




Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
____
Edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet i paparashikueshëm. Zhvillimet e deritanishme dhe deklaratat e liderëve politikë krijojnë bindjen se vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të reja. Ky nuk është më vetëm një skenar teorik, por një rrezik real që do të kishte pasoja të rënda politike, ekonomike dhe ndërkombëtare për Kosovën.
Përvoja e dy ose tri proceseve të fundit zgjedhore ka dëshmuar një të vërtetë të hidhur: një pjesë e klasës politike, kush më shumë e kush më pak, e ka vendosur inatin politik, rivalitetin personal dhe interesin partiak mbi interesin shtetëror. Pikërisht kjo qasje ka prodhuar bllokada të gjata institucionale, ka penguar funksionimin normal të demokracisë dhe ka dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet e tyre.
Barrikadimi i partive politike nuk është shenjë force politike, por shenjë e mungesës së kulturës demokratike. Në demokraci, zgjedhjet përcaktojnë raportet e forcave politike, ndërsa përgjegjësia e tyre është të gjejnë rrugën e bashkëpunimit për të ndërtuar institucionet. Askush nuk fiton gjithçka, por askush nuk duhet të pengojë funksionimin e shtetit.
Duket se disa synojnë t’i marrin të gjitha pozitat kryesore – Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën – ndërsa të tjerët druhen se një bashkëpunim me partinë e parë do t’i dëmtojë politikisht dhe do t’u zvogëlojë elektoratin në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo, asnjë kalkulim partiak nuk mund të jetë më i rëndësishëm se funksionimi i Republikës së Kosovës. Partitë politike ekzistojnë për t’i shërbyer shtetit, e jo që shteti të bëhet peng i interesave të tyre.
Çdo ditë pa institucione funksionale ka një kosto të lartë. Vonesat bllokojnë miratimin e ligjeve, investimet publike, reformat ekonomike, projektet zhvillimore dhe proceset integruese. Dëmtohet besueshmëria ndërkombëtare e Kosovës, zbehet pozita e saj në raport me partnerët strategjikë dhe krijohet pasiguri për qytetarët dhe bizneset. Ndërkohë, sfidat e përditshme – papunësia, migrimi i të rinjve, zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit – mbeten në pritje.
Më shqetësuesja është mundësia që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje. Një vendim i tillë nuk do të ishte zgjidhje, por vazhdim i krizës. Ai do të shpenzonte miliona euro nga buxheti i shtetit, do të humbiste muaj të tërë pa qeverisje efektive dhe nuk ka asnjë garanci se rezultati do të ndryshonte në mënyrë domethënëse. Përkundrazi, rrezikon të prodhojë të njëjtin bllokim ose edhe një fragmentim më të madh politik.
Nëse edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk arrihet formimi i institucioneve dhe vendi detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje, kjo do të përbënte një dështim të rëndë të përgjegjësisë politike. Demokracia nuk matet vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, por edhe me aftësinë për të ndërtuar institucione funksionale pas tyre. Pa këtë aftësi, vetë kuptimi i mandatit të marrë nga qytetarët vihet në pikëpyetje.
Kosova ka nevojë për udhëheqës që dinë të bëjnë kompromis për interesin e shtetit. Kompromisi nuk është dobësi; ai është virtyt demokratik dhe dëshmi e pjekurisë politike. Historia do t’i vlerësojë liderët jo për numrin e deklaratave kundër njëri-tjetrit, por për aftësinë që patën ta vendosin interesin kombëtar mbi interesin partiak.
Vërejtje definitive dhe thirrje publike për liderët politikë të Kosovës
1. Vendoseni Republikën mbi partinë. Asnjë interes partiak nuk mund të jetë më i rëndësishëm se funksionimi i shtetit dhe mirëqenia e qytetarëve.
2. Respektoni vullnetin e qytetarëve. Zgjedhjet kanë përfunduar. Tani është koha të përmbushni obligimin kushtetues për formimin e institucioneve, jo të vazhdoni fushatën elektorale.
3. Hiqni dorë nga inatet dhe egoja politike. Mosmarrëveshjet personale nuk duhet ta mbajnë peng një shtet të tërë.
4. Pranoni kulturën e kompromisit. Në demokraci nuk fiton njëra palë gjithçka. Kompromisi është vlerë demokratike, jo dobësi politike.
5. Mos e bllokoni shtetin për interesa elektorale. Llogaritjet për zgjedhjet e ardhshme nuk mund të justifikojnë dëmtimin e interesit kombëtar.
6. Mos e çoni Kosovën përsëri në zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të konsumonin kohë, energji dhe miliona euro nga buxheti i qytetarëve, pa garantuar një rezultat ndryshe.
7. Mbroni autoritetin ndërkombëtar të Kosovës. Institucionet funksionale janë kusht për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për avancimin e proceseve integruese.
8. Merrni përgjegjësi para historisë. Mandati që keni marrë nuk është privilegj, por përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe brezave që do të vijnë.
9. Filloni menjëherë dialogun politik. Takimet nuk duhet të jenë vetëm formale, por të prodhojnë marrëveshje konkrete për formimin e Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese.
10. Jepini fund krizës politike. Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, integrim euroatlantik dhe shpresë për qytetarët. Këto nuk arrihen me bllokada, por me institucione funksionale.
Apel përfundimtar
Historia nuk do t’i gjykojë liderët politikë për fjalët që kanë thënë kundër njëri-tjetrit, por për vendimet që kanë marrë në momentet vendimtare për shtetin. Ky është një prej atyre momenteve.
Prandaj, uluni në një tryezë të përbashkët, zhvilloni dialog të sinqertë, bëni kompromisin e nevojshëm dhe formoni sa më parë institucionet e Republikës sëKosovës. Qytetarët nuk ju kanë dhënë mandatin për ta mbajtur vendin peng, por për ta qeverisur me përgjegjësi.
Mos e çoni Kosovën sërish në zgjedhje! Çdo zgjedhje e re pa u shteruar të gjitha mundësitë për marrëveshje do të ishte një dështim politik, një humbje e panevojshme kohe dhe parash, si dhe një goditje ndaj besimit të qytetarëve në demokraci.
Kosova ka nevojë për institucione, jo për bllokada; për bashkëpunim, jo për përçarje; për përgjegjësi shtetërore, jo për llogari partiake. Vetëm kështu ndërtohet një shtet i fortë, demokratik dhe me të ardhme të sigurt euroatlantike.
Më 13 korrik 2026

Ka fjali që nuk plaken kurrë. Ato nuk i përkasin vetëm kohës kur u thanë, por çdo kohe kur njeriu vihet përballë ndërgjegjes së vet. Njëra prej tyre është sentenca latine: Homo hominis lupus est – Njeriu është ujk për njeriun.
Nuk është thjesht një mendim filozofik. Është një pasqyrë që njerëzimi e sheh sa herë humbet busullën morale.
Jetojmë në një shekull paradoksesh. Njeriu ka arritur të prekë hapësirën, të komunikojë në çaste me çdo cep të globit, të ndërtojë inteligjencë artificiale dhe teknologji që dikur i përkisnin vetëm fantazisë. Por, në të njëjtën kohë, nuk ka arritur të çlirohet nga instinktet e vjetra të urrejtjes, lakmisë dhe etjes për pushtet.
Sot, bota duket sikur ka hyrë në një epokë të re pasigurie. Luftërat vazhdojnë, rivalitetet ndërmjet fuqive të mëdha thellohen, ndërsa besimi ndërmjet shteteve dhe shoqërive shpesh dobësohet. Në këtë përplasje interesash, viktima e parë mbetet njeriu i zakonshëm: ai që nuk vendos për luftën, por jeton me pasojat e saj.
Edhe Kosova, megjithëse e lirë dhe e pavarur, nuk qëndron jashtë kësaj fryme të kohës. Liria nuk është vetëm një akt historik; ajo është një përgjegjësi e përditshme. Shteti nuk ndërtohet vetëm me ligje e institucione, por me besim, drejtësi, kulturë politike dhe respekt për tjetrin.
Një shoqëri nuk rrënohet vetëm nga armiku që vjen nga jashtë. Ajo rrënohet edhe kur e vërteta zëvendësohet nga propaganda, kur dialogu zëvendësohet nga përçarja, kur meritën e mposht klientelizmi, kur interesi publik sakrifikohet për interesin e ngushtë dhe kur qytetari humbet besimin te drejtësia.
Atëherë sentenca e lashtë nuk mbetet më vetëm një kujtim i filozofisë romake. Ajo bëhet një paralajmërim për kohën tonë.
Megjithatë, historia nuk është vetëm histori konfliktesh. Ajo është edhe histori njerëzish që, në çastet më të errëta, zgjodhën të mbeten njerëz. Janë ata që ndërtuan ura kur të tjerët ngritën mure; që mbollën shpresë kur mbizotëronte frika; që mbrojtën dinjitetin njerëzor kur gjithçka dukej e humbur.
Edhe kombi ynë ka mbijetuar falë këtyre njerëzve. Jo falë urrejtjes, por falë besimit. Jo falë hakmarrjes, por falë qëndresës. Jo falë forcës së verbër, por falë idealit për liri, demokraci dhe dinjitet.
Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është nëse bota po ndryshon. Bota gjithmonë ka ndryshuar. Pyetja është nëse, mes gjithë këtyre ndryshimeve, ne po ruajmë njeriun brenda nesh.
Sepse rreziku më i madh për një shoqëri nuk fillon kur shpërthen lufta. Ai fillon kur shuhet ndërgjegjja.
Dhe nëse një ditë njeriu pushon ta shohë tjetrin si kundërshtar e fillon ta shohë si bashkudhëtar në fatin e përbashkët njerëzor, atëherë sentenca Homo hominis lupus est nuk do të jetë më një përshkrim i botës, por një kujtesë e asaj që nuk duhet të lejojmë të ndodhë më.
Ky është testi më i madh i qytetërimit tonë.Jo sa të fuqishëm jemi. Por sa njerëzorë mbetemi.





Nga Frank Shkreli
Nga viti në vit, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi vazhdojnë përpjekjet për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, një pyetje bëhet gjithnjë e më shqetësuese: pse nxënësit shqiptarë në shkollat shqipe nuk mësojnë sa duhet për historinë e kombit të tyre? Prej kohësh, studiues, arsimtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare kanë ngritur zërin për mangësitë e programeve mësimore dhe teksteve të historisë në shkollat shqipe të atij vendi. Ndër zërat më të njohur është edhe historiani dhe studiuesi Dom Nikë Ukgjinaj, i cili ka shprehur shqetësimin se brezat e rinj shqiptarë në Mal të Zi po privohen nga njohja e thellë e historisë, kulturës dhe trashëgimisë së tyre kombëtare. Sipas tij, një popull që nuk njeh historinë e vet rrezikon të humbasë vetëdijen për identitetin dhe të ardhmen e tij.
Në këtë sfond, përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te institucionet shtetërore të Malit të Zi. Edhe klasa politike shqiptare mban pjesën e saj të përgjegjësisë, gjatë viteve e dekadave të kaluara. Për më shumë se tri dekada, partitë politike shqiptare kanë qenë pjesë e jetës institucionale dhe, në periudha të ndryshme, edhe pjesë e qeverive malazeze. Megjithatë, rezultatet konkrete në fushën e arsimit kombëtar për fëmijt shqiptarë kanë mbetur larg pritshmërive të historianëve dhe studiuesve shqiptarë të atyre trojeve. Ndonëse, shqiptarët nuk kërkojnë privilegje në këtë fushë, ata me plot të drejtë, kërkojnë të drejtën elementare që fëmijët e tyre të mësojnë historinë e popullit të cilit i përkasin, figurat e tij kombëtare, qëndresën e tij shekullore dhe kontributin e tij në qytetërimin evropian dhe historinë kombëtare. Nëse partitë politike shqiptare arrijnë të bashkohen rreth kësaj kauze, ato do t’u lënë brezave një trashëgimi shumë më të vlefshme se çdo mandat politik: të drejtën që çdo fëmij shqiptar në Mal të Zi të njohë historinë e popullit të vet me dinjitet dhe me saktësi shkencore.
Një arsim në gjuhën shqipe që nuk pasqyron historinë shqiptare në mënyrë të denjë mbetet i paplotë. Prandaj, kritika e Dr Dom Nikë Ukgjinajt dhe e shumë intelektualëve të tjerë në ato anë, nuk duhet parë si sulm politik kundër askujt, por të shikohet si një thirrje ndërgjegjsimi qytetar. Sepse është thënë shpesh se një shtet demokratik nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, me institucione funksionale apo me ritmin e nevojshëm të integrimit evropian. Sepse, demokracia në një vend duhet të matet edhe me mënyrën se si një shtet që pretendon të jetë “demokratik”, u garanton komuniteteve të veta të drejtën për të njohur historinë, gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar, sipas standardeve ndërkombëtare. Në këtë aspekt, ekspertë dhe studiues, që i ndjekin këto punë nga afër në terren, shteti dhe qeveria e Malit të Zi ende nuk e ka përfunduar provimin. Sepse, shqiptarët janë dhe njihen si popull autokton në Mal të Zi. Si të tillë, ata kanë dhënë një kontribut të çmuar në historinë, kulturën dhe jetën politike të atij vendi dhe rajonit. Megjithëkëtë, fëmijët shqiptarë që ndjekin mësimin në gjuhën amtare në shkollat e vendit, vazhdojnë të mos kenë një pasqyrim të plotë, të balancuar dhe dinjitoz të historisë së kombit të tyre në programet zyrtare të historisë së vendit të tyre. Kjo situatë, për shqiptarët, nuk është një çështje e një rëndësie dytësore. Por shikohet, në qarqet e informuara mirë, si një mangësi serioze që prek vetë themelin e identitetit kombëtar dhe të vetëdijes historike të brezave të rinj të shqiptarëve në atë vend.
Natyrisht, se historia për njerzit dhet shtetet serioze nuk është propagandë dhe nuk duhet të jetë kurrë e tillë. Por po aq i papranueshëm është fakti, që debatohet sot, kur historia e një populli, siç janë shqiptarët në Mal të Zi, reduktohet në disa faqe të librave të historisë ose të trajtohet si një shtojcë fakultative. Një arsim i mirë nuk ndërtohet mbi harresën e askujt historike. Arsimi i mirëfilltë ndërtohet mbi njohjen dhe respektimin e historisë së të gjithë qytetarëve, pa dallim, të një shteti. Prandaj, në këtë debat që zhvillohet në atë vend, nuk mund të shmanget as roli dhe as përgjegjësia e klasës politike shqiptare në Mal të Zi. Ndërkohë që historia kombëtare shqiptare nuk është shndërruar kurrë në një prioritet të panegociueshëm nga politika shqiptare vendase, shpeshherë, energjitë politike të partive shqiptare janë përqendruar, kryesisht dhe historikisht, te ndarja e posteve dhe tek interesat afatshkurtra politiko-ekonomike, ndërsa arsimi i brezave – investimi më i rëndësishëm për të ardhmen e brezave të shqiptarëve – ka mbetur në hije.
Por, në këtë mes, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës shqiptare, siç thashë më lartë. Janë edhe institucionet zyrtare arsimore të shtetit të Malit të Zi, ato që duhet ta kuptojnë, seriozisht, se respektimi i identitetit kombëtar të pakicave nuk përfundon, thjesht, me lejimin e mësimit në gjuhën amtare. Por, ai duhet të përfshij edhe të drejtën e shqiptarëve në Mal të Zi, për një arsim përtej gjuhës amtare një arsim serioz që pasqyron drejt edhe historinë, kulturën dhe trashëgiminë e tyre kombëtare. Kjo, në të vërtetë, nuk është një kërkesë e veçantë e shqiptarëve sot në Mal të Zi ose diku tjetër. Në botën e sotëme, ky është një standard i panegociueshëm i demokracive evropiane, pjesë e të cilave pretendon të jetë edhe Mali i Zi, ndërsa mbetet edhe një kusht i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie të barabartë anë e mbanë në kontinentit evropian. Kjo kërkesë, është në përputhje të plotë me standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës.
Por, përveç përgjegjsisë dhe rolit të klasës politike shqiptare në Mal të Zi, që theksova më lartë, aq i rëndësishëm është edhe roli dhe përgjegjësia e elitës intelektuale shqiptare në Mal të Zi, në mbështetje të realizimit të kësaj nisme. Historianët, studiuesit, akademikët, mësuesit dhe organizatat kulturore shqiptare duhet të flasin me një zë në lidhje me këtë çeshtje me rëndësi. Ata duhet të kontribojnë me argumente shkencore, me projekte konkrete dhe me bashkëpunim institucional për hartimin e programeve dhe teksteve që shkencërisht, pasqyrojnë me objektivitet historinë shqiptare të atyre trojeve, ndër shekuj. Kjo pra nuk është vetëm një betejë e partive politike, por është një detyrë mbarë-kombëtare. Historia e vërtetë, nuk mund të mbrohet vetëm me akademi përkujtimore, me deklarata patriotike apo me fjalime në përvjetorë të caktuar historikë. Ajo duhet të mbrohet në klasë. Në bankat e shkollës, aty ku formohet mendja dhe ndërgjegjja kombëtare e një brezi të ri. Nëse një fëmijë shqiptar në Mal të Zi ose kudo tjetër, përfundon arsimin pa njohur rrugëtimin historik të popullit të vet në ato troje, pa njohur figurat që ndërtuan identitetin kombëtar atje, dhe pa kuptuar kontributin e shqiptarëve në historinë e Malit të Zi dhe të Ballkanit, atëherë gjithë faktorët në këtë fushë kanë dështuar, të gjithë: shteti zyrtar, partitë politike shqiptare zyrtare, intelektualët, historianët, studiuesit shqiptarë dhe shoqëria, në përgjithsi.
Prandaj, ka ardhur koha që në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme të mësimit të historisë së shqiptarëve në Mal të Zi të dëgjohen zërat e informuar mirë dhe zërat e respektuar të arsyes dhe të dijes siç është Dr Dom Nikë Ukgjinaj e të tjerë studiues e historian shqiptarë të atyre anëve. Ka ardhur koha për një marrëveshje të re morale dhe institucionale, sidomos, në radhët e faktorit shqiptarë në Mal të Zi në lidhje me këtë çeshtje. Se arsimi në gjuhën shqipe nuk duhet të kufizohet vetëm te përdorimi i gjuhës shqipe. Por që arsimi i brezave të rinj të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të përfshij, patjetër, edhe të drejtën për të mësuar historinë kombëtare të shqiptarëve, në mënyrë të plotë, të balancuar dhe shkencore. Një gjë e tillë, nuk nuk cenon as nuk kërcënon askënd. Përkundrazi, një trajtim i tillë i historisë së shqiptarëve në ato troje shekullore do forconte besimin ndërmjet komuniteteve etnike dhe e bën Malin e Zi një shtet më demokratik dhe më evropian në sytë e Evropës dhe botës, por çka është edhe më e rëndësishme në sytë e vet shqiptarëve autoktonë të atyre trojeve shekullore. Sepse historia nuk është privilegj as nuk është koncesion politik për askënd. Nuk është as favor që i bëhet një komuniteti të caktuar, siç janë shqiptarët. Historia është e drejtë e një populli! Historia nuk është privilegj që jepet ose merret sipas vullnetit të pushtetit. Ajo është një e drejtë legjitime e çdo populli dhe një pjesë e pandashme e identitetit të tij kombëtar, bazuar në marrveshje ndërkombëtare, përfshir Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut të vitit 1948. Prandaj, një shtet që synon të ndërtojë një të ardhme të përbashkët nuk duhet të ketë frikë nga e vërteta historike e asnjërit prej grupeve të qytetarëve të vet.
Por sa u përket shqiptarëve në Mal të Zi, në fund të fundit, një komb nuk humbet kur harron datat e historisë. Ai fillon të humbasë, keqas dhe përgjithmonë, kur harron se kush është. Pikërisht, për këtë arsye, historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi nuk është një debat i së kaluarës. Por duhet të jetë një investim serioz kombëtar dhe në bashkpunim, për të ardhmen e një shoqërie demokratike, ku çdo fëmijë, pa dallim etnie, ka të drejtë të njohë rrënjët e veta dhe të ecë drejt së ardhmes me dinjitet, vetëbesim dhe respekt për të tjerët. Për ndryshe, të mohosh historinë e një populli do të thotë t’i mohosh identitetin dhe dinjitetin e tij kombëtar.
Dr Dom Nikë Ukgjini, meshtar katolik me formim të thelluar në historinë kombëtare
Christian Skaug / Document.no
Zjarri me një model xhamie e Moygashel në Irlandën e Veriut u ndez rreth orës 23:30 të mërkurën mbrëma më herët se sa ishte planifikuar. Qëllimi ishte të vinte policia, e cila do të hiqte modelin e xhamisë.
Një burrë 56 vjeçar është akuzuar për krim urrejtjeje pasi ka vendosur simbolin mbi zjarri, raporton Belfast Telegraph.
Njerëzit në vendmbajtje organizuan një demonstratë rreth orës 22:00 dhe vendosën të ndezin zjarrin kur mësuan se punëtorët po vinin atje.
Kur policia mbërriti pak më vonë, u përball me kundërshti të fortë dhe iu kërkua të largoheshin nga vendi.
Në një intervistë për Belfast Telegraph, një burim lojalist deklaroi: “Çdo përpjekje për të ndërhyrë kundër zjarrit në Moygashel do të çojë në masë të madhe lojalistësh që do të shkojnë në zonë dhe do të krijojnë një situatë të ngatërruar”.
Inspektori i policisë Norman Haslett deklaron:
«Krimi i urrejtjes nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe nuk do të tolerohet. Prandaj, ne mbrëmë nisëm një operacion proaktiv policor për të ndërhyrë dhe për të hequr shprehjen e urrejtjes nga Moygashel Bonfire.»
«Para se policia të arrinte, zjarri u ndez një ditë më herët për të parandaluar që materiali kriminal të hiqej. Kur ka prova se është kryer një krim, ne do të marrim masa të rrepta.»
Personi i akuzuar, 56 vjeç, do të përballet sot në Gjykatën e Magjistraturave të Dungannonit.
Zjarri në Moygashel kishte marrë vëmendje të konsiderueshme më përpara, jo më pak sepse aktivistja e njohur, shkrimtarja dhe personazhi i mediave Katie Hopkins e kishte promovuar.
Dy tabela të vendosura në zjarr, njoftonin respektivisht «Siguroni kufijtë tanë» dhe «Ndalo kërcënimin nga islami radikal». Belfast Telegraph i përshkruan këto si «raciste» – dhe Hopkins si «e djathta ekstreme».