Kreu Blog Faqe 71

Ushtar besnik i Atdheut

0
  • Kushtuar Zejnullah Zejnullahut – Zenës, pjesëtar i celulës së parë të UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit, me rastin e 76-vjetorit të lindjes.

I ekuilibruar në hapa,
i matur në mendim,
i palodhur në punë.

I etshëm për dije e edukim,
si toka e zhuritur për shiun.
I vendosur dhe i besës,
me rrënjë të thella në vatrën e vet.

Fisnik si Nazim Gafurri,
që Kosovën ta shihte
në dritë,
shiti tokë e bagëti,
sepse e dinte
se liria kërkon
gjak dhe çmim.

Braktisi lukset e Zvicrës,
zgjodhi baltën e vendit të vet
dhe radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës —
aty ku Atdheu mbrohej
me guxim e zemër.

As dikur,
as sot,
nuk ishte lakmitar.
Nuk kërkoi grada,
as lavdi.

Përherë i gatshëm
që, përveç pasurisë,
Kosovës dhe Shqipërisë
edhe jetën t’ua falë.

I paepur dhe me parime,
lis që nuk e përkuli asnjë furtunë,
vlerë e rrallë e UÇK-së.

Arif Ejupi
Gjenevë, 26 korrik 2026

Kur vakuumi institucional bëhet rrezik kushtetues!

0
A mund të mbetet drejtësia e Kosovës peng i kalkulimeve politike të Serbisë?
Një nga parimet themelore të çdo shteti sovran është se institucionet e tij funksionojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, jo sipas ritmit të zhvillimeve politike në një shtet tjetër. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e fundit lidhur me kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë meritojnë një analizë juridike dhe kushtetuese, jo vetëm politike.
Nuk është problemi kryesor fakti që disa ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë ndryshuar mendim pas afro katër vjetësh. Çështja thelbësore është nëse institucionet kushtetuese të Kosovës kanë vepruar në kohë, në mënyrë të pavarur dhe sipas ligjit, apo nëse krijohet perceptimi se ritmi i vendimmarrjes së tyre ndjek zhvillime politike që burojnë jashtë Kosovës.
Sovraniteti kushtetues nuk është koncept abstrakt
Neni 2 i Kushtetutës përcakton se sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet përmes institucioneve kushtetuese.
Neni 4 e ndërton Republikën mbi ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
Ndërsa nenet që rregullojnë sistemin gjyqësor dhe prokurorial garantojnë pavarësinë institucionale të gjykatave dhe prokurorisë nga çdo ndikim politik.
Në këtë kuptim, çdo situatë që krijon perceptimin se dinamika e institucioneve të drejtësisë përcaktohet nga zhvillime politike jashtë territorit të Republikës cenon besimin publik në rendin kushtetues.
Heshtja katërvjeçare ngre përgjegjësi institucionale
Nëse dorëheqjet kanë mbetur pa trajtim për afro katër vjet, atëherë lindin disa pyetje juridike:
A kishte bazë ligjore që ato të mbeteshin pezull?
A ekziston ndonjë afat procedural që lejon një situatë të tillë?
Kush mban përgjegjësi për mosveprimin?
A është cenuar parimi i sigurisë juridike?
Siguria juridike është një nga elementet themelore të shtetit të së drejtës. Statusi i një gjyqtari apo prokurori nuk mund të mbetet për vite të tëra në një gjendje të paqartë.
Përputhja kohore kërkon transparencë
Është fakt publik se kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve u paraqitën pasi Ministria e Drejtësisë kërkoi trajtimin e kësaj çështjeje.
Vetë kjo përputhje nuk provon koordinim.
Por në shkencën juridike, përputhjet kohore që mund të ndikojnë mbi besimin publik imponojnë transparencë të plotë.
Prandaj KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të publikojnë:
datat e sakta të pranimit të çdo dokumenti;
kronologjinë e procedurës;
bazën ligjore mbi të cilën do të vendosin;
arsyet pse çështja nuk është trajtuar më herët.
Pavarësia institucionale nuk është vetëm mungesë ndërhyrjeje
Sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, drejtësia duhet jo vetëm të jetë e pavarur, por edhe të duket e tillë në sytë e publikut.
Nëse krijohet përshtypja se vendimmarrja ndryshon vetëm pasi ndryshojnë rrethanat politike, atëherë dëmtohet besueshmëria institucionale, edhe nëse nuk provohet ndonjë ndërhyrje konkrete.
A ekziston rreziku i ndikimit të jashtëm?
Në aspektin juridik nuk mund të pretendohet ekzistenca e infiltrimit ose koordinimit pa prova.
Megjithatë, është legjitime të shtrohet pyetja nëse mekanizmat institucionalë të sigurisë dhe integritetit janë të mjaftueshëm për të parandaluar ndikime të jashtme.
Nëse një shtet përballet me tentativa të vazhdueshme të një shteti tjetër për të ndikuar mbi funksionimin e institucioneve të tij, përgjigjja nuk duhet të jetë spekulimi, por forcimi i mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe kontrollit institucional.
Forca e shtetit nuk matet vetëm me ekzistencën e institucioneve, por me aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë të pavarur, të parashikueshme dhe ekskluzivisht në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Nëse vendimmarrja e institucioneve të drejtësisë krijon perceptimin se lëviz sipas zhvillimeve politike të jashtme, atëherë problemi nuk është vetëm procedural; ai prek vetë nocionin e sovranitetit kushtetues.
Prandaj, përgjigjja nuk duhet të jetë polarizimi politik, por transparenca e plotë institucionale. KGJK-ja dhe KPK-ja kanë detyrimin kushtetues dhe moral të sqarojnë publikisht kronologjinë, bazën ligjore dhe arsyetimin e çdo vendimi. Vetëm kështu mbrohet integriteti i drejtësisë dhe forcohet besimi i qytetarëve se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës funksionon sipas ligjit dhe jo sipas rrethanave politike.

Kur shteti laik i dorëzohet Islamit Politik!

0
Republika e Kosovës, sipas Kushtetutës së saj, është shtet laik. Të paktën kështu thuhet në letër. Në praktikë, pamjet dhe zhvillimet e fundit lënë gjithnjë e më shumë vend për dyshim.
Vrasja tragjike e policit Mentor Lika tronditi gjithë Kosovën. Por pas saj u shfaqën edhe pamje e veprime që hapën një debat tjetër: mbulimi i arkivolit me simbolikë fetare islame gjatë një ceremonie ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues institucionalë, pjesëmarrja e zyrtarëve me uniformë në rite fetare dhe dhurimi i Kuranit kolegëve të policit të ndjerë nga një imam.
Askush nuk e konteston të drejtën e familjes për ta përcjellë të ndjerin sipas besimit të tij. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme. Por shteti nuk është pronë e asnjë feje. Uniforma e Policisë së Kosovës nuk përfaqëson një bashkësi fetare, por Republikën e Kosovës.
Edhe më shqetësuese bëhen këto zhvillime kur kujtohen deklaratat publike të kreut të BIK-ut, i cili ndër vite ka përdorur një gjuhë që ka nxitur polemika, duke deklaruar, ndër të tjera, se ata që “nuk e duan Islamin le të shkojnë për Beograd”, se “ose do të bëhet si themi ne, ose keni me na e pa sherrin”, si dhe duke pretenduar se “islamofobia më e madhe është në Kosovë”. Deklarata të tilla nuk kontribuojnë në qetësi qytetare; përkundrazi, ato ushqejnë përçarje dhe tension.
Prandaj është legjitime të shtrohet pyetja: a kemi të bëjmë vetëm me rastësi të njëpasnjëshme, apo me një klimë ku presioni fetar ndaj institucioneve po normalizohet?
Nëse Bashkësia Islame nuk distancohet qartë nga gjuha kërcënuese dhe nga çdo veprim që krijon përshtypjen e përzierjes së fesë me institucionet shtetërore, atëherë dyshimet nuk zbehen, por thellohen.
Kosova nuk ka nevojë për një shtet që i përshtatet kërkesave të çdo ideologjie fetare. Ka nevojë për institucione që i shërbejnë vetëm Kushtetutës dhe ligjit.
Shteti laik nuk është armik i fesë. Ai është mbrojtësi i lirisë së çdo besimtari dhe i çdo jobesimtari. Në momentin kur institucionet fillojnë të identifikohen me një simbolikë fetare të caktuar, nuk dobësohet vetëm laiciteti; vihet në provë vetë barazia qytetare.

Mos e humbni trenin e fundit për shpëtim?!

0

Florim Zeqa

Pas shpalljes së kandidaturës time për kryetar të LDK-së, me të drejt familjarët e mi dhe miqtë e ngushtë kanë filluar të shqetësohen për fatin tim, shkaku i kërcënimeve dhe shantazheve që më vijnë nga individ të caktuar, të cilët për qëllim e kanë ndalimin e misionit tim fisnik!

Pa dashuri nuk bëhen punët e mira për vendin

Siq më njohin lexuesit e rregullt dhe elektorati i LDK-së, unë në shkrimet e mia flas me gjuhën e zemrës, asnjëherë nuk udhëhiqem nga mënia apo inatet personale, por nga dashuria që kam ndaj atdheut tim të shenjt-Kosovës dhe bashkombasve në Kosovë dhe në mërgatën tonë.

Unë asnjëherë deri më sot, nuk e kam mbështetur keq-qeverisjen e vendit pavarësisht kush ka qënë në pushtet, sikurse që nuk i kam mbështetur pazaret e pista politike për interesa personale të kujtdo qofshin ato.

Si rezultat i kastës së dështuar politike LDK-ja ka rrëshqitur në vendin e tretë dhe me tendencë të rënjes edhe më poshtë se kaq!

Në ndërkohë elektorati i saj po lëvizë pandalshëm drejt partive tjera, kurse qyetarët e vendit dita-ditës janë duke e braktisur vendin, jo shkaku i dhunës dhe represionit të pushtuesve serb, por shkaku i keq-qeverisjeve të njëpasnjëshme!

Ashtu siq e ceka në fillim të këtij shkrimi, nuk kam asgjë personale me kryetarin aktual dhe as me drejtuesit e partisë, qofshin ata deputet, asambleist apo kryetar komunash, por, problemin e kam me keq-menagjimin e partisë!

Trajtimi i partisë si pronë private e ka sjellur LDK-në këtë gjendje mjeruese dhe konfliktuoze, shkaku i luftës së ashpër në mes të klaneve dhe grupeve të interesit për marrjen e primatit të “Rugovizmit” në parti!

Klanorët antipod të LDK-së rugoviane

Përderisa dashuria dhe dhimbja janë në të njëjtët binarë, krenaria dhe zhgënimi mbajnë të njëjtën rrugë!

Dhimbja dhe zhgënjimi më bëjnë akoma më të fortë dhe më të qëndrueshëm në rrugëtimin tim dhe në përballje me sfidat e kohës!

Iluzionistët e ringjalljes së LDK-së përmes klaneve dhe grupeve të interesit do të mashtrohen keq, ashtu siq u zhgënjyen nga “Rruga e Re” dhe nga “Bashkimi i të djathtës shqiptare”!

Drejtuesit e LDK-së post-Rugoviane për dy dekada rresht nuk i sollën asnjë fitore LDK-së në zgjedhjet parlamentare!

Vërtetë 9 palë zgjedhje të humbura rresht nuk janë pak, e dhjeta do të jetë e tepërt…!

Klanorët po mundohen t’ia shesin ‘sapunin për djath’ elektoratit përmes të ashtuquqjturit “Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor”, të cilat do të jenë mashtrime të kriposura plot hipokrizi siq ishte “dorëheqja” e Abdixhikut pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar!

Klanorët garën e ndershme dhe demokratike e kanë kthyer në maskaradë zgjedhore brenda partisë!

Votën e lirë e kanë kthyer në aklamacion, kurse rivalitetin politik e kanë kthyer në luftë klasash brenda partisë!

Degradimi e arriti kulmin kur dorëheqja e kryetarit humbës të zgjedhjeve u kthye në ‘votëbesim’ (uzurpim të partisë)!

Vetëm vendimarrja tek elektorati përmes Referendumit mund ta nxjerrë liderin unifikues të partisë, kurse maskaradat zgjedhore do ta përcaktojnë fundin e LDK-së!

Dikur rugovizmi ishte krenari dhe sfidë njëkohësisht, sot është bërë spot politik pa pagesë dhe biznes në të njëjtën kohë!

LDK-ja e sotme nën tutelën e klaneve dhe grupeve të interesit jo vetëm që nuk ka gjë të përbashkët me të kaluarën e saj, është kthyer në antipod të LDK-së rugoviane!

Antirugovistët e mbështjellur me flamur dardan e kanë e kanë bërë të neveritshëm rugovizmin në LDK!

Treni i fundit për shpëtim

Cilido kandidat që zgjedhet Kryetarë i LDK-së përmes Referendumit do të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe i suksesshëm në ringritjen e partisë.

Nëse elektorati më ngarkon me besim për drejtimin e LDK-së, unë do ta shpërblejë me ringritje në vendin e dytë pas zgjedhjeve të dhjetorit, kurse në zonjë të skenës politike kosovare dhe mbretëreshë të qeverisjes së vendit pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare!

I tillë do të mbetëm, përherë ushtarë besnik i atdheut dhe gardian i interesave të bashkombasve të mi dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Unë biri yt, që lutem e punojë ditë e natë për ty Kosovë, edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve nuk do të ndalem për asnjë çast së punuari dhe vepruari për të mirën e vendit dhe qytetarëve të vendit tim për t’i dalë zot shtetit dhe interesave të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në mërgim.

Për këtë e kam dijen, dëshirën, vullnetin, vendosmërinë dhe guximin për reformimin e thellë të LDK-së pa asnjë ambicie personale, me forcën dhe qëllimin hyjnor, me besim në Zot dhe elektorat për ringritjen e LDK-së. Përveç çelësit në dorën time, unë jam treni i fundit për shpëtimin e LDK-së nga katandisja në humnerën e pakthim!

I bëjë thirrje nga shpirti elektoratit të LDK-së: Mos e humbni trenin e fundit për shpëtim!

Nëse krerët LDK-së nuk hapin rrugë dhe nuk e pranojnë efertën e shpëtimit, do të ballafaqohen me ndëshkimin e elektoratit në zgjedhjet e dimrit të këtij viti, i cili për LDK-në do të jetë dimri më i acart në historikun 38 vjeçar të saj!”

Megjithatë, unë me ndihmën e qytetarëve do ta gjejë mënyrën dhe rrugën e veprimit, do ta gjejë alternativën e veprimit politik për ta bërë ndryshimin epokal dhe kthimin e shpresës së qytetarëve për jetë në vendin më të bukur në botë-Dardaninë tonë antike.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti i bekoftë qytetarët e vendit tim!

Florim Zeqa, kandidat për kryetar të LDK-së!

Orsago (Itali), 25.07.2026

Protestat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përballë dy sfidave dhe heshtjes së shteteve amë

0

Aleksandër Ndoja, Tiranë

– Protestat e fundit në Shkup dhe Tetovë janë interpretuar nga një pjesë e intelektualëve shqiptarë si shprehje e një pakënaqësie më të thellë përballë dy proceseve që perceptohen si kërcënim për identitetin kombëtar shqiptar.

Në Shkup, studentët shqiptarë kanë dalë në protestë duke kërkuar që provimet universitare dhe ato profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç parashihet nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 dhe nga legjislacioni për përdorimin e gjuhëve. Ata argumentojnë se moslejimi i zhvillimit të provimeve në shqip përbën shkelje të të drejtave të garantuara dhe trajtim të pabarabartë ndaj studentëve shqiptarë.

Këto shqetësime u trajtuan edhe në një bashkëbisedim të hapur gjatë konferencës “Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), e mbajtur më 21 qershor 2026 në Pordenone, Itali. Në këtë aktivitet morën pjesë intelektualë dhe studiues nga Tetova, të cilët paraqitën vlerësimet e tyre mbi zhvillimet aktuale.

Gjatë diskutimit u ngritën shqetësime lidhur me respektimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimet që, sipas pjesëmarrësve, po ndikojnë në pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë kuadër u përmend edhe ndryshimi i emërtimit të sheshit “Iliria” në Tetovë dhe zëvendësimi i tij me emrin e ish-udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito, një veprim që u interpretua nga pjesëmarrësit si cenim i simbolikës historike dhe kulturore shqiptare. Një tjetër shqetësim lidhet me rritjen e ndikimeve ideologjike dhe fetare nga Lindja e Mesme, të cilat, sipas kritikëve, synojnë të promovojnë interpretime më radikale të islamit.

Ata theksojnë se tradita fetare e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka qenë historikisht një islam i moderuar, i lidhur ngushtë me kulturën kombëtare, tolerancën ndërfetare dhe orientimin evropian. Në këtë këndvështrim, shqiptarët shihen si të përballur me dy fenomene që, ndonëse me origjinë të ndryshme, mund të prodhojnë pasoja të ngjashme: njëra prirje dobëson kujtesën historike dhe simbolikën kombëtare, ndërsa tjetra rrezikon ta zëvendësojë identitetin kombëtar me një identitet fetar më të theksuar. Për këtë arsye, protestat interpretohen si një përpjekje për të mbrojtur njëkohësisht gjuhën shqipe, të drejtat e garantuara nga Marrëveshja e Ohrit, trashëgiminë historike dhe traditën e moderuar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut përballen me këto zhvillime, një pjesë e opinionit publik atje shpreh ndjenjën se konteksti më i gjerë shqiptar nuk po u kushton vëmendjen e duhur. Sipas tyre, mungesa e një reagimi të koordinuar nga Prishtina dhe Tirana i bën ata të ndihen të lënë pas dore në një moment që e konsiderojnë të rëndësishëm për të drejtat dhe identitetin e tyre.

Edhe në Kosovë situata politike vazhdon të karakterizohet nga polarizim dhe vështirësi në konsolidimin institucional pas zgjedhjeve, çka, sipas disa analistëve, e ka zhvendosur vëmendjen nga çështje të tjera me interes kombëtar. Në këtë kontekst janë ngritur shqetësime edhe për kontestet pronësore të pasluftës.

Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe intelektuali i arsimit Ndue Çollaku ka deklaruar për Pirusti News se po shtohen rastet kur ish-pronarë serbë kërkojnë në gjykata anulimin e kontratave të shitblerjes së pronave të realizuara pas luftës, duke pretenduar se ato janë nënshkruar nën presion. Sipas tij, në disa raste gjykatat kanë pranuar kërkesa të tilla, duke krijuar pasiguri juridike dhe shqetësim te familjet shqiptare që i kanë blerë këto prona.

Ai sjell edhe raste konkrete të konflikteve të dikurshme për prona, duke theksuar se për shumë familje është e vështirë të pranojnë mundësinë e humbjes së tokave që i konsiderojnë të fituara ligjërisht. Një tjetër shqetësim që ngrihet nga disa studiues dhe intelektualë lidhet me përhapjen e interpretimeve më radikale të fesë islame, të ndryshme nga tradita historike e islamit të moderuar që ka karakterizuar shqiptarët për shekuj.

Sipas tyre, ndikime të financuara nga qarqe të ndryshme jashtë Ballkanit kanë synuar të rrisin praninë e këtyre rrymave, duke krijuar tension mes identitetit kombëtar dhe atij fetar. Megjithatë, pretendimet për projekte politike ose organizime që synojnë krijimin e një “Republike Islamike të Shqiptarëve” nuk janë vërtetuar me prova publike dhe mbeten pjesë e debatit politik dhe mediatik.

Ndërkohë, edhe Shqipëria po kalon një periudhë të tensionuar politike, me zhvillime që e kanë përqendruar vëmendjen e klasës politike kryesisht në çështjet e brendshme. Për këtë arsye, sipas kritikëve, Tirana nuk ka qenë aq aktive sa pritej në adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në të njëjtën kohë, në disa protesta dhe debate publike janë evidentuar edhe individë ose grupe me retorikë të theksuar antiamerikane dhe me simpati për regjimin iranian, por nuk ka prova që këto qëndrime të përfaqësojnë protestuesit në tërësi apo të jenë pjesë e organizimit kryesor të protestave.

Dje në Tiranë u promovua libri im “Terrorizmi bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”

0
Dje, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në praninë e një numri të madh akademikësh, intelektualësh dhe zyrtarësh të lartë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria, u bë promovimi i librit tim më të ri:
“Terrorizmi bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”.
Pas kumtesave dhe vlerësimeve profesionale të recensentëve të nderuar, prof. dr. Pajtim Ribaj, prof. dr. Xhavit Shala, prof. dr. Azem Hajdari dhe prof. dr. James Albrecht, pata nderin të pranoja edhe disa vlerësime të veçanta.
Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” më akordoi medaljen “Yjet e Arbërit”, ndërsa Rrjeti Intelektual Shqiptar dhe IPA Shqipëri më nderuan me mirënjohjet e tyre.
Me këtë rast, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për këto vlerësime, të cilat i pranoj me respekt, krenari dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie.
Për mua, ato nuk përbëjnë vetëm një nderim personal, por edhe një vlerësim për punën time shumëvjeçare shkencore e akademike dhe për përkushtimin tim në shërbim të dijes, së vërtetës dhe interesit kombëtar.
Falënderim të veçantë u drejtoj të gjithë akademikëve, intelektualëve, përfaqësuesve institucionalë dhe miqve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët, me praninë, kumtesat, vlerësimet dhe fjalët e tyre të çmuara, i dhanë kësaj veprimtarie një rëndësi dhe vlerë të shtuar akademike, institucionale dhe kombëtare.

Një shkrim për ata që na quajn islamofob!

0
Një shkrim më “detyroi” ti them ca fjalë, si përgjegje ndaj të gjithëve që na quajn islamofob!
Kjo është një analizë historike, jo ideologjike.
Argumenti i shkrimit të dhënë është i ndërtuar mbi:
• analogji të pasakta,
• keqkuptime të migracionit,
• interpretime të gabuara të arsimit osman,
• krahasime metodologjikisht të pavlefshme,
• ngatërrim të kritikës historike me paragjykimin fetar.
Emigrimi drejt Turqisë nuk shfajëson pushtimin.
Arsimimi në Stamboll nuk shfajëson ndalimin e shkollave shqipe.
Krahasimi me vitin 1999 është i pavlefshëm.
Kritika ndaj Perandorisë Osmane nuk është islamofobi.
1. Problemi metodologjik: argumentimi me analogji të pasakta.
Pretendimi se “po të na kishin vrarë osmanët, nuk do të kishim emigruar në Turqi” është një shembull klasik i gabimit logjik post hoc ergo propter hoc.
Ai supozon se migrimi është provë e mungesës së dhunës, gjë që bie ndesh me literaturën e gjerë të studimeve mbi migracionin.
Në studimet e migracionit (Castles & Miller, The Age of Migration), lëvizjet demografike brenda një perandorie:
• nuk lidhen drejtpërdrejt me nivelin e dhunës,
• por me strukturën administrative,
• mundësitë ekonomike,
• asimilimin kulturor,
• rrjetet sociale të krijuara gjatë sundimit të gjatë.
Pra, migrimi drejt qendrës së perandorisë nuk është provë e mungesës së shtypjes, por pasojë e integrimit të detyruar në një sistem pushtues shumë-shekullor.
2. Migrimi brenda perandorive: një fenomen i njohur historik.
Shembujt historikë e rrëzojnë plotësisht argumentin e shkrimit:
• Irlandezët emigruan masivisht në Britani, megjithëse Britania i kishte shtypur për shekuj.
• Algjerianët emigruan në Francë, megjithëse Franca kishte ushtruar kolonializëm brutal.
• Indianët emigruan në Britani, megjithëse Britania kishte shfrytëzuar Indinë ekonomikisht dhe politikisht.
Në të gjitha këto raste, migrimi nuk është provë e mungesës së dhunës, por pasojë e strukturës koloniale.
Shqiptarët që emigruan në Turqi pas shek. XIX:
• ishin pjesë e një sistemi administrativ ku shumë prej tyre kishin karrierë,
• kishin lidhje familjare e tregtare të krijuara gjatë sundimit osman,
• shpesh largoheshin nga trojet e tyre për shkak të presioneve të shteteve të reja ballkanike pas shpërbërjes së Perandorisë.
Pra, migrimi nuk është argument historik, por keqkuptim i mekanizmave të migrimit.
3. Arsimi i rilindasve në Stamboll: dëshmi e varësisë, jo e mirësisë së pushtimit.
Shkrimi pretendon se fakti që rilindasit u arsimuan në Stamboll provon se osmanët nuk ishin pushtues.
Ky është një keqinterpretim i natyrës së perandorive.
3.1. Perandoria Osmane ndaloi shkollat shqipe.
Për 500 vjet, shqiptarët nuk mund të hapnin shkolla në gjuhën e tyre pa leje të Portës së Lartë.
Kjo është dokumentuar në:
• Arkivat osmane,
• studimet e Stavro Skendi,
• studimet e Kristo Frashërit,
• studimet e Robert Elsie.
Rilindasit shkuan në Stamboll sepse pushtimi ua kishte pamundësuar arsimimin në vendin e tyre.
Kjo nuk është provë e mirësisë së Perandorisë, por provë e varësisë së detyruar.
3.2. Arsimi në qendrën e perandorisë është fenomen i njohur.
Edhe elitat koloniale indiane u arsimuan në Londër.
Edhe elitat algjeriane u arsimuan në Paris.
Edhe elitat vietnameze u arsimuan në Paris.
Kjo nuk i shfajëson kolonializmat përkatës.
4. Dhuna osmane: e dokumentuar, por e ndryshme nga genocidet moderne.
Pretendimi se “po të na kishin vrarë osmanët, nuk do të kishim emigruar në Turqi” nënkupton se dhuna osmane duhet të krahasohet me genocidet moderne.
Kjo është metodologjikisht e gabuar.
4.1. Dhuna osmane ishte sistemike, jo eksterminuese.
Perandoria Osmane ka ushtruar:
• devshirme (marrja e djemve me detyrim),
• taksa të rënda,
• shtypje të kryengritjeve shqiptare,
• dënime kolektive,
• shpërngulje të popullsisë,
• ndalimin e gjuhës shqipe.
Këto janë fakte të dokumentuara nga historianë shqiptarë, turq, europianë dhe amerikanë.
Dhuna osmane nuk ishte e tipit “vrasje totale”, por shtypje sistemike, nënshtrim administrativ, kontroll i popullsisë.
5. Krahasimi me vitin 1999: gabim kategorik.
Shkrimi thotë: “Kur na masakruan serbët në 1999, nuk emigruam në Serbi.”
Ky krahasim është metodologjikisht i pavlefshëm.
5.1. Serbia e vitit 1999 ≠ Perandoria Osmane e shek. XV–XIX.
Serbia e vitit 1999 ishte:
• shtet modern,
• me kufij të qartë,
• me identitet etnik të qartë,
• me ideologji nacionaliste të shek. XX.
Perandoria Osmane ishte:
• perandori shumëkombëshe,
• me lëvizje të lirshme brenda territorit,
• me administratë të centralizuar,
• me identitete të përziera.
Krahasimi është i gabuar sepse dy realitete historike nuk kanë asnjë ngjashmëri.
6. Kritika ndaj Perandorisë Osmane ≠ islamofobi.
Pretendimi se historianët që kritikojnë osmanizmin janë “islamofobë” është një gabim konceptual.
6.1. Kritika ndaj një perandorie nuk është kritikë ndaj një feje.
Të kritikosh Perandorinë Osmane nuk është:
• kritikë ndaj fesë islame,
• kritikë ndaj turqve si popull,
• kritikë ndaj kulturës orientale.
Është kritikë ndaj një sistemi pushtues, ashtu siç kritikohen:
• Perandoria Romake,
• Perandoria Austro-Hungareze,
• Perandoria Britanike,
• Perandoria Ruse.
6.2. Historianët nuk shkruajnë me “amanet”, por me metodologji.
Historianët punojnë me:
• burime primare,
• dokumente arkivore,
• analiza krahasuese,
• metodologji shkencore.
T’i quash “islamofobë” është një etiketim emocional, jo akademik.
Screenshot

U promovua monografia “Terrorizmi Bashkëkohor” i Dr. Kolë Krasniqit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

0

Aleksandër Ndoja, Tiranë

Në Akademinë e Shkencave u promovua monografia “Terrorizmi Bashkëkohor” e Dr. Kolë Krasniqit

– Në sallën prestigjioze “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë u promovua monografia më e re e studiuesit dhe pedagogut të njohur kosovar Dr. Kolë Krasniqi, me titull “Terrorizmi Bashkëkohor – Klasifikimi, tipologjia dhe format e manifestimit”, një botim që përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve juridike, të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Aktiviteti u moderua nga ushtaraku i njohur Skëndër Doda, ndërsa në sallën e mbushur plot morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe institucionale nga Shqipëria dhe Kosova, ekspertë të sigurisë dhe kriminalistikës, ish-drejtues të organeve ligjzbatuese, pedagogë universitarë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe figura të artit e kulturës.

E pranishme ishte edhe zëvendëskonsullja e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sabrie Grainca. Dr. Kolë Krasniqi njihet si një ndër ekspertët më të spikatur shqiptarë në fushën e terrorizmit dhe kriminalitetit ndërkombëtar.

Pedagog në Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ai e ka ndërtuar karrierën akademike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, ku në vitin 1998 mbrojti doktoraturën në Universitetin e Vjenës me një studim kushtuar terrorizmit ndërkombëtar dhe mekanizmave për zbulimin e luftimin e tij.

Monografia e promovuar në Tiranë është vazhdimësi e një pune kërkimore që shtrihet në më shumë se dy dekada. Ajo pason botimet “Terrorizmi Ndërkombëtar”, të publikuara në Tiranë (2005) dhe Prishtinë (2010), duke reflektuar zhvillimet më të fundit teorike dhe praktike të këtij fenomeni në një botë të karakterizuar nga globalizimi, teknologjia dhe konfliktet hibride.

Në këtë vepër, autori e trajton terrorizmin si një fenomen shumëdimensional, që nuk mund të reduktohet vetëm në kriminalitet apo në dhunë politike. Ai analizon ndërthurjen e terrorizmit me krimin e organizuar, ekstremizmin, radikalizmin ideologjik dhe luftën hibride, duke argumentuar se këto fenomene përbëjnë sot një nga sfidat më serioze për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga risitë kryesore të monografisë është ndërtimi i një klasifikimi të plotë të formave të terrorizmit. Libri trajton terrorizmin konvencional, kibernetik, mediatik, energjetik dhe CBRN (kimik, biologjik, radiologjik dhe bërthamor), duke analizuar mënyrat e manifestimit të tyre, ndikimin në sigurinë globale dhe sfidat që paraqesin për institucionet shtetërore. Një vend të rëndësishëm zë edhe analiza juridike e fenomenit.

Dr. Krasniqi argumenton se lufta kundër terrorizmit duhet të zhvillohet në përputhje me standardet e shtetit të së drejtës dhe të drejtës ndërkombëtare, duke shmangur cenimin e të drejtave themelore të njeriut. Në këtë kuadër, ai trajton edhe dallimin ndërmjet terrorizmit dhe formave të tjera të dhunës politike, si kryengritjet e armatosura, lufta guerile dhe konfliktet jokonvencionale, duke u mbështetur në parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Vëmendje të veçantë autori i kushton edhe Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës, duke analizuar sfidat e sigurisë në rajon, ndikimin e radikalizmit dhe përdorimin e teknologjisë informative nga organizatat terroriste për propagandë, rekrutim dhe koordinim të veprimtarisë së tyre.

Monografia është ndërtuar mbi një bazë të gjerë teorike dhe doktrinare, duke integruar literaturën më të rëndësishme gjermane, anglo-saksone dhe ndërkombëtare. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, ajo ndërthur analizën juridike me kriminologjinë, shkencat politike dhe studimet strategjike të sigurisë, duke e bërë librin një referencë të vlefshme për studiuesit, studentët, juristët, institucionet e sigurisë dhe politikëbërësit.

Në parathënien e librit, profesori amerikan James F. Albrecht, nga Pace University në Nju Jork, e cilëson Dr. Kolë Krasniqin si një ndër ekspertët më të rëndësishëm të terrorizmit në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, duke vlerësuar se kjo monografi pasuron debatin akademik ndërkombëtar dhe ofron njohuri të domosdoshme për profesionistët e sigurisë dhe administratës publike.

Promovimi në Akademinë e Shkencave dëshmoi interesimin e madh të komunitetit akademik dhe profesional për një temë që mbetet ndër sfidat më të ndërlikuara të shekullit XXI.

Me këtë botim, Dr. Kolë Krasniqi konsolidon më tej profilin e tij si studiues i çështjeve të sigurisë, ndërsa literatura shkencore shqiptare pasurohet me një vepër që pritet të shërbejë si referencë për studimet mbi terrorizmin dhe sigurinë ndërkombëtare.

Kur sulmohet gazetaria, rrezikohet demokracia, të vërtetën nuk e hesht as pushteti, as linçimi

0

Musa Sabedini, Gjilan

– Sot, të jesh gazetar në Kosovë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi, është një profesion që kërkon kurajë, durim dhe integritet për të punuar në një klimë të rënduar nga gjuha e urrejtjes, linçimi publik dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve.

Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën.

Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës Ky lumë fyerjesh dhe diskursi degradues nuk e dëmton vetëm dinjitetin e gazetarit; ai cenon vetë kulturën demokratike dhe përpjekjet për ndërtimin e një gazetarie profesionale, të lirë dhe moderne. Megjithatë, zhurma nuk e zëvendëson kurrë të vërtetën.

Faktet, argumentet dhe puna serioze gazetareske mbeten gjithmonë më të forta se propaganda dhe etiketimet. Gjatë rrugëtimit tim shumëvjeçar në gazetari, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese, jam përballur me kërcënime, presione e tentativa të ndryshme për të më heshtur. Asnjëra prej tyre nuk më ka ndalur. Përkundrazi, ato më kanë bindur edhe më shumë se gazetaria ka kuptim vetëm kur sfidon krimin e organizuar, korrupsionin politik e ekonomik dhe çdo formë të abuzimit me pushtetin.

Në çdo rrethanë kam qëndruar në mbrojtje të kolegëve, edhe atëherë kur disa prej tyre zgjodhën të heshtnin përballë sulmeve ndaj meje. Por ajo që sot më shqetëson më së shumti nuk janë sulmet që vijnë nga politika apo grupet e interesit. Më shqetëson servilizmi i një pjese të vogël të gazetarëve, të cilët, në vend se ta mbrojnë profesionin, shndërrohen në zëdhënës të pushtetit dhe përpiqen të diskreditojnë kolegët e tyre me narrativa të fabrikuara dhe argumente të imponuara. Ky deformim i rolit të gazetarit është ndër goditjet më të rënda që mund t’i jepen profesionit.

Gazetaria nuk mund të ushtrohet me nënshtrim, as me besnikëri ndaj pushtetit. Misioni i saj është t’i shërbejë publikut dhe interesit qytetar, jo interesave politike apo personale. Askush nuk është i pagabueshëm. Edhe gazetarët dhe mediat bëjnë gabime. Por ekziston një dallim thelbësor mes gabimit profesional dhe fushatës së organizuar për ta njollosur një koleg. Është e papranueshme që gazetarët të përdoren si instrumente për të goditur gazetarët e tjerë. Solidariteti profesional nuk nënkupton pajtim me çdo qëndrim, por respekt për parimet mbi të cilat ndërtohet liria e medias.

Fatkeqësisht, këtë klimë përçarëse e ka ushqyer edhe retorika e pushtetit aktual, i cili në vazhdimësi ka zgjedhur përballjen me mediat, duke i etiketuar ato si “media të Serbisë” apo duke i sulmuar për faktin se funksionojnë si biznese mediatike. Këto janë narrativa që nuk i shërbejnë demokracisë dhe nuk i shmangin institucionet nga përgjegjësia për transparencë e llogaridhënie. Mediat financohen nga puna e tyre, nga audienca, nga shërbimet dhe tregu që u lejon të mbijetojnë. Në një shtet demokratik, kjo është krejtësisht legjitime.

Pyetja që shtrohet është një tjetër: kush mban përgjegjësi për mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe për çdo cent të taksapaguesve? Pikërisht këtu duhet të drejtohet vëmendja e pushtetit, e jo te përpjekjet për ta delegjitimuar gazetarinë kritike. Respekt për të gjithë ata gazetarë që, pavarësisht presioneve, vazhdojnë ta mbrojnë integritetin profesional, etikën dhe besueshmërinë e medias. Janë pikërisht ata që e mbajnë gjallë misionin e gazetarisë së lirë dhe e dëshmojnë se e vërteta nuk mund të mposhtet nga propaganda, por vetëm nga heshtja.

Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë kurrë zgjedhje. Një fjalë edhe për ata që, të fshehur pas profileve në rrjetet sociale, qofshin nga Evropa, Amerika apo kudo tjetër, e kanë shndërruar fyerjen, kërcënimin dhe linçimin virtual në mjet “debati”. Kujdes me gjuhën që përdorni dhe me rolin që i jepni vetes. Askush nuk ka të drejtë të marrë në dorë “gjykimin” e gazetarëve, të shpallë fajtorë apo të nxisë urrejtje ndaj tyre, sikur Kosova të mos ishte shtet me ligje, institucione, polici dhe drejtësi. Në një shoqëri demokratike, kritika është legjitime, por shpifja, kërcënimi dhe gjuha e urrejtjes nuk janë liri e shprehjes. Historia e gazetarisë ka dëshmuar se gazetarët e pavarur janë përballur gjithmonë me presione, por askush nuk ka arritur ta ndalë misionin e tyre për të kërkuar dhe publikuar të vërtetën.

Ata që besojnë se mund ta mposhtin gazetarinë me fyerje, linçime apo intimidim, zakonisht dështojnë përballë forcës së fakteve dhe të së vërtetës.

  • Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT