Udhëtim nëpër disa shtete europiane, një udhëtim me misionin e kujtesës historike

Shkrime relevante

A mos jemi ne Kandahar?!

Alberto Leka, Prishtinë ____ Ajo që po ndodh në Kuvendin e Republikës së...

A jemi ne shqiptarët popull vetëvrasës në aspektin e historisë kombëtare?

Valdet Deva, Mitrovicë ____ Për dekada, historinë tonë e kanë shkruar regjimet, ideologjitë...

Udhëtim nëpër disa shtete europiane, një udhëtim me misionin e kujtesës historike

MSc. Adem Lushaj, Deçan  NJË UDHËTIM ME MISIONIN E KUJTESËS HISTORIKE Tri shtete...

“Digitus Dei est hic!” – Dora e Zotit është këtu”

Dom Fran Sopi, Pejë Dita e përkujtimit të të gjithë besimtarëve të...

“Pesëshja” që nuk e njeh Kosovën dhe diplomacia që (s)hesht!

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë Shikuar përmes “thjerrëzës” së sociologjisë diplomatike,...

Shpërndaj

MSc. Adem Lushaj, Deçan 

NJË UDHËTIM ME MISIONIN E KUJTESËS HISTORIKE

Tri shtete evropiane, takime institucionale e kulturore, pritje familjare dhe një qëllim i përbashkët: përcjellja e së vërtetës historike për krimet serbe në Kosovë.

Gjithçka nisi me ftesën për promovimin e librit tim “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit”, në St. Gallen të Zvicrës, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Shqiptare “SHARRI” dhe Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Kjo ftesë u bë shkas për një rrugëtim nëpër Francë, Zvicër dhe Gjermani, ku takimet familjare u ndërthurën me vizita institucionale, veprimtari kulturore dhe angazhimin për promovimin e kujtesës historike.

Gjatë qëndrimit në Francë vizituam edhe Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg, ku u pritëm nga Konsulli i Përgjithshëm, Fitor Murati, dhe bashkëpunëtorët e tij. Në këtë takim biseduam për rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës, ruajtjen e kujtesës historike dhe ndërkombëtarizimin e së vërtetës për përjetimet e popullit të Kosovës gjatë viteve 1998–1999. Me këtë rast prezantova librin dhe dhurova ekzemplarë të tij në disa gjuhë, përfshirë edhe botimin në gjuhën frënge, me qëllim që dëshmitë e mbledhura nga Deçani të bëhen të njohura edhe për lexuesit frankofonë.

Nga Franca vazhduam drejt Cyrihut, ku u pritëm në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës nga Konsulli i Përgjithshëm, Vigan Berisha, dhe bashkëpunëtorët e tij. Në këtë vizitë ishim së bashku me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Bisedat u përqendruan në promovimin e vlerave kombëtare, ruajtjen e kujtesës historike dhe rolin e institucioneve diplomatike në mbështetjen e veprimtarive kulturore të mërgatës. Edhe këtu dhurova ekzemplarë të librit në disa gjuhë. Ngjarja qendrore e këtij rrugëtimi ishte promovimi i librit në St. Gallen, më 24 tetor 2026, në hapësirat e Shoqatës Kulturore Shqiptare “SHARRI”, në Waldkirch. Aktiviteti u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shoqata “SHARRI” dhe Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë.

Para bashkatdhetarëve u prezantua vepra e mbështetur në më shumë se 300 dëshmi të viktimave dhe familjeve të prekura nga lufta. Për mua, ky promovim kishte një domethënie të veçantë, sepse dëshmitë e Deçanit po përcilleshin përtej kufijve të atdheut, në një mjedis ku dashuria për vendlindjen dhe kujtesa kombëtare vazhdojnë të ruhen me përkushtim. Një moment veçanërisht emocionues ishte ndarja e mirënjohjes dhe e flamurit të Shoqatës “SHARRI”, si vlerësim për kontributin në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike. Këtë nderim e prita me respekt dhe përgjegjësi, duke e konsideruar jo vetëm si vlerësim personal, por edhe si mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në mbledhjen dhe dokumentimin e dëshmive të luftës.

Pas përfundimit të aktiviteteve në Zvicër, rrugëtimin e vazhduam drejt Gjermanisë, ku vizituam Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Shtutgart, ku u pritëm nga Konsulli i Përgjithshëm, Hamdi Bërbatovci, dhe bashkëpunëtorët e tij. Edhe në këtë takim u diskutua për rëndësinë e promovimit të librit dhe përcjelljes së së vërtetës historike te publiku ndërkombëtar. Me këtë rast dhurova ekzemplarë të veprës në disa gjuhë, me dëshirën që ajo të jetë e pranishme edhe në institucionet tona diplomatike jashtë vendit.

Një tjetër ndalesë ishte Shoqata Kulturore Shqiptare “SHQIPONJA” në Siegen. Takimi me përfaqësuesit dhe anëtarët e saj ishte një mundësi për të njohur nga afër angazhimin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në mërgatë. Edhe këtu prezantova librin dhe dhurova ekzemplarë të tij, duke vlerësuar rolin e shoqatave shqiptare në përcjelljen e historisë sonë te brezat e rinj.

Rrugëtimi nëpër Francë, Zvicër dhe Gjermani ishte më shumë se një udhëtim. Ai bashkoi familjen, institucionet diplomatike, shoqatat kulturore dhe bashkatdhetarët rreth një qëllimi të përbashkët: ruajtjes dhe përcjelljes së kujtesës historike. Pas angazhimeve institucionale dhe kulturore, këto çaste na rikujtuan se lidhjet familjare mbeten ndër vlerat më të çmuara, pavarësisht largësisë.

Në çdo ndalesë, përmes prezantimit dhe dhurimit të ekzemplarëve të librit të botuar në disa gjuhë, u përpoqa që dëshmitë e dokumentuara të arrijnë te sa më shumë lexues dhe institucione. Sepse dokumentimi i krimeve të luftës nuk është vetëm përgjegjësi ndaj së kaluarës, por edhe detyrim ndaj brezave që vijnë.

Mirënjohje për institucionet konsullore, organizatorët, shoqatat shqiptare, veprimtarët e mërgatës dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij rrugëtimi. Falënderim të veçantë edhe për familjarët tanë në Francë, Zvicër dhe Gjermani, për pritjen dhe dashurinë e treguar.

Një libër që dokumenton të kaluarën nuk është vetëm një vepër për lexuesin e sotëm, por një dëshmi që duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm. E vërteta nuk njeh kufij, ndërsa kujtesa historike nuk duhet të ketë kurrë kufij.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu