Mesazhi im i fundit
____
Unë nuk jam Zoti që t’i korrigjoj gabimet e dy shteteve tona në Sanxhak, por nuk mund të pranoj që gjithçka të vazhdojë përsëri si dikur, me zero fonde dhe pa asnjë përkrahje. Njerëzit kanë nevojë për mbështetje financiare, por mbi të gjitha kanë nevojë edhe për mbështetje morale, për vlerësim dhe për respekt ndaj punës së tyre.
Unë këtë rrugë e kam nisur nga dashuria e jashtëzakonshme për kombin dhe atdheun tim, pa menduar asnjëherë dy herë se çfarë do të më kushtonte kjo zgjedhje.
Edhe unë kam pasur mundësi të tjera, si të gjithë të tjerët. Kam pasur mundësi që fëmijërinë ta kaloja duke luajtur me lodra, me shoqërinë e fshatit, pa u ngarkuar me hallet e të tjerëve. Sot, në moshën 29-vjeçare, mund të kisha zgjedhur një punë në institucionet e shtetit serb, një jetë më të qetë, kushte më të mira dhe siguri financiare.
Por unë zgjodha një rrugë tjetër. Zgjodha rrugën e kombit, rrugën e sakrificës, një rrugë jashtëzakonisht të vështirë, sidomos për një grua. Zgjodha të mos e shikoj vetëm jetën time, por edhe fatin e popullit tim, të njerëzve që kanë nevojë për dikë që të mos i harrojë.
E nisa këtë rrugëtim me besimin e plotë se do të kisha mbështetjen financiare dhe institucionale të dy shteteve tona për punën që bëj. Por sot, pas 14 vitesh, realiteti është i dhimbshëm: asnjë cent mbështetje për gjithë atë punë dhe sakrificë!
Dhe ju lutem, mos më dilni tani me patriotizmin tuaj prej tastiere, duke më thënë: “Ti e ke bërë këtë punë vetëm për rrogë!”
Për cilën rrogë po flisni?! Për 340 euro në muaj, të cilat nuk i kam marrë tash e 13 muaj?!
A mendoni vërtet se dikush mund të sakrifikojë 14 vite të jetës së tij, të përballet me kaq shumë padrejtësi, sulme, fyerje dhe poshtërime, vetëm për një pagë të tillë?!
Unë këtë rrugë e kam bërë me shpirt, me zemër dhe me bindjen se po i shërbej kombit tim. Sa herë më kanë sulmuar, sa herë më kanë fyer, sa herë më kanë injoruar! Sa herë kanë shpifur dhe kanë tentuar të ma njollosin emrin, mbiemrin dhe punën time!
Asnjëherë nuk më kanë gjetur të shitur. Asnjëherë nuk kanë mundur të më lidhin me ndonjë punë të pandershme. Kur nuk kanë pasur çfarë të më akuzojnë për punën time, kanë filluar të më sulmojnë për mbiemrin që kam në dokumentet zyrtare.
Po të ishte guri në vendin tim, deri tani do të ishte çarë nga pesha e gjithë këtyre padrejtësive që kam përjetuar ndër vite.
Dhe megjithatë, nuk u ndala!
Me ZERO euro fonde e kemi hapur kursin e gjuhës shqipe në vitin 2024. Me ZERO euro kemi mbajtur dyert e zyrës hapur. Me ZERO euro kemi krijuar një hapësirë ku 25 vajza dhe djem kanë gjetur vend, shpresë dhe përkatësi. Por, kur e panë se nuk kishim përkrahje institucionale, një nga një u larguan dhe në fund mbetëm vetëm katër veta duke e mbajtur gjallë këtë përpjekje.
A e kuptoni çfarë do të thotë kjo? Të përpiqesh të mbash gjallë gjuhën, identitetin dhe kulturën tënde, pa mjete financiare, pa siguri dhe pa përkrahje?!
Përveç kësaj, në çdo udhëtim jam përballur me maltretime nga policia serbe, me ndalesa, presione dhe kontrolle të pafundme. Kam përjetuar edhe maltretime psikologjike nga shërbyes të institucioneve të tyre. Kam kaluar nëpër situata që shumë njerëz as nuk mund t’i imagjinojnë.
Dhe të gjitha këto, për çfarë? Për faktin se kam zgjedhur të punoj për kombin tim!
Unë nuk kërkoj privilegje. Nuk kërkoj medalje. Nuk kërkoj duartrokitje dhe as lavdërime boshe. Kërkoj vetëm atë që është e drejtë: mbështetje institucionale, dinjitet për punën tonë dhe mundësi për të vazhduar atë që kemi nisur.
Nuk mund të kërkojmë nga njerëzit të ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, ndërsa ata që punojnë çdo ditë për këtë qëllim t’i lëmë pa mjete, pa paga dhe pa përkrahje.
Patriotizmi nuk mund të jetë vetëm fjalë nëpër rrjete sociale. Patriotizmi duhet të dëshmohet me vepra, me përgjegjësi dhe me mbështetje konkrete.
Unë nuk jam penduar që zgjodha këtë rrugë. Por do të ishte e padrejtë të mos e them të vërtetën: edhe njerëzit që punojnë për kombin kanë nevojë të jetojnë, të paguajnë qiranë, të ushqehen dhe të kenë një jetë me dinjitet.
Nuk mund të ushqehemi me patriotizëm, nuk mund t’i paguajmë faturat me fjalë dhe nuk mund ta mbajmë gjallë një kauzë vetëm me sakrificën e një grushti njerëzish.
Unë e kam dhënë pjesën time. Kam dhënë vite, kohë, mund, dinjitet dhe shumëçka që nuk kthehet më.
Tani është koha që edhe institucionet tona ta japin pjesën e tyre.
Sepse dashuria për atdheun nuk duhet të jetë dënim për ata që zgjedhin t’i shërbejnë atij! 
Nuk pranohet injorimi i banorëve të Sanxhakut që duan ta mësojnë shqipen që i detyruan me dhunë që ta harronin.



