Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka uruar suksese kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili është nisur mbrëmë në Britaninë e Bashkuar për operacionin “INTERFLEX” , ku atje do të trajnojë ushtarët e Ukrainës.
Osmani ka thënë se ushtarët e FSK-së do të luajnë një rol kryesor si instruktorë, duke ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë ukrainase.
“I uroj suksese ushtarëve tanë derisa nisin operacionin INTERFLEX në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me partnerët e tjerë të NATO-s. Ata do të luajnë një rol kryesor si instruktorë, duke ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë ukrainase”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “X”.
“Krahas aleatëve tanë, ne mbetemi të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë”, ka shkruar tutje ajo.

Për këtë ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe, e cila ka përgëzuar FSK-në dhe Kosovën për solidaritet me Ukrainën që nga fillimi i luftës atje.
“Mbrëmë i uruam lamtumirën një kontingjenti të ushtarëve të FSK-së para se të fluturonin në Britani të Madhe për të mbështetur operacionin INTERFLEX. Kosova ka mbështetur dhe demonstruar solidaritet me Ukrainën dhe popullin ukrainas që nga fillimi i luftës”.
“Operacioni INTERFLEX zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka për qëllim stërvitjen e trupave të ushtrisë ukrainase. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë ofruar gatishmëri për angazhimin e instruktorëve për të ndihmuar në procesin stërvitor të Ushtrisë së Ukrainës në kuadër të këtij operacioni”, ka shkruar Ambasada e Britanisë së Madhe në Facebook.


