Kreu Blog Faqe 401

Dashuria primitive, vrastare për LDK-në! Apo si humbi LDK terren politik dhe elektorat sesa të gjitha partitë e tjera së bashku!

1

Florim Zeqa

Pa dyshim, LDK ka humbur më së shumti terren politik dhe elektorat sesa të gjitha partitë e tjera së bashku! Kur kësaj t’i shtojmë faktin se mbi 50 % e elektoratit të partive tjera ishte elektorat i LDK-së, atëherë kyë është barometër i vendnumrimit dhe jo i ngritjes së LDK-së!

Kush e do dhe kush e dëmton LDK-në?!

Në shkrimin e fundit për LDK-në, mora mbështetje të madhe nga eksponent të lartë të LDK-së (themeltar dhe veprimtar të viteve të ’90-ta), por, njëkohësisht pranova edhe kritika nga militantët partiak, të nxitur nga lidershipi aktual, të cilët më thanë, po citoj; “Po e gjuan me gurë shtëpinë tënde”!

Përgjigja ime është kjo: “Nuk po gjuaj me gurë, por, po mundohem me ia heqë gurët e zi të varur në qafën e LDK-së”!

Dikush ndër të tjera e tha, “LDK ka ngritje graduale”!

Edhe në këtë rast, përgjigja ime është kjo; “Me këte “rritje” graduale LDK i kaloj mbi dy dekada pa asnjë fitore në nivelin qëndror”!

Përderisa në dekadën e parë post-rugoviane, LDK ishte kthyer në parti humbëse në vendin e dytë, tani ka rënë edhe më poshtë, parti humbëse e nivelit qëndror në vendin e tretë!

Nëse dikujt i duket në rregull kjo “ngritje” e LDK-së, le të vazhdoj me mbështetjen ndaj lidershipit aktual!

Mirëpo kjo nuk paraqet dashuri të sinqertë për subjektin e zemrës!

Kësaj i thonë dashuri primitive dhe vrastare për LDK-në!

Unë e dua një LDK ndryshe nga militantët partiak

LDK-së nuk i mjafton rritja graduale, i duhet rritje rapide për t’u rikthyer aty ku ishte 20 vite më parë!

LDK si e vetmja parti e djathtë në Kosovë, e meriton një lidership me vizion të qartë dhe të vendosur në rrugën pro-perëndimore, largë dogmave fetare dhe kulturave aziatike!

Vullneti im politik dhe dëshira për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve është para çdo interesi partiak dhe personal. Që i bie, se ambiciet e mia nuk janë pushtetore, por shtetërore, gjegjësisht të qenurit gardian i përhershëm i interesave të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në mërgatën tonë.

LDK-ja rugoviane dhe Rugova për shqiptarët mbetën dy simbole të shenjta të historisë së lavdishme kombëtare, të papërseritshme, të paharruara dhe të pashlyerara në kujtesën historike të popullit tonë liridashës dhe paqesor.

Kjo nuk është LDK-ja që e dua unë dhe as elektorati i saj. Këto janë vetëm klane mafioze dhe grupe të interesit, pjesë e të cilave nuk kam qenë dhe as që do të bëhem ndonjëherë.

Përjetësisht mbetëm mbështetës i filozofisë politike rugoviane dhe ushtar besnik i atdheut tim.

Zoti ju bekoftë vëllezër dhe motra të vizionit rugovian!

Më 4 Nëntor 2025

Treviso (Itali)

Safet Sadiku: Glauk Konjufca është shansa e dytë për Vetëvendosjen!

0

Nga: Safet Sadiku

Tashmë vendimi është marrë nga Vetëvendosje, (dhe është mandatuar nga Presidentja e vendit), se Glauk Konjufca është zyrtarisht mandatar për formimin e qeverisë, dhe gjendja politike në Kosovë duhet të reflektojë këtë realitet politik të ri, jo si mundësi hipotetike, por si aftësi për vendimmarrje…

Pas vendimit të Vetëvendosjes për ta mandatuar ish Kryetarin e Kuvendit, si kandidat për Kryeministër, skena politike e Kosovës hyn në një fazë të re, pak më të qetë në tonin mediatik, por ende të ndërlikuar në llogari.

A do të arrijë Konjufca ta bindë opozitën për një marrëveshje të re institucionale? Vendimi i këtyre ditëve i Vetëvendosjes (VV) për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë, vjen si një përpjekje për të rifituar terrenin politik dhe besimin qytetar pas disa muajsh tensioni dhe bllokadash.

Në pamje të parë, është një rotacion brenda partisë, por në thelb, ky është një ndryshim edhe strategjik, dhe një kalim nga qasja përjashtuese drejt një oferte bashkëpunuese. Vendimi i djeshëm i Vetëvendosjes për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë shënon një kthesë të rëndësishme në skenën politike të Kosovës. Në një moment kur Albin Kurti përballej me konsum të dukshëm politik dhe mungesë hapësire për kompromis, partia vendosi të dalë me një fytyrë të re, por nga e njëjta rrënjë, pra me njeriun që prej kohësh shihej si zëri i arsyes brenda VV-së.

Faktori ndërkombëtar, poashtu ka bërë presion për gjetjen e një marrveshje për tejkalimin e situatës së brishtë politike në Kosovë, që vendi të mos shkon në zgjedhje, gjë që do të rriste shpenzimet për Kosovën dhe aq më tepër që Kosova ka ngecur mbrapa dhe duhet edhe aprovimi i buxhetit etj…? Ka shumë arsye më të mëdha për themelimin e qeverisë para vendimit për shkuarje në zgjedhje të parakohëshme!

Një figurë e urtë në kohë turbulente!

Glauk Konjufca, që prej vitit 2021 në krye të Kuvendit, ka ndërtuar reputacionin e një politikani institucional, të matur dhe dialogues. Ai është ndoshta ndër të paktët brenda VV-së që ka ruajtur marrëdhënie korrekte me opozitën dhe që ka ditur të gjejë zgjidhje kompromisi në momente të vështira.

Në politikën e Republikës së Kosovës, ku gjuha e ashpër shpesh zëvendëson argumentin, prktikisht z. Konjufca përfaqëson një stil të rrallë, të qetë, por të qëndrueshëm.

Glauk Konjufca, si ish Kryetar i Kuvendit që nga viti 2021, ka ruajtur profilin e një politikani të përmbajtur, racional dhe komunikues. Ndryshe nga retorika shpesh përjashtuese të disa të tjerëve, Konjufca ka preferuar dialogun, edhe në momente kur Kuvendi ishte në kufijtë e bllokadës. Kjo e ka bërë atë më të pranueshëm për opozitën, por edhe për një pjesë të opinionit publik që kërkon stabilitet më shumë sesa konfrontim. A do të bashkohen dy subjektet VV dhe PDK ose VV do t’ia kthen elektoratin përsëri LDK-së?

Në horizontin politik të Kosovës, ideja e një bashkimi mes Vetëvendosjes dhe PDK-së ende tingëllon më shumë si një konstrukt hipotetik sesa si një mundësi reale. Dy subjektet përfaqësojnë dy botë të ndryshme politike, që për vite me radhë janë ndërtuar mbi kundërshti thelbësore, qoftë në mënyrën e qeverisjes, qoftë në raportin me shtetin dhe me të kaluarën e tyre.

Një afrimitet i tillë, përtej ndonjë bashkëpunimi teknik apo momental, do të kërkonte një transformim të thellë ideologjik, që aktualisht nuk duket i mundshëm. Në anën tjetër, LDK-ja, megjithëse e zbehur në disa cikle të fundit zgjedhore, mbetet një adresë natyrore për elektoratin e zhgënjyer nga Vetëvendosja, sidomos për ata që kërkojnë një ton më institucional, më të përmbajtur dhe më pak konfrontues.

Nëse VV do të humbte pjesë të mbështetjes për shkak të ngurtësisë politike ose lodhjes qeverisëse, është pikërisht LDK-ja që mund ta përthithte atë pakënaqësi, me kusht që të arrijë ta përditësojë identitetin e vet dhe të ndërtojë besim të ri te publiku. Në këtë mozaik të lëvizshëm politik, figurat si Glauk Konjufca duken si ura të rralla mes tensionit dhe arsyes, si kujtesë se politika mund të mbetet art i maturisë, edhe në një kohë kur fjala e qetë shpesh humbet nën zhurmën e retorikës së përditshme.

Bindja e opozitës Tashmë sfida e tij e parë është të sigurojë votat për formimin e qeverisë. Pa mbështetjen e opozitës, veçanërisht të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), procesi do të mbetet vetëm simbolik.

Megjithatë, burime politike dhe sinjale joformale flasin për një gatishmëri të kujdesshme në kampin opozitar. Kjo për faktin se Konjufca ka mbajtur të ndezura “dritat jeshile” të komunikimit, jo vetëm me PDK-në, por edhe me LDK-në dhe AAK-në. Në këtë drejtim, mandatimi i tij shihet si test i pjekurisë politike, si për VV-në që duhet të hapet ndaj kompromisit, ashtu edhe për opozitën që duhet të tregojë sens shtetëror për stabilitet institucional.

Tashmë pyetja kryesore mbetët se Konjufca a do të arrijë të formojë qeverinë?

Për këtë, do t’i duhet të marrë mbështetje nga opozita, e para së gjithash nga PDK-ja, e cila mban çelësin e numrave në Kuvend. Sipas disa burimeve politike, sinjalet për “dritë jeshile” nuk janë shuar. Përkundrazi, ato janë mbajtur të hapura nga vetë Konjufca, që prej kohësh ka kultivuar marrëdhënie më të buta me opozitën.

Në rolin e ish Kryetarit të Kuvendit, ai ka treguar se e kupton rëndësinë e kompromisit dhe ka ditur të manovrojë në situata delikate, shpesh në pozitën klasike “tërhiq e mos e këput”. Kompromiset e menaxhuara me kujdes Gjatë mandatit të fundit, në krye të Kuvendit, Konjufca shpesh është gjendur në situata delikate, ku ka ditur të mbajë ekuilibrin midis mazhorancës dhe opozitës. Në shumë raste, ai ka luajtur rolin e ndërmjetësit të heshtur, duke shmangur përplasjet që mund të paralizonin institucionet.

Për këtë arsye, brenda dhe jashtë Kuvendit, është perceptuar si njeri që e kupton përgjegjësinë politike dhe di ta menaxhojë krizën pa e thelluar atë. Nëse PDK, dhe me gjasë edhe LDK, vendosin të mos e kundërshtojnë haptazi mandatin e tij, kjo do të lexohej si një moment i ri i përgjegjësisë politike. Jo domosdoshmërisht si aleancë, por si një marrëveshje për ta shmangur ripërsëritjen e krizës institucionale.

Konjufca mund të jetë figura që e mundëson këtë tranzicion të qetë, dhe e paraqet një VV më të moderuar, që kërkon të rifitojë besimin përmes bashkëpunimit. Nëse edhe ky kompromis nuk arrihet, atëherë bëhet e qartë, se partitë e opozitës kanë rrëshqitur në hendekë të padukshëm, ku llogaritë partiake kanë zëvendësuar plotësisht interesin e Republikës së Kosovës. Në vend të përgjegjësisë shtetërore, fatkeqësisht ende po mbizotëron instinkti i përjashtimit, dhe politika humbet kuptimin e saj si mjet për të ndërtuar, duke u kthyer në arenë për të rrënuar.

Nga Kurti te Konjufca është evolucioni i VV-së

Ky zhvillim shënon një pikë kthese për Vetëvendosjen. Partia që dikur ngriti pushtetin mbi protestë dhe ideal, sot po përpiqet të rikonvertohet në një subjekt institucional, që pranon se qeverisja kërkon më shumë se vetëm bindje politike, kërkon bashkëpunim dhe kompromis.

Glauk Konjufca përfaqëson pikërisht këtë transformim: nga lëvizje në sistem, nga përballje në bashkëqeverisje. Ky zhvillim nuk është thjesht ndërrim emrash, por test për Vetëvendosjen si organizëm politik. Por, a do të pranojë partia të transformohet nga një lëvizje ish-opozitare, (që edhe në mandatin e fundit katërvjeçarë të pushtetit e shoqëruan shumë sjellje të së kaluarës duke ngatrruan pushtetin me ish rolin e saj në opozitë) në një strukturë qeverisëse, tani më të hapur për kompromis?

Nëse po, Konjufca është ndoshta shpresa më reale për ta mbajtur VV-në në pushtet dhe për të rikthyer dialogun politik në binarë institucionalë! Drita jeshile në fund të ngërçit gjithësesi është e pranishme. Nëse Konjufca arrin të formojë qeverinë me mbështetje të pjesëshme ose të plotë të opozitës, kjo do të nënkuptojë fillimin e një kapitulli të ri në politikën e Kosovës, me më pak retorikë, më shumë përgjegjësi. Nëse dështimi përsëritet, atëherë kriza e besimit mes palëve vetëm sa do të thellohet. Por për momentin, VV ka gjetur mënyrën për të ndezur dritën jeshile, dhe ajo dritë mban emrin e Glauk Konjufcës një figurë që mund ta rikthejë dialogun në zemrën e institucioneve.

Mandatimi i Glauk Konjufcës është fakti i ri politik që mund të hapë një kapitull tjetër në Kosovë, më pak emocional, më shumë racional. Tani topi është plotësisht në anën e opozitës. Ndonëse, mbështetja e opozitës nuk do të vijë lehtë, por deri më tani ai është i vetmi pushtetar nga VV që i ka mbajtur “dritat jeshile” të ndezura, duke lënë të kuptohet se rruga e bashkëpunimit mbetet e hapur. Nëse ky hap do të shndërrohet në qeveri, atëherë historia do ta shënojë si momentin kur Vetëvendosja mësoi, më në fund të qeverisë me kompromis, dhe jo vetëm me bindje, pas një kosto të gjatë në vendnumrim, duke rrezikuar humbjen e mbështetësve. Por, prapa këtyre marrëveshjeve qëndrojnë shumë detyra për politikën, të cilat Kosovën e mbajtën peng gjer më tani. Një nga këto janë marrëveshjet e shumëpërfolura në raport me Serbinë, të calat siç është e ditur, partitë politike nuk janë të unifikuara në qëndrimet e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për kërkesa të Serbisë, e cila ende dëshiron që të në mënyrë ekstreme të kënqen epshet e saj në emër të minoritetit serb në Kosovë?

Raportet me Serbinë dhe rikthimi i dialogut mbeten ndër çështjet më të ndjeshme politike, veçanërisht kur merret parasysh se kushtet e kompromisit ende nuk janë të qarta, ndërsa qëndrimet politike të subjekteve kryesore nuk janë të përafruara.

Në anën tjetër, Glauk Konjufca ka një shans të variantit të dytë për të formuar qeverinë, përmes grumbullimit të shumicës së deputetëve, prej 61 votash sa kërkohen, pa mbështetjen e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, (nëse këto ende nuk janë ngopur me krizën), por me përfshirjen e Nismës dhe komuniteteve jo-serbe.

Ky do të ishte varianti më ekstrem i keq, dhe i mundshëm! Megjithatë, një tension i padukshëm politik vazhdon të mbetet i pranishëm deri në themelimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. …

Në mbrëmjen e ftohtë të Prishtinës, ndërsa dritat e Kuvendit fiken njëra pas tjetrës, në ajër ndjehet diçka më shumë sesa një vendim formal politik, ndjehet pesha e një epoke që lëviz ngadalë, e një ndryshimi që s’ka ardhur ende, por që po përpiqet të lindë. Vendimi i Vetëvendosjes për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë nuk është vetëm një rotacion i brendshëm. Është një përpjekje për të rimarrë frymën e një ideali që kohëve të fundit dukej i lodhur nga vetvetja. Në pamje të parë, ky ndryshim mund të lexohet si manovër politike, por në thelb ai është një përpjekje për të rikthyer ekuilibrin e humbur ndërmjet moralit dhe pushtetit, ndërmjet idealizmit dhe realpolitikës. Pas disa muajsh tensioni, përplasjesh dhe heshtjesh që rëndonin si pluhur mbi shpresën qytetare, VV kërkoi të gjejë një fytyrë të re, jo për ta ndërruar rrugën, por për t’i dhënë asaj frymëmarrje. Emri i Glauk Konjufcës, në këtë kontekst, vjen si simbol i maturisë që e kërkon koha. Ai përfaqëson një kalim të butë, një përpjekje për të zbutur dallgët pa braktisur anijen.

Një fytyrë që përpiqet të japë mesazhin, se ndryshimi mund të vijë jo me tronditje, por me qetësi, jo me përjashtim, por me dëgjim. Dhe ndoshta, ky është momenti kur Vetëvendosje, pas viteve të idealizmit të zjarrtë, po mëson mësimin e parë të pjekurisë politike, se ndonjëherë, forca më e madhe nuk është rezistenca, por aftësia për kompromis. Por, nën sipërfaqen e këtij vendimi që duket administrativ, fshihet një realitet më i thellë. Kosova ndodhet në një udhëkryq të brishtë, ku çdo gabim mund të kushtojë vite zhvillimi. Faktorët ndërkombëtarë, me durimin e tyre të gjatë e me gjuhën e ftohtë të diplomacisë, kanë kërkuar stabilitet. Jo si shpresë, por si domosdoshmëri. Sepse vendi nuk mund të përballojë më një zgjedhje tjetër, as ekonomikisht, as politikisht, as moralisht. Buxheti pret miratim, institucionet kërkojnë funksion, ndërsa qytetarët, të lodhur nga krizat, kërkojnë vetëm pak normalitet, pak qetësi, një shenjë, se shteti i tyre ende ka puls…!

E megjithatë, nën këtë qetësi të ndërtuar me kujdes, fshihet një dilemë e madhe që prek gjithë klasën politike shqiptare në Gadishullin Ilirik: kryeneqësia si një plagë e vjetër që e ka bërë politikën tonë më shumë arenë se bashkëbisedim. Është ajo ndjenjë që e përzien krenarinë me inatin, dhe idealin me përjashtimin. Është një gjendje shpirtërore që i ka bërë liderët tanë të mendojnë se tërheqja është dobësi, ndërsa bashkëpunimi është vetëm nënshtrim!…

Në fakt, ky është rrënimi i vërtetë i komunikimit politik në Kosovë: paaftësia për të dëgjuar, jo për të folur.

Sepse shumë prej atyre që sot mbajnë titujt e kryetarëve, ministrave apo deputetëve, nuk flasin më me qytetarin, por me jehonën e vetvetes. Ata e kanë harruar se pushteti, pa dialog, është një dhomë pa dritare. Dhe në atë errësirë, fillojnë të përplasen jo idetë, por egot. Kjo është arsyeja pse institucionet tona shpesh duken si struktura pa shpirt, sepse mungon gjuha e përbashkët, fryma e bashkëpunimit, kultura e përgjegjësisë së ndërsjellë. Pushteti është shndërruar në një arenë numrash, jo vlerash!

Në një garë për karrige, jo për ide. Dhe kështu, derisa një pjesë e shoqërisë ecën drejt dijes e inovacionit, politika mbetet e ngujuar në spiralen e vjetër të përçarjes. Por edhe në këtë terr, ekziston një dritë që s’mund të shuhet, drita e vetëdijes qytetare që po lind ngadalë. Sepse brezi i ri, ai që nuk njeh frikën e së kaluarës, po kupton se politika nuk është pronë, por detyrë, se demokracia nuk është premtim, por kujdes i përditshëm. Dhe ndoshta, ky është fillimi i një kthese më të madhe sesa ajo e djeshmja, një kthesë që nuk ndodh në zyrat e partive, por në ndërgjegjen e njerëzve të zakonshëm.

Gjithësesi, historia dëshiron të mos e kujtojë këtë ditë për emrin e një lideri, por për momentin e rëndësishëm që po vjen, kur Kosova filloi të kuptojë se pushteti nuk është qëllim, por mjet, se ndërtimi i shtetit fillon jo me fjalët e mëdha, por me aktet e vogla të përgjegjësisë.

Dhe se ndoshta, pas gjithë këtyre viteve të kryeneqësisë gjatë tranzicionit, vendi po mëson më në fund artin e rrallë të dëgjimit. ​​​​​​​​​​​

Nëntor 2025

Nga individualizmi tek bashkëpunimi – sfida shqiptare e kohëve moderne

0

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Hyrje

Shoqëria shqiptare ka trashëguar ndër shekuj një karakter të fortë individualist, që shpesh është konsideruar pjesë e identitetit kombëtar.

Ky individualizëm, i rrënjosur në historinë dhe kulturën tonë, ka ndihmuar në ruajtjen e vetëdijes kombëtare dhe në mbijetesën përballë vështirësive të shumta. Megjithatë, në realitetin bashkëkohor, ku sukseset shoqërore varen gjithnjë e më shumë nga aftësia për të bashkëpunuar, kjo cilësi po shndërrohet në një pengesë zhvillimi.

Martin Luther King ka thënë: “Njerëzit mund të fluturojnë si zogj dhe të notojnë si peshq, por ende nuk janë të gatshëm të ecin krah për krah si vëllezër.”

Kjo thënie përshkruan më së miri gjendjen e shumë shoqërive moderne, ndër to edhe asaj shqiptare, ku talenti individual shpesh nuk arrin të kthehet në fuqi kolektive.

Zhvillim

1. Rrënjët historike dhe kulturore të individualizmit shqiptar

Në traditën shqiptare, individi është parë si shtylla themelore e familjes, fisit dhe komunitetit. Kanuni i Lekë Dukagjinit, një ndër kodet më të njohura zakonore, thekson rëndësinë e nderit, burrërisë dhe pavarësisë personale. Ky model kulturor e ka formuar shqiptarin si njeri të fortë, të qëndrueshëm dhe krenar, por shpesh edhe si person që vështirë pranon autoritetin, bashkëpunimin apo kompromisin.

Në kontekst historik, kjo ka qenë një strategji mbijetese. Por në një botë të globalizuar, ku sfidat kërkojnë veprim të përbashkët, individualizmi i tepruar shndërrohet në dobësi shoqërore.

2. Pasojat e individualizmit në realitetin shqiptar

Në jetën e përditshme shqiptare, individualizmi manifestohet në shumë forma: mungesë bashkëpunimi në vendin e punës, mosbesim ndaj institucioneve, ndarje politike e shoqërore dhe vështirësi në ndërtimin e ekipeve funksionale. Edhe në sporte e shembujt janë të qartë: shqiptarët kanë arritur rezultate të mëdha në disiplina individuale si boksi, gjudoja apo karateja, por vështirë kanë spikatur në sporte kolektive.

Vetëm në vitet e fundit, me përmirësimet në futboll, është vërejtur një ndryshim pozitiv që tregon se bashkëpunimi mund të mësohet e të zhvillohet.

3. Anët pozitive të individualizmit

Nuk duhet harruar se individualizmi nuk është domosdoshmërisht negativ. Ai ka prodhuar personalitete të shquara, njerëz me iniciativë, kreativitet dhe guxim. Ai nxit konkurrencën, vetëbesimin dhe përgjegjësinë personale – vlera të nevojshme për një shoqëri moderne. Shumë shqiptarë në diasporë janë dëshmi e suksesit që lind nga ky shpirt individualist: ata kanë arritur rezultate të larta në mjekësi, shkencë, art e biznes, shpesh pa mbështetje institucionale.

Por suksesi i tyre personal nuk është gjithmonë i përkthyer në përparim të përbashkët kombëtar.

4. Nevoja për një kulturë të re bashkëpunimi

Sfida e kohëve moderne për shqiptarët është transformimi i individualizmit në bashkëpunim krijues. Kjo nënkupton ndërtimin e një kulture të re, ku forca e individit vihet në funksion të grupit, ku suksesi i përbashkët shihet si vlerë më e madhe se ai personal.

Roli i arsimit dhe edukimit të brezave të rinj është kyç në këtë proces. Shkolla duhet të nxisë punën në grup, respektin për mendimin ndryshe, ndarjen e përgjegjësive dhe ndërveprimin e ndershëm.

Kurrikula e re shkollore unike për Kosovë dhe Shqipëri e bazuar në kompetenca, i kushton vëmendje të veçantë zbatimit të metodave dhe formave të punës me nxënës që aftësojnë dhe edukojnë brezat e rinjë në frymën bashkëpunuese.

Vetëm përmes edukimit qytetar dhe kulturës bashkëpunuese mund të krijohet një shoqëri moderne shqiptare që ecën përpara me hapa të sigurt.

Përfundim

Individualizmi shqiptar është një trashëgimi që duhet kuptuar, por edhe tejkaluar në format e tij të dëmshme. Ai ka shërbyer si mbrojtje e identitetit, por sot kërkohet të shndërrohet në forcë bashkëpunimi dhe solidariteti.

Shoqëria shqiptare do të përparojë vetëm atëherë kur energjia e individit të fuqishëm të vihet në shërbim të komunitetit të bashkuar.

Nëse arrijmë të ndërtojmë një kulturë ku suksesi kolektiv shihet si vlerë kombëtare, atëherë mund të themi se kemi kaluar me sukses nga epoka e individualizmit tek ajo e bashkëpunimit – dhe kjo do të jetë fitorja më e madhe e brezave që vijnë.

Patatja e “ngrohtë” e politikës kosovare dhe mungesa e vetëdijes shtetërore në formimin e qeverisë

0
Nga 9 shkurti i këtij viti Kosova po jeton një nga krizat më të zgjatura institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Mungesa e një marrëveshjeje mes shumicës dhe opozitës për formimin e qeverisë ka paralizuar jetën politike dhe ka thelluar mosbesimin e qytetarëve ndaj sistemit. Kuvendi mezi u konstituua, me shumë seanca të dështuara e debate të zjarrta, derisa u zgjodh kryetari, por pa asnjë përparim të prekshëm drejt krijimit të institucioneve funksionale.
Në vend që të ndërtohej një konsensus politik për të mirën e përbashkët, partitë janë zhytur në përplasje të pafundme, duke e akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e procesit. Kjo luftë nervash ka nxjerrë në pah mungesën e një vetëdije të mirëfilltë shtetërore.
Interesat partiake, grupore e personale kanë mbizotëruar mbi interesin publik, duke e lënë vendin në një paqartësi të rrezikshme politike.
Në këtë lojë të “patates së ngrohtë”, secila palë mundohet t’ia lërë përgjegjësinë tjetrit. As shumica nuk ka numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë, as opozita nuk guxon të marrë përgjegjësi, nga frika e humbjes politike në prag të zgjedhjeve të reja. Një situatë e tillë tregon jo vetëm krizë besimi, por edhe mungesë vizioni për drejtimin e shtetit.
Gjestin e fundit të Albin Kurtit, i cili ia ofroi mandatin Glauk Konjufcës për të formuar qeverinë, shumëkush e lexoi si lëvizje taktike për t’ia “lënë në dorë” opozitës pataten e nxehtë. Tashmë, ish-opozita gjendet në një pozitë të vështirë: nëse e pranon sfidën, rrezikon të dështojë; nëse refuzon, përballet me akuzën se po e pengon zgjidhjen institucionale. Në të dyja rastet, humbësi i madh është qytetari, që mbetet peng i kalkulimeve të ngushta politike.
Kjo krizë e zgjatur është simptomë e një sëmundjeje më të thellë: mungesës së kulturës politike dhe përgjegjësisë shtetërore. Kur politika bëhet lojë taktike e jo shërbim publik, atëherë “patatja e ngrohtë” nuk është më vetëm metaforë, por realitet që djeg shpresën e qytetarëve për një shtet funksional e demokratik.
Në fund, historia do të tregojë kujt do t’i mbetet në dorë kjo patate e nxehtë, por një gjë është e sigurt. Derisa politikanët të mos e kuptojnë se shteti nuk është pronë e partive, por e qytetarëve, Kosova do të vazhdojë të endet mes krizave dhe pritjeve të pafundme.

Pyetje publike për Arjan Tahirin, kandidatin për kryetar të Mitrovicës

2
Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës
___
Mitrovica është në një moment të rëndësishëm politik. Dëgjova deklaratën e kandidatit Arjan Tahiri se, nëse zgjidhet Kryetar, do t’i mbështesë të gjithë qytetarët pa dallim besimi. Deklaratë e duhur dhe e pritshme.
Mirëpo në të njëjtën fushatë patëm edhe mesazhe që thoshin se Mitrovicës nuk i duhet bashkëpunim me Prishtinën apo me partnerët ndërkombëtarë, por vetëm “politikë lokale”.
Unë mendoj ndryshe: Mitrovica ka nevojë pikërisht për bashkëpunim institucional, me Prishtinën e me aleatët tanë, sepse kështu mbrohet interesi i qytetit dhe i shtetit.
Prandaj, si qytetar i lirë i Mitrovicës, kam dy pyetje të drejtëpërdrejta e të hapura:
Nëse zgjidheni Kryetar, a do ta mbështesni ndërtimin e Kishës Katolike Shqiptare në Bajgorë — projekt identitar, kulturor e historik, pjesë e rrënjëve të Shalës, Bajgorës dhe Kosovës?
Sepse ky projekt nuk ndahet me parti, as me fe, as me fushata — është çështje identiteti kombëtar.
Dhe pyetje tjetër krejt parimore:
Kush do të shqetësohej më shumë nga ky projekt?
Ju, për shkak të bindjeve fetare, apo Beogradi, që historikisht ka kundërshtuar çdo shenjë të trashëgimisë shqiptare në Mitrovicë ?
Nuk pres përgjigje personale.
Pyetja është për opinionin.
Mitrovica duhet ta dijë çfarë vizioni kanë ata që kërkojnë ta udhëheqin.
Sepse Mitrovica nuk zgjedh thjesht një kryetar — zgjedh drejtimin e së ardhmes.
Me respekt,
Shqiptar Shaljani
(Qytetar i Mitrovicës)

Organizata “Shqiptaria” me deklaratë rreth mbylljes së shoqatave islamike radikale në Gjermani dhe rrezikun që përbëjnë për identitetin kombëtar shqiptar

1
KOMUNIKATË ZYRTARE ORGANIZATA “SHQIPTARIA”
___
Prishtinë, më 5 nëntor 2025
___
Lidhur me mbylljen e shoqatave islamike radikale në Gjermani dhe rrezikun që përbëjnë për identitetin kombëtar shqiptar
Organizata “Shqiptaria” rikujton opinionin publik se prej kohësh kemi paralajmëruar se Perëndimi do të mbrojë qytetërimin e vet, një qytetërim që është edhe qytetërim i shqiptarëve.
Ky qytetërim i bazuar në liri, dinjitet njerëzor dhe demokraci, është themeli mbi të cilin duhet të qëndrojë edhe shoqëria jonë – në vend dhe në diasporë.
Ngjarjet e fundit në Gjermani, ku autoritetet kanë mbyllur shoqatën islamike “Muslim Interaktiv” për veprimtari kundër rendit kushtetues dhe thirrje për kalifat, tregojnë qartë se rreziku i islamit politik është real dhe se ai po përpiqet të depërtojë në zemrën e Evropës përmes strukturave fetare të maskuara si organizata kulturore apo humanitare.
Ne kemi theksuar vazhdimisht se shoqatat dhe xhamitë jo rrall here dikur ruanin gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, sot në shumë raste janë shndërruar në qendra propagande ku po tjetërsohet ndërgjegjja kombëtare dhe po orientohet rinia shqiptare drejt një kulture të huaj, me frymë kundërperëndimore dhe armiqësore ndaj qytetërimit që na ka pranuar e integruar.
Organizata “Shqiptaria” i bën thirrje të gjithë shqiptarëve në diasporë që të mos bien pre e manipulimeve fetare apo politike, por të forcojnë unitetin kombëtar përmes klubeve, organizimeve civile, kulturore dhe atdhetare.
Në Evropën e së nesërmes nuk do të ketë më hebrenj të persekutuar apo minoritete të margjinalizuara – por mund të ketë shqiptarë të manipuluar, që do të përdoren si vegla të projekteve sllavo-islamike për tjetërsim dhe shkatërrim të kombit.
Ne besojmë se qytetërimi perëndimor është edhe qytetërimi ynë, dhe mbrojtja e tij është mbrojtje e vetë identitetit shqiptar.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për “kalifat”, por për vetëdije kombëtare, kulturë dhe bashkim në themelet e një qytetërimi që respekton njeriun dhe lirinë.
***
Organizata “Shqiptaria”
Zyra për Marrëdhënie me Publikun
Tiranë – Prishtinë – Diasporë

Kujtesa historike përmes fiksionit letrar në romanin “Nata e shekujve” të Jusuf Buxhovit

0
Nga: Arsim Halili
___
-Jusuf Buxhovi: “Nata e Shekujve”, roman, botoi “Rilindja”, 1986.
___
Romani “Nata e shekujve” i Jusuf Buxhovit përfaqëson një prej përpjekjeve më ambicioze të letërsisë shqiptare bashkëkohore për të ndërtuar një diskurs historiko-filozofik mbi qenien shqiptare, duke kapërcyer kufijtë tradicionalë të rrëfimit realist. Në këtë vepër, historia nuk është vetëm sfond i ngjarjeve, por substanca ontologjike mbi të cilën ngrihet ndërgjegjja kombëtare. Përmes një strukture narrative që ndërthuret midis reales dhe metafizikes, Buxhovi ndriçon dimensionin e “errësirës së shekujve” si një proces i përhershëm i humbjes dhe ringjalljes së identitetit.
Historia si mit dhe miti si histori
Në thelb të romanit qëndron një paradoks historik: shqiptari përjeton historinë jo si kujtesë lineare, por si përsëritje ciklike e fatit kolektiv. Buxhovi e ndërton romanin mbi këtë koncept të kohës rrethore, ku shekujt nuk ndjekin një vijë zhvillimi progresiv, por një spirale kthimi drejt së njëjtës errësirë.Kjo e bën romanin të afrohet me letërsinë e magjisë realiste dhe me traditat e filozofisë hermetike, ku realiteti dhe miti përthithin njëri-tjetrin. Për shembull, “nata” nuk është thjesht një periudhë errësire historike, por simbol i harresës ontologjike – një gjendje ku populli harron vetveten, rrënjët dhe gjuhën e tij të brendshme.Romani “Nata e shekujve”Jusuf Buxhovit është pjesë e ciklit letrar-historik të Buxhovit, i cili trajton fatin historik,shpirtëror dhe kolektiv të shqiptarëve ndër shekuj. Në thelb, vepra ndërthur elementë historik me fikcionin, duke krijuar një atmosferë të ëndërruar dhe herë-herë simbolike, ku “nata” është metaforë për kohërat e errëta — pushtime, padrejtësi, lakmi, luftë e tjera. Skenat deskriptive në këtë roman lidhen me motive si: nderi, sakrifica, humbje dhe besimi. Ndërkohë, nuk mungojnë elementë të psikologjisë së brendshme, reflektime mbi ekzistencën, kohën dhe identitetin. Personazhi Nikë Bardh si bujari i Përdrinit, është figurë fisnore, kërkon informacion në lidhje me shterjen e kroit të Urës së Shenjtë. Ky simbolizon ndikimin pushtues dhe kontrollin mbi burimet e natyrës dhe territorin, si dhe lidhjen mes pushtetarëve dhe subjektit të pushtuar. Ndërsa Balsha i Dytë — princi që përmendet në letrën që i dërgohet Nikë Bardhit. Simbolizon autoritetin politik, të jashtëm, që ndërhyn në fatet lokale. Nga ajo që mund të dokumentohet dhe interpretohet, se nata si koncept metaforik trajton periudhën e robërisë, pushtimit, padrejtësisë ,e megjithatë protagonistët përpiqen ta përballojnë, ta mbijetojnë dhe, pse jo, ta kalojnë. Ajo që mund të konstatohet se në romanin “ Nata Shekujve”përveç që përshkruhet lufta fizike, por edhe lufta për ta ruajtur gjuhën, besimin, traditat, vetë njerëzoren përballë forcave që duan të përcaktojnë fatin e tjetrit. Ndërsa figura e kroit të Urës së Shenjtë njëri nga elementet natyror që ka rëndësi simbolike për jetën, për lëvizjet njerëzore dhe për pushtimin. Shterja e tij tregon degradim, shkatërrim, humbje të natyrës dhe kultura që vdes pak nga pak.
Toposi i errësirës dhe metafora e shekujve
Titulli “Nata e shekujve” përmbledh thelbin semantik të romanit: një kohë e tejzgjatur e natës, ku drita e ndërgjegjes historike humbet nën peshën e pushtimeve dhe tronditjeve kulturore. Por “nata” në Buxhovin nuk është e përhershme; ajo është prehje para zgjimit, përgatitje për rilindje.Në një plan simbolik, shekujt përfaqësojnë vetë trupin e kujtesës kombëtare, që ndodhet nën një “letargji historike”. Përmes rrëfimit të fragmentuar, autori e paraqet historinë shqiptare si një palimpsest, ku shtresat e kujtesës janë të mbuluara me pluhurin e harresës, por ende të gjalla nën sipërfaqe. Lexuesi ftohet t’i zbulojë ato shtresa një nga një, për të rindërtuar tërësinë e qenies kolektive.
Personazhet si arketipe kolektive
Personazhet e Buxhovit nuk janë të individualizuar në kuptimin klasik. Ata janë figura arketipale, që mishërojnë aspekte të ndryshme të ndërgjegjes kombëtare: prijësi i verbuar nga historia, intelektuali i ndarë midis dy botëve, gruaja që ruan zjarrin e shtëpisë — të gjitha janë simbolizime të mbijetesës shpirtërore.Këto figura nuk veprojnë në një kohë konkrete; ato jetojnë në një kohë të përjetshme të kujtesës, ku ndodhja dhe përsëritja janë një. Kështu, Buxhovi krijon një mit të ri të shqiptarësisë, ku historia nuk është kronikë, por ritual i përjetshëm i mbijetesës.
Struktura narrative dhe estetika e fragmentit
“Nata e shekujve” nuk ndjek një linearitet klasik. Struktura e saj është mozaikore dhe asociative, që reflekton fragmentarizimin e vetë kujtesës historike. Çdo fragment rrëfimor përbën një mikrokozmos simbolik, që lidhet me të tjerët përmes aluzioneve, përsëritjeve dhe metaforave të përbashkëta.Në këtë aspekt, Buxhovi qëndron afër modeleve postmoderne të rrëfimit, por pa e humbur dimensionin etik e kombëtar të veprës. Ai ndërton një roman të hapur, ku lexuesi bëhet pjesë e procesit të rindërtimit të historisë — një akt bashkëkrijimi midis kujtesës dhe interpretimit.
Dimensioni filozofik dhe hermeneutik
Në thelbin e veprës qëndron një pyetje filozofike ekzistenciale: a mundet një komb të dalë nga nata e vet historike pa e humbur shpirtin? Për Buxhovin, përgjigjja është e dyfishtë. Nga njëra anë, nata është një mallkim — kujtesa e errësirës që përsëritet. Nga ana tjetër, ajo është kusht i domosdoshëm për dritën, sepse vetëm përmes përballjes me errësirën njeriu arrin njohjen e vetvetes.Ky mendim e lidh romanin me filozofinë e ekzistencializmit dhe me konceptin heideggerian të “qenies në kohë”. Historia shqiptare, në këtë kuptim, nuk është një rend kronologjik faktesh, por një mënyrë e qenies, një “të jetuar brenda natës”, që kërkon kuptim përmes ndërgjegjes.
Përfundim
Në përmasën e saj më të thellë, “Nata e shekujve” është një metafizikë e kujtesës — një kërkim për dritën që qëndron pas errësirës së historisë. Jusuf Buxhovi, përmes këtij romani, nuk synon të tregojë thjesht ngjarje, por të shpalosë mënyrën se si historia përjetohet si ndjenjë, si kujtesë, si plagë dhe si shpresë. Kështu, vepra e tij mbetet një ndër kulmet e reflektimit letrar mbi fatin shqiptar dhe mbi universalen njerëzore të përballjes me errësirën e shekujve.
(Kumtesë e lexuar në “Vjeshtën letrare të Gjilanit” 2025 kushtuar portretit letrar të Jusuf Buxhovit).

Kur “lista e zezë” humb ngjyrën: Heshtja e mediave dhe legjitimiteti i rremë i përfaqësimit politik

0
Në një shoqëri që ende nuk e ka shkundur pluhurin e tranzicionit, fakti që persona si Fatmir Limaj e Sami Lushtaku, të përfshirë dikur në listën e zezë amerikane, rikthehen sot në jetën publike si kandidatë politikë, tregon se Kosova po lëviz drejt një normalizimi të devijimit moral. Kjo nuk është më demokraci përfaqësuese, por demokraci e deformuar, ku morali politik është shndërruar në dekor për marketing elektoral.
Në çdo shtet të përgjegjshëm, përfshirja në listën e sanksioneve ndërkombëtare do të mjaftonte për t’i mbyllur dyert e institucioneve. Por në Kosovë, ky fakt interpretohet si dëshmi e qëndrueshmërisë politike. Kështu, “lista e zezë” e Washingtonit — që përfaqëson gjykim moral, jo thjesht financiar — po humbet ngjyrën e saj, sepse mungon reflektimi vendor.
Sanksioni si sinjal etik, jo hakmarrje politike
Kur SHBA përfshiu në listën e saj emra si Milan Radoičić, Zvonko Veselinović dhe Žarko Veselinović, nuk e bëri këtë për arsye etnike apo gjeopolitike, por për shkak të përfshirjes së tyre në rrjete të krimit të organizuar dhe korrupsionit që kërcënojnë stabilitetin rajonal. Në të njëjtën mënyrë, përfshirja e ish-komandantëve të UÇK-së si Limaj e Lushtaku në listat e mëparshme nën programin “Balkans” ishte paralajmërim moral për ndarjen mes lirisë dhe abuzimit të saj.
Megjithatë, në vend që të shërbejnë si shembuj për ndalimin e keqpërdorimit të autoritetit, këta emra vazhdojnë të qëndrojnë në qendër të vëmendjes elektorale, të ftuar në debate televizive, madje edhe të glorifikuar në fushata lokale. Kjo tregon se mekanizmat e vetërregullimit moral në Kosovë kanë pushuar së funksionuari.
Ku është reflektimi i shoqërisë?
Mediat që dikur mburreshin me investigime, sot shpesh heshtin. Akademikët që dikur reagonin me peticione e letra publike, tash janë mbyllur në auditore dhe në heshtje të mirëpaguar nga projektet qeveritare. Shoqëria civile, dikur ndërgjegjja e Kosovës, është shndërruar në zë burokratik të donatorëve. Askush nuk pyet më pse individët e sanksionuar shfaqen sërish si “zë i popullit”.
Nëse mediat nuk flasin, qytetarët nuk kuptojnë. Dhe kur qytetarët nuk informohen, ata votojnë për imazhe, jo për ideale. Kështu, sistemi politik kthehet në ekonomi të perceptimeve, ku gjithçka blihet me pak “heroizëm” të vjetër dhe me shumë marketing të ri.
Rreziku i legjitimitetit të rremë
Në momentin që një individ i sanksionuar për korrupsion apo krim organizuar rikthehet si kandidat politik, ndodh një përmbysje e rendit moral: ligji bëhet relativ, ndërsa morali selektiv. Kjo është rruga drejt kapjes së moralit publik — forma më e sofistikuar e kapjes së shtetit.
Në vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut, përfshirja në një listë të tillë ka prodhuar dorëheqje dhe distancime politike. Në Kosovë, përkundrazi, krijon mobilizim elektoral. Kjo është pasojë e mungesës së vetëdijes institucionale dhe e transformimit të mediave në instrumente pasivizimi, jo të informimit.
Kur mungon trysnia e jashtme, bie maska e brendshme
Sot nuk ka trysni të drejtpërdrejtë amerikane për këto çështje — dhe pikërisht kjo e bën situatën më serioze. Sepse tani është koha kur Kosova duhet të tregojë pjekurinë e saj morale pa tutorë ndërkombëtarë. Kur nuk ka “urdhër” nga ambasadat, testohen vlerat e brendshme të institucioneve dhe shoqërisë. Fatkeqësisht, për momentin, ato po dështojnë.
Nëse qeveria, mediat dhe akademia nuk e marrin seriozisht sinjalin që japin listat e zeza amerikane, Kosova do të rrezikojë të zhyten në relativizmin moral — ku gjithçka justifikohet dhe askush nuk mban përgjegjësi. Atëherë “lista e zezë” nuk do të ketë më vlerë: do të jetë thjesht një inventar emrash që publiku e harron dhe politikanët e shfrytëzojnë.
Pastrimi moral fillon në kutinë e votimit
Demokracia nuk është vetë shifra e votave, por cilësia morale e atyre që i marrin. Asnjë komb nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi njerëz që janë sanksionuar për korrupsion, krim apo abuzim të pushtetit. Përndryshe, Kosova rrezikon të bëhet shembull i një demokracie që jeton pa moral dhe e përdor patriotizmin si strehë për mungesën e llogaridhënies.

Kur lidershipi humb shpirtin e vet

0

Nga Isuf Bajraktari

Në thelb, çdo njeri lind me një qëllim – për të evoluar. Çdo shoqëri gjithashtu. Çdo popull zgjedh drejtimin e tij përmes një lideri që supozohet të mishërojë energjinë, idealin dhe shpirtin e tij. Por çfarë ndodh kur lidershipi, në vend që të evoluojë, ngurtësohet në formë e jo në përmbajtje?

Në Kosovë, prej disa vitesh, jemi dëshmitarë të një paradoksi politik. Populli që kërkoi ndryshimin më të madh, që votoi me shpresë për drejtësi, barazi dhe dinjitet, sot ndihet sërish i ndarë. Jo pse ideali mungon – por sepse rruga që e çon drejt tij është kthyer në korridor të mbyllur nga vetë ata që e udhëheqin.

Liderët tanë shpesh flasin për sovranitet, drejtësi e rend, por rrallë reflektojnë për rendin shpirtëror që i paraprin çdo rendi shoqëror. Nuk mund të kesh drejtësi të jashtme nëse brenda vetes mbart frikë, inat, ose etje për pushtet. Nuk mund të kesh harmoni në shtet nëse nuk ke harmoni në mendje. Si individi, ashtu edhe lideri, nëse nuk ruan lidhjen me “shpirtin e vet”, humbet busullën.

Fitoret zgjedhore, pa vetëdije të lartë, janë fitore që mpaken. Vetëvendosja, si lëvizje, lindi nga ideali i ndërtimit të një realiteti të ri – por rrezikon të bëhet pjesë e po atij sistemi që dikur e kritikonte. Nuk është më ideali që përcakton veprimin, por pushteti që formëson idealin. Dhe kur pushteti kthehet në qëllim, jo në mjet, lind ajo që filozofia e quan ndotje e mendjes.

Në shtëpinë e shtetit, populli është themeli. Ai që priret të bëhet prijës duhet të jetë koordinues i rendit të brendshëm, jo pronar i tij. Tradita e urtë shqiptare e quan “krye të shtëpisë” atë që ruan ekuilibrin, që kujdeset për çdo anëtar të saj, jo atë që sundon me fjalë të mëdha. Sot, Kosova ka nevojë për prijës që dinë të dëgjojnë më shumë se të flasin, që e ndjejnë peshën e popullit si përgjegjësi, jo si pronësi.

Sepse vetëm atëherë kur lideri kthehet tek vetvetja – tek qëllimi fillestar i pastër për të shërbyer e jo për të sunduar – mund të rikthehet edhe lidhja me popullin që e besoi. E kur kjo lidhje ngrihet në vetëdije, çdo veprim politik bëhet i shenjtë: jo si pushtet mbi të tjerët, por si përpjekje për harmoni me të gjithë.

Në fund, nuk është populli që duhet të përkulet para liderëve, por liderët që duhet të kujtojnë se janë pasqyra e shpirtit të popullit të tyre. Nëse ajo pasqyrë njolloset nga egoja, të gjithë humbim dritën.

PAN-i, Gjykata Speciale dhe Përparim Rama

1
Përparim Rama në protesten e PAN-it në Tiranë në foto me djalin e Hashim Thaçit
Idriz Zeqiraj, Gjermani
_____
       Është në vullnetin e subjekteve politike, për të emëruar kuadro në përfaqësim të partisë, qoftë kryetar komune apo ministër. LVV ka emëruar ministra që nuk kanë pasur asnjë kontribut partiak, por që e konsideruar kompetent për resorin ministral. Si duket një përzgjedhje të tillë e ka bërë edhe LDK, me emërimin fillestar  Përparim Ramën, katër vjet më parë, duke e përsëritur edhe tani, për  mandatin e dytë. Fundja, Përparim Rama, të paktën, në dy raste ka deklaruar se nuk është anëtar, por, përfaqëson LDK-në në detyrën e kryetarit të komunës. Madje, në një debat publik ka deklaruar se “kam votuar Shpend Ahmetin”, kur ai është kandiduar nga LVV, për kryetar të komunës së Prishtinës.
     Prandaj, ajo që thonë lukunia lehaqene e anal-banalistëve në debate se Përparim Rama shkoi në protestën e PAN-it në Tiranë, për të fituar ndoca vota në balotazhin e pritshëm me LLV, nuk qëndron. Sepse ai ishte edhe në protestën e Prishtinës, kur nuk ishte në balotazh. Pjesëmarrja në një protestë trefishtë të turpshme, nuk nderon asnjë njeri dhe aq më pak kryetarin e komunës të Prishtinës, Përparim Ramën!
     E para, protestë partiake e PDK-AAK-NISMA, pra, e PAN-it, kundër LVV dhe LDK-së;
     E dyta, është protestë kundër shtetërore, sepse Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është krijuar nga Parlamenti i Kosovës, me kërkesën ekskluzive të SHBA-së dhe të BE-së, kryesisht, të shteteve të Quintit;
     E treta, protesta është tërësisht antidemokratike dhe kundra kombëtare, sulm i drejtpërdrejtë kundër drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, pengimin e saj, me mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve.
     “Komandantët” kriminelë, të instruktuar nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, erdhën në pushtet me dhunë e përgjakje, me Qeverinë e Përkohshme, identike me partinë fashiste të monizmit shqiptar, të kompozuar në Bllokun e Zi të Tiranës. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtaret në Kosovë, shteti do të degjeneronte në diktaturë fashiste. Pikërisht për këtë, për krimet e luftës dhe të pasluftës po gjykohen banda e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale, në Gjykatën e Hagës.
     Goditja e parë ishte rrënimi i Sistemit të Drejtësisë, pamundësoi ndëshkimi e krimeve vrastare të kundërshtarëve politikë dhe të makro-hajnisë zyrtare, përfshirë kontrabandën galopante të kastës të “komandantëve” kriminelë dhe bandave të tyre, në bashkëpunim me serbët e veriut të Kosovës. Ata i shkaktuan miliarda euro humbje buxhetit shtetëror, sipas përllogaritjeve financiare, të bëra nga Dogana e Kosovës! Paralizimi total i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë dhe vazhdimi i vrasjes të dëshmitarëve në Kosovë, lindi nevojën e krijimit të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë.
     Kozmopolizmi i Përparim Ramës është i dukshëm, rrast i dëmshëm, sfidues unik i shtetit dhe i Qeverisë të Kosovës. Ekspozimi i tij në “safin”, radhën e parë të protestës, pranë të birit të Hashim Thaçit dhe të lukunisë mercenare, të krerëve dhe eksponentëve banditër të OVL të UÇK-së të PAN-it; të “skitalicës” Ali Ahmeti, pjesë e kurthit kriminal të djemëve në burgun e Kumanovës, në ujdi me disa “komandantë” kriminelë të Kosovës, për të humbur gjurmët e krimeve makabre; të shiturit Azgan Haklaj me soj sorollopin e tij; klerikëve matrapazë dhe llumhania tjetër zhurmuese.
     Të gjithë këta mercenarë, në shërbim të PAN-it, për të përfituar në balotazhin e pritshëm dhe përpjekja e dështuar, për rehabilitimin e krerëve sabotues të konsolidimit të shtetësisë të Kosovës. Destruktiviteti i kryeministrit namkeq shqiptar, Edvin Rama, mik besnik i presidentit serb, Vuçiq, aprovues i planeve ogurzeza të Serbisë për Kosovën, duke kulmuar me tradhtinë e madhe, së bashku me Hashim Thaçin, ndarjen e Kosovës. (Shih shkrimin: Tre banditërit me thika mbi hartën e Kosovës”).
     Përveç qortimit të madh, e një pjesëmarrje në një maskaradë karnevaleske, siç ishte protesta, gjithë pompë e bujë, në Tiranë, ku u shpërfaqë hipokrizia dhe turpi i skajshëm. Përparim Rama, me kryekomunarët tjerë, penalizohen për abuzimin e parasë të popullit, duke vënë në dispozicion, për veprimtari private, autobusët shtetërorë, për bartjen e PAN-istëve dhe të dostave të tyre, “kolonë e pestë” në LDK dhe ndoca partiza tjera.
     Meqenëse protesta ishte thirrur në mbështetje të “ish-ushtarëve dhe të komandantëve të UÇK-së”, për hirë të së vërtetës, nga 4 të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, tre syresh nuk ishin as ushtarë dhe as komandantë të UÇK-së, ngaqë nuk ishin pjesë e luftës. Pjesë e luftës ishte vetëm Rexhep Selimi. Ata nga Tirana komunikonin me disa komandantë në Kosovë, lëshonin komunikata, të ngjashme me atë numër 59, përzgjidhnin viktimat nga radhët e kundërshtarëve politikë, ndërsa ekzekutimet i realizonin komandantët vendorë, me skuadrat e tyre ekzekutive, pushkatare.
     Organizatorët delikuentë, kryesisht, të dënuar të kësaj kategorie, para nisjes për protestën e turpshme dhe kriminale unike, në Tiranë, mashtruan  se “kërkojmë vetëm monitorimin dhe gjykimin e drejtë, pa ndërhyrje, pa ndikime, pa i paragjykuar dhe papenguar procesin gjyqësor”! Përkundrazi, në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, e quajtën “raciste dhe fashiste”! Dhe, kërkuan me ultimatum lirimin e menjëhershëm të “komandantëve heronj të luftës”, pa hyrë në luftë fare!
     Po citojmë kryeplakun e kësaj proteste, ish-presidentin shqiptar, Alfred Moisiu: “Asnjëri nuk ka kryer asnjë krim. Ata që nuk u bënë pjesë të kësaj proteste, i shërbejnë politikës serbe dhe ruse”. Dhe, aludimi i Gjeneralit, të shkollës ruse, ishte për LDK-në, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë!
     Të gjitha këto akuza dhe lumë të tjera i dëgjoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjithnjë i buzëqeshur dhe në përqafim me Ali Ahmetin e Zajazit, kryetar i BDI-së, në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, duke e lënë me një anë politikën dhe altruizmin e tij, amnistimin, faljen e krimeve dhe të kriminelëve, madje ata, pa u penduar dhe pa kërkuar falje, për krimet serike e makabre të tyre, lë të mbetet në ndërgjegjen e Përparimit.
     Por, kandidimi për mandatin e dytë të kryekomunarit të Prishtinës, është diç tjetër, meqë ai ka preferencë të mos identifikohet me partinë, në rastin konkret, me LDK-në. E njoh familjen Rama, si familje konak dhe intelektuale e hershme, që nga vitet `60-a, kur shërbeja mësues në atë zonë. Zanatin e kryekomunarit, atëbotë, e ushtronte vëllai i gjyshit të Përparimit. -Tradita vazhdon-, siç thonë aktivistët e LDK-së. Edhe Kryesia e LDK-së nuk mund të fajësohet për kandidimin e tij, sepse ka menduar më shumë për të mirën e Prishtinës, duke besuar në novatorizmin profesional të Përparimit, se sa për partinë. Dhe, kjo është fisnikëri, në traditën e partisë Institucionale.
     Kandidatët konkurrues për Prishtinën, kanë qenë të mrekullueshëm. Temë parësore problematike, paradoksalisht, ishin qentë dhe bërlloku! Me keqardhje, dy shtetet shqiptare: Kosovën dhe Shqipërinë po i hanë qentë dhe po i mbulon bërlloku! Kandidatët folën edhe për infrastrukturën dhe të tjera. Por, vizioni i arkitektit londnez, Perparim Rama, për veprën madhore, bërjen e unazës zhbllokuese për kryeqytetin është e veçantë, madje e domosdoshme, si dhe rrugë alternative.
     Ideja e hedhur e arkitektit Rama, qysh në fushatën e mandatit të parë, për frymëmarrjen e shpenguar, shëndetin e mushkërive të Prishtinës, fort të ngulfatur, bërja e stadiumit një mini-liqe, duke e shtrirë edhe në hapësirën rrethuese, është risi gëzimplote. Andaj, dhënia e një mandati të dytë arkitektit Përparim Ramës, gjithësesi, do ta përmbushte ëndrrën fisnike të arkitektit dinjitar dhe stoik, Rexhep Lucit, i cili u ekzekutua nga komandantët uzurpator të tokave të kryeqytetit, duke u bërë – Kurban – në mbrojtje të urbanizimit modern të Prishtinës.