ARKIVI:
7 Mars 2026

Dita e kthesës së madhe historike, përkujtimi i 36 vjetorit të themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”

Shkrime relevante

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Shpërndaj

Jusuf Buxhovi, historian e shkrimtar nga Prishtina
___
-Në kuvendin themelues, që u mbajt më 23 dhjetor 1989, intelektualët e njohur morën përsipër përgjegjësinë politike me të cilën i ngarkoi historia.
Nga Jusuf Buxhovi
E shtuna e 23 dhjetorit, njëherësh ishte edhe natë e krisht-lindjeve. Dhe ajo ishte një ditë e zymtë dimri, me një si tis të hollë mjegulle që ishte lëshuar në pjesën e ultë të Prishtinës. Rrugët ishin të qeta dhe dukeshin se kishin më pak se rëndom njerëz. Zbrazëti vërehej edhe në “Elidë”, ku të shtunave, që nga mëngjesi ishte vështirë të gjeje vende të lira. Por, atë ditë, aty kishin zënë vend disa nga ata të listës së themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mehmet Kraja, Xhemal Mustafa, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Basri Çapriqi, Hysen Matoshi, Neshet Nushi, ndërsa pas pak do të bashkohen edhe Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi dhe shoqëria e tyre, ku ishte Skënder Kada, avokati Isuf Haklaj dhe të tjerë. Neshet Nushi, si më i vyeshmi që ishte për punët organizative tha se kishte marrë të gjitha masat që salla e Shoqatës së Shkrimtarëve të pastrohej dhe të hiqeshin tavolinat e tepërta.
Pak nga pak dhe po afrohej koha e nisjes. Kishte edhe një gjysmë ore deri te fillimi i punimeve të kuvendit themelues. Dukeshin disa veta që silleshin si me kureshtje, por jo tjetër. Rugova ishte aty dhe priste në zyrën e vogël gjithë tym.
Në kthinën tjetër, ku mezi silleshim, me Xhemën po bisedonim për rendin e ditës. Milazimi tha se ishte mirë që kuvendin ta hapte dr. Zenel Kelmendi, që pasi do të propozonte kryesinë e punës në për-bërje të Ibrahim Rugovës, Ali Aliut dhe meje si dhe të propozonte për procesmbajtës Hysen Matoshin, me dy-tri fjalë përshëndetëse t’i falënderonte të pranishmit. Pastaj t’i jepej fjala dr. Zekeria Canës të përshëndeste tubimin në emër të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe po ashtu fjala t’i jepej edhe Veton Surroit, meqë kishte shprehur dëshirën që do të përshëndeste në emër të UJD-it. Në vazhdim unë do të paraqita programin dhe statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në fund, Milazim Krasniqi, në emër të grupit themelues do të dilte me propozimin për kryetarin, sekretarin dhe anëtarët e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nuk ishte paraparë kurrfarë diskutimi, pos fjalës falënderuese të kryetarit.
Në orën njëmbëdhjetë, pasi që salla e vogël e Shoqatës së Shkrimtarëve ishte mbushur plot dhe përplot e disa të tjerë madje kishin mbetur në korridor dhe jashtë – me të cilët ishte marrë Nesheti, që kishte bërë përpjekje që asnjë të mos kthehej nga shkaku i vendit por t’i mbante me premtimin se së shpejti do të kishte vend për të gjithë – dr. Zenel Kelmendi kishte hapur mbledhjen e Kuvendit Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës me fjalët se “ajo ditë fillonte shënimin e një kthese historike për të ardhmen e Kosovës, ngaqë bëhej me një parti politike autentike properëndimore, e cila do t’i mbrojë interesat e saj jetike në përputhje me vullnetin e popullit”.
Sipas marrëveshjes fjalën ia kishte dhënë dr. Zekeria Canës që të përshëndeste në emër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të themeluar para dy muajsh në Prishtinë. Zekeria Cana, foli me emocione për një fillim historik. Ndërsa Veton Surroi, në emër të UJD-it përgëzoi të pranishmit për guximin qytetar dhe intelektual që kishin shprehur me përcaktimin që të bëheshin gur themeli i një partie të lirë.
Pastaj fjala m’u dha që të paraqitja dokumentet e partisë: pro-gramin dhe statutin. I lexova që të dyja me një prajshmëri që të ishin sa më të kapshme. Fillimisht bëra të ditur se dokumentet i kisha hartuar pas një konsultimi me të tjerët në përputhje me përcaktimet e konceptit themelor që kishin dalë nga ujdia e arritur midisi grupit të parë të themeluesve, e që ishin pranuar edhe prej të tjerëve.
Programi dhe statuti u përshëndetën me aklamacion dhe u pra-nuan si dokumente bazë të partisë.
Në fund, fjalën e mori Milazim Krasniqi, i cili doli me propozimin që për kryetar të partisë të zgjidhet dr. Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi, ndërsa për anëtarë të kryesisë propozoi: dr. Fehmi Aganin, dr. Ali Aliun, dr. Bujar Bukshin, Mehmet Kraja dhe Nekibe Kelmendin.
Propozimet për kryetarin, sekretarin dhe anëtarët e kryesisë u pranuan dhe u aprovuan me aklamacion të gjatë.
Ibrahim Rugova, me pak fjalë u falënderua për besimin e dhënë. Zërin e kishte të shterur sa mezi fjalët ia kapnim ne që e kishim afër. Megjithatë, ato që tha ishin të ngjashme me një si betim që jepet një herë dhe ai kthehet në kod të përhershëm përcaktues.
I tillë dukej Ibrahim Rugova i asaj dite siç do të mbetet i tillë përherë…
Me kaq mori fund kuvendi themelues i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
Pasi që të pranishmit do të nënshkruhen në listat e themeluesve dhe ishin gjithsej 127 sosh, kryetari Rugova bashkë me kryesinë dhe disa nga themeluesit, organizuan një konferencë për shtyp para gazetarëve të shumtë që përcollën punën e kuvendit themelues të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
U shtruan shumë pyetje, ku nuk mungonin ato si shihej “Lidhja e Komunistëve e Kosovës”: partnere apo kundërshtare?
Rugova bëri të ditur se “Lidhja Demokratike e Kosovës”, siç theksohet edhe në programin e saj, angazhohet për pluralizëm de-mokratik dhe sistem shumëpartiak por pa monopol të askujt. Në këtë aspekt edhe “Lidhjen e Komunistëve”, po që se ajo do të jetë në gjendje të ruajë anëtarësinë në Kosovë, dhe të tjerët, do t’i shohë si partnerë.
Në një pyetje tjetër, se çfarë do të ndodhë po që se “Lidhja e Komunistëve” nuk do t’u pranojë si partnerë politikë, por si armiq, Rugova tha se nuk ishte çështje e “Lidhjes Demokratike të Kosovës” t’ia ndikonte apo t’ia ndërronte dioptrinë “Lidhjes së Komunistëve”, por një gjë e dinte, se monopoli i saj po merrte fund dhe shumë shpejt “Lidhja Demokratike e Kosovës” do të kthehet në forcë auten-tike politike, me vizionin e barazisë, të demokracisë dhe të kthimit kah vlerat perëndimore.
Shtypi i Beogradit, ai i Zagrebit, i Lubjanës dhe i qendrave të tjera, do t’u bëjë jehonë të madhe fjalëve të Rugovës rreth partneritetit me “Lidhjen e Komunistëve” në fushën e pluralizmit politik dhe theksimit se ajo duhej të hiqte dorë nga monopoli politik.
Në Beograd ky theksim do të interpretohet “përpjekje kameleonë e separatistëve shqiptarë” që me anën e pluralizmit të rrënojnë “Lidhjen e Komunistëve” e me këtë edhe Jugosllavinë.
Në Zagreb, në komentin kryesor të “Danasit”, themelimi i “Lidhjes Demokratike të Kosovës” dhe fjala e Rugovës para gazetarëve do të quhen “fillim i ri jo vetëm në Kosovë, por edhe në skenën e përgjith-shme jugosllave drejt thyerjes së monopolit të komunistëve”.
Në Lubjanë “Dello”, në faqen e parë do të theksojë se “Kosova nuk është më pashallëk politik i Millosheviqit, por në timonin e inteligjencies shqiptare, që shkon kah perëndimi”.
“Borba” e Beogradit, e cila mundohej të ishte më e matur dhe t’i jepte vend edhe qëndrimit të shqiptarëve të injoruar nga mediat tjera serbe, më katër janar, në gjysmë faqe, dhe pa kurrfarë komenti, solli në tërësi programin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Ishte kjo një ndihmesë e madhe që opinioni jugosllav, së paku ata që kër-konin të ishin të informuar si duhej, të mos binte pre e propagandës dhe manipulimeve serbe, të cilat si do të shihet, në këtë drejtim do të fillojnë fushatë të egër kundër “Lidhjes Demokratike të Kosovës” dhe përkrahësve të saj, jo që themelimin e saj ta zhbënin, por që të frikësonin ata që me të shpejtë do t’i bashkohen për ta kthyer në një subjekt politik ndër më të fuqishmit jo vetëm në skenën politike të Kosovës, por edhe në atë të vendit në përgjithësi.
Edhe në shtypin europian themelimi i “Lidhjes Demokratike të Kosovës” do të vërehet, ku më shumë e ku më pak, i parë si zhvillim pozitiv edhe përkundër provokimeve që shqiptarëve u bëheshin nga regjimi serb i Beogradit që ua kishte marrë të gjitha dhe shpresonte se si të dëshpëruar, me ndjenjën se janë të harruar edhe nga Perëndimi dhe përkrahja e tyre e të lënë pengë serbë, ashtu do t’i privonte edhe nga konceptet civilizuese dhe nga përcaktimet perën-dimore. Gjermanët, do t’i kushtojnë vëmendje të konsiderueshme lindjes së LDK-së, pse disa nga mediat e atjeshme (“Westdeutsche Rundfunk”,”Frankfurter Allgemeine”dhe DPA) kanë qenë inspirues të drejtpërdrejtë të themeluesve të saj, kështu që krahas lajmeve, sollën edhe vlerësime, ndër të cilat duhet dalluar atë të gazetës “Frankfuter Allgemeine” me titullin “Paraqitja triumfale e Rugovës në politikë” – “një sihariq që vjen nga Kosova ndaj të cilit duhet pasur respekt që të gjithë, madje edhe serbët e indoktrinuar me nacionalizëm dhe shovinizëm, sepse si thuhet me subjektin e parë partiak të shqiptarëve, po u ofrohet rast për pajtim historik me shqiptarët”.
Lajmet për themelimin e LDK-së si një kapitull i ri politik në Kosovës por edhe në Jugosllavi, nuk do të mungojnë edhe në shtypin francez dhe atë të Britanisë së Madhe, ndërsa në SHBA, gazetari i njohur Bajder, në një shkrim në “Uashington post” të botuar në fillim të janarit, themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës” natën e krishtlindjeve, do t’ia atribuojë “qëllimin” e mesazhit perëndimor që vinte nga shqiptarët e Kosovës për Perëndimin, që t’u ndihmonte që të ktheheshin ku e kishin vendin.
(Shkëputur nga libri “Vitet e Gjermanisë”, 2024)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu