




Të botuara nga KOHA në një botim përmbledhës me titull “Politika serbomadhe prej Garashaninit deri te akademia”, ky libër për herë të parë sjell në një botim me 245 faqe, tekstet e plota të shqipëruara nga origjinali serbisht, i gjashtë programeve kryesore antishqiptare të Serbisë, nga “Naçertanie” (1844) deri te “Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë” (1986).
Burimi: “Politika Serbomadhe prej Garashaninit Deri Te Akademia”. (Greater Serbia politics from Garashaninin to the Academy)





/usalbanianmediagroup.com

Shqiptarët duke u përpjekur të mbroheshin në Lumë pas gjenocidit të ushtrisë serbe.
Disa mendime se si kanë menduar e mendojnë të na zhdukin,







Memorandumi i Vasa Çubriloviq për Dëbimin e shqiptarëve në PDF, shkarko: [ english ] dhe [ shqip ]
Xhelal Zejneli
– memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” –
Memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) akademiku dhe politikani serb Vasa Çubrilloviq e ka shkruar në vitin 1937 për qeverinë e kryeministrit të Mbretërisë së Jugosllavisë Millan Stojadinoviq (1888 – Buenos-Aires, 1961).
Në këtë memorandum apo elaborat, Çubrilloviqi i propozon mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar” me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Memorandumin e sipërthënë, Çubrilloviqi ia paraqit qeverisë së Beogradit më 7 mars 1937. Ky program, i cili të lë mbresën e një varianti të zbutur të procesverbaleve të Konferencës naziste të Vanze-it (Wannsee) më 1942, parashikonte një fushatë energjike për të shpopulluar Kosovën nga banorët shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar me kolonë serbë dhe malazezë.
* * *
Shënim: Vasa Çubrilloviqi (1897-1990) ka qenë historian dhe politikan gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë. Ka qenë pjesëtar i organizatës “Mlada Bosna”. Në vitin 1914 ka marrë pjesë në atentatin ndaj pretendentit të fronit Austro-Hungarez, arqidukës Franc Ferdinand (Archduke Franz Ferdinand, 1863 – Sarajevë, 1914). Ka qenë sekretar i Klubit Kulturor Serb* me seli në Beograd. Në vitet 1945-1950, në qeverinë e RPF të Jugosllavisë bëhet ministër i bujqësisë, më pas i pylltarisë. Më vonë bëhet dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1961 bëhet anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.
* * *
Memorandum të ngjashëm për “zgjidhjen” e çështjes së pakicave etnike në Jugosllavi, Çubrilloviqi hartoi edhe kah fundi i Luftës II Botësore për nevojat e pushtetit të ri komunist, duke i sqaruar atij se pikërisht tani është çasti i volitshëm për dëbimin e pakicave. Të njëjtën e bën edhe BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Po këtë janë gati ta bëjnë edhe vendet e tjera të Evropës që kanë pakicë gjermane të konsiderueshme.
Si duket, pushteti komunist i dëgjoi këshillat e Çubrilloviqit dhe në vitin 1945, nën akuzën se paskëshin qenë kolaboracionistë, dëboi nga Jugosllavia, kryesisht nga Vojvodina, rreth gjysmë milioni gjermanë apo Folksdojçerë.
Ai thotë: “Mund të mbahet vetëm ai territor që është i banuar me popullin tënd. Është detyrë imperativë e shtetit të mos lejojë që territorin e tij me rëndësi strategjike ta kenë në dorë elementet e huaja, e që ndaj nesh janë armiqësore”.
Çubrilloviqi e kritikon kolonizimin serb të deriatëhershëm të Kosovës, duke thënë se ka qenë joefektiv. Propozon metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare dhe thotë: “Gabimi themelor i pjesëmarrësve përgjegjës ka qenë fakti se problemet etnike në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm kanë dashur t’i zgjidhin duke zbatuar metoda perëndimore”. Në vend të kësaj, propozon që problemi të zgjidhte në mënyrë ballkanike:
“Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ndaj tyre, ne gjithmonë kemi qenë në epërsi”.
Çubrilloviqi i propozon mjetet e pastrimit etnik. Ai niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është “shpopullimi masiv i arnautëve”, d.m.th. shpërngulja masive apo dëbimi masiv i tyre. Për t’u realizuar shpërngulja masive, ai i propozon mjetet e trysnisë, si:
Krijimi i psikozës – Kushti i parë i trysnisë për shpërnguljen apo për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë apo në Jugosllavi është krijimi i psikozës. Për këtë arsye, së pari duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, duke e bërë për vete klerin shqiptar dhe njerëzit me ndikim të parisë, ose me para ose duke iu kanosur.
Trysnia e aparatit shtetëror – Mjet tjetër i parashikuar nga Çubrilloviqi është trysnia e aparatit shtetëror. Shteti, deri në skajshmëri duhet t’i shfrytëzojë ligjet në mënyrë që “sa më tepër ta vështirësojë ekzistencën e arnautëve te ne”. Për këtë qëllim ai i propozon qeverisë jugosllave: gjoba, burgosje, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha rregullave policore, dënim të kontrabandës, dënim për prerjen e pyjeve, ndërsimin e qenve, punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i përdorë një polici praktike.
Përpos trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe trysni ekonomike, si: mospranimi i tapive të vjetra; pezullimi i punës së kadastrave; caktimi i pamëshirshëm i tatimeve dhe i të gjitha borxheve – publike dhe private; sekuestrimi i kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; heqja e koncesioneve, e lejeve të punës për kafenetë, për tregtizat dhe për zanatet; sekuestrimi i lejeve monopoliste, largimi nga shërbimi shtetëror, nga shërbimi privat dhe nga ai vetëqeverisës, etj.
Për ta shtuar trysninë mbi popullatën shqiptare, ky akademik gjakpirës parashikon edhe masa sanitare, siç janë: zbatimi i dhunshëm i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve; shembja e mureve si dhe e mureve rrethuese të larta përreth shtëpive; zbatimi i përpiktë i masave veterinare me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj.
Çubrilloviqi propozon po ashtu edhe trysni që kanë të bëjnë me ceremonitë apo me ritualet fetare, siç janë: përndjekja e klerikëve; prishja e varrezave; ndalimi i poligamisë dhe zbatimi i përpiktë i ligjit që vajzat të shkojnë në shkollë.
Sipas Çubrilloviqit, përpos trysnisë shtetërore, duhet të ushtrohet edhe trysnia private. Në këtë mes, mund të bëjë shumë edhe nisma private. Ai propozon që kolonëve serbë dhe malazezë t’u jepet armë dhe që në Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve.
Në vijim, ky kriminel propozon që ndërmjet malazezëve dhe shqiptarëve në Metohi të shkaktohen konflikte. Të shkaktohen edhe rebelime lokale të cilat “me mjete efektive do të shuheshin në gjak”, jo aq me ushtri, sa me kolonët, me fiset malazeze dhe me çetnikët.
Një prej masave të këtij pseudo-akademiku është edhe djegia e vendbanimeve. Përveç mjeteve të lartpërmendura të trysnisë mbi popullsinë shqiptare civile, ai propozon edhe një mjet tjetër – djegien sekrete të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër qytete. Ai thotë se “këtë lloj trysnie, Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike pas viti 1878”.
* * *
Për shkak të gjendjes ekonomike dhe rrethanave në politikën e jashtme, memorandumin e Çubrilloviqit, qeveria e Millan Stojadinoviqit nuk ka mundur ta zbatojë tërësisht. Jetësimin e tij e ndali lufta e prillit e viti 1941 dhe shkatërrimi i Mbretërisë së Jugosllavisë. Për këtë arsye, memorandumi mbeti në arkiva dhe për të, vite me radhë nuk ka ditur kush, përpos një numri të vogël njerëzish.
Ide të ngjashme, përkatësisht plan që do t’i përfshinte të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë, në vitin 1944 Çubrilloviqi u ofroi edhe autoriteteve të reja komuniste.
Plani u zbatua vetëm ndaj pakicës etnike gjermane, e cila u dëbua për një, për të sjellë në vend të tyre popullsinë sllave, kryesisht serbë dhe malazias.
Më vonë, Çubrilloviqi u bë anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Elaborati i tij “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) u shlye nga biografia zyrtare e tij. Në biografinë e tij nuk përmendet as memorandumi i ngjashëm i mëvonshëm që iu prezantua autoriteteve komuniste.
Për memorandumin e Çubrilloviqit, opinioni ndërkombëtar mësoi për herë të parë në vitet ’60 të shekullit XX. Në këtë kohë, ky elaborat ra në duart e autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet jugosllave e mohuan ekzistimin e tij, por ai filloi të qarkullojë në radhët e historianëve, sidomos atyre kroatë.
Për “Dëbimin e shqiptarëve” të Çubrilloviqit, opinioni në Jugosllavi mësoi për herë të parë kur disa pjesë të tij u publikuan në janar të viti 1988 në gazetën “Borba” të Beogradit. Pak më vonë, memorandumi i sipërthënë u publikua edhe në revistën “Start” të Zagrebit.
Publikimi i memorandumit shkaktoi skandal në opinionin jugosllav, për arsye se me këtë dëmtohej jo vetëm reputacioni i Çubrilloviqit, por edhe i nobelistit Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitet ’30 të shekullit XX i ka mbështetur planet antishqiptare të historianit.
Më vonë, teksti shpesh është cituar si një prej dokumenteve themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që u përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nga autoritetet serbe për pastrimin etnik të shqiptarëve, të boshnjakëve dhe të kroatëve.
Disa autorë konsiderojnë se planin e Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, Millosheviqi tentoi ta realizojë në vitin 1999 gjatë operacionit ”Patkoi”. Vojvoda i çetnikëve Voisllav Sheshel (1954- ) deklaronte zëshëm: “Shqiptarët do t’i dëbojmë përtej Bjeshkëve të Nemuna”.
* * *
Shënim: Klubi Kulturor Serb ka qenë organizatë politike serbe me orientim patriotik dhe kombëtar. U formua në Mbretërinë e Jugosllavisë në vitin 1937. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e saj paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, që ishte lëvizje çetnike. Klubi u formua prej intelektualëve të njohur. Shkas për formimin e kësaj organizate ka qenë “pozita gjithnjë më e pabarabartë e serbëve në shtetin jugosllav”. Kuvendi i parë i Klubit u mbajt në Beograd më 4 shkurt 1937. Një prej parullave të tij ka qenë: “Serbizëm i fuqishëm në Jugosllavi të fuqishme”.
Klubi i lartpërmendur thotë: “Vetëm hapësira etnike serbe në Jugosllavi nuk është shënuar me kufij. Është koha që kjo të bëhet, meqë s’është bërë në vitin 1918. Hapësira serbe që do të shënohej me kufij, do të kishte kufij të ngjashëm me kufijtë e Serbisë së Madhe”. Anëtarët e Klubit ishin të pakënaqur me “shpërfilljen e identitetit serb në favor të kombit jugosllav” si dhe me krijimin e Banovinës së Kroacisë.
Kryetar i Klubit ishte profesori dhe akademiku Sllobodan Jovanoviq (Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Sekretar i Klubit ishte Vasa Çubrilloviqi. Në maj të vitit 1939, Klubi kishte rreth 500 anëtarë. Sllobodan Jovanoviqi ka qenë jurist, historian, letrar dhe politikan serb. Në vitet 1941-1942 ishte nënkryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë. Në vitet 1942-1943 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë në Londër. Në vitet 1897-1940 – profesor në Universitetin e Beogradit, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, rektor i Universitetit të Beogradit, profesor i të drejtës publike dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd.
Shumë pikëpamje të Memorandumit famëkeq të viti 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve përputhen plotësisht me ato të Klubit Kulturor Serb. Ati shpirtëror i Memorandumit të ASShA-së të vitit 1986 ishte akademiku Dobrica Qosiq (1921-2014), i konsideruar pater patriae.
Akademikët serbë vendnumërojnë. Të verbuar me të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, ata ndodhen në anën e kundërt të demokracisë.
Tomë Mrijaj
Të nderuar të pranishëm,
E quaj një nder të veçantë këtë fjalën time para jush, një auditori të vogël, por tejet cilësor të dashamirësve të vullnetshëm të ngjarjeve të këtij lloji në jetën kulturore të këtij institucioni të rëndësishëm të kryeqytetit tonë, me rastin e paraqitjes së librit tim të gjashtë në fushën e publiçistikës, i katërti i botuar nga Uet Pres që nga viti 2007 e që mban titullin “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”.
Dua t’a filloj fjalën time me një falënderim të ngrohtë e tejet të sinqertë për shtëpinë botuese Uet Pres e zotin Henri Çili, së bashku me stafin drejtues të saj, që kanë mirëpritur e botuar katër vëllimet e mija. Dua të falënderoj nga zemra gjithashtu redaksitë e gazetave Mapo e Gazeta Liberale, zotërinjtë Alfred Lela, Fitim Zekthi, Arion Sulo, Elvis Iljazaj e Reldar Dedaj, për gatishmërinë dhe mirëkuptimin që kanë dëshmuar kundrejt meje në botimin e shkrimeve në vitet e shkuara, pa vënë në diskutim asnjëherë përmbajtjen e tyre. E konsideroj këtë fakt si dëshmi të frymës së lirë e liberale të atyre fletoreve e, sigurisht edhe të zotit Henri Çili si drejtues. Do të desha të shtonja në këtë listë kolegësh edhe emrat e zonjave Elsa Demo e Admirina Peçi, të cilat më kanë botuar shkrimet para Mapo-s apo Gazetës Liberale në gazetat Shekulli e Shqiptarja.com. e po ashtu edhe çiftin Skënder dhe Elida Buçpapaj për vënien e shkrimeve në portalin Voal.ch në Zvicër e të ndjerin Gazetar Dalip Greca, për një bashkëpunim 20 vjeçar në gazetën “Dielli” e pasardhësin e tij Sokol Paja në po të njëjtin organ të shtypit. Bashkëpunimi me këta zotërinj e zonja të nderuara ka qënë për mua një motiv kënaqësie të brëndëshme, mbasi ajo jetë e gazetarit filloi kur isha gati në gjysmë shekullin e jetës, një kohë jo shumë premtuese, për profesionin e publiçistit, duke mbajtur parasysh se vija nga një jetë e vështirë në të cilën kisha ushtruar vetëm punën e krahut që nga mosha e rinisë së parë.
Madje në këtë hulli dua të jem i sinqertë para jush se, si pasojë e kujdesit të zonjës fisnike Suela Bala, së cilës i jam shumë mirënjohëse për çuarjen e vëllimit tim “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare” në konkursin At Zef Pllumi, pata kënaqësinë të fitoja edhe vlerësimin e zhurisë përcaktuese të çmimeve t’atij konkursi.
Profesioni i publiçistit në shoqëritë e hapura, në të cilat ai zhvillohet lirisht e pa kushtëzime të çdo forme, është ndër më të rëndësishmit e jetës kulturore të çdo vendi. Kjo jo vetëm për përcaktimin si “pushteti i katërt”, siç quhet rëndom përsa i përket rolit të tij në hierarkinë e vlerave shoqërore e kulturore të një shoqërie, por edhe për funksionin rregullues në formimin e ideve të saj me parimet e drejta të një kombi, përsa i përket vlerave të trashëguara nga historia e tij dhe atyre të huajtura nga qytetërimet e tjera, kryesisht ai perëndimor.
Në Vendin tonë, megjithë vështirësitë e trashëguara për gati një gjysmë qindvjeti të regjimit komunist, në të cilin publiçistika kishte funksionin e zëdhënësit të tij, në të gjitha format e në të gjithë drejtimet, me tjetërsimin e sistemit, mendoj se ka paraqitur një fytyrë të re, në përputhje me kërkesat e reja të lirisë së mendimit e interesimit më të madh për ndodhitë botërore, ndoshta edhe më të përparuar se mesatarja e asaj të masës së përgjithëshme të shoqërisë. Sigurisht, n’atë drejtim ka edhe mangësi, që përcaktohen nga koncepte që vazhdojnë të mbeten të lidhura me një të shkuar, nga e cila fatkeqësisht, nuk po jemi në gjëndje të shkëputemi plotësisht, si pasojë e disa bindjeve të ngulitura thellë në nënëvetëdijen, kryesisht të pjestarëve të brezit tim, por edhe për ndikime të reja të dëmëshme, të huajtura nga konjuktura të ndryshme marrëdhëniesh me jashtë.
Publiçistika ka në përbërje të saj mjaft elemente të artit dhe dikush e ka krahasuar, për rëndësinë e saj, me oratorinë në botën e lashtë greko-romake. Si e tillë edha asaj, në punën e saj, i takon të verë në jetë një mësim monumental të “veprës teatrale edhe më popullore, edhe më të thellë që luhet në skenë”, tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit. Kryeja e artit dramatik botëror, nëpërmjet gojës së personazhit kryesor të veprës së tij, princit të Danimarkës, n’a ka lënë këtë përcaktim, sa të thellë po aq madhështor për të gjithë shërbyesit e artit:
“Qëllimi i artit, i cili që në krye e gjer tani ka qënë e është: të bëhet pasqyrë e natyrës dhe t’i tregojë fytyrën e vet virtytit, pikturën e vet poshtërsisë, dhe formën e vulën e tyre njerëzve dhe shoqërisë së një periudhe.”
Këto fjalë të Shekspirit gjenial, shëmbëlltyra të detyrave të artit të madh, mendoj se duhet të jenë “besojma” edhe e idhtarëve të publiçistikës, ndoshta më shumë e tyre në profesionin dhe shtegtimin në misionin, tepër të dobishëm që kanë marrë përsipër. Në këtë kuadër, do të mundohem të paraqes me pak fjalë veprën time të fundit “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”. Duke falënderuar përzemërsisht zotërinjtë parafolës, Henri Çili, Nevila Nika, Marçel Hila, Fjoralba Caka, Klajdi Lulollari, Elsa Demo, veçanërisht studjuesen e talentuar Suadela Balliu, për paraqitjen e librit dhe akoma më shumë për parathënien e thukët e tejet të goditur, për të cilën i kam kërkuar vetë mirësinë e shkrimit, simbas zakonit të këtyre paraqitjeve, më duhet edhe mua të mundohem të shtoj diçka në përceptimin tuaj, në orvatjen për të ju shtyrë sadopak të gjeni kohë e dëshirë për të lexuar këtë libër.
Ky vëllim, ashtu si dy të tjerët, të botuar më parë nga Uet Pres, “Demokratura shqiptare në sytë e një të mërguari” dhe “Thinjat e atdheut”, ndahet në kapituj, ku secili paraqet shkrime që përafrohen si tematika e, në larminë e tyre, marrin përsipër të trajtojnë ngjasime idesh. Në këtë vëllim janë përfshirë njëmbëdhjetë të tillë, në të cilët rradhiten nëntëdhjetëegjashtë shkrime në 475 faqe. Titulli i librit i bën jehonë kohës në të cilën jetojmë, fillimit të një mijëvjeçari, që quhet i treti në historinë e njerëzimit. Quhet kështu sepse kufiri i ndarjes së epokave u pranua botërisht lindja e Jezu Krishtit. Idhtarët e marksizëm-leninizmit për gati një shekull u mësuan brezave se koha historike
përcaktohej me erën e re dhe erën e vjetër, duke anashkaluar vitin zero që i ndante këto era. Ne u rritëm me këtë përcaktim e ka ende ndonjë shkrivan që vazhdon t’i përdorë këto terma, duke dëshmuar se shpëlarja e truve në regjimin komunist, ka qënë një proçes i thellë që ka lënë gjurmë në brezat, duke ngulitur fuqishëm dogmat e tij. Sidoqoftë përkatësia kësaj kohe, në kapërcyell të mijëvjeçarëve, është diçka shumë e veçantë që i takon njerëzimit një herë në njëmijë vite. Prandaj në këtë drejtim mund të quhemi fatlumë.
E konsideruam veten të tillë në vitin 1990, kur një mrekulli e Perëndisë shkërmoqi komunizmin në Evropë, për pasojë edhe në Shqipëri. I pritëm ata çaste si mesazh hyjnor për t’ardhmen tonë, duke n’a dhënë ndiesinë e ëndërrimit të një shteti e një shoqërie “si e gjithë Evropa” që, për herë të parë mbas një gjysmë mijëvjeçari, shihej si ”Toka e premtuar”, mbas vendimeve të saj në fillimet e qindvjetorit të fundit të mijëvjeçarit të dytë, të cilët gjymtuan njëherë e përgjithmonë Shqipërinë si bashkësi etnike, shoqërore e historike. Pritmëria u sendërtua pjesërisht, kryesisht për mungesë të një klase politike jo në lartësinë e detyrës, prodhim i variantit më të keq të komunizmit skajor lindor, por pjesërisht edhe për llogaritë e pafund të Evropës së këtyre tre dhjetëvjeçarëve kundrejt Ballkanit. Sot jemi në NATO, fuqia më e madhe ushtarake e gjithë historisë së njerëzimit, ndoshta një mburojë e qëndrueshme kundrejt synimeve të një ish koloneli të shërbimeve sekrete ruse që, në krye t’atij shteti ëndërron të krijojë një kontinent nën vartësinë e tij, nëpërmjet raketave e bombave….
Jemi përsëri një komb i ndarë territorialisht në pesë shtete, edhe se Kosova ka pavarësinë e saj, një dhuratë e NATO-s, në një çast bujarie të pazakontë, në hullinë e mbrojtjes edhe me armë të qenësisë së një populli, në rrezik të zhdukjes fizike nga dhuna e një populli fqinj të tij. Kjo qe ajo që n’a solli kapërcyelli i mijëvjeçarëve. Krahas kësaj ne pësuam braktisjen e Vëndit tonë, me pasojat pohenike e johenike që do të përcaktojnë pritmëritë tona. E ardhmja mbetet, si gjithmonë, një e panjohur edhe se rruga drejt Evropës duket sot si më e mundëshme për t’u përshkuar, në krahasim me njëzet vite të shkuara. Por problemi kombëtar mbetet, me gjasë, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i përngjan një përfytyrese të largët e të pasendërtueshme. Ndoshta kjo, në një farë mënyre, edhe për mungesën e një vullneti të brëndshëm, të mpakur që në zanafillë nga statu quotë e luftës së dytë botërore, të kthyera në tabu, edhe se jo gjithmonë të respektuara nga historia e tridhjetepesë viteve të fundit në Evropë.
Por sigurisht, kjo gjëndje është përcaktuar nga zotërimi në Evropën politike i psikozës së ankthit sërbo-rus kundrejt “Shqipërisë së madhe”, që ende sot valëvitet si gogol në diplomacinë ndërkombëtare, duke paralizuar çdo nismë të politikës rakitike shqiptare që në embrion. Çuditërisht fqinjët tanë të veriut, lindjes e jugut kanë harruar se deri në vitin 1912, popullsia shqiptare, autoktone në trojet e saj, të përmbledhur në katër vilajetet e Janinës, të Shkupit, të Kosovës e të Shkodrës, jetoi për shumë qindra vite në paqe me ata, pa krijuar probleme. Ndërsa ata, me instiktin e tyre grabitqar e shtazarak, në tetorin e atij viti, u vërsulën të gjithë së bashku si çakejtë për të rrëmbyer
me forcën e ushtrive trojet mijëvjeçare shqiptare, duke shkaktuar tragjedinë më të madhe historike të kombit tonë. Në kundërshtim me të gjithë ligjet e normat e moralit e të drejtësisë historike, këta pushtime u ligjëruan nga vendime të Evropës, sa të padrejtë po aq të pamoralshëm, në konferenca të ndryshme të diplomacisë evropiane në Londër, në Firence e në Paris, duke dënuar në përjetësi aspiratën e kombit tonë për të jetuar i bashkuar në trojet e tij. Ata e trajtuan Vëndin e Skënderbeut me logjikën e kancelarit prusian, Otto von Bismarkut, duke shkelur mbi kujtesën historike të mbrojtjes së Evropës së krishterë nga epopeja shqiptare e shekullit të artë të Gjergj Kastriotit.
Brezi i themeluesve të shtetit shqiptar të pavarur, ai i kombëtaristëve të Shqipërisë etnike, që sendërtoi bashkimin e trojeve shqiptare nën një administratë të përbashkët, edhe se në kuadrin e një lufte botërore e nën pushtim, u masakrua pa mëshirë nga fituesit e luftës, që flijuan ëndrrën shqiptare të shekullit për hir të një ideologjie kundërshqiptare e të pushtetit të tyre të verbër e të nënështruar komunizmit ndërkombëtar. Pasojat qenë shkatërrimtare në të gjithë drejtimet e, kryesisht, në pamundësinë e plotë për të përsëritur përvojën e sendërtimit të ”ëndrrës shqiptare”.
Këto janë temat që zënë ndër vendet më kryesore në librin tim. Ndoshta nuk janë shumë “moderne”, por kërkojnë të sjellin para lexuesit ata probleme që trashëguam nga shekulli i shkuar, e për të cilat ka rënë një mburojë hermetike mes nesh e në botën e jashtëme. Ata përbëjnë thelbin e qenësisë së kombit, që është shumë më i lashtë se ne e që do të mbetet i pavdekshëm edhe kur ne do të largohemi nga kjo botë. Me gjithë vështirësitë, në dukje të pakapërcyeshme, ne duhet të bindemi se fuqia e jonë si popull, përparimi e roli i ynë në botë varen, më shumë se sa mund t’a përfytyrojmë ne, nga bashkimi kombëtar. 28mijë kilometrat katrorë, në të cilët është e detyruar Shqipëria të jetojë, nuk mund e nuk duhet të përfaqësojnë kufirin e fundit të qenësisë sonë si komb.
Shqipëria etnike, para më shumë se një shekulli, kishte 50 mijë të tilla, e ne nuk duhet të pajtohemi mendërisht e shpirtërisht me realitetin tonë të sotëm, që është vepër e fqinjëve tonë të pandershëm, e negligjencës së diplomacive të huaja, dhe e gabimeve tona të pafalëshme në një periudhë tejet kritike të qënies sonë si bashkësi. Bashkimi i kombit duhet të mbetet gjithmonë synimi kryesor i qënies sonë si popull. Përpjekja për t’i a arritur atij, duhet të jetë e përherëshme, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk po kërkojmë asgjë më shumë se sa të drejtën tonë natyrore, që na e siguron historia e gjuha e jonë, tradita atdhetare e paraardhësve tanë, që nuk nguruan në çaste kritike të qënies sonë të ngrinin lapidarë gjuhësorë:
“Qysh prej Tivari deri n’Prevezë
Gjithkund lshon dielli vapë edhe rezë
Asht toka e jonë, t’parët na e kanë lanë
Kush mos t’na e prekin se desim të tanë!”
Bindja e rilindësve tanë duhet të gjejë vendin e saj të nderuar edhe në brezin tonë, edhe n’ata të ardhmit. Mbas gati tetëdhjetë vitesh që kemi hequr dorë prej saj, duhet të rikthehemi përsëri tek ajo, sepse e kemi në gjak, në ëndrrat, në të drejtën hyjnore, në
detyrën tonë si krijesa njerëzore. Duhet të ndërgjegjësohen për këtë realitet së pari politikanët tanë, duke e shtruar problemin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trojet jashtë kufijve të saj ku jetojnë shqiptarë, të marrin guximin për të folur mbi problemin, të kërkojnë mirëkuptimin e botës demokratike me arsye, vullnet, argumenta e besim në të drejtën e tyre. Kjo duhet të jetë detyra e parë e madhe e veprimtarisë së tyre, krahas mbarështimit të shteteve e përparimit të tyre. Por, për t’i a arritur në mënyrë të vetëdijshme sendërtimit t’asaj detyre , duhet të studjojnë historinë e vërtetë të Vendit të tyre, sidomos të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë e të përvehtësojnë idealet e paraardhësve të tyre, që kanë flijuar gjithshka që kishin, personalitetin, madje edhe jetën, për kombin e bashkuar, për “Shqipërinë zonjë”.
Sigurisht kjo detyrë që duhet të marrim të gjithë përsipër, secili brënda mundësive të veta, paraqet vështirësitë e saj edhe të jashtëzakonshme, sepse kanë kaluar shumë vite në këtë gjëndje ndarjeje, e shqiptarët janë konsoliduar si qytetarë të Vendeve të tjerë si Greqia, Maqedonia, e Mali i Zi. Trysnia e ushtruar mbi ta në gjithë këta dhjetëvjeçarë, ka ndikuar në bindjet e ndiesitë e tyre. Tani ndoshta është krejtësisht i pasendërtueshëm bashkimi i Çamërisë, i krahinave shqiptare të Maqedonisë apo të Malit të Zi me dheun “amë” edhe se e drejta qëndron në atë anë. Tani shpresa e shqiptarëve është hyrja n’Evropë. Nëse ajo hyrje nuk do të ndihmonte bashkimin e krahinave të mësipërme me Shqipërinë, besoj se do të sillte një gjëndje të favorshme për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mjafton që këtë bashkim t’a kërkojnë me vendosmëri, e në mënyrë të kulturuar e paqësore popujt e dy shteteve. N’atë rast besoj se nuk do të ketë pengesa të pakapërxyeshme në sendërtimin e ëndrrës, edhe se jo në plotësinë e saj. Le të shpresojmë se një ditë, jo shumë të largët, do të festojmë arritjen më të rëndësishme të jetës kombëtare të shqiptarëve në mijëvjeçarin e tretë.
Si autor i librit që po paraqitet sot, ju kërkoj ndjesë për këto fjalë të mija që ndoshta nuk i prisnit, që mund të trazojnë mendimet e juaja të përditëshme. Por ato janë pasqyrim i ideve të trajtuara në një pjesë të mirë të shkrimeve të këtij libri. Si të tilla ato kanë hyrë në thellësi të qënies sime, të ngulitura nga tradita e familjes e, kryesisht, e gjyshërve të mij, Mustafa Kruja e Sotir Gjika. Këto ide kanë ushqyer vitet e jetës sime nën regjimin komunist, edhe se atëherë nuk mund t’i shprehnja. Sepse quajta atdhetar gjyshin tim, Mustafa Krujën, në një bisedë një për një me një shokun tim të fëmijërisë në kampin e internimit, e pata atë si një akuzë kryesore në proçesin gjyqësor që u zhvillua mbas disa vitesh. Madje atë ditë që u arrestova, pyetja që më bëri shefi i Sigurimit të rrethit Lushnjë qe kjo: “Ti je nip i Mustafa Krujës?” Përgjigjes time pohuese ai i shtoi fjalët e zakonëshme: “N’emër të popullit je i arrestuar!”.
Pra i kam paguar me internime pa fund e vite burgu këto ide, por jam krenar për gjyshërit e mij, sepse jam marrë gjatë me përgatitjet për botim të shkrimeve të tyre, Sa më shumë i lexoj, aq më shumë bindem se ata i kanë shërbyer vetëm një ideali: Shqipërisë etnike, lartësimit e përparimit të saj.
Ajo krenari shtrihet edhe tek shumë bashkëvuajtës e bashkëkombas të mij, të cilëve u kam kushtuar një kapitull më vete: “Motive krenarie shqiptare”. Atë krenari e kam ndjerë në galeritë e minierës së Spaçit e në mjediset e atij kampi dënimi me punë të detyruar, në kontakt të përditshëm me njerëz, kryesisht të rinj, që kishin pranuar të vuanin dhjetë vite burg, për të shmangur rolin e spiunit që, nëpërmjet kallzimeve të tij, më shumë të pavërteta se sa të vërteta, shkaktonte fatkeqësitë e shokëve e familjeve të tyre. Janë shëmbuj të cilët nuk gjinden në botën perëndimore, ku jetoj prej 33 vitesh.
Ne, publiçistët jemi të prirur më shumë të vemë në dukje mangësitë apo të metat e shoqërisë, të shtetit, apo të popullit tonë. Kjo hyn në praktikën e profesionit, madje mbetet një detyrë e kërkuar prej tij, për t’u munduar për të dhënë një ndihmesë, sado të vogël, në ndreqjen dhe shmangien e tyre. Por, po ashtu detyrë e jona është të nxjerrim në pah edhe virtytet, kur ata shfaqen, edhe mirësitë, edhe sukseset, edhe forcën e karakterit të bashkëkombësve tanë.
Me këtë bindje, që është një nga besojmat e mija, po e mbyll fjalën time, me një falënderim të madh nga zemra, për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë e tepër të këndëshme që mbyll botimin e librave publiçistikë të jetës sime, e me një urim po aq të madh për ju dhe familjet tuaja, kryesisht për sukseset tuaja në t’ardhmen e në të tashmen, gjithmonë në dobinë e atdheut tonë e të njerëzve të tij.
Faleminderit
Tiranë, 12 prill 2024

Jeta Zymberi, redaktore në KultPlus
Kur Janet Reineck dëgjoi për herë të parë tingujt e muzikës shqipe në Smotra të Zagrebit, ajo nuk e dinte se sa thellë do të depërtonte tek ajo kjo melodi e huaj. Kjo muzikë nuk ishte thjesht tingull, por shumë shpejt do të shndërrohej në udhëtimin e saj drejt fillimit të njohjes së një bote të re, drejt Kosovës.
Vallëzimi e muzika shqiptare ishin kontakti i parë me Kosovën, dhe ftesa për një vizitë në këtë vend, ishte ftesë për një jetë të re që ajo as nuk e kishte imagjinuar. Kontakti i parë me tokën e Kosovës ishte një dashuri si duket e përjetshme për Janet Reineck, një amerikane që u impresionua nga jeta në fshat, nga pitet e veçanta të Rugovës e specat me gjizë, nga dasmat, vallet, muzika, jeta në bashkëjetesë, gjuha, mikpritja, dashuria e respekti mes njerëzve, gjëra që e mbajtën atë të lidhur brenda historisë së kësaj toke.
Për Janet, kjo botë e re ishte shkolla më e rëndësishme e jetës dhe shtysë që ajo të kthehej në Kaliforni për të kërkuar grant përmes të cilit do të zhvillonte hulumtim në Kosovë dhe do të realizonte doktoratën e saj në Antropologji për Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

Jeta e grave të cilat nuk guxonin të dilnin jashtë dyerve të shtëpisë, për Janet ishte shumë intriguese, por ajo i shijoji ditët me këto gra e u bë pjesë e sfidave të tyre. Si një grua plotësisht e lirë e cila kishte ardhur e vetme nga Amerika, ajo u mundua të ju mësoj lirinë, fjalën, shkollimin e të drejtat e tyre.
Për 8 vite në Kosovë, midis 1981 dhe 1997, ajo i përfundoi hulumtimet për një Master në Etnologjinë e Valleve (UCLA) dhe një Ph.D. në Antropologji (UC Berkeley).

Hulumtimi i saj Master ishte i fokusuar në vallet dhe zakonet e Kosovës rurale, duke përfshirë Hasin, Rugovën dhe Gollakun, me fokus në traditën e pasur të Opojës me këngë-vallet e saj të grave dhe ciklin e 11 valleve të burrave, Kellçoja. Disertacioni i saj “E kaluara si strehë: Migrimi gjinor dhe ideologjia ndër shqiptarët e Kosovës” është një studim i detajuar i zakoneve dhe botëkuptimit shqiptar.
Përgjatë këtyre viteve, Janet u largua disa herë nga Kosova, por asnjëherë nuk u shkëput tërësisht. Secilën herë që kthehej, ajo vinte me një mision.
Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ajo realizoi rreth 4000 fotografi, 25 orë video, dhe histori të shumta, ajo u bë një kontribuuse e pashoq në përforcimin e historisë së Kosovës.
Pamjet e viteve të luftës në Kosovë, Janet i pa nga Santa Barbara bashkë me prindërit e saj. Por kontributin për Kosovën u mundua ta jap në çdo vend e rrethanë.
Vitit 2002 e riktheu në Kosovën e lirë. Edhe sot, Janet është e befasuar nga transformimi i këtij shteti të dalë nga lufta. Por ajo nuk e mohon që ka ende shumë punë për tu bërë. Madje, ajo ja ka dhënë edhe një mundësi vetes për të kontribuuar në Kosovë e të cilën na zbulon gjatë bisedës.

Në këtë intervistë të veçantë për KultPlus, Janet zbulon shumëçka, ajo ndër të tjera rrëfen se Kosova për të është më shumë se një destinacion. Është një histori që nuk ka fund, një mundësi tjetër për të kontribuar në zhvillimin e kësaj toke dhe për të rënë në dashuri me të përsëri.
Deri në rikthimin e saj të radhës, “Xhamadani vija-vija” e “Moj Hatixhe” janë vetëm disa nga këngët shqiptare që ajo po vazhdon t’ua mësojë grave në Amerikë e Francë, atje ku antropologia po vazhdon rrugëtimin e saj në shpalosjen e vlerave e traditave shqiptare.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për Kosovën dhe si ju sollën vitet ’80 në këtë vend, i cili dikur ndoshta ka qenë krejtësisht i panjohur për ju?
Unë isha duke studiuar Etnologjinë e Kërcimit në UCLA dhe kisha udhëtuar në Ballkan, duke kërkuar për një temë për hulumtimin tim të masterit. Në verën e vitit 1980, takova kërcimtarë shqiptarë në Smotra të Zagrebit dhe u mahnita menjëherë nga vallet dhe muzika shqiptare. Disa valltarë më ftuan të vizitoja fshatin e tyre Germovën, afër Vitisë.
Në përshkruaj kontaktin e parë me vendin tonë dhe cilat ishin gjërat e para me të cilat u ballafaquat?
Mora trenin për në fshatin e tyre ku po bëhej një dasmë. Në moment më bëri përshtypje tubimi i vajzave, këngët dhe vallet, festa. Më ftuan të qëndroja me një familje dhe e adhurova stilin e jetesës shqiptare që po e shihja për herë të parë: ulur rreth sofrës duke ngrënë pite, duke pirë çaj në oda, të gjithë ngriheshin në këmbë për të përshëndetur mysafirët. E adhurova tingullin e gjuhës shqipe, muzikën, afërsinë e njerëzve. U ktheva në Kaliforni dhe aplikova për një grant Fulbright për të bërë hulumtim në Kosovë. M’u dha granti në pranverën e vitit 1981. Për shkak të telasheve të asaj kohe, më duhej të prisja 6 muaj për të marrë lejen për të ardhur në Kosovë.
Një grua nga një prej vendeve më të zhvilluara në botë, vjen në një vend të vogël si Kosova, dallimet sigurisht si dita me natën, si i perceptoje gjërat fillimisht dhe çka tu duk më e pabesueshme?
U vendosa në një familje në Bregun e Diellit në Prishtinë, dhe u bëra pjesë e një lagjeje e cila ishte një përzierje e familjeve nga qyteti dhe fshati. E adhurova çdo gjë rreth njerëzve dhe stilit të jetës. Më e pabesueshmja? Gjërat më të thjeshta – mikpritja dhe ngrohtësia e njerëzve, të cilën e përjetova gjatë vizitave të përditshme në familje.

Traditat, doket e zakonet shqiptare konsiderohen si mjaft te veçanta, po për ju si ishin, të dhanë mjaftueshëm material për studimin tënd?
Një nga miqtë e mi të parë ishte Dushe Gjevukaj nga Rugova, e cila po studionte për infermieri në Prishtinë. Ne shkuam disa herë të vizitonim familjen e saj në Kuqishtë. Nëna dhe babai i saj ishin ata që unë i quaja shqiptarë ideale – të përulur, të fortë, punëtorë, të zgjuar dhe të dashur. Pranvera ishte e mrekullueshme! Dimrat ishin aq të ftohtë, sa më mbështillnin kokën me pulovër që truri im mos të ftohej. Ishte e mrekullueshme të ishe pjesë e jetës së tyre në fshat, duke e përjetuar stanin ku bëheshin produktet e qumështit, duke ngrënë piten e veçantë të Rugovës dhe speca me gjizë. Kam pasur nderin të takoj edhe tezen e Dushes Mire, një virgjëreshë të përbetuar që bënte jetën e burrit, bariut, e respektuar nga familja dhe rrethi.
Pozita e gruas në shoqërinë tonë, kur kthehemi te vitet 80’ – 90’ nuk ishte aspak e mirë, gra që shpesh e kishin të ndaluar të dilnin edhe deri tek dera e oborrit, si i perceptoje këto rrethana, ishin të pakapshme për ju si një grua që kishte ardhur vetëm në një vend krejtësisht të panjohur?
Kam kaluar vite duke u njohur me shqiptarët, duke përfshirë shumë gra që nuk dilnin jashtë oborrit të tyre përveç për dasma apo raste të veçanta. Është një pyetje delikate dhe meriton një diskutim të gjatë e të menduar. Përvoja ime ishte se në një familje patriarkale, familje të zgjeruar, lumturia e një gruaje varej më shumë nga marrëdhënia e saj me vjehrrën dhe me nuset e tjera në familje, sesa me burrin. Shumë nga gratë që njihja ishin më të lumtura se shoqet e mia amerikane, NËSE ato kishin një vjehërr dhe burrë të mirë – sepse ato nuk ishin kurrë vetëm. Ato mund të lulëzojnë në rolin e tyre si nuse, grua dhe nënë dhe ishin të respektuara nga rrethi për përmbushjen e këtyre roleve. Shumë gra në brezin e vjetër ishin më të lumtura në martesat e rregulluara se sa gratë në martesat amerikane, sepse martesa kishte një kuptim krejtësisht të ndryshëm me pritshmëri të ndryshme. Nga ana tjetër, nëse gruaja ishte e pakënaqur në martesë ose familjen e saj të gjerë, ajo ishte e bllokuar dhe në një situatë të keqe – si në Amerikën e viteve 1950.

Studimi juaj “E kaluara si strehë: Migrimi gjinor dhe ideologjia në mesin e shqiptarëve të Kosovës” duket të jetë një hulumtim i thellë në realitetin shoqëror dhe kulturor të Kosovës. Çfarë gjetjesh interesante dhe emocionuese keni bërë gjatë këtij studimi?
Në vitin 1986 u ktheva në Kosovë për të bërë hulumtime për doktoratën time në Antropologji për Universitetin e Kalifornisë, Berkeley. Në atë kohë, kisha lirinë për të udhëtuar në gjithë Kosovën dhe për të bërë hulumtime të thelluara në Opojë dhe Has. Hulumtimi u bazua mbi përvojat e mia me familjet dhe shumë intervista me njerëz për të kuptuar botëkuptimin e tyre. Pyeta burra të vjetër rreth historisë, organizimit të familjes së zgjeruar dhe traditat e Kanunit. Pyeta gra të moshuara për martesën dhe rolin në jetë. Pyeta të gjithë për martesat me mësitni, rolet e grave, arsimin dhe migracionin. Disertacioni im (i cili do të botohet këtë verë në Kosovë) është një eksplorim i të gjitha këtyre gjërave, dhe i efekteve të migracionit të komunitetit dërgues – shumë ndryshe në vitet 1980 sesa tani!

Ju u rikthyet në vitin 1994 në Kosovë bashkë me djalin tuaj Jeremy-n, për të drejtuar projektet e ndihmës humanitare për Oxfam dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, çfarë ju bëri të ktheheni edhe njëherë në këtë vend?
Ishte shumë e vështirë të shikoje shpërbërjen e Jugosllavisë dhe dhunën e shtypjen që po ndodhte në Kosovë nga siguria e Amerikës. Doja të kthehesha në Kosovë, dhe një ditë mora një telefonatë nga Oxfam, një OJQ britanike, për të parë nëse mund të drejtoja një program ndihme në Kosovë, përkundër situatës së vështirë atje. Unë thashë menjëherë PO, dhe Jeremy dhe unë u vendosëm tek një familje në Taslixhe. M’u lejua të bëja projekte në Viti – një qytet me fshatra shqiptare dhe serbë dhe fshatra të përziera. Mblodha një ekip shqiptarësh dhe filluam punën.
Gjatë këtyre viteve qëndrimi në Kosovë ju bashkë me ekipin tuaj punuat për të forcuar shoqërinë civile në komunitetet që vuanin efektet e padrejtësisë dhe pabarazisë. Mobilizuat njerëzit që të arrinin të ndërtonin shkolla, të hapnin puse me ujë të pastër e gjithashtu shfrytëzuat kohën që tu mësonit fëmijëve të fshatit gjuhën angleze. Si ishte kjo përvojë për ju dhe ke takuar ose njeh sot ndonjë nga këta fëmijë që padyshim ju në atë kohë ishit ndoshta frymëzim?
Ne gjithashtu organizuam kurse për edukimin e shëndetit të grave çdo dy javë në të gjitha fshatrat. Për të realizuar këtë, formuam një grup aktivistësh të rinj, “Legjenda.” Aktivistet punonin në fshatrat e tyre për t’i nxjerrë gratë nga shtëpitë e tyre dhe për t’i bindur të marrin pjesë në kurset. Ata gjithashtu punuan për t’i shtyrë vajzat e reja ta ndjekin shkollën e mesme, çka ishte një problem i madh në Vitin dhe shumë rajone në atë kohë. Jeta e aktivistëve u ndryshua përgjithmonë përmes kësaj pune. Në vend që të qëndronin në shtëpi, shumica morën diploma universitare dhe u bënë gra profesioniste. Dhe po, më pëlqente t’u mësoja anglisht fëmijëve në kohën time të lirë! Dhe Jeremy qëndronte në fshat me familjen Tafa – 21 persona duke përfshirë 13 fëmijë!

Gjatë viteve 1980 në Kosovë ju realizuat 4000 fotografi, 25 orë video dhe video intervista, tregime dhe këngë të panumërta. Çfarë rëndësie kanë sot për ju këto materiale?
Sot, çdo familje kosovare ka njerëz që bëjnë foto dhe video. Në atë kohë, unë isha i vetmi person! Jam shumë e lumtur që i kam këto të dhëna të jetës shqiptare në vitet 1980 dhe 1990, për Kosovën dhe veçanërisht për familjet, për dasmat e dokumentuara dhe foto të njerëzve të dashur të atyre familjeve që tani janë të vdekur. Këto janë thesare që dua t’i ndaj me të gjithë!
https://www.janetreineck.com/kosova-photo-collections?lang=sq
Në vitin 1997, me luftë në horizont, ju u desh të largoheshit nga Kosova e cila nuk vonoi e hyri në një luftë të ashpër. Ju si një grua që kishit qëndruar për vite të tëra në këtë vend e kishit krijuar miqësi me shumë familje, si e pat nga larg pushtimin që Serbia ja bëri Kosovës?
Nuk doja të largohesha – kisha plan të qëndroja në Kosovë, nuk kisha ndërmend të largohesha. Mendoj se policia serbe nuk mund të na duronte më gjatë – posaçërisht policia në Viti që na shihte gjatë gjithë kohës me shqiptarë, duke mbledhur njerëz dhe duke folur për çështje serioze. Në këto takime ne flisnim për rregullimin e shkollave dhe dërgimin e vajzave në shkollë, por mund të kishim qenë edhe duke mbledhur para për të blerë armë – serbët në të vërtetë nuk dinin se çfarë po bëja unë. Kështu që kur shkova për të zgjatur vizën time, ata refuzuan. Përpjekja për tu kthyer në Kosovë zgjati me muaj, por në fund u dorëzova dhe u ktheva në Santa Barbara ku ishin prindërit e mi.
I ndoqa çdo ditë ngjarjet e tmerrshme në Kosovë – pashë masakrat në CNN, e dija që miqtë e mi po iknin në Maqedoni apo Shqipëri. Doja të shkoja atje për t’i ndihmuar ose të paktën për të qenë me gazetarët që raportonin historinë, por si një nënë beqare e një 7-vjeçari, ndjeva se nuk mund të rrezikoja. Ne pritëm dy të rinjë nga Kosova të cilët përfunduan në Santa Barbara si refugjatë, duke përkthyer për disa fëmijë që u plagosën në luftë dhe i sollën atje për operacione. Të rinjtë jetuan me ne për një vit – djali im flinte në dysheme në dhomën time për të mundësuar qëndrimin e tyre tek ne.

Duket sikur Kosova është një vend i përbërë nga magnetizmi, pas viteve të luftës ju u rikthyet përsëri në Kosovë, si e gjetët Kosovën e pasluftës dhe cilat ishin ndryshimet e para që i hasët?
Kur e vizituam Kosovën në vitin 2002, ishte si një vend tjetër, me peshën e shtypjes serbe të hequr nga zemra dhe mendjet e miqve tanë. Mendova se puna që bëmë në Viti do të dukej e vogël në krahasim me të gjitha zhvillimet që po bëheshin nga NATO dhe OJQ-të ndërkombëtare, por gabova! Njerëzit me të cilët kisha punuar në Viti e shihnin bashkëpunimin tonë si kaq të domosdoshëm, sepse ishte bërë në një kohë të vështirë, të rrezikshme.
Në vitin 2010, ju krijuat World Dance for Humanity. Në këtë kurs ju vazhdoni të ju mësoni grave nga e gjithë bota vallëzimet shqiptare, si i presin dhe cilat janë komentet që i bëjnë mbi traditat tona të vallëzimit?
Unë i adhuroj vallet dhe muzikën shqiptare dhe jam shumë e lumtur t’ua prezantoj njerëzve atë – ata e duan! Unë përdor të gjitha llojet e muzikës – gegë, toskë, tradicionale, pop dhe rock. Po krijoj disa valle të reja me këngë të bukura shqiptare të bazuara në lëvizjet tradicionale shqiptare, për t’i shtuar në repertorin e valleve në Kosovë dhe jashtë saj!
Në vitin 2022 ju sollët në jetë librin “Një amerikane në Kosovë”, ku keni shpalosur historinë tuaj personale, si është prit ky libër dhe çfarë vlerë ka për ju?
Kam punuar për dekada të tëra dhe kam rritur djalin tim si një nënë e vetme. Kam punuar në libër gjatë viteve, kur kisha pak kohë – thjesht për të mos harruar detajet e përvojës sime në Kosovë. Libri u është dedikuar familjeve që më pritën në shtëpitë dhe në zemrat e tyre. Po e ndaj faqen time të internetit pa pagesë për lexuesit, si dhuratë për Kosovën. Mendoj se për njerëzit që përjetuan Kosovën në vitet 1980 dhe 1990, kjo sjell kujtime për jetën siç ishte dikur. Për të rinjtë që e dinë vetëm Kosovën pas luftës, është një rrëfim për jetën e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Shpresoj që do të thellojnë vlerësimin e tyre për traditën shqiptare dhe për sakrificat e bëra për pavarësi.
Keni zbuluar për ne se në muajin korrik do të ktheheni përfundimisht që të jetoni në Kosovë, pse e morët këtë vendim?
Pse po heq dorë nga një jetë komode, produktive dhe e lumtur në Kaliforni për t’u zhvendosur në Kosovë, më thonë? Për shkak të dashurisë që kam ndjerë për Kosovën që kur kam shkelur për herë të parë aty në vitin 1980. Më tërheq kultura, shoqëria, gjuha, toka shqiptare dhe jam mahnitur nga transformimi i frymëzuar nga pavarësia e pasluftës. Marrëdhëniet e mia me njerëzit – fshatarët dhe banorët e qytetit – janë kaq të thella, pasi kemi përjetuar kaq shumë së bashku në vitet ’80 dhe ’90: ngrohtësinë dhe pasurinë e jetës familjare, si dhe represionin, konfliktet dhe vështirësitë ekonomike që kaluan shqiptarët. Shpresoj të përdor aftësitë e mia për t’i ndihmuar shqiptarët të orientohen në sfidat politike, ekonomike, sociale dhe ideologjike me të cilat po përballen. Shoh se angazhimi im i gjatë në Kosovë para luftës, njohuritë e mia për gjuhën, kulturën dhe historinë, dhe fakti që jam amerikane, më japin një “kapital shoqëror” që shpresoj të jetë i dobishëm për Kosovën në ndonjë mënyrë.

Kosova sot dhe nesër sipas jush?
Çfarë ka arritur Kosova që nga lufta është vërtet e mahnitshme! Shqiptarët janë një model i zgjuarsisë, energjisë dhe aftësisë për të parë botën! Në anën tjetër, ka sfida serioze – këto janë ato për të cilat unë jam më e vetëdijshme:
• Migrimi (ikja e të rinjve në Evropë, zbrazja e fshatrave, ikja e trurit)
• Shpenzimet e tepërta për shtëpi të mëdha, makina dhe ndërmarrje shërbimi – në vend të ndërmarrjeve prodhuese
• Mungesa e vendeve të mjaftueshme të punës me pagë adekuate
• Përpjekjet në arsim dhe shëndetësi
• Fraksionalizimi – shumë fajësime ndaj njëri-tjetrit dhe fajësimi i qeverisë për problemet e Kosovës, kur BASHKIMI është jetik – vendimtar!
Dhe për fund, duke pas parasysh se ju keni njohur një grua shqiptare ndryshe në vitet e 80-ta, dhe gruaja sot në Kosovë. Çfarë paralele mund të tërhiqni mes gruas dje dhe gruas sot, duke pas parasysh se Kosova sot udhëhiqet edhe nga një grua presidente?
Mendoj se është fantastike që Vjosa Osmani është presidentja juaj – ajo jep një shembull për vendet e tjera. Sigurisht, jetët e shqiptarëve kanë ndryshuar krejtësisht që nga vitet 1980 kur unë studioja jetën e grave. Tani ka shumë liri. Gratë shqiptare i kanë thyer “muret prej guri” dhe tani janë pjesë e botës. Por ende ka shumë sfida në drejtim të përfaqësimit, pagave, të drejtave themelore dhe barazisë gjinore në shtëpi dhe në hapësirën publike.
Shpresoj që me kthimin në Kosovë të mund të ndihmoj në disa nga këto fusha! / KultPlus.com



A është ai popull që ishte, apo ka ndryshuar…?!

Florim Zeqa
Në partitë tona nuk i duan idealistët, por servilët dhe puthadorët, i duan përversat dhe ata që punojnë parreshtur për interesin e liderit dhe të partisë e jo për interesin e shtetit dhe qytetarëve. Shumica e liderëve partiakë (jo të gjithë) jo vetëm që nuk janë idealista, janë njerëz pa ndjenja dhe të pashpirtë të cilët janë të gatshëm që të shkelin edhe mbi kufoma nëse është nevoja, vetëm e vetëm për mbajtjen apo marrjen e pushtetit.
Partitë politike dhe “ushtarët” e Facebook-ut
Nga ri-shpallja e pavarësisë e këndej, Në Kosovë është vështirësuar tejë mase jeta për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë. Edhe po deshe nuk të lejojnë të punosh për të mirën e popullit, pasi, para çdo investimi që e bëjnë njerëzit e pushtetit e llogarisin interesin (pëfitimin) personal të tyre.
Nuk mundesh me qenë as afarist i suksesshëm pa ua ndarë hisen pushtetarëve, në të kundërtën ta bllokojnë aktivitetin afarist, qoftë me bllokimin e eksportit të lëndës së parë apo të importit të produkteve tua jashtë vendit.
Pra, nëse nuk je në shërbim të një lideri të një partie politike, as që mund të fillosh veprimtari afariste në Kosovën e kapur dhe ngulfatur nga grupet e interesit, të cilët menjëherë të kushtëzojnë dhe izolojnë në ecjen përpara me biznesin tuaj.
Pa u bërë pjesë integrale e grupeve të interesit, njëjtë e ke në cilën do parti që shkon!
Ose duhet me iu nënshtru urdhërave të tyre ose të largojnë menjëherë nga rrethi i ngushtë klanor!
Nëpër partitë tona politike nuk i duan njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë që ofrojnë ide dhe iniciativa për zhvillimin e vendit, por duan “ushtarë” të Facebook-ut që tërë ditën e lëvdojnë liderin dhe partinë, porqë njëkohësisht ofendojnë dhe kërcënojnë njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë.
Edhe populli është bërë sikur politikanët
Nuk është thënë kot ajo thënja: “Shqiptarit pa ja k…nanën nuk të thotë babë”! Vetë populli po i do dhe po i voton në zgjedhje njerëzit e kësaj kategorie, të kategorisë më të ulët të shoqërisë sonë.
Me këtë trend të ecjes sonë si shoqëri njerëzore, së paku edhe për një çerekshekulli nuk do të kemi ndryshime përmbajtësore dhe substanciale në skenën tonë politike. Nëse vazhdohet ecja jonë me hapat e Breshkës, atëherë do të mbesim shumë prapa vendeve të zhvilluara të rajonit, e të mos flasim për vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, prej të cilave jemi me qindra vite pas.
Nuk jam pesimist, por si të pritet ndryshim substancial, kur çdo ditë Kosovën po e braktisin të rinjët dhe shtresat intelektuale, po largohen mjekët dhe infermirët, studentët dhe profesorët, policët dhe ushtarët! Me një fjali, çdo ditë e më shumë Kosova po varfërohet në vlerat e saj intelektuale, kulturore dhe tradicionale.
Pas kalimit të suksesshëm të testit demokratik, fillon epoka e ndryshimit politik
E vetmja shpresë mbetet tek ngjizja e alternativës së re, që unë e kam projektuar si Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN). Vetëm përmes kësaj force të re politike, të pastër dhe të shëndoshë kombëtare mund të arrihet kthesa e madhe pozitive në Kosovë. Në të kundërtën, jo vetëm që do të vendnumrojmë, rrezikojmë të rrëshqasim në greminën e pafund.