Bekim I. Blaku
Poezi
MENDJEN ATJE
As s’më flihet,
as s’më rrihet.
Trupin këtu,
mendjen atje.
Mendimet vërdallë.
As një gotë s’më pihet.
Më mirë mendje esëll
se mendje dhallë.
Pastaj, nesër s’i dihet
llogaria ku do dalë.
Në “Rapsodi për gjethet”
ai tashmë shkroi
kapitullin katërmbëdhjetë.
Si barkë që lundron
pa ndalur ndër detet,
plot ndjenjë fjalët gatoi
dhe ty, Tina, të zgjati jetë.
Tjetri me pasion,
nxjerrë nga kujtesa, shkroi,
derisa në heshtje
kujtoi babanë.
Sa shumë fjalë të tija
në mbamendje kishte!
Se dashuria shëron plagë
e mërzia zemrën çanë.
Se “Është e vogël Bota”
jo të gjithë e panë…
- Shkëputur nga përmbledhja me poezi “Arka e nënës”.


