Kreu Blog Faqe 975

Perëndimi, si duket, prap po mendon se tue na fliju ne, shqiptarët, ka me shpëtu veten

0

Foto: Prekaz, mars 1998, (ekipi i xhirimit i Vaughan Smithit).

Agim Morina, Londër

____

DÉJÀ VU SHQIPTARE
____
«Një padrejtësi kudo qoftë është kërcënim për drejtësinë gjithkund.»
Martin Luther Kingu
Dmth., tue provu me i ra shkurt:
– bahesh anëtar i një partie klerofashiste dhe propagandon urrejtje dhe racizëm të pashembullt nëpër gjithë Jugosllavinë,
– bahesh përkrahës i agresionit kundër katër kombeve: sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve,
– bahesh krahu i djathtë i kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosevicit,
– mbas katër luftave, masakrave dhe gjenocideve, mohon krimet dhe gjenocidet serbe, nuk i arreston vrasësit dhe kriminelët (sepse vetë je kriminel), nuk i kthen eshnat e shqiptarëve të masakruem, të varrosun e të zhvarrosun, të djegun e të zhdukun nëpër tokën e mallkueme të Serbisë,
– deklaron publikisht që territoret e banueme me serbë në Kroaci janë Serbi,
– deklaron publikisht se për një serb të vramë do të vrasësh 100 boshnjakë,
– vret, djeg, dëbon e shkatërron popuj të tanë, e ndër ta edhe shqiptarët,
– provon me përmbysë qeveri legjitime në Mal të Zi, Maqedoni e Kosovë,
– kryen gjenocid, e merr gjysmën e territorit të BeH-së, nxit serbët në BeH me bojkotu çdo kërkesë të Perëndimit tue kërcënu se ke me arrestu edhe Përfaqësuesin e Naltë të BeH-së dhe se ke me u bashku me Serbi,
– bashkëpunon ngushtë me Rusinë e Putinit, shpërfill kërkesat e Perëndimit për sankcione ndaj Rusisë, lejon punën e propagandës ruse, ndërton baza ruse në Serbi,
– shkakton trazina në veri të Kosovës, sulmon ushtarët e KFOR-it dhe i len pa kambë, kërcënon Kosovën me luftë,
– vret serbët e padëgjueshëm në Kosovë,
– i shtyp pakicat kombëtare në Serbi dhe ua mohon të drejtat që i kërkon për pakicën serbe kudo…
Pra, bahesh Aleksandar Vučići. Dhe Perëndimi të përkulet.
Kjo do të thotë se sa ma klerofashist, sa ma racist, sa ma kriminel, sa ma gjakpimës, sa ma jobashkëpunues, aq ma mirë për klerofashizmin dhe aq ma keq për viktimën. Kjo asht fytyra e vërtetë e Perëndimit të qytetnuem dhe, natyrisht, të frikësuem.
Na këtë e kemi provu në kohën e Lidhjes së Prizrenit me 1878, masandej me 1913, me 1945. Janë déjà vu për ne. Jemi të lagun prej padrejtësish dhe nuk kemi gajle për shi. Kur klasa politike në Perëndim e humb lidhjen me realitetin dhe i lëshon pe kriminelit, – si dikur Hitlerit që pushtoi Çekosllovakinë, – dhe e shpërfill apo e dënon viktimën, e ardhmja asht e zezë.
Por, historia na ka mësu këtë gja: padrejtësitë kundër shqiptarëve kanë qenë paralajmërime për Perëndimin, që flakët tona kanë me vazhdu edhe drejt tyne dhe kanë me qenë edhe ma të mëdha, edhe ma të pashmangshme. Kur politikanët perëndimorë flijuen Shqipninë, me 1913, provuen kështu me ndalë një luftë botnore. Provuen me shpëtu e mos me u djegë vetë. Sipas tyne, le të digjeshin shqiptarët e le të copëtohej Shqipnia. Por, nuk u pati mbushë as një vit dhe vetë Europës i pati dalë flaka e meritueme e Luftës së Parë Botnore. E provuen ata çka do të thotë me qenë viktimë, pra, çka do të thotë me qenë shqiptar.
Me 1937, kur Italia pushtoi Shqipninë, Perëndimi nuk u shqetësu. Po të ndalej fashizmi vetëm në Shqipni, ata do t’i mbyllnin sytë dhe ne edhe sot do të kishim qenë nën pushtimin italian. Por, për fat të mirë, – në këto fatkeqësi – e keqja, krimi, nuk ndalet dhe Europën e përfshiu flaka e meritueme e Luftës së Dytë Botnore. E provuen prap se ç’do të thotë me qenë viktimë, pra, ç’do të thotë me qenë shqiptar.
Qysh na mëson historia, fatkeqësitë tona shqiptare janë vetëm paralajmërim i asaj se çka po e pret Perëndimin. E Perëndimi, si duket, nuk ka mësu kurrgja dhe prap po mendon se tue na fliju ne, shqiptarët, ka me shpëtu veten. Por, për fat të mirë, kështu nuk ka ndodhë përgjatë historisë. E shpresoj dhe jam i bindun se nuk ka me ndodhë as kësaj here. Kriminelit tue ngranë i shtohet oreksi. Kështu që perëndimorët, me sa po duket, kanë me provu prap se ç’do të thotë me qenë shqiptar, pra, ç’do të thotë me qenë viktimë e padrejtësisë.

Derek Chollet jep detaje nga biseda e përbashkët me Vjosa Osmanin

0

Nënsekretari i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së, Derek Chollet ka njoftuar për takimin që pati me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në New York.

Në një postin të tij në X, Chollet ka dhënë detaje të shkurtra se për çka foli me Osmanin.

“Diskutim i mirë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në Dialogun e Lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe integrimit në BE”, ka shkruar ai.

Kurse dje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të saj në New York është takuar me nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Osmani tregoi se temë diskutimi ka qenë edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar ky proces.

Ajo po ashtu ka shkruar në “X” për rëndësinë e qasjes parimore ndaj zbaitmit të marrëveshjeve.

”Me Chollet dhe Escobar diskutuam zhvillimet në dialog. Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”, shkroi shefja e shtetit.

“Supermani” i bashkësisë së vogël shqiptare!

0

Florim Zeqa

Dialogu i Brukselit i filluar si “teknik”, brenda pak muajsh ishte kthyer në dialog politik për pakicën serbe në Kosovë i cili po vazhdon edhe në ditët e sotme. Procesi i gjatë negociatorë në dialogun e Brukselit është kthyer në gogol për politikanët dhe një enigmë e madhe për Kosovën e lirë, të pavarur dhe njohur ndërkombëtarisht. 

Asociacioni gogol i të gjitha qeverive 

Në kushtin e dialogut (Asociacionit) një nga një ranë të gjitha qeveritë e Kosovës. Vetëm dy vite pas fillimit të dialogut i pari që ra në këtë kusht ishte ai që e nisi, ish kryeministri Hashim Thaçi, i cili më 19 Prill të të vitit 2013 e nënshkrojë marrëveshjen e parë kornizë për Asociacionin e Komunave Serbe në veri (AKS). Kurse dy javë më pas, ra edhe kryeministri i radhës Isa Mustafa, i cili më 25 Gusht 2015 e nësnhkrojë marrëveshjen e plotë për Asociacionin, i cili edhe pse ra ndesh me 23 Nene të Kushtetutës, nuk u ndëshkua nga drejtësia vendore për veprimtari antishtetërore!

Kësisoji, në një mënyrë apo tjetër të gjithë kryeministrat hynë në vallen e dialogut me përjashtim të kryeministrit Haradinaj, i cili ia kishte lënë në dorë presidentit Thaçi procesin e këtij dialogu.

Megjithatë, pasojat e nënshkrimeve të 2013-s dhe 2015-s mbeten “patate e nxehtë” në duart e të gjithë kryeministrave pasues, të cilët assesi nuk po mund të lirohen nga barra e përgjegjësisë që i ngarkuan pararendësit e tyre!

Edhe përkundër ndryshimit rrënjësorë në qeverisjen e vendit, kushti për Kosovën mbeti i pandryshuar, si obligim ndërkombëtar për ‘Qeverinë e Albin Kurtit’! Obligimi bëhet akoma më i papërballueshëm për faktin se, marrëveshja e 19 Prillit 2013 është ratifikuar edhe në Parlamentin e Kosovës me votat e shumicës së deputetëve shqiptarë, serbë dhe të tjerë në Kuvend!

Edhe përkundër faktit se Albin Kurti po mundohet t’i rezistojë përmbajtjes së marrëveshjes bazike për Asociacionin, e ka të kotë parandalimin e themelimit dhe ikjen nga obligimet ndërkombëtare.

Kurti e di mirë faktin se nuk mund ta parandalojë themelimin e Asociacionit, prandaj po e bën luftën me lojë fjalësh ndaj gjithë bashkësisë ndërkombëtare duke u sjellur si ‘Superman’ i bashkësisë së vogël shqiptare.

I tillë duket në veprimet e tij, anipse ai e di që nuk mund t’i ikën këtij obligimi ndërkombëtar për të cilën është pajtuar me Vuqiqin në Bruksel dhe Ohër!

Pajtimi i tij për të nënshkruar kompromisin për Asociacionin me dizajn dhe emertim të ri, është rrëshqitje në “Dorën e Vuqiqit”.

Me lojë fjalësh drejt themelimit të Asociacionit

Pajtimi i kryeministrit Kurti që të formohet Asociacioni i Komunave Serbe (njëetnike) me terminologji të re përmes të ashtuquajturit Instrument i Vet-Menaxhimit për Serbët e Kosovës (IVMSK) janë e njëjta gjë, por me paketim të ri politik, ngjashëm sikur ‘plazma’ keksat e Serbisë të ripaketuar në Kosovë! Pasi të njëjtat kompetenca ekzekutive që i ka AKS do t’i ketë edhe IVMSK-ja e Kurtit.

Sadoqë po përpiqet ta aktërojë patriotin pas takimeve me Vuqiqin, edhe Albin Kurti me IVMSK-në ka rënë në nivelin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës

Siq e dimë të gjithë, para ardhjes në qeverisjen e vendit, kushti i Albin Kurtit për dialog me Vuqiqin ishte njohja paraprake nga Serbia, mirëpo që në fillim i hasi “sharra në gozhdë”, kur qeveria amerikane i sugjeroj për marrëveshje pa njohje reciproke.

Kjo i bie që, fillimisht Kurti të pranojë themelimin e Asociacionit për deeskalim të plotë të veriut, pastaj të vazhdojnë negociatat për marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke me Serbinë, e cila nuk pritet të ndodhë edhe për 100 vjetët e ardhshme.

Ky është kushti dhe realiteti më i hidhur për shqiptarët e Kosovës, të cilët ose duhet të pranojnë themelimin e Asociacionit ose veriu i vendit do të shndërrohet në gengrenë për shtetin e Kosovës i cili paguan qindramiliona euro për çdo vit për serbët lokalë, të cilët që 24 vite jetojnë në luksin përrallor duke i shfrytëzuar resurset energjetike dhe ujore të Kosovës pa e paguar asnjë cent, e të mos flasim për obligimet tatimore ndaj shtetit të Kosovës të cilat as nuk diskutohen në ndonjë forum politik.

Në këto rrethana duhet të zgjedhim mes “Status Quos” dhe ecjes përpara, mes mbrojtjes së integritetit personal të një kryeministri kryeneq apo të mbajtjes afër të miqve që na ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit, si kusht i vetëm për ekzistencën e Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Në të kundërtën, paligjshmëria në veri dhe zbrazja nga shqiptarët në brendi do ta rrezikojnë të ardhmen e shtetit.

Në Gjakovë promovohet “Tokat e lirueme 1939-1946” e Romeo Gurakuqit

1
Jususf Buxhovi, Prishtinë
____
Promovimi mbahet këtë të premte, në orën 12, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova”.
Reth veprës flet historiani Jusuf Buxhovi, recensent i librit, i cili veprën “Tokat e lirueme 1939-1946” të Gurakuqit e vlerëson studim tejet të rëndësishëm që merret me ndriçimin e kthesave historike nëpër të cilat kaloi bota shqiptare në vitet 1939-1946, kur lufta antifashiste përmbysi shumë nga realitetet paraprake dhe solli të rejat, siç ishte fitorja e komunistëve, që ndikuan rrethanat politike dhe shtetetërore të botës shqiptare. Gurakuqi, këto zhvillime i trajton jashtë koncepteve të njohura ideologjike, me ç’rast fitorën e komunistëve në Shqipëri dhe Jugosllavi e paraqet si një faktor të instalimit të diktaturës së njohur komuniste, që ushtroi terror ndaj kundështarëve politik. Me këtë rast, bashkëpunimi i udhëheqjeve komuniste shqiptare me atë jugosllave si dhe bashkëveprimi i tyre në shuarjen e rezistencës kombëtare në Kosovë në dimrin dhe praverën e vitit 1945, paraqitet si një ripushtim sllavo-komunist i Kosovës me pasoja tragjike, ne mbi 50 mijë viktima.
Në promovim pritet edhe prononcimi i autorit rreth veprës.

Gjenerali që ia hoqi petën lakrorit rus 

0

Ushtarët e paidentifikuar pro-rusë të pozicionuar pranë qytetit Nikolayeva në rajonin e Donetskut. Foto: Aleksandër Ermoçenko, REUTERS/NTB

Eshref Ymeri 

Para disa ditësh, në Portalin “Fjala e Lirë”, lexova një analizë mjaft interesante të gjeneralit Piro Ahmetaj. Analiza titullohej “6 betejat e humbura dhe fundi turpërues i luftës së Rusisë – Putiniste”.  

Në atë analizë, gjenerali erudit në fushën e artit ushtarak, ka folur me gjuhën e fakteve. Të lënë përshtypje të thella rreshtat në vijim: 

“… pas 18 muajsh do duhet risjellë në vetëdijen publike, se udhëheqës të deformuar nga paranojat e (mbi) pushtetit dhe nostalgjikë të “lavdisë së ushtrisë së kuqe” në Kremlin dhe jo vetëm; politikanë të korruptuar dhe kamikazë anti-perëndimorë, si dhe sekserë të interesave të oligarkisë (përfshi në Shqipëri), e mbivlerësuan fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale…”. 

Ajo “peshorja tradicionale” e ka pasur dhe e ka  “selinë” para Kremlinit, në Sheshin e Kuq, ku çdo 9 maj transmetohen me bujë të madhe paradat ushtarake të ushtrisë ruse, me të cilat, në vetëdijen e naivëve perëndimorë dhe të rusomanëve të tjerë të Evropës, pa përjashtuar rusomanët shqiptarë, banda oligarkike e Kremlinit, me neofashistin Putin në krye, është munduar dhe mundohet të krijojë bindjen e patundur për “madhështinë” e forcave të armatosura ruse, si ushtria me armatimin  “më modern” në botë. Këta naivë perëndimorë dhe rusomanë me gjykim të cekët, nuk kanë qenë në gjendje ta kuptojnë që paradat ushtarake “madhështore” në Sheshin e Kuq, kanë pasë shërbyer gjithmonë vetëm si fasadë për mashtrimin e opinionit publik  ndërkombëtar. 

Zhvillimi i ngjarjeve në Ukrainë pas sulmit të ushtrisë fashiste ruse dhe analiza mjaft e argumentuar e gjeneralit Piro Ahmetaj, të bëjnë të kthehesh shumë prapa në kohë dhe të kujtosh historianin dhe diplomatin francez Lui Filip de Segyr (Louis Philippe, comte de Ségur – 1753-1830). Në vitet 1784-1789 ai ka pasë qenë ambsador i Francës pranë oborrit të perandoreshës ruse Ekaterina II (1729-1796) dhe në kujtimet e veta ka lënë këtë shënim: 

“Rusia është një kolos me këmbë argjile”. 

Një kolonel rus, anëtar i shoqatës ruse të historianëve të luftës së dytë botërore, ka deklaruar.  

“Më 22 qershor 1941, pra, brenda një dite, Ushtria e Kuqe humbi 1200 aeroplanë”. (Citohet sipas: Juri Rubcov. “Janë zbuluar dokumente të tmerrshme, të mbajtura sekrete, për humbjet e vitit 1941”. Faqja e internetit “Svobodnaja pressa”. 08 shtator 2023). 

Shkrimtari Sergej Bajmuhametov (1950) ka bërë publike një dukuri thellësisht domethënëse që është vënë re në Rusi pas ardhjes në pushtet të neofashistit Vladimir Putin. Sulmi i ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe zhvillimi i ngjarjeve pas kësaj date, ka dëshmuar më së miri se në Rusi është vendosur neofashizmi. Ai shkruan: 

“Në dritën e korrigjimeve të reja në legjislacion, të cilat janë të shumta, tani a ka rrezik të dënohesh me burg nëse citon gazetat sovjetike të vitit 1939? Të gazetave të tilla, në të cilat qenë botuar telegramet që shkëmbenin Hitleri, Stalini dhe Ribentropi, si, fjala vjen: 

“Miqësia e popujve të Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik, e lidhur me gjak, i ka të gjitha argumentet të jetë afatgjatë dhe e fortë (gazetat “Pravda” dhe “Izvjestija”, 25 dhjetor 1939). Ose të gazetave të tilla, në të cilat botohej fjalimi i kreut të qeverisë sovjetike, Molotovit, në sesionin e sovjetit suprem të Bashkimit Sovjetik”. (Citohet sipas: Sergej Bajmuhametov. “Paradokset e historisë: në Rusi u ngrejnë shtatore përkrahësve të Hitlerit”. Faqja e internetit “Novije Izvjestija”. 13 maj 2021). 

Në atë fjalim, Molotovi, si një komunist-fashist i rangut të lartë, shfreu tërë urrejtjen e vet kundër një vendi fqinj, të cilin, Bashkimi Sovjetik, në bashkëpunim të ngushtë me Hitlerin, kërkonte ta zhdukte krejtësisht nga harta e Evropës. Prandaj ai pati deklaruar: 

“Rezultoi e mjaftueshme një goditje e shkurtër kundër Polonisë, fillimisht nga ana e ushtrisë gjermane, mandej nga ana e ushtrisë së kuqe, në mënyrë që të shfarosej kjo pjellë e shëmtuar e traktatit të Versajës”  (po aty). 

Pra, politika ruse, që nga koha e carizmit, periudha e diktaturës komuniste, deri te neofashizmi i bandës së Kremlinit të ditëve tona, ka në themel egërsinë shoviniste për pushtime territoresh të huaja. Por historia e ka vërtetuar me fakte se të gjitha sulmet agresive që Rusia ka pasë ndërmarrë për pushtime të tilla, të gjitha janë regjistruar si dështime, si faqe të turpshme në historinë e saj dhe në atë botërore. Le të kujtojmë për një çast sulmin e ushtrisë së kuqe kundër Finlandës më 30 nëntor 1939. Asokohe Finlanda kishte 3,5 milionë banorë, kurse Bashkimi Sovjetik – 197 milionë Në një burim të internetit thuhet: 

“Më 30 nëntor 1939, Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën, me synimin  për ta shtyrë kufirin nga Leningradi dhe për të krijuar një qeveri-marionetë prosovjetike.  Komandantët ushtarakë patën planifikuar ta përfundonin luftën brenda 20 ditëve dhe të zhvillonin një paradë në Helsinki, për t’i bërë një dhuratë Stalinit me rastin e ditëlindjes së tij më 21 dhjetor. Por fushata ushtarake në Finlandë përfundoi me turp për ushtrinë e kuqe” (Citohet sipas: Gjergj Erman. “Lufta dimërore: si e ndaloi Finlanda sulmin e Bashkimit Sovjetik, në të cilin u vranë mijëra ukrainas”. Faqja e internetit “BBC News Ukraina”. 02 dhjetor 2019). 

Agresioni fashist kundër Finlandës, për tre muaj e gjysmë (30 nëntor 1939-12 mars 1940), Bashkimit Sovjetik i kushtoi 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të sakatuar, të zhdukur pa lënë gjurmë dhe të vdekur nga të ftohtit. 

Bashkimi Sovjetik po me turp e mbylli edhe fushatën agresive kundër Afganistanit, në të cilën u vranë 30 mijë ushtarë dhe oficerë dhe 60 mijë mbetën  të sakatuar. 

Për këto agresione kundër vendeve fqinje, me dështime të turpshme, fajin kryesor, para së gjithash, e ka vetë popullit rus, i cili, tradicionalisht, ushqen respekt për diktatorët gjakatarë. Prandaj shkrimtari, publicisti dhe mendimtari rus, Ivan Shmelov (1873-1950), thotë: 

“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë…”. 

Duke pasur parasysh një të tillë formim psikologjik të popullit rus, jo rastësisht, më14 tetor 2016, në qytetin  e Orllovit të qarkut të Kirovit, për herë të parë në historinë e Rusisë, u inagurua shtatorja e diktatorit gjakatar, carit Ivani i Tmerrshëm. Profesori i Universitetit të Orllovit, Juri Malutin, ngriti padi kundër Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Por dardha e ka bishtin prapa. Në qytetin Velikie Lluki të qarkut të Pskovit, më 15 gusht 2023, u inagurua shtatorja e Stalinit me një lartësi prej 8 metrash. Me sa duket “epidemia” e ngritjes së shtatoreve të diktatorëve do të vazhdojë të përhapet në mbarë Rusinë.  

Pra, dashuria e popullit rus për diktatorët është tradicionale, sepse, sipas formimit të tij psikologjik, gjatë sundimit të tyre ka dalë shumë në pah “madhështia” e Rusisë. Kjo “madhështi” ka rënë tepër në sy gjatë sundimit të Stalinit, sidomos pas sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik më 22 qershor 1941. Por disfatat e ushtrisë së kuqe në vitin 1941, propaganda sovjetike i pati kaluar në heshtje, duke parapëlqyer mistifikimet heroike për ato  ngjarje, mistifikime që kanë vazhduar dhe vazhdojnë edhe tani në Rusinë putiniste. 

Historiani rus dhe gjerman, Aleksandër Gogun, i Universitetit të Berlinit me frekuentim të lirë, është autor i librit me titull “Gabimi i vitit 1941”. Ai shkruan: 

“Statistika e thjeshtë dëshmon se Ushtria e Kuqe, në vitin 1941, nuk u shfaros në luftë, ajo pranoi të binte rob e vermahtit. Numri i ushtarëve të rënë rob kapte shifrën afërsisht prej 3,5 milionë, ndërkohë që ushtria efektive në qershorin e atij viti arrinte në 5,5 milionë ushtarë dhe oficerë, ¾ e të cilëve ishin përqendruar në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik. Pa prekur karakteristikat konkrete të luftimit,.. lidhur me armatën e blinduar staliniane në gjysmën e dytë të vitit 1941, po japim një përshkrim të qartë, deri në notat e groteskut, të atyre ngjarjeve, përshkrim që e ka përcjellë një dëshmitar i drejtpërdrejtë – Taras Boroveci, komandant i një çete partizane antisovjetike: 

“Që nga deti Balltik deri në detin e Zi, po shpaloset një pamje e paparë në historinë e njerëzimit… Divizione, korpuse, ushtri, fronte të tëra tërhiqen me duart lart””. (Citohet sipas: Aleksandër Gogun. “Arsyet e disfatave të ushtrisë së kuqe në vitin 1941. Faqja e internetit “cripo.com.ua”. 06 korrik 2021). 

Po si shpjegohet që ¾ e ushtrisë efektive të Bashkimit Sovjetik, siç thekson historiani Aleksandër Gogun, ishin përqendruar në kufijtë e tij perëndimor? 

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop më 23 gusht 1939. Ky pakt fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte nën këmbë demokracitë evropianoperëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e ushtrisë së kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Për vërtetësinë e faktit që Bashkimi Sovjetik do ta sulmonte Gjermaninë, që pastaj të pushtonte krej Evropën Perëndimore, dëshmohet edhe në dy burimet në vijim: 

  1. “… në planin operativ të ushtrisë së kuqe është një shënim i zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm,  gjeneralit Nikollaj Vatutin (1901-1944): “sulmi të fillojë më 12 qershor”. Faktikisht, nuk arritën t’i grumbullojnë trupat, t’i përqendrojnë forcat dhe prandaj datën e shtynë për një afat paksa më vonë”” (Citohet sipas: Aleksandër Gogun. “Arsyet e disfatave të ushtrisë së kuqe në vitin 1941. Faqja e internetit “cripo.com.ua”. 06 korrik 2021).
  2. “Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik – E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Citohet sipas: Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).

Gazetarja e njohur ruse, Julia Llatëjnina (1966), është ndalur në atë disfatë të turpshme që pësoi ushtria e kuqe më 22 qershor 1941. Ajo shkruan: 

“Më 22 qershor populli rus u shndërrua në kope frikacakësh… Si ta shpjegojmë atë lemeri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke pasur epërsi mbi gjermanët edhe në armatim, edhe në numër, edhe në cilësi, pati braktisur armatimin dhe u hodh në anën e gjermanëve?” (Citohet sipas: Julia Llatëjnina. “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe rusët”. Faqja e internetit “Livejournal”. 04 mars 2023). 

Pa përmendur miliona jetë civilësh që ranë viktima nga radhët e popullit sovjetik gjatë asaj lufte 4-vjeçare, po ndalemi vetëm në numrin e ushtarakëve të vrarë. Në burimin e mëposhtëm thuhet:  

“Pas atij sulmi, humbën jetën… tetë milionë ushtarakë, nga të cilët rreth katër milionë e gjysmë patën vdekur në kampet e përqendrimit për robërit ushtarakë”  Citohet sipas: “Vojennoje obozrenjije”. Faqja e internetit “topwar.ru”. 25 qershor 2010). 

Vetvetiu vjen përfundimi se historiani dhe diplomati francez Lui Filip de Segyr, ka pasur shumë të drejtë me shënimin që ka pasë lënë më shumë se dy shekuj më parë për Rusinë, si një kolos me këmbë argjile. Ndryshe s’ka se si shpjegohet që ushtria e kuqe, e armatosur deri në dhëmbë, siç vë në dukje historiani Aleksandër Gogun, pas 22 qershorit 1941, për pesë muaj rresht, vazhdoi tërheqjen e turpshme me humbje të rënda përgjatë pothuajse 1100 km, deri në rrethinat e Moskës. Dhe vetëm më 5 dhjetor ajo u hodh në mëymje kundër trupave gjermane. Po pse pikërisht më 5 dhjetor? Sepse aty i erdhi  një “ndihmë e pallogaritshme nga strategu i madh ushtarak”, me emrin “Dimri rus”. Sigurisht që ushtria e kuqe do ta fitonte atë luftë, se mbronte vendin e vet, sepse dihet që luftërat pushtuese gjithmonë përfundojnë me disfata. Por ushtria e kuqe, fitoreve të merituara që korri deri në Berlin mbi ushtrinë naziste, u vuri vulën e turpit me përdhunimin e 2 milionë vajzave dhe grave gjermane, nga mosha 8 deri në 80 vjeçe, një turp ky i pashlyeshëm kurrë ndonjëherë në historinë e mbarë njerëzimit. Me sa duket, sipas gjeneralëve dhe komandantëve të Ushtrisë së Kuqe, të të gjitha niveleve, “fajtore” për sulmin e 22 qershorit paskëshin  qenë vajzat dhe gratë gjermane! Dhe kundër tyre “duhej kryer” hakmarrja në mënyrën më të  poshtër, më shtazërore. 

Analiza fort e argumentuar e gjeneralit Piro Ahmetaj, shërben si një leksion tepër domethënës për nostalgjikët rusë në Shqipëri, të cilët patën menduar se trupat fashiste ruse do të priteshin me lule në Kiev, ose Ukraina do të mposhtej brenda 3-4 ditëve. Me këtë analizë, gjenerali i nderuar e ka zveshur lakuriq Rusinë fashiste, ashtu siç e kanë zhveshur deri tani edhe forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat shumë shpejt ia nxorën të brendshmet jashtë bandës kriminale të Kremlinit dhe të oligarkëve të babëzitur rreth saj, që, me grabitjet skandaloze të pasurive të vendit, Rusinë e populluar nga njerëz-skllevër,  e kanë katandisur në një gërmadhinë të kalbur, jo vetëm ekonomikisht, por edhe ushtarakisht. 

Kaliforni, 18 shtator 2023 

Integrimi nordiko-baltik në NATO – model për integrimin e Ballkanit Perendimor

0

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Në korrik, në Vilnius, kryeqendërn e Lituanisë, zhvilloi punimet samiti i katërt që Aleanca ka mbajtur që nga pushtimi rus në shkallë të gjerë Ukrainën në shkurt 2022. Aty u mblodhën krerët e shteteve dhe qeverive të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duke i dhënë frymë të re takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Mbledhja e këtij niveli të lartë u organizua vetëm 20 milje nga kufiri me Bjellorusinë, aleates së vetme të Rusisë, përveç Serbisë, duke dërguar kështu disa sinjale të rëndësishme:

1. Shpërfaqjen e shqetësimeve të NATO-s për rrjedhën e luftës në Ukrainë,

2. Potencimin e unitetit të Aleanëcs për mbështetjen që i jipet Ukrainës në luftën e saj të drejtë dhe

3. Shtrirjen e plotë të NATOS në Baltik, duke përfshirë anëtarësimin e fundit të Finlandës dhe dërguar në histori mitin mbi neutralitetin e saj si rrugë e ndërmjetme në përballjen me Rusinë. Por, java e punës në samit zbuti edhe gjakrat mes Turqisë dhe Suedisë, me çka solli edhe pranimin me kusht të kësaj të fundit, meqë Turqia hoqi kundërshtimet që kishte paraprakisht.

Heqja dorë nga neutraliteti

Anëtarësimi suedez dhe finlandez në NATO ka qenë i shumëpritur, veçanërisht në Baltik, por nuk ka një kurë mrekullie për rreziqet e sigurisë me të cilat përballet Krahu Lindor,[1] shkruan në një opinion të tij të publikuar ndërkohë Otto Tabuns, drejtor e themelues i Fondacionit Baltik të Sigurisë.

Qeveritë e dy vendeve baltike të njohura për qëndrimin e tyre historik për ruajtjen e neutralitetit, me shpërthimin e luftës në Ukrinë duket që kanë lexuar drejt mesazhin e saj edhe për rrezikun që paraqet hegjemonizmi rus për Baltikun. Sidoqoftë, faktorët e jashtëm që ndikojnë negativisht në sigurinë e Balltikut janë evident. Ata, vazhdon tutje Tabuns, në mënyrë të veçantë, përbërja e sfidave të sigurisë bërthamore, konvencionale dhe asimetrike të krijuara nga Rusia, do të mbeten kërcënimet më të rëndësishme për zonën e Baltikut, si dhe për hapësirën më të gjerë transatlantike.[2]

Shih për këtë, Finlanda dhe Suedia heqin dorë nga neutraliteti i tyre dhe aderojnë në NATO. Tek Neni 5 i Traktti ato gjejnë siguri më të madhe. Le të kujtojmë tekstin e këti neni të veçantë të këtij traktati që shërbeu e po shërben si letër lakmuesi për aderim të shteteve në NATO.

“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve; Prandaj, ata bien dakord që në rast të një sulmi të tillë të armatosur, secili prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive të njohur në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, t’i japë ndihmë palës ose palëve të sulmuara nga secila prej tyre merr pa vonesë, vetë dhe në bashkëpunim me palët e tjera, masa të tilla, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, siç e sheh të nevojshme për rivendosjen dhe ruajtjen e sigurisë së zonës së Atlantikut të Veriut.”[3] [Shkëputur nga teksti i plotë i Traktatit të Atlantikut të Veriut i 4 prillit 1949]

Ndryshimi i dinamikës së sigurisë në Europë

Lufta në Ukrainë dhe integrimi i vendeve të Baltikut në NATO nga autorë të ndryshëm shihen si dy çështje të ndryshme, por që ndikojnë ndërkohë në dinamikën e sigurisë në Europë.

Siç dihet, objektivat ruse për pushtimin e Ukrainës kanë filluar me pushtimin e Krimesë në vitin 2014, dhe pas shpërthimit të krizës së Donbasit, ku separatistët prorus dhe forcat ukrainase janë përfshirë në një konflikt të armatosur në rajonin lindor të Ukrainës. Ky konflikt ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe ka prodhuar tensione të mëdha ndërkombëtare.

Sidoqoftë atëbotë Perendimi, sidomos BE-ja, nuk kishte një agjendë të mirëfilltë gjeopolitike për rajonin dhe në heshtje tumiri pushtimin rus të Krimesë.

Vendet e Baltikut – Estonia, Letonia dhe Lituania janë anëtare të NATO-s që nga vitet 2004 dhe janë përfshirë në strukturën e mbrojtjes kolektive të Aleancës. Prania e tyre në NATO është rezultat i kalimit të tyre nga një sistem i mbrojtjes i përdorur nga Bashkimi Sovjetik, tek ombrella e mbrojtjes perëndimore.

Integrimi i vendeve të Baltikut në NATO është ndjekur me vëmendje dhe ka shërbyer si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar mbrojtjen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Qendrore dhe atë të Lindjes. Në këtë kontekst, konflikti në Ukrainë ka rëndësi të veçantë, pasi është shqyrtuar si një shkelje e sovranitetit të një shteti të pavarur europian dhe një sfidë ndaj rendit të paqes në rajon.

NATO ka marrë masa për të ndihmuar Ukrainën në këtë konflikt, përfshirë mbështetjen e reformave të sigurisë, trajnimit të ushtrisë ukrainase dhe sigurimin e asistencës humanitare. Gjithashtu, Alianca ka zbatuar masat e sanksionit kundër Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë.

Ndërkohë, vendet e Baltikut janë angazhuar në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në rajon, duke përfshirë ndarjen e një pjesë të burimeve për mbrojtjen dhe investimet në aftësi të mbrojtjes.

Këto dy çështje tregojnë se si konflikte të tilla, si ky në Ukrainë, ndikojnë në rrjedhën e politikës dhe ndryshimin e dinamikës së sigurisë në rajonin e Europës. Shih për këtë integrimi në NATO shihet si një mjet për të përmbushur objektivat e sigurisë dhe stabilitetit nacional e rajonal.

Lufta në Ukrainë në dritën e kontekstit të sigurisë ndërkombëtare

Lufta në Ukrainë, shtrirja e NATO-s në Baltik dhe pretendimi për përfshirjen e Ballkanit nën ombrellën e sigursë së NATO-s, janë tri çështje të ndryshme në kontekstin e sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, por ato kanë ndikim në dinamikën e rajonit të Europës Lindore dhe të Europës Juglindore.

NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) është një aleancë ushtarake ndërkombëtare e krijuar për të siguruar mbrojtjen kolektive të anëtarëve të saj. Aleancës i janë bashkuar shumë vende, përfshirë shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe të Ballkanit.

NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurinë e Europës Lindore dhe asaj Juglindore, duke ofruar mbështetje dhe siguri për anëtarët e saj në këto rajone. Përfshirja e NATO-s në luftrat që kishte shkaktuar Serbia gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, sidomos në Bosnjë e Kosovë, ishte sinjali më i mirë që i dërgohej Moskës për ndryshimet e pritshme të sferave të interesit gjeopolitik edhe për këtë pjesë të kontinentit të vjetër.

Impenjimi i NATO-s përfshin ndër të tjera edhe ndihmën për vendet në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar kapacitetet e tyre të mbrojtjes dhe të sigurisë. Ballkani është një rajon në Evropën Juglindore që përfshin disa vende, ndër të tjera: Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Ky rajon është përfshirë në ndryshime të ndjeshme pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ka kaluar nëpër procese të ndryshme politike dhe të sigurisë.

Në Ballkanin Perëndimor NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën për të stabilizuar atë dhe për të ndihmuar në procesin e integrimi të vendeve të këtij rajoni në strukturat euroatlantike, përfshirë Aleancën dhe Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht disa vende të Ballkanit Perëndimor janë tashmë anëtare të NATO-s ose janë duke kërkuar anëtarësim, ndërsa procesi i integrimit në NATO është një objektiv i rëndësishëm për vende të tjera në rajon, duke përjashtuar këtu Serbin që ka pozicion tutje pro rus.

Në përgjithësi, konflikti në Ukrainë dhe marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit me NATO-n kanë ndikuar në dinamikën e sigurisë në Europën Lindore dhe Juglindore dhe janë sfida të rëndësishme për politikën ndërkombëtare dhe sigurinë rajonale.

Antarësimi i Kosovës në NATO – nevojë urgjente

Antarësimi i Kosovës në NATO në rrethanat ku ka degraduar dialogu i Kosovës me Serbin dhe kur pozicioni i mefshtë i BE-së edhe në raport me vet Planin Franko-Gjermna të shndërruar në një tip Marrveshjeje Bazë, si po cilësohet nga palët, mbetet garanca vendimtare për paqen në rajon në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ky fakt do të kishte ndikim pozitiv për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe në mënyrë të përgjithshme në rajonin e Europës Juglindore. Por aderimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO, para së gjithash do t’i jipte fund aventurës ruse për hapjen e frontit të dytë të lufëts në Europë dhe me këtë edhe ndikimit të saj në Ballkan. Prandaj këtë hap duhet cilësuar e trajtuar si nevojë urgjente.

Disa arsye për këtë janë:

1. Forca e sigurisë: NATO është një aleancë ushtarake që ka rolin themelor në sigurinë e anëtarëve të saj. Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s, ajo do të ketë mundësinë të përdorë mbështetjen dhe mbrojtjen e Aleancës në rast të rreziqeve të sigurisë.

2. Rruga drejt stabilitetit: Integrimi i Kosovës në NATO është pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet dhe kapacitetet e shtetit të Kosovës, duke përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen. Kjo mund të ndihmojë në stabilitetin dhe përforcimin e sundimit të ligjit në vend, duke ndikuar në ndërveprimin e konflikteve dhe tensioneve në rajon.

3. Mbrojtja e territorit: Në rast të ndonjë rreziku potencial për integritetin territorial të Kosovës, anëtarësimi në NATO mund të performojë shkallë më të lartë sigurie për vendin. Anëtarësimi në NATO do të obligonte Aleancën për mbrojtjen e kufijve të Kosovës sipas traktatit të Aleancës, duke shfrytëzuar burimet dhe teknologjinë ushtarake të ofruara nga partnerët e NATO-s.

Ndjekja me urgjencë e modelit të Baltikut edhe në Ballkan, gjithmonë duke pas në konsideratë sigurinë Euroatlantike të Europës Juglindore si tërësi, pranimi i Kosovës në NATO, do të thellonte me shpejtësi të duhur bashkpunimin ekzistues mes vendeve anëtare në njërën anë dhe izolimin e Serbisë nga çfardo aventure për rihapje të apetiteve të saj hegjemone jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Malit të Zi dhe Bosnjës.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO është kufiri i skajshëm i zgjerimit të formateve të ndryshme të bashkëpunimit edhe mes shteteve anëtare në NATO, pa kushtëzuar këtë me ndryshimet e parimeve aktuale kushtetuese kombëtare. Vlera e vërtetë e shtuar e pranimit të Kosovës në NATO qëndron në thjeshtimin e disa prej mënyrave komplekse që SHBA-të dhe shtetet e Ballkanit Perendimor kanë ushtruar në kuadër të bashkëpunimit për të ofruar siguri, pa përfillur zemërimin rus.

Serbia – kali trojan lakuriq i Putinit

Në Samitin e NATO-s në Vilnius, shtetet baltike kanë arritur të zgjerojnë gamën e tyre të sigurisë, sidomos me integrimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Ky model do të duhej të ndiqej edhe me Ballkanin Perendimor, duke filluar me Kosovën. Si për vendet e Baltikut edhe për ato të Ballkanit Perendimor, kërcënimi rus i sigurisë mbetet tutje prezent. Ndërkaq ai do të ishte shumë i lartë sidomos në rastin e fitores ushtarake të Kievit në luftën në Ukrainë. Por edhe në rast të tejzgjatjes së luftës ruso-ukrainase, rreziku mbetet i hapur. Sidomos kur kihen parasysh pozicionimet e Serbisë dhe gjakimi i saj për aneksimin e veriut të Kosovës dhe Republikës Serbe, por edhe impenjimi i thellë i saj në Malin e Zi.

Diplomacia perendimore ndodhet para dilemës: të thyej tabutë ose tabutë do të na thyejnë atë. NATO dhe BE, konkludon në një studim të tij Fondacioni gjerman “Fridrich Nauman”,

duhet ta vendosin “bashkëpunimin në një orbitë të re dhe BE-ja nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj derisa ata të jenë anëtarë të NATO-s. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Ballkan, ku Serbia është kali trojan lakuriq i Putinit.” [4]

Për sa kohë që nuk ka konsensus të brendshëm, si në NATO edhe në BE, për rolin e Serbisë dhe arkitekturën e sigurisë europiane në këtë situatë të komplikuar edhe si rezultat i luftës në Ukrainë, politika e jashtme serbe do të mbetet e ndërvarur nga Rusia.

Beogradi edhe gjatë kësaj periudhe, nga shkurti i vitit 2022 e këtej, ka luajtur me kartën e pragmatizmit politik. Në këtë situatë, përsëri shihet se çështja e zgjerimit të NATO-s, respektivisht aderimit të Kospvës në kuadër të Aleancës, merr funksione konkrete në debatin e brendshëm serb dhe rus për të arritur disa interesa në frontin e brendshëm dhe të jashtëm. Për sa i përket politikës së brendshme serbe, kemi një shpërfaqje të një lidershipi që kryesisht merr vendime për politikën e jashtme krejtësisht në ndërvartësi me interesat ruse, pa përfillur as interesat strategjike koherente afatgjata të Serbisë. Në krizën aktuale që po kalon Serbia si shtet autoritar, nuk mund të flitet për një strukturë egzistuese qartësisht e hierarkizuar, rrjedhimisht procesi i vendimmarrjes së politikës së jashtme është ad hoc. Politika e jashtme mbetet tutje e përshtatur fort me personalitetin e presidentit dhe për këtë arsye ajo mund të cilësohet krejtësisht si arbitrare. Roli i Kishës dhe Ushtrisë në këtë kuadër vazhdon të jetë vendimtar. Gjatë dy viteve të fundit, botëkuptimi mbizotërues i elitës politike serbe është orjentuar në rrumbullaksimin e projektit nacional të quajtur “Bota Serbe”. Lufta në Ukrainë, gjykon kjo elitë, sidomos fundi i saj i mundshëm që do të përmbyllej me ndarjen e Ukrainës, i shkon për shtati objektivit strategjik serb.

Pavarësisht qëndrimit kryesisht negativ ndaj Perëndimit, e sidomos në raport me NATO-n, në qarqet e larta të politikës serbe [qoftë asaj rreth pushtetit dhe në opozitën kryesisht nacionaliste], po fiton gjithnjë e më shumë mirëkuptim qëndrimi se bashkëpunimi me Perëndimin, rrjedhimisht edhe me NATO-n, është thelbësor për prosperitetin e Serbisë dhe realizimin e projektit “Bota serbe”. Përfaqësuesit e kompleksit ushtarako-industrial tok me piramidën e pushtetit, rrjedhimisht luftën në Ukrainë e kanë shfryëtzuar për përfitime të thella jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe për shmangien e presionit në raport me sanksionet ndaj Rusisë dhe gjithësesi edhe në dialogun me Kosovën. Ngërçi ku dyshja e diplomatëve të BE-së e ka futur dialogun në takimin e 14 shtatorti në Bruksel, është në përputhje të plotë me këtë strategji serbe.

Por, pavarësisht taktikave serbe dhe një lagjeje konservatore shtetesh anëtare të BE-së në raport me Republikën e Kosovës, Kosova [tok me Shqipërinë – pra kombi shqiptar], formojnë tërsinë unike shtetërore më të rëndësishme të linjës transatlantike, duke e shndërruar Kombin në një faktor domethënës në Europën Juglindore. Ndërkaq nëse kemi parasysh qeverisjen dhe selitjen e demokracisë në ngjitje, ndikimi i Kosovës është në rritje në krijimin kohezionit pozitiv brendakombëtar. Këta parametra do të shkojnë duke e shndërruar Kosovën në një amplifikues pozitiv të interesit nacional në raport me rënien e ndikimit të Rusisë në rajon, rrjedhimisht edhe me dobësimin e peshës së Serbisë me këtë rast. Serbia tutje po gjykon si një entitet perandorak, por që de fakto ajo e tillë nuk është që nga shkërmoçja e Jugosllavisë. Serbia ende nuk ia ka dalë të shndërrohet në një shtet-komb të mirëqenë, e edhe më pak në një shtet demokratik shumëkombësh, siç do të duhej në realitet të ishte. Shndërrimi në një Federatë të mirëfilltë do të ishte vet shpëtimi i saj, nëse marrim parasysh pozitën e vllehve, shqiptarëve [para së gjithash në Sanxhak , por pa anashkaluar tri komunat e jugut – Preshevë, Bujanoc e Medokë], të hungarezve në Vojvodinë etj. Nëse Serbia vazhdon të tundet në iluzionet e një fuqie koloniale, që do të mund të mblidhte të gjithë serbët në një shtet [Bota serbe], duke shpërbërë Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën, ajo mund të shkojë drejt shpërbërjes.

Mirsad Shabarexhoviq, një tjetër i ri shqiptar nga Pazari i Ri që intervistohet nga Amina Nuraj

1
Intervistoi: Amina Nuraj, Novi Pazar (Pazar i Ri)
____
Intervistë e re me një tjetër shqiptar nga Pazarin i Ri, Mirsad Šabaredžović
____
A je Shqiptar apo Boshnjak?
Mirsad Shabarexhoviq: Unë jam Shqiptar me zemër dhe me shpirt!
Çfarë do t’u thoshit autoriteteve shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri si shqiptar nga Sanxhaku?
Mirsad Shabarexhoviq: Meqenëse ju e bëtë një punë heroike dhe na kthyet vëmendjen e shumicës prej nesh kah në rrënjët tona të vërteta, unë do t’u thoja politikanëve që ta bëjnë një pjesë të punës tani dhe të na ndihmojnë në këtë rrugë, po nuk besoj qe mundet dikush me bo mo qysh e ke bo ti.
A dëshironi që gjuha shqipe të futet në shkollat ​​tona në Sanxhak?
Mirsad Shabarexhoviq: Normal qe po dhe sinqerisht besoj se ti do ta bëni atë punë dhe se falë jush fëmijët tanë të ardhshëm do të mësojnë në gjuhën shqipe. Sepse ne në Sanxhak kemi një heroinë të vetme që e nisi gjithë këtë, dhe ajo je ti, sepse pa ty asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur.
Nga këndvështrimi juaj, si do ta komentonit situatën asimilimit që ndodhi me banorët e Sanxhakut?
​
Mirsad Shabarexhoviq: Asimilimi në Sanxhak ndodhi nga frika për mbijetesë, nga frika e Serbisë dhe nga mosinteresimi i Kosovës dhe Shqipërisë për ne. Nuk besoj që ka shembull përreth nesh që një shtet apo dy shtetet praktikisht të mos interesohen për pjesëtarët e popullit të vet, qysh nuk u interesuan Shqipëria e Kosova.
Vetëm ju nga familja ndiheni shqiptar apo edhe dikush tjetër nga familja juaj?
Mirsad Shabarexhoviq: Unë dhe familja ime ndihemi shqiptar e gjyshi im mbajti plisin shqiptar deri në vdekje.
​
Historinë e origjinës suaj e keni mësuar nga familja apo ju ka tërhequr ndërgjegja, ndjesia, gjaku shqiptar?
Mirsad Shabarexhoviq: Siç thashë, gjyshi im mbante plisin në kokë dhe gjithmonë deklarohej se është shqiptar. Unë e dija që në fillim që isha shqiptar, por nuk u interesova derisa u shfaq ti. Gjithçka nisi me pamjen tënde, sepse të gjithëve na zgjove atë dashuri dhe guxim, atë përmallim për t’u ndjerë shqiptar, ata që jemi në të vërtetë.
​
Çfarë e zgjon flamurin tonë shqiptar tek ju?
​
Mirsad Shabarexhoviq: Dashuri, krenari dhe guxim. Ndihem shumë i lumtur dhe i sigurtë me flamurin tonë të shenjt.
Dhe në fund, a do të dëshironit që Sanxhaku të rikkthehet si kulturalisht e historikisht si pjesë e kombit shqiptar, qysh ka qenë gjithmonë në histori ?
​
Mirsad Shabarexhoviq: Normal që po. Ne dëshirojmë që ti kemi të drejtat si të tjerët, që mos të ndihemi qytetarë të rendit të tretë në vendin tonë, por njerëz me dinjitet që na njiihen të gjitha të drejtat si të tjerëve këtu.

Serbët nuk duhen privilegjuar më, por trajtuar njësoj para ligjit me të tjerët në vend

1
Milazim Maraj, Istog
Servilizmi I Institucioneve tona para kriminelëve
♦ Inspektorati i Punës duhet të veproj.
♦ Zyrat për ndërmjetësim apo ne vet po shkelim ligjet e Kosovës? ♦ Nuk është njerëzore të shpërblehen familjet e krimineleve duke shkel ligjet e Kosovës. ♦ Ivan Saviq i biri i kriminelit Millan Saviq automekanik punësohet kundërligjshëm referent për kundërvajtje në gjykatën e Istogut. ♦ Borell dhe Lajçak në historinë e Kosovës do të mbahen mend si antishqiptarë të tmerrshëm.
Demokracia e një vendi matët me të drejtat e minoriteteve. Kjo është vlerë e vërtet dhe instrument për matjen e vlerave demokratike të një shteti. Këtë Serbia nuk po e bënë në Luginën e Preshevës; BE-ja nuk e matë këtë padrejtësi që ju behët shqiptarëve që jetojnë në tokat e veta të okupuara nga Serbia. Ndërsa diçka e kundërt me këtë është në Kosovë. Këtu ka një servilizëm të tepruar në emër të respektimit e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë, përkundër krimeve që i kanë bërë ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë. Por servilizmi nuk është vlerë, përkundër, është shkelje e ligjeve demokratike që do të ndikojnë shumë keq në shpresën dhe motivimin e qytetarëve për funksionin e shtetit demokratik, që është shteti i të drejtës. Shteti duhet të krijoj ligje për barazi të qytetarëve të vet dhe jo në asnjë mënyrë diskriminime duke privilegjuar, minoritetin serb mbi minoritetet tjera dhe shumicën popullore të Kosovës. Në Kosovë u aplikua një formë e diskriminimit të ashtuquajtur pozitiv. Ky diskriminim u përdor që të stimulohen kriminelet dhe në këtë formë i diskriminuan qytetarët që u sollën ndershëm. U diskriminuan edhe qytetarët shqiptarë viktima të këtyre kriminelëve.
Shqiptarët në Kosovë që 24 vite ballafaqohen me pengesa të ndryshme që pengojnë funksionimin e shtetit të Kosovës. Presioni i BE bije mbi shqiptaret dhe shtetin e Kosovës. Këtë presion e bëjnë dy misionaret Borell dhe Lajçak. Duke hartuar projekte të përbashkëta me Serbinë duke dëmtuar funksionin e shtetit të ri Demokratik Republikës së Kosovës. Qeveria e kaluar e Kosovës pranoj që të vesh në uniformën e policisë së Kosovës kriminel serb që kanë bërë krime lufte dhe kundër njerëzimit. Kjo përfundoj jo me një mirëkuptim por me mbrojtje të krimit të organizuar në veri të Mitrovicës dhe fshatrave tjera serbe të quajtura tani Komuna.
Në momentin kur Qeverisë kriminele serbe i konvenoj këta lanë uniformën legale të shtetit të Kosovës dhe u kthyen në formacionet ilegale serbe “Brigada e Veriut “dhe “Mbrojtja civile” të cilat komandohen nga Beogradi dhe qendra e ashtuquajtur “Emergjente” ruse në Nish.
Qeveria e Kosovës siguroj kushte për ngritjen, edukimin dhe trajnimet tjera të duhura për shërbime në polici të Kosovës, këta kërcënohen nga kriminelet e këtyre dy formacioneve paramilitare terroriste serbe të cekura më lartë. Këta polic të ri serb ikin, ndërsa për këtë heshtë shefi i sigurisë së BE Borrel dhe misionari Lajçak, sikur ju pëlqen ky veprim i përzierjes flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Qeveria e Kosovës diskriminon qytetaret e vet duke i shkel edhe ligjet e veta të punësimit për të pranuar në marrëdhënie punë familjarët e kriminelëve të luftës.
Ja një shembull, djali i kriminelit Millan Vasiq nga Osejani pranohet në marrëdhënie pune në gjykatën Komunale në Istog, në vendin e punës administrator për kundërvajtje edhe pse nuk ka kualifikim, ka vetëm një certifikatë nga fabrika e auto pjesëve “Zastava” për automekanik. Ky administrator automekanik quhet Ivan Vasiq.
Asnjë lëshim pe i Kosovës ndaj Serbisë kriminele nuk u pa nga dy misionaret e BE për ndërmjetësim. Asnjë reagim real dhe normal nuk pati nga këta të dy. Tani me të drejt duhet të pyesim: A është ky qëndrimi i BE për Kosovën dhe Shqiptaret? Apo a kanë këta dy misionar qëndrime pro evropiane apo pro ruse? Lajçak shihet çartë që nga fillimi i këtij misioni për simpati pro serbe dhe pro ruse. Ndërsa edhe Borrell vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Por, a është ky qëndrimi i BE-së apo i pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Serbia nuk heqë dorë nga agresioni pasi që kurrë nuk u ndëshkua për agresionet dhe gjenocidin që bëri në zemër të Evropës. Qasja duhet të ndryshohet. Serbia fillimisht duhet të ndëshkohet për atë që beri jo vetëm një herë. Pastaj të fillojnë bisedimet për ndonjë fqinjësi të mirë.
Më 18.9.2023

Albin Kurti u shkruan letër Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Romës rreth emisarit që e ka deformuar procesin

0

Kurti u ka dërguar letra Uashingtonit, Berlinit, Parisit e Romës: Kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin

Gjatë konferencës së sotme, Kurti ka njoftuar se i ka dërguar letër sqaruese kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, dhe sekretarit të SHBA’së Antony Blinken, në lidhje me takimin e 14 shkurtit në Bruksel.

Ai tha se nga Parisi dhe Berlini ka marrë konfirmim se i kanë pranuar këto letra, ndësa shtoi se “një emisar ka deformuar procesin”.

“Së pari, unë të nesërmen, më 15 shtator, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtonit. Nga Parisi dhe Berlini e kanë konfirmuar që i kanë pranuar. Pra i kam dërguar letër kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe sekretarint Blinken. Këtu kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike, por duke lejuar që qerrja të vihet para kalit, që Asociacioni njëherë e pastaj shohim. Dhe ky deformim i procesit i zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fundamentale”, tha ai.

“Shkova në takim me propozim konkret, me të cilin ne parashikuam një zbatim të plotë të marrëveshjes bazike, propozimi ynë bazohej në parimin gjithëpërfshirës, që nënkupton që çdo nen e çdo përcaktim do të përfshihej në planin e zbatimit. Parimin e gjithëpërfshirës nuk e kam zbuluar unë, as nuk është diçka e pazakontë në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në aneksin e marrëveshjes thuhet se çdo nen i marrëveshjes duhet zbatuar, kjo është e zakonshme dhe logjike në zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.

Kurti bëri të ditur se Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak kishin kërkuar të kalohet të pika për negocim për Asociacion.

“Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë, bilateral me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar në nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bërë të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar. Aq më shumë për shkak se Vuçiq ka një kohë që deklaron se nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti vizitoi festivalin “Ulpiana Fest” që po mbahet në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës

0

17 shtator 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vizituar gjatë pasdites së sotme festivalin “Ulpiana Fest”.

Forhåndsvisning av bilde

Festivali dyditor i cili ka karakter historik dhe kulturor, po mbahet në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës. Ai është i pari i llojit të tillë në gjithë Kosovën. Përmes tij synohet që të ngritët vetëdija dhe kureshtja e qytetarëve mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe lokaliteteve tona arkeologjike në veçanti.

Me manifestimin e këtij festivali, shikuesve dhe pjesëmarrësve u ofrohen përjetime të copëzave nga antikiteti duke përfshirë veshjet, recetat ushqimore, lojërat, si dhe zejet artizanale.

“Ulpiana Fest” që po mbahet me 16 dhe 17 shtator, organizohet nga OJQ “ET-G” në bashkëpunim me Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Më shumë foto në linkun më poshtë: 

https://kryeministri.rks-gov.net/blog/kryeministri-kurti-vizitoi-festivalin-ulpiana-fest-qe-po-mbahet-ne-lokalitetin-arkeologjik-te-ulpianes/