ARKIVI:
2 Gusht 2026

Sak Muji, artisti që e shndërroi burgun në galeri të kujtesës kombëtare

Shkrime relevante

Një konsullatë serbe në Shkodër do të ishte një gabim politik me pasoja kombëtare

Ramiz Tafilaj, Hjuston, SHBA SHQIPËRIA NUK KA TË DREJTË TË HARROJË 2 Gusht,...

Sak Muji, artisti që e shndërroi burgun në galeri të kujtesës kombëtare

Në foto: Sak Muji me Hydajet Hysenin Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë  ____ Me rastin e...

Edhe një herë rreth rikthimit në krishterizëm që u bë dje në Kishën e Papiqit në Deçan

Nga: Engjëll Bajrami Ne kishen e fshatit Papiq te Komunes se Deçanit,...

Fundi i marrëzisë shqiptare në Maqedoni

Afrim Caka, më 2͏ gusht ͏2͏0͏1͏6͏  ____ O Perëndi! Punë e flliqur. O ju shqiptarë...

Për themelimin e Bashkësisë Katolike Shqiptare të Isniqit

Bekë Osmanaj, Kisha e Papiqit, Deçan ___ Deklarata e Bekës që u lexua...

Shpërndaj

Në foto: Sak Muji me Hydajet Hysenin
Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 
____
Me rastin e inaugurimit të ekspozitës artistike ndërkombëtare” Me pranga e pa to – Arti që mbijetoi burgun politik ( 1981- 1998)”.
Ka ngjarje kulturore që nuk organizohen vetëm për t’u parë, por për t’u përjetuar. Njëra ndër to është ekspozita artistike ndërkombëtare ” Me pranga e pa to – Arti që mbijetoi burgun politik (1981-1990)” e hapur në Pejë, ku publiku ka mundësinë të njoh nga afër një trashëgimi të rrallë artistike dhe historike, të lindur në vitet më të errëta të represionit politik serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.Në qendër të kësaj ekspozite qëndron artisti dhe ish- i burgosuri politik Sak Muji, i cili së bashku me bashkëveprimtarin Hydajet Hyseni, i fton qytetarët të bëhen pjesë e një udhëtimi që nuk rrëfen vetëm për artin, por mbi të gjitha për qëndresën kombëtare.
Ekspozita sjell para publikut rreth 130 vepra artistike, të krijuara gjatë periudhës së burgosjes politike dhe pas rikthimit në liri. Ato nuk janë vetëm piktura apo vizatime.
Janë kujtime të pikturuar, plagë të shndërruara në ngjyra dhe dëshmi se shpirti krijues nuk mund të mposhtet as nga qelia, as nga prangat. Për regjimin serb, burgosja synonte ta thërmonte shqiptarin dhe t’ia zhbënte identitetin. Mirëpo, për njerëz si Sak Muji, arti u bë forma më fisnike e rezistencës. Paneli u shndërruar në armë shpirtërore, ndërsa çdo pikëturë ishte një akt lirie në kushte robërie.
Në çdo vepër të ekspozuar ndihen dhimbja e izolimit, malli për familjen, dashuria për atdheun dhe shpresa se një ditë liria do të triumfonte. Pikërisht ky besim e bën këtë ekspozitë të veçantë. Ajo nuk flet për urrejtjen, por për qëndrueshmërinë e njeriut, për forcën morale dhe për aftësinë e artit për të mbijetuar edhe aty ku gjithçka tjetër dukej e pamundur.
Ekspozita fiton një dimension edhe më të madh sepse bashkon dy personalitete të njohura të rezistencës shqiptare, Sak Muji dhe Hydajet Hysenin, të cilët në vitin 1981 si shumë shqiptarë tjerë u përballën me dhunën dhe diskriminimin për shkak të bindjeve të tyre atdhetare. Sot, pas më shumë se katër dekadash, ata nuk vijnë para publikut si viktima të historisë, por si dëshmitarë të saj dhe si bartës të kujtesës sonë kolektive.
Arti i Sak Mujit nuk kufizohet vetëm në vlerat estetike. Ai ka edhe një dimension edukativ.
Çdo vizitor, veçanërisht brezi i ri, mund të kuptojë se liria që gëzojmë sot nuk është dhuratë e rastësisë, por fryt i sakrificave të shumë burrave e grave që nuk u përkulën para dhunës serbe.
Prandaj kjo ekspozitë nuk duhet parë vetëm si një aktivitet kulturor. Ajo është një mësim historie, homazh për të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe një thirrje qe kujtesa të mos zbehet. Popujt që ruajnë kujtesën ndërtojnë të ardhmen mbi themele të forta, ata që harrojnë të kaluarën rrezikojnë të përsërisin atë.
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 16 gusht 2026, duke u dhënë mundësi vizitorëve nga Kosova, Shqipëria,  Shkupi,  Presheva dhe diaspora të njihen me një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare,  rrëfyer përmes gjuhës universale të artit.
Autori tregon me këtë ekspozitë se Arti nuk njeh pranga. Ai ishte i mbyllur përkohësisht pas mureve të burgut, por nuk qëndroi si i burgosur.
Përkundrazi,  ai mbijeton, dëshmon dhe vazhdon të frymëzojë brezat qe besojnë te liria, dinjiteti dhe identiteti kombëtar.
Kjo ekspozitë është një ftesë për të gjithë ne; të ndalemi, të shohim,  të reflektojmë dhe të falënderojmë ata që, edhe në errësirën e burgjeve politike, nuk rreshtën së krijuari dhe së besuari se drita e lirisë do të vinte.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu