ARKIVI:
9 Maj 2024

Letër Naim Tërnavës, “efendiut” të Bashkësisë Islame të Kosovës

Shkrime relevante

Botimi i dytë në anglisht i librit “Receta pa komb” i Saimir Lolja

Saimir A. Lolja, The Nation-Free Recipe – How the Triple Entente...

Harmonizimi i mendjes me shpirtin!

Florim Zeqa Fjala e dalë nga goja e shpërfaqë shpirtin e njeriut...

Si u kapën dy drejtuesit e Xhihadit në Shqipëri në vitin 2008

Nga Artan Hoxha Xhihadi islamik në Shqipëri E premte, 25.01.2008, 12:42 AM Emisioni investigativ i...

Dosja e Xibrakës dhe hetimi për Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit të Shqipërisë…!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, në...

Shpërndaj

Në foto: Naim Tërnava, tek varri i Sulltan Muratit në Mazgit afër Prishtinës
Zekerija Idrizi, teolog, Shkup
___
* Letër e hapur Myftiut Naim Tërnava, të parit të Bashkësisë Islame të Kosovës. 
___
Për të pestën herë me radhë zgjedheni në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, Mufti Naim Tërnava. Kjo flet qartazi për një sundim monarkik dhe absolutist në organet dhe, veçantë, në kreun më të lartë të administratës fetare. Edhe monarkët më absolutë e më diktatorialë të botës do ua kishin zilinë.
Dorën në zemër, kam njohuri që ju gjatë zhvillimit të luftës shqiptaro-serbe në Kosovë keni dhënë kontribut të çmueshëm politiko-diplomatik dhe logjistik për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ju këtë e bëtë bashkë me stafin tuaj operativ dhe me imamët në terren. Kjo është për t’u përshëndetur. Për këtë kontribut morët dhe mirënjohje atëbotë fill pas luftës nga Qeveria e përkohshme e Kosovës dhe nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).
E kam në dijeni faktin që ju edhe statutarisht-kushtetutarisht dhe programatikisht mbështetni, favorizoni dhe propagoni praktikimin e një islami tradicional, që ndër shekuj e breza është ligjëruar dhe ushtruar në trojet tona. Do të thotë propagoni ligjërimin dhe praktikimin e shkollës juridike hanefite (mezëhebit hanefij) në truallin tonë. Dhe për këtë respekt dhe mirënjohje!
Por, çuditërisht, më habit neglizhenca, indiferentizmi dhe indolenca juaj karshi depërtimit dhe zhvillimit të hovshëm të rrymës radikale fundamentaliste, të ashtuquajturēs lëvizje vehabito-selefiste në Kosovë. Kjo lëvizje po ushtron lirshëm aktivitetet e saj, që bijnë ndeshë me kushtetutën tuaj dhe me islamin tradicional hanefit e maturidit në trojet tona. Dhjetëra imamë e hoxhallarë punojnë lirshëm, pa therrë në këmbë, në disa xhami e mejtepe (mësonjëtore fetare). Shtoni këtu edhe veprimtaritë e tyre të zhurmshme nëpër portale sociale e mediume gjithandej qyteteve të Kosovës.
Ata, jo vetëm që janë kundër islamit tonë tradicional, por edhe luftojnë radikalisht dhe brutalisht simbolet dhe personalitetet tona madhore kombëtare. Madje-madje edhe luftojnë edhe sekularitetin dhe laicitetin e shtetit tonë të pavarur e demokratik, duke synuar të instalojnë ligjin islamik-sheriatin në sistemin tonë kushtetues politiko-diplomatik.
Në shumë ligjërata publike ata përbaltin dhe përdhosin flamurin tonë kombëtar kuq e zi me shkabën dykrenore, himnin tonë dhe personalitetet tona historike si p.sh. Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Shën Nënën Terezë etj.
Pas pensionimit, i blejnë edhe mercedes…Kështu i nderon BIK-u antishqiptarët, sikurse Mazllam Mazllamin!
***
Dhe, për çudi, unë deri më sot nuk kam lexuar asgjëkundi asnjë reagim ose protestë tuajën karshi devijimeve të tilla! Askush nga stafi juaj nuk reagoi kur hoxhë Mazllam Mazllami i Prizrenit publikisht e trajtoi si leckë flamurin tonë kombëtar! Askush prej stafit tuaj nuk reagoi kur imami Irfan Saliu pohoi ditën e xhuma, në hutbe, se nuk ka pasur shqiptarë në Kosovë përpara vitit 1450 ?!!!! Njëkohësisht, ju nuk reaguat fare edhe kur hoxhë Shefqet Krasniqi e dërgoi në xhehennem Nënën Terezë!
Për më keq, madje, ju nuk keni reaguar fare edhe gjatë periudhës së zhvillimit të luftimeve në Siri e Irak. Afro njëmijë luftëtarë morën pjesë në cilësinë e muxhahedinëve atje dhe ju nuk reaguat fare në parandalimin e tyre !!! Tragjikisht, ata luftëtarë, shumë prej tyre, i morën me vete edhe gratë dhe fëmijët e tyre.
Mufti Tërnava, personalisht ju kam dëgjuar në një intervistë tuajën kur në pyetjen e gazetarit se “a ka vehabijë në Kosovë?”, ju u përgjigjët “nuk ka vehabizëm në Kosovë!” Më çuditët, sepse me këtë përgjigje ju e injoruat totalisht ekzistimin e rrymës vehabito-selefiste në Kosovë dhe kudo trojeve tona dhe te mërgata jonë në botë.
Terroristët e mëdhenj islamik nga e së ashtuquajtura “rinia muslimane e Kosovës”, Lavdërim Muhaxheri e Ridvan Aqifi, që paraprakisht u ngritën në kryengritje religjioze për xhaminë e “madhe” të Prishtinës, që në fund po e ndërtojnë Diyaneti i afërt me Qeverinë e Republikës së Turqisë, që i dhanë mbi 40 milionë euro nga xhepat e taksapaguesve turq për ndërtimin e kësaj megaxhamije.
*
Pikërisht kësokohe me qindra ligjërata i mbajtën nëpër disa xhami të Kosovës dhe nëpër portale e media elektronike rreth “peizazheve të tokave të bekuara nga Allahu në Siri e Sham”. Për më keq, edhe vetë djali juaj Harisi i parapriu propagandave të tilla!
I nderuar Mufti, ju dhe stafi juaj operativ bashk me këshilltarët tuaj dhe inteligjencën teologjike duhet të tregoheni shumë të vëmendshëm, syçelë dhe vigjilentë në mbrojtjen e islamit tradicional te ne. Duhet t’i ruajmë fanatikisht vlerat tona historike fetare, sepse prindërit dhe gjyshërit tanë ishin besimtarë shumë konstruktivë dhe produktivë në familjet e tyre dhe në shoqëri dhe ishin mjaftë tolerantë dhe në harmoni të thellë me pjesëtarët e feve tjera. Myslimanë, katolikë, ortodoksë e protestantë përgjithnjë kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë akoma në një harmoni, dialog e koegzistencë të mirëfilltë ndër-religjioze. Edhe bota e qytetëruar na ka zili për këtë virtyt unik fetar dhe kombëtar.
Nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë prishjen dhe përdhosjen e këtyre vlerave dhe virtyteve tona të mrekullueshme!
Tani më kujtohet që ju keni reaguar vetëm njëherë ndaj imamit prizrenas Irfan Saliu, ,kur ai në një ligjëratë të xhumanë nënçmoi publikisht femrat shqiptare. Edhe atë ju reaguat pas reagimit të ashpër të disa intelektualeve dhe deputeteve të Kuvendit të Kosovës. Rrjedhimisht ju e suspenduat nga puna imamin Saliu vetëm përkohësisht.
Ju nuk keni reaguar edhe ndaj shumë ligjëratave publike në portale e media kur disa hoxhallarë ligjërojnë tema absurde e paradoksale, ta zëmë, të llojit: “Shurra e deves është ilaq për njeriun”, “Orgjitë e pakufizuara seksuale në xhennet”, “Lejimi i martesave me kusherirat: vajzat e xhaxhallarëve, të dajëve, të tezeve e të hallave” etj.
Duhet të kemi parasysh faktin që pikërisht këto lloj predikimesh e ligjërimesh po rebelojnë masën tonë myslimane dhe, për pasojë, shtohet numri i agnostikëve dhe ateistëve në radhët tona. Pikërisht për arsyet që përmenda më sipër lindën edhe lëvizjet e fundit: “Lëvizja e Deçanit për braktisjen e Islamit politik” dhe “Lëvizja Feja e shqiptarit shqiptaria”. Këto lëvizje, janë protestë, pezm, mëllef dhe rebelim kundrejt fundamentalizmit e radikalizmit islamik në trojet tona.
Ne është dashur detyrimisht të intervenojmë në kohë dhe urgjentisht ndaj këtyre fenomeneve. Por, mjerisht, tashmë është vonë. Rebelimi i atdhetarëve shqiptarë tejkaloi çdo kufij dhe arriti kulmin eruptiv, shpërthyes.
Shih ironinë, deri më tani nuk keni ndërmarrë asnjë masë ndëshkimore a disiplinore ndaj ndonjë imami apo hoxhe në rastet kur këta thyejnë normat dhe ligjet e Bashkësisë Islame si dhe, veçanërisht, kur i fyejnë dhe përbaltin simbolet dhe personalitetet tona markante kombëtare!
Në këtë skenar makabral anti-shqiptarë përveç vehabito-selefistëve prinë edhe lëvizja neo-otomaniste, respektivisht ajo erdoganiste, e cila është po aq e rrezikshme për kombin dhe atdheun tonë, meqë synon rikthimin e sulltanatit ose të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ilirik.
Në veçanti, ju dhe Bashkësitë Islame të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës duhet të jeni të kujdesshëm se çfarë imamë dërgoni në xhamitë dhe qendrat kulturore fetare të diasporës sonë. Meqë rryma vehabito-selefiste është mjaftë aktive edhe në diasporë. Dorën në zemër, shumica e imamëve nē xhamitë e diaporës janë mjaftë konstruktivë, produktivë dhe patriotë të mirëfilltë, të cilët po ruajnë unitetin midis shqiptarëve dhe po i edukojnë mirë fetarisht dhe kombëtarisht. Pjesa dërrmuese e tyre veprojnë në përputhje me ligjet e vendeve përkatëse dhe nuk përmbysin bukën e shteteve evropiane e perëndimore. Kësisoji ata i edukojnë edhe xhematet/besimtarët e tyre.
Përjashto këtu shumë shqipfolës vehabito-selefistë të cilët nga njëra anë e hajnë bukën e Perëndimit dhe nga ana tjetër i shajnë dhe i fyejnë ligjet, kulturat dhe qytetërimet e tyre. Kjo është jokorrekte dhe e patolerueshme. Mjerisht mijëra individë evropianë dhe shqipfolës morēn pjesë si myxhahedinë në luftën e Sirisë. Mandej, paradoksalisht, shumë prej tyre edhe kërkojnë publikisht instalimin e sheriatit në disa qytete të Evropës dhe të Perëndimit në përgjithësi!
Naim Tërnava në varrimin e nënës së Rexhep Taip Erdoganit… Duhet të jesh shumë i afërt me dikë që të marrësh pjesë në ceremoni të tilla private. Apo duhet ti kesh premtuar shumë Erdoganit për përhapjen dhe zgjerimin e ideve të tij neoosmaniste në pjesët e Gadishullit Ilirik. 
*
Si mund të tolerohen gjestet e këtilla radikale kur ne si shqiptarë të besimit islam dhe myslimanët mërgimtarë të të gjitha kombeve gëzojmë të gjitha të drejtat qytetare demokratike! Në pothuaj gjitha qytetet e Evropës, Amerikës, Kanadas e Australisë dominojnë qindra xhami monumentale, aty-këtu edhe xhami me minare. Në shumë metropole këtu ekzistojnë edhe dhjetëra fakultete teologjike të shkencave dhe filozofisë islame. Funksionojnë edhe qindra e mijëra shitore, vetëshërbime dhe gjelltore e restorante me ushqime hallall, sipas standardeve të kuzhinës islame.
Edhe një tjetër vërejtje e kam ndaj juve: është i çuditshëm fakti që në organet e Bashkësisë Islame dhe nëpër disa xhami të Kosovës keni punësuar funksionarë dhe imamë me prirje dhe bindje radikale vehabito-selefiste. Kjo është e patolerueshme, sepse kanos islamin tradicional dhe rrezikon kauzën tonë kombëtare. Ju kujtohet rasti para disa vitesh me Bashkësinë Islame të Maqedonisë kur kreu i saj lidhi marrëveshje bashkëpunimi me hoxhallarët vehabito-selefistë dhe, si rezultat, pjesën dërrmuese të tyre i punësoi nëpër xhami dhe në radhët e administratës fetare. Ky veprim ishte fatal për fatin e myslimanëve në Shkup dhe në Maqedoni në përgjithësi. Kësisoji ata fituan terren të lirë për të ushtruar veprimtaritë e tyre radikale e fundamentaliste. Rrjedhimisht, numri i myslimanëve radikalë sa vie e shtohet në këtë shtet.
Për fund, uroj nga zemra që ju, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, të tregoheni syçelë, të vëmendshëm dhe vigjilentë ndaj situatave kritike në të cilat gjendemi dhe të reagoni me kohë ndaj devijimeve, predikimeve radikale e fanatike dhe ndaj islamit politik e fundamentalist, veçanërisht ndaj rrymës vehabito-selefiste, e cila është në kundërshtim të thellë me islamin tonë tradicional dhe me kulturën dhe qytetërimin tonë arbëror shqiptar, duke çuar kështu ujë në mulli të armiqve tanë dhe të pansllavizmit!
Përndryshe, nëse ju nuk veproni, shumë shpejtë do të vehet në shërbim atdhetar Lëvizja Gjithëkombëtare Shqiptare në trojet tona iliro-dardano-arbërore dhe do t’u japë grusht të fortë forcave të errëta radikale mesjetare … Ky, njëherësh, është detyrim madhor kombëtar i Lëvizjes sonë Pan-Shqiptare.
Me respekt idealisht dhe vëllezërisht:
Me respekt idealisht dhe vëllezërisht:
Zekerija Idrizi
Berlin/Shkup
Mund të jetë një imazh i 2 persona
Zekerija Idrizi                                                               Naim Tërnava

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Mua më duket,që myftiu Naim Tërnava është kësula e radikalizmit islamik.Për këtë mjaftojnë faktet të cilat i cekët ju.
    Ai,mshefet paksa,nuk guxo të delē hapur për Kalifat e Sheriat,ama shpirti ja do,siç ja do edhe Perandorin osmane,ndaj përulet te varri i Sulltan Muratit dhe buzqesh kur shtatores së Gjergjit i hudhet sipri batanija…

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu