Bekim Sejdiu President, a po i kthehet Kosova profilit institucional?

Shkrime relevante

BIA e Serbisë po e shfrytëzon Islamin për agjendat e veta antishqiptare

DOKUMENT: BIA serbe prezente në Kosovë, po e përdorin ISLAMIN? DEBAT...

Në Gjenevë u shënua Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim...

Bekim Sejdiu President, a po i kthehet Kosova profilit institucional?

Gjatë shërbimit të tij diplomatik në Nju Jork, Prof. Dr. Bekim...

Një deklaratë e papërgjegjshme nga Podgorica?

Nga Frank Shkreli ___ Në kulmin e pushimeve evropiane, Podgorica hedh një bombë...

Paqja nuk ndërtohet duke heshtur për shkaqet e konfliktit

Luan Dibrani, Durrës ____ Reagim ndaj letrës së hapur drejtuar Naim Tërnavës dhe...

Shpërndaj

Gjatë shërbimit të tij diplomatik në Nju Jork, Prof. Dr. Bekim Sejdiu ishte i pranishëm gjithmonë në tubimet e komunitetit shqiptaro-amerikan. Në këtë foto ishte me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës të autorit Dr Jusuf Buxhovi, New York, 1 Dhjetor 2012
Nga Frank Shkreli
____
Pas muajsh ngërçi politik e institucional, nga Prishtina vjen më në fund një lajm I mirë që mund të shihet si një hap drejt normalizimit: Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë rënë dakord që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të Republikës së Kosovës.  Duhet theksuar që në fillim: Dr.  Bekim Sejdiu është propozuar, jo zgjedhur. Vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por vetë fakti që dy forca politike, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në një linjë, janë pajtuar për një figurë që nuk vjen nga politika aktive partiake, është zhvillim që meriton vëmendje.  Dhe këtu qëndron ndoshta rëndësia e kësaj kandidature. Dr. Bekim Sejdiu ka një profil të ndryshëm nga shumë prej emrave që kanë dominuar politikën kosovare gjatë viteve të fundit. Është profesor, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Para se të kalonte në drejtësinë kushtetuese, ai ka shërbyer në diplomacinë e Kosovës, përfshirë si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Turqi dhe si konsull i përgjithshëm në Nju Jork. Në vitin 2015 u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër element me rëndësi që nuk duhet anashkaluar në profilin e Bekim Sejdiut është përvoja e tij në Shtetet e Bashkuara. Gjatë viteve 2012–2014, ai shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju Jork, në një periudhë kur marrëdhëniet me diasporën shqiptare në SHBA kishin një rëndësi të veçantë për shtetin e ri të Kosovës.  Gjatë kësaj periudhe, Sejdiu pati mundësi të punonte drejtpërdrejt me komunitetin shqiptaro-amerikan, një komunitet që kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës dhe vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.  Për shumë shqiptarë në Nju Jork dhe më gjerë në Amerikë, ai u njoh si një përfaqësues i denjë i Kosovës me profil profesional, akademik dhe diplomatik. Respekti që ai fitoi gjatë shërbimit në Nju Jork është një element i rëndësishëm i përvojës së tij publike, sidomos nëse kandidatura për President shihet edhe në prizmin e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe diasporën shqiptaro-amerikane.  Kjo përvojë amerikane i shtohet një karriere që përfshin diplomacinë, drejtësinë kushtetuese dhe akademinë. Pikërisht, kjo ndërthurje mund të jetë një nga avantazhet e tij nëse Kuvendi e zgjedh në krye të shtetit.
Pra, kemi të bëjmë me një profil shtetëror, juridik, diplomatik dhe akademik, më shumë sesa me një figurë të politikës së përditshme, që në të vërtretë është një plus.  Sepse ky ppropozim mund të jetë, pikërisht, ajo që i duhet sot Kosovës.  Presidenca e Republikës nuk duhet të jetë një zgjatim i një partie politike. Presidenti duhet të jetë, mbi të gjitha, një figurë që mishëron shtetin, Kushtetutën dhe unitetin institucional. Në këtë kuptim, një kandidat me përvojë në diplomaci dhe në Gjykatën Kushtetuese mund të sjellë një dimension tjetër në Presidencën e Kosovës.  Por këtu fillon edhe prova e vërtetë.  A do të jetë Bekim Sejdiu kandidat i partive që e propozuan apo President i Republikës?
Kjo është pyetja që do të përcaktojë rëndësinë e kësaj kandidature. Vetë Sejdiu, duke pranuar propozimin, ka deklaruar se ambicia e tij ka qenë kryesisht në fushat akademike dhe profesionale, por se e ka pranuar përgjegjësinë për t’i shërbyer Republikës dhe qytetarëve të saj.  Kjo deklaratë është e rëndësishme. Sepse Kosova nuk ka nevojë vetëm për një figurë që ta mbyllë një krizë politike. Ka nevojë për një President që të mund të fitojë autoritet përtej shumicës që e zgjedh.  Nëse Bekim Sejdiu arrin të zgjidhet nga Kuvendi, sfida e tij do të jetë e madhe: të ruajë pavarësinë institucionale, të jetë faktor stabiliteti në një skenë politike tepër të polarizuar dhe të përfaqësojë Kosovën me seriozitet në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Në këtë pikë, kandidatura e tij është më shumë se një emër për Presidencën.  Është një provë për politikën kosovare: a është ajo në gjendje të vendosë interesin e shtetit mbi interesin partiak?  Nëse përgjigjja është po, atëherë marrëveshja për Bekim Sejdiun mund të jetë një kthesë pozitive.  Nëse jo, atëherë edhe një figurë me profil të lartë institucional rrezikon të mbetet peng i të njëjtës kulturë politike që e ka mbajtur Kosovën për muaj të tërë në ngërç.
Prandaj, para se të pyesim nëse Bekim Sejdiu do të jetë President i mirë, duhet të pyesim diçka tjetër:  A do t’i japin partitë politike Presidentit të ardhshëm hapësirën që të jetë President i Republikës dhe jo President i një marrëveshjeje politike që e solli në atë post?  Kjo do të jetë prova e vërtetë – jo vetëm për Bekim Sejdiun, por edhe për pjekurinë institucionale të politikës së Kosovës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu