Isa Mulaj, Istog
Institute for Economic Policy Research and Analyses (INEPRA)



Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Në një kohë kur bota po përballet me konflikte identitare, polarizim politik dhe tensione fetare e etnike, Kosova, Shqipëria dhe hapësira shqiptare kanë një vlerë të veçantë që duhet ta ruajnë dhe ta promovojnë me krenari: traditën e bashkëjetesës ndërfetare dhe ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike. Kjo nuk është vetëm një trashëgimi historike, por edhe një avantazh strategjik për të ardhmen tonë shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë ku identiteti kombëtar historikisht ka qenë më i fortë se dallimet fetare. Myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe besimtarë të komuniteteve të tjera kanë jetuar për shekuj pranë njëri-tjetrit, duke ndarë të njëjtën gjuhë, kulturë, traditë dhe aspiratë për liri. Kjo kulturë tolerance ka qenë një nga tiparet më fisnike të shoqërisë sonë.
Edhe përbërja etnike e Kosovës është një realitet që duhet parë si pasuri. Kushtetuta dhe ligjet garantojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, duke krijuar bazën për një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Një shtet që respekton dinjitetin dhe të drejtat e çdo qytetari fiton besueshmëri brenda vendit dhe respekt në arenën ndërkombëtare.
Pikërisht ky karakter multietnik dhe multikonfesional ka qenë një nga argumentet më bindëse që bota demokratike e mbështeti Kosovën në luftën për liri dhe më pas në procesin e ndërtimit të shtetit. Partnerët tanë ndërkombëtarë panë te Kosova jo një projekt të dominimit etnik apo fetar, por një projekt të demokracisë, të barazisë qytetare dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Kjo mbetet një prej kapitaleve më të rëndësishme politike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës.
Prandaj, udhëheqja shtetërore dhe diplomacia jonë duhet ta shfrytëzojnë këtë vlerë me mençuri. Kosova duhet të ndërtojë marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet që respektojnë të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht nëse ato i përkasin botës perëndimore, lindore apo arabe. Diplomacia moderne nuk ndërtohet mbi paragjykime, por mbi dialog, respekt të ndërsjellë dhe interesa të përbashkëta.
Në këtë kuadër, një rëndësi të veçantë merr puna me pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Njohja nga këto vende do të lehtësonte ndjeshëm rrugën drejt integrimit evropian dhe do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë. Për këtë arsye, çdo veprim politik apo publik duhet të kontribuojë në krijimin e besimit dhe jo të prodhojë keqkuptime apo tensione të panevojshme.
Po ashtu, nuk është në interesin tonë kombëtar që të hapim debate përçarëse rreth fesë apo konvertimeve fetare. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë janë shtete laike, ku liria e besimit është e garantuar me kushtetutë dhe me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Besimi është çështje personale dhe e ndërgjegjes së lirë të secilit qytetar. Shteti nuk duhet të favorizojë asnjë besim, por të garantojë lirinë dhe barazinë e të gjithëve.
Debatet që ushqejnë ndarje mbi baza fetare apo etnike rrezikojnë të dëmtojnë kohezionin tonë shoqëror dhe të krijojnë perceptime të gabuara tek partnerët ndërkombëtarë. Në një rajon që ka kaluar konflikte të shumta, stabiliteti dhe harmonia janë vlera që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.
Natyrisht, kjo nuk nënkupton kufizimin e lirisë së shprehjes apo të debatit akademik. Në një shoqëri demokratike, çdo çështje mund të studiohet dhe të diskutohet me argumente shkencore, me respekt dhe pa gjuhë fyese. Problemi lind atëherë kur debatet përdoren për të nxitur urrejtje, paragjykime ose përçarje ndërmjet qytetarëve.
Historia jonë dëshmon se shqiptarët kanë ditur ta vendosin interesin kombëtar mbi dallimet fetare. Kjo është një trashëgimi që duhet ruajtur me kujdes dhe t’u përcillet brezave të rinj përmes edukimit, kulturës dhe shembullit institucional. Harmonia ndërfetare nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës; ajo duhet të mbetet një projekt i së ardhmes.
Sot, sfidat kryesore të Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë dallimet fetare apo etnike. Ato lidhen me zhvillimin ekonomik, cilësinë e arsimit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor, integrimin evropian, ndaljen e emigrimit të të rinjve dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Pikërisht këtyre prioriteteve duhet t’u kushtohen energjitë e shoqërisë sonë.
Diversiteti nuk duhet parë si hendikep, por si një pasuri që na bën më të fortë, më të besueshëm dhe më të respektuar. Kur qytetarët ndihen të barabartë dhe të respektuar, forcohet uniteti i brendshëm; kur bota sheh një shoqëri tolerante dhe demokratike, forcohet edhe pozita ndërkombëtare e shtetit.
Në fund, mesazhi duhet të jetë i qartë: identiteti ynë kombëtar nuk dobësohet nga larmia fetare dhe etnike, por pasurohet prej saj. Sa më shumë ta kultivojmë tolerancën, respektin dhe dialogun, aq më të forta do të jenë shtetet tona dhe aq më i sigurt do të jetë rrugëtimi ynë drejt familjes evropiane. Kjo është rruga që i shërben interesit kombëtar, paqes shoqërore dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve tanë.
Më 17 korrik 2026

Safet Sadiku, Gjenevë
Pas realizimit me sukses të një sërë projektesh prestigjioze në Zvicër, Grupi Planète Constructions, i udhëhequr nga Drejtori Ekzekutiv z. Avni (Avnija) Nasufoski, shënon një tjetër arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare me nënshkrimin e marrëveshjes strategjike për zhvillimin e projektit “Diamond Tower” në Arabinë Saudite. Nënshkruhet marrëveshja strategjike për zhvillimin e Kullës “Diamond” në Arabinë Saudite, një projekt madhor me vlerë 1.5 miliardë euro, që synon të shndërrohet në një nga simbolet më të rëndësishme arkitekturore dhe ekonomike të Mbretërisë. Marrëveshja bashkon partnerë ndërkombëtarë me ekspertizë të lartë në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit, duke hedhur themelet për realizimin e një investimi strategjik në përputhje me objektivat e Saudi Vision 2030 dhe me synimin për të nxitur inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Një hap i rëndësishëm drejt realizimit të një prej projekteve më ambicioze të zhvillimit urban në Mbretërinë e Arabisë Saudite është shënuar me nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi Strategjik ndërmjet tre partnerëve ndërkombëtarë. Grupi Planète Constructions, i përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv z. Avnija (Avni) Nasufoski, organizata APEX, e përfaqësuar nga Drejtoresha Ekzekutive Dr. Nahla Dhib, si dhe M.C.C. (Masarat Construction Company), e përfaqësuar nga Sheikh Adnan Ibrahim Mohammed Abdul Jabbar, kanë formalizuar partneritetin e tyre për zhvillimin e projektit prestigjioz Diamond Tower në qytetin e Xhedës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon fillimin e një aleance strategjike që bashkon përvojën ndërkombëtare, ekspertizën teknike dhe vizionin e përbashkët për realizimin e një objekti modern, i cili pritet të bëhet një nga simbolet më të rëndësishme arkitekturore, ekonomike dhe teknologjike të Mbretërisë së Arabisë Saudite. Drejtori Ekzekutiv i Planète Constructions, z. Avni Nasufoski, vlerësoi se ky partneritet përfaqëson një etapë të re në bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar mundësi të reja për investime, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e ndërtimit. Projekti Diamond Tower është në përputhje me objektivat strategjike të programit „Saudi Vision 2030“, i cili synon transformimin ekonomik dhe urban të Mbretërisë përmes investimeve në infrastrukturë moderne, teknologji dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ky bashkëpunim ndërkombëtar pritet të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin e një projekti ikonik për qytetin e Xhedës, por edhe në forcimin e marrëdhënieve mes partnerëve ndërkombëtarë, duke krijuar një model të ri bashkëpunimi në fushën e ndërtimit dhe investimeve. Për më shumë informacion mbi aktivitetin e kompanisë, vizitoni faqen zyrtare të Planète Constructions: www.planeteconstructions.com. Kush është Avni Nasufoski? A) Avni Nasufoski është diplomat pranë OKB-së në Gjenevë dhe sipërmarrës zviceran me një përvojë shumëvjeçare në fushën e zhvillimit ndërkombëtar, infrastrukturës, energjisë, teknologjisë dhe menaxhimit të burimeve ujore. Rrugëtimi i tij profesional ka nisur në Zvicër, ku ndërtoi aktivitetet e para sipërmarrëse, për t’u shtrirë më pas në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe kontinente të tjera.
Gjatë karrierës së tij ka zhvilluar partneritete me institucione ndërkombëtare, qeveri, fonde investimi, kompani të specializuara dhe organizata shumëpalëshe, duke promovuar projekte strategjike në fushën e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Aktiviteti i tij diplomatik pranë OKB-së në Gjenevë, si dhe angazhimi në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, e kanë bërë një nga figurat e njohura në fushën e diplomacisë ekonomike dhe të investimeve ndërkombëtare. Veprimtarinë e tij afariste e nisi në linjën Zvicër–Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më pas e zgjeroi aktivitetin biznesor edhe në rajone të tjera të botës. B)Gjatë karrierës së tij ka zhvilluar projekte dhe partneritete në shumë qendra të rëndësishme ndërkombëtare, duke filluar nga Gjeneva, Los Anxhelosi, Parisi, Mynihu, Dubai, Abu Dhabi, si dhe në disa kryeqytete të vendeve afrikane dhe qendra të tjera ndërkombëtare. C) Së fundmi, ai ka konfirmuar edhe mbi shtatë miliardë dollarë shtesë si potencial investues nga dy fonde të Lindjes së Mesme. Gjithashtu, ka ndërtuar partneritete me disa nga fondet më prestigjioze ndërkombëtare për realizimin e projekteve strategjike në vende të ndryshme dhe në disa kontinente.
Pikërisht ky angazhim ndërkombëtar është edhe arsyeja e kësaj interviste ekskluzive me Avni Nasufoskin, i cili është me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Përvoja me qeveritë e rajonit tonë! Që nga viti 2017, z. Avni Nasufoski ka prezantuar disa projekte konkrete me synimin për të sjellë investime të huaja në rajonin tonë. Megjithatë, deri më sot, këto përpjekje nuk kanë gjetur mbështetjen e nevojshme, as në Maqedoninë e Veriut, (vendin e origjinës), as në Shqipëri dhe as në Kosovë.

1) Projekti për menaxhimin e mbeturinave Në vitin 2017/18 u prezantua projekti i parë për zgjidhjen e problemit të mbeturinave, i bazuar në teknologjinë Orbis të kompanisë gjermane RPP Germany, i shoqëruar me mundësi financimi nga investitori. Megjithatë, projekti nuk u mbështet nga asnjë qeveri e rajonit. Ndërkohë, kjo teknologji është zbatuar me sukses në disa shtete të Afrikës dhe në vende të tjera të botës. Ajo konsiderohet ndër teknologjitë më të avancuara gjermane në këtë fushë, ndërsa kompania operon në disa kontinente dhe është e pranishme në mbi 70 vende.
2) Investimi për fabrikë të ushqimeve bio Një tjetër iniciativë ishte gatishmëria e një investitori gjerman për të financuar ndërtimin e një fabrike të ushqimeve bio në Shqipëri dhe Kosovë, me një potencial investimi deri në 1 miliard euro. Sipas autorit, pavarësisht interesimit të shprehur, asnjë prej qeverive nuk iu përgjigj zyrtarisht kësaj oferte. Kjo nismë është provuar edhe në vitin 2023 dhe 2024,në Kosovë, por pa sukses.
3) Teknologjia për trajtimin e ujërave Një rast tjetër lidhet me prezantimin e teknologjisë amerikane për trajtimin e ujërave të zeza dhe transformimin e tyre në ujë të pijshëm. Edhe pse rajoni ka nevojë të madhe për investime dhe zgjidhje të tilla, kjo iniciativë nuk u pranua. Nga ana tjetër, kjo teknologji ka gjetur zbatim në vende të Afrikës dhe në kontinente të tjera, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj. Edhe këtë kompani e drejton z. Avni Nasufoski.
4) Mundësi për investime të reja Një tjetër vlerë e rëndësishme e veprimtarisë së z. Avni Nasufoski është komunikimi i drejtpërdrejtë me disa fonde prestigjioze ndërkombëtare, me synimin për të tërhequr investime në projekte të sektorit privat në vendet e rajonit tonë. Shpresojmë që këto përpjekje të gjejnë mbështetjen e merituar dhe të shndërrohen në projekte konkrete që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Në të gjitha prezantimet e projekteve të përmendura më lart dhe ofertat drejtuar qeverive të rajonit tonë, dëshmitar ka qenë edhe autori i këtij shkrimi. Shpresojmë që një ditë ekspertiza, përvoja dhe sukseset ndërkombëtare të z. Avni Nasufoski dhe të ekipit të tij të gjejnë mbështetje dhe besim edhe në vendet tona, duke u shndërruar në projekte konkrete në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.

Me këtë rast z. Avni Nasufoski i uroj shumë fat dhe suksese në veprimtarinë e tij ndërkombëtare dhe në përpjekjet për të sjellë investime e teknologji moderne në shërbim të zhvillimit edhe të vendeve tona, ashtu si në disa kontinete të tjera.

LDK dikur ishte krenaria, shpresa dhe besimi i qytetarëve të Kosovës, tani është kthyer në farsë politike të cilës nuk i beson më askush në Kosovë! Si t’i besohet një subjekti politik që mbahet peng nga klanet dhe grupet e interesit, të cilat po e dëmtojnë të ardhmen e shtetit!
Iniciatorët e ‘votëbesimit’ janë mbështetësit më besnik të kryetarit dështak të partisë
Pengmbajtësit, të ndarë dhe përqarë për ambicie personale po e rrënojnë pamëshirshëm në themelet e saj LDK-në e liderit historik, Ibrahim Rugova!
LDK-ja përveqse amanet i Rugovës, është amanet politik i mijëra aktivistëve dhe veprimtarëve të orëve të para që sakrifikuan në kohët më të vështira për Kosovën.
Mirëpo, drejtuesit post-rugovian, po e trajtojnë LDK-në si plaçkë lufte dhe si mjet për arritjen interesave personale.
Garën e ndershme dhe demokratike e kanë kthyer në maskaradë zgjedhore brenda partisë!
Votën e lirë e kanë kthyer në aklamacion, kurse rivalitetin politik e kanë kthyer në luftë klasash brenda partisë!
Degradimi e arriti kulmin kur dorëheqja e kryetarit humbës të zgjedhjeve u kthye në ‘votëbesim’ (uzurpim të partisë)!
Klanorët gjedhjet e brendshme i kanë zëvendësuar me ‘mocione votëbesimi’ për kryetarin sa për të justifikuar pazaret politike për poste të larta në parti!
Iniciatorët e ‘votëbesimit’ janë mbështetësit më besnik të kryetarit të partisë!
‘Votëbesimi’ është loja më e pandershme që ka ndodhur ndonjëherë në LDK nga themelimi e deri në ditët e sotme!
Kjo lojë është e organizuar nga klani i Isa Mustafës për ta mbrojtur produktin e tij-Lumir Abdixhiku!
Në fakt, që pas vdekjes së liderit historik, LDK është në kërkim të një lideri karizmatik, por ndodhet shumë largë atij qëllimi, për shkak të largimit të figurave markante dhe themeltarët nga klanorët aktualë!
Beteja politike mes klaneve për kapjen e partisë e ka dobësuar aq shumë LDK-në, saqë vetëm një figurë e re mund ta bëjë kthesën e madhe në këtë subjekt politik!
Liderët lindin, ata nuk krijohen me stimulime dhe ndarje të partisë!
Partia nuk bashkohet me fjalë por më vepra!
Aktivistët dhe veprimtarët që i qëndruan besnik idealit të tyre, që dhanë gjithçka për LDK-në, nuk iu besojnë më klaneve dhe grupeve të interesit që e ndanë dhe përqanë partinë!
Ata që i dhanë shtëpisë emër nuk janë më pjesë e saj, vendet e tyre i zunë matrapazët dhe mercenarët, parashutistët dhe të ricikluarit politikë! Ata që sot e kërkojnë besimin në LDK janë njerëz pa themel dhe pa asnjë gjurmë rugoviane në LDK!
Ka ardhur koha që Lidhjen Demokratike të Kosovës ta udhëheqë një intelektual i kalibrit nga mërgata. Lideri i LDK-së duhet të jetë i vendosur dhe i guximshëm, përbashkues dhe unifikues i vlerave rugoviane i cili nuk është pjesë e klaneve dhe grupeve të interesit në LDK.
I tillë jam unë, e kam dijen, dëshirën, vullnetin, vendosmërinë dhe guximin për reformimin e thellë të LDK-së pa asnjë ambicie personale, me forcën dhe qëllimin hyjnor, me besim në Zot dhe elektorat për ringritjen e partisë.
Florim Zeqa, kandidat për kryetar të LDK-së!
Orsago (Itali), 17.07.2026
Ramiz Tafilaj, Houston, SHBA
Historia nuk përsëritet rastësisht. Ajo përsëritet kur harrohen mësimet e saj.
Sot, ndërsa Kosova vazhdon të jetë e zhytur në përplasje të pafundme politike, Serbia po dërgon mesazhe që nuk mund dhe nuk duhet të kalojnë në heshtje.
Deklarata e ministreshës serbe Snežana Paunović, e cila u raportua gjerësisht në media ndërkombëtare, se po të kishte qenë në vend të Slobodan Miloševićit gjatë luftës në Kosovë do të kishte kryer “spastrimin etnik” të Kosovës, nuk është thjesht një deklaratë e papërgjegjshme. Ajo është një alarm për gjithë rajonin. Është një kujtesë se ende ekzistojnë zëra në politikën serbe që përdorin një retorikë që kujton periudhat më të errëta të Ballkanit.
Nuk mund të ketë pajtim të vërtetë ndërmjet popujve kur një gjuhë e tillë del nga goja e një ministreje në detyrë. Aq më tepër kur mungon një distancim i qartë dhe bindës nga autoritetet më të larta shtetërore.
Shqiptarët nuk kanë nevojë t’u kujtohet se çfarë do të thotë spastrim etnik.
Ata e kanë jetuar atë.
Mbi një milion shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre. Mijëra civilë u vranë. Mijëra gra e vajza u bënë viktima të dhunës seksuale. Mbi 1,600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Këto nuk janë statistika. Janë plagë që ende nuk janë shëruar.
Prandaj çdo deklaratë që relativizon ose kujton atë ideologji duhet të dënohet pa asnjë mëdyshje.
Por ndërsa në Beograd dëgjohen deklarata të tilla, në Prishtinë vazhdojnë betejat për pushtet.
Kjo është tragjedia jonë.
Në vend që të flasim me një zë përballë sfidave strategjike, ne vazhdojmë të merremi me luftëra të brendshme. Çdo ditë që kalon pa institucione të konsoliduara dhe pa një unitet minimal kombëtar është një ditë që dobëson pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Asnjë parti politike nuk e ka fituar Kosovën.
Kosovën e fituan dëshmorët.
E fituan mijëra martirë.
E fituan qytetarët që sakrifikuan gjithçka për lirinë.
E fituan ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E fituan familjet shqiptare që mbijetuan dëbimin dhe terrorin.
E fituan miqtë tanë ndërkombëtarë që nuk qëndruan indiferentë përballë një katastrofe humanitare.
Prandaj askush nuk ka të drejtë ta përdorë këtë shtet si mjet për interesat e veta partiake.
Historia do të jetë shumë më e ashpër në gjykimin e saj sesa çdo elektorat.
Por përgjegjësia nuk mbaron në Prishtinë.
Edhe Bashkimi Evropian duhet ta pyesë veten nëse politika që ka ndjekur ndaj Kosovës ka qenë vërtet e drejtë.
Nuk mund të kërkohet vazhdimisht kompromis vetëm nga njëra palë.
Nuk mund të kërkohet dialog pa fund, ndërsa pesë shtete anëtare të vetë Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Republikën e Kosovës.
Ky është një paradoks që e dëmton seriozisht besueshmërinë e politikës evropiane.
Nëse Bashkimi Evropian beson se Kosova është pjesë e familjes evropiane, atëherë duhet të punojë seriozisht për një qëndrim të përbashkët të të gjitha shteteve anëtare.
Njohja e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse nuk duhet të jetë një temë që shtyhet pafundësisht.
Ajo duhet të jetë prioritet.
Jo për t’i bërë favor Kosovës.
Por për t’i bërë drejtësi vetë Evropës.
Edhe NATO ka një përgjegjësi politike.
Në vitin 1999 ajo shpëtoi një popull nga një katastrofë humanitare.
Sot vazhdon të garantojë sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it.
Megjithatë mbetet e pakuptueshme pse nuk ekziston një angazhim më i fuqishëm politik që të gjitha shtetet anëtare të Aleancës ta njohin Republikën e Kosovës.
Nuk është logjike që një aleancë ushtarake të mbrojë një shtet, ndërsa disa prej anëtarëve të saj vazhdojnë të mos e njohin atë.
Ky është një paradoks që duhet të marrë fund.
Kosova nuk ka nevojë për mëshirë.
Kosova nuk ka nevojë për lëshime të imponuara.
Kosova ka nevojë për drejtësi.
Ka nevojë për unitet.
Ka nevojë për institucione që vendosin interesin shtetëror mbi çdo interes partiak.
Historia e shqiptarëve ka dëshmuar se armiku i jashtëm ka qenë gjithmonë i rrezikshëm.
Por po aq i rrezikshëm ka qenë edhe përçarja jonë.
Sot Serbia pret pikërisht këtë.
Pret që shqiptarët të lodhen duke luftuar njëri-tjetrin.
Pret që bota të harrojë krimet e së kaluarës.
Pret që koha ta zbehë të vërtetën.
Por ne nuk kemi të drejtë ta lejojmë këtë.
Republika e Kosovës nuk është pronë e asnjë partie politike.
Ajo është amaneti i brezave që sakrifikuan jetën për liri.
Nëse nuk dimë ta mbrojmë me mençuri, me unitet dhe me përgjegjësi, atëherë nuk do të na falë as historia dhe as brezat që do të vijnë.
Sot është koha të zgjohemi.
Jo nesër.
Sepse historia nuk pret askënd.
Më 16 korrik 2026

Prof. Liron Krasniqi, filozof nga Prishtina
Me 14 Korrik 2026, sistemi prokurorial dhe ai kushtetues i Kosovës kanë shënuar një moment historik. Me dekretimin zyrtar të Zejnullah Gashit si Kryeprokuror i ri i Shtetit me mandat të plot shtatëvjeçar, i jepet fund një prej sagave më të gjata dhe më të debatuara politiko-juridike në Kosovën e pasluftës. Nënshkrimi i dekretit nga Albulena Haxhiu – në cilësinë e saj si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës – shënon jo vetëm plotësimin e pozitës më të lartë të ndjekjes penale, por edhe fillimin e një epoke të re kur pritshmëritë qytetare për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë janë në pikën e tyre kulmore.
KAPITULLI I: Nuanca Kushtetuese: Roli i Albulena Haxhiut si u.d. Presidente
Përpara se të analizohet profili i kryeprokurorit të ri, është thelbësore të sqarohet një detaj kritik kushtetues që karakterizon këtë dekretim. Shumë kush në opinionin publik mund ta njohë Albulena Haxhiun si Ministre të Drejtësisë, mirëpo akti i sotëm nuk është ndërmarrë nga pozita e kabinetit qeveritar. Që nga prilli i vitit 2026, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit dhe dështimit të Kuvendit për të zgjedhur një president të ri me konsensus, Albulena Haxhiu ka marrë një nga tri drejtimet kryesore të shtetit si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, në cilësinë e saj si Kryetare e Kuvendit. Rrjedhimisht, dekretimi i sotëm është një ushtrim i plotë i kompetencave të saj kushtetuese si kreu i shtetit. Albulena Haxhiu bëri të ditur se vendimi erdhi pas:
KAPITULLI II: Kush është Zejnullah Gashi? Portreti i Kryeprokurorit të ri
Zgjedhja e Zejnullah Gashit në krye të Prokurorisë së Shtetit nuk është rastësore. Gashi vjen në këtë detyrë pas një karriere të gjatë 26 vjeçare të shtrirë në shtylla kryesore të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë:
Në garën e fundit të zhvilluar gjatë muajve qershor dhe korrik të këtij viti, Gashi u vlerësua nga Paneli Vlerësues i KPK-së me pikët më të larta (91.6 pikë).
KAPITULLI III: Prapavija e Krizës: Pse Kosova mbeti 4 vite pa Kryeprokuror?
Për të kuptuar peshën e këtij vendimi, duhet kthyer koha pas te prilli i vitit 2022, ku përfundoi mandati i Aleksandër Lumezit. Këshilli Prokurorial i Kosovës pati propozuar asokohe Blerim Isufajn për këtë pozitë. Megjithatë, ish-presidentja Vjosa Osmani refuzoi ta dekretonte atë, duke përmendur shkelje procedurale dhe mungesë të meritokracisë në procesin e përzgjedhjes. Ky refuzim hapi një betejë të gjatë ligjore dhe kushtetuese. Edhe pas shpalljes së konkursit të ri në maj të vitit 2026 nga KPK-ja, pati rezistencë dhe padi në Gjykatën Administrative nga vetë Isufaj, i cili pretendonte se nominimi i tij i parë ishte ende ligjërisht në fuqi. Vendimi i guximshëm i Albulena Haxhiut për të ecur përpara me dekretimin e Gashit tregon një vullnet të qartë politik për të zhbllokuar sistemin, duke u bazuar në nevojën urgjente që institucionet e drejtësisë të kenë udhëheqje me mandat të plotë kushtetues dhe jo të përkohshëm.
KAPITULLI IV: Çfarë e pret Zejnullah Gashin në mandatin 7 vjeçar?
Kryeprokurori i ri merr detyrën në një moment kritik. Shoqëria kosovare dhe partnerët strategjikë si SHBA dhe BE kërkojnë rezultate të prekshme në fusha konkrete. Sfidat kryesore që shtrihen para tij përfshijnë:
PËRFUNDIME: Një epokë e re apo vazhdimësi e së vjetrës?
Dekretimi i Zejnullah Gashit nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu shënon fundin zyrtar të një tranzicioni të dhimbshëm katërvjeçar për drejtësinë kosovare. Ky akt dëshmon se kur ekziston vullneti kushtetues, institucionet mund të funksionalizohen pa pasur nevojë për zvarritje të pafundme. Megjithatë, testi i vërtetë për Gashin fillon nga tash. Mandati i tij shtatëvjeçar do të vlerësohet jo nga pikët që mori në konkurs, por nga numri i aktakuzave të suksesshme, profesionalizmi i prokurorëve nëpër salla të gjyqeve dhe aftësia për ta mbajtur politikën larg zyrave të Prokurorisë së Shtetit. Kosova ka hedhur hapin formal; tani radhën e ka drejtësia të flasë me vepra.