ARKIVI:
29 Prill 2026

Punëtorët e gazetës “Rilindja”, vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe pa pensione të plota !

Shkrime relevante

Zgjedhjet e përsëritura brenda 4 muajve nuk ju kthejnë legjitimitet; përkundrazi, do të ndëshkoheni

Nezir Fejza, Pejë Opozita deri më tani deklaronte se Albin Kurti ka...

O populli im, Ndalu…! Pse po prodhon budallallëqe gjithandej pa ndalë?

Driton Statovci, Vjenë Ndoshta me se miri është mos me lexue lajmet...

Republika si kulturë shteti

Isuf Bajraktari, Suedi Kriza politike në Kosovë nuk është thjesht përplasje periodike...

Safet Hasani për librin e Ismet Hasanit, “Mustafë Hasani – Paci rapsodi që këndoi ”Lahutën e Malësisë”

Safet Hasani, Gjermani, redaktor i  librit   Mustafë Hasani – Paci rapsodi që...

Shpërndaj

Zeqir Bekolli, Drenas

Historia e gazetës Rilindja nuk është vetëm histori e gazetarisë shqiptare në Kosovë, ajo është edhe histori e rezistencës kulturore dhe politike të një populli nën pushtim. Por paradoksi tragjik është se njerëzit që e mbajtën gjallë këtë institucion në kohët më të vështira, sot vazhdojnë të përballen me padrejtësi dhe diskriminim institucional.
Goditja e parë e rëndë erdhi në gusht të vitit 1990, kur regjimi i Slobodan Millosheviqit ndaloi botimin e gazetës “Rilindja”. Ky akt nuk ishte vetëm një vendim administrativ. Ai ishte rdhe një përpjekje për të heshtur zërin e shqiptarëve në Kosovë. Gazetarët dhe punëtorët e saj u përballën me presion, vrasje,  përndjekje dhe humbje të vendeve të punës.
Megjithatë, fryma e gazetës nuk u shua. Ajo vazhdoi të jetojë përmes gazetës “Bujku”, e cila u bë një formë alternative e informimit dhe rezistencës. Por edhe kjo përpjekje u ndërpre, më 31 dhjetor 1998, në kulmin e represionit serb dhe territ informativ gjatë luftës në Kosovë.
Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së Administratës Ndërkombëtare, shumëkush priste që padrejtësitë të korrigjoheshin. Por ndodhi e kundërta. Më 30 janar 2002, administrata e UNMIK-ut, me një vendim të njëanshëm, i dëboi punëtorët e “Rilindjes” nga Pallati i saj. Ky veprim u perceptua nga shumëkush si një goditje e re ndaj një institucioni që kishte mbijetuar edhe nën regjimin represiv serb.
Diskriminimi nuk u ndal me kaq. Në periudhën e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, punëtorët dhe gazetarët e “Rilindjes” vazhduan të përballen me trajtim të padrejtë. Kompleksi i “Rilindjes”, me rreth 5.5 hektarë truall, iu mor ndërmarrjes, ndërsa proceset e privatizimit dhe kompensimit u shoqëruan me vonesa dhe paqartësi.
Një ndër çështjet më të diskutueshme është ajo e të ashtuquajturit “20 përqindësh”, që u takon punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Edhe pse punëtorët e “Rilindjes” kanë të drejtë në këtë përqindje për ndërtesat, pagesat janë vonuar për vite të tëra, ndërsa e drejta për 20 për qind të truallit është mohuar plotësisht.
Padrejtësia bëhet edhe më e thellë kur merret parasysh çështja e stazhit të punës. Ligji parasheh njohjen e stazhit për periudhën 1989–1999 për punëtorët që punuan me ligje të Republikës së Kosovës dhe  u përjashtuan nga puna për arsye politike. Megjithatë, për shumë punëtorë e gazetarë të “Rilindjes” nuk është njohur stazhi për periudhën 1990–2002, edhe pse ata vazhduan të punojnë dhe të kontribuojnë në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
Si pasojë e këtyre vendimeve, shumë prej këtyre gazetarëve dhe punëtorëve sot përballen me një realitet të hidhur, me  mohimin e të drejtës për pension të plotë. Kjo padrejtësi nuk është produkt i një qeverie të vetme, por ajo është trashëguar dhe vazhduar nga të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë deri te kjo e sotmja.
Në një shoqëri që pretendon të ndërtojë shtetin e së drejtës dhe të nderojë historinë e saj, trajtimi i punëtorëve të “Rilindjes” mbetet një provë morale dhe institucionale. Punëtorët e “Rilindjes” nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm njohjen e kontributit të tyre dhe një Ligj që rregullon statusin e pensionistit në realitetin e ri në Kosovë. Sepse pa  këtë ligj edhe gjykatat tona po kanë telashe të sjellin vendime në dobi të pensionistëve të diskriminuar. Me një fjslë, pa drejtësi për ata që mbajtën gjallë fjalën e lirë në kohët më të errëta, edhe vetë kujtesa e lirisë rrezikon të zbehet.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu