Kreu Blog Faqe 149

Dritan Goxhaj: Ejani ta bombardojmë Iranin (XI)

1

Nga Dritan Goxhaj

EJANI TË BOMBARDOJMË IRANIN (XI)

Pjesa e njëmbëdhjetë

SHKATËRRIMI I “RRJETËS SË MERIMANGËS”

Që në momentin që kanë filluar agresionin ndaj Iranit, Amerika po përballet me sfidën më të thellë ushtarake të saj që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Tashmë po shihet nga të gjithë rënia e fuqisë dhe ndikimit Amerikan në Gadishullin Arabik e deri në ujrat e Gjirit Persik. Amerika ka hyrë më vetdije në këtë luftë, por tashti duket se po ecin si sonambul, (njeri që ngrihet nëpër gjumë dhe bënë veprime të pavetëdijshme), drejt një përplasje katastrofike dhe të pafitueshme, duke e bërë këtë jo më një dështim politik, por një kolaps strategjik.

Për të kuptuar më qartë shkallën e shkatërrimit që Irani po i bën Amerikës në këtë rajon, duhet më parë të shohim se cili është gurthemeli i fuqisë amerikane në rajon.

Ky gur themel janë bazat amerikane të shpërndara në gjithë rajonin e Gadishullit Arabik, një rrejt i integruar bazash dhe radarësh i projektuar si një “rrejt merimange”, për të funksionuar si një rrejt mbrojtës duke ofruar një obrellë të pandërprerë dhe në kohë reale të njoftimeve dhe zbulimeve të menjëhershme, për t’u mbrojtur nga raketat iraniane.

Por, që nga fillimi i këtij agresioni e deri më sot, të gjithë ata njerëz që i kanë ndjekur dhe i ndjekin këto ngjarje, qoftë emocionalisht, e qoftë strategjikisht, e kanë kuptuar se ky agresion u krye për nevoja dhe me nxitje të Izraelit.

Edhe pse gjatë këtij agresioni retorika iraniane e përcakton Izraelin si përgjegjësin kryesor të këtij agresioni dhe si problemin kryesor në Lindjen e Mesme, Irani akoma nuk e ka goditur Izraelin me gjithë fuqinë e tij e ta shkatërrojë, por është fokusuar kryesisht tek bazat amerikanë ne Gji, dhe te sistemet e radarëve, duke ushtruar një shkatërrim në gjithë infrastrukturën përreth Izraelit.

Dhe pikërisht këtu të gjithë i bëjnë një pyetje vetes: Pse Irani duket se është më i fokusuar për të goditur bazat amerikane në rajon, se sa të shkatërrojë Izraelin?

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet, së pari, të sqarojmë se Gjiri Persik, nuk është thjeshtë një rajon burimi energjitik, ai është zona operative e fuqisë Amerikane në të gjithë Azinë Perendimore.

Gjiri Persik është një sistem rajonal që shtrihet në të gjitha monarkitë arabe të Gadishullit Arabik duke fuknsionuar nëpërmjet rrjetit të inteligjencës (zbulimit), sistemit të radarëve, infrastrukturës së mbikqyrjes, koordinimimt të mbrojtjes kundërajrore dhe ajrore, bazat ushtrake, sistemet satelitore.

Dhe e gjitha kjo ka dy qëllime.

E para, të projektojë fuqinë Amerikane në rajon.

Dhe e dyta, të mbajë Izraelin larg çdo izolimi dhe t’i garantojë atij jo vetëm mbrojtjen, por edhe superioritetin dhe dominimin ushtarak.

Por në doktrinat luftarake shtetet nuk mendojnë për sloganet, por për pasojat.

Duhet të kemi parasysh se, Izraeli është një shtet që posedon armë bërthamore, dhe këtë e dinë të gjithë, përfshi edhe Irani, dhe në çfardo lloj skenari që Izraeli do mendonte se është në buzë të shpërbërjes së shtetit të tij genocidial, atëherë ai nuk do nguronte që të përdorte këto armë.

Dhe Irani e ka kuptuar qartë se çdo kërcënim ushtarak ekzistencial për Izraelin, do e çonte konfliktin drejt një përshkallëzimi bërthamor.

Dhe për 48 vjet Irani ka parë se Izraeli nuk bën dot pa mbështetjen dërrmuese ushtarake, teknologjike, diplomatike e financiare amerikane.

Pa ato, shteti genocidial i Izraelit nuk mund funksionojë, e as të jetë fuqi dominuese ushtarake në rajon, siç është tashti.

Dhe këto, aktualisht i japin Izraelit garancinë e mbijetesës, por ama, Izraeli nuk kërkon vetëm mbijetesën në këtë rajon, ai kërkon të kthehet në qëndër rajonale perandorake totalisht autonome.

Izraeli kërkon dominim total mbi fushat e gazit në Mesdheun Lindor; kërkon integrim në sistemet ekonomike të Gjirit; kërkon normalizim me botën arabe; kërkon ndikim mbi koridoret e energjisë që lidhin Azinë me Europën; kërkon ndikim politik e ushtarak mbi Sirinë dhe Libanin dhe, nëse me forcën e Amerikës do arrinte të ndryshonte edhe regjimin në Iran, atëherë implikimet gjopolitike do të dilnin jasht çdo fantazie të mundshme.

Dhe në këtë pikë Izraeli nuk do të ishte më thjesht një bazë e avancuar amerikane në rajon, që aktualisht është thjesht një shtet klient i perandorisë Amerikane, por do të ishte një perandori rajonale e pozicionuar midis Europës, Gjirit dhe Azisë.

Dhe kjo shpjegon edhe arsyen e gjithë këtij agresioni, i cili ka të bëjë me: nëse në një botë të re multipolare që po riorganizohet, rendi rajonal në Lindjen e Mesme do të jetë i ngritur dhe i përqëndruar rreth Izraelit i mbështetur nga fuqia amerikane, apo drejt një arkitekture të re rajonale sigurie, e përqëndruar rreth fuqisë së vendeve muslimane, si Irani, Turqia, Arabia Saudite, Pakistani e Egjypti me mbështetje Ruso-Kineze!

Por duket që Irani e ka kuptuar qartë që kjo është lufta e vërtetë strategjike.

Dhe, për të bërë të mundur që rendi rajonal në Lindjen e Mesme të mos ngrihet i përqëndruar rreth Izraelit, ka vendosur të dobësojë e të çmontojë ekosistemin që mbështet jo vetëm supermacinë aktuale izraelite, por edhe ëndrrën e tyre perandorake.

Kjo është edhe një nga arsyet se përse Irani ka ndërtuar një strategji ushtarake që e çon kundërshtarin drejt një raskapitje të gjatë, duke shmangur çdo lloj beteje vendimtare.

Dhe ky ekosistem shtrihet i gjithi në monarkitë arabe, pasi bazat amerikane në këto vende nuk janë thjeshtë vëzhgues neutralë, por janë asete operacionale brenda një plani strategjik më të madh e më të rezikshëm, pasi, me anë të rrejtit të tyre të inteligjencës (zbulimit), sistemit të radarëve, infrastrukturës së mbikqyrjes, koordinmimt të mbrojtjes kundërajrore dhe ajrore dhe sistemet satelitore që operojnë si një “rrejt merimange”, ofrojnë jo vetëm mburojën për Izraelin, por përbëjnë bazën arkitekturore të planit strategjik për dominimin rajonal izraelit.

Dhe fokusi i Iranit në goditjen e këtyre bazave e aseteve, pra gjithë këtij sistemi nuk do të thotë se po shmanget nga shkatërrimi i Izraelit, por në të vërtetë po shkatërron sistemin qëndror nervor të funksionimit të Izraelit.

Shkatërrimi dhe zhbërja e kësaj “rrejte merimange” përbën kolapsin strategjik Amerikano-Izraelit për dominimin jo vetëm rajonal, por edhe botëror.

Tiranë, 20 maj 2026

Mësuesi në Malmö duhet të japë dorëheqjen pas shprehjes se i mbështet Talibanët

0

Një taleban po buzëqesh gjatë festimit të përvjetorit të katërt të tërheqjes së SHBA-së dhe fillimit të sundimit taleban në Kabul, Afganistan, më 15 gusht 2025. Foto: Nava Jamshidi, AP-NTB.

Peder Jensen / Document.no

Një mësues në Malmö, të cilin SVT Nyheter Skåne e zbuloi se e lavdëronte regjimin e Talibanëve në Afganistan, tani ka përfunduar marrëdhënien e tij të punës pas një marrëveshjeje me komunën.

Në të njëjtën kohë, komuna e Malmö-së në hetimin e saj konstatoi se nuk kishte dalë asgjë që të tregonte se ai kishte neglizhuar punën e tij.

“Deklaratat që ai ka bërë mund të perceptohen si të kundërta me vlerat tona, dhe kjo ndikon negativisht në besimin ndaj organizatës sonë”, thotë Mats Johnsson, shef i arsimit në administratën e shkollave fillore.

Pas publikimit të çështjes nga SVT, mësuesi u pezullua, dhe komuna e Malmö-së filloi një hetim të brendshëm.

Komuna ka shqyrtuar dosjen e tij të personelit, ka biseduar me kolegët, nxënësit dhe prindërit, si dhe ka lejuar përkthyes të autorizuar të shqyrtojnë pjesë të shfaqjeve të tij në televizionin afgan.

Përfundimi është se nuk ka bazë për të thënë se ai ka përhapur opinionet ekstreme ose ka tentuar të ndikojë nxënësit drejt Talebanëve.

“Hetimi ka treguar se ai nuk e ka neglizhuar punën e tij dhe nuk ka bërë asgjë të gabuar në punën e tij,” shprehet Mats Johnsson.

Mësuesi mendon se disa përkthime të SVT-së janë të dyshimta dhe joshkollosura dhe japin një pamje të gabuar për të si simpatizant të talebanëve.

Komuna e Malmës konstatoi se ata kanë parë disa klip nga intervistat e mësuesit në televizionin afgan, të cilat i morën nga mediat sociale – kryesisht kanalet e mësuesit. Sipas komunës, këto klip kanë dhënë një pamje tjetër dhe më nuancuar sesa ajo që është treguar në raportimin e SVT-së.

Njëkohësisht, SVT ka parë intervista të tjera me mësuesin në televizionin afgan që mund të shihet qartë si mbështetje për Talibanin.

Mësuesi nga Malmö është i kënaqur me përfundimet e hetimit të komunës, por është kritik ndaj faktit që komuna e Malmöit gjithsesi zgjedh të ndërpresë marrëdhënien e tij të punës.

“Unë jam shumë i trishtuar. Ata thanë se nuk mund të punoja si mësues. Unë nuk jam terrorist”, i tha ai SVT Nyheter Skåne.

Sipas mësuesit, ai do të marrë gjashtë pagat mujore në marrëveshjen me komunën e Malmöit.

Kjo nuk është hera e parë që mësues myslimanë me bindje ekstreme kanë shkaktuar probleme në Malmö.

Bëri bujë në vitin 2025 që aktivistja myslimane Tara Saleh, e cila feston sulmet terroriste, ka pozuar me armë, mburret se sa shumë i urren “fëmijët kurvë” suedezë dhe pret me padurim që Suedia të shkatërrohet dhe të shndërrohet në një parking parking, u punësua si mësuese në Bergaskolan në Malmö. Pas shumë protestave, ajo më në fund u pushua nga puna.

Një mësues tjetër nga Malmö tallej, kërcënoi dhe u përpoq të ekzorcizonte demonët nga nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale – me ndihmën e Kuranit. E gjithë gjëja u filmua dhe u postua edhe në rrjetet sociale. Kur u zbulua, mësuesi u pushua nga puna.

Lærer i Malmö må slutte etter å ha uttrykt støtte til Taliban

Nëna vushtrriase

Nëna vushtrriase

Poezi

Edhe pse bishat e ushunjëzat
ua vranë të vetmin djalë
dhe ju dëbuan nga shtëpitë,
edhe në llogore e tenda,
me njëra-tjetrën u solidarizuat.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit e të qiellit,
të përvuajtura e me shumë halle,
ndonëse të moshuara
e me zemra të lënduara,
me besë e qëndresë,
ata që deshën ta fshehin krimin,
i nxorët lakuriq para botës,
si mizorë e gjakësorë.

Nëna vushtrriase, me stoicizëm
të pashembullt i përballuat stuhitë shovene,
që ndër shekuj u sulën mbi ju.
Sot, të rinjtë rriten nga rrënjët tuaja,
dhe me vrullin për t’u ngjitur
në majat e Korabit.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit
dhe të qiellit arbëror!

Arif Ejupi, Gjenevë
Më 19 maj 2026

Denion Meidani, ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë Veriore mund të largohet nga vendi, por jo fryma që arriti të zgjojë tek shqiptarët

0
Mund të largohet ambasadori Denion Meidani nga Maqedonia e Veriut, por fryma që ai mbolli tek shqiptarët vështirë se do të shuhet ndonjëherë.
Në një kohë kur shumë njerëz kishin humbur besimin tek përfaqësimi dinjitoz dhe tek zëri i fortë kombëtar, Meidani arriti të zgjojë një ndjenjë krenarie dhe afërsie mes shqiptarëve.
Ai nuk u pa vetëm si diplomat, por si një figurë që i dha zemër shumë të rinjve, intelektualëve dhe qytetarëve të zakonshëm që të ndihen më afër Shqipërisë dhe më krenarë për identitetin e tyre.
Me fjalët, qëndrimet dhe praninë e tij në momente të rëndësishme, ai krijoi një frymë patriotike që për shumë kohë kishte munguar.
Ishte një ambasador që nuk qëndroi larg popullit, por u bë pjesë e ndjenjave, shqetësimeve dhe shpresave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Prandaj, edhe nëse largohet fizikisht nga ky vend, gjurma që ka lënë nuk do të largohet lehtë. Sepse disa njerëz mbahen mend jo vetëm për postin që mbajnë, por për emocionin dhe frymën që arrijnë të zgjojnë tek një popull.
Denion Meidani mund të largohet, por patriotizmi, afërsia dhe shpresa që ai mbolli do të vazhdojnë të jetojnë në zemrat e shumë shqiptarëve.

Kur artisti humbet në labirintin e politikës, shembulli i Dua Lipës

0

🟪KUR ARTISTI HUMBET NË LABIRINTIN E POLITIKËS! Ka një moment kur talenti pushon së qeni vetem art dhe fillon të përdoret si armë morale në një fushë ku edhe historianët, diplomatët dhe shtetet janë djegur duke kërkuar “të vërtetën absolute” dhe shume kanë deshtuar. Dua Lipa ashte një artiste e talentuar. Një vajzë që arriti majat e botës me zërin, punën dhe imazhin e saj modern. Por pikërisht aty lind pyetja me e vështirë: ➖Pse një artiste globale me nje formim arti hyn me aq siguri në një konflikt që bota nuk ka mundur ta zgjidhë prej shekujsh? Konflikti Izrael, Palestinë nuk është një debat TikToku. Nuk është një hashtag në rrjete. Nuk është një ndarje bardh e zi. Është histori me gjak, fe, interesa, propagandë, terror, pushtim, viktima dhe manipulime nga të gjitha anët. Është një nga nyjet me të komplikuara të njerëzimit modern, nder shekuj. Dhe këtu nis rrëshqitja e shumë figurave publike: Kur emocionin e ngatërrojnë me njohurinë dipllomatike e historike. Kur sloganin e marrin për histori. Kur presionin e rrjeteve sociale e marrin për moral universal të vertet. Dua Lipa ndoshta mendon se po mbron humanizmin. Por politika ndërkombëtare nuk funksionon me ndjenja artistësh. Ajo të lidh, të etiketon, të përdor dhe pastaj të hedh, si limon të shtrydhur. 🔻Sot “non grata” nga Izraeli. 🔻Nesër ndoshta kritika nga SHBA, apo më shume. 🔻Pasnesër një tjetër etiketim. Dhe dalëngadalë, artisti nuk shihet më për muzikën, por për anën politike që mban. Një këngëtare nuk ka pse të bëhet eksperte e Lindjes së Mesme. Bota nuk pret nga Dua Lipa të zgjidhë Jerusalemin. Bota e duartrokiti për skenën, jo për diplomacinë. Nëse do të mbrosh diçka, mbro jetën, paqen, fëmijët, njerëzit. Por mos hyr me flamur në një luftë ku edhe vetë historia ecën mbi mina. Mund të mbrosh Kombin tend me pasion, mund të mbrosh Londren qe të rriti dhe të dha emer, por jo deri pertej ketyre emocioneve.🇦🇱 🟨 “Kush lufton me përbindësha duhet të ruhet të mos bëhet vetë përbindësh.” Friedrich Nietzsche 🟨 “Masa nuk kërkon të vërtetën, por emocionin që e bind më shpejt.” Gustave Le Bon 🟨 “Politika është arti i manipulimit të perceptimit.” Niccolò Machiavelli ✅Morali Artisti duhet të ketë ndërgjegje. Por duhet të ketë edhe kufi. Sepse jo çdo kauzë që tingëllon humane është aq e thjeshtë sa duket nga skena apo Instagrami, apo çfare të thonë të tjeret. Kam vite që e studioj krizën Izrael, Palestinë. E kam lexuar në histori, në diplomaci, në fe, në marrëdhënie ndërkombëtare, n’shekuj, n’dekada e vite deri më sot. Kam debatuar me studentë, profesorë, diplomatë e kolegë në takime ndërkombëtare, kam referuar mbi kete fenomen. Dhe sa më shumë e studion, aq më pak bëhesh arrogant për të thënë: “Unë e di të vërtetën absolute.” Sepse realisht është shumë e vështirë të mbash anë pa u bërë padrejtësisht i verbër ndaj njërës palë. Por edhe unë personalisht, pas gjithë leximeve dhe bindjeve të mia, e kam një anë. ➖Dhe sinqerisht, ajo nuk është ana që Dua Lipa po mban sot.

Nga: Albert Zadrima

Shqetësimi për heshtjen institucionale ndaj pretendimeve të Vuçiqit: Koha për reagim të fortë dhe veprim konkret

0
Më shumë se dy javë pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku ai kërkon ndërtimin e një autostrade nga Serbia deri në Mitrovicë – madje edhe përtej saj – me “garanci amerikane”, Kosova zyrtare dhe subjektet politike vazhdojnë të heshtin. Ky mosreagim nuk është thjesht një neglizhim diplomatik; ai është shenjë shqetësuese e dobësie institucionale dhe mungese të vizionit strategjik për afirmimin e sovranitetit në tërë territorin e Republikës.

Vuçiq foli hapur: Serbia është gati të paguajë për 45 kilometra autostradë deri në Mitrovicë, por kërkon që SHBA-të të “sigurojnë” që Prishtina të mos krijojë probleme. Kjo nuk është thjesht një deklaratë infrastrukturore. Është një pretendim i ri politik që synon të legjitimojë ndërhyrjen serbe në veri të Kosovës dhe të trajtojë pjesën veriore si zonë gri apo si territor nën influencë serbe. Dhe heshtja jonë vetëm sa i jep ajër këtyre iluzioneve.

Duhet reaguar fuqishëm dhe urgjentisht
Qeveria e Kosovës, Presidentja, partitë politike kryesore dhe institucionet përkatëse duhet të dalin me një qëndrim të qartë, publik dhe të koordinuar. Sovraniteti territorial nuk negociohet nëpërmjet heshtjes. Çdo projekt infrastrukturor që prek territorin e Kosovës duhet të jetë nën autoritetin ekskluziv të institucioneve të Kosovës, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të, duhet të marrin mesazh të qartë: çdo iniciativë në Kosovë kalon vetëm nëpërmjet Prishtinës.
Por reagimi verbal nuk mjafton. Koha është për veprime konkrete që afirmojnë praninë shtetërore dhe zhvillimin ekonomik në veri:

• Aktivizimi i menjëhershëm i industrisë së rëndë në Trepçë, duke përfshirë shkritoren e metaleve në Zveçan. Trepça nuk është vetëm trashëgimi historike; ajo është potencial i madh ekonomik që mund të gjenerojë punësim, të ardhura dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e veriut, pavarësisht etnisë. Pa industri funksionale, veriu mbetet i varur nga Beogradi.

• Përfundimi i autostradës deri në Leshak. Infrastruktura rrugore moderne është parakusht për integrimin ekonomik të veriut me pjesën tjetër të Kosovës. Duhet të ndërtohet një aks i sigurt dhe modern që lidh Mitrovicën me pjesën jugore, duke e bërë veriun pjesë organike të ekonomisë kombëtare.

• Krijimi i një resorti publik në Kodra e Velisë (Velibreg). Zhvillimi turistik në këtë zonë me potencial të jashtëzakonshëm natyror mund të sjellë investime, punësim dhe prosperitet. Një resort publik do të dëshmonte se shteti kosovar investon në veri për të gjithë qytetarët, duke krijuar interesa të përbashkëta ekonomike që tejkalojnë narrativat e ndarjes.
Heshtja ndaj Vuçiqit nuk është neutralitet; ajo është dorëzim gradual
Kosova ka nevojë për një politikë aktive, vizionare dhe të guximshme në veri – jo vetëm reagim, por kundërpërgjigje përmes zhvillimit.

Institucionet duhet të punojnë me partnerët perëndimorë për të siguruar mbështetje për këto projekte, duke e bërë të qartë se sovraniteti kosovar nuk është temë diskutimi, por realitet që po konsolidohet çdo ditë.
Është koha që heshtja të zëvendësohet me zë të fortë dhe me veprime konkrete. E ardhmja e veriut të Kosovës nuk vendoset në Beograd, por në Prishtinë – përmes zhvillimit, ligjshmërisë dhe afirmimit të sovranitetit.

Xhandarmëria e Kosovës

0
Unë, pas përfundimit të shkollimeve ushtarake, kam kryer edhe trajnim specifik për njësitë e policisë ushtarake dhe ato kufitare. Me fillimin e luftës në Slloveni, më 29.06.1991, në kazermën time kalova në Ushtrinë Sllovene së bashku me njësinë kufitare që e kisha në stërvitje.
Pas përfundimit të luftës që zgjati 25 ditë, vazhdova karrierën në Ushtrinë Sllovene, ku kam qenë ligjërues dhe trajner i njësive kufitare sllovene. Në vitin 2002, pasi u largova nga TMK-ja, përpilova planin detal për formimin e Xhandarmërisë Kufitare të Kosovës, por institucionet e Kosovës atëherë nuk ishin të gatshme t’i hynin kësaj pune.
Gjatë gjithë kohës kam insistuar tek kolegët e mi në politikë dhe në FSK për nevojën e krijimit të kësaj force. Sot po shoh se Kryeministri Albin Kurti paska dhënë urdhër që Ministria e Punëve të Brendshme të fillojë procesin e formimit të Xhandarmërisë.
Dua t’ua sqaroj qytetarëve se xhandarmëria është një forcë e armatosur sigurie, e trajnuar dhe e pajisur për detyra specifike si:
Sigurimi dhe kontrolli i kufirit shtetëror
Luftimi i kontrabandës dhe krimit ndërkufitar
Luftimi i terrorizmit dhe grupeve të armatosura
Reagimi në raste krizash dhe trazirash të dhunshme
Kontrolli i zonave kufitare dhe objekteve strategjike
Mbështetja e policisë dhe ushtrisë në raste emergjente
Patrullimi i vijës kufitare dhe zonës kufitare
Operacione kërkim-shpëtimi në terrene të vështira
Kontrolli i migrimeve ilegale dhe infiltrimeve të armatosura
Mbështetja e rendit kushtetues në raste të jashtëzakonshme
Në Kosovë mendoj se rreth 1500 pjesëtarë të Xhandarmërisë do të ishin të mjaftueshëm për këto detyra.
Njësia speciale e Policisë së Kosovës mund të mbetet me stafin, detyrat dhe përgjegjësitë ekzistuese, por të kalojë në strukturën e Xhandarmërisë si njësi speciale intervenuese për luftë kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trazirave të dhunshme dhe rasteve tjera specifike brenda territorit të Kosovës.
Xhandarmërisë së Kosovës duhet t’i shtohen:
stafi komandues dhe trajnues,
sektori për informim dhe planifikim,
strukturat mbështetëse dhe logjistike.
Në secilën zonë operative të Kosovës mund të vendoset nga një kompani e Xhandarmërisë, e cila do të kishte përgjegjësi për sigurinë kufitare në atë sektor.
Po ashtu duhet të përcaktohen qartë:
rregullat e funksionimit,
detyrat dhe përgjegjësitë,
kompetencat në vijën kufitare,
kompetencat në brezin kufitar 100 metra nga vija kufitare,
dhe në zonën kufitare deri në 20 km nga kufiri.
Këto rregulla duhet të përcaktojnë edhe obligimet dhe sjelljen e qytetarëve që lëvizin ose punojnë në zonën kufitare.
Sipas mendimit tim profesional, Xhandarmëria e Kosovës normalisht do të duhej të ishte strukturë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse për arsye politike apo ndërkombëtare vendoset ndryshe, atëherë mund të organizohet edhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ne këmi FSK, Policin e Kosoves, Policin kufitare , Njësin speciale , Drpartamentin e Emergjencave por Xhandarmëria është forcë mobile ndërmjet policisë dhe ushtrisë, trajnohet për terren malor, kufitar dhe operacione speciale,
duhet të ket komandë, doktrinë dhe mision të qartë
dhe nuk duhet të krijon mbivendosje e rivalitet
institucional.
Faktikisht i bjen përforcim , profesionalizim më të mirë i Njesis Speciale dhe Policis Kufitare egzistuese me emer Xhandarmëri .
Mendoj se nuk dohet të politizohet e të bëhet zhurmë e tepruar ( siq kan filluar ) gjat këti transformimi te njesis speciale policore dhe të kompletimit të xhandarmërisë .
Nuk është punë e komplikuar dhe e ndërlikuar por duhet pumë e jo fjalë me tupan !!!

Nisma që synon ta vendosë Kosovën në hartën botërore të pelegrinazhit dhe humanizmit

0

Nënë Tereza

Nga: Valentina Mirakaj

“Mother Teresa City”

Në një kohë kur kombet kërkojnë të ndërtojnë ura bashkëpunimi, identiteti kulturor dhe zhvillim të qëndrueshëm, në Kosovë po merr formë një nga projektet më ambicioze shpirtërore dhe kulturore të viteve të fundit:

“Mother Teresa City”, një nismë e promovuar nga Lidhja e Komunave Katolike të Kosovës, me synimin për ta shndërruar Kosovën në një qendër ndërkombëtare të pelegrinazhit, dialogut dhe humanizmit.

Projekti, i frymëzuar nga trashëgimia universale e Shën Nënë Terezës, synon krijimin e një qyteti modern me karakter shpirtëror, edukativ dhe kulturor, ku do të ndërthuren besimi, arsimi, kultura dhe bashkëjetesa ndërfetare.

Në zemër të projektit parashihen qendra pelegrinazhi dhe lutjeje, institucione arsimore dhe kërkimore, muze dhe hapësira kulturore, si dhe ambiente për aktivitete humanitare dhe sociale.

Sipas konceptit të prezantuar nga organizatorët, “Mother Teresa City” nuk parashihet vetëm si një kompleks urban apo fetar, por si një qendër ndërkombëtare e paqes dhe humanizmit, që do të mbajë gjallë mesazhin e Nënë Terezës për dashurinë, solidaritetin dhe shërbimin ndaj njerëzimit.

Image

Sipas planit fillestar, projekti është paraparë të ndërtohet në rajonin e Gjakovës, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore për vendin.

Lokacioni synon të ofrojë hapësirë për zhvillimin e një kompleksi të madh ndërkombëtar, i cili do të mund të tërhiqte vizitorë, studiues, pelegrinë dhe turistë nga mbarë bota.

Një nga shtyllat kryesore të projektit është promovimi i dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Organizatorët theksojnë se fryma e Shën Nënë Terezës tejkalon kufijtë fetarë dhe kombëtarë, duke u bërë simbol universal i paqes dhe dinjitetit njerëzor.

Përfaqësues të Lidhjes së Komunave Katolike të Kosovës kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga diaspora shqiptare, komunitetet fetare, organizatat humanitare dhe investitorët që besojnë në rëndësinë e trashëgimisë së Nënë Terezës.

Nëse realizohet, “Mother Teresa City” mund të shndërrohet në një nga simbolet më të rëndësishme moderne të Kosovës — një vend ku trashëgimia e Shën Nënë Terezës do të marrë formë konkrete përmes kulturës, edukimit dhe shërbimit ndaj njerëzimit.

Qytetarët dhe mërgimtarët janë shpresa dhe forca e ndryshimit!

0

Florim Zeqa

Forcën e veprimit e gjejë tek dashuria e pafundme për vendin tim, e gjejë tek njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë, tek njerëzit e sinqertë që punojnë pa ndalur për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

I gatshëm për sfidën e madhe

Forcën dhe inspirimin gjithmonë e kam pasur dhe e kam tek idealistët dhe veprimtarët e mëhershëm, në veçanti tek ata të viteve të ’90-ta, të cilët kanë punuar ditë e natë pa llogaritur në asgjë personale, duke menduar gjithnjë për të mirën e përbashkët, duke punuar për të ardhmen e shtetit, të gatshëm për të sakrifikuar deri në vetëflijim për lirinë e vendit.

Andaj, edhe sot, 27 vjet nga çlirimi dhe 18 vjet nga pavarësimi i vendit jam i gatëshëm që përseri të vihem në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

Pavarësisht pozicionit, kudo që ndodhem gjithmonë mendjen e mbajë tek atdheu im, tek vendlinjda ime, aty ku kam lindur dhe jam rritur, aty ku i kam mësuar ninullat e para.

Mendoj dhe shpresoj fuqishëm që një ditë të kthehem të kontribuoj edhe fizikisht, që idetë e mia t’i materializoj në shërbim të qytetarëve dhe vendit tim të shenjt.

Jam i gatshëm që të kthehem në vendlindje kurdo që të më thërret atdheu, përkatësisht qytetarët e vendit tim, do të riatdhesohem për t’u bërë pjesë aktive e politik-bërjes, gjegjësisht e garës zgjedhore.

Jam i gatshëm t’i sfidojë të gjitha partitë dhe liderët partiakë pa dallim, përfshirë edhe Kryeministrin aktual, personin më të votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovën e pasluftës, z. Albin Kurti.

Të mos flasim për liderët e vegjël të partive opozitare, të cilët e kanë humbur besimin dhe kredibilitetin tek qytetarët.

Në këto rrethana, secili qytetarë i vendit që e merrë guximin dhe ju kundërvihet do të delë fitimtarë përballë tyre.

Këto nuk janë fjalë sa për t’ua bërë qejfin, as për t’iu shitur mend që jam dikushi, por zotohem përpara Juve dhe para Zotit se do të bëjë më shumë dhe më mirë sesa gjithë të tjerët deri më tani!

Ju garantoj se do ta bëjë një kthesë epokale në politik-bërjen kosovare, do ta përmirësoj imazhin e shtetit para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Qytetarë të dashur të vendit tim, ju garantoj dhe do ta ndryshoj komplet mentalitetin qeverisës në vend, që i bie se, nga mentaliteti i marrjes gjithçka nga shteti do ta kthejë në mentalitet për dhënjen gjithçka për shtetin dhe qytetarët!

Unë do të jepi gjithçka për shtetin ashtu siq dhamë gjatë viteve të rezistencës paqesore dhe luftës çlirimtare, kur garonim se cili po jepim më shumë për shtetin.

Shpresë dhe besim për një të nesërme më të mirë

Forca e ndryshimit në vendin tonë jeni Ju qytetarë të vendit tim!

Forca e ndryshimit dhe e shpresës jeni Ju bashkatdhetarë në botën mbarë, Ju që asnjëherë nuk ia kthyet shpinën atdheut, por edhe në kohët më të vështira iu qëndruat pranë qytetarëve.

Ju bashkatdhetarë e ndihmuat Kosovën në kohën më të rëndë të okupimit klasik të Serbisë, duke e mbajtur gjallë arsimin shqip, shëndetësinë, e mbi të gjitha shpresën për jetë në Kosovë.

Ju të dashur bashkatdhetarë e financuat dhe e ndihmuat materialisht edhe fizikisht duke u bërë pjesë aktive e luftës çlirimtare.

Ju bashkatdhetarë e ndërtuat dhe rindërtuat Kosovën e shkatërruar nga gërmadhat e luftës!

Tashmë ka ardhur koha, që të bashkohemi edhe një herë për Kosovën në Alternativën Demokratike për Ndryshim (ADN), për t’ua kthyer shpresën e humbur qytetarëve nga këto parti të dështuara dhe këta politikanë të tejëkonsumuar që mendojnë vetëm për xhepat e tyre e jo për mirëqenjen e qytetarëve!

Politikanët e deritanishëm asnjëherë nuk menduan për njerëzit që kanë nevojë, për qytetarët me gjëndje të rënduar socio-ekonomike e aq më pak për të sëmurët që shërimin e kërkojnë jashtë vendit, ngase shteti nuk arriti për 27 vite të krijojë as një bazë të sigurimeve shëndetësore!

“Zori të çon në derë të hasmit” (popullore)!

E vërtetë na doli të jetë kjo thënje trishtuese, ngase shumë nga qytetarët e vendit tonë shërim kërkuan dhe po kërkojnë në shtetin e Serbisë, dhe e gjejnë atë të cilën shteti për të cilin dhanë shumë dhe sakrifikuan i la në mëshirë të fatit!

Kjo është Kosova që vetëm armiqt e saj e kanë dëshiruar, e cila dita-ditës po zbrazet dhe po shkretnohet nga politikanët e saj!

Zoti e ruajt dhe bekoftë Republikën e Kosovës!

Zoti i bekoftë me mendjekthjellësi qytetarët e saj!

Zoti i ruajt mërgimtarët kudo që janë, që e ndanë kafshatën e familjeve të tyre për çlirimin e trojeve tona etnike.

P.S: Ky shkrim për më tepër se mesazh, është demonstrim i pa anësisë partiake në zgjedhjet e 7 qershorit.

Gjuha Shqipe, studentët dhe konfliktet e përçarjet politike shqiptare në rajon

0
Nga Frank Shkreli
______
Në një kohë kur në rajon po rikthehen narrativa të vjetra nacionaliste dhe memorandume që vënë në pikëpyetje identitetin, historinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e plotë dhe të barabartë të gjuhës shqipe në institucionet publike nuk janë thjesht kërkesa administrative. Ato përfaqësojnë një betejë më të thellë për dinjitet, barazi dhe njohje politike.  Sot, në trojet shqiptare, ekziston një paradoks i madh historik: shqiptarët kanë më shumë shtete, institucione dhe përfaqësim politik se kurrë më parë, por njëkohësisht duken më të fragmentuar politikisht, më të përçarë se kurrë në vizion kombëtar dhe më të dobët në bashkrendim strategjik të interesave të përbashkëta afatgjata kombëtare.
35-vjet tranzicion “post-komunist”, Shqipëria e polarizuar dhe e konfliktuar, politikisht – për fat të keq të vetin dhe të tjerëve për rreth,  vazhdon të jetë pa projekt dhe bashkrendim kombëtar.  Në Tiranë, politika shqiptare vazhdon të mbetet e mbërthyer në një konflikt që duket i përhershëm, mes mazhorancës dhe opozitës, sidomos ndërmjet dy partive kryesore politike. Diskursi i përditshëm politik publik, në media dhe në parlament, dominohet nga akuza për korrupsion, kontroll institucional, aautoritarizëm dhe luftë për pushtet, ndërsa çështjet kombëtare nuk trajtohen fare, ose trajtohen shpesh vetëm në nivel retorik, sa për sy e faqe.  Klasa politike shqiptare, pavarësisht deklarimeve patriotike, me ndonjë rast kur i përshtatet interesave partiake, nuk ka arritur të ndërtojë një platformë të qëndrueshme kombëtare për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç ndonjë vizite “folklorike” sa për dukje, gjatë viteve nga kryeminstrat ose presidentët e Shqipërisë. Në vend që Tirana zyrtare të jetë një qendër koordinimi kulturor, arsimor dhe diplomatik për shqiptarët në rajon, ajo shpesh shfaqet e fokusuar vetëm në kapjen dhe ruajtjen e pushtetit dhe në krizën e saj të brendshme politike.  Kjo dobësi pasqyrohet edhe në mungesën e reagimeve të forta institucionale ndaj sfidave me të cilat janë përballur e përballen çdo ditë e gjithnjë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës apo Mal të Zi.
Ndërkaq, ndonëse kujtimet e luftës dhe krimet e Serbisë në atë vend gjatë luftës së fundit, dhe megjith mbështjetje e fortë ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, Kosova vazhdon me një shtetësi të  papërfunduar dhe me tensione të vazhdueshme politike edhe ata për pushtet e karrige – diçka që është shumë e vështirë të kuptohet, duke marrë parasyshë sakrificat nepërt të cilat ka kaluar ai popull. Por diçka që i bën sfidat e Prishtinës, edhe më komplekse. Kosova vazhdon të përballet me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe me tensione të përhershme me Serbinë, që vështirson gjëndjen politike të konfliktuar të udhëheqjes shqiptare atje, (por nuk e justifikon). Këtë e provon edhe  publikimi i ditëve të fundit i një memorandumi të studentëve serbë për Kosovën që tregon se ideologjia shoviniste e mospranimit të realitetit të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës vazhdon të ekzistojë në segmente të rëndësishme të shoqërisë serbe, madje e dhe në brezin e ri, siç përfqësohet në studentët serbë dhe memeorandumit e tzyre të fundit mbi Kosovën.  Çfarë mesazhi dërgojnë studentët protestues në Serbi me “Memorandumin” për Kosovën? (Radio Evropa e Lirë)
Në këtë kontekst, kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe marrin një dimension edhe më të ndjeshëm dhe më urgjent sepse ato lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe me të drejtën për të ekzistuar si komunitet i barabartë.  Megjithatë dhe për fat të keq, ashtu si në Tiranë, edhe politika shqiptare në Kosovë mbetet e polarizuar. Konflikti i vazhdueshëm mes pushtetit dhe opozitës, tensionet me aleatët ndërkombëtarë dhe mungesa e një konsensusi të gjerë strategjik, kontribojnë ndjeshëm në dobësimin e  pozicionit mbarë-shqiptar në rajon në fillim të shekullit XXI, që dikur ishte deklaruar me pompozitet, si “shekulli i shqiptarëve”.  Kosova shpesh është e detyruar të reagojë ndaj krizave ditore dhe akuzave absurde nga Beogradi, duke humbur mundësinë për të ndërtuar politika afatgjata kombëtare në bashkrendim me Tiranën ngurruese zyrtare dhe  me shqiptarët në rajon.
Ja rasti konkret i kohëve të fundit. Në Shkup, çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbetet testi më i madh i barazisë ndëretnike në atë vend, por jo vetëm. Edhe pse shqiptarët janë popull shtetformues dhe Marrëveshja e Ohrit garantoi të drejta të rëndësishme pas konfliktit të vitit 2001, zbatimi praktik i barazisë vazhdon të hasë pengesa zyrtare të autoritetve, duke shkaktuar, me të drejtë, reagime dhe protesta e studentëve shqiptarë.  Kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe — gjuhën e Nënës — nuk janë aspak radikale.  Ato janë kërkesa minimale demokratike në një shtet multietnik, që pretendon të jetë demokratik, anëtar i NATO-s dhe me aspirata për antarësim në Bashkimin Evropian. Reagimet negative të autoriteteve zyrtare shtetërore të Maqedonisë së Veriut ndaj kërkesave të studentëve shqiptarë, tregojnë se — ashtu si edhe në Serbi – edhe në Maqedonië e Veriut, ende ekzistojnë struktura politike dhe shoqërore me mendësi që e shohin gjuhën shqipe si kërcënim, e jo si pasuri të përbashkët shtetërore.  E çfarë të themi për klasën politike shqiptare në atë vend!?
Pothuaj ashtu si në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut shpesh janë konsumuar nga rivalitetet për pushtet dhe pjesëmarrje në qeveri, duke humbur besueshmërinë tek një pjesë e madhe rinisë shqiptare. Me protestat e tyre, studentët shqiptarë atje po e artikulojnë gjithnjë e më shumë vetë dhe me mjete paqësore, frustrimin e tyre, jashtë kontrollit tradicional partiak.
Unë jam i mendimit se shpresa e Kombit shqiptar, mund të jetë dhe duhet të tjetë, rinia shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare, me një vizion të ri e të përbashkët për veprim në të ardhmen.  Sepse është e qartë se – në mungesë të një strategjie të përbashkët — midis Tiranës, Prishtinës e Shkupit — një element i përbashkët i rinisë shqiptare në gjithë hapësirën shqiptare, është zhgënjimi i madh i rinisë ndaj elitave politike aktuale. Studentët shqiptarë sot nuk kërkojnë vetëm të drejta gjuhësore.  Ata kërkojnë respekt, meritokraci, përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme që nuk i detyron ata të largohen nga trojet e të parëve të tyre.  Kështuqë, një BRAVO e madhe rinisë shqiptare për aktivizimin e saj! Ndërkohë që politika shqiptare gjithandej vazhdon të mbetet e përçarë, rinia po artikulon nevojën për një vetëdije të re kombëtare, më moderne, më demokratike dhe më të koordinuar. Gjuha shqipe në këtë betejë nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është simbol i identitetit, kujtesës historike dhe i të drejtës për të qenë të barabartë në vendin dhe trollin e të stërgjyshërve.
Në përmbledhje të këytre mendimeve, dua të them se trojet shqiptare sot ndodhen përballë një sfide të dyfishtë: nga njëra anë presionet dhe narrativat nacionaliste serbo-maqedonase që rikthehen në rajon dhe nga ana tjetër, fragmentimi dhe konfliktet e vetë politikës shqiptare.  Ashtuqë, uroj dhe shpresoj që nëse Tirana, Prishtina dhe Shkupi vazhdojnë të funksionojnë pa bashkrendim strategjik dhe pa një vizion të përbashkët kulturor e kombëtar, atëherë boshllëkun do ta mbushin krizat, konfliktet dhe frustrimi shoqëror.  Ndonëse në një botë normale, do të dëshironim që studentët kudo, të ishin në klasat e mësimit dhe jo në protestat e rrugës, studentët shqiptarë po japin një sinjal të qartë se të drejtat kombëtare, identiteti, gjuha dhe dinjiteti nuk mund të mbeten peng i kalkulimeve të klasës politike aktuale shqiptare. Dhe ndoshta pikërisht nga kjo gjeneratë mund të lindë një qasje e re shqiptare — më e bashkuar, më e vetëdijshme dhe më larg konflikteve të vjetra e të reja partiake, siç po ndodhë me klasën aktuale politike shqiptare anë e mbanë trojeve.
“Një komb, një gjuhë, një flamur!  Ka momente në historinë e një kombi kur heshtja bëhet padrejtësi. Sot, shqiptarët kudo që jetojnë — në trojet e tyre etnike apo në diasporë — kanë detyrimin moral dhe kombëtar të ngrihen në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët po kërkojnë asgjë më shumë, as më pak, se një të drejtë themelore njerëzore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare, e garantuar edhe nga konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.