Lamtumirë, miku i madh i shqiptarëve, Basil Schader

Shkrime relevante

Xhavit Bicaj , themelues i Onkologjisë dhe Radioterapisë në Kosovë

Shënime për Xhavit Bicajn ____ Mjeku, profesori dhe pionieri i Onkologjisë me Radioterapi...

Kanioni i Holtës, mrekulli e egër në zemrën e Shqipërisë

Luan Dibrani, Durrës KANIONI I HOLTËS – NJË MREKULLI E EGËR NË...

“Kurthi” i Bekim Sejdiut, kush fiton e kush humb në “kaosin e kontrolluar”, Abdixhiku apo Kurti?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog, Prishtinë Sa ka gjasa që kandidati i...

Një ditë që nuk harrohet në Radavc të Pejës, ka takime që zgjasin disa orë, por kujtimi i tyre zgjat nji jetë

Astrit Qazim Memia, Tropojë Imazhi Shqiptar & Identiteti Kombëtar Mullini i historisë që...

BIA e Serbisë po e shfrytëzon Islamin për agjendat e veta antishqiptare

DOKUMENT: BIA serbe prezente në Kosovë, po e përdorin ISLAMIN? DEBAT...

Shpërndaj

Foto: Basil Schader

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë

Prof. Dr. Dr. Basil Schader (1951–2026) ishte një ndër personalitetet më të shquara evropiane që kontribuoi në studimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fushën e arsimit plotësues në diasporë.

Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Dr. Basil Schader, pedagogut, studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve. Ikja e tij e papritur, pas një sëmundjeje të rëndë në spitalin e Cyrihut, përbën një humbje të madhe jo vetëm për botën akademike shqiptare e zvicerane, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër përkushtimin, urtësinë dhe dashamirësinë e tij të pashoqe ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar.

Në çaste të tilla dhimbjeje, fjala duket e pamjaftueshme për të shprehur pikëllimin që ndiejmë. Megjithatë, krahas dhimbjes së thellë, kemi edhe detyrimin moral e intelektual të kujtojmë dhe të vlerësojmë veprën e vyer të profesor Schader-it, i cili me përkushtim të rrallë iu kushtua çështjes shqiptare, veçanërisht ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë.

Në mesin e studiuesve me prejardhje joshqiptare që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën dhe arsimin shqip, emri i Basil Schader-it zë një vend të veçantë. Ai jo vetëm që e mësoi dhe e zotëroi gjuhën shqipe në mënyrë shembullore, por e studioi atë me seriozitet shkencor dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të saj. Për profesor Schader-in, gjuha shqipe nuk ishte thjesht objekt studimi akademik, por një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhej ruajtur e transmetuar brez pas brezi.

Mesazhi i tij shkencor dhe njerëzor drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve amtare ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: gjuha shqipe duhet folur në familje, në jetën e përditshme dhe t’u trashëgohet fëmijëve si vlera më e çmuar identitare. Ai ishte i bindur se vetëm përmes përdorimit aktiv dhe shkrimit të saj, shqipja mund të mbijetojë dhe të zhvillohet në kushtet e migrimit dhe të shumëgjuhësisë.

Kontributi i tij në fushën e arsimit plotësues në diasporë ishte shumëdimensional. Në vitin 1996, në bashkëpunim me mësuesin Femzi Braha, botoi librin “Shqip”, ndërsa së bashku me Fadil Rexhepi hartoi librin shkollor “Ura e Fjalëve”, si dhe fjalorin shkollor gjermanisht-shqip. Një ndër veprat më të rëndësishme shkencore të tij mbetet studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”, me të cilin mbrojti doktoraturën e dytë në Universitetin e Tiranës, botuar në vitin 2005. Ky studim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës dhe të dygjuhësisë shqiptare në diasporë.

Përveç botimeve dhe përkthimeve të shumta nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas, profesor Schader u dallua edhe për angazhimin e tij në ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë. Ai bashkëudhëhoqi seminare, konferenca dhe projekte të rëndësishme arsimore për mësuesit e shkollave shqipe në diasporë, në Kosovë dhe më gjerë, duke kontribuar në avancimin e metodologjisë së mësimdhënies dhe të didaktikës bashkëkohore.

Veçanërisht i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku ai vepronte si docent, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës për hartimin dhe botimin e teksteve të mësimit plotësues në diasporë. Në kuadër të këtyre angazhimeve, profesor Schader udhëhoqi projekte ndërkombëtare për didaktikën e mësimdhënies, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në profesionalizimin e mësuesve të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Për veprimtarinë e tij të çmuar në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër e shpalli anëtar nderi në mars të vitit 2003. Ndërsa në vitin 2017, për kontributin e tij shumëdimensional në favor të mërgatës shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ai u nderua me “Çmimin e Nderit” nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Valon Murati nderon Schaderin  me “çmimi i nderit”

Foto albanologu zviceran Prof dr dr Basil Schader nderohet me „Çmimi i nderit“ Prishtinë 2017               

Figura e Prof. Dr. Dr. Basil Schader-it do të mbetet e paharruar në kujtesën e mësuesve, studiuesve dhe të gjithë shqiptarëve që panë tek ai një mik të sinqertë dhe një mbrojtës të palodhur të gjuhës shqipe. Ai ishte një urë lidhëse mes kulturave, një zë i fuqishëm në mbështetje të arsimit shqip në diasporë dhe një shembull i rrallë i humanizmit akademik.

Lamtumira ndaj tij është e rëndë, por vepra dhe mesazhi që la pas do të jetojnë gjatë. Emri i Basil Schader-it do të mbetet i shkruar me respekt e mirënjohje në historinë e arsimit dhe të albanologjisë shqiptare. Ndërsa kujtimi për të do të mbetet frymëzim për brezat që do të vazhdojnë misionin e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar kudo në botë.

Gjenevë, 14. 05. 2026

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Lavdi mikut te Shqiptareve. Kisha dashur qe dikush: Znj. Nexhmije Mehmetaj apo dikush tjeter me punim shkencor te vije ne Konferencen shkencore: “Studiues te huaj per Shqiptaret…” ne Presheve, tetor 2026.
    Ftesen dhe platformen per Konferencen disa e shpallur edhe Drini.us.
    Te interesuarit mund te kerkojne Ftesen ne kete email: xhemaledin47@gmail.com

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu