ARKIVI:
28 Prill 2024

Vështrim historik rreth gjendjes në Europë pas Betejës së Albulenës dhe rolit të pazëvendësueshëm të Gjergj Kastriotit

Shkrime relevante

Paska vdekur Ali Lajçi, udhëheqësi i kryengritjes studentore të vitit 1981 dhe aktivisti i njohur politik

Paska vdekur Ali Lajçi, udhëheqësi i kryengritjes studentire të vitit 1981. Ai...

Paradoksi i një strukture analistësh të rremë…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ Si të çlirohemi nga e njohura injorancë. Rapsod i orëve...

Shpjegime për gjashtë programet kryesore antishqiptare të Serbisë, të hartuara për spastrim etnik

Gjenerali i ushtrisë serbe Jankoviq në Lumë të Shqipërisë, pas gjenocidit...

Ja cilat janë metodat e menduara nga Vasa Çubriloviq për dëbimin e Shqiptarëve

Memorandumi i Vasa Çubriloviq për Dëbimin e shqiptarëve në PDF, shkarko:...

Shpërndaj

Nga: Paulin Zefi, historian, Lezhë
___
“Një vështrim historik mbi gjendjen politike të Europës pas betejës së Albulenës (02.09.1457) dhe roli i pazëvendësueshëm i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i ushtrive të krishtera në luftën kundër Perandorisë Osmane.”
? Ndërkohë që Heroi jonë Kombëtar kishte marrë përsipër misionin e madh të mbrojtjes së Krishërimit dhe Qytetërimit Perëndimor nga kërcënimi gjithnjë në rritje i Perandorisë Osmane, Europa vijonte të ishte e dobët dhe e përçarë në mënyrë të vajtueshme. Asokohe formacioni më i madh shtetëror në Europë ishte monarkia e dyfishtë ose unioni personal i Dukatit të Madh të Lituanisë dhe i Mbretërisë së Polonisë, që sundohej nga Kasimiri IV Andrea (1427-1492) i dinastisë Jagiellon, një monark shumë ambicioz, i cili “de facto” gëzonte pushtetin dhe të gjitha atributet e një perandori. Për fat të keq, preukupimi i tij kryesor nuk ishin turqit osmanë, por përfshirja e sa më shumë qyteteve ruse në sferën e tij të influencës, të ndihmonte Konfederatën Prusiane në luftë kundër Shtetit të Urdhërit Teuton, me qëllim për ta inkorporuar Prusinë në Mbretërinë e Polonisë, gjë e cila solli shpërthimin e Luftës Tridhjetë Vjeçare (1454–1466) dhe ndërsa në vitin 1457, pas vdekjes së mbretit Ladislaus Posthumos (1440-1457) i dinastisë Hapsburg, Kasimiri IV Andrea Jagiellon filloi përpjekjet e ethshme për ta shtrirë sundimin e tij edhe mbi Hungarinë dhe Boheminë. Shteti i dytë më i madh në Europë, Perandoria e Shenjtë Romake Gjermanike, po ziente vazhdimisht nga konfliktet e brendshme dhe ato të jashtme. Perandori i shenjtë romak, Frederiku III Hapsburg, i cili sipas përfytyrimit mesjetar mbahej si “Kryezoti mbrojtës i Krishtërimit”, me mbështetjen e Selisë së Shenjtë po kultivonte ëndrrën e tij për një “Perandori të Krishterë Universale”, u detyrua të angazhohet në një varg të gjatë konfliktesh ushtarake me shumë kundërshtarë, duke nisur nga heretikët, bujarët austriakë, kushërinjtë e tij të afërt dhe me pjesëtarët e familjes, ku rivali i tij më i paepur ishte pikërisht i vëllai, Alberti VI, arqidukë i Austrisë. Si rezultat i këtyre konflikteve të vazhdueshme Frederiku III ishte i detyruar ta zhvendosë oborrin e tij perandorak sa nga njëri qytet në tjetrin. Shteti i Urdhrit Teuton (Civitas Ordinis Theutonici), i cili shtrihej në territorin ku sot ndodhen Estonia, Letonia, një pjesë e Lituanisë, enklava e madhe ruse e Kaliningradit dhe e gjithë pjesa Verilindore e Polonisë, duke nisur nga disfata që pësoi përballë ushtrisë së kombinuar polako-lituaneze në betejën e zhvilluar pranë fshatit Grunvald (Poloni) më 15 korrik 1410, ishte kthyer nga lufta sulmuese në luftë mbrojtëse për të shpëtuar nga kolapsi dhe shpërbërja e plotë. Po ashtu, në Luftën Tridhjetë Vjeçare (1454–1466), që u përmend më lart, Shteti i Urdhërit Teuton doli humbës përballë Konfederatës Prusiane, e cila gëzonte mbështetjen e pakursyer të Mbretërisë së Polonisë dhe Dukatit të Madh të Lituanisë. Gjarë kësaj periudhe, Bohemia (Çekia) dhe Hungaria po vuanin nga trazirat e brendshme, por gjithashtu, duke qenë të vendosura gjeografikisht midis dy fuqive më të mëdha europiane të kohës, siç ishin Perandoria e Shenjtë Romake Gjermanike dhe Dukati i Madh i Lituanisë me Mbretërinë e Polonisë, këto vende u bënë arenë përplasjesh të forta midis tyre. Kontrollin e plotë mbi Boheminë dhe Hungarinë, e dëshironin njësoj si Frederiku III Hapsburg, ashtu edhe Kasimiri IV Andrea Jagiellon. Megjithatë, pas shumë përpjekjeve titanike, po në të njëjtin vit, Bohemia dhe Hungaria arritën të kenë në krye monarkët e tyre vendas. Më 24 janar 1458, mbi fronin e Mbretërisë së Hungarisë dhe të Kroacisë, me shumë vështirësi, hipi Matias Korvini (1443-1490), djali 15 vjeçar i Janosh Huniadit. Ndërsa më 2 mars 1458, në qytetin e Pragës, si mbret i Bohemisë u kurorëzua lideri i Husitëve, Jiří (Gjergji) i Kunštátit dhe Poděbradit (1420-1471). I pari u angazhua menjëherë në luftë kundër mercenarëve çekë, të cilët zotëronin Hungarinë e Sipërme (Sllovakia e sotme) dhe më pas u vërsul kundër perandorit Frederikut III Hapsburg. Kurse i dyti, duke qenë një monark husit, pra heretik, pavarësisht se me politikën e tij të kujdesshme fitoi dashamirësinë e disa bashkatdhetarëve katolikë, ai u ndesh me kundërshtimet e ashpra të Papa Piut II, i cili do të bëhej armiku i tij kryesor. Megjithatë, mbreti Jiří i Kunštátit dhe Poděbradit, ka hyrë në histori si i pari burrështetas europian, i cili hodhi idenë dhe propozoi nënshkrimin e një traktati nga të gjithë fuqitë e krishtera të kohës, për të krijuar një union të madh të krishterë, me parlament dhe me institucione të përbashëta, duke i paraprirë kështu plot 500 vite më herët vizionit dhe ideve të shek. XX, për krijimin e Bashkimit Europian. Duhet kuptuar se projekt-ideja e monarkut të Bohemisë, lindi si nevojë për të zbutur qëndrimet e ashpra të Selisë së Shenjtë kundër tij dhe në thelb konsistonte në bashkimin e të gjithë fuqive të krishtera në luftë kundër rrezikut të përbashkët, Perandorisë Osmane. Pavarësisht fushatës intensive që Jiří i Kunštátit dhe Poděbradit ndërmori për promovimin e “Tractatus Pacis toti Christianitati Fiendæ (Traktatin për Vendosjen e Paqes në të gjithë Krishtërimin)”, nëpër oborret mbretërore europiane, “ky mbret heretik” u ndesh me një barrierë të pakapërcyeshme siç ishte Selia e Shenjtë, ku përveç Papa Piut II, i cili planifikoi të zhvillojë një kryqëzatë kundër Bohemisë, edhe pasardhësi i tij, Papa Pali II, e vijoi këtë politikë me shumë vendosmëri. Më 20 shkurt të vitit 1458 vdiq despoti i Serbisë, Llazar Brankoviç (1421-1458), djali i tretë i Gjergj Brankoviçit dhe Irena Kantakuzenit. Ai u pasua në fron nga bashkëshortja Helena Paleologina, e cila do të bashkësundonte shtetin e rrënuar serb me kunatin e saj të verbër, Stefan Brankoviçin (1417-1476). Bosnja dhe Hercegovina po zienin pambarimisht nga konfliktet e brendshme dhe ato të jashtme. Mbreti i Bosnjës, Stefan Tomas (1411-1461), pasi u përpoq disa herë për t’u zgjeruar në drejtim të Perëndimit, duke sulmuar Kroacinë Qendrore dhe dështoi, vendosi ta shtrijë sundimin e tij drejt Lindjes dhe u vërsul kundër Despotatit Serb, duke e pushtuar atë përkohësisht në vitin 1459. Me qëllim për ta treguar veten se ishte një monark katolik shumë i devotshëm në luftën kundër heretikëve, paralelisht me veprimet luftarake kundër Kroacisë dhe Despotatit Serb, ai zhvilloi edhe një luftë të rreptë kundër ndjekësve të Kishës së Bosnjës, pjesëtar i së cilës kishte qenë edhe vetë përpara se të konvertohej në katolik. Po ashtu, Stefan Tomas vijoi konfrontimet ushtarake me rivalin e fronit, vjehrrin e tij dhe sundimtarin e Bosnjës Jugore ose Hercegovinës, Stefan Vukçiç Kosaça (1404-1466). Emërtimi “Hercegovina”, që sot e përdorim gjerësisht, lidhet pikërisht me Dukën Stefan Vukçiç Kosaça, i cili duke mos pranuar që të njohë autoritetin e mbretit të Bosnjës, Stefan Tomas, u shpall si “Herzog” i Bosnjës Jugore, një titull aristokratik gjerman, që është ekuivalent i titullit “Dux (Dukë)” në latinisht dhe atij “Vojvodë (Prijës ushtarak)” në sllavisht. Ky titull i lartë iu dha në vitin 1448 nga perandori gjerman, Frederiku III. Më vonë, ai u njoh si “Herzog” si nga Perandoria Osmane ashtu edhe nga Mbretëria e Napolit, sepse për të mbajtur pushtetin gjatë kohës kur po zhvillohej lufta civile në Bosnjë, ai njohu me rradhë suzerenitetin e të dy shteteve të lartpërmendura. Stefan Vukçiç Kosaça, krahas luftës së zhvilluar kundër dhëndrrit të vet, Stefan Tomas, shpesh herë sulmoi edhe territoret e Republikës së Raguzës dhe duke shpërfillur ankesat e Selisë së Shenjtë për mbështetjen e heretikëve, ai vijoi të mirëpresë vazhdimisht të gjithë bogomilët ose ndjekësit e Kishës së Bosnjës, të cilët kërkuan strehë në Hercegovinë për t’i shpëtuar reprezaljeve të Stefan Tomasit. Më vonë, Stefan Vukçiç Kosaça do të përfshihet edhe në një konflikt të ashpër familjar me djalin e madh, Vladislav Hercegoviç, të cilit ia mori forcërisht nusen e tij të bukur gjermane dhe kjo arsye do ta shtyjë Vladislavin e fyer publikisht, që të hakmerrej kundër të atit, sepse në muajin tetor të vitit 1462, ai do të kalojë në anën e turqve osmanë. Vojvoda i Vllahisë, Vladi III Tepeş ose i mirënjohuri Vlad Drakula, kishte hequr dorë nga angazhimet ushtarake, duke sunduar vendin e vet si tributar i Mbretërisë së Hungarisë dhe i Perandorisë Osmane njëkohësisht. Në vitet 1457-1473, Moldavia e udhëhequr nga Stefani III ose Stefani i Madh u angazhua në konflikte të shpeshta ushtarake kundër Hungarisë, Polonisë dhe Lituanisë. Vetëm në vitin 1473 kur Stefani i Madh vendosi për të mos paguar më tributin vjetor ndaj Perandorisë Osmane dhe i shpartalloi turqit osmanë në betejën e Vasluit, më 10 janar të vitit 1475, ai do të njihet si kundërshtari më i rreptë i Mehmetit II Fatih gjatë viteve të fundit të jetës së këtij sulltani dhe për këtë arsye Papa Siksti IV do t’i akordonte titullin e lartë “Athleta Christi”. Në vitin 1458, Republika e Shën Vlashit dhe aleatja më besnike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pra Raguza, nënshkroi një traktat me Perandorinë Osmane, nëpërmjet të cilit u shpall krahinë tributare e sulltanit ku për çdo vit, më datë 1 nëntor, ishte e detyruar të dërgonte në Stamboll një ambasador, i cili paguante rregullisht tributin ose haraçin vjetor. Arbërit e Moresë (Peloponezit), pavarësisht vështirësive të shumta, e vijuan qëndresën e tyre heroike përballë kërcënimit të vazhdueshëm nga Perandoria Osmane. Pasi vetëm qyteti i fortifikuar i Rodosit i mbijetoi sulmit shkatërrimtar të flotës së dërguar nga sulltani mamluk i Egjiptit, Saif ad-Din Jakmak, në muajin korrik të vitit 1444, “Urdhri i Kalorësve Hospitalerë të Shën Gjonit të Jeruzalemit (Ordo Fratrum Hospitalis Sancti Ioannis Hierosolymitani)”, i udhëhequr nga Mjeshtri i Madh, Jacques de Milly, po mbronte me shumë vështirësi ishullin Rodos (Greqi) dhe ishujt e tjetë të Arqipelagut të Dodekanezit përballë sulmeve të vazhdueshme të piratëve myslimanë, që niseshin nga bazat e tyre detare në Afrikën e Veriut dhe nga brigjet e Perandorinë Osmane. Në Angli, menjëherë pas përfundimit të Luftës 100-vjeçare me Francën (1337-1453) dhe pas konfliktit me Skocinë, tashmë kishte shpërthyer një luftë civile shumë e ashpër, e njohur në histori si Luftërat e Trëndafilave (Wars of the Roses), që u zhvillua gjatë viteve 1455-1485, midis Jorkëve(House of York), që kishin në emblemën e tyre trëndafilin e bardhë dhe Lankastërve (House of Lancaster), që në emblemë mbanin trëndafilin e kuq. Në mbështetje të Jorkëve ishte angazhuar Dukati i Burgonjës dhe ndërsa Lankastërve, të cilët më vonë do t’ia kalonin stafetën Tudorëve(House of Tudor), po u vinin në ndihmë Mbretëria e Francës dhe ajo e Skocisë. Midis viteve 1455-1460, mbreti James II Stewart (1430-1460) i Skocisë, duke shfrytëzuar “momentum” kur Anglia ishte e zhytur në luftë civile filloi përpjekjet e tij të ethshme për të marrë ishujt Orkney, ishujt Shetland dhe Ishullin e Manit (Isle of Man), por këta sulme nuk dolën me sukses. Me qëllim për të nxitur shpirtin luftarak të popullit skocez, më 6 mars 1457 ai shpalli një dekret nëpërmjet të cilit sportet më popullore në vend, “futbolli dhe golfi”, të ndalohen rreptësisht, duke i dhënë prioritet gjuajtjes me hark. Ky dekret dhe politikat e mbretit James II në tërësi, në veçanti rritja e taksave për të mbuluar shpenzimet e luftës, u ndeshën me kundërshtime të ashpra nga fisnikët dhe sidomos nga parlamenti skocez. Ndërkohë që Anglia po përgjakej papushim nga lufta civile dhe në kohën kur Luftërat Anglo-Skoceze kishin hyrë në një fazë të re, Irlanda ishte e fragmentarizuar politikisht në shumë zotërime të vogla feudale, të cilat sundoheshin nga lordët irlandezë vendas, ata anglo-irlandezë dhe nga Mbreti i Anglisë. Një ndikim shumë të madh mbi të gjithë ishullin e Irlandës e kishte edhe Selia e Shenjtë, e cila vijoi ta ushtronte atë pa ndërprerje. Franca, e cila doli e fituar, por shumë e rraskapitur nga Lufta 100-vjeçare me Anglinë, nuk e kishte ndërmend të angazhohej në ndonjë luftë të re jashtë territorit frëng të sapoçliruar pas 116 viteve lufte të pandërprerë. Kjo luftë e gjatë shkaktoi dëme e shkatërrime të mëdha nëpër qytete dhe fshatra, dëmtoi rëndë ekonominë e Francës e të Anglisë, që ndienin gjithashtu efektet e murtajës së vitit 1348, ndërsa pati pasoja të tjera më të thella në gjendjen e brendshme të të dy vendeve në fjalë. Përsa i përket Gadishullit Apenin, shtetet si: Dukati i Savojës, Dukati i Milanos, Republika Veneciane, Republika e Xhenovës, Dukati i Modenas, Dukati i Ferrarës, Markezati i Mantovas, Markezati i Monferratos, Markezati i Salucos, Republika e Firences, Republika e Sienës, Republika e Lukës, Republika e San Marinos dhe Principata e Trentos, pas Paqes së Lodit (9 prill 1454) ku iu dha fund Luftërave të Lombardisë (1423-1454), ata i bashkuan qëndrimet e tyre me Selinë e Shenjtë në luftën kundër armikut të përbashkët, Perandorisë Osmane, por shumë pak prej tyre ose aspak u angazhuan seriozisht, duke dhënë kontribute konkrete në këtë drejtim. Vetëm Shteti Papal dhe Mbretëria e Napolit vijuan të dërgojnë drejt Arbërisë ndihma të shumta financiare, ushtarë, armatime dhe materiale të ndryshme. Kurse Republika Veneciane, e cila ishte më e rrezikuara nga sulltan Mehmeti II Fatih, më shumë i jepte prioritet marrëdhënieve tregtare me Perandorinë Osmane se sa luftës kundër saj. Konfederata e Vjetër Zvicerane ishte e mbërthyer nga konfliktet e vazhdueshme ushtarake për zgjerimin e mëtejshëm të territorit. Në Spanjë vazhdonte lufta e gjatë 750-vjeçare (742-1492) e njohur si “La Reconquista” për dëbimin e plotë të pushtuesve myslimanë, Maurëve, nga Gadishulli Iberik, luftë e cila mori fund më 2 janar të vitit 1492, kur “Mbretërit katolikë: Izabela e Kastiljes dhe Ferdinandi II i Aragonës”, hynë fitimtarë në Granada me kryq në dorë. Asokohe, vetëm Mbretëria e Portugalisë dhe Vendet Nordike dallonin nga e gjithë pjesa tjetër e Europës përsa i përket stabilitetit politik dhe ekonomik, por këta vende ndodheshin shumë larg Arbërisë. Mbreti portugez, Alfonsi V i dinastisë Avis (1432-1481), si kryemision të jetës së tij kishte pushtimin e Marokut dhe në vitin 1458 mori qytetin Ksar es-Segir me qëllim për ta përdorur atë si bazë kryesore të operacioneve ushtarake, që do të zhvillonte më në thellësi të vendit. Po ashtu Alfonsi V mbështeti në mënyrë të pakursyer eksplorimin e Oqeanit Atlantik të udhëhequr nga princi Henrik, i mbiquajtur Lundruesi (1394-1460). Ashtu siç kishte vepruar më herët i ati, mbreti João (Gjoni) I i Portugalisë (1357-1433), edhe Henriku nuk u shqetësua për asgjë tjetër përvreç përpunimit të teknikës dhe strategjisë më të përshtatshme për eksplorimin sistematik të brigjeve perëndimore të Afrikës, me qëllim për të zbuluar një rrugë për të arritur në Indi drejtpërdrejt nëpërmjet detit. Në fund të shek. XV (20 maj të vitit 1498) dhe 38 vite pas vdekjes së Henrik Lundruesit, marinarët portugezë me në krye eksploratorin e madh, Vasko da Gama (1460-1524), ia dolën me shumë sukses dhe mbërritën në Indi. Lisbona u bë qendra kryesore e tregtisë së erëzave në Europë dhe vetë Portugalia një perandori e pasur koloniale. Ashtu si portugezët, edhe popujt nordikë të Skandinavisë, nuk ishin të interesuar për ngjarjet dramatike që po zhvilloheshin larg tyre, në Europën Juglindore. Që vitin 1397, Mbretëria e Danimarkës, Mbretëria e Suedisë, e cila përfshinte edhe pjesën më të madhe të Finlandës së sotme, dhe Mbretëria e Norvegjisë ku bënin pjesë edhe Islanda, Groenlanda, Ishujt Faroe dhe Ishujt Veriorë të Skocisë (Northern Isles), ishin bashkuar nën një kurorë mbretërore të vetme, shtet, i cili njihet në histori si “Unioni i Kalmarit (Kalmarunionen).” Themeluesja e këtij unioni dhe mbretëresha e parë e kësaj hapësire territoriale të pamatë ishte Margareta I ose Margrete Valdemasdatter, e njohur me pseudonimin “Semiramida e Veriut”. Kryeqyteti i parë i këtij formacioni të madh shtetëror ishte Roskilde në Danimarkë gjatë viteve 1397 – 1416, dhe ndërsa, duke nisur nga viti 1416 dhe deri kur u shpërbë ky “Union personal” në vitin 1523, kryeqytet ishte Kopenhagen. Në Epokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, monarku i “Unionit të Kalmarit” ishte Kristiani I i Danimarkës (1426 – 1481) i dinastisë Oldenburg, dhe duke qenë se turqit-osmanë nuk përbënin ndonjë kërcënim për mbretërinë e tij, kuptohet se ai nuk dha ndonjë ndihmë konkrete për kryqëzatën antiturke. Kristiani I i Danimarkës e përqendroi të gjithë vëmendjen e tij vetëm në konsolidimin e pushtetit dhe zgjidhjen e konflikteve të brendshme me aristokracinë norvegjeze dhe rivalin e tij, mbretin e Suedisë, Karli VIII Knutsson, të cilin e dëboi në vitin 1457 me ndihmën e kryengritësve suedezë të udhëhequr nga Arqipeshkëvi Jöns Bengtsson dhe fisniku vendas Erik Axelsson Tott. Përsa i përket Rusisë, asokohe ky vend i madh dhe shumë i populluar ishte shtet vasal i perandorisë mongole, Hordhia e Artë (1283-1480), dhe shteti rus njihej me emërtimin Dukati i Madh i Moskës ose Principata e Madhe e Moskës (Великое Княжество Московское). Monarku i saj gjatë viteve 1425-1462 ishte Vasili Vasiljeviç (Василий Васильевич), i njohur si Vasili II i Verbëri (1415-1462), i dinastisë Rurik, i cili nuk ishte në gjendje as të çlironte vendin e vet nga Hordhia e Artë dhe jo më të mbronte Europën dhe Krishtërimin nga turqit-osmanë. Edhe trashëgimtari i tij, Ivani III Vasiljeviç, i njohur si Ivani i Madh (1440-1505), i cili në vitet 1450-1462 ishte bashkësundimtar dhe regjent i të atit të verbër, ndoqi të njëjtën politikë si Ivani II Vasiljeviç, duke u kufizuar vetëm në konsolidimin e pushtetit të vet dhe kontributi i tij më i rëndësishëm ishte fitorja që korri kundër pushtuesve mongolë në vitin 1480, fitore, e cila solli pavarësinë e Rusisë, 240 vite pas rënies së Kievit nën sundimin mongol. Po ashtu, Ivani III, që me ndërmjetësimin e Papës u martua më 1472 me vajzën e despotit të Moresë, Thoma Paleologut, princeshën Zoe, e njohur më vonë me emrin Sofia, pasi përvetësoi emblemën bizantine të “shqiponjës me dy krerë”, solli në qytetin e Moskës zakone bizantine dhe shumë shpejt Perandoria Ruse zëvendësoi Perandorinë e vdekur Bizantine në rolin e saj udhëheqës në Lindjen e Krishterë. Moska filloi të njihet nga të krishterët ortodoksë si “Roma e tretë”. Asokohe në Europë, vetëm Papa Kaliksti III, Alfonsi V i Aragonës dhe Philippe le Bon ishin në gjendje të vlerësonin drejt rrezikun e përbashkët, që u kanosej nga fuqizimi i vazhdueshëm i Perandoria Osmane dhe zgjerimi i saj i mëtejshëm drejt Perëndimit. Fatmirësisht pasuesi i Kalikstit III në Fronin e Shën Pjetrit, Piu II, jo vetëm vijoi të ndjekë rrugën e tij, por u treguar edhe më i vendosur se ai. Nga ana tjetër, kalimi në amshim i Alfonsit V të Aragonës do të pasohej nga “Kryengritja e baronëve (1458-1464)” dhe ndërsa i vetmi monark perëndimor, që vijoi të përkrahë projektin e madh të Kryqëzatës antiturke ishte duka i Burgonjës, Philippe le Bon. Madje, ky i fundit, që më 17 shkurt të vitit 1454, kishte organizuar në Lilë (Lille, Francë) të ashtuquajturën “Festa e Fazanit”, ose më saktë kishte shtruar “Banketin e Betimit të Fazanit (frëng. Banquet du Vœu du Faisan)” dhe qëllimi i kësaj feste madhështore ishte të promovonte një kryqëzatë kundër turqve, të cilët një vit më parë kishin pushtuar qytetin e Kostandinopojës. Siç do të shohim më vonë, kjo kryqëzatë nuk u zhvillua kurrë!… Asokohe Philippe le Bon po përballej me konflikte të vazhdueshme me fqinjët e tij, Mbretërinë e Francës, Perandorinë e Shenjtë Romake Gjermanike dhe sidomos me Konfederatën e Vjetër Zvicerane. Pra, ndërkohë që e gjithë Europa e krishterë po ziente nga konfliktet e saj të brendshme e të jashtme dhe sulltan Mehmeti II Fatih po përgatitej për zhvillimin e një fushate të madhe ushtarake në Anatoli kundër Hasanit të Gjatë(Uzun Hasan) dhe Ibrahim Beut të Karamanisë, vëmendja e të gjithëve u përqendrua vetëm tek Prijësi i pathyeshëm arbër, roli i të cilit si komandant i përgjithshëm i ushtrive të krishtera në luftën antiturke, ishte i pazëvendësueshëm. Në këto rrethana, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në heroin “par excellence” jo vetëm për Atin e Shenjtë, por edhe për të gjithë monarkët dhe popujt e krishterë që ishin të kërcënuar drejtpërsëdrejti nga rreziku osman. Autori anglez, A.Baldwin, i cili në veprën e tij me titull “Mbret i pakurorëzuar”, përmblodhi mendimin e të gjithë mendimtarëve, kritikëve, burrave të shtetit dhe shkrimtarëve anglezë që vlerësuan Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, ndër të tjera, shkruan se “Skënderbeu luftoi jo vetëm për popullin e tij, por për të gjithë Europën.” Me pak fjalë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, me “fatin e tij të përjetshëm prej fitimtari”, siç e cilësojnë me shumë të drejtë G.Valentini, M.Sciambra dhe I.Parrino, praktikisht ishte e vetmja shpatë dhe mburojë e pathyeshme, që po mbronte jo vetëm atdheun e tij, por edhe Krishtërimin dhe Qytetërimin Perëndimor nga fuqia gjithnjë në rritje e sulltan Mehmetit II Fatih.
Nga: Paulin Zefi.
09.09.2022.
Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të jashtme

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu