
Shkruan: Engjëll I. Berisha
____
Jusuf Buxhovi: “Lufta e fshehur, Anteu”. Shtëpia Botuese “Faik Konica” & Jalifat Publishing”, 2026.
____
Jusuf Buxhovi, me vazhdimin e krijimtarisë në letërsi, nisur që herët me 1972 me librin me tregime “Cirku” e më vonë me romanin “Matanëkrena”, vazhdon ta përcjellë e ta analizojë procesionin e qenies shqiptare, deri te ngjarjet e fundit, me fatin e individit, prej të cilit krijon figura simbolike, duke i dhënë lexuesit një ndërthurje të realitetit me dimensione mitike, filozofike, nga ndikimi politik, me rendin e jetën sociale deri te lufta për identitet e mbijetesë kombëtare.
Kolana, nga vepra në vepër, me debat publik edhe në roman, duke krijuar dramë simbolike me personazhet që luftojnë me realitetin, deri te problemi me rrënjët e veta. Në mes studimeve të tij prej historiani, i dëshmuar, për ta quajtur Arkivi historik i Buxhovit, gjen një qasje shumë interesante e të kapshme për secilën kategori të lexuesit, për ta interpretuar historinë që është edhe realiteti ynë, në roman sikur kanë bërë kolosët e mëdhenj Kadare, Markez e shumë të tjerë.
Pse lufta e fshehur, pse Anteu?
Anteu, nga ajo që lexojmë, figurë mitologjike, paraqet lidhjen e njeriut me Tokën. Një shndërrim në simbol të lidhjes së njeriut me truallin dhe me rrënjët e tij. Në këtë kuptim, Buxhovi e përdor mitin jo si dekor, por si një instrument interpretimi për realitetin historik dhe shpirtëror të shqiptarëve. Ja si e përshkruan në këtë relacion Buxhovi, citoi: “në luftën midis zotave dhe heronjve, do të rikthehet fuqia e qiellit ndaj asaj të tokës, gjë që njëherë e mirë do të thyhet miti për viganët e pamposhtur që marrin fuqi nga toka”. Kush është fuqia e qiellit? A janë bombat “humanitare”, fuqia botërore nga qielli? Nga ana tjetër, lufta e fundit nuk është vetëm përballje fizike, por një konflikt i vazhdueshëm në ndërgjegje botërore, një përpjekje për të ruajtur të vërtetën në një botë ku ajo shpesh deformohet ose fshihet.
Që nga romani monumental i këtij autori “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, Buxhovi e paraqet njeriun shqiptarë me trashëgiminë, për të mos lejuar fshehjen e rrënjëve. Luftë e fshehtë, zhdukje e heshtur në ndjesinë shpirtërore kulturore me elaborate politike. Një metodë e hershme në mes të dukshmes, të padukshmes, misticizëm nëpërmjet varfërisë.
Lufta zhvillohet në qytetin e Gjakovës, ku qyteti nuk është vetëm sfond, por një organizëm i gjallë që merr frymë bashkë me njerëzit e tij, që vuan, reziston dhe ri ngrihet.
Kur ta lexosh veprën, ta kthen përshkrimin e ngjarjeve, ritual i hershëm, e të kthen në kujtesë nga ajo çka kemi pa me sy, e përjetuar. Gjakovën e lidhur me etimologjinë gjenetike të kësaj toke. Sikur është Ceni i Monaosës. Dani i Nuzës. Qazimi i Latës. Xaja i Gaxhës, e disa emra tjerë tipik gjakovar. Edhe nocionet e vendbanimeve lidhen me etnogjenezën e lashtë, Krena, Lama e drithit, Çabrati. Osek Hylë, Hereq, Ura e Taliqit, “Kafja n’ta marrt mendja”, etj. Edhe rituali i aktereve të krimit përshkruhet sikur i kemi përjetuar, duke u dehur me raki, me krim, me urdhra e autoritet. Edhe kulti, me bashkësitë shpirtërore tradicionale të respektuara janë tipike të Gjakovës, sikur ritualet, besimet sektare, pelegrinazhet etj.
Hipokrizia e luftës së fshehtë, zhvillohet në përplasjen mes historisë zyrtare dhe asaj të përjetuar. Në mes mitit të rrejshëm dhe realitetit të trilluar. Në mes guximit të shtypur dhe ndërgjegjes. Në mes dehjes me alkool dhe dehjes shpirtërore.
Llahtaria e ngjarjes zhvillohet duke bërë jetë me rakinë (alkoolin). Kjo është hipnoza, duke hap një fushë të thellë reflektimi mbi njerëzoren, diku si mjet stimulues e njohur prej kohësh nga pushteti serbë, si një përvojë trupore për ta mjegulluar arsyen, tjetra si metafizikë për ta zbutur dhimbjen përkohësisht me iluzionin për çlirim. Njeriu i dehur nga alkooli shpesh largohet nga realiteti, por ky largim është i turbullt. Raki pinë koloneli pinë dhe Ceni i Monaosës. Koloneli e Sava i Zi, lindin të dehur nga historia e fshehur, e të kriminalizuar nga pushteti që nga koha cariste. Ceni i Monaosës, i dehur provon të ikë nga realiteti, pa mundur të kapërcejë kufijtë e zakonshëm të përjetimit. Nëse dehja me alkool është një fshehje nga vetja, dehja shpirtërore është një hyrje më e thellë në vetvete.
Tradhtia – thyerja e besimit dhe zhgënjimi
Qyteti bëhet dëshmitar i përplasjeve të mëdha historike, por edhe i dramave të heshtura të individëve që përballen me frikën dhe shpesh me tradhtinë. Shikoni dramën e thellë shpirtërore kur tradhtia rritet deri në atë masë e bëhet plagë kolektive një përplasje mes asaj që njeriu duhet të jetë dhe asaj që ai bëhet.
Tradhtia është një nga temat më të thella në letërsi, ashtu sikur është edhe në jetë. Në roman shpjegohet si përplasje në mes idealeve e realitetit, por letërsia e paraqet edhe si tragjedi. Në mes frikës e interesit, o të qëndrojë besnik ndaj një ideali të lartë (liria, kombi, dinjiteti) apo të zgjedhë sigurinë e vetë, pushtetin ose përfitimin personal. Buxhovi këtë mënyrë të jetës e përshkruan si ndodhje nën presion nga kërcënimi, tortura, frikë për jetë e për familjen. Kjo nuk paraqitet gjithmonë si ligësi e pastër, por si dobësi njerëzore. Shpesh personazhet tradhtojnë jo sepse nuk e duan vendin e tyre, apo lirinë, por sepse ndihen të tradhtuar nga vetë ai ideal ose nga njerëzit që e përfaqësojnë atë. Kur ideali degradohet lind një krizë që mund të çojë në mohimin e tij.
Qyteti ndahet si dikur nëpër lumin Krena, në kontrollin e vetëshpallur të “patronit” në mes Serbisë cariste dhe asaj malazez mohuese e identitetit të vet, – për të vrarë natën si kërma, thotë autori. Pra përplasja bëhet te bërthama e identitetit, në zakone, në gjuhë, e në mënyrën e të jetuarit. Koamandon Sava i Zi, Koloneli, pijanecët, tradhtarët, naivët.
“Lufta e fshehur, Anteu” është një roman që kërkon lexim të vëmendshëm dhe interpretim të thellë. Përgjigjen e jep bashkë me rezistencën shpirtërore të një populli.
Si i tillë, zë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe, duke ofruar jo vetëm një pasqyrë të realitetit historik, por edhe një analizë të thellë të shpirtit njerëzor në përballje me sfidat e ekzistencës.
(Fjala e lexuar me rastin e promovimit të librit në Bbliotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova”, në Gjakovë, më 30.04.2026).


