REAGIM PUBLIK
ORGANIZATA SHQIPTARIA
Shteti i Kosovës nuk mund të qëndrojë indiferent përballë rrjeteve të ekstremizmit fetar!
Organizata Shqiptaria e konsideron alarm serioz vendimin e Gjykatës Penale të Kajros, të datës 10 nëntor 2026, për përfshirjen e 35 organizatave dhe 36 individëve në listat e terrorizmit, ku figuron edhe një organizatë me bazë në Kosovë, Cultural Foundation for Science and Education.
Ky vendim kërkon reagim të menjëhershëm, serioz dhe institucional nga Republika e Kosovës. Nuk mund të lejojmë që institucionet tona të presin derisa pasojat e veprimtarisë së rrjeteve ekstremiste të bëhen të pakthyeshme.
Organizata Shqiptaria u bën thirrje:
1. Gjykatave dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë që të veprojnë me urgjencë, të shqyrtojnë vendimin e Gjykatës së Egjiptit, të hetojnë veprimtarinë dhe lidhjet e organizatës së përmendur me rrjetet e Vëllazërisë Myslimane dhe, nëse konstatohen kushtet ligjore, të ndërmarrin masa për ndalimin dhe shpalljen e saj organizatë terroriste.
2. Qeverisë së Kosovës që të marrë masa të menjëhershme parandaluese, përfshirë pezullimin e bashkëpunimit institucional dhe aktiviteteve të BIK-ut që mund të kenë lidhje me organizatat e dyshuara, deri në zbardhjen e plotë të marrëdhënieve, bashkëpunimit dhe ndërveprimit të tyre. Kërkojmë gjithashtu mbikëqyrje të rreptë institucionale mbi veprimtarinë e BIK-ut.
3. Qeverisë dhe institucioneve financiare e të sigurisë që të hetojnë çdo transaksion, burim financimi dhe rrjedhë të mjeteve financiare drejt institucioneve dhe organizatave fetare. Çdo financim nga jashtë duhet të jetë transparent, i deklaruar dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Nuk mund të ketë para të pakontrolluara për ndikim ideologjik dhe politik mbi shoqërinë tonë.
4. Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare që të shqyrtojnë me seriozitet aktivitetin e organizatave dhe rrjeteve të dyshuara për lidhje me Vëllazërinë Myslimane, si dhe veprimtarinë e klerikëve që promovojnë ideologji ekstremiste. Kërkojmë masa ligjore për ndalimin e aktiviteteve të tyre kur ekzistojnë prova dhe baza juridike, pavarësisht nëse veprojnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja apo vende të tjera të rajonit.
5. Vendet mike të Kosovës që të mbajnë qëndrim të qartë dhe të vendosur kundër financimit dhe përhapjes së ideologjive ekstremiste përmes institucioneve, fondacioneve dhe organizatave fetare.
RREZIKU NUK ËSHTË VETËM I SIGURISË, POR EDHE KOMBËTAR DHE KULTUROR!
Pasojat e ekstremizmit islamist dhe të ideologjisë së Vëllazërisë Myslimane nuk kufizohen vetëm në çështjet e sigurisë.
Ato shfaqen në disa dimensione:
* Në kulturë: përmes imponimit të traditave, normave dhe praktikave të huaja, të cilat nuk burojnë nga trashëgimia historike dhe kulturore shqiptare.
* Në histori: përmes deformimit të së kaluarës sonë dhe ndërtimit të narrativave që cenojnë identitetin kombëtar shqiptar dhe historinë e tij.
* Në shoqëri: përmes nxitjes së ndarjeve fetare dhe dobësimit të identitetit të përbashkët kombëtar.
* Në siguri: përmes radikalizimit dhe mobilizimit të besimtarëve për t’u përfshirë në konflikte të huaja, siç ndodhi me rekrutimin dhe dërgimin e qytetarëve nga Kosova në luftën e Sirisë.
Këto nuk janë çështje teorike. Përfshirja e qytetarëve të Kosovës në luftën e Sirisë dhe pasojat e saj janë një dëshmi konkrete e rrezikut që paraqet radikalizimi fetar.
Kosova është shtet laik, demokratik dhe multietnik. Liria e besimit është e drejtë themelore e çdo qytetari, por ajo nuk mund të shndërrohet në mburojë për veprimtari ekstremiste, ndikime të huaja apo struktura që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare.
Ne nuk jemi kundër besimit fetar. Jemi kundër instrumentalizimit të fesë, ekstremizmit dhe çdo përpjekjeje për ta zëvendësuar identitetin kombëtar shqiptar me identitete dhe ideologji të importuara.
Shqiptaria nuk është kundër besimit. Shqiptaria është kundër çdo ideologjie që e vendos fenë mbi kombin, ideologjinë mbi shtetin dhe bindjen fetare mbi lirinë e qytetarit.
Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë tani. Jo nesër, jo pasi të jetë vonë!
Shteti mbi çdo ideologji. Identiteti kombëtar mbi çdo përçarje. Ligji i barabartë për të gjithë!

- ORGANIZATA SHQIPTARIA


