ARKIVI:
5 Gusht 2026

Orbitpress apo tribunë e propagandës?

Shkrime relevante

Nga Las Vegasi në të ardhmen: Çfarë duhet të mësojë rinia shqiptare nga Ai4 2026?

Agim Vuniqi, Vashington ___ Midis mijëra pjesëmarrësve ndodhen edhe profesionistë shqiptarë që punojnë...

Hero në luftë, humanist në paqe – pse po sulmohet Musë Musa?

Shkruan Rrezart Kalaja REAGIM PUBLIK Kundër artikullit të publikuar nga portali OrbitPress dhe...

Orbitpress apo tribunë e propagandës?

Luan - Asllan Dibrani Reagim ndaj një shkrimi që sulmon nismën për...

Federata e Arbërit kërkon përgjegjësi publike dhe mbrojtje të harmonisë kombëtare

Reagim zyrtar lidhur me publikimet që rrezikojnë të cenojnë dinjitetin...

Shpërndaj

Luan – Asllan Dibrani

Reagim ndaj një shkrimi që sulmon nismën për Kishën në Zogaj dhe lirinë kushtetuese të besimit

Autori është gazetar, publicist, piktor dhe skulptor, ish i burgosur politik, veprimtar shumëvjeçar i çështjes kombëtare shqiptare, humanist dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëv

Portali OrbitPress ka publikuar një shkrim mbi ndërtimin e Kishës Katolike Shqiptare në Zogaj të Vushtrrisë, i cili, sipas vlerësimit tim, nuk përmbush standardet e gazetarisë profesionale. Në vend të informimit të balancuar, artikulli paraqet një narrativë të njëanshme, me etiketime dhe interpretime që e zhvendosin debatin nga ligji te paragjykimet.

Në një shtet demokratik nuk vendosin portalet mediatike dhe as organizatat fetare se kush ka të drejtë të ndërtojë një objekt kulti. Këtë e përcaktojnë Kushtetuta, ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Më bën përshtypje se autori i këtij shkrimi nuk është identifikuar me emër. Kur publikohen akuza të rënda ndaj qytetarëve, transparenca dhe përgjegjësia profesionale janë detyrim moral dhe etik.

Pretendimet ndaj Musë Musës

Artikulli pretendon se Musë Musa është dënuar nga gjykata. Sipas deklarimit publik të vetë Musë Musës, ky pretendim është i pavërtetë. Ai ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë dënim të formës së prerë për çështjen e përmendur në artikull dhe e konsideron publikimin një cenim të reputacionit të tij.

Për këtë arsye, Musë Musa ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprime ligjore dhe kallëzim penal ndaj portalit OrbitPress, duke kërkuar që përgjegjësia për publikimin e informacioneve të pavërtetuara të shqyrtohet nga organet kompetente.

Në një shtet ligjor askush nuk mund të paraqitet publikisht si i dënuar pa një bazë të qartë ligjore dhe pa respektuar prezumimin e pafajësisë.

Askush nuk mund t’ia mohojë komunitetit katolik të drejtën e besimit

Po aq shqetësues është reagimi i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri, të cilët kanë dalë publikisht kundër kësaj nisme.

As BIK-u, as ndonjë organizatë tjetër fetare nuk ka kompetencë kushtetuese apo ligjore të vendosë nëse komuniteti katolik ka apo nuk ka të drejtë të ndërtojë një kishë. Liria e besimit nuk është privilegj që jepet nga një bashkësi tjetër fetare. Ajo është një e drejtë kushtetuese e garantuar për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.

Nëse projekti duhet të kalojë procedura administrative, ato i shqyrtojnë institucionet shtetërore. Nuk i shqyrtojnë organizatat fetare dhe as portalet mediatike.

Prandaj lind pyetja: Pse gjithë ky mobilizim kundër një kishe? Pse kundërshtohet një objekt kulti që synon t’u shërbejë besimtarëve katolikë të rajonit të Vushtrrisë dhe Mitrovicës?

Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë

Nëse dikush kërkon që çdo leje ndërtimore të respektohet deri në detaj, atëherë ky standard duhet të zbatohet për çdo objekt fetar, pa dallim.

Nuk mund të ketë një standard për kishat dhe një tjetër për objektet e tjera fetare. Shteti ligjor nuk ndërtohet mbi standarde të dyfishta.

Nëse ekzistojnë paqartësi procedurale, ato duhet të zgjidhen nga institucionet kompetente, jo të përdoren si mjet për të penguar ushtrimin e një të drejte kushtetuese.

Një dhuratë për kombin, jo një kërcënim

Musë Musa, sipas deklarimeve publike, ka dhuruar pronën e tij private për ndërtimin e një kishe, një qendre pastorale dhe varrezave katolike. Nëse kjo realizohet sipas ligjit, kemi të bëjmë me ushtrimin e një të drejte të pronës dhe të lirisë fetare, jo me një shkelje.

Në vend që të krijohen tensione të panevojshme, institucionet dhe shoqëria duhet të mbrojnë të drejtën e çdo komuniteti për të jetuar dhe për ta ushtruar besimin e vet në paqe.

Përfundim

Kosova është ndërtuar mbi parimin e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga një kishë, as nga një xhami, as nga një sinagogë apo një objekt tjetër kulti. Frika lind nga intoleranca, jo nga liria.

Unë do të mbroj gjithmonë të drejtën e çdo myslimani për ta ndërtuar xhaminë e tij sipas ligjit. Me të njëjtin parim do të mbroj edhe të drejtën e çdo katoliku për ta ndërtuar kishën e tij sipas ligjit.

Ligji duhet të jetë mbi të gjithë. Kushtetuta duhet të vlejë për të gjithë. Liria e besimit nuk negociohet.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu