
Safet Sadiku, Zvicër
Të kritikosh dhunën nuk do të thotë të sulmosh Shqipërinë: miqësia me Amerikën nuk mund të jetë peng i interesave politike të askujt! SHBA-ja nuk ka qenë kurrë dhe nuk është as sot armike e shqiptarëve apo e Shqipërisë. Prandaj, përpara se të drejtojmë gishtin nga Amerika, le të shohim më parë veten, të analizojmë se çfarë liderësh na udhëheqin, interesat e kujt përfaqësojnë dhe kujt i shërbejnë me vendimet e tyre.
Sepse është e dhimbshme që, edhe në shekullin XXI, Shqipëria të përballet me përçarje, shkatërrim institucionesh dhe kriza që cenojnë të ardhmen e saj. Nuk duhet të kërkojmë armiq te aleatët tanë, ndërsa mbyllim sytë përpara përgjegjësive të atyre që e drejtojnë vendin. Në një kohë kur disa zëra, për arsye të dukshme politike dhe interesa të ngushta, po përpiqen të sulmojnë Amerikën dhe të vënë në dyshim qëndrimet e ambasadorit të saj në Tiranë, është e domosdoshme të thuhet qartë: reagimet e ambasadorëve amerikanë dhe të përfaqësuesve të tjerë diplomatikë kundër dhunës në protestat e Tiranës kanë qenë të drejta në thelbin e tyre, objektive në mesazhin që përcjellin dhe plotësisht të pranueshme në raport me parimet demokratike që Shqipëria pretendon se përfaqëson.
Miqësia me Amerikën nuk provohet duke duartrokitur çdo deklaratë të saj, por as duke e sulmuar sa herë që një qëndrim nuk u përshtatet interesave të disa grupeve tona politike. Provohet duke mbrojtur vlerat mbi të cilat është ndërtuar kjo miqësi: lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektin për institucionet. Ndonëse, për të gjithë ne është e qartë se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbëjnë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë diplomatike, por edhe të orientimit strategjik të Shqipërisë. Ato nuk janë ndërtuar brenda një dite, nuk varen nga një person diplomatik i vetëm dhe as nuk mund të reduktohen në qëndrimet e një administrate amerikane. Kjo marrëdhënie ka kaluar nëpër periudha të ndryshme historike, ka njohur ndërprerje, por është forcuar veçanërisht pas rënies së komunizmit.
Në debatin e sotëm publik, shpesh dëgjojmë deklarata që e paraqesin Amerikën si një shtet që ka vepruar gjithmonë kundër interesave shqiptare, apo që e barazojnë të gjithë marrëdhënien shqiptaro- amerikane me veprimet e një ambasadori ose me një vendim të caktuar diplomatik. Këto deklarata meritojnë të shqyrtohen përmes fakteve historike dhe jo përmes emocioneve, përgjithësimeve apo fyerjeve.
Të kritikosh politikën amerikane është një e drejtë demokratike. Të kundërshtosh një ambasador, të kërkosh llogari për një qëndrim diplomatik apo të mos pajtohesh me një vendim të Uashingtonit është krejt legjitime. Por, për të kuptuar marrëdhënien mes dy vendeve, duhet të shohim përtej mosmarrëveshjeve të momentit, (nëse ato për dikë ose për ndonjë lider të poltikës shqiptare trajtohen si të tilla), dhe të analizojmë historinë, interesat dhe rezultatet konkrete të bashkëpunimit:
1) Në vitin 1919: Woodrow Wilson dhe çështja shqiptare Një nga momentet më të rëndësishme të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane lidhet me Konferencën e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Në atë kohë, Shqipëria përballej me rrezikun e copëtimit territorial dhe me pasiguri serioze për të ardhmen e saj si shtet i pavarur. Në këtë kontekst, presidenti amerikan Woodrow Wilson mbështeti të drejtën e Shqipërisë për të ekzistuar si shtet i pavarur. Qëndrimi i Wilsonit pati rëndësi të veçantë për çështjen shqiptare dhe u bë pjesë e kujtesës historike të marrëdhënieve mes dy popujve. Sigurisht, fati i Shqipërisë nuk u përcaktua vetëm nga një individ apo nga një shtet, por mbështetja amerikane ishte një element i rëndësishëm në një periudhë vendimtare. Ky moment tregon se lidhjet shqiptaro-amerikane kanë një histori që shkon shumë përpara zhvillimeve politike të dekadave të fundit.
2) Në vitin 1922: Njohja amerikane e Shqipërisë Më 28 korrik 1922, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën po atë vit, ndërsa përfaqësuesi amerikan Ulysses Grant-Smith paraqiti kredencialet në Tiranë më 4 dhjetor 1922. Ky zhvillim ishte një hap i rëndësishëm për konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Për një vend të vogël, që po përpiqej të ndërtonte institucionet e veta dhe të fitonte njohje e besueshmëri ndërkombëtare, marrëdhëniet me një fuqi si SHBA-ja kishin rëndësi të veçantë. Marrëdhëniet u ndërprenë në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe marrjes së kontrollit të politikës së jashtme shqiptare nga fuqitë pushtuese.
3) Në vitin 1991: Rikthimi i Shqipërisë në marrëdhëniet me Perëndimin Pas afro pesë dekadash izolimi komunist, Shqipëria hyri në një periudhë të re historike. Më 15 mars 1991, SHBA-ja dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker, në Tiranë, më 22 qershor 1991, u shndërrua në një ngjarje simbolike për shoqërinë shqiptare. Shqipëria po dilte nga izolimi dhe po përpiqej të ndërtonte një sistem demokratik, ekonomi tregu dhe marrëdhënie të reja me botën perëndimore. Përtej simbolikës së asaj vizite, marrëdhëniet me SHBA-në u zhvilluan në fusha të rëndësishme: ndërtimi i institucioneve demokratike, zhvillimi ekonomik, siguria, administrata publike, shoqëria civile dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Kjo mbështetje nuk e zëvendësoi përgjegjësinë e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre. Ajo ishte një formë bashkëpunimi dhe asistence në një periudhë kur Shqipëria kishte nevojë për hapje, përvojë dhe partnerë ndërkombëtarë.
4) Në vitin 1999: Kosova dhe roli i Shteteve të Bashkuara Për shqiptarët, viti 1999 mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore. Gjatë luftës në Kosovë, Shtetet e Bashkuara luajtën një rol udhëheqës në kuadër të NATO-s. Më 24 mars 1999, Aleanca nisi operacionin ajror kundër objektivave në (ish) Republikën Federale të Jugosllavisë, me synimin për të ndalur katastrofën humanitare që po zhvillohej në Kosovë. Operacioni zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor 1999, pas pranimit të tërheqjes së forcave jugosllave dhe vendosjes së një pranie ndërkombëtare të sigurisë. Roli amerikan në këtë proces ishte i rëndësishëm, por ndërhyrja u zhvillua në kuadër të NATO-s dhe duhet kuptuar si rezultat i një veprimi të përbashkët të aleatëve. Për shqiptarët e Kosovës, ndërhyrja shënoi një kthesë vendimtare në rrjedhën e konfliktit. Ajo nuk duhet parë jashtë kontekstit të dhunës, spastrimit etnik, dëbimeve masive dhe përpjekjeve të dështuara diplomatike për zgjidhjen e krizës. Kjo pjesë e historisë nuk mund të fshihet nga kujtesa kolektive. Ajo është një prej arsyeve pse marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe SHBA-së kanë fituar një dimension të veçantë emocional, politik dhe strategjik.
5) Në vitin 2008, u bë njohja e pavarësisë së Kosovës Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Një ditë më pas, më 18 shkurt, Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht si shtet të pavarur dhe sovran. Ky vendim pati rëndësi të jashtëzakonshme për konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe për orientimin e saj euroatlantik. Sigurisht, njohja amerikane nuk e përfundoi procesin e njohjes ndërkombëtare dhe as nuk i zgjidhi të gjitha sfidat me të cilat përballet Kosova. Megjithatë, mbështetja e SHBA-së mbetet një element me peshë në marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë. Për këtë arsye, çdo analizë serioze e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane duhet ta përfshijë edhe këtë kapitull.
6) Në vitin 2009, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, pas një procesi të gjatë afrimi, reformash dhe bashkëpunimi me aleatët. Anëtarësimi nuk ishte rezultat i një vendimi të vetëm amerikan, por i një procesi kolektiv të Aleancës dhe i përpjekjeve të vetë Shqipërisë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. Megjithatë, roli i SHBA-së në NATO dhe mbështetja e saj për zgjerimin e Aleancës drejt vendeve të Evropës Juglindore kanë qenë pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Anëtarësimi në NATO e vendosi Shqipërinë brenda një sistemi të përbashkët të mbrojtjes kolektive, duke i dhënë vendit një pozicion të ri në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Ky është një interes afatgjatë kombëtar, që nuk duhet të varet nga simpatitë apo antipatitë ndaj një administrate të caktuar.
7) Ndihma amerikane dhe zhvillimi i Shqipërisë Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, që nga viti 1992, qeveria e SHBA-së ka ofruar mbi një miliard dollarë ndihmë për Shqipërinë. Kjo ndihmë ka mbështetur fusha të ndryshme, ndër të cilat: – Forcimin e institucioneve demokratike;
– Zhvillimin e shoqërisë civile dhe medias së pavarur;
– Përmirësimin e qeverisjes vendore;
– Sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë;
– Zhvillimin ekonomik dhe ekonominë e tregut;
– Sektorët e energjisë dhe të shëndetësisë;
– Rritjen e kapaciteteve institucionale.
Këto të dhëna nuk nënkuptojnë se çdo projekt ka qenë i suksesshëm apo se Shqipëria i ka zgjidhur problemet e saj. Përgjegjësia për qeverisjen, zhvillimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve mbetet para së gjithash shqiptare. Por është e rëndësishme të pranohet se kjo mbështetje ka qenë një pjesë konkrete e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Reforma në drejtësi, SPAK-u dhe lufta kundër korrupsionit Një nga fushat ku mbështetja amerikane është bërë veçanërisht e dukshme është reforma në drejtësi. Në vitin 2016, Shqipëria miratoi ndryshime të rëndësishme kushtetuese për reformimin e sistemit gjyqësor. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian mbështetën procesin e reformës, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Në këtë kuadër u krijuan institucionet e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe të keqës së organizuar, përfshirë SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Kjo mbështetje nuk duhet interpretuar si garanci se çdo vendim i këtyre institucioneve është i drejtë apo se ato nuk mund të kritikohen. Përkundrazi, një sistem drejtësie demokratik duhet të jetë i pavarur, i paanshëm dhe i përgjegjshëm përpara ligjit. Çdo institucion duhet të kontrollohet përmes mekanizmave ligjorë dhe kushtetues. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të mohohet roli që SHBA-ja dhe partnerët evropianë kanë luajtur në mbështetjen e reformës.
9) Partneriteti strategjik nuk do të thotë pajtim i pakushtëzuar Është e rëndësishme të kuptohet se SHBA-ja nuk është një organizatë bamirësie. Ajo është një fuqi e madhe, me interesa kombëtare, prioritete gjeopolitike dhe objektiva të politikës së jashtme. Ashtu si çdo shtet tjetër, edhe SHBA-ja mund të marrë vendime të diskutueshme, të gabojë në vlerësime ose të mbështesë politika që nuk përputhen plotësisht me interesat e Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të ketë një politikë të jashtme të matur, të pavarur dhe të orientuar drejt interesave të saj kombëtare. Partneriteti strategjik nuk nënkupton se duhet të pajtohemi me çdo vendim amerikan. Nuk nënkupton se një ambasador duhet të jetë i paprekshëm nga kritika. Nuk nënkupton as se Shqipëria duhet të heqë dorë nga sovraniteti apo nga e drejta për të mbrojtur interesat e veta. Por partneriteti strategjik nënkupton se duhet të dimë të dallojmë një mosmarrëveshje të momentit nga rëndësia afatgjatë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Një ambasador përfaqëson përkohësisht shtetin e tij. Ai nuk është vetë Amerika. Një administratë mund të ndryshojë, një president mund të largohet dhe prioritetet diplomatike mund të rishikohen, por marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve ndërtohen mbi interesa, institucione dhe marrëveshje afatgjata.
10) Kritika duhet të mbështetet në fakte, jo në përgjithësime Nëse një ambasador ka bërë deklarata të gabuara, duhet kritikuar. Nëse një vendim amerikan ka cenuar interesat shqiptare, duhet kundërshtuar. Nëse ka pasur ndërhyrje të papërshtatshme në çështje të brendshme, ato duhet të trajtohen përmes argumenteve dhe fakteve konkrete. Por të deklarosh se të gjithë ambasadorët amerikanë kanë qenë armiq të shqiptarëve, se SHBA-ja ka vepruar gjithmonë kundër Shqipërisë apo se historia e marrëdhënieve tona nuk ka pasur asnjë kontribut pozitiv, do të thotë të injorosh një pjesë të rëndësishme të dokumentuar të historisë. Po aq e gabuar do të ishte të pretendonim se Amerika nuk ka bërë kurrë gabime ose se çdo politikë e saj duhet mbështetur pa diskutim.
Të dyja qasjet e largojnë vëmendjen nga interesi kombëtar. Njëra e zëvendëson analizën me armiqësi të përgjithshme, ndërsa tjetra rrezikon ta zëvendësojë gjykimin kritik me pajtim të pakushtëzuar. Shqipërisë i duhet një qasje më e pjekur: respekt për aleatët, mbrojtje e sovranitetit, kritikë e argumentuar dhe vlerësim i kontributit historik kur faktet e konfirmuara e mbështesin atë. Nuk ka asgjë të papranueshme që një ambasador të dënojë dhunën, të kërkojë respektimin e institucioneve dhe të mbrojë standardet demokratike.
Liria e protestës është e drejtë themelore, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë, frikësim apo destabilizim. Sovraniteti kombëtar nuk është mburojë për dhunën dhe patriotizmi nuk matet me sulmet ndaj aleatëve strategjikë. Çdo qëndrim diplomatik mund të diskutohet e të kritikohet, por mospajtimi me një deklaratë nuk duhet të shndërrohet në armiqësi ndaj Amerikës apo në mohim të kontributit të saj historik. Amerika nuk është kundërshtare e Shqipërisë kur dënon dhunën, as ambasadori armik i shqiptarëve kur kërkon respektimin e demokracisë. Marrëdhënia shqiptaro-amerikane është shumë më e rëndësishme se interesat e përkohshme politike. Ajo mbështetet në histori, besim dhe vlera të përbashkëta.
Një Shqipëri që synon të jetë pjesë e familjes europiane dhe demokratike duhet të ketë pjekurinë të pranojë edhe mesazhe të pakëndshme, kur ato mbrojnë demokracinë, institucionet dhe interesin publik. SHBA-ja DHE SHQIPËRIA: MIQËSI, JO VARËSI! Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane përmban momente me rëndësi të veçantë: mbështetjen e presidentit Wilson për Shqipërinë më 1919, njohjen amerikane të shtetit shqiptar më 1922, rivendosjen e marrëdhënieve më 1991, rolin amerikan në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999, njohjen e pavarësisë së Kosovës më 2008, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO më 2009 dhe mbështetjen për reforma të rëndësishme institucionale. Këto janë fakte që duhen njohur dhe vlerësuar, pa i shndërruar në argument për të justifikuar çdo vendim të SHBA-së. Shqipëria nuk duhet të jetë servile ndaj asnjë fuqie të huaj. Por as nuk duhet ta ndërtojë politikën e saj mbi armiqësi të përgjithshme ndaj një partneri strategjik, duke shpërfillur historinë dhe interesat afatgjata.

Marrëdhëniet me SHBA-në kanë rëndësi për sigurinë, demokracinë, zhvillimin dhe pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë. Për këtë arsye, ato duhet të ruhen dhe të forcohen përmes bashkëpunimit të sinqertë, respektit të ndërsjellë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare. Të jesh partner i SHBA-së nuk do të thotë të heqësh dorë nga mendimi i pavarur. Të kritikosh Amerikën nuk do të thotë të mohosh historinë.
Dhe të mbrosh interesat shqiptare nuk kërkon as servilizëm, as armiqësi të verbër. Shqipëria ka nevojë për një marrëdhënie shqiptaro- amerikane të fortë, të qëndrueshme dhe të bazuar në respektin e ndërsjellë. Një partneritet ku miqësia nuk përjashton kritikën dhe ku kritika nuk shndërrohet në mohim të historisë. SHBA-ja nuk ka qenë kurrë dhe nuk është as sot armike e shqiptarëve apo e Shqipërisë.
Prandaj, përpara se të drejtojmë gishtin nga Amerika, le të shohim më parë veten, të analizojmë se çfarë liderësh na udhëheqin, interesat e kujt përfaqësojnë dhe kujt i shërbejnë me vendimet e tyre. Sepse është e dhimbshme që, edhe në shekullin XXI, Shqipëria të përballet me përçarje, shkatërrim institucionesh dhe kriza që cenojnë të ardhmen e saj. Nuk duhet të kërkojmë armiq te aleatët tanë, ndërsa mbyllim sytë përpara përgjegjësive të atyre që e drejtojnë vendin.
Kjo analizë mbështetet edhe nga Bordi Drejtues i Institutit Studimor: „Platforma për Referendum Kombëtar“- Tiranë .


