












Nga Frank Shkreli
“Demokracia nuk ka të bëj vetëm me qeverisjen nga shumica por edhe me mbrojtjen e pakicës” (Albert Camus)
Me vendim të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 2007, ka shpallur 15 Shtatorin e çdo viti si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, për t’u kujtuar të gjitha shteteve, anë e mbanë botës, nevojën e theksuar dhe të vazhdueshme për mbrojtjen dhe promovimin e demokratizimit të shoqërive të ndryshme të botës, si edhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit dhe të respektimit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të çdo individi, kudo në botë.
Me rastin e miratimit të rezolutës, Asamblea e Përgjithëshme ka rithekësuar se demokracia është një vlerë universale, e “bazuar në shprehjen e lirë të popujve për të vendosur vetë sistemet e tyre politike, ekonomike, shoqërore e kulturore, si edhe për të vendosur, lirisht, pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e jetës’’, politike.
Si çdo vit tjetër, në të kaluarën, edhe sivjet në këtë ditë, OKB-ja u bën thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, organizatave ndër-qeveritare dhe atyre jo-qeveritare, si edhe individëve dhe medias në mbarë botën, që të shënojnë këtë ditë në mënyra të përshtatshme festimi e përkujtimi, për secilin vend — ashtuqë të përforcohen dhe të shtohen programet kombëtare dhe ndërkombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, botërisht. Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për 2024, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, nënvijoi se “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të fjalës së lirë, lirive civile dhe shtetit të së drejtës; llogari-dhënjen nga institucionet qeveritare si dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.” Kjo, shtoi udhëheqsi i OKB-së, është, veçanërisht, “me rëndësi në një vit, kur më shumë se 50 vende – që përfaqësojnë gjysmën e popullsisë globale – mbajnë zgjedhjet e radhës”. Guterres, shtoi se, megjithkëte, këto të drejta dhe vlera universale po sulmohen në mbarë botën, liritë në përgjithsi po gërryhen, hapësira për pjesëmarrje qytetare po ngushtohet, ndërkohë që polarizimi po intensifikohet, ndërsa mosbesimi po rritet. Për fat të keq, duket se kjo deklaratë tingëllon si deklarata parlajamëruese të mëparshme, që tregon se zhvillimet demokratike në botë, jo vetëm që nuk po përmirësohen, por problemet e demokracisë po shtohen.
Ndër 50-vendet që do mbajnë zgjedhje vitin që vjen janë edhe Shqipëria e Kosova. Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, 2024, do duhej që të shërbente edhe për dy shtetet shqiptare si një kujtesë e radhës mbi nevojën e vazhdueshme që parlamentet dhe qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë të përqendrohen, seriozisht, mbi promovimin e demokracisë së vërtetë, me zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë realizimin e objektivave, siç janë, pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile në jetën politike, mbajtja e pakontestueshme e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, mbështetja e partive efektive politike, përfshir opozitën, objektiva këto të cilat si prioritet kanë mirëqenjen e popullit, pa dallime politike, dhe jo interesat e tyre personale dhe partiake të një grupi ose një tjetri.
Sepse, demokracia e vërtetë siç ka thenë filozofi francez, Albert Camus, si vlerë dhe si ideal, “nuk ka të bëj vetëm me qeverisjen nga shumica, por edhe me mbrojtjen e pakicës”, (Albert Camus). Ky citat, sipas shumë, ekspertëve politikë, përmbledh thelbin e demokracisë së vërtetë. Ai përcjell idenë se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me sundimin e shumicës, ku dominojnë vendimet apo preferencat e grupit më të madh politik në një vend. Ndryshe nga kjo, ai nënvizon edhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave, lirive dhe interesave të grupeve dhe partive minoritare. Me fjalë të tjera, një demokraci e vërtetë siguron që zërat e pakicës të mos mbyten nga shumica. Camus synon të parandalojë tiraninë e shumicës, ku pushteti i shumicës është absolut dhe i padiskutueshëm, duke çuar në shtypjen e mundshme të pakicës, pore dhe një pjese të madhe të votuesve. Kjo vlen, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por për cilindo vend, përfshir ato më një kulturë e histori demokratike më të gjatë, siç janë Shtetet e Bashkuara.
Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar 35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit, shqiptarët gjënden, gjithnjë, në fazat fillestare të zhvillimit të tyre demokratik. Klasa politike shqiptare, më duket se nuk është e vetdijshme ose ndoshta nuk do të t’ia dij për punën e madhe që nevojitet për vendosjen e demokracisë së vërtetë, shtetit të ligjit, për luftën kundër korrupicionit, për transparencën dhe përgjegjësitë politike ndaj votuesve si edhe për nevojën e doemosdoshme për të ndërmarrë ndryshime të gjithanëshme të sistemeve politike dhe ekonomike. Jam i bindur se klasa politike shqiptare e tri dekadave të kaluara është e vetdijshme e dështimeve politike dhe ekonomike, të cilat po prishin shpresat e shqiptarëve për një demokraci të mirëfilltë. Zhgënjimet e shqiptarëve nga mungesa e demokracisë së vërtetë — në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 — për fat të keq, po pasqyrohen në boshatisjen masive të trojeve shqiptare. Kjo nuk është demokracia as Shqipëria demokratike që duan shqiptarët, për ndryshe do të rrinin në vendin e vet.
Ka 10-15 vjet, që në atë mënyrën time më modeste, jam munduar të paralajmëroj se mungesa e demokracisë së vërtetë në trojet shqiptare, heret ose vonë, do të çonte në prirje autoritare të qeverisjes dhe në parlamente që nuk janë pasqyrë dhe shprehje e drejtë për drejtë e vullnetit demokratik të popullit dhe që nuk luajnë rolin kyç në përkrahjen dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Dhe se më në fund: “Demokracia nuk pret”.
Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar 100-vjet më parë, në gazetën “Dielli”, (në nëntor të vitit 1924), ka kritikuar partitë dhe politikanët e kohës në Shqipëri për gjendjen e krijuar atje, një shekull më heret, duke thënë se: “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, atëherë optimizmi s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë.” Njëkohsisht, Noli ka shprehur shpresën se, të “Vetëquajturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë mëndtë dhe punët do shtrohen”. Kanë kaluar 100-vjet nga fjalimi i Nolit, mbi 5 anarkitë mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon, njësoj, aktual edhe sot për të gjithë politikanët shqiptarë, pa dallim partie a niveli, kudo në trojet shqiptare – të cilët siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimeve të tyre që shpesh duken se nuk janë në interesin dhe në të mirën e përbashkët kombëtare. Urojmë që këta “udhëheqës” do të ndërpresin tragji-komeditë e tyre politike dhe të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë” dhe shqiptarëve.
Ashtuqë, klasa politike aktuale shqiptare, pozitë dhe opozitë, për hir të interesave kombëtare të shqiptarëve, të angazhohet — me respekt për njeri tjetrin, për një demokraci të vërtetë, në mbrojtje të vlerave të lirisë e deemokracisë, jo vetëm sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024, por për çdo ditë të jetës së tyre publike — në shërbim të popullit. Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos t’u mbajë peng e kaluara, kur është fjala për Demokracinë e Vërtetë, për një komb aq dinamik të bashkuar në liri, demokraci të vërtetë dhe pavarësi. Një komb si shqiptarët, i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet , në nivel ekonomikm, politik dhe intelektual, për të realizuar ëndrrën e rilindësve të shekullit të kaluar dhe për të plotësuar të gjitha nevojat dhe aspiratat e të gjithë shqiptarëve sot, për një jetë më të mirë.
Jo rrugëve të botës — por aty në trojet shekullore të stërgjyshve të tyre, në liri dhe demokraci të vërtetë, për veten dhe familjet e tyre dhe në paqe e siguri me të tjerët. Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për të kujtuar dhe theksuar rëndësinë e demokracisë së vërtetë në nivel global – si një kujtesë se demokracia duhet promovuar dhe mbrojtur nga të gjithë brezat.

Pasi nëse jo, siç ka thenë dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan – Demokracia mund të zhduket shumë kollaj brenda një brezi – prandaj është i nevojshëm një anagazhim aktiv dhe serioz në vazhdimsi nga shtetet individuale, nga ana e organizatave ndërkombëtare, nga shoqëria e vërtetë civile dhe nga vet populli –për të mbrojtur dhe promovuar Demokracinë e vërtetë në botë, çdo ditë e moment, dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Sepse DEMOKRACIA NUK PRET!
Pas raportimit për fotot e publikuara nga Ameti në Instagram të dielën, politikanja 32 vjeçare shkroi në X se i fshiu fotot dhe kërkoi falje
Politikania e GLPsë së Cyrihut dhe bashkë-presidentja e Operacionit Libero, Sanija Ameti, ka marrë kritika të rënda pasi ka qëlluar m erevole në një foto me motiv të krishterë dhe është raportuar. Mbrëmjen e së dielës ajo ka fshirë fotot që tashmë ishin publikuar dhe ka kërkuar falje.
Të rinjtë e SVP-së kanë ngritur kallëzim penal për shkelje të lirisë së besimit dhe adhurimit, siç njoftoi partia të hënën në mëngjes, transmeton albinfo.ch. Nicolas Rimoldi, themeluesi i organizatës Mass-Voll, gjithashtu ka shpallur kallëzim penal ndaj saj.
Policia kantonale e Cyrihut shkroi në X se po kontrollonte përmbajtjen e postimit.
Dorëheqje pas kritikave në rrjetet sociale
Si pasojë, Sanija Ameti, po largohet nga udhëheqja e Liberalëve të Gjelbër të kantonit, siç konfirmoi partia kantonale për SRF.
Konferenca Ipeshkvnore e Zvicrës dënon sjelljen “e papranueshme”
Mbrëmjen e së hënës foli edhe Konferenca e Ipeshkvijve të Zvicrës në një komunikatë për media, transmeton albinfo.ch. “Edhe nëse dikush shpërfill përfaqësimin fetar të Nënës së Zotit – gjë që ky imazh e tregon shumë qartë – përdorimi i këtij imazhi tregon dhunë dhe mungesë respekti për personin njerëzor”, thuhet në reagim.
Anëtarët e konferencës e dënuan këtë sjellje “të papranueshme”. Ata konisiderojnë se ndjeshmëria e tyre fetare ishte shkelur. Megjithatë, ata janë mirënjohës për letrën e Ametit drejtuar ipeshkvit të Chur-it, në të cilën ajo i kërkon falje komunitetit katolik.
Sanija Ameti është politikane me prejardhje boshnjake-kosovare.

Pamje me rastin e hapjes së Ekspozitës Personale të artistit Sylë Mujaj

Shkruan: Luan – Asllan Dibrani
Sylë Mujaj (1958), u lind në fshatin Dukaivë, Rugovë, komuna e Pejës në Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Pejë. Studimet e larta, në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Dega inxhinier i agronomisë. Sa ishte student, në vitin 1981 është arrestuar dhe dënohet me 10 vjet burg.
Përveç burgut hetues në Prishtinë të tjerat i ka vuajtur në burgun famëkeq të Nishit në Serbi. Me ndihmën e Amnisti Internacional dhe Komitetit të Helsinkit në vitin 1990, lirohet nga burgu. Dhe po atë vit ka emigruar në Zvicër duke u vendosur në Lugano, kantoni Ticino.
Sylë Mujaj, është ndër të rrallët të burgosur politik që dhembjen, vuajtjen, dhunën fizike, si dhe atë psikike, arriti t’i shndërroj në art letrar dhe në art figurativ. Tashmë ai është bërë njëri nga emrat e respektuar, punimet e tija gjigante, sidomos ato në mozaik i kanë dhënë kuptim artistik emrit dhe krijimeve të tija të cilat për kah madhësia shprehin me shumë indikacion atë lirinë e munguar sa kishte vuajtur burgun dikur. Poezinë e tij e kam trajtuar vite më parë, portreti e tanishëm do ta përkufizojë, kryesisht në kornizat e krijimtarisë artistike.
Sylë Mujaj, kur ishte në burgun e Nishit në Serbi, ishte “I mbyllur në mes të betonit dhe hekurit”, dhe natyrisht përreth i rrethuar me rrethoja të hekurta. Këtë mënyrë jetese, ai e mbijetoi falë afinitetit poetik dhe prirjes artistike që kishte për të vizatuar. Duke vizatuar dhembjen ai i jepte shpresë shpirtit dhe lirikave. Pra poezia dhe arti figurativ e kanë shpëtuar Sylë Mujajn, dhe vetëm ato e kanë përshkruar saktësisht e artistikisht botën e brendshme të krijuesit e cila kurohej nëpërmes krijimtarisë letrare dhe artit figurativ duke shpërthyer si “Lulja në beton”, përsëritet ky element figurativ i burgut i kthyer në art.
Piktori Sylë Mujaj, ka ekspozuar punimet e tij në disa ekspozita individuale të cilat i ka hapur në Zvicër e në Itali, prandaj nga viti 1996-1997, pikturat dhe vizatimet e tij janë ekspozuar në:
Ekspozitat:
Poashtu edhe keto ekspozita:
Etj. etj.
Mozaiku i biografisë së Sylë Mujajt, përpos vizatimit dhe poezisë, përplotësohet me shkrime të tjera nga fusha e publicistikës, analiza dhe studime të tjera. Në fushën e artit pamor, Sylë Mujaj ka shkëlqyer më shumë, sepse me vizatime ka portretizuar fytyrat e të tjerëve, personalitete të njohura nga kultura, historiografia dhe lufta e UÇK-së, dhe bashkë me krijimet tjera artistike nga fusha e etnografisë e arkeologjisë, është kompletuar personaliteti i tij intelektual. Ky angazhim shumëdimensional e i gjithanshëm e kanë bërë protagonistin e këtij portreti, shumë të pranueshëm, parë nga këndvështrime të ndryshme.
Edhe ekspozita individuale në Shtëpinë e Arteve, Via Carzo 1, 6900 Paradiso në Zvicër, e cila është e hapur nga 15 – 29 shtator 2024, është në funksion të afirmimit artistik të autorit, po më shumë të artit që krijon Sylë Mujaj, të cilin e urojë shumë suksese në të ardhmen në fushën e artit!…
Novi Pazar – Pazari i Ri
Glasovima većine članova Izbornog tela za glavnog muftiju i predsednika Mešihata Islamske zajednice u Srbiji (IZuS) na novi petogodišnji mandat izabran je Mevlud Dudić.
Me votat e shumicës së anëtarëve të komisionit zgjedhor për myftiun kryesor dhe kryetarin e Mesihatit të Bashkësisë Islame në Serbi (IZuS) për mandatin e ri pesëvjeçar është zgjedhur Mevludin Dudiq.
Mevludin Dudiq sërish u zgjodh për kryetar i Mesihatit të Bashkësisë Islame në Serbi

Gjergj – Skender Jashari
Shpesh kam thënë se jam me fat që kam lindur në fshatin Rahovicë, në fshatin ku historia e jonë iliro-arbërore është me mijëra vjet e rrënjosur, derisa asnjë të dhënë për prezencë të huaj nuk ka. Madje edhe mitet vetëm arbërisht flasin për këtë vend. Për fat dhe bekim, po në këtë fshat më datat 5-7 nëntor 1443, gjatë kthimit të Gjergj Kastriotit, qëndroi bashkë me 300 Arbërorët në këtë vend. Kampimi i Gjergj Kastriotit dhe Ushtrisë së Tij, u bë në fshatin Rahovicë, tek Kisha dhe Manastiri i Artilevicës, e që pastaj u quajt nga populli yn si Kisha dhe Manastiri i Shën Gjergji( kurse serbët në shekullin XIX dhe XX filluan ta indentifikonin si Shën Gjergjin e Kapadokisë e jo për Gjergj Kastriotin).
Pa u thellu më tej në histori, pasi objekt i kësaj është diç tjetër, e asgjë nga këto aspekte historike, etnike, kombëtare, kulturore Arbërore nuk mjaftojnë, e shohikm që ka “bijë” shqipfolësish që më me endje i shërbejnë shkatërrimit e zhdukjes së çdo gjëje Shqiptare në këtë vend.
Edhe këtë radhë institucionet e Republikës së Shqipërisë, e cila e ka detyrë edhe kushtetuese dhe ligjore mbrojtjen e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ashtu edhe Republika e Kosovës, heshtin, siç historikisht dhe tradicionalisht kanë heshtur.
Para pak kohësh, në një “qilim” organizim fetar privat një “hoxhëpop” i fshatit Rahovicë, mes predikimit fetar kishte deklaru:” Emërtimi shqiptar daton që nga koha e krishterizmit, dhe ne si musliman që jemi nuk duhet ta përdorimi.” Nuk ka nevojë për asnjë koment dhe shtjellim më tej, pasiqë çdo person lehtësisht e kupton. Në këtë rast kanë qenë prezent një numër i konsiderueshëm i miqëve dhe farefisit të asaj familje. Kam kërku nëse mundesha me gjejtë video-incizim, për ta publiku sesi “hoxhëpopat” e tillë, janë në shërbim kryekëput të Serbisë, por deri më tash nuk kam arritur me gjejtë.
Ky “hoxhëpopi” i quajtur Ismal H., nga fshati Rahovicë është hoxhë dhe kordinator i Medresesë degës së Sanxhakut në Preshevë.
Vetëm pak ditë pasi para rreth dy vitesh kishin publikuar deklaratën e Dudiqit, në shtëpinë e kulturës në Preshevë, në një rast solemniteti të Medresistëve të Medresesë në Preshevë, kisha shkëputur pjesën ku hoxhë Ismal H, deklaronte propaganda politiko-isislamiko-çetnike, kundër nacionalizmit Shqiptar, ku thoshte:” Islami i kalon kufijt e nacionalizmit. Islami formulën e vetë kundër nacionalizmit, kundër racizmit, kundër nazizmit, kundër komunizmit, kundër të gjitha sistemeve( nënkupto sistemeve demokratike), të cilat shumë shpejt do t’i zhduken…”
. Në të njejtin rast, ishte present edhe Mevludin Dudiq, që në video në pjesë të shkëputur kisha publiku e që masivisht u shpërnda dhe u riposte nga shumë portale të tjera, deklaronte që “ne po bëjmë boshnjakizimin e Luginës së Preshevës, Kosovës…”
Në gusht 2024, Mevludin Dudiqi sërish në Prizren deklaron diç të ngjajshme. As në këtë rast Institucionet respektive të Republikës së Kosovës, qoftë ato të sigurisë e as Bashkësia Islame e Kosovës, asnjë veprim a reagim nuk bëjnë.
Andaj atë që Serbia e humbi me luftë, po përpiqet ta rikthej me isislamizëm. Tashmë Luginën e Preshevës, pothuajse e ka isislamizu, srpskimuslimanizu, boshnjakizu. Sot, faktoriteti i Luginës së Preshevës, është minimalizuar, sa që problemi politik i saj, askund as nuk përmendet.
Kush janë këta “hoxhëpopat” e Luginës së Preshevës!?
Fillimisht, Lugina e Preshevës e në veçanti Karadaku u islamizuam nga pushtimi serb pas 16-18 tetorit 1912, pasiqë në çdo njësi ushtarake të Serbisë, kishte hoxhë. Derisa kriptokatolicizmi ishte dukuri më e përhapura në këtë rajon sesa në çdo rajon tjetër të Trojeve tona. Prandaj sot, shohim që radikalizmi, ekstremizmi i këtyre isislamikëve të Luginës është rrënnjësisht e thellësisht i lidhur me agjenturat e Serbisë.
Si gjatë Luftërave tona Ҫlirimtare e ashtu edhe më pas, Serbia përmes dy-tre fshatrave të Luginës së Preshevës, ka drejtu operacione agjenturore isislamike kundër Republikës së Kosovës. Një ndër këto fshatra është edhe fshati Rahovicë. Grupa e “hoxhëpopave” gjegjësisht e agjentëve islamik të Serbisë të këtij fshati, tashmë pothuajse % për % janë të njohur me emër e mbiemër, e që edhe institucionet tona të sigurisë në Kosovë dhe Shqipëri janë të informuara.
Tradita në shërbikm të isislamit serb, nuk është thjeshtë personale e këtyre individëve. As në rastin e këtij Ismal H. nuk bënë përjashtim. Kontributi i këtyre në shërbim të isislamizimit të Shqiptarëve sipas planeve të Serbisë është e vazhdueshme. Vëllau i këtij Ismal H., quhet Isuf H., i cili është njohur gjoja si “nacionalist”( edhe pse ne që e kemi njohur, kemi pasur dyshime!). Isuf H., ka qenë i përfshirë si agjent i Serbisë në demostratat e viteve 1989 e mbrapa. I njejti ka qenë i përfshirë edhe në shumë procese të tjera politike, për Pavarësinë e Kosovës-natyrisht në to, kishte detyra të veçanta për Serbinë. Kamuflimi i veprimtarisë së tij( Isuf H.) bëri që shpesh të maskohej sikur ishte puro nacionalist.

Pas viteve 90-ta të shekullit të shkuar, edhe Isuf H., dhe vëllau i tij Ismal H., u përfshi në rrymat vehabiste isislamike të dirigjuara prej Serbisë. Derisa edhe një vëlla i tyre, u përfshi edhe më parë, gjithashtu i lidhur me Serbinë, në aktivitete kriminale ordinere( kontrabandë me drogë) në vendet perëndimore.
Koha kur doli në shesh fytyra e vërtetë ishte Lufta e Kosovës, e plotësisht u dekonspiru në Luftën e UҪPMB-së. Djali i vëllaut të Isuf e Ismal H., ishte mobilizu si pjestarë i UҪPMB-së në brigadës 115, e quajtur “Karadaku” e më pas “Njazi Azemi-Mjekrra.” Me rënijen e Mjekrrës, pjestari i familjes së Isuf e Ismal H. dezerton. Në rastin e Betejës së Rahovicës 12-15 maj 2001, në fshatin Rahovicë, Isuf H., i frikësuar në palcë, vje në familjen time, ku i bje në “besë” babait tim, që ta shpëtonte nga UҪPMB, sepse i thoshte që e kërkonin për tradhëtinë ndaj Mjekrrës (Njazi Azemit). Sipas Isuf H., atë e akuzonin si udhëheqës të nipit të tij( dezertorit), që kishte gisht në tradhëtinë ndaj Mjekrrës( për herë të parë këto info menjëherë më pas më ishin tregu-pasi ishte largu Isuf H., edhe ashpër kisha reagu.). Edhe pas Luftës së UҪPMB-së, në disa raste djali i vëllaut dhe vetë Isuf H., është përfshirë në spijunimin dhe tradhëtimin e disa veteranëve të UҪPMB-së.
Derisa Isuf H., u martu me vajzën e tezës së tij, e që kjo në atë rast shkaktoi një përplasje dhe papranueshmëri edhe në mesin e popullatës Shqiptare të besimit islam. Derisa filloi edhe konfrontimin me hoxhallarët tradicional në xhamitë e fshatit Rahovicë( këto përplasje u bënë së paku 10-15 vite përpara përplasjeve që do i shihnim më vonë në Kosovë).
Derisa Ismal H., nuk u përfshi në procese politike, por ishte njëri nga “nxënësit” që Serbia dërgoi për në vendet arabe, në vitet e 90-ta, për t’i përgatitur për hoxhallarë vehabist-salafist. Financimi i tij gjatë atij qëndrimi atje, ishte i siguruar, gjithashtu qarkullonin deri thashetheme, e të cilat tërthorazi konfirmoheshin edhe nga familjarët e tij, që merrej edhe me veprimtari kundërligjore në vendet arabe. Një nga mësuesit e Ismal H., siç ai vetë e deklaron, është Muhammad Said Ramadan Al-Bouti, i cili është islamik neo-tradicionalist, që i bashkon 4 shkollat islame sunite dhe besimin ortodoks Ash’arite,e që është kundër ideologjive si sekularizmi, marksizmi dhe nacionalizmi derisa është në një vijë me vehabizmin. Ky është vrarë më 2013 në Damask. Por edhe mësuesit e tij të tjerë ishin të njejtës frymë radikale, ekstreme isislamike si: Wahbah dhe Muhamad Mustafa al-Zuhayli, Mustafa Dib Al Bugha etj. Për t’u kthyer në Luginë të Preshevës, ku u përfshi si “professor” në Medresenë në Preshevë, e më pas do zgjedhej si kordinator i saj.
Prandaj ato gjëra që në Luginë të Preshevës, agjentët isislamik të Serbisë së paku disa vite e deri 10-15 vite më përpara i praktikojnë, do duhej të na shërbejnë si mësime, që së paku në Kosovë e në Trojet tjera ku kontrolli i qeverive tona(të Shqipërisë dhe Kosovës) janë më në nivel të duhur, të mos tolerohen apo së paku të amortizohen. Prej nga nuk janë rastësore, fyerjet që i bëhen Heronjëve, Dëshmorëve, Flamurit, Kombit, Shenjtës Nënë Terezës etj.
Është ky Islam, që Serbia e përdori për islamizimin e Sanxhakut të Nishit( falë së cilës arriti t’i shpërngulë për në Anadolli, Muhaxherët), e po i njejti islam që nga Serbia u përdorë për t’i isislamizu Shqiptarët e Luginës së Preshevës e më gjerë. Pastaj i njejti Islam që i islamizoi dhe turqizoi, srpskimuslimanizoi dhe boshnjakizoi Shqiptarët nën ish-Jugosllavi, e pasojat janë pa, qindëramijë të dërguar në Anadolli, derisa Sanxhaku i Novi Pazarit e ruajti islamin pasiqë ajo nuk e pengonte Serbinë, por e humbi Gjuhën, Kulturën tonë, të cilat e pengonin. Kështu ndodhë edhe në Luginë të Preshevës, që Serbia i talebanizon, isislamizon, srpskimuslimanizon, boshnjakizon, turqizon, denacionalizon, ua humb shpresën, i shpërngul a dëbon.

Më:15.09.2024
Gjergj – Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.
_____
#BashkesiaIslame #MevludinDudic #MuslimanetShqiptar #musliman #Presheva #Bujanoci #Medvegja #Lugina #LuginaPresheves #PreshevaPRESS #PshPRESS
Videoja:
Pamja e përgjithshme e sheshit të Ministrive në projektin madhështor të Armando Brasinit — Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Shtator 2024
“La Gazetta di Puglia” ka botuar, të dielën e 22 majit 1927, në faqen n°3, bisedën ekskluzive me Armando Brasinin, arkitektin e Tiranës së Re të zgjedhur asokohe nga Ahmet Zogu, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Qeveria e Ahmet Zogut për rilindjen e Shqipërisë
Tirana e re e madhe në konceptimin e mrekullueshëm të Armando Brasinit
Biseda me artistin e madh

Pallati presidencial në Tiranë. Pamje perspektive — Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3
Romë, 21 maj.
Armando Brasinit – arkitektit princëror, që zotëron më së shumti sensin e romanizmit dhe dhe se Duçe denjoi një përkufizim lapidar, për t’ia treguar Fatit të Italisë perandorake si interpretuesin e përsosur, ndër bashkëkohësit kryesorë të fuqisë rilindëse trashgimtare në artin arkitekturor – Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Zogu, i besoi detyrën për t’i dhënë një gjurmë të shkëlqyer qytetërimi italian kryeqytetit të ri të shtetit të tij.
Tirana e ardhshme, ashtu siç duket në vizionin e konceptuar nga Brasini, do të jetë e denjë për shprehjen më të madhe artistike të Italisë së re, të Italisë së Musolinit.
Artisti i shquar na priti, me dashamirësi të hapur dhe gazmore, në studion e tij në “Via dei Prefetti”, ku shkëlqejnë dritat e artit me vlera të pallogaritshme. Dhe duke na treguar planin dhe vizatimet madhështore të veprës madhështore romake që do të nisë pas pak ditësh në kryeqytetin shqiptar, ai na tha :
— Kam ndjesinë se i kam dhënë projektit tim një prekje italiane, duke marrë frymëzim nga stili thjesht fashist, domethënë kthjelltësia dhe madhështia të kombinuara, pa pretendime arkitekturore.
— Do të dëshironit të na shpjegoni, profesor, në detaje projektin tuaj, për të cilin tashmë kemi një vizion të shkëlqyer ?
— Shikoni. Ndërtesat kryesore përbëhen nga dy portikë pallatesh, të cilat formojnë hyrjen kryesore të Sheshit të Qeverisë në Tiranë. Këto dy ndërtesa janë më në harmoni me Tiranën e vjetër; dhe, megjithëse janë thjesht italiane, ato harmonizohen me xhamitë e afërta. Kështu integrohet pak orientalizëm.
Pjesa e brendshme e sheshit përbëhet nga ndërtesa, ndër të cilat më luksozet janë ato të destinuara për Senatin dhe Parlamentin, ndërtesa të lidhura me një hark triumfal që të çonjnë në rrugën e madhe që të çon në Pallatin Presidencial.
— Ndërtesa dominuese, edhe për anën piktoreske, siç duket në vizatim.
— Pallati Presidencial, në fakt, vazhdon Brasini – qëndron mbi një kodër dhe përbëhet nga një portik madhështor me kolona dorike 15 metra të larta. Në portikun e përmendur, një lozhë e vogël e përbërë nga harqe të vogla plotëson çatinë dhe kurorën. Pranë portikut dy ndërtesa masive e lidhin atë; këto ndërtesa janë zbukuruar me dy fitore që simbolizojnë horizontet e reja shqiptare të parë nga Ahmet Zogu. Mes dy godinave dhe sheshit ndodhet rruga që lidh Pallatin Presidencial me vetë sheshin; dhe ajo rrugë do të jetë afërsisht një kilometër e gjysmë e gjatë dhe do të jetë e rrethuar nga kopshte dhe kazerma me palestra për arsimin ushtarak. Prandaj do të jetë një kompleks me të vërtetë madhështor ! Sheshi – siç e thashë tashmë – do të ketë formën e një guacke dhe do të rrethohet me harqe të thjeshta, në stilin e një ujësjellësi romak, me hapje më të mëdha në hyrje të rrugëve.
— Cilat janë ndërtesat e tjera të shquara nga pikëpamja arkitekturore dhe dekorative ? – e pyetëm ne.
— Ndërtesat ministrore — u përgjigj bashkëbiseduesi ynë i shquar. — Ato kanë të njëjtën arkitekturë : një derë monumentale, e cila nga një distancë do të japë vizionin e shumë tempujve të bashkuar, duke i dhënë vetë ndërtesave dinjitet të madh dhe duke paraqitur një formë ventilatori, që do të ketë një gjerësi prej 300 metrash dhe një thellësi afërsisht 170 metra.
— Ne nuk mund të mos shprehim admirimin tonë për konceptimin dhe stilin tuaj arkitekturor mbi të cilin bazohet puna e madhe që ju është besuar.
Shtojmë se konceptimi dhe stili, duke kujtuar traditat romake, nuk preken nga asnjë plagjiaturë, janë me origjinalitet të padiskutueshëm dhe – siç deklaroi vetë arkitekti Brasini – janë për shkak të frymëzimit që artisti i madh romak tërheq vazhdimisht, me admirim të përkushtuar, nga interpretimi i artit të tij në këtë romanizëm fashist të ripërtërirë.
— Me besimin më të zjarrtë, të pandryshueshëm, gjithmonë me urdhrat e Duçes së dashur ! – përfundoi plot entuziazëm arkitekti Brasini.
Alessandro Conte
* Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/la-gazetta-di-puglia-1927-biseda-ekskluzive-me-armando-brasinin-arkitektin-e-tiranes-se-re-te-zgjedhur-nga-ahmet-zogu/.





