
Gani I. Mehmeti
ROMAN QË NUK T’I NDALË LOTËT GJATË GJITHË LEXIMIT
Zymer Mehani: “Bilbili i mallit”, roman, Printing Press, Prishtinë, 2026, faqe 155.
Romani Bilbili i mallit i shkrimtarit Zymer Mehani është një vepër me tematikë shoqërore, e
cila trajton një nga përjetimet më të thella njerëzore: dashurinë e nënës për fëmijën dhe
dhimbjen që lind nga ndarja e tyre. Ngjarja zhvillohet në një mjedis shqiptar dhe pasqyron
realitete të jetës sonë shoqërore, të cilat, edhe pse sot mund të duken si pjesë e së tashmes,
nesër do të përbëjnë dëshmi me vlerë për historinë e jetës familjare dhe shoqërore të
shqiptarëve.
Në qendër të romanit qëndron Engjëllusha, një grua shqiptare e dashur, e urtë dhe e
përkushtuar, të cilën e përcjell një fat i dhimbshëm. Ajo detyrohet të ndahet nga i biri, Dritoni, or dashuria për të nuk shuhet asnjëherë. Përkundrazi, malli dhe dhembshuria bëhen pjesë e pandashme e jetës së saj.
Pas martesës së Engjëllushës, kur ajo kupton se është shtatzënë, marrëdhëniet bashkëshortore fillojnë të ftohen. Burri i saj, emri i të cilit nuk përmendet në roman, largohet gjithnjë e më shumë emocionalisht prej saj, derisa marrëdhënia e tyre përfundon me ndarje. Në këtë situatë, fëmija i tyre, Dritoni, bëhet figura më e ndjeshme e gjithë kësaj drame familjare.
Engjëllusha e kishte dashur të birin me gjithë qenien e saj dhe i kishte premtuar se nuk do të
ndahej kurrë prej tij, sa të ishte gjallë. Mirëpo, jeta nganjëherë i vë njerëzit përballë rrethanave të rënda, kur edhe shtëpia më e dashur nuk mund të të mbajë më. Edhe kur aty mund të gjesh bukë e ujë, dhimbja shpirtërore ta humb oreksin dhe qetësinë. Kështu ndodh edhe me Engjëllushën, e cila, pavarësisht dashurisë së pakufishme për Dritonin, detyrohet të largohet prej tij.
Ndarja bëhet me marrëveshje, pa armiqësi të hapur, por kjo nuk do të thotë se dhimbja merr
fund. Përkundrazi, ajo sapo ka filluar. Çasti i ndarjes është ndër më prekësit e romanit.
Engjëllusha e mban Dritonin të përqafuar, pa mundur ta lëshojë nga krahët. Në fund, ia marrin fëmijën nga duart dhe ajo duhet t'i thotë lamtumirë, ndërsa njerëzit që e prisnin në oborr bëhen gati për t'u nisur drejt Llabucit, te prindërit e saj.
Ky çast shënon fillimin e një vuajtjeje që do ta përcjellë Engjëllushën gjatë gjithë jetës.
Edhe pasi kthehet te prindërit e saj, edhe kur martohet me Bujarin në Drizare, mendja e
Engjëllushës mbetet vazhdimisht te Dritoni. Ajo mendon për të ditën dhe natën, zgjuar dhe në gjumë. E mundon pasiguria: a ka çfarë të hajë, a ka veshmbathje, a është ngrohtë, a kujdeset dikush për të ashtu siç do të kujdesej ajo vetë? Këto pyetje e brejnë vazhdimisht shpirtin e saj.
Nëna digjet nga malli për të birin, ndërsa largësia nuk e zvogëlon dashurinë, por e
thellon edhe më shumë.
Edhe pas lindjes së shtatë fëmijëve të tjerë, Dritoni e ruan vendin e tij të veçantë në zemrën e
Engjëllushës. Dashuria e saj për të nuk zëvendësohet dhe as nuk zbehet nga kalimi i viteve. Ai
mbetet fëmija prej të cilit jeta e kishte ndarë në rrethana të dhimbshme dhe kujtimi i të cilit i
sjell njëkohësisht mall, dhembje e dashuri.
Gjyshi (Baci) – shtylla morale e jetës së Dritonit
Një rol të rëndësishëm në roman luan gjyshi i Dritonit, Baci, një njeri i urtë, i drejtë dhe i
dhembshur, i cili kujdeset për nipin me dashuri të jashtëzakonshme. Ai bëhet mbështetja
kryesore e djalit, duke e edukuar me kujdes dhe duke u përpjekur që ta mbrojë nga vuajtjet e
panevojshme.
Baci nuk e gënjen Dritonin, por as nuk ia thotë çdo të vërtetë para kohe. Ai e kupton se fëmija duhet të rritet e të piqet për t'i përballuar disa të vërteta të jetës. Prandaj, edhe për nënën e tij, Engjëllushën, i flet në kohën e duhur, duke ia bërë të qartë se ajo e kishte dashur dhe vazhdonte ta donte, por se ndarja nuk kishte ndodhur për fajin e saj.
Gjyshi i tregon Dritonit se Engjëllusha ishte detyruar ta linte kur ai ishte vetëm njëvjeçar e
pak më shumë. Kështu, Baci nuk e lejon që në mendjen e nipit të krijohet një bindje e gabuar
për nënën e tij. Përkundrazi, përmes fjalëve dhe sjelljes së vet, ai kultivon te Dritoni respektin
dhe dashurinë për të.
Një nga episodet më prekëse është ai kur Dritoni, ende fëmijë, fillon të shkruajë në një skaj të
fletores emrin e nënës së tij, Engjëllushes. Kur e sheh këtë, Baci e këshillon që emrin ta ruajë
aty përgjithmonë. Ky gjest i vogël, por domethënës, shndërrohet në simbol të lidhjes
shpirtërore ndërmjet nënës dhe birit, një lidhje që as koha dhe as largësia nuk mund ta
këpusin.
Baci paraqitet si një figurë e rrallë e gjyshit shqiptar, i cili, përveç kujdesit familjar, ushtron
edhe një mision të rëndësishëm edukues e moral. Ai e rrit Dritonin me dashuri, maturi dhe
ndershmëri, duke i mësuar vlerat e familjes, të së vërtetës dhe të respektit për prindërit.
E vërteta që bashkon nënën me të birin
Me kalimin e viteve, Dritoni rritet dhe bëhet një djalë i formuar, i cili nis të interesohet më
shumë për prejardhjen e vet dhe për nënën që nuk e kishte pranë gjatë fëmijërisë. Ndërkohë,
Engjëllusha e vazhdon jetën me dhimbjen e ndarjes, duke e ruajtur të birin në zemrën e saj.
Sipas marrëveshjes së bërë në kohën e ndarjes, në jetën e Dritonit do të vinte dita kur ai do të mund ta takonte nënën. Dhe kjo ditë, më në fund, vjen.
Rastësisht, Dritoni i gjen dajët e tij, vëllezërit e Engjëllushës. Takimi me ta sjell gëzim të
madh, sepse përmes tyre ai afrohet me familjen e nënës, me rrënjët e veta dhe me të kaluarën që deri atëherë e kishte njohur vetëm pjesërisht.
Dritoni ishte bërë elektricist dhe kishte punuar në Llabuc, në fshatin e dajëve të tij, pa e ditur
se ata jetonin aty pranë. Madje, kishte pirë ujë edhe nga bunari i tyre, pa e ditur se çfarë
lidhjeje familjare e bashkonte me atë vend. Ky hollësim e bën ngjarjen edhe më domethënëse, sepse tregon se njeriu nganjëherë kalon pranë rrënjëve të veta pa e ditur se sa afër i ka.
Dajët e ndihmojnë Dritonin të vihet në kontakt me Engjëllushën. Takimi i shumëpritur
ndërmjet nënës dhe birit është një nga kulmet emocionale të romanit. Gëzimi i tyre është i
papërshkrueshëm, por lotët nuk ndalen. Pas kaq shumë vitesh ndarje, malli i grumbulluar
shpërthen në përqafime, fjalë të përmallshme dhe lot gëzimi.
Ky ribashkim nuk është thjesht një takim familjar. Ai është përmbushja e një pritjeje të gjatë,
rikthimi i një dashurie që nuk ishte shuar kurrë dhe dëshmia se lidhja ndërmjet nënës dhe
fëmijës mund të mbijetojë edhe në rrethanat më të rënda.
Përballja me të kaluarën
Një episod me rëndësi është edhe biseda e Dritonit me të atin, gjatë së cilës ai kërkon të mësojë se kush kishte qenë përgjegjës për ndarjen nga nëna. Përmes kësaj bisede, dalin në pah të vërtetat që kishin përcaktuar fatin e Engjëllushës dhe të birit të saj.
Babai i Dritonit kishte gabuar në marrëdhënien bashkëshortore, duke u përfshirë me një grua
tjetër në Prishtinë. Ky veprim kishte çuar në prishjen e martesës dhe, rrjedhimisht, në ndarjen e nënës nga fëmija. Pasojat e këtij gabimi nuk i kishte vuajtur vetëm Engjëllusha, por edhe Dritoni, i cili ishte rritur larg dashurisë së saj të drejtpërdrejtë.
Këtu qëndron një nga mesazhet e rëndësishme të romanit: gabimet e të rriturve mund të
lënë plagë të thella në jetën e fëmijëve, ndërsa pasojat e tyre mund të zgjasin shumë më
tepër sesa vetë rrethanat që i kanë shkaktuar.
Megjithatë, romani nuk e ndërton rrëfimin vetëm mbi fajin dhe vuajtjen. Ai sjell edhe
mirëkuptimin, faljen dhe mundësinë e ripërtëritjes së lidhjeve familjare. Dritoni fillon ta
vizitojë rregullisht nënën e tij. Në këtë rrugëtim nuk e pengon as Bujari, bashkëshorti i
Engjëllushës, i cili dëshmohet mirëkuptues dhe bujar ndaj dashurisë së saj për të birin.
Edhe fëmijët e tjerë të Engjëllushës e pranojnë Dritonin si vëllanë e tyre, sepse, në fund të
fundit, të gjithë i bashkon e njëjta nënë. Kështu, familja, e cila dikur ishte ndarë nga rrethanat
e jetës, nis të bashkohet sërish përmes dashurisë, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.
Pse romani titullohet Bilbili i mallit?
Titulli i romanit është i qëlluar dhe lidhet drejtpërdrejt me një objekt të vogël, por me
domethënie të madhe emocionale: bilbilin, një lloj filikaçi, të cilin Engjëllusha ia kishte
dërguar Dritonit si shenjë të dashurisë së saj.
Duke qenë e ndarë nga i biri dhe e pamundur ta shprehte dashurinë përmes pranisë së
përditshme, ajo i dërgon këtë dhuratë të thjeshtë. Bilbili bëhet një shenjë e prekshme e
dashurisë së nënës, një kujtim që e lidh Dritonin me të kaluarën dhe me nënën e tij.
Kur Dritoni mëson se kush ia kishte dërguar, objekti merr një kuptim të ri. Ai nuk është më
thjesht një lodër fëmijërie, por një dëshmi e dashurisë që kishte udhëtuar përmes ndarjes,
viteve dhe heshtjes. Në këtë mënyrë, bilbili shndërrohet në simbol të mallit, të kujtesës dhe të lidhjes së pashkëputshme ndërmjet nënës dhe birit.
Prandaj, titulli Bilbili i mallit nuk është vetëm një emërtim letrar, por edhe një çelës simbolik
për ta kuptuar tërë romanin.
Gjuha, dialogu dhe ndërtimi i personazheve.
Një nga përparësitë e romanit është gjuha e pastër, e rrjedhshme dhe e kuptueshme. Autori
nuk e ngarkon rrëfimin me ndërtime të ndërlikuara gjuhësore dhe as me një numër të madh
personazhesh. Përkundrazi, ai zgjedh një mënyrë të drejtpërdrejtë të rrëfimit, e cila e afron
lexuesin me ngjarjen dhe ia bën të lehtë ndjekjen e zhvillimeve.
Personazhet nuk janë të shumta, prandaj lexuesi arrin t’i mbajë mend dhe t’i kuptojë më lehtë rolet e tyre në zhvillimin e ngjarjes. Që nga Dema, babai i Engjëllushës, e deri te personazhet e tjera, secili ka një funksion të caktuar në ndërtimin e atmosferës familjare dhe shoqërore të veprës.
Dialogët janë përgjithësisht të shkurtër, me fjali të thjeshta dhe kuptimplota. Ata i japin
rrëfimit natyrshmëri dhe e ndihmojnë autorin të shpalosë karakterin e personazheve pa u
ndalur në shpjegime të gjata. Në disa raste, ndërhyrjet e narratorit e plotësojnë dialogun me
vërejtje, përsiatje dhe përfundime që thellojnë kuptimin e ngjarjes. Këto ndërhyrje, herë-herë të mbështetura në kontraste dhe në vëzhgime intuitive, i japin rrëfimit një dimension
reflektues.
Edhe ndërtimi i personazheve mbështetet në vlera të dallueshme morale. Shumica e tyre
paraqiten të urtë, të përmbajtur, të edukuar dhe të prirë për këshillim. Në sjelljen e tyre
pasqyrohen tipare të traditës shqiptare, kur fjala e të moshuarve, këshilla e gjyshit dhe urtësia e odës kishin një rëndësi të veçantë në edukimin e brezave të rinj.
Baci është shembulli më i qartë i këtij modeli njerëzor. Ai nuk përdor ashpërsinë për ta
edukuar nipin, por urtësinë, durimin dhe dashurinë. Përmes tij, autori paraqet një figurë që
mishëron vlerat e trashëguara familjare dhe përgjegjësinë morale ndaj brezit të ri.
Në anën tjetër, babai i Dritonit paraqitet si shkaktari kryesor i dramës familjare. Gabimi i tij
sjell pasoja të rënda për Engjëllushën dhe të birin. Kjo kundërvënie ndërmjet personazheve e
forcon konfliktin dhe e bën më të qartë mesazhin moral të veprës.
Një histori që i përket edhe jetës së sotme
Gjatë leximit të romanit, lexuesi mund të krijojë përshtypjen se ngjarja mbështetet në një
histori reale, të njohur nga autori ose të përjetuar nga dikush në mjedisin e tij. Kjo përshtypje
buron nga natyrshmëria e rrëfimit, nga hollësitë e jetës familjare dhe nga mënyra e besueshme e paraqitjes së dhimbjes njerëzore.
Megjithatë, pavarësisht nëse ngjarja ka një burim konkret jetësor apo është fryt i imagjinatës
krijuese, rëndësia e saj qëndron te vërtetësia emocionale. Ndarje të tilla, dhimbje të tilla dhe
mall i tillë kanë ekzistuar në të kaluarën dhe vazhdojnë të shfaqen edhe sot. Madje, në
rrethana të caktuara, ato mund të jenë edhe më të shpeshta se dikur.
Kjo e bën romanin të kapërcejë kufijtë e një historie të vetme familjare. Ai bëhet një rrëfim
për fatin e shumë nënave dhe fëmijëve që, për shkak të konflikteve bashkëshortore, gabimeve njerëzore ose rrethanave të tjera jetësore, detyrohen të jetojnë larg njëri-tjetrit.
Për këtë arsye, Bilbili i mallit mund të lexohet jo vetëm si një vepër letrare me ngarkesë
emocionale, por edhe si një pasqyrë e disa plagëve të shoqërisë sonë, të cilat kërkojnë më
shumë përgjegjësi, mirëkuptim dhe ndjeshmëri njerëzore.
Mesazhi i romanit
Në thelb, Bilbili i mallit është një roman për dashurinë e nënës ndaj fëmijës, për dhimbjen e
ndarjes dhe për qëndrueshmërinë e lidhjeve familjare. Përmes fatit të Engjëllushës dhe
Dritonit, autori dëshmon se dashuria e vërtetë nuk zhduket me largësinë, nuk shuhet nga
kalimi i viteve dhe nuk zëvendësohet nga rrethanat e reja të jetës.
Nëna mund të krijojë një familje tjetër, mund të lindë e të rrisë fëmijë të tjerë, por dashuria për fëmijën nga i cili është ndarë mbetet e veçantë dhe e pazëvendësueshme. Po kështu, edhe fëmija, kur e njeh të vërtetën dhe e kupton historinë e vet, mund të rikthehet te rrënjët
familjare dhe të rindërtojë lidhjen me nënën.
Njëkohësisht, romani na kujton se fëmijët nuk duhet të bëhen viktima të gabimeve të të
rriturve. Konfliktet bashkëshortore mund të përfundojnë me ndarje, por përgjegjësia
prindërore dhe respekti për lidhjen e fëmijës me të dy prindërit duhet të mbeten mbi çdo
mosmarrëveshje.
Ky është një nga mesazhet më njerëzore të veprës: dashuria e sinqertë, e mbështetur në
mirëkuptim dhe në përgjegjësi, mund të shërojë plagë që koha nuk arrin t'i mbyllë plotësisht.
Përfundim
Romani Bilbili i mallit i Zymer Mehanit është një vepër që e vendos dashurinë e nënës dhe
dhimbjen e ndarjes në qendër të rrëfimit. Përmes Engjëllushës, Dritonit dhe gjyshit Baci,
autori ndërton një histori që prek ndjenjat e lexuesit dhe e nxit të reflektojë për vlerat e
familjes, për pasojat e gabimeve njerëzore dhe për fuqinë e lidhjeve të gjakut.
Gjuha e thjeshtë, dialogët e shkurtër, personazhet e dallueshme dhe ngjarjet e mbështetura në përjetime të besueshme e bëjnë romanin të qasshëm për një rreth të gjerë lexuesish. Në
veçanti, historia e Engjëllushës dhe Dritonit dëshmon se malli i nënës është një ndjenjë që nuk njeh as kohë, as largësi.
Për analizën më të hollësishme të romanit dhe të personazheve të tij kanë shkruar edhe prof.
Qazim Berisha, në shkrimin e vendosur në fillim të librit, si dhe Fadil H. Curri, në shkrimin e
përfshirë në fund të romanit. Për kontributin e tyre vlerësues, i përgëzojmë.
Në përfundim, autorit Zymer Mehani i urojmë suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tij
letrare, si në prozë, ashtu edhe në poezi, me dëshirën që të sjellë para lexuesve vepra të tjera
që prekin tema të rëndësishme njerëzore e shoqërore.
(27 tetor 2026)


