
Nga Safet Sadiku
___
Pamja e turpëshme në Tiranë, ku turistë ngjiten mbi bustin e Gjergj Kastriotit pa asnjë ndërhyrje, nuk është rastësi. Ky është rezultat i një shteti të kapur, i një politike të korruptuar dhe i një shoqërie të lënë qëllimisht në gjumë. Këto janë provokime të orkestruara nga agjenturat serbe që punojnë për të poshtëruar simbolet tona kombëtare. Turpi i vërtetë nuk është te turistët, por te shteti shqiptar që nuk reagon, te policia që hesht, dhe te politika që me këtë indiferencë bëhet bashkëfajtore. Një komb që nuk mbron figurën e tij më të madhe, nuk mbron dot as vetveten. Shumë e dhimbshme dhe turpëruese! Në mes të kryeqytetit shqiptar, aty ku duhej të ishte zemra e krenarisë kombëtare, ndodh skena më poshtëruese: turistë të huaj ngjiten mbi bustin e Gjergj Kastriotit, figurës më emblematike të kombit tonë, pa asnjë reagim nga qytetarët, pa asnjë ndërhyrje nga policia, pa asnjë përgjegjësi nga shteti. Ky nuk është thjesht mjerim, por një dëshmi e një gjumi të thellë shoqëror dhe shtetëror. Turpi është i shumëfishtë. Turp për ata qytetarë që heshtën e shikonin sikur të mos ndodhte asgjë. Turp për ata që quhen “forca rendi”, por që nuk lëvizin gishtin as hapin për të mbrojtur simbolet e kombit. Turp për një politikë që flet për integrim evropian, por nuk mbron as dinjitetin elementar kombëtar. Le të jemi të qartë se këto sjellje nuk janë thjesht akte të rastit. Janë provokime të qëllimshme, të orkestruara nga agjenturat serbe që prej kohësh punojnë për të fyer e përbaltur çdo simbol të identitetit shqiptar. Nuk është hera e parë që simbolet tona sulmohen, dhe nuk është rastësi që gjithmonë shteti mbyll sytë. Heshtja e politikës shqiptare është bashkëfajësi. Në çdo qendër evropiane, është e paimagjinueshme që dikush të guxojë të hipë mbi një bust kombëtar pa reagim të menjëhershëm. Atje, shteti mbron simbolet sepse ato janë vetë shteti. Në Tiranë, shteti hesht sepse ka humbur kuptimin e vet. Ky mosreagim nuk është një gjë e vogël. Është një plagë që tregon se sa e shkatërruar është ndjenja jonë kombëtare. Një shoqëri që nuk reagon ndaj përdhosjes së heroit të saj, është një shoqëri që ka humbur gjakun dhe shpirtin. Por përgjegjësia nuk bie mbi popullin e zakonshëm, i cili është lënë në varfëri dhe në mpirje. Përgjegjësia bie mbi politikën shqiptare, mbi ata që, ose me paaftësi, ose me qëllim, lejojnë që provokimet serbe të marrin skenën qendrore në zemër të Shqipërisë. Dhe kjo nuk është thjesht dhimbje. Kjo është alarm kombëtar!… Alarm!… Alarm!…
_____
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me përplasjen e dhunshme të tifozëve shqiptarë me atë të huliganëve të ekipit polak të Jagiellonias, që ndodhi pas ndeshjes së mbrëmshme me Dinamon, që u mbajt në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.
Pasi huliganët dolën nga stadiumi, ata u pritën jashtë nga tifozët vendas të cilët në afërsi të stadiumit dhunuan njërin prej tyre, ndërsa në afërsi të Rinasit sulmuan me flakadanë dhe gurë tre autobusë të tifozëve Jagiellonas.
Për këtë, policia ka arrestuar shtetasit A. M., 32-vjeç., K. S., 29-vjeç dhe Sh. S., 30-vjeç, si dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë dy 17-vjeçarë. Të gjithë ata dyshohen se “pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.”
Irritimi i tifozëve vendas erdhi pas gjatë pasdites së djeshme, tifozët e Jagiellonias që përshkruhen si “radikalë pro-serbë” përdhosën shtatoren e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në sheshin qendror të kryeqytetit. JOQ Albania i publikoi me pamje veprimet e tyre, të cilat u filmuan nga qytetarë të zakonshëm.
Këta të fundit kërkuan që të merren masa për ndëshkimin e përdhosësve të figurës së Skënderbeut, por policia nuk arriti të identifikojë asnjëri prej tyre, pavarësisht se ishin me pamje. Për ironi, ata që u ndaluan janë tifozët vendas, që duke parë mosveprimet e autoriteteve, u organizuan vetë për të mbrojtur nderin e Heroit Kombëtar.
Pas kësaj ngjarje, të shumtë janë qytetarët që pyesin se “Çfarë do të ndodhte nëse të njëjtat veprime do t’i kryenin tifozët shqiptarë, me figurat kombëtare të shteteve të tjera, për më tepër në qendër të kryeqyteteve të tyre?”


