Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus”, organizoi një program të veçantë përkujtimor me ekspozitë, diskutime dhe shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”. Në qendër të veprimtarisë ishte thirrja për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën.
Gjenevë, 30 gusht 2026 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Jardin des Disparus” (Kopshti i të Zhdukurve), organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë dhe familjeve që prej vitesh vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Përmes artit, dëshmive dhe diskutimeve, veprimtaria solli në vëmendje jo vetëm plagën ende të hapur të personave të zhdukur në Kosovë, por edhe dimensionin ndërkombëtar të zhdukjeve me forcë dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ekspozita “Ende duke pritur?” hap programin përkujtimor
Programi nisi në orën 11:00, në Ferme de la Golette në Meyrin, me ekspozitën e artistit Artan Korenica, të titulluar “Ende duke pritur?”. Vetë titulli i ekspozitës përcolli një nga mesazhet qendrore të ditës: pritjen e gjatë dhe të dhimbshme të familjeve që ende nuk kanë marrë përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
Në hapje të aktivitetit, fjalën kryesore e mbajti Konsullja e Përgjithshme Floreta Kabashi, e cila rikujtoi se, edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet një plagë e hapur.
Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, dhe tërheqjes së forcave serbe, fati i më shumë se 1,500 personave në Kosovë vazhdon të mbetet i pazbardhur, theksoi Kabashi.
Ajo rikujtoi se Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me Rezolutën 65/209 të vitit 2010 dhe shënohet që nga viti 2011.
Mentor Latifi: Për familjet, pritja vazhdon
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, vuri në pah dhimbjen dhe pritjen e familjeve, të cilat edhe pas afro tri dekadash vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.
Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës kjo çështje vazhdon të jetë një kapitull i hapur, u shpreh Latifi.
Ai theksoi se ky kapitull nuk mund të konsiderohet i mbyllur derisa të gjendet edhe personi i fundit, duke nënvizuar përgjegjësinë institucionale dhe njerëzore për vazhdimin e kërkimeve dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Jardin des Disparus”, një vend kujtese për familjet nga e gjithë bota
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua edhe historisë dhe misionit të shoqatës zvicerane “Jardin des Disparus”.
Jenny Bettancourt paraqiti një historik të kësaj nisme, e cila u përurua më 7 tetor 2000 në Parc de la Golette, me mbështetjen e Komunës së Meyrin-it.
“Kopshti i të Zhdukurve” është konceptuar si një hapësirë kujtese kushtuar viktimave të zhdukjeve me forcë në mbarë botën, pavarësisht prejardhjes apo kombësisë së tyre. Ai u ofron familjeve dhe të afërmve një vend simbolik ku mund të kujtojnë të dashurit e tyre, veçanërisht atyre që nuk kanë një varr ku të vendosin një lule apo të bëjnë homazhe.
Në një komunë si Meyrin-i, ku bashkëjetojnë rreth 140 kombësi, kjo hapësirë ka marrë një domethënie të veçantë. Shumë banorë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën dhe Ballkanin, bartin histori familjare të lidhura me zhdukjet me forcë. Nder ta edhe shqiptarë nga Kosova.
Në vitin 2000 aty u vendos një stelë përkujtimore e projektuar nga Jenny Bettancourt, ndërsa më vonë hapësira u plotësua me skulpturën “Pikëpyetje” të artistes Anne Blanchet – një simbolikë që përkon me pyetjen që mijëra familje në mbarë botën vazhdojnë ta bëjnë: Ku janë të dashurit tanë?
Me një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtua edhe Linda Rexhaj Maliqi, në emër të Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, duke përcjellë gjithashtu në gjuhën shqipe mesazhin e znj. Bettancourt,
Vlerësohet kontributi i shqiptarëve në Gjenevë
Gjatë aktivitetit u veçua edhe kontributi i Arta Kryeziut, anëtare e “Jardin des Disparus” që nga themelimi i shoqatës. E shkolluar dhe e integruar në Gjenevë, Kryeziu ndër vite ka kontribuar në veprimtarinë e shoqatës, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen e saj të fortë me Kosovën.
U vlerësua gjithashtu angazhimi i Xhevrie Osmanit, kryetare e Komunës së Meyrin-it, për kontributin e saj në shoqërinë zvicerane dhe për afërsinë e bashkëpunimin me komunitetin shqiptar.
Tryezë diskutimi për fatin e personave të zhdukur
Programi vazhdoi në orën 18:00 me një tryezë diskutimi, në të cilën morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile.
Përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani dhe Kushtrim Gara, paraqitën një pasqyrë të punës së zhvilluar dhe të përpjekjeve që vazhdojnë për kërkimin, identifikimin dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.
Ndërkaq, Catherine Haus, drejtuese e shoqatës “Jardin des Disparus”, foli për misionin dhe veprimtarinë e organizatës, si dhe për përpjekjet e saj që çështjen e personave të zhdukur ta adresojë edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Haus foli gjithashtu për kontributin e shqiptarëve në këtë shoqatë dhe për bashkëpunimin e krijuar me Kosovën. Ajo rikujtoi se një delegacion i organizatës ka vizituar Kosovën, ndërsa në kuadër të angazhimit të saj janë shpërndarë edhe formularë për dokumentimin e rasteve të personave të zhdukur, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Dokumentari “Ferdonija” përmbylli aktivitetin
Në orën 20:00, programi u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”, duke e mbyllur simbolikisht një ditë të mbushur me kujtesë, dëshmi dhe thirrje për drejtësi.
Aktiviteti u mbështet fuqishëm edhe nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës (KSHGJ), i drejtuar nga kryetari Nasuf Nuhiu, duke dëshmuar angazhimin e diasporës shqiptare në ruajtjen e kujtesës dhe në mbështetjen e kauzës së personave të zhdukur.
Veprimtaria e 30 gushtit në Gjenevë përcolli një mesazh të qartë: koha nuk e shuan të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën. Përderisa fati i personave të zhdukur mbetet i pazbardhur, pritja e familjeve vazhdon dhe bashkë me të edhe detyrimi për të kërkuar përgjigje, drejtësi dhe përgjegjësi.
Sepse pas çdo numri qëndron një emër, një familje dhe një histori që ende pret një përgjigje.

Nexhmije Mehmetaj


