Kreu Blog Faqe 398

Kryengritësja e Masbjeshkës që triumfalisht iu kthye përkatësisë së mohuar

1

Me znj. Amina Nuraj, korrik 2019, restorant “Trofta”, Burim

BAJRAM KABASHI

RECENSION

Po bëhen pothuaj mbi dhjetë vjet që kur komunikoj me Amina Nurajn nga Novi Pazari, që nga koha kur ajo ishte fëmijë. Unë nuk e dija se cila është mosha e saj atëherë kur komunikonim së bashku, para vitit 2016. Mirëpo, ajo për mua ishte një vajzë që imponohej me fjalorin e saj të pasur kulturor dhe për brengën që e shfaqte për prejardhjen e saj.

Në një pjesë të madhe të fëmijërisë së saj ajo kishte menduar se është me përkatësi kombëtare boshnjake, por duke i dëgjuar bisedat familjare qysh si fëmijë, nga prindërit dhe të afërmit, ajo e kishte kuptuar se nuk ishte boshnjake, por shqiptare! Identitet kombëtar ky që mbarë familja e kishte mbajtur të fshehur.

Kur flisja me të në atë kohë, komunikonim në gjuhën boshnjake dhe ndërkohë nisi të më tregonte se së shpejti do t’ia nisë ta mësonte gjuhën shqipe. “Për gjashtë muaj do ta mësoj shqipen dhe pastaj do të komunikojmë shqip me njëri tjetrin”, më pati thënë.

Pavarësisht se nuk doja që ta zhgënjeja, thjesht nuk besoja se për një kohë kaq të shkurtër ajo do të arrinte ta përvetësonte komunikimin në gjuhën shqipe. E një ditë e pata pyetur se çfarë moshe kishte, ndërsa ajo, që atëbotë e mbante mbiemrin Nuroviq, më pati thënë se gati i ka mbushur 16 vjet.

Paskam biseduar më një fëmijë, thash vetë me vete…! Por, atëherë e kuptova dhe u befasova nga kjo çupë “e vogël”; prej fjalorit të saj kulturor të pasur dhe etjes së madhe për të treguar se është shqiptare… Ky fakt më pati gëzuar shumë, sidomos këmbëngulja dhe misioni jetësor i saj që e pati treguar qysh si fëmijë, për ta zgjuar veten dhe popullin që i përkiste.

Në të vërtetë, njerëzit si Amina Nuraj lindin dhe e tregojnë gjithë atë që historia e pamëshirshme nuk i ka lejuar ta tregojnë. Ajo rrëfeu me këmbëngulje, zgjuarsi dhe trimëri të madhe se është shqiptare dhe se nuk e fsheh qenien e saj si arbërore e Masbjeshkës!

Kështu, nuk kaluan as gjashtë muaj dhe Amina Nuraj nisi të fliste shqip, në fillim duke i gjetur fjalët dhe duke i formuluar mendimet me vështirësi, por më vonë duke e pasuruar dukshëm fjalorin në gjuhën shqipe.

Sot Amina Nuraj flet rrjedhshëm, sikur që jep edhe intervista të shumta gjithashtu në gjuhën shqipe.

Fakti “se u takova” virtualisht me një njeri, që është shumë më e madhe se vitet që ka, me një Njeri që është një vullkan shpërthyes në vetvete, më gëzoi pa masë. U gëzova se me Amina Nurajn e vazhdova punën time profesionale aty ku e kisha lënë përpara luftës me intervistat dhe reportazhet e shumta nga Sanxhaku, përkatësisht nga Masbjeshka!

Intervistat me Amina Nurajn që nga dhjetori 2016 janë bashkëbisedimet më të lexuara që i kisha pasur me këdo në jetën time të gjatë në profesion.

Ndoshta fakti se e kisha intervistuar dhe ia kisha hapur dyer e dritare në portalin “Drini”, pati ndikuar që të shtohen sulmet ndaj portalit që e udhëhiqja qysh prej vitit 2006. Mendoj se edhe ato intervista ndikuan që të shkatërrohej tërësisht e për të satën herë arkivi i portalit “Drini”, qoftë me këtë, apo me intervistat që i kisha bërë me Aminen.

Por, portali “Drini” u rimëkëmb për të satën herë, ndërsa Amina Nuraj e vazhdoi edhe më furishëm rrugën e saj kah vetvetja e mohuar shqiptare.

Nga një fëmijë i druajtur, por këmbëngulës për ta treguar të vërtetën e fshehur, Amina Nuraj gradualisht u bë personalitet i dashur publik, duke u ftuar nga Presidenca e Shqipërisë, nga Kryeministria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, dhe nga shumë studio e radio anembanë hapësirës shqiptare në Gadishullin Ilirik.

Amina Nuraj, kjo kryengritëse e lindur për të drejtat e fshehura dhe të mohuara për më shumë se një shekull, pa e ditur as vetë, e vazhdoi rrugën nga aty ku e kishin lënë të tjerët: Aqif Blyta me trimat e tij, Shaban Polluzha, Mulla Zekë Bërdyna e shumë e shumë të tjerë.

Ajo e vazhdon rrugën iluministe të të gjithë atyre që në histori bënë përpjekje të jashtëzakonshme arsimore e kulturore për ta zgjuar Sanxhakun (Masbjeshkën) e asimiluar gjuhësisht, si Ernest Koliqi me mësimdhënësit e tij, e shumë të tjerë.

As dikush nga paraardhësit e Amina Nurajt nuk e ka folur shqipen për dhjetëra vjet, pavarësisht se kanë bartë qeleshe në kokë. Por, gjuha mësohet shpejt kur njeriu do, ashtu sikur që harrohet po ashtu shpejt kur u nënshtrohesh metodave pushtuese të asimilimit.

Prandaj, zemra e njerëzve si Amina, edhe kur nuk e flasin shqipen, ata në fakt e flasin atë me zemër…!

E një ndër veprat më madhështore në shërbim të rizgjimit arsimor e kulturor të asaj krahine fatkeqe në historinë e dhimbshme të kombit është rifillimi i kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, që udhëhiqet nga vetë Amina Nuraj.

Kjo është një vepër me domethënie historike, vepër tejet e çmuar në aspektin arsimor dhe kulturor.

Unë kam biseduar shpesh me Amina Nurajn, e cila më ka rrëfyer se pjesa dërmuese e banorëve të Masbjeshkës (Sanxhakut) janë me rrënjë dhe gjen shqiptar, andaj është e drejtë legjitime kthimi i tyre kah kultura dhe historia e mohuar shqiptare, edhe nëse nuk e njohin gjuhën shqipe.

Njerëzit duhet ta kuptojnë se mund të jesh shqiptar edhe kur nuk e flet shqipen dhe se nëse do dhe ke ambicie, atëherë një ditë mund ta mësosh edhe gjuhën e të parëve.

Thjesht, kjo që bën Amina Nuraj duhet parë më shumë në aspektin e historisë fatkeqe të banorëve të Masbjeshkës, të cilët nuk janë fajtorë pse i endën nëpër etni të ndryshme, herë në atë myslimane, e herë në atë boshnjake.

Kush i ka të parët shqiptarë, ai është shqiptar dhe përkatësia e tij kombëtare shqiptare nuk e dëmton, e as nuk e rrezikon askënd. Ashtu siç nuk rrezikohet Kosova nga serbët lojalë ndaj vendit, po ashtu nuk ka mundësi të rrezikohet Serbia nga banorët e Luginës së Preshevës, e as nga banorët e Sanxhakut të Novi Pazarit, nëse ata me këmbëngulje i kërkojnë dhe i realizojnë të drejtat e veta.

Të drejtat dhe liritë njerëzore që ua garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Serbisë, pavarësisht se nacionalistët serbë mund të mos pajtohen, janë minimumi i asaj çfarë meritojnë banorët e atjeshëm.

Amina Nuraj me inteligjencën e saj, me natyrshmërinë, me humanizmin dhe me vendosmërinë njerëzore e kombëtare arriti që t’i hapë dyert e çështjes që Serbia e kishte konsideruar të harruar dhe të mbyllur njëherë e përgjithmonë.

Prandaj, pas kryengritjeve të Aqif Blytës, Ahmet Dacit e të shumë trimave të tjerë të asaj ane në kohë shumë të vështira për Masbjeshkën, dalja në skenën publike e Amina Nurajt i jep jehonë e vëmendje publike kësaj çështjeje. Ajo e bëri një kryengritje të paimagjinueshme ndaj përkatësisë së huaj etnike që ia kishin mveshur të tjerët. Posa e zbuloj tragjedinë historike, e tha hapur e qartë se ajo është shqiptare, madje edhe kur nuk e njihte gjuhën shqipe. Të jesh shqiptare, serbe, bullgare, kroate, hungareze apo çka do tjetër, është gjëja më normale e mundshme, por është e pakuptueshme që kur i përket ndonjërit prej këtyre kombeve pa pasur lidhje gjenetike me të dhe pa të penguar a ushtruar dhunë tjetri ndaj teje, vazhdon të mbetesh aty.

Amina Nuraj e bëri atë që duhet ta bënte secili prej nesh, që kur nuk i përket një kombi e kulture tjetër dhe e zbulon se kujt i përket, atëherë deklarohesh hapur se je shqiptare apo tjetër.

Këtu nuk ka vend për ndonjë triumf atdhetar, por vetëm për zgjim kulturor në vendin tënd. Amina në këtë këndvështrim duhet të mos entuziazmohet nga ata që thërrasin për ndonjë misionarizëm se ta dish dhe ta kuptosh përkatësinë etnike nuk është asgjë tjetër pos respekt ndaj vetvetes, ndaj historisë e kulturës dhe ndaj traditave tua të mohuara.

Pas përpjekjeve vetëmohuese dhe rreziqeve të kuptueshme që i ka kaluar Amina Nuraj në rrugën e saj të vendosur kah vetja e mohuar nga politikat shfarosëse mbi njëshekullore, tani është koha që politika dhe diplomacia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të jenë shumë më afër njerëzve të tillë, duke ia bërë të qartë Serbisë se atë më tepër e dëmton fshehja e identiteteve, sesa bërja publike e tyre.

Prandaj, libr i zonjës Amina Nuraj “Unë, bija e Atdheut”, duhet parë si pjesë e sinqeritetit, e kulturës dhe e vendosmërisë së saj për ta përhapur lajmin për rigjetjen e vetes së humbur si shqiptare e Sanxhakut, e asaj malësie që populli shqiptar gjithmonë e ka quajtur Masbjeshka.

Pamje nga promovimi i mbrëmshëm në Librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, ku jam une, Bajram Kabashi, Amina Nuraj dhe Bashkim Pushkolli.

***

Sonte me 8 nëntor 2025, në Librarinë Dukagjini të Prishtinës, u bë promovimi i librit të Amina Nurajt nga Pazari i Ri (Novi Pazari), “Unë, bija e Atdheut”, ku fola edhe une , Bajram Kabashi, si recensent i librit.
Pjesë e promovimit ishte edhe Bashkim Pushkolli, luftëtari i njësive speciale të UÇK-së, të cilin qe nja 15 vite e kisha mik virtual, por që nga dje pata kënaqësinë e madhe të takohesha me të.
Foton e ka bërë gazetari i njohur, vetereani i gazetarisë nga Radio Televizioni i Kosovës në Prishtinë, miku im i hershëm Zekë Sinani. 
PS!
Ky libër do të ishte mirë të përkthehej menjëherë në gjuhën boshnjake dhe angleze, e pastaj edhe në ndonjë gjuhë tjetër.

____

  • Ky recension i imi është pjesë e librit të Amina Nuraj, “Unë, bija e Atdheut”

KFOR ngre nivelin e luftës teknologjike, njësitë operative tashmë me sistem anti-dron në patrullime!

1
Drizan Shala, ekspert i sigurisë
⛔️
📍Një zhvillim i ri në kuadër të prezencës ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë: njësitë operative të KFOR-it janë parë së fundmi gjatë patrullimeve të pajisura me sisteme anti-dronë të nivelit taktik, të afta për përdorim deri në nivel togu.
📍Lajmi është konfirmuar përmes prezantimit zyrtar dhe publikimit të fotografive nga vetë KFOR, ku pajisjet e avancuara shihen të integruara në strukturat patrulluese.
✅️ Sipas vlerësimit tim, ky veprim shënon një përshkallëzim të qartë të gatishmërisë teknologjike dhe mbrojtjes ajrore në terren, duke e bërë KFOR-in më të përgatitur për t’u përballur me kërcënimet moderne që burojnë nga përdorimi i dronëve për qëllime zbulimi, provokimi apo destabilizimi lokal.
📍Ky sistem ofron aftësi të menjëhershme për zbulim, identifikim dhe neutralizim të mjeteve ajrore pa pilot në rreze të afërt — një komponent kyç për sigurinë e trupave dhe integritetin e operacioneve në zona të ndjeshme.
Ky zhvillim tregon se KFOR po përshtatet shpejt ndaj natyrës hibride të kërcënimeve në rajon, ku teknologjitë civile po kthehen në instrumente të luftës informative dhe operative.
❗️
Me këtë hap, pritet të forcohet bashkëveprimi ndërmjet strukturave të KFOR-it, Policisë së Kosovës në funksion të mbrojtjes së hapësirës ajrore taktike dhe parandalimit të incidenteve të mundshme me dronë në zonat kufitare.
Burimi: Vetë KFOR — përmes prezantimit dhe publikimit të fotografive gjatë patrullimeve operative.

Rishqyrtime historike: Ripushtimi i Kosovës dhe rezistenca kombëtare (2)

0
(Me futjen e brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë, iu hap rruga brigadave partizane jugosllave për ripushtimin e saj. Kjo u kundërshtua nga Lëvizja e Rezistencës Kombëtare Shqiptare, e cila, nga komunistët, kualifikohet “lëvizje e armatosur e reaksionit” dhe “kundërrevolucion”).
Në Kosovë, në vitet e kthesave të mëdha 1943-1944, krahas realitetit antifashist dhe të shtrirjes së organizimit të tij në vend me anën e Këshillave Nacionalçlirimtare, i cili, pa ndonjë ndikim dhe herë-herë i pavërejtur fare shtrihej jashtë sferave urbane dhe të shumtën ishte i natyrës ilegale, ekzistonte pushteti real i Shtetit Shqiptar. Në planin institucional ai përfshinte jetën shoqërore, administrative, ushtarak dhe politike të vendit në formën e një mekanizmi të përbashkët. Ishte vendosur nga shtatori i vitit 1943, i dalë nga Asambleja Kombëtare, në të cilën pasi ishte shpallur ndarja e Shqipërisë nga Italia, ishte caktuar Këshilli i Lartë i Regjencës me Mehdi Frashërin në krye, që më 5 nëntor kishte emëruar edhe qeverinë shqiptare me kryetar Rexhep Mitrovicën. Në spektrin politik të vendit përfshiheshin forca të ndryshme, të shfaqura gjatë kohës së regjimit të qeverisë së Mustafa Krujës, por aktiviteti i tyre ishte intensifikuar në prag të kapitullimit fashist, në verën e vitit 1943, ku më i fuqishmi shfaqej “Balli Kombëtar”, i ndjekur edhe nga “Legaliteti”.
Meqë ballistët si forca më e përhapur dhe më e konsoliduar politike në Kosovë dhe pjesët e Maqedonisë që luftonin për një Shqipëri Etnike, ishin futur në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ishte e natyrshme që ata, si forcë kryesore politike që kishte qeverisur vendin për më shumë se një vit, ta merrnin përgjegjësinë kryesore të mbrojtjes së vendit.
Mund të thuhet se në kuadër të kësaj përgjegjësie Ballistët, të cilët ishin forca kryesore në xhandarmëri, bashkë me njësitë e tjera mbrojtëse që i drejtonte Lidhja II e Prizrenit (numri i të cilave vlerësohej se kalonte dhjetë mijë dhe nga pikëpamja e organizimit ushtarak dhe pajisjes mbikëqyreshin nga Vermahti), nga fillimi ishin vënë në ballë të detyrës, në mbrojtje të kufijve veriorë të vendit (në drejtim të Saxhakut dhe në lindje, në drejtim të Serbisë), duke u ndeshur me forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit, i cili synonte që të depërtonte në pjesët veriore të Kosovës. Ngjashëm kishin vepruar edhe në Maqedoninë Perëndimore, kur, pak më vonë, pas kapitullimit të forcave bullgare kishin pushtuar hapësirën që ata mbanin (në Shkup dhe Dibër), duke zgjeruar kështu hapësirën e shtetit shqiptar në ato pjesë për të cilat pretendonin edhe partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë, me të cilët ata do të zhvillojnë luftime të ashpra gjatë gjithë kohës.
Luftimet e para me çetnikët serbë u bënë nga fundi i nëntorit të vitit 1943 me rastin e sulmit që ata ua bënë disa katundeve të Pejës dhe tutje Rugovës. Luftimet, që shkuan deri në Kollashin, zgjatën mbi tri javë, që ndonëse me humbje të shumta për të dy palët, përfunduan me disfatën e çetnikëve.
Në janar të vitit 1944 çeta e Pavle Gjurishiqit bëri një sulm të papritur në Morinë të Malit të Zi dhe në Çakorr, por u zmbraps me humbje të ndjeshme nga forcat e Lidhjes. Po në atë kohë, pati sulme çetnike dhe në Shekullarë, ku forcat shqiptare kaluan në kundërsulm dhe pushtuan Shekullarën.
Sulmet çetnike do të shpërthejnë edhe në anën e Tutinit dhe të Pazarit të Ri. Ato u thyen nga mbrojtësit nën drejtimin e Aqif Blytës, të cilit i erdhën në ndihmë vullnetarët e Ukë Gjurgjevikut, i vëllai i të cilit, Sadiku, me forcat e tij mbronte kufirin në drejtim të Kollashinit.
Forcat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, edhe pse nuk kishin shumë kohë për t’u konsoliduar ushtarakisht, kishin përgjegjësinë e mbrojtjes së kufirit në verilindje në një gjatësi nga Sanxhaku e deri në Karadak, fillimisht kundër forcave çetnike e më vonë kundër atyre partizane, të cilat u intensifikuan në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 pasi që ushtria sovjetike të ketë depërtuar në Bullgari dhe po bëhej gati të kalonte edhe në pjesën e Jugosllavisë. Ndërkohë edhe ushtria gjermane “F” kishte filluar tërheqjen nga jugu (nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia) drejt veriut, në mënyrë që të shpërthente linjën e frontin të aleatëve, që kishte filluar të vendosej në Srem për ta penguar grupimin e tyre në hapësirën Danub-Elbë, prej nga Gjermanët planifikonin “stabilizimin dhe rikthimin” në luftë kundër Sovjetikëve dhe forcave aleate në pjesën qendrore të Europës dhe hapësirën gjermane.
Në përputhje me këto zhvillime, edhe forcat kryesore të ushtrisë shqiptare, ato të regjimentit IV të Prishtinës të komanduara nga kolonel Fuat Dibra (Fuat Xhaferraj), ishin përqendruar në pjesën e kufirit nga Mitrovica deri te Gjilani dhe Karadaku, të cilat do të ndeshen me brigadat partizane jugosllave nga fundi i verës së vitit 1944 dhe gjatë vjeshtës dhe dimrit të atij viti. Në fillim të shtatorit forcat shqiptare të Regjimentit IV të Prishtinës, patën një përleshje të ashpër në pjesët e skajshme të Podujevës me partizanët jugosllavë dhe disa njësi bullgare, të cilat përpiqeshin të depërtonin në Podujevë. Me këtë rast u shkatërruan tri divizione bullgare të motorizuara, që tashmë udhëhiqeshin nga komunistët. Në këto luftime mori pjesë edhe batalioni i të rinjve nga Vuçitërna “Hasan Prishtina”, i cili pati humbje të mëdha.
Forcat mbrojtëse të Lidhjes bashkë me ato të tjerat patriotike (të shumtën vullnetarë), gjatë gjithë muajit shtator, përkundër humbjeve të mëdha, ndalën depërtimin e aradheve partizaneve jugosllave, të cilat ia kishin mësyrë Kosovës nga verilindja dhe jugu. Por ato nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë sulmeve të tyre të vazhdueshme më gjatë, meqë ishin më të paktë, të papërgatitur si duhet ushtarakisht, dhe ç’ishte edhe më keq, pas fillimit të tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut, me anatemën e “bashkëpunëtorëve fashistë” dhe të “kuislingëve,” në Kosovë dhe Shqipëri, forca nacionaliste dhe patriotike, kishin mbetur pa furnizim dhe të vetmuara. Në këtë rrethana, të përballuara me formacione të rregullta ushtarake jugosllave, të cilat ndihmoheshin nga partizanët sovjetikë, forcat e shkapërderdhura patriotike, humbjen e përbashkët e kishin të pashmangshme.
Edhe si të tilla, pra të shkëputura dhe në atë gjendje, forcat nacionaliste dhe patriotike, në luftë kundër pushtuesve sllavo-komunistë, ushqeheshin nga një nacionalizëm i sinqertë burimor-popullor, që lidhej me mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe të vatanit. Te disa grupe dhe formacione të shkapërderdhura ushtarake (të Ballit, Legalitetit, Lidhjes e të tjera) mbretëronte shpresa se rezis-tenca edhe si e tillë ja vlente të vazhdohej deri në pikën e fundit. Meqë një ditë, si e tillë, do të përfillej nga aleatët anglo-amerikanë, të cilët përkundër marrëveshje që kishin me Sovjetikët rreth ndarjeve të sferave të interesit Lindje-Perëndim, rezistencën shqiptare mund ta shfrytëzonin në dobi të zgjerimit të sferës së tyre.
Si do të shihet, ky iluzion do ta mbajë të gjallë rezistencën e disa grupeve të shkëputur edhe për dy vitet e ardhshme, me të cilin ata edhe do të largohen për në Greqi me shpresën se një ditë do të kthehen në atdheun e tyre të lirë.
Por, me fillimin e fundit të Gjermanëve në Shqipëri, do të vijë edhe fundi i Qeverisë Shqiptare, e cila para një viti pati edhe miratimin e Vermahtit gjerman dhe madje edhe të vetë Hitlerit, i cili në Berlin priti Xhafer Devën, në cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me ç’rast u morën vesh edhe për “aftësimin ushtarak të Kosovës për t’u vetëmbrojtur”, gjë që në të edhe filloi të punohet. Por, ishte koha tepër e shkurtë si dhe fatet e luftës që po shkonin në dëm të Fuqive të Boshtit, që pas pak atë do ta ballafaqojnë me disfatën, që e pamundësuan të ngrihet në nivel të përgjegjësisë së duhur.
Në këto rrethana, ishte e natyrshme që edhe qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe së fundit ajo e Xhafer Devës, me hapësirë të kufizuar veprimit dhe të varur nga raportet e luftës botërore, të përjetonin fatin e mbështetësve të tyre kryesorë. Kjo do të shihet çastet që Gjermanët do të përgatiten të largohen nga Shqipëria, nuk iu mbetej tjetër pos që më 26 tetor, të shpallnin botërisht se i jepnin fund çdo veprimtarie të tyre qeveritare dhe, me ndihmën e Gjermanëve, nga ana e detit, do të largohen në drejtim të Vjenës dhe Berlinit.
Largimi i qeverisë së Xhafer Devës si dhe udhëheqjes së ngushtë të saj në drejtim të Perëndimit i hapi rrugën triumfit partizan si dhe vendosjes së pushtetit të tyre.
Në Kosovë, vendosja e pushtetit partizan njëherësh do të thoshte ripushtim i Kosovës nga sllavo-komunistët, që për uverturë pati futjen e njësive partizane nga Shqipëria (Brigada V dhe III), të cilat pas pak atë do t’ua dorëzojnë partizanëve jugosllavë. Brigadat e tyre (të shumtën çetnikë të konvertuar në partizanë), me mbi 30 mijë forca të organizuara ushtarake, depërtuan nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe pas pak edhe nga Çakorri, në drejtim të Pejës, duke ripushtuar pëllëmbë për pëllëmbë hapësirën e saj.
Sidoqoftë, edhe në atë gjendje të rëndë të okupimit të Kosovës nga ana e forcave partizane jugosllave, që ua kishin hapur rrugën partizanët e Shqipërisë, do të fillojë të funksionojë betimi i mbrojtjes së vatanit në formën e shprehjes së rezistencës së armatosur, e cila ndonëse nuk do të ketë një koncept gjithë-përfshirës dhe as një qendër të përbashkët veprimi, megjithatë riaktivizoi gjuhën e mospajtimit me pushtimin sllavo-komunist, e cila u pasqyrua me shfaqjen e rezistencës së armatosur ndaj një gjenocid tashmë të paralajmëruar që vendit po i përgatitej nga komunistët. Ai bëhej edhe më ogurzi kur lidhej me programet e kahershme hegjemoniste të Beogradit ndaj Shqiptarëve dhe hapësirës së tyre jetësore, të cilave rrethanat e reja ua krijonin këtë mundësi.
Edhe pse propaganda jugosllave menjëherë rezistencën e forcave të shkapërderdhura balliste dhe të grupimeve të tjera nacionaliste dhe patriotike kundër ripushtimit sllavo-komunsit të Kosovës (fillimisht në Ferizaj dhe pastaj në Gjilan, e cila do të jetë më e theksuar nga fillimi i dhjetorit), ku në shumë prej tyre edhe më tutje kishte flakëruar shpresa e zbarkimit të premtuar anglo-amerikan, do ta cilësojë “fillim i kundërrevolucionit shqiptar të përmasave të mëdha”, që udhëhiqej drejtpërdrejt nga “shtabi i fshehur i Xhafer Devës” e të ngjashme – ajo nuk kishte qenë e tillë dhe as që kishte pasur mundësi të ishte e tillë. Meqë në Kosovë nuk kishte ngadhënjyer kurrfarë revolucioni, siç quhej, por kishte ndodhur ripushtimi i saj nga aradhet partizane jugosllave, të cilat kishin rrënuar një pushtet legjitim shqiptar, të shpallur në tetorin e vitit 1943 nga përfaqësuesit e vet legjitim, të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Fakti se shteti i pavarur shqiptar kishte lindur në rrethanat e pushtimit gjerman që kishte zëvendësuar atë italian dhe si i tillë ishte pranuar prej tij madje duke iu garantuar edhe neutraliteti dhe se forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe gjetiu ishin vënë në mbrojtje të tij dhe kundër ripushtimit jugosllav, ata nuk mund t’i kthente në “kuislingë” dhe “shërbëtorë të okupatorit” me të cilët duhej qëruar hesapet me mjete revolucionare pasi që të jenë shpallur “kundërrevolucionarë”, por në viktima të një terrori të ri shtetëror-ideologjik, që po vendosej për të lansuar një diktaturë të re komuniste.
Andaj, nga kjo pikëpamje, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit të saj nga partizanët jugosllavë dhe aleatët e tyre shqiptarë, njëherësh paraqiste rezistencën e parë të armatosur antikomuniste në Europë në vigjilje të fitores së komunizmit në lindje të saj dhe të lansimit të socializmit si model shtetëror në përputhje me ideologjinë e bolshevizmit sovjetik.
Lëvizja antikomuniste shqiptare, e fokusuar të shumtën në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, mbeti “e shkëputur” dhe e pa përkrahur dhe me anatemën “e kundërrevolucionit” që ia vunë jugosllavët, ngaqë, si u pa në Konferencën e Jaltës, Anglo-Amerikanët nuk ishin në gjendje për një konfrontim me Sovjetikët – aleatin e tyre të fuqishëm kundër fashizmit.
Në këto rrethana, alarmi i shpërthimit të “kundërrevolucionit”, i shpallur me të gjitha kambanat, jugosllavëve do t’u konvenojë që atë ta shfrytëzojnë shumanshëm për t’i realizuar qëllimet sa më parë, dhe kjo ishte në përputhje me qortimet dhe kërcënimet që i vinin Kosovës që nga Konferenca e Bujanit, sipas të cilave hyrja në Kosovë e njësive partizane jugosllave duhej të sillte:
a) rrënimin e strukturave të pushtetit vendor, të dala nga Konferenca Nacionalçlirimtare e Bujanit
b) rrënimin e strukturave ushtarake të Shqiptarëve si dhe shkrirjen e mbetjeve të tyre në përbërje të ushtrisë jugosllave
c) anulimin e vendimeve të Bujanit rreth vetëvendosjes së Shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë si të drejtë që u takonte në përputhje me Kartën e Atlantikut dhe krahas kësaj të krijohen rrethanat për një “deklarim tjetër vullnetar” të bashkimit të Kosovës me Serbinë nga i njëjti forum si dhe
d) qërimin e hesapeve me nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, në emër të “bashkëpunëtorëve të fashizmit”, me çka mund të hiqej qafe secili shqiptar që nuk i përkiste lëvizjes nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komunistët.
Kështu, pa dimensionin e “kundërrevolucionit” dhe alarmin e tij, Jugosllavët nuk do të mund të shpallnin vendosjen e gjendjes ushtarake, siç do të veprohet më 8 shkurt 1945, dhe pa këtë “alarm”, nuk do të mund të krijonin rrethanat për ripushtimin faktik të Kosovës dhe aneksimin e saj nga Serbia, duke përfshirë këtu Kuvendin e Prizrenit mbajtur nga 8-10 korrik1945, edhe pse për këtë ata kishin miratimin e Konferencës së Jaltës.
(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 336-341)

Ferronikeli dhe nepërkëmbja sociale e punëtorëve kosovarë

0
Zeqir Bekolli, Drenas
___
Mbyllja e pjesshme dhe largimi nga puna i rreth 600 punëtorëve të “Ferronikelit” është një tjetër dëshmi e dhimbshme e dështimit të politikave ekonomike dhe sociale në Kosovë. Ky gjigant metalurgjik, dikur krenaria industriale e Drenasit dhe e tërë vendit, po shndërrohet në një simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit shtetëror për zhvillimin ekonomik afatgjatë.
“Ferronikeli”, që u ngrit pas viteve ’70, kishte dikur mbi 2 mijë punëtorë. Ai mbante familje të tëra, gjenerata të punëtorëve që e ndërtuan me mund, djersë e sakrificë. Por pas privatizimit të tij me një shumë simbolike prej vetëm 30 milionë eurosh, nisën reduktimet, ndërrimet e pronarëve dhe rrënimi i ngadalshëm i një pasurie kombëtare. Ajo që e bën situatën edhe më absurde është fakti se, përveç objekteve industriale, u privatizuan edhe vetë minierat, një veprim që në shumicën e shteteve të botës as nuk mund të mendohet!
Sot, në vend të zhvillimit, shohim ndërprerje të shpeshta të prodhimit, borxhe, humbje e mbi të gjitha, njerëz të papunë. Shumica e atyre që u larguan nga puna janë në moshë të mesme ose të madhe, me kredi bankare e pa perspektivë. Ata janë punëtorë që nuk kanë as mbështetje ligjore e as përkrahje institucionale. Në Kosovë mungon një ligj për mbrojtjen e punëtorëve të sektorit privat, diçka që në vendet e zhvilluara është themel i politikës sociale.
As komuna, as sindikatat nuk kanë mundësi të ndryshojnë shumë. Ato janë shndërruar në zëra të pafuqishëm përballë indiferencës së qeverive që, në vend se të ndërhyjnë për të shpëtuar vendet e punës, heshtin ose japin premtime boshe!
Pyetja që shtrohet tash është e thjeshtë, por e rëndë: çfarë do të ndodhë me këta 600 punëtorë? A do të bëhen barrë sociale e shtetit? Apo do të detyrohen të kërkojnë rrugë të tjera për mbijetesë, ndoshta edhe duke e lënë vendin?
Rasti i “Ferronikelit” duhet të jetë një kambanë alarmi për qeverinë dhe për shoqërinë kosovare. Sepse kur bie një fabrikë e tillë, nuk humbet vetëm një vend pune, bie një pjesë e ekonomisë, bie dinjiteti i punëtorit, dhe humbet besimi se në këtë vend nuk mund të ndërtohet e ardhmja me punë të ndershme.

Dëshmi arkivore mbi pronat në zonën kufitare Shqipëri-Mali i Zi

0
Hajrullah Hajdari, PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi, Botoi:Art Club, Ulqin, 2019

Pas dy botimëve të mëparshme  “Shqiptarët në Malë të Zi nga Kongresi i Berlinit e deri në vitin 1941”(2016) dhe “Ulqini në dokumentat malazeze nga viti 1880 e deri më  1915”(2018), ditë më parë Hajro Hajdari opinionit i prezantohet më botimin më të ri me titull “PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Botuar nga Art Club-i, Ulqin, 2019.

Nga: Nail Draga, Ulqin

Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një temë interesante e cila deri më tash ka qenë pothuaj e panjohur për opinion e gjerë, andaj si e tillë është intriguese për lexuesit. Fjala është për pronat dypalëshe të qytetarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fillimisht autori trajton semantikën e terminologjisë juridike të pronave dypalëshe e cila është trajtuar pak në literaturën juridike, andaj ka mbetur në margjina të çështjeve të tilla duke dhënë informacione të mjaftueshme në aspektin terminologjik dhe ate juridik. Me themelimin e shtetëve të pavaruara  në shek.XIX, në Europën Juglindore në opinion u paraqit edhe koncepti i zonave kufitare, ku përveç të ndonjë rastitë veçantë  nuk ka qenë objekt i hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme shkencore.

Në këtë botim fillimisht autori trajton përcaktimin kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke filluar me Kongresin e Berlinit(1878) dhe më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), më ç’rast vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Vendimet e tilla absurde të Fuqive të Mëdha  ndikuan që një numër i konsideruar i popullsisë e viseve shqiptare të mbesin jashtë shtetit amë-Shqipërisë. Një veprim i tillë ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën etnike e historike të popullit shqiptar ku padrejtësisht u vendos kundër vullnetit tyre. Dhe një veprim i tillë, ndikoj që Shqipëria të kufizohet më popullin e vet, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në lidhje me këtë çështje autori ofron të dhëna me interes, në diakroni e sinkroni para Luftës së Parë Botërore,  pas saj deri në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas që përmbyllet me vitin 1948. Në periudhat në fjalë janë arritur marrëveshje në mes dy vendëve ku si model pozitiv mund të shërbejë koha në mes dy luftërave botërore në mes Mbretërisë Jugosllave e asaj të Shqipërisë, ku janë miratuar marrëveshje  të ndryshme të cilat ishin në favor të qarkullimit ndërkufitar të popullsisë në zonën kufitare e cila ishte kryesisht shqiptare. Fjala është për distancën 10km nga kufiri ku popullsia përkatëse në vendkalimet kufitare kalonte për të shkuar në treg, punimin e tokave, bartjen e prodhimeve bujqësore, përdorimin e kullosave etj. Përveç vendkalimeve zyrtare kufitare kanë ekzistuar edhe vendkalime kufitare jozyrtare, që ka të bëjë me perdorimin sezonal, kryesisht të prodhimeve bujqësore.

Kështu nëse analizojmë vendkalimet e tilla të zonës kufitare nga liqeni i Shkodrës e deri në Grykë të Bunës, del se kanë ekzistuar 8 vendkalime të tilla, ku nga to 4 ishin tokësore e 4 ujore. Një e dhënë e tillë dëshmon për demokracinë e ekzistuar praktike për qarkullimin ndërkufitar e dhënë kjo e cila nuk ka ekzistuar nga viti 1948 e më pas, kur kjo zonë humbi përmbajtjën e saj sepse kanë dominuar interesat ideologjike e jo ato kombëtare nga ana e shtetit amë-Shqipërisë, që ka pasur pasoja të mëdha për atë kohë, ku autori më të drejtë e quan “gjenocid social”.

Për  përgatitjen e këtij botimi autori përveç literaturësprofesionale të cilën e ka konsultuar, në veçanti ka përdorur materialet arkivore nga Arkivi Qendror i Shqipërisë dhe Arkivi Shetëror i Malit të Zi, të cilat pas hulumtimit dhe përpunimit të tyre ka ofruar të dhëna me interes, të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Me interes janë prezantimi i materialeve të Komisioneve mikste shqiptaro-jugosllave për çështjet pronësore të cilat kanë qenë aktive deri në vitin 1948, duke përfunduar me vitin 1953. Po ashtu me vlerë të veçantë janë paraqitja e regjistrave të familjeve të shtetasve shqiptarë që kanë pronat në Jugosllavi, dhe e kundërta e shtetasve jugosllavë, më përkatësi të kombësisë shqiptare në Shqipëri. Regjistri i tillë ka vlerë të veçantë jo vetëm sa i përkët pronësisë së tokave përkatëse, por edhe shpërndarjën territoriale të tyre nga Shtoji i Ulqinit në jug e deri në Guci e Plavë në veri për gjatë zonës kufitare në gjatësi prej 172 km. Nga të dhënat e prezantuara del se më së shumti prona dypalëshe kanë shqiptarët nga Mali i Zi në Shqipëri rreth 4000 ha, ndërsa më pak kanë shqiptarët nga Shqipëria në Mal të Zi rreth 600 ha.

Pasi nga viti 1948, u prishën marrëdhëniet në mes ish-Jugosllavisë e Shqipërisë për shkaqe ideologjike dhe politike, pasojat e para u hetuan në zonën kufitare, sepse u pengua qarkullimi i lirë përmes lejës së kufinit dhe shfrytëzimit të pronave dypalëshe, duke mbetur zona të izoluara,  të rrezikshme dhe të papërspektivë. Madje pronat e tilla humben  përmbajtjën e mëparshme sepse shumë prej tyre u shtetëzuan, apo iu janë dhënë të tjerëve për shfrytëzim si kompensim për pronat e tyre në anën tjetër të kufirit. Kështu  p.sh.në Anë të Malit, Krajë e gjetiu, pronat e tilla që ishin në shfrytëzim, njiheshin si “toka të Shqipnisë”, ku  këtë tretman e vazhduan një periudhë të caktuar kohore, ndërsa më vonë u regjistruan në katastër  si pronarë “legjitim” të tyre që ishte në kundërshtim flagrant ligjor, shtetëror dhe ndërkombëtar.

Ndërsa pas vitit 1990, me miratimin e pluralizmit dhe qarkullimit të lirë të personave në mes dy vendëve, filloi interesimi për pronat legjitime në të dy anët e kufirit. Në këtë aspekt  ndonëse me një vonesë të konsideruar ekziston  baza ligjore për të zhvilluar proceset e tilla gjyqësore, për të iu rikthyer pronat pronarëve legjitim, por mungon marrëveshja shtetërore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, që nuk mund të arsyetohet më asgjë, përveç me pakujdësi dhe joseriozitet profesional. Sepse pavarësisht rrethanave shoqërore prona mbetët e shenjtë dhe si e tillë duhet të iu kthehet pronarëve legjitim. Vetëm ne këtë formë të veprimit përmes gjykatave vendore, shtetëtore e madje deri të ajo ndërkombëtare në Strasburg, do të eliminohej një padrejtësi e imponuar dekada më parë, që është në kundërshtim flagrant ndaj të drejtave legale e legjitime të qytetarëve të zonës kufitare.

Andaj, duke uruar autorin  këtë botim e vlerësojmë në mënyrë të veçantë sepse është i pari me një përmbajtje të tillë, ku besoj së do të jetë një impuls pozitiv për hulumtues të tjerë që duan të merren me një çështje të tillë në zonën kufitare. Nuk ka dilemë së një çështje e tillë sa është profesionale është edhe kombëtare, sepse ka të bëjë me  popullsinë shqiptare në zonën kufitare në të kaluarën e deri në ditët tona.

Pikërisht duke marrë parasysh këtë çështje duhet mbeshtetur të gjithë ata që do të angazhohen në studime e hulumtime të tilla  në të ardhmën  duke mbetur si mision profesional dhe kombëtar sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

In memoriam

Hajrullah Hajdari (1949-2025)

Në Ulqin me  12  tetor 2025, në moshën 76 vjeçare vdiq Hajrullah Hajdari, jurist e studiues, autor i disa botimevekryesisht nga fusha e historisë. Ka lindur në Bobosht-Krajë(1949), ku ka kryer shkollën fillore, të mesmen në Gjakovë ndërsa Shkollën e Lartë Administrative  dheFakultetin juridik në Prishtinë. Eshtë marrë me hulumtimin dhe studimin e dokumentëve arkivore dhe ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore.

Është autor i 6 librave: “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”, Ulqin, 2016; “Ulqini në dokumentët malazeze nga viti 1880 deri në vitin 1915”, Ulqin, 2018; “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në Mal të Zi në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Ulqin, 2019; “Pozita kushtetuese-juridike  dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi 1945-1990”, Ulqin,2021; “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”(Botim i dytë i plotësuar), Ulqin, 2021  dhe “Balshajt dhe objektët kishtare në goricat e liqenit të Shkodrës”, Shkodër, 2025.

Recensioni për librin “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në Mal të Zi në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”, Ulqin, 2019, është  shkruar në vitin 2019, ndërsa ribotohet në nderim të autorit.

Balotazhin në Kosovë nuk e “vrasin” lodhja e zhgënjimi i qytetarëve, por “pazaret” e politikës!

0

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Nga përvoja e zgjedhjeve të pasluftës, si një demokraci në ngritje, kam vërejtur një fenomen interesant: rënien e daljes në votim, sidomos kur bëhet fjalë për raundin e dytë – balotazhin!

Për vendet me traditë të gjatë demokratike, e kam përgjigjen, sepse ka mjaft studime që e shpjegojnë këtë dukuri. Por për përvojën tonë, në mungesë të këtyre studimeve, më duhet të shërbehem me hipoteza dhe ta shpjegoj këtë dalje të ulët përmes disa faktorëve sociologjikë, si: faktori i zhgënjimit politik ndaj sistemit dhe elitave të konsumuara; mungesa e një gare fair play midis kundërkandidatëve; si dhe faktori i lodhjes politike dhe i indiferencës publike që krijon raundi i dytë, kur nuk votohet për të preferuarin. Të shkojmë me radhë.

1. Zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj sistemit politik dhe elitave janë një kriter e një parametër matës që, në “vija të trasha”, na ndihmojnë të kuptojmë si nivelin e emancipimit politik të votuesve, ashtu edhe perceptimin që ata krijojnë në ndërkohë për partinë dhe kandidatin. Kjo klimë mosbesimi – do shtoja edhe me doza frustrimi – manifestohet përmes daljes së ulët në zgjedhje, sidomos kur votuesit e tipit militant nuk e shohin kandidatin e tyre në balotazh. Ndjesia e mospërfaqësimit në këtë fazë, sepse vota e tyre nuk i adresohet as kandidatit, as partisë që ka humbur në raundin e parë, krijon një perceptim për pafuqinë që të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të balotazhit.

2. Një tjetër faktor, po ashtu i rëndësishëm, në gjithë “odisejadën” e uljes së daljes në raundin e dytë, është mungesa e një gare të gjerë dhe fair play midis kundërkandidatëve që nuk i takojnë preferencave të votuesit potencial. Kjo bën që balotazhi të mos perceptohet si garë ku reflektohet vullneti qytetar, por si një proces i “pazareve politike” dhe manipulimeve të hapura ndërmjet subjekteve garuese. Natyrisht, një perceptim i tillë subjektiv ndikon negativisht në legjitimitetin e procesit dhe ul entuziazmin e votuesve për pjesëmarrje masive.

3. Faktori i lodhjes politike dhe i indiferencës publike, që e krijon raundi i dytë kur nuk votohet për kandidatin e preferuar, padyshim që luan një rol të madh në uljen e daljes në zgjedhje. Kjo ndodh edhe për shkak të lodhjes që sjell mungesa e një fushate mobilizuese të balotazhit, e cila do të rriste interesimin dhe entuziazmin qytetar. Përveç që i bën këta votues apatikë dhe pasivë, kjo situatë i kthen ata edhe në “prognozues të denjë” të rezultatit final. Pra, mungesa e një presioni të theksuar publik dhe e një mobilizimi të strukturuar e vë edhe votuesin militant, por edhe atë të arsyeshëm, në “shtratin e Prokrustit”, duke e lënë në dilemë pse duhet të dalë të votojë, kur nuk ka preferenca të qarta parazgjedhore.

P.S. Sido që të jetë diapazoni i interesimit apo edhe kureshtjes për balotazhin, unë gjykoj dhe këshilloj që, pavarësisht zhgënjimit, lodhjes dhe mungesës së një gare dinamike për Juve votuesve, NESËR DILNI E VOTONI, në mos për kandidatet e partitë politike, të paktën do votoni për shtetin e Kosovës…

Kujtesa e dhimbjes – koncerti i ndaluar i Prishtinës (1974–1976)

Sak Muji, Rugovë – Zvicër
🖋️ Nga kujtesa e Sak Mujit Në vitet ’70, kur fryma shqiptare në Kosovë përpiqej të merrte frymë nën trysninë e një sistemi që s’e donte, mjaftonte një koncert që të bëhej pretekst për dhunë. Ishte koha e koncerteve të Ansamblit të Shqipërisë, me Gaço Qakon, Ema Qazimin, Bik Ndion, Ibrahim Tukiqin – një natë që duhej të ishte festë e kulturës, por u kthye në makth për shumë studentë. Në mesin e qindra të rinjve që brohorisnin “Rroftë Shqipëria!”, mjaftoi një urdhër i fshehtë dhe milicia shpërtheu si breshër mbi trupat tanë. Në ato shkallë të Pallatit të Sporteve, u rrahën me egërsi Abdullah Tahiri, Ibrahim Nikqi, Riza Demaj, Sonje Vesel Ibishi – Veseli dhe unë. Në publik, studentët thërrisnin “Poshtë spiunët!”, “Poshtë dhuna!” – një britmë që kumbon ende si plagë e brezit tonë. Nuk ishte veç dhuna fizike që lëndonte, por tradhtia e brendshme, ajo dorë që s’e prisje të ngrihej mbi shqiptarët. Dhe ajo dorë, më pas, u bë sistem. Një sistem që mban ende hijen e asaj nate. Procesi i montuar – “Fjalët që nuk i thashë kurrë” 🖋️

Nga kujtesa e Sak Mujit Pas asaj nate të Prishtinës, erdhi gjykimi – jo i drejtësisë, por i mendimit. Në fund të viteve ’70, gjykatat e Kosovës nuk ishin sallat e ligjit, por skena të përgatitura për të dënuar fjalën e lirë shqiptare. Në njërin nga ato procese, me Orhan Rekathatin dhe Tadei Rodiqin në krye të trupit gjykues, u shpik një akuzë që edhe sot tingëllon absurde: se unë, Sylë (Sak) Muji, paskam thënë se “do t’ua cërravi veshët” disa bashkëqytetarëve të mi. Në të vërtetë, unë s’e kisha thënë kurrë atë fjali — ajo u sajuar nga aparati i Sigurimit për të justifikuar ndëshkimin e mendimit ndryshe. Ishte koha kur fjala dënohej si armë, kur çdo zë që kërkonte drejtësi shpallej “rrezik për rendin”. Në gjyq nuk më dënuan për fjalët që kisha thënë, por për atë që përfaqësoja: një brez që kërkonte drejtësi, dinjitet dhe kujtesë. Në aktakuzë s’ishte shënuar emri i krimit, por frika e pushtetit nga e vërteta.

Fotot në tekstin nostalgjik të Sak Mujit janë të vitit 1974

“Çlirimi” i Kosovës nga partizanët shqiptarë dhe jugosllavë, ishte ripushtim sllavo-komunist

– Nga këndvështrimi historik, futja e aradhave partizane shqiptare-jugosllave në Kosovë në shtatorin e viti 1944, anulimi i vendimeve të Konferencës së Bujanit në Konferencën e Prizrenit në korrik të vitit 1945, në rrethanat e administrimit ushtarak, duhet të cilësohet ripushtim i Kosovës nga Beogradi.
Skenari për t’u ripushtuar Kosova nga forcat jugosllave duhej të fillonte doemos edhe me “pajtimin” e partizanëve shqiptarë “në kuadër të bashkëveprimit ndërmjet Ushtrisë së NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku reaksionin e atjeshëm”.
Sipas këtij skenari, futja e njësive jugosllave në Kosovë, duhej të bëhej, sipas një kërkese të ardhur nga UNÇ e Shqipërisë, pasi që atje paraprakisht të jenë futur njësitë partizane nga Shqipëria, të cilat do t’ua hapnin rrugën atyre. Kjo jo vetëm që do të përjashtonte çfarëdo dyshimi se në Kosovë partizanët jugosllavë kishin hyrë jashtë vullnetit të Shqiptarëve, por këtë e kishin bërë bashkërisht me partizanët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkuar mbi parimet e vëllazërim-bashkimit.
Ndonëse, formale, kjo kërkesë kishte rëndësi të veçantë, për t’u arsyetuar dredhitë që komunistët jugosllavë kishin paraparë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ato të mbeteshin nën tutelën e Beogradit “me dëshirë” dhe në kuadër të luftës së përbashkët antifashiste si ombrellë. Edhe pse në përvijimet midis aleatëve rreth ndarjes së sferave të interesit, veçmas midis Britanikëve dhe Sovjetikëve (në konferencën e Teheranit dhe takime të tjera) mbretëronte qëndrimi se Jugosllavia duhej të ruante kufijtë e Versajë dhe këtë do ta konfirmojë edhe Jalta, megjithatë ishte fundi i luftës si dhe realitetet e krijuara në të, ato që do të përcaktonin pamjen përfundimtare shtetërore në Ballkan.
Andaj, pasi që trupat sovjetike në lindje, me hyrjen në hapësirën jugo-sllave, kishin hapur çështjen e rivalitetit midis Britanikëve dhe Sovjetikëve, që do të mund të pasqyrohej me ndonjë kompromis në Shqipëri dhe Greqi në dobi të Britanikëve, të cilët nuk do të pajtoheshin që gjithë hapësirën strategjike të juglindjes ta mbikëqyrnin sovjetikët, ku sipas Stalinit “sferat e reja të interesit njëherësh paraqitnin sistemin shoqëror të atij që fiton”.
Pra, duke i ditur këto, Tito kërkonte që në Kosovë sa më parë të futeshin njësitë partizane jugosllave në mënyrë që të eliminonte çfarëdo “befasie” të pazarllëqeve të mundshme midis aleatëve, veçmas pas vendimeve të Bujanit kur edhe Nacionalçlirimtarja e Kosovës, që rreth çështjes së bashkimit kombëtar mendonte ndryshe nga komunistët e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë rezolutën për të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës që lidhej me të drejtën e Shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë.
Kështu, “bashkëveprimi”, futja e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë, me të cilin do t’u ndërpriteshin që të gjitha rrugët “të papriturave” të mundshme në Kosovë, nga ana e jugosllavëve do të kërkohet qysh në muajin mars 1944. Komandanti i Korpusit II sulmues, gjeneral-leitnant Peko Dapçeviq, në një letër të gjatë dërguar Shtabit të Përgjithshëm Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, pos të tjerash qahet sesi “reaksioni prej Shqipërisë së Veriut, i udhëhequr prej Komitetit Kosovar, u kishte krijuar vështirësi të mëdha, ku prej më se një gjysmë viti mbahet fronti kundrejt kufirit të ri, të krijuar prej okupatorit të Shqipërisë së Madhe”.
Me këtë rast Dapçeviq, thotë se “na marrim çdo gjë nga ana jonë, së bashku me shokët nga Kosmeti, që të thyejmë atë bllok, por armiku është i fortë, ngaqë atje ata binden me propagandën se ne jemi ushtri serbe dhe komunistë që vijnë si pushtuese…”
Që të realizohen, si thotë ai, “objektivat për t’u spastruar edhe më tutje kjo pjesë nga armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre”, gjenerali Dapçeviq parashtron tri kërkesa:
– së pari – futjen e njësive partizane shqiptare në Veri dhe në Kosovë;
– pastaj – popullit t’i shpjegohen qëllimet e njëmendta, pra ato çlirimtare, në mënyrë që të shmangët ndërhyrja kundër partizanëve jugosllavë dhe,
– së fundi – që njësitë e përbashkëta partizane të lidhen mirë e mirë mes veti në një miqësi të përhershme. Kjo mund të arrihej vetëm nëpërmes një lufte të përbashkët, me çka hapej edhe çështja e komandës së përbashkët të luftës antifashiste, që duhej të çonte te projektet për shkrirjen e shtetit shqiptar te ai jugosllav.
Por, kërkesa e “pastrimit të kësaj pjese nga armiqtë dhe bashkëpunotorët e tyre”, në të vërtetë, shfaqej si pretekst i pavërejtur dhe me dinakëri për ripushtimin e Kosovës nga ushtria jugosllave në përputhje me qëndrimet e mëhershëm që organizimi partiak i Kosovës dhe veprimet tjera në kuadër të Frontit Antifashist që do të pasonin (ai ushtarak dhe i këshillave nacional-çlirimtare si formë e pushtetit popullor), ndonëse ajo gjendej në përbërje të shtetit shqiptar, të bëhej nga komunistët jugosllavë dhe nën drejtimi e tyre në kuadër të skemës organizative të shtetit të përbashkët jugosllav. Edhe pse dihej se nga prilli i vitit 1941 Jugosllavia e Versajës nuk ekzistonte më.
Kështu dhe në këtë mënyrë, “veprimi i përbashkët” i partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë shfaqej si një mashtrim tepër i përshtatshëm, prapa të cilit, partizanët shqiptarë nën parullat se “në Kosovë ishin në ndjekje të gjermanëve”, jo vetëm që mund t’ua hapnin rrugën partizanëve jugosllavë të futeshin në Kosovë, por edhe të kryenin veprime të shpejta operative strategjike në përputhje me planet për ripushtimin e saj të plotë, me të cilin forcave nacionaliste shqiptare do t’u pamundësohej çfarëdo konsolidimi që ishte i pritshëm të pasonte me rastin e tërheqjes së forcave gjermane drejt veriut.
Gjenerali Dapçeviq, i cili kishte një përvojë të hidhur në luftë me forcat nacionaliste të Kosovës në pjesën e veriut në Sanxhak, në Plavë, Guci dhe në veri të Mitrovicës, (i kishte humbur tri prej tyre radhas gjatë përpjekjeve që të depërtonte në këto vise, ku kishte lënë shumë të vrarë), ishte i bindur se me pararojën e aradheve partizane shqiptare, pasi që Shqiptarët t’i kenë qëruar hesapet mes veti, përballja me forcat ushtarake të nacionalistëve shqiptarë në veri, e cila ishte e pashmangshme dhe paraqiste vështirësinë e fundit për t’i arritur qëllimet e parashtruara, do të ishte shumë më e lehtë.
Sipas jugosllavëve, të cilët e dinin mirë rëndësinë e Kosovës si dhe strumbullarit të interesave strategjike që thyheshin por edhe lidheshin me të dhe për të, veçmas nga Kriza Lindore e këndej, prej nga çështja shqiptare përherë mbushej me impulse lëvizëse nga brenda e nga jashtë, në ato rrethana, që t’i shuheshin ato që kishte lëshuar rezoluta e Bujanit madje nën anatemën se fjala ishte për “një projekt shqiptaromadh të fashizmit” (ndonëse Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë menjëherë kishin pranuar kritikat e Titos se fjala ishte “për një vendim të ngutshëm”, që duhej lënë pasi të përfundojë lufta antifashiste), nevojitej që të alarmoheshin edhe aleatët anglo-amerikan, që e gjitha të bëhej në atë mënyrë që mishi të piqej e helli të mos digjej. Prandaj, një valë bombardimesh nga ajri e Kosovës do të ishte e mirëseardhur dhe në funksion të planeve jugosllave për t’u futur në Kosovë.
Jugosllavët, pra, në përputhje me këtë strategji, duke pasur njohuri për rrezikun që i vinte nga Kosova dhe nyja gjermane aty, kishin kërkuar edhe nga aleatët anglo-amerikanë që në njëfarë mënyre (me bombardime nga ajri), të merrnin pjesë në pamundësimin e “planeve nazifashiste” në Kosovë, duke zënë në gojë potencialin e madh ushtarak dhe njerëzor “të reaksionit” dhe “kuislingëve”, në mënyrë që armatës “F” të Wermachtit, t’i pamundësohej tërheqja e fuqisë së saj ushtarake drejt veriut.
Aleatët kishin pranuar kërkesën e partizanëve jugosllavë që të ndërmerren sulme ajrore ndaj forcave gjermane në Kosovë. Sulmi i parë dhe më i dëmshmi për nga pasojat që përjetoi popullata shqiptare dhe infrastruktura urbane u bë me bombardimin ndaj Pejës, më 14 gusht 1944.
Bombardimi anglo-amerikan nga ajri, që zgjati disa orë, qëlloi infrastrukturën urbane të Pejës, duke e kthyer pjesën më të madhe të saj në gërmadha. Me këtë rast gjetën vdekjen 1970 qytetarë të pafajshëm: kryesisht burra, gra dhe fëmijë, të cilët u gjenden nëpër shtëpitë e tyre, por nuk u dëmtua asgjë nga infrastruktura ushtarake gjermane, që ishte vendosur në periferi të qytetit. Po ashtu, të paprekura mbetën edhe njësitë e motorizuara gjermane si dhe pajisjet tjera të strehuara në Grykën e Rugovës dhe pjesët përreth.
Sulmi ajror anglo-amerikan ndaj Pejës dhe disa qendrave urbane në Kosovë gjatë gushtit, që la pas veti shumë viktima të pafajshme nga radhët e popullatës së pambrojtur dhe rrënoi pjesën më të madhe të shtëpive të tyre, në të vërtetë për jugosllavët dhe pasuesit e tyre në Shqipëri, ishte një ndihmesë e dyfishtë: pse rrënoi bazën materiale të një pjese të madhe të popullatës së Kosovës dhe pse ia kishte dalë që nëpërmes “vërejtjes së ndëshkimit”, siç ishte ai i gushtit, të shkëpusë lidhjet e mundshme të popullatës me frontin e rezistencës kombëtare në luftë kundër forcave partizane jugosllave që mund të hynin pas largimit të atyre gjermane.
Edhe përkundër bombardimit të Pejës dhe të vendbanimeve të tjera në Dukagjin nga aeroplanët anglo-amerikanë si dhe involvimit të tyre në një operacion të përmasave të mëdha kundër ushtrisë gjermane në këto pjesë, partizanët jugosllavë edhe më tutje i mbetën besnikë ndaj qëndrimit se në Kosovë së pari duhej të hynin partizanët nga Shqipëria, të cilët do të bashkoheshin me dy-tri çetat e partizanëve kosovarë të strehuara në Malësi të Gjakovës në mënyrë që pas tyre të depërtonin aradhet partizane nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Kërkesave paraprake për “bashkëveprim” luftarak në Kosovë iu bashkëngjit ajo e nivelit më të lartë nga komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë Tito, e cila Enverit iu bë nga koloneli V. Stojniç, kryesues i Misioni Ushtarak jugosllav në Shqipëri, në cilësinë e bashkërenditësit të veprimeve të të dyja palëve, i cili pasi që të jenë kryer “formalitetet e kërkesave paraprake” (gjatë majit dhe gushtit), takoi nergut Enver Hoxhën, me ç’rast Komandës së Përgjithshme të UNÇSH ia përcolli kërkesën e Shtabit Suprem të UNÇJ.
Sipas burimeve jugosllave, V. Stojniq kërkoi nga Enver Hoxha që brigadat partizane shqiptare të futeshin në Kosovë, për të luftuar kundër Gjermanëve. Me këtë rast nuk do të përmendej çështja “e reaksionit të brendshëm dhe përkrahësve”, që ishin të shumtë dhe të organizuar mirë në kuadër të formacioneve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe se, partizanët shqiptarë do të mirëpriteshin nga popullata shqiptare e Kosovës. Që të mos dukej se fjala mund të ishte për ndonjë kurdisje kundër Kosovës dhe popullatës së saj e aq më pak që ky veprim do të pasohej me “ndonjë hakmarrje” ndaj popullatës pse kishte qenë e përfshirë “në planet e reaksionit fashist”, gjë që kjo mund të nxiste “zbarkimi e forcave të caktuara anglo-amerikane në këto pjesë për të parandaluar ndonjë konfrontim të mundshëm nderetnik” për të cilin ishte bërë fjalë në qarqet perëndimore, Stojniq, në emër të Titos, kërkoi që partizanët shqiptarë të ndihmonin në luftë kundër gjermanëve edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni. E gjitha do të ishte në përputhje me frymën e marrëveshjeve të Frontit të përbashkët Antifashist për luftë të përbashkët kundër forcave fashiste, kudo qofshin ato, deri në fitoren e plotë.
Që kërkesa për hyrjen e partizanëve shqiptare të dukej “sa më autentike”, u plotësua edhe me kërkesën e Shtabit të UNÇJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari, Boshko Çakiq, më 26 gusht 1944.
Pala shqiptare u tregua e gatshme për këtë veprim dhe më 12 shtator 1944, komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatisë dhe të nis menjëherë dy brigada për në Kosovë.
Po në këtë ditë, M. Popoviqi i shkruan L. Gegës se duhej lajmëruar Palokën (Pavle Joviqeviqin) se dy brigada shqiptare së shpejti do të marrin drejtimin për Kosovë. Por, kjo duhej të mbetej fshehtësi, veçmas nga Britanikët.
“Të mos tregohet objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”, porosiste Enveri komandantin e Korparmatës I, Dali Ndreun.
Kjo kërkesë, e cila me të shpejt u mor vesh nga Britanikët dhe misioni i tyre në Veri, u përcoll me dyshimin e hapur të kurthit nëpër të cilin do të futej Kosova së shpejti. “Është për t’u çuditur sesi mund të pranohet që forcat jugosllave të kishin nevojë për përforcime nga UNÇ e Shqipërisë, që ishte shumë më e vogël dhe më e dobët në këtë fazë të luftës”.
Si do të shihet, “habia” e misionit britanik në veri të Shqipërisë, nuk kishte të bënte gjithaq me natyrën ushtarake të çështjes, ngaqë në Kosovë gjendeshin forca të pakta gjermane, të cilat edhe ashtu ishin tepër pasive në tërheqje e sipër. Por ajo kishte të bënte me faktin e pranisë së madhe të forcave nacionaliste shqiptare. Ato, pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 dhe krijimit të Shtetit të Pavarur Shqiptar në nëntor të vitit 1943, ushtarakisht të konsoliduara, ishin në gjendje të organizonin një rezistencë të fuqishme kundër depërtimit të aradheve sllavo-komuniste.
Kjo çështje, si u pa, te Britanikët, por edhe Amerikanët, tashmë kishte filluar të trajtohej si mundësi e krijimit të një bërthame për zbarkim eventual anglo-amerikan, po qe se do të ndërlikoheshin raportet me forcat sovjetike në këtë pjesë.
Mundësinë e “konsolidimit të forcave të reaksionit shqiptar” si dhe organizimit të një kryengritje të madhe në Kosovë kundër forcave partizane, Dapçeviq, por edhe Tempo dhe misionarët e tjerë jugosllavë pranë Everit, e shihnin si rrezik të madh dhe të dyfishtë si për pengimin e ripushtimit të Kosovës dhe, për më tepër, për krijimin e një zone për ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, të cilët mund të mos pajtoheshin me një gjakderdhje të madhe atje që do të shpërthente me rastin e kryengritjes së Shqiptarëve kundër pushtimit komunist.
Këto dhe kalkulime të tjera bënë që komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë të pajtoheshin, që të vepronin bashkë në Kosovë “për shpartallimin e armikut dhe të reaksionit të çdo ngjyre” si dhe “për ngritjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, për mobilizimin e popullsisë në luftë dhe formimin e formacioneve të reja e më të mëdha partizane”.
Kështu, Shtabit i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipëri-së, më 18 shtator 1944, dha urdhrin që Brigada III dhe V shqiptare të hidheshin në Kosovë. Së pari në Malësinë e Gjakovës, mandej në atë të Pejës dhe prej nga duhej të merrnin kontakt me forcat nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Sipas urdhër-operacionit, objektivat e të dy brigadave , që do të kishin një shtab të përbashkët me komandant Shefqet Peçin, ishin:
– sulmet ndaj forcave gjermane dhe çlirimi i tokave përtej Drinit të Bardhë deri në Gjakovë e Pejë;
– shkatërrimi i të gjitha çetave tradhtare, balliste, zogiste e të SS-ve kosovare;
– të detyrohet Gani Kryeziu të hidhet me Frontin NÇ. Në rast se ky nuk e pranon këtë ose provokon, të likuidohet. Të veprohet si me Muharrem Bajraktarin;
– organizimi i pushtetit nacionalçlirimtar në gjithë krahinat që lirohen, ku do të bëhet mobilizimi dhe çarmatimi. Mobilizimi i kosovarëve do të bëhet si për ushtrinë shqiptare, ashtu edhe për ushtrinë e Titos, pa asnjë dallim.
Mundësisë së pjekjes me forcat partizane jugosllave si dhe bashkëpunimit me to do t’i gëzohet komandanti i Brigadës V, Shefqet Peçi, i cili në një letër të nisjes, i shkruante Hysni Kapos se “ne na ngushëllon kjo që do të piqemi me ushtrinë e Titos dhe ishallah edhe me atë të Baba Stalinit e kjo na kënaq shumë, por të mos harrojmë që edhe na vjen keq që nuk do të mundemi të shohim me sytë tanë reaksionarët tash që dorëzohen, vetëm kisha qejf t’u ndriçja dhëmbët njëherë”.
Përleshja e parë me Gjermanët filloi po atë ditë në Dukagjin, në Jug-perëndim të Prizrenit. Të ndihmuara edhe nga brigada e parë dhe e katërt e Kosovës, aradhet partizane nga Shqipëria dhe Kosova, bashkërisht hynë në zonën midis Drinit dhe Ribnikut. Më 16 tetor partizanët shqiptarë bashkërisht sulmuan Gjermanët në Gjakovë. Përreth Gjakovës pati luftime për disa ditë me radhë për deri sa më 7 nëntor partizanët shqiptarë dhe ata nga Kosova hynë në qytet dhe bashkërisht kremtuan fitoren.
Në Gjakovë partizanët shqiptarë hynë me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pa kurrfarë paralajmërimesh se pas tyre do të vinin aradhet partizane jugosllave. Pastaj veprimet e përbashkëta të partizanëve vazhduan në dy drejtime: kah Prizrenit dhe Peja. Prizrenin e morën me 16 nëntor, ndërsa Pejën një ditë më vonë.
Krahasuar me Pejën dhe Prizrenin, ku u ndeshën me disa njësi gjermane në tërheqje e sipër, të cilat të shumtën e mbrojtën me vullnetarët shqiptarë që kishin në radhët e tyre, partizanëve shqiptarë iu bë një rezistencë e fuqishme në Junik. Në këtë pjesë, partizanët shqiptarë (Brigada III e UNÇSH si dhe Brigada I kosovare) sulmuan pas Gjakovën me urdhrin “e spastrimit nga forcat balliste dhe kuislinge” që mbanin nyjen rrugore Gjakovë-Pejë. Luftimet e ashpra filluan më 20 tetor. Partizanët me humbje të mëdha iu afruan Junikut, por nuk ia dolën ta marrin, ngaqë forcat nacionaliste i sulmonin ato nga të gjitha anët. Vetëm pas tri ditësh mundën të hynin në Junik, ndërsa më 26 tetor dhe në Batushë e në Deçan.
Nga fundi i nëntorit i gjithë rrafshi i Dukagjinit u mor nga forcat partizane, duke ua zënë vendin atyre gjermane, të cilat filluan tërheqjen në drejtim të Veriut.
Pas hyrjes së brigadave të Shqipërisë në Kosovë dhe në Dukagjin, nga drejtimi i Podujevës, Shkupit dhe Gjilanit, në Kosovë filluan të depërtojnë edhe brigadat jugosllave (Divizioni 46-të i Korparmatës XIII serbe) si dhe Armata II bullgare, të cilat u shoqëruan edhe nga Brigada V kosovare. Partizanët serbë, bullgarë të shoqëruar edhe me një njësit partizanësh kosovarë hynë në Prishtinë më 19 nëntor 1944.Të njëjtat, një ditë më vonë hynë në Vuçitërnë prej nga luftuan në Trepçë dhe Zveçan.
Brigadat partizane, sikurse në Dukagjin, futeshin me flamurin shqiptar dhe atë jugosllav me yllin pesëcepësh në mes. Sapo hynin, nëpër sheshe të qyteteve, spikatnin bashkërisht fotografitë e Titos dhe të Enverit, të shoqëruara me parulla shqip dhe serbisht për vëllazërim-bashkimin dhe miqësinë shqiptaro-jugosllave të kalitur në luftën e përbashkët antifashiste.
Nuk do të vonojë dhe sapo populli të jetë mësuar paksa me atmosferën e “triumfalizmit çlirimtar”, që sillnin partizanët e përqafuar shqiptarë dhe jugosllavë gjatë demonstrimeve të përbashkëta, ashtu siç ishte paraparë, në heshtje dhe pa ndonjë bujë, do të fillojë marrja në mbikëqyrje e pushtetit vendor, të drejtuar nga këshillat nacionalçlirimtare, kryesisht prej Shqiptarëve, nga ana e ushtarakëve jugosllavë, të cilët praktikisht filluan vendosjen e mbikëqyrjes ushtarake, e cila bëhej në emër të vendosjes së pushtetit të përbashkët popullor në rrethanat e çlirimit.
Shërbimi informativ ushtarak jugosllav i quajtur OZNA, i cili prej kohësh ishte vendosur në Shkup dhe kishte filluar përgatitjet për kohën që do të futej në Kosovë, shpërndau ngado bashkëpunëtorët e vet dhe zuri të xhirojë situatën në kërkim të intelektualëve, patriotëve dhe gjithë atyre që tashmë ishin futur në defterin e kolaboracionistëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtpërdrejtë të okupatorit, ku përfshiheshin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe forcat e tjera politike, sidomos ato që ishin të lidhura me Komitetin Kombëtar Demokratik Shqiptare (i cili nga prilli i vitit 1945 do të kthehet në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare) dhe frymën e saj që kishte shtrirje të gjerë në Kosovë. Për Jugosllavët vlente qëndrimi i njohur: kush nuk është me ne është kundër nesh.
___
(Shkëptje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 332-337).

Kosova C dhe oferta “Bilfinger” mundësi të humbura midis planifikimit jugosllav dhe refuzimit gjerman

0
Agim Vuniqi, Vashington
___
Në fillim të viteve ’70, kur Jugosllavia planifikonte strategjinë energjetike për dekadat që vinin, në tavolinat e Energoprojekt Beogradit u vizatuan projektet ideore për ndërtimin e një termocentrali të ri në Obiliq – “Kosova C”. Sistemi energjetik jugosllav ishte i centralizuar, dhe vendimet për zhvillim industrial miratoheshin në nivelet federale, pa pavarësi të vërtetë të republikave. Kosova, e trajtuar si periferi energjetike e federatës, shërbente kryesisht si furnizuese e qymyrit për sistemin jugosllav, ndërsa përfitimet i merrnin qendrat e mëdha industriale të Serbisë dhe Kroacisë.
Në atë kohë, projekti “Kosova C” përfshinte ndërtimin e një termocentrali me kapacitet rreth 2000 MW, që do të siguronte pavarësi energjetike për rajonin dhe do ta kthente Kosovën në eksportuese të energjisë. Por, si shumë projekte të tjera të asaj kohe, edhe ky mbeti në fazën e konceptit. Struktura burokratike federale dhe politikat e centralizuara energjetike nuk e lejuan që projekti të zhvillohej në nivel lokal.
Nga vizioni jugosllav te iluzioni i pasluftës
Pas pavarësisë së Kosovës, ideja e “Kosova C”-së u rikthye në agjendë nën emrin “Kosova e Re”, e promovuar nga qeveritë e pasluftës si zgjidhje për krizën energjetike. Megjithatë, ndërrimi i garniturave qeveritare dhe interesat lobuese e mbajtën këtë projekt në fazën e premtimeve. Një rast i veçantë ishte oferta e kompanisë gjermane “Bilfinger” në vitin 2015, e cila ofronte rindërtimin e Termocentralit “Kosova A” me kapacitet të plotë dhe me teknologji gjermane të përputhshme me standardet e BE-së.
Sipas planit, brenda tre vjetësh do të rindërtoheshin blloqet prej 815 MW, duke ulur ndjeshëm ndotjen, duke ruajtur vendet e punës dhe duke siguruar jetëzgjatje mbi 30 vjet për termocentralin. Kostot ishin të favorshme — rreth 900 milionë euro, dy herë më lirë se oferta e “Contour Global”. Kancelarja Angela Merkel e kishte mbështetur politikisht këtë nismë dhe kishte kërkuar nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa që Kosova ta shfrytëzonte këtë mundësi.
Por qeveria Mustafa zgjodhi rrugën e refuzimit. Me arsyetimin se projekti nuk kishte studime financiare të mjaftueshme, oferta e “Bilfinger”-it u mbyll pa një diskutim të thelluar teknik. Rezultati: një mundësi e humbur për transformimin e sektorit energjetik të Kosovës dhe për forcimin e partneritetit strategjik me Gjermaninë.
Pasojat që ndihen sot
Sot, një dekadë më vonë, Kosova vazhdon të varet nga importet e energjisë, me ndërprerje të shpeshta dhe me termocentrale të vjetëruara që ndotin ajrin 50 deri 100 herë mbi normat e BE-së. Vlerësimet e pavarura tregojnë se humbjet nga importet e energjisë kanë kapërcyer 700 milionë euro, ndërsa vendi mbetet jashtë tregut rajonal të energjisë dhe pa ndonjë investim serioz në kapacitete të reja gjeneruese.
Nëse do të ishte realizuar projekti “Bilfinger”, Kosova do të kishte sot 1.700 MW kapacitet prodhues, do të eksportonte energji dhe do të përfitonte nga teknologjia gjermane. Në vend të kësaj, “Kosova A” është ende një “monument i ndotjes”, ndërsa “Kosova e Re” mbeti një slogan elektoral.
Nga humbja e projekteve në krizë energjetike
Historia e “Kosova C” është simbol i dështimit të politikave strategjike energjetike të Kosovës: nga planifikimi i centralizuar jugosllav, tek mungesa e vizionit shtetëror pas pavarësisë. Qeveritë kanë ndërruar, por politikat kanë mbetur të ngulfatura midis paaftësisë teknike dhe interesave të përkohshme.
Nëse në vitet ’70 Kosova u privua nga vendimmarrja për shkak të centralizimit federativ, sot ajo rrezikon të humbasë edhe për shkak të mbylljes së syve ndaj partnerëve strategjikë. Energjia nuk është vetëm çështje e prodhimit, por e pavarësisë politike dhe e zhvillimit ekonomik. Dhe në këtë drejtim, refuzimi i një projekti të garantuar nga Gjermania dhe i mbështetur nga kancelarja Merkel do të mbetet një nga gabimet historike më të kushtueshme të politikës kosovare pas pavarësisë.
Nëse dikur Energoprojekt hartoi projektin ideor “Kosova C” si simbol të pavarësisë industriale, sot ajo mbetet vetëm një kujtim i humbur për një vend që ende nuk ka arritur ta shfrytëzojë potencialin e vet natyror për të ndërtuar një të ardhme energjetike të qëndrueshme.