “dramë provuese”, para syve tanë, në Ukrainë, në Gazë dhe në luftën Iran-Izrael.E vërteta, Lufta Izraelito-Iraniane deri me tash është më e egra në shekullin XXI në glob. Kjo për faktin se pas të dy palëve në luftë, qëndrojnë superfuqitë që kanë arsenal nuklear dhe hidrogjenik e biologjik, sa që ekzistenca e njeriut mbi tokë ka ardhur në pikën kritike. E, duhët të besojmë se do të ngadhnjejë arsyeja, por dëmët ku po mbesin, sespe ato janë të pa kompenzuara, sepse nuk do të ketë fitues, sepse nuk do të ketë ka humbës klasik.E vërteta në ditën e dielë SHBA i sulmuan në shkallë speciale galeritë e Iranit në tri lokacione ku dihet se përgatitët prodhimi i bombave atomike, prej të cilave nuk ka kurrfar dobie as ai që i përdorë. Pra, përdorimi  i arsenalit berthamor për qëllime ushtarake është deri me tash investimi më apsurd që ka ndërmarrur njeriu. E themi këtë sepse lufta nukleare është shkatrrim total shfarosje e njeriut dhe vdkje totale e abientit.

Gjatë këtij qershori 2025, lufta në mes Izraelit dhe Iranit në realitet është një konjunkturë e luftës që e mshef realitetin në mes Izraleit dhe Palstinës. E pse mos ta themi, se pas Izraelit mshifet tërë bota e cilivilizimit “nuklear” Perendimor.  Ndërsa pas Palestinës dhe Iranit mshifet bota “balistike” e kulturës Lindore. I përdorëm fjalët civilizim dhe kultuarë, jo për ta lakuriquar dallimin por për ta kuptuar se të dy taborret janë në luftë speciale me dekada, të cilat në stilin “sot për neser”, janë kah e mashtrojnë jo vetëm sistemin por edhe rrënjët e tij-demokracinë, kuptohet pas shembjës së një pjese të totalitarizmit-komunizmit, të cilin e propogandonin se : “nuk ka konkurecë, se është jeta e jetuar e ardhmërisë”. Të dy konstatimet, në esencë janë rrelative sipas Teorisë së Relativitetit, sepse çdo gjë është politikë agresive nën tepih dhe diplomaci e dështuar në tavolinë, me qëllim dhe pa dorëza, sepse pas tërë këtij incidenti të mjegullueshëm maskohët një forcë e civilizimit që është kah e finanson tërë “shfaqjën” teatrale.Në fakt, për ata që “shfaqjën” e këtillë e përciellin me kujdes dhe pa dioprti, nuk e kanë të vështirë për ta kuptuar se sa kushtojnë plumbat dhe kush i paguan biletat në këtë “teatër”. Natyrisht, se për të shtruar pyetje është fare lehtë. Por për të lëshuar përgjegje faktike, mbetët përgjegjësi që shkon se edhe kur njeriu e dinë përgjegjën, nuk është profitabile që të jipet, sepse e dëmton një hapsirë jetësore shumë më të gjërë, madje i dëmton miqët dhe tregon për pabesi në miqësi. Por një fakt dihët, se skenarsitë në këtë luftë janë të gjitha ata që kanë mëkate nga e kaluara, që nuk dallon shumë nga e sotmja. Pra, e tashmja është shartuar në të kaluarën, prandaj e nesermja nuk është e sigurtë për njeriun e lirë dhe të paanshëm, Dhe, tash ish fajtorët investojnë që të dëmtohen popujtë dhe shtetët e konfliktuara në shkallë të padiktuar, madje tinzisht, në mënyrë që fajet e tyre të mbesin të dikurshme, të mbesin në hie, të harrohën fare. E hebrenjët që ishin për dhimbësuri gjatë viteve 1933-1945 sidomos në Evropë, tani po shndërrohën në një realitet që po e shlyejnë dhimbsurinë, dhe po kalojnë në një shfaqje krejtë tjetër, sa që ka zëra serioz që po artikulojnë se: “po i jipet e drejta” (!) edhe Hitlerit sepse po përkrahet Benjamin Natanjahu, “varrëmihsi i Gazës”.

Madje Natanjahu është shpallur nën hetime në BE, për “sielljët e tij ndaj palestinezëve”. Në anën tjetër palestinezët nuk e mshefin se ëndërrojnë shfarosjën e Izraleit. Pra, shtrohet pyetja lakuiriq: Për kënd punon sot politika gjermane, turke, frenge, ruse, britanike, spanjolle, italiane, arabe,kineze dhe amerikane, nëse lejohet një hollokaust i dytë. Kjo do të thot se nuk kemi mësuar asgjë nga historia. Në plan të parë, “askush  nuk e din me saktësi, pse po ndodhë lufta në Gaza dhe bombardimet e dyanshme Izrale-Iran”. E do të thoja se çdo gjë dihet dhe asgjë nuk është dëshira të dihet, sepse arabët flasin hapur se: “Izraelin duhet shkatrruar”, ndersa Izraeli flet se Palestina duhet të shfaroset. Madje, flitet hapur për deportim të palestinezëve diku jashtë Lindjës Mesme. Dhe shtrohet payetja: mos vallë Rusia po i fërkon duartë për aspiratat e saj territoriale në Ukrainë dhe po e përkrah Iranin që krimet e veta të mbesin nën hie. Këtu diku pushon “dreqi” i mallkuar.

Një fakt po dihët se disa shtete të fuqishme sot po punojnë për t` u harruar e djeshmja, dhe nuk i kontribojnë fare të sotmes, sepse nuk mendojnë sa duhët punuar nesër. E vërteta, gjeneratat duhët respektohën, por më tepër duhët të investohët në ardhmëri të civilizuar-kulturuar.

Çka po ndodhë në mes Izraelit dhe Palestinës

Po mbushët gati një shekull që kombi Izraleit e ndërtoi një çati, për të cilën kishte fakte se po ndertohët në themelet që i kishte dikur. E vërteta, kombi hebre (Izraelit), është populli që ka vuajtur më së shumti në historinë e njerëzimit. Po, ka popuj që janë zhdukur, diku me fajin e tyre, e diku me fajin e të tjerëve. Por, në atë moment që kur u krijua shteti Hebre (1948), fqinjët arab hapur e kundërshtuan dhe thanë: “Do ta luftojmë deri në shfarosje, dhe, kurrë nuk do ta pranojmë si fqinjë që e kishim dikur”!

Në realitet, hebrejët janë popull i ndiekur dhe i persekutuar gjatë historisë, nga trojet e tij dhe kudo nepër disa vende të Europës, ku shkeli këmba e tyre, ku shpresonin se do të gjejnë strehim dhe një trohë bukë për mbijetesë. E, as ata vetë (Hebrenjët) nuk e dijnë si kanë shpetuar gjatë hollokaustit mbi ta. Lidhur me këtë, nëse e lexojmë historinë e tyre (dëbimi nga Spanja, bje fjala hb), edhe ashtu të shkaperderdhur, mësojmë se ky popull, kanë nxierr nga gjiri i vet mendje të ndritura dhe të respetuara, për qytetrimin. E vërteta, nga aspketi civilizues hebrenjët më shumë i kanë dhuruar njerëzimit, se sa që kanë marrë prej tij.Filozofi Baruh De Spinoza (një panteist i drejtimit racionalist), pati thënë nja dhjetë vjet para vdeksjës se: “Bota pa hebrej do të dukej më e varfur, sepse kudo që kanë shkelur kanë siellë dituri dhe virtyte të punës, në stilin e bletës, për zbulime të reja, të cilat kur gjejnë aplikacion në jetë, njeriu mendon se me ato zbulime ka jetuar prej se ekziston jeta”. Por ato zbulime nuk i japin sot të drejtë askujtë që të sillet ndaj tjetrit sikurse janë siellur të tjerët ndaj teje!

E, Arabët që ishin, janë dhe do të mbesin fqinjë të Hebrejëve, hapur patën folë e janë përbetuar më 1948 se: “Do t`i luftojmë Hebrenjët deri në shfarosje”. Kuptohet se ky “tregim”, ka rriedhur pas kasaphanës që ushtroi mbi ta Adollf Hitleri më 1933-1945. Lidhur me këtë, mund ta nxjerr konkuldimit nga lufta në mes kulturave (Fukujama) dhe lufta në me s civilizimeve (Hantingtoni) se sot është në fillim të mbarimit kapitalizmi i “kurorzuar” klasik, duke u maskuar me socializëm totalitar në stilin: “merre ose lere”, sepse “pushteti im është pa konkurencë”, por që u vërtetua se asnjeri sistem nuk siguron paqe dhe lumturi për njeriun aktiv dhe të nivelit diturisë hebreje dhe të besës shqiptare. Së këndejmi, as Ditura hebreje e as Besa shqiptare, nuk janë bërë ende koncepete me të cilat arrihet drejtë kulmit civilizues kulturor në glob, gjithnjë duke peshur me të dy këmbët në themel.Pra, tradita kurrë nuk guxon të nënçmohet sepse është ligj i natyrës, i përsosmërisë. E nëse i bashkdyzojmë diturinë hebreje dhe besën shqiptare, e nxierrim aksiomën se as nuk mundën hebrejnët, me çfardo përkrahje që kanë, ta shfarosin botën arabe, e as bota arabe ta fshijnë nga faqja e dheur popullin hebre, që ka dhuruar civilizimit shejtëror (Pejgamerë), e nobelistë, më shumë se çdo popull tjetër në glob. Po edhe një fakt nuk duhët harruar se: Bota arabe dje dhe sot, ka një gjuhë shumë të pasur që arrinë në miljona fjalë. Pra asnjë gjuhë nuk mundet t`ia grabitë vendin e parë gjuhës arabe përkah shumësia e fjalëve; pra, asnjë civilizim nuk mundet për t` ia grabitë vendin e parë për dituri botës hebreje, asnjë popull nuk mundet për t` ia grabitë shqiptarisë Besën që është e arritur në shkallën më të lartë morale për sinqeritet dhe siguri njerëzore. E në këtë akt human shqiptarët kanë dëshmuar besë e sakrificë me hebrejë gjatë Luftës Dytë Botërore. Po, kanë dëshmuar edhe humanizëm me Nënë TEREZËN famëlartë, që ka mbetë shembull unikat.

Për fat të mirë, falë përkushtimit të SHBA-s shqiptarët e Kosovës më 1999 u shpëtuan nga një hollokaust i dytë, edhe pse kampet e përqëndrimit në: Bllacë, Stankovec, Çegran dhe Kukës paralajmëronin se gjenocidi po ndodhë para syve të civilizimit, para kamerave televizive, gjenocidi ndodhi por lindi shteti shqiptar në Kosovë.

Çka nxierrim nga ky konkluzion i saktësisë. Nzierrim se do të ishte mirë që tërë atë dituri hebreje dhe atë pasuri gjuhësore arabe ta shfrytëzojë njerëzimi dhe ta përshkojë me një humanizëm të Shën NËNË Terezës, dhe të jetojmë në paqe dhe harmoni, duke nxierr mësime nga historia, duke ndërtuar infrastrukturë, që i sherben njeriut dhe për abinetin, dhe njeriut  të dobishëm, pa asnjë shansë që të kthehemi parpa.Në këtë drejtim edhe shqiptarët dhe serbët duhet ta respektojnë njëri tjetrin dhe Ballkani të jetojë në paqe. Serbët e kanë shtetin e vet, shqiptarët tani i kanë dy shtete, të cilat sipas ligjit të vevtëvendosjës një ditë mund të bëhën një. Formën e atij shteti do ta zgjedhin vet shqiptarët pa asnjë imponim.

Konflikti Izrael-Iranë a mund të ndalet dhe kush është ajo forcë që e ndal?

Në shqim të parë duket se nuk mund të nxirret asgjë nga kjo luftë pa u ditur fituesi. E fitues klasik nuk do të ketë, sikurse nuk do të ketë fitues klasik në luftën Ukrainë-Rusi. Logjika ajnshatajniane, dhe besa arbërore, përkundër e nxierrin në shesh aksiomën se në luftërat e padrejta nuk ka fitues, por do të ketë shkatrrime të pariparueshme, nëse lufta (konfliki) vazhdon.

Tani mizoritë e nazizmit ndaj hebrejëve me sulmet izraelite ndaj palstinezëve civilë në Gazë, e kanë siellë buzë kompromitimit tërë atë dhimbsuri që ka pasë njerëzimi ndaj jetës “jetuar nepër kampe të Hebrenjëve fatmjerë”, destinuar enkas për ta, nga një politikë që synonte se pas shkatrrimit hebrejëve, do i shfarosi edhe ca popuj të tjerë. Në fund, “pas fitorës naziste”, propogandohej se do të mbesin vetëm Arianët, ata që janë “gjak i pastër”, me nofkën “kullturbund”! Këtë konstatim mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë vizituar Aushvicin, Dahaon, apo ndonjë kamp më të vogël, krejtë një pamje e dhimshme se si njeriu ndaj njeriut, mund të sillët.

Në këto pozicione politikanët mendjemdhenjë, qofshin ata: nazistë, serbianë, apo dikush tjetër duhët ta pyesin mendjën: ku është sot Pernadoria e Faraonëve; Pernadoria e Persianëve, Perandoria Romake, Pernadoria Bizantine, Pernadoria arabe, Perandoria mongole, Perandoria Osmane, Pernadoria komuniste ruse, e shumë perandori anë e mbë anë globit, të njohura e të panjohura. Shumë prej këtyre perandorive ndërtuan strehimore sa ishin në jetë, duke menduar se do të jetojnë gjithëmonë në to, por pikërisht në atë strehimore (kala -bunker) i dhanë fund jetës. Prandaj, konflikti (lufta) në mes Iranit dhe Izraleit dhe në mes Izraelit dhe Palestinës, është sot një luftë e kotë. Kjo do të thot, se jeta e jetuar kërkon më shumë se kurrë urti dhe respekt ndaj tjetrit. Madje,S. Millosheviqi dhe V. Shesheli më 1998/99 , me nënçmim dhe me mendjemadhësi theksonin se: “luftën ndaj shqiptarëve do ta fitojmë me Shoqatën e gjuetarëve”. E ku mbeti tërë ai kërcnim dhe ato mizori për të cilat në plotëni kurrë nuk do të dihet tërë e vërteta kriminale. Pra, njeriu ndaj njeriut nuk duhët të sillët si ukju ndaj deleve, sepse një ditë duke u plakur (e pleqëria nuk është smundje-hb), ujkut do t` i mbesin dhëmbët në mishin e delës, nuk do të ekzistojë më fare, por çingjat e delës do jetojnë si fitimtarë. Këtë aksiomë e ka vërtetuar historia.

Ku është Kosova në këtë kaos botëror sot?

Në bazë të fakteve që lexohën sot Kosova është para një “autogoli”, që nuk vjen nga të huajtë, por vjen nga soji i palngprishurve shqiptar, që janë pozicionuar për ta zhdukur tjetrin që nuk mendon njësoj. Kuptohet se ky soj plangprishur nuk mendon fare se me veprimin e vet antikombëtar po e ndihmon ish okupatorin e Kosovës. Për çka është fjala. Sot mund të lexoish por edhe të ndëgjoish bje fjala se: “UÇK është vënë përball një fushata denigruese, e që vegëz të sulmit e ka Çështjën e veteranëve të pambulesë”! E këta të pambulesë në tru paskanë “dëshmi” të nënshkruara. E kush i ka nënshkruar ato dëshmi pse mos të duhet dhe duhet të dihet, por duhet të dihet e hetohet çdo shkrolagji, që dikur në Kosovë ishte belagji, dhe posa shkoi në Shqipëri (kacil personai), belaja e nxuni me vetëvetën, dhe në vitët e anarkisë u largua për të jetuar në Evropë. Tash ai (ata) soji i tyre po viellin, sepse zanati i belagjisë nuk harrohet. Ky konstatim vetëm sa për faktin se mos të kujtojnë se ne të luftës jemi konvertuar në dele!

Pra, për të ardhur deri te një fakt i ngjajshëm, për ta njohur realitetin, më është dashur t` i hulumtojë fenomenin e veteranëve pas Luftës Parë dhe të Dytë Botërërore, në vendet ku është zhvilluar lufta. Kam hasur në aso të dhënash, se në ato vende ku është zhvilluar lufta kryesore, numri i veteranëve nuk ka qenë i fryrë fare. Por në atë vende, ku lufta ka filluar dhe ka kaluar lufta shumë shpejtë, numri i veteranëve është i fryrë, sa që në një vend si Serbia parafashiste, fashiste dhe neonaziste, bje fjala pas Luftës Parë dhe të Dytë Botërore ka më tepër “veteranë”, se sa që kishte banorë deri sa zgjatinin luftimet. Haset në shembuj bje fjala se në Frontin e Selanikut 1917-1918, një plakë ka marrë pension për 23 vjetë, sepse i ka dërguar dy palë çerapa për ushtri. Kësi shembujsh ka edhe në Francë, në Zvicer, në Holandë, në Rumuni, në Greqi, në Rusi, Ukrainë… më 1945. Por, nuk ka shembuj të mbulimit të biografisë duke u promovuar në Veteranë në Kosovë dhe Shqipëri. E vërteta, në Kosovë ka serbianë dhe malazezë që deri më 21 nëntor 1944 ishin në vijat e para të njësive çetnike, dhe pas kësaj date ata janë konvrtuar në “partizanë”, me amnesti- leje të Kryesisë AVNOJ-it. Por kriteriumi për shqiptarë ishte krejtë tjetër. Madje shqiptarët 1945-1989 u kualifikuan si “Ballistë” (!), e asi formacioni as që kishte në Kosovë, në kuptimin kolektiv ushtarako-politik. Tendenca pra pushonte duku tjetër, seps provohej që: “Pakica etnike shqiptare të likvidohej e tëra”. (shiqo: Vasa Qubrilloviq, Likvidacia albanske nacionalne manjine doklje traju ratne operacije, 3 XI 1944”-Likvidimi i pakicës nacionale shqiptare deri sa të zgjasin operacionet ushtarake). Ky program ka qenë në fuqi deri më 1 tetor 1997, kur ra kushtrimi për luftë fronatle kundër okupatorit serbian, me emrin UÇK. I mjeri ai shqiptar që e urrente dhe e luftonte UÇK-ën, e të atillë ka pasur, madje në shkallë të hapur, ka edhe sot.

Më 1999 kriteriumi me u promovua veteranë ishte fare realist për ata që kishin luftuar. Por ishte numri shumë i madhë i atyre që e urrenin UÇK-ën. Madje këtyre u erdhi një faktor në ndihmë sepse e larguan nga fjalori (nga shkrimet) për UÇK-n dhe në total merita për çlirim të Kosovës iu përshtat LDK-ës evolutivisht. E këtë politikë e ka nxitur edhe UNMIK edhe ca agjentura ruse që shembullin e UÇK nuk e lejonin të mbetët si model për popujtë e robëruar. Mu për këtë, u ideua Gjykata Speciale, të cilën e “themeloi” Kuvendi i Kosovës, por pastaj nuk e pyet askush “për darkë të….” Në vijim drejtuesit e LDK-ës filluan t` ia atribuojnë çlirimin e Kosovës vetëm NATO-s. E këtu flen dreqi, sepse në disa zona vërtetë numri i veteranëve është rritë, por që ata që përfituan kanë “mbulesë zyrtare” sepse i kanë nënshkrimet e disa drejtuesëve të UÇK-ës. Dhe pse mos ta themi, se më së shumti të tillë ka në Dukagjin, sepse aty është siellë e pshtiell edhe FARK-u inekzistent, sepse FARK nuk kishte në fronte. E fushata e këtyre ditëve anti UÇK, është nepër portale, ku defilojnë shumë papërgjegjësi të llojeve të ndryshme, nga ato politike deri te ato fisnore e klanore, duke i përzier edhe rreligjionet.

Po askush nuk po e çmon një fenomen se ka pasë shumë raste që vullnetarët për UÇK janë kthyer sepse nuk ka pasë armë, sepse okupatori kishte për strategji luftën frontale, e UÇK nuk e kishte atë mundësi, jo vetëm për shkak të mungesës së armatimit. Së këndejmi, mund të themi me përgjegjësi morale se Divizioni i Kuksit, bje fjala de fakto, ishte i tëri UÇK, por është filozofi në veti, se si furnizohej tërë Kosova me armatim nga kjo zonë, falë oficerëve drejtues patriotë të saj.Por, ka raste që oficerët nga Shqipëria edhe de jure ishin në UÇK. Madje, mbanin funksione dhe atyre u është ndaluar çdo beneficion i “ligjësuar” pensional!!!. Pse, sepse kanë vëndosur të papërgjegjëshmit dhe klosharët e llozës së pacifizmit dhe urrejtjës “fisnore” për heronjët e luftës vërtetë. Madje, ata që po shkruajnë, kanë marrë edhe poza të atilla, sa që po kanë hapsirë edhe të moralizojnë dhe të ndajnë “merita” sot. E kjo rrethanë vjen  edhe nga kreu i OVL UÇK-ës, që nuk i pastron hesapet duke i paditur intrigantët dhe mercenarët e ish okupatorit, sepse UÇK është projekti më sublim kombëtar, është zëri dhe realiteti i çlirimit, i ndërgjegjës dhe formimit të shtetit Kosovës.

Të përfundojmë

Irani dhe Izraeli sot po i provojnë armet e luftës me kritere të zbulimit gradual. Ky fakt tregon se njeriu shumë më tepër po investon në vetëshkatrrim se sa në harmoninë e tij me natyrën dhe njerëzit që nuk janë si ai. E vërteta, rroli i BE-s në këtë luftë po vrehet se është fare i vogël, fakt ky që tregon se BE është një superfuqi ekonomike dhe diplomatike, por që ka mbetur prapa në arsenalin e organizimit të ndonjë lufte “demokratike”, sepse demokracia ka mbetur fjala e fundit e një sistemi në të cilin të varfurit po bëhën gjithnjë e më të varfur, ndërsa të pasurit gjithnjë e më të pangopshëm në pasuri. Së këndejmi as Kosova si shtet nga Evropa nuk duhet të pres angazhim të sinqertë. E kundërta, shqiptarët duhet besuar vetëm Amerikës.

E vërteta, vetëm kur të ftofën gjakrat, do të dihët se sa naive ka qenë kjo luftë në Gaza, dhe në mes Iranit dhe Izraelit. Pra shtrohet pyetja, çka do të jetë urtësi në proces që të gjëndet rruga e prosperitetit, sepse rruga e luftës është mësuar përtej nevojave kolektive popullore.

Nëse SHBA hyjnë në luftë në anën e Izraelit, a do të thot në anën tjetër se do të hyjnë në luftë në anën e Iranit: Rusia, Kina, Turqia, Pakistani, dhe kush mbetët për të siellur pajtim pastaj. BE nuk ka kapaciete për pajtim të nivelit tillë. Po, mbetët që Brazili për të shitur mish peshku të kontaminuar, si dhe India e Indonezia  për të shitur banane të “kalbura”, sepse nuk i hanë lopët kur bën tepër vapë atje.Prandaj, me këtë retorikë më ngat jemi kah lufta se sa kah paqa. Demokracia, si duket ka ra në provim, sespe teokratët dhe despotët sot janë në kulmin e fuqisë finansiare, të cilën ua jep populli, e ata ia kthejnë me taksa të dyfishta, për t` u armatosur dhe për t` u dukuar më të fuqishëm, por jo më të urtë dhe më filantrop. Propozoj që shqiptarët kudo që janë të punojnë për paqe, dhe në perspektivë t` i zhvillojnë shtete e veta, tërë kombin shqiptar.

Shkrimi i kushtohët: Shën NËNË TEREZËS!            

Më 23 VI 2025

Shqipëria në Bashkimin Europian?!

0

 

 

 

 

 

 

 

Nga: Ali Sh. Mehmeti

  • Çfarë statusi do të kanë qytetarët e Kosovës dhe pasuria e tyre që e kanë në Shqipëri, duke pas parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të punojnë as jetojnë në BE?

Edi Rama në fushatën e fundit zgjedhore i ka premtuar shqiptarëve të Shqipërisë londineze, se gjatë mandatit që do ta fitoj, Shqipëria do të hyjë në BE, ose sipas fjalorit të tij, shqiptarët do ta kenë “pasaportën evropiane”! Natyrisht, sikur çdo premtim edhe ky mund të mbetet vetëm premtim, edhe pse, duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, nuk përjashtohet mundësia e realizimit të këtij premtimi.

Por, çka do i sjell Shqipërisë hyrja në BE? 

Gjithsesi se ky anëtarësim do të sillte shumë efekte pozitive siç janë:

–  Benefitet financiare që do ndihmojnë në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin rural, arsimin, bujqësinë dhe inovacionin;

–  Tërheqjen e investimeve të huaja, sepse investitorët ndihen më të sigurt në një vend anëtar të BE-së për shkak të stabilitetit ligjor dhe ekonomik;

–  Rritjen e tregtisë me vendet e BE-së, pa tarifa doganore dhe me më pak barriera burokratike

–  Përafrimi me standardet e BE-së mund të përmirësoj të drejtat e punëtorëve, mbrojtjen sociale dhe barazinë gjinore, sikurse edhe të përmirësoj cilësinë e ushqimit dhe ujit duke zvogëluar ndotjen

–  Presioni i BE-së mund të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të përmirësoj sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit.

Siç na mëson një fjalë e urtë, çdo e mirë ka edhe nga ndonjë të keqe dhe anasjelltas.

Cilat janë pra ato të këqija?

–  Hyrja në BE mundëson, përveç lëvizjes së lirë që qytetarët shqiptarë e kanë tani, edhe mundësinë e punësimit dhe të jetesës në BE. Sado që kjo duket mundësi e mirë, ajo mund të shkaktoj emigracion edhe më të madh se ç’është aktualisht. Kjo rritje mund të shkaktoj çrregullime demografike dhe ekonomike me pasoja të rënda. Sidomos duke marrë parasysh faktin se mosha mesatare në Shqipëri është 44.3 vjet, me ç’rast u “kualifikua” ndër 11 vende më të plakura në Evropë, ndërkohë që në vitin 2010 mosha mesatare ishte 31.9 vjet. Ritmi i plakjes është i jashtëzakonshëm: 12.4 vite në vetëm 14 vjet, katër herë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së.   

– Zbatimi i rregullave dhe standardeve të BE-së është i shtrenjtë, sidomos për sektorin bujqësor, mjedisin dhe industrinë, që mund të shkaktoj falimentimin e shumë bizneseve të vogla që nuk do mund të përballojnë kostot.

–  Hapja e tregut ndaj produkteve të BE-së mund të dëmtojë prodhuesit vendas, sidomos në bujqësi dhe industri të lehta, për shkak të konkurrencës më të fortë dhe produkteve më të lira. 

Këto të cekura më lartë, janë pak a shumë të njohura për të gjithë ata që sadopak janë të interesuar t’i dinë. Ato që nuk i dimë dhe që nuk janë temë e diskutimit as në hapësirën mediale as hapësirën politike, janë ndikimet mbi Kosovën që do ketë hyrja e Shqipërisë në BE. Tani për tani, mund të shtrohen vetëm disa pyetje:

–  Çfarë statusi do të kanë qytetarët e Kosovës dhe pasuria e tyre që e kanë në Shqipëri, duke pas parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të punojnë as jetojnë në BE?     

–  Çka do të ndodhte me kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës nëse BE rifut vizat për qytetarët e Kosovës, për ndonjë arsye. Psh. për të bërë presion mbi Kosovën për ta pranuar ndonjë marrëveshje të pafavorshme për Kosovën në raport me Serbinë?  

–  A do e ushtron ndikimin e vet pozitiv Shqipëria brenda BE-së, për ta përmirësuar pozicionin e Kosovës apo BE-ja do ushtron presion mbi Shqipërinë për të ndikuar në Kosovën për pranimin e “kompromiseve të dhimbshme” në raport me Serbinë? Ata që mendojnë se pas 5 viteve kjo çështje nuk do jetë në rend dite, gabohen. Aq më parë duke njohur politikën e bashkësisë ndërkombëtare gjer me tani.

–  Sipas të cila rregullave do zhvillohet tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik, tani më i vendosur ndërmjet dy ekonomive?

–  A do ndihen qytetarët shqiptar të Kosovës “të lënë mënjanë” ose të dorës së dytë, ndërkohë që shqiptarët e Shqipërisë do kenë përfitime të drejtpërdrejta të cekura më lartë? A do ndikoj kjo në ndasi brenda kombit dhe ti shërbej sikur “karburant” “kosovvacentristëve”?

A do mund ti kundërvihen këtyre pasojave, potencialisht negative, politikanët shqiptar, duke harmonizuar strategjitë kombëtare, duke lidhur marrëveshje dypalëshe për qarkullim, tregti, treg të përbashkët të punës, arsimin dhe edukimin, duke ngritur platforma kulturore dhe arsimore për ruajtjen e identitetit të përbashkët përtej ndarjeve juridike (dhe politike)?!

Shtëpia e Vjetër, një dritë e çuditshme që më ndjek dhe përcjell në jetë

0

Nga  Nafi  Çegrani   

SHTËPIA  E  VJETËR 

( Rrëfim letrar )

Ka një dritë të çuditshme që më ndjek nëpër kujtesë.
Nuk është dritë e diellit, as e kandilit – është dritë e shpirtit që lind nga guri i ftohtë i Shtëpisë së Vjetër, ajo që dikur më priste me aromën e dheut të lagur dhe zërat e ngrohtë të gjakut tim.

Aty u lind fëmijëria ime — si një stinë e bekuar, që s’e kuptova kur filloi, por që më ndjek si një melodi që s’harrohet. Oborri i vogël, dritarja që hidhte shikimin drejt kodrës, hija e lisit që më dukej sa një mal. Në ato çaste, jeta më ngjante e pamasë – me premtimin se gjithçka ishte e mundur.

Gjyshi im – burrë i rrallë – ishte monumenti im i parë. Fytyra e tij më ngjante si gdhendje e gurit, si hijeshi që kish zbritur nga koha e legjendave. Hunda krenare, sytë që digjeshin me qartësi si të shqiponjës mbi kreshtat e maleve, dhe ajo heshtje që s’kish nevojë për fjalë.
Dhe megjithatë… ende sot, nuk kam arritur ta vizatoj.
As fytyrën e nënës, që m’i lante duart me ujë të ngrohtë dhe më fshinte ballin me dorë të butë. As gjyshen, atë fisnike të qetë, që e kishte zemrën sa një lis dhe shpirtin sa një këngë e lashtë.
Kam ecur mbi shtigje të huaja, kam kaluar detra e burgje, kam qëndruar mes heshtjes së qelive ku fjala ndalohej, por nuk shuhej. Në kërkim të së drejtës, të lirisë, të njeriut. Jam lodhur, jam kalitur, por jo harruar.
Sepse kujtimi s’më tradhton: kujtimi është shtëpia ime e dytë.

E sot, sa herë mbyll sytë, përpiqem të përziej ngjyrat për të rikrijuar atë kaltërsi të pazëvendësueshme në sytë e të parëve të mi — por ajo dritë është e një bote tjetër, ajo ndriçim vjen nga qielli i kujtimeve që s’mund të pikturohet, vetëm të përjetohet.

Shtëpia e Vjetër, ajo prej guri, qëndron ende në mua — ndoshta jo më në botën reale, por e pathyeshme në kujtim. Nën çatinë e saj, e ndiej veten fëmijë përherë. Aty më pret një botë që nuk vdes, një dhe që më njeh, dhe një mall që më mban gjallë.

Jam biri i Shtëpisë së Vjetër.
Jam biri i asaj epoke që u lind në mes të barutit, por që u rrit me mallin për dritë.
Dhe gjithçka që kam qenë, që jam, dhe që do të jem – nis aty:
nën hijen e çardakut, mbi pragun e gurtë, ku fëmijëria më tha: “Jeto!”

Fshati im i lindjes dhe banorët e tij,  historikisht kanë qenë të lidhur me bujqësi dhe gurbet.  Ai njihet si një nga fshatrat më të mëdha në Fushëgropën e Pollogut mes Gostivarit dhe  Tetovës,  që nga koha e ish Jugosllavisë socialiste, etnikisht i pastër i banuar nga shqiptarët. Rrethanat e jetës fëmijërore ku janë përthyer ana individuale dhe personale për kohën time kanë qenë shumë specifike, madje të vështira.  Edhe sot kujtoj fëmijërinë time dhe ëndrrat rinore, atëherë kur hareja dhe gazi ishin bashkë. Brrodha pllajave të gjata të rudinës e cila shkonte gjer në rrënzat e  kodrinave mollake të Malit të Thatë. Nuk mund të flas  për ndonjë ëndër të veçantë  si përjetim i diçkaje që mbetet si tablo pamjesh apo ndjenjave tjera, pos asaj që mbaj mend, kur shkoja me dele si një bari i vogë, më kaplonte hareja dhe gëzimi kur dëgjoja tingujt e mrekullueshëm të bagëtisë dhe më merrte uzdaja kur qengjat kërcenin pafund sipas një rregulli apo komande… Ata këcenin e këcenin duke shkuar vërdallë me ritmin e tyre, kurse unë mundoja të krijoja tinguj nga fylli që ma kishte dhuruar xhaxhai im, Sabiti, i cili me vite kishte qenë barinj, dhe e dinte këngën e blegërimave të bagëtisë ! Mbaja veshur një xhakete prej  lini, e mbi te një koprane prej qashe. Kurse kësulën e  qeleshe të bardhë e mbaja mbi vetull, si një dahi, sepse ashtu gazmohej Nëna ime kur më shikonte se isha rritur ! Megjithatë, kur nisja të mendoja dhe meditoja për botën dhe jetën, nisa të kuptoja se bota njerëzore që na rrethonte në fshat, ishte e ndryshme dhe e mbushur përplotë me histori të ndryshme, botëkuptime e rrëfime… pr që edhe përballesha me to, sepse e tillë ishte koha kur kaloja fëmijërinë time brigjeve dhe shtigjeve kah kalamendesha prore !

… Kështu më ndodhëte në ato fragmente jete  fëmijërore e rinore, por që isha i lumtur, i kënaqur me kërcimat e qengjave dhe blegërimën e deleve kur shkonin në tufë duke kullotur shpatit të shullërit , anash Burimit dhe Opalit gjigant. Andej dëgjohej edhe jehona e bukur e fyllit të bariut me eksperiencë… Dhe ishin kohë dhe periudhë e bukur e jetës  me të gjitha fazat e vështirësive që kishte ajo, jetë fëmijërore dhe që mbeten ëndrrat gazmore.  Por, në atë kohë nuk isha në gjendje të kuptoja botëkuptimet për jetë intelektuale, shpirtërore e kulturore, por , e dij se , kam  pasur një jetë pa internet e facebook, siç kanë brezat e rinj sot. Megjithatë, fëmijëria ka qenë me probleme e varfëri që e kanë shoqëruar shkallën e zhvillimit. Më së shumti jeta fëmijërore ka qenë e lidhur me probleme materiale, sociale dhe ekzistenciale. Jam rritur në rrethana ekonomike e sociale jo të volitshme, me nivel arsimor e kulturor  skajshmërisht të ulët.

… Rruga e rritjes dhe e zhvillimit tim , vëllezërve të mi dhe një ordi e tërë prej 12 fëmijësh të xhaxhallarëve me të cilët jetonim bashkë nën një kulm,  nuk ka qenë një vijë e drejtë zhvillimor, por ka kaluar nëpër lloj-lloj zig-zagesh, peripecish, kthesash, vështirësish, gabimesh e të metash, por me mundime rezulton me sukses, sepse babai im ishte arsimdashës dhe thuajse të gjithë ne u shkolluam, por edhe u përballëm me sfidat nga më të ndryshmet. Babai thoshte mbani shkollën, mësoni, por unë nuk kam para që t’u ndihmoj sepse ankohen xhaxhallarët pse ne shkonim në shkollë, e atyre u duhej “krah pune”. Vllau im Tefiku, mjaft inteligjent, në Prishtinë diplomoi Fakultetin e drejtësisë me sukses prej 9.6 ! Që si fëmijë lexonte shumë dhe e zënte gjumi me librin mbi kokë. Edhe ai u përball me shumë sfida në jetë, por më e vështira është si të mbetesh  Njeri!

***

Jeta njerëzore nuk është një dukuri statike, por dinamike, rritjeje e zhvillimi. Në këto raporte sociale kemi hapëruar drejt ecjes përpara. Kemi përparuar nëpërmjet ndryshimesh e zhvillimesh të përcaktuara nga jeta, nga vet procesi  zhvillimor shoqëror, politik e social, nga pjekuria si proces i natyrshëm.      Rininë e kam kaluar sa në  Çegran po aq edhe në Shkup, ku kam parë e vërejtur ndryshime zhvillimore të jetës. Aty jam ballafaquar me sfida e cilësi të reja nga ato që kishte në fshat. Gjersa isha si normalist në Shkollën për mësues “Zef Lush Marku” ,  u përballa me raportet njerëzore, me nxënës të trojeve  të ndryshme shqiptare nga e gjithë Maqedonia, nga Struga e Dibra, Kërçova e Tetova, nga Kumanova, Kosova dhe Presheva etj. ku jetonim dhe mësonim në harmoni, dhe na mbeten kujtime gjeneratash. Aty fillova të ndërtoj raporte me jetën shoqërore, me  norma  e vlera të ndryshme edukativo- mësimore dhe pedagogjike. Sepse Shkupi për ne ishte si një metropolë e bukur, me pallate shumëkatshe, bulevarde e trotoare, mandej edhe me njerëz të kësaj kryeqendre, u ballafaqova me:  vlera e pikëpamje ndaj gjinisë, jetës, shkollës. Me mori ndjenjash dhe raportesh shoqërore,  me vlera kulturore, shoqërore dhe  etike. Atje, në oborrin e rrethuar me një mur guri, tek shtëpia e vjetë që e kishte ndërtuar gjyshu, ishte një jetë oërplotë nuance e ngjyra të kësaj Toke, ku mbeten edhe kujtime të paharruara.

E tillë mbetet shtëpia e kujtimeve të mia, kujtime të paharruara !

Prof.dr. URAN  ASLLANI: Si e mbrojtën çështjen shqiptare klerikët katolikë në Konferencën e Paqes

1

E përgatiti: Paul Tedeschini, Milano – Itali

Në fillim të vitit 1919 dhe gjatë tij, deri në fillim të vitit 1920, në Paris, zhvilloi dhe përfundoi punimet Konferenca e Paqes, e organizuar nga pesë Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore, Anglia, Franca, ShBA, Italia dhe Japonia. Në këtë luftë, Shqipëria nuk kishte qenë palë në asnjërin krah, as me fituesit dhe as me të mundurit. Megjithatë, ajo ndodhej e pushtuar nga forcat ushtarake të disa fuqive fituese, të cilat synonin të dhunonin pavarësinë dhe të cenonin tërësinë e saj tokësore. Shqipëria duhej dhe do të dërgonte në Paris delegacionin e saj dhe me përfaqësuesit e saj do t’i kërkonin Konferencës rishikimin e padrejtësive të së kaluarës, me shpresë se mund të respektohej parimi i vetëvendosjes.

Kongresi i Lushnjës, që u zhvillua në ditët e fundit të janarit 1920, përveç qeverisë së re shqiptare, caktoi, gjithashtu, përbërjen e delegacionit që do të shkonte në Konferencë. Përveç kryeministrit, i cili do të kryesonte delegacionin, si anëtarë të tij do të ishin ministri i Punëve të Jashtme Mehmed Konica, imzot Luigj Bumçi, ministër pa portofol, ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, dr.Mihal Turtulli dhe Mit’hat Frashëri.

Delegacioni shqiptar i Qeverisë së Durrësit mbërriti në Paris më 4 shkurt 1919. Menjëherë ai i paraqiti Konferencës së Paqes dy memorandume me kërkesat e veta, që kishin në themel programin politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të miratuar në Kongresin e Durrësit. Në këto dy dokumente, pavarësia e Shqipërisë quhej tashmë e fituar dhe e njohur ndërkombëtarisht me vendimet e vitit 1913 në Konferencën e Ambasadorëve. Mirëpo, kërkesa për t’i bashkuar shtetit shqiptar Kosovën dhe Çamërinë lidhej me dy vende që kishin dalë fituese nga Lufta e Parë Botërore dhe, si të tilla, kufijtë e tyre shtetërore të paraluftës nuk u vunë në diskutim.  Kur u konstatua se kërkesat shqiptare për zgjerimin e kufijve shtetërorë nuk gjetën asnjë përkrahje dhe se kishin nisur të shqyrtoheshin, madje të gjenin edhe miratim pretendimet territoriale të vendeve fqinje, ky delegacion i parashtroi më 7 mars Konferencës një propozim, ku kërkohej që çështja e Kosovës dhe e Çamërisë të zgjidhej sipas parimit të drejtë të vetëvendosjes së popujve.   Mirëpo, Konferenca e Paqes nuk i mori parasysh as kërkesat e delegacionit shqiptar për rishikimin e kufijve, as edhe propozimin e tij për organizimin e një plebishiti në trevat që kërkonin t’i merrnin fqinjët ballkanikë. Pikërisht në këtë periudhë, kur delegacionit qeveritar po i dilnin gjithë këto vështirësi, nga shqiptarët e diasporës dërgohen në Paris delegacionet e tyre në mbështetje të kërkesave shqiptare. Ndërkohë që edhe përbërja e delegacionit të Durrësit në qershor ndryshoi thellësisht. Kështu, në krye të delegacionit u zgjodh imzot Luigj Bumçi, me anëtarë Mehdi Frashërin, Luigj Gurakuqin, Mustafa Kruja, Lef Nosi dhe përsëri Mehmed Konicen e dr. Mihal Turtullin, me sekretar të delegacionit at Gjergj Fishtën. Qëndrimi i imzot Bumçit deri në këtë kohë kishte qenë më i moderuar, por, megjithëse ishte katolik ishte kundra proteksionit italian, ky ndryshim nuk u mirëprit nga Italia.  Nga delegacionet e kolonive, më i rëndësishmi, që ndikoi fuqishëm në veprimtarinë e delegacionit të imzot L.Bumçit, ishte ai që përfaqësonte mbi 50000 shqiptarët e Stambollit. Ai përbëhej nga Halil Pashë Alizoti (Gjirokastra), Fuad bej Dibra, at (imzot) Jul Bonatti dhe Shan Tepelena.  Të tjera delegacione të rëndësishme ishin edhe ai i Bukureshtit me Pandeli Evangjelin në krye edhe ai i shqiptarëve të SHBA, me Parashqevi Qiriazin e pastorin amerikan, Telford Eriksonin në krye.

Në mbledhjen e përbashkët të delegacioneve u vendos që të gjitha delegacionet do të mbështesnin qëndrimin e delegacionit qeveritar të kryesuar nga imzot Luigj Bumçi, mbi tërësinë territoriale, të pavarësisë dhe të sovranitetit të shtetit shqiptar. Roli i Imzot Bumçit në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në atë Konferencë, si kryetar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, rritet së tepërmi. Që në fillim të detyrës së re, Luigj Bumçi, me cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar në Paris, protestoi te presidenti Willson për krimet e kryera nga serbët mbi popullsinë e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Ai i dërgoi atij listën e viktimave në zonën e Rugovës dhe kërkonte që trupat amerikanë të futeshin në këtë zonë. Për ato krime ai vetë kishte qenë dëshmitar qysh nga viti 1911.

Po cili ishte imzot Luigj Bumçi, të cilit, aktualisht, shumë pak ia njohin biografinë?   

Ai lindi në Shkodër më 7 nëntor 1872, në familjen e tregtarit të vogël të peshkut, Gjon Bumçit dhe motrës së Vaso Pashë Shkodranit. Studimet fillestare i ka kryer pranë institucioneve jezuite: Seminarit tregtar e më pas në Kolegjin e Shën Saverit, në Shkodër. Studimet e larta në Teologji dhe Filozofi i vazhdoi dhe i përfundoi në Romë, më pranë Propagandës Fide në mars të vitit 1903.  Ndenji pak kohë në Romë dhe, po aty, më 3 maj 1903, u dorëzua meshtar (famullitar). Në fund të vitit 1903 u kthye në Shkodër. Për gjatë shtatë viteve, duke filluar punën si famullitar fillimisht në Shkrel, më pas në Pentar dhe në vitin 1910 në Juban, ku u shugurua ipeshkëv. Në fillim të vitit 1911, si pasojë e politikës shkombëtarizuese antishqiptare të xhonturqve, shtimit të barrës së taksave, mobilizimit të detyrueshëm ushtarak e çarmatimit të popullsisë në Malësinë e Madhe, më 23 mars plasi kryengritja e Malësisë së Madhe. Kryengritja kundra ushtrisë së gjeneralit famëkeq, Xhavid Turdut Pashës, u shtri në të gjithë Hotin, Grudën, Kelmendin, Kastratin, Shkrelin e Shalën. Drejtimin e saj e mori Komiteti i formuar në Podgoricë, i cili hyri në lidhje edhe me komitetet e tjera, brenda dhe jashtë vendit.  Metropolitani i Shkodrës, imzot Jak Serreqi, duke njohur aftësitë paqëtuese dhe ndikimin që kishte imzot Luigj Bumçi midis malësorëve të Malësisë së Madhe, veçanërisht me bajraktarët e Shkrelit dhe Kelmendit, me kërkesën e këtij të fundit e dërgoi atë në ndihmë të komitetit të Podgoricës në rolin e ndërmjetësit, por edhe të përkthyesit.                                                                                               

Mbas përfundimit të kryengritjes, imzot Luigj Bumçi kthehet në Shkodër, pranë Argjipeshkvisë, e cila në fillim të vitit 1912 e përzgjodhi ipeshkëv të dioqezës së Lezhës, me qendër Kallmetin. Nuk kishte kaluar më shumë se një muaj që Luigj Bumçi ishte bërë kryetar i delegacionit të qeverisë së Durrësit në Paris, kur nënshkruhet më 29 korrik 1919 marrëveshja Titoni–Venizellos (Itali-Greqi), sipas së cilës Roma do të mbështeste në Konferencën e Paqes kërkesën greke për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës, ndërsa Greqia njihte aneksimin italian të Vlorës, si dhe mandatin italian mbi shtetin e cunguar shqiptar. Një vendim i tillë u prit me shqetësim të madh në radhët e delegacionit shqiptar në Paris.
L. Bumçi, për të diskutuar këtë problem, u takua personalisht me ministrin e Jashtëm italian në Paris, më 26 tetor 1919. Diplomati italian përgjigjet se marrëveshja “Tittoni-Venizelos” nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe dhe se zbatimi i saj varej dhe nga shumë rrethana të tjera. Kjo përgjigje nuk e qetësoi kryedelegatin shqiptar.
Gjithashtu, imzot Bumçi u takua në tetor të 1919-s edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, S. Pichon, me kryetarin e përkohshëm të delegacionit amerikan, White (Uait), si dhe me përfaqësues të delegacionit anglez, të cilëve iu kërkua të përdornin autoritetin e tyre në të mirë të çështjes shqiptare.
Rreziku i madh i copëtimit të vendit e detyroi delegacionin e qeverisë së Durrësit që të dërgonte kryetarin e vet, L. Bumçi, në Vatikan, për të takuar personalisht Papa Benediktin XV, të cilit, në emër të shqiptarëve, t’i kërkonte të përdorte autoritetin e vet në mbrojtje të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës nga aneksimi grek, me qëllim që krahinat në fjalë t’i mbeteshin Shqipërisë. Në këto kushte, më 26 dhjetor 1919, Luigj Bumçi niset për në Vatikan, ku arriti më 29 dhjetor 1919. Në ditët e para të janarit, kryedelegati shqiptar u takua me Papën, Papa Benedikti XV, pasi e sqaroi ipeshkvin shqiptar se nuk mund të ndërhynte pranë qeverisë së Italisë dhe Francës, sepse marrëdhëniet e Vatikanit me këto qeveri nuk ishin të mira, i premtoi atij se do të takohej urgjentisht me ambasadorët, anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve do t’u kërkonte të qëndronin në krah të popullit shqiptar. Grupi katolik në Parlamentin italian i kërkonte kryeministrit Francesco Nitti që Italia të përpiqej me të gjitha mënyrat për të mos shkaktuar copëtimin e Shqipërisë.

Gjithashtu, më 5 shkurt 1920, imzot Bumçi shkoi në Belgjikë për të takuar kardinalin e atjeshëm, Mercier, për të biseduar me të për problemet e shqiptarëve.
Duke parë se në të gjitha memorandumet që Fuqitë e Mëdha kishin përgatitur dhe diskutuar në Konferencën e Paqes, ato mbështesnin mandatin italian mbi shtetin shqiptar, delegacioni i qeverisë së Durrësit, nën udhëheqjen e imzot Bumçit, në mbledhjen e vet të datës 9 dhjetor 1919, ku në cilësinë e sekretarit të delegacionit asistonte edhe at Gjergj Fishta, vendosi t’u dërgonte një memorandum Fuqive të Mëdha, për t’u kërkuar atyre vendosjen në krye të shtetit shqiptar të një princi italian nga familja mbretërore e Savojës, për të mënjanuar kështu mandatin real italian mbi Shqipërinë.                                                                                         

Ndërsa në mars të vitit 1920, imzot Bumçi dhe Mihal Turtulli, me cilësinë tani edhe të anëtarëve të Këshillit të Lartë të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës, shkuan në Londër për të tërhequr përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për çështjen shqiptare.
Në kryeqytetin britanik, përveç kolonel Aubrey Herbert-it dhe miss Durham-it, delegacioni shqiptar u takua edhe me Filip Kerr (sekretar i Ministrit të Jashtëm anglez) dhe Leeper (ekspert për çështjet ballkanike pranë delegacionit anglez në Paris) etj.
Nga takimet e shumta të kryera prej tij në Londër, kishte mësuar në radhë të parë opinionet e politikanëve britanikë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Midis të tjerash, ai i shkruante Tiranës “puna që na ka sjellë dëm më të madh është mendimi se shqiptarët nuk janë në një mendim dhe se nuk mirren vesht në mes të tyne. Si këtu, në Paris, po më tepër në Londër, morëm vesh se shumë prej shqiptarëve kanë kërkue nga Konferenca proteksionin me Greqinë, Italinë a me Jugosllavinë.” Në këto rrethana, shkruan imzot Bumçi, jam ballafaquar me një mendim të kristalizuar mirë, fatkeqësisht, në radhët e vendimmarrësve evropianë se shqiptarët nuk kishin aftësi të vetëqeveriseshin. Por, duke qenë se ishte e domosdoshme të sigurohej mbështetja e kancelarive evropiane për të realizuar synimet në drejtim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, imzot Bumçi i porosiste: “Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njeni-tjetrin. Duhet të shuajmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tanë e të mos ftohim e të mos ashpërsojmë marrëdhëniet ndërmjet Shqipëtarëve të çdo krahine apo të çdo besimi  që të jemi………….”
Puna dhe përpjekjet e imzot Bumçit në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, për të mbrojtur çështjen kombëtare në Konferencën e Paqes së Parisit, veprimtaria e tij diplomatike plot maturi e vendosmëri, përbëjnë një kontribut të çmuar në njërin prej çasteve më delikate të historisë së popullit shqiptar.

Një ndihmë dhe mbështetje të fortë e të fuqishme veprimtarisë së imzot Luigj Bumçit i dha delegacioni i Stambollit, me në krye Halil Pashë Alizotin, me këshilltarin e tij ideologjik-politik, atdhetarin e njohur at (imzot) Julius Bonatin. 
Po cili ishte ky klerik katolik i panjohur dhe i papërmendur në studimet historike shqiptare Jul (Julius) Bonati? 
Në Stamboll ishte stabilizuar prej shumë vitesh familja katolike shkodrane, Bonatti. Ajo familje i kishte dhënë Lëvizjes Atdhetare Shqiptare tri personalitete të rëndësishme. Ata ishin Aleksandër bej Bonatti; Nikollë Bonatti dhe Gjon Bonatti. Këta dy të fundit ishin edhe anëtarë efektivë të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Në katër katolikët shqiptarë, 28 anëtarët e shoqërisë ishin edhe Pasko Vasa e Nosh (Ndoc) Xhuxha.                   

Sipas dokumenteve të hetuesisë së Vlorës, rezulton se imzot Jul (Julius) Bonati kishte lindur në Shkodër, më 4 maj 1874, në familjen e atdhetarit Aleksander Bonati dhe të Rozës; Për Jul Bonattin nuk dihet ku ka kryer arsimimin fillor, ne Shkodër apo në Stamboll. Seminarin dhe studimet universitare për Teologji dhe Filozofi i kreu pranë Universitetit të Vjenës. Më pas dërgohet pranë Universitetit të Padovës për të studiuar dhe përfunduar studimet në Letërsi, duke marrë edhe doktoratën. Mbas mbarimit të studimeve shkoi në Stamboll, si famullitar i Kishës katolike të Shën Ospit, në lagjen “Taksim” të kryeqytetit osman. Në vitin 1909, at Jul Bonati ishte në Stamboll dhe i afirmuar si një atdhetar me vlera. Pikërisht në këtë kohë shkoi në Stamboll Hil Mosi, pasi kishte mbaruar studimet pedagogjike në Klagenfurt të Austrisë; Me rekomandimin dhe interesimin e at Jul Bonatit, Hil Mosi filloi punën pranë redaksisë së gazetës “Shqiptari” të Dervish Himës, si gazetar dhe sekretar. Në Stamboll, at Jul Bonatti ka marrë pjesë aktive në Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptarë të Stambollit, duke vazhduar dhe ndjekur traditën atdhetare  të të atit të tij, Aleksandrit. Njëkohësisht duke qenë një njohës i mirë i gjuhës osmane dhe latinishtes, përveç gjuhëve të tjera europiane, at Jul Bonatti gjatë 16 viteve shërbim ne Stamboll ka kryer studime të thelluara në çështjet e historisë së trevave shqiptare. Mbas Konferencës së Paqes, at Julius Bonatti u kthye në Stamboll. Më pas, në vitin 1928 kthehet në Shqipëri dhe menjëherë u caktua në dioqezën e Durrësit si ndihmës i imzot Vinçens Prendushi. Në vitin 1938, ai shugurohet ipeshëk i dioqezës së re, në atë të Vlorës. Me kushte të vështira pune dhe jetese, imzot dr.Jul Bonatti jetoi dhe punoi në Vlorë deri në vitin 1942. Në atë vit ai transferohet pranë Selisë së Shenjtë dhe për arsye të sëmundjes dërgohet në spitalet e Montekatinit. Atje ai u mor me hulumtime dhe kërkime në fushën e letërsisë shqiptare dhe të huaj, duke lënë vepra të vyera. Ka përkthyer në gjuhën italiane pjesë nga «Lahuta e Malcis’» e at Gjergj Fishtës. Gjithë krijimtaria e tij ka humbur, është eliminuar, ose ka mbetur në Itali. Në prag të mbarimit të Luftës II Botërore, në vitin 1944, imzot Jul Bonatti pati një mbledhje shumë të rëndësishme, së bashku me klerikë të tjerë të vendeve të Europës Lindore me papa Piun XII. Për t’u përgatitur për kushtet e regjimit komunist, imzot Jul Bonatti, në verën e vitit 1946 kthehet në Tiranë dhe dërgohet sërish në Vlorë, por aty nuk mundi të shërbente me shumë se dy muaj. Në Vlorë, më 6 nëntor 1946, arrestohet dhe burgoset. Mbas pothuaj një vit hetuesie, imzot Jul Bonatti, më 1 tetor 1947 dënohet me 7 vite burg. Ky dënim u kthye në 5 vite nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë, imzot Jul Bonatti, nga gjendja e dëshpërimit të thellë sëmuret nga sistemi nervor. Drejtoria e burgut në Vlorë e dërgoi në Spitalin Psikiatrik të Durrësit, ku vdiq i sakatuar në moshën 75-vjeçare. Shembulli i këtyre prelatëve katolikë tregoi qartazi se kleri katolik, duke filluar nga shekulli XVII, vijoi t’i shërbente me devocion kombit të vet.

Edhe pse aspirata e tyre për një Shqipëri tërësore dhe të bashkuar brenda kufijve të saj etnikë nuk u përmbush, Konferenca e Paqes e Parisit, të paktën, nuk lejoi zhdukjen nga harta politike e Ballkanit të shtetit shqiptar.
 
Me 10-02-2010    Nga Prof.dr. URAN  ASLLANI

Marre nga gazeta PANORAMA: https://www.panorama.com.al/si-e-mbrojten-ceshtjen-shqiptare-kleriket-katolike-ne-konferencen-e-paqes/

Aurel Dasareti: Vlerësimi im për Bajram (Gjergj) Kabashin, autorin profesionist dhe librin “Intervistë me vetvetën” që botohet së shpejti

0

Bajram (Gjergj) Kabashi është ndër gazetarët më me përvojë dhe më të mirë profesionistë të Kombit shqiptar. Një intelektual dhe patriot shumë i çmuar. Kjo deklaratë shumë pozitive në lidhje me aftësitë dhe pozicionin e këtij gazetari në profesion nuk është vetëm e imja. Një numër i mjaftueshëm i intelektualëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve më të mirë shqiptarë të trojeve dhe diasporës (disa prej tyre profesorë të gjuhës shqipe) ma kanë thënë edhe këtë. Kemi të bëjmë me një profesionist i cili, edhe kur punonte në gazetën “Rilindja” të Kosovës (gjatë kohës së ish-Jugosllavisë), nuk u përkul para armiqve të Kombit shqiptar, por konsiderohej si një nga më të mirët në fushën e tij, pavarësisht se u kërcënua me jetë. Ai vazhdoi aktivitetin e tij si gazetar dhe patriot i denjë edhe pas emigrimit në Norvegji; sidomos me gazetën (portalin): https://www.drini.us/

Ai punoi në gazetën kombëtare Rilindja nga 1 dhjetori 1982, pra pak pasi kishte mbaruar studimet për letërsi, derisa u detyrua të largohej nga Kosova më 1 prill 1999, kur ushtria dhe policia serbe e dëbuan nga Atdheu i tij. Dhe ai, së bashku me familjen, përjetoi dhe dëshmoi tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga jonjerëzorët…

Unë, Aurel Dasareti, i lindur në Australi, jetoj dhe punoj në SHBA.

Personalisht pata fatin të lexoj librin e tij ““Intervistë me vetvetën” të cilin autori (miku im) Bajram (Gjergj) Kabashi do ta publikoje deri në fund të korrikut në Prishtinë; dhe nuk kam asnjë vërejtje (negative). Çfarë të them, kur dikush lexon vepra të mëdha, ndihet i vogël.

PS: Një libër i mirë është si një trampolinë për imagjinatën. I jep mendjes diçka për të kërcyer dhe për t’u hedhur mbi të.

___

  • Aurel Dasareti është ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake. Jeton në SHBA .

Çfarë po ndodh me një pjesë të popullit tim?

0
Si është e mundur që 100 vjet më herët, Mustafa Qemal – Ataturku e kuptoi fenë dhe rolin e saj në shoqërinë turke dhe të vendeve tjera islame, më mirë se sa sot shumë shqiptarë e kuptojnë.
Deri kur duhet shteti të lejojë vendet islamike të bëjnë trushpërlarjen e kombit shqiptar përmes fesë së tyre.
Para 100 viteve, Ataturku ju hoqi fesin burrave dhe mbulojën grave.
Ndërsa ne sot shofim burra me fes e jo me plis në kokë. Ndërsa gratë po mbulohen dita ditës më shumë.
Para 100 viteve, Ataturku ju ndaloi fenë në shkolla, shkollat të udhëhiqen nga shteti.
Ndërsa ne sot kemi zëra shumë e më shumë se feja duhet të futet në shkolla.
Para 100 viteve , ju ndaloi përshëndetjen me trup dhe me fjalë arabe selam, por ju fla flisni turqisht dhe përshëndetuni përmes shtrëngimit të duarve.
Ndërsa ne sot dëgjojmë shumë e më shumë përshëndetje me fjalët arabe selam dhe pershendetje me trup e sidomos gratë e mbuluara nuk ta japin dorën.
Para 100 viteve, përktheu kuranin në turqisht dhe ju tha lutjet në xhamia te jenë në turqisht.
Ndërsa te ne ritet fetare përdoren në gjuhën arabe në shumë xhamia dhe kufomat varrosen me flamuj arab.
Para 100 viteve, i mbylli teqet me ligj dhe i bëri dervishat të dilnin në rrugë të punonin si njerëz të zakonshëm.
Ju konfiskoi pasurinë!
Ndërsa tek ne në shumë qytete edhe sot kemi dervisha e teqe që jetojnë me djersë të popullit të varfër.
Në fund e kuptoi edhe ai se kultura vjen pas mirëqenies materiale dhe arsimimit, një popull që është i varfër dhe i paarsimuar (sikurse që jemi ne në trojet shqiptare) nuk mund të adaptohet me idetë dhe metodat europiane.
Po e përfundoj me Suedinë, vendin ku unë jetoj që 33 vite.
Ky shkrim i dedikohet atyre që mirren më shumë me besime se me shkencë.
I dedikohet atyre që më lëvdojnë vendet skandinave për një mirëqenie materiale (ekonomike, kulturore) më të fortën në botë e vet mirren me besime ditë e natë!
Pse Skandinavia është një rajon që mbarë bota e ka lakmi si një popull i arsimuar, zhvilluar dhe me kushtet më të mira për jetesë?
Ja përgjigjja;
Sot në gazetat suedeze shkruan 17/8-21;
”Numri i pagëzuar brenda Kishës së Suedisë
vazhdon të bjerë. 2020 u pagëzua
28,429 njerëz, që është më shumë se
përgjysmuar në krahasim me vitin 2010
atëherë shifra përkatëse ishte 58,731.
Për 20 vjet, kisha ka humbur pak më shumë
1.6 milion anëtarë”.
Sipas shumë studimeve që janë bërë, Suedia është një nga vendet më pak fetare dhe më ateiste në botë. Një studim sociologjik i fesë tregon se 17% e popullsisë suedeze e quajnë veten ateistë, dhe midis 46 dhe 85% të popullsisë suedeze mund të kategorizohen si ateistë, agnostikë ose jo besimtarë në një zot personal.
E ju populli im i dashur vazhdoni të ma ktheni me atë shprehjen idiotike se: ”kështu e paska pas shkruar zoti”.
Na ndihmoi feja apo zoti kur shtetet krishtere lëshuan bombat mbi Serbinë dhe na shpëtuan nga shfarosja?
Jo more zoti, por jeni ju qe vendosni për jetën tuaj, kuptohet jo gjithherë e që mvaret nga shumë faktorë të tjerë.
Para qindra viteve njeriu ka jetuar shumë pak, nga 40-60 vjet, ndërsa sot jetojmë deri në 100 vjet!
A i bjen kjo që përpara zoti ju paska pas shkruar të jetojnë 50 vite e tash 100.
A zoti a shkenca, ju logjikoni vetë!