Europa dhe Amerika i mbyllën sytë kur, në maj të vitit 2023, protestues serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, gjersa përdorën edhe armë zjarri. 93 prej tyre u lënduan, disa me pasoja që ua ndryshuan jetën përgjithmonë.
Serbia nuk pati sanksione.
Më vonë, në Bajë të Mitrovicës, një grup i armatosur dhe i stërvitur nga ushtria serbe, pra nga shteti serb, kreu sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku dhe humbën jetën edhe tre sulmues.
Për tre terroristë, Serbia mbajti tri ditë zie.
Ajo nuk pati sanksione për atë akt, ndërsa BE-ja sanksionoi Kosovën.
Madje, nuk këmbëngulin as në arrestimin e zëvendësit të partisë Lista Serbe. Një parti që themelon grup terrorist, Perëndimi në vendet e veta e ndalon. Kosovën e detyron të bëjë negociata me të.
Tani Serbia organizoi ceremoninë e mirënjohjes dhe krenarisë për Ratko Mladiqin, të dënuarin për gjenocid dhe krime lufte, me nderime ushtarake dhe me praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë.
Shkatarin e gjenocidit e glorifikoi edhe kisha antikrishtere serbe.
Europa përsëri reagon me deklarata, ndërsa Serbia vazhdon të ecë përpara drejt ekstremizmit dhe kërcënimit të fqinjëve.
Kjo nuk është thjesht mungesë konsekuence. Është një politikë tolerimi që përsëritet. Është inkurajim! Europa po e mundëson, po e motivon dhe po e financon me shumë investime!
Njëra pas tjetrës, këto toleranca e kanë bindur autokratin serb se mund të bëjë çfarë të dojë, se mund të terrorizojë fqinjët, të glorifikojë kriminelët e luftës dhe ta paraqesë gjenocidin si fitore.
Pse e bën? Ai sfidon Europën për t’i pëlqyer Putinit dhe Trumpit! Europën e sheh si grazhd! Rusinë e Putinit si model.
Dhe kur një autokrat bindet se nuk ka pasoja për veprimet e tij, ai nuk bëhet më i moderuar.
Nuk demokratizohet!
Bëhet edhe më i rrezikshëm.
Serbia nuk po armatoset për të luftuar me NATO-n, por për të pushtuar e copëtuar vendet fqinje.
Ju e dini!
Ju po e ndihmoni: me përkëdhelje dhe financime.
Ju po tregoni më shumë frikë, më shumë drojë nga Serbia sesa nga Rusia. Me Rusinë po luftoni! Autokratit serb, po i nënshtroheni!
E në fakt, për një javë sanksione do të mbushej mend!
Fundi i fundit, edhe nëse i vendosni sanksione, do të jenë sa për sy e faqe: jo për ta mbushur mend fashistin serb, Vuçiqin, por për të mashtruar ata që kërkojnë drejtësi.
Një ditë mund edhe të shpërthejë lufta, grupet terroriste në Serbi konsiderohen atdhetarë, dhe ju do t’i akuzoni ata që sulmohen, sipas zakonit, jo sulmuesin!
Ashtu-ashtu do të vriteshin të tjerët, jo ju!
Kush nuk lufton fashizmin jashtë, një ditë do të përleshet me fashizmin në shtëpinë e vet! Karma ekziston!
E Kosova? Kosova ka humbur rrugën në oborrin e vet dhe nuk di sa është ora.
Burrat e mëdhenj krijojnë shtete, burrat e vegjël i rrënojnë!



