Në një realitet politik të ngarkuar me bllokada të vazhdueshme dhe mungesë të theksuar përgjegjësie institucionale, çdo përpjekje për të futur figura me integritet në këtë sistem duket më shumë si një tentativë për t’i konsumuar ato sesa për t’i fuqizuar.
Rasti i propozimit për Murat Jasharin nuk është i ri; ai rikthen në sipërfaqe një problem thelbësor të politikës sonë: përplasjen midis idealit dhe realitetit të degraduar institucional.
Refuzimi i mëhershëm i Jasharëve për t’u bërë pjesë e kësaj loje politike nuk ishte akt dobësie, por një qëndrim i mençur dhe dinjitoz. Ata e kuptuan se përfshirja në një sistem të mbushur me interesa të ngushta, klientelizëm dhe mungesë vizioni shtetëror do të nënkuptonte komprometim të vlerave për të cilat familja e tyre u flijua. Në një ambient ku interesi personal dominon mbi atë kombëtar, hyrja e një figure me kredibilitet rrezikon të shndërrohet në dekor, jo në faktor ndryshimi.
Bllokada institucionale që po zgjat më shumë se një vit është dëshmi e qartë e një sistemi që nuk funksionon mbi parime bashkëpunimi e përgjegjësie, por mbi kalkulime të ngushta politike.
Ironikisht, ata që janë përgjegjës për këtë gjendje nuk shfaqin asnjë ndjenjë përgjegjësie; përkundrazi, shfaqin kokëfortësi jo tolerancë, duke rrezikuar përsëritjen e të njëjtit cikël paralize. Kjo tregon një mungesë të thellë reflektimi dhe një shkëputje të rrezikshme nga realiteti i qytetarëve.
Edhe vetë Kushtetuta, e ndërtuar mbi nevojën për konsensus dhe balancë, në praktikë është shndërruar në një mekanizëm që lejon bllokimin e institucioneve sa herë mungon vullneti politik. Në vend që të nxisë bashkëpunim, ajo shpesh përdoret si justifikim për mosveprim.
Por problemi nuk qëndron vetëm te të zgjedhurit. Një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi elektoratin, i cili në momentet kyçe nuk udhëhiqet nga interesi i përgjithshëm, por nga lidhje klienteliste, emocione apo interesa të ngushta. Kjo sjellje e bën qytetarin bashkëpërgjegjës për gjendjen aktuale dhe e mban të gjallë një cikël të dëmshëm politik.
Ndaj, në një “moçalishte” të tillë politike, përfshirja e figurave si Murat Jashari nuk do të sillte ndryshimin e shumëpritur, por rrezikon të dëmtojë edhe më tej simbolikën dhe besimin që ato përfaqësojnë.
Pa një reflektim të thellë kolektiv, si nga politika, ashtu edhe nga shoqëria, çdo emër i ri do të përballet me të njëjtin fat: të përthithet nga një sistem që nuk lejon ndryshim thelbësor, se rrezikohen interesat e atyre që atdheun e duan vetëm për zhvatje.



