




















Florim Zeqa
Me shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, më të demtuarit do të mbesin deputetët e rinj të legjislaturës së 9-të, të cilët me sakrifica të mëdha u futën në Kuvend: disa me nepotizëm, disa me servilizëm, disa me se*ualizëm e shumë pak me meritë!
Deputetët e rinj ishin pengje të liderëve partiak
Deputetët e legjislaturës së 9-të, të zgjedhurit e popullit përveqse numra ishin shndërruar në pengje të liderëve partiak, të cilët me pozicionimet e tyre barrikaduese prapa liderëve partiak, pa dashjen e tyre u bënë abuzues të votës së qytetarëve.
Po të mos ishte kështu, shumica e deputetëve shqiptar ne Kuvendin e Republikës së Kosovës, në radhë të parë do duhej të silleshin si përfaqësues të popullit, për gjetjen e një rrugëdalje nga situata bllokuese për të mos e çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme!
Me këtë konstalacion të forcave politike pa një alternativë të re për qytetarët, zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta prodhojnë përafërsisht të njëjtin rezultat, më shumë polarizim politik dhe dëmtim të panevojshëm të buxhetit të shtetit!
Kështu pra, të zgjedhurit e popullit, me ose pa vetëdijen e tyre, duke mbrojtur pozicionet e liderëve të tyre partiak, përveq humbjes së mandateve të fituara me mund të madh dhe kosto të lartë materiale, e rrezikuan seriozisht të ardhmen e shtetit!
“Të mëdhenjt i hanë mollat, të vegjëlve ju mpihen dhëmbët” (popullore)
Tashmë është bërë dukuri e shëmtuar, kur është në pyetje pushteti, liderët partiak nuk respektojnë parime dhe as programe politike, duke përdorur standarde të dyfishta janë të gatshëm të gëlltisin çdo parim dhe premtim të dhënë para elektoratit të tyre.
“Të mëdhenjt i hanë mollat, të vegjëlve ju mpihen dhëmbët”, thotë një fjalë e urtë popullore. Pikërisht kështu ndodhi me një pjesë të deputetëve të kësaj legjislature.
Shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveq dhëmbëve, disave prej deputetëve do t’ua “mpijë” edhe shpirtin, nuk do ta kenë më mundësinë e kthimit në karrigën e deputetit!
Mbase kjo është gjë e mirë dhe mësim për të ardhmen, që të tjerët të mos bien pre e liderëve partiak.
Pas përfundimit të çdo lufte ndodhin këmbimet e pengjeve, por të njejtin fat nuk do ta kenë edhe deputetët fatkeq të legjislaturës së 9-të, për shkak të pengmbajtjes nga liderët partiak!
Përderisa këta të fundit (liderët partiak) nuk i pengon askush të lidhin kurorë me secilin dështak të zgjedhjeve të kaluara, të tjerët e kanë më të vështirë, por jo të pamundur t’i realizojnë aspiratat e tyre politike në një kamp tjetër politik!
Megjithatë, gjithçka mbetet në ndërgjegjen dhe guximin personal të tyre!
Nga pozicioni i pengut partiak do të arrijnë të dalin vetëm deputetët e guximshëm që vendosin të kthehen në shërbim të shtetit dhe qytetarëve!
Politikanët karrierist për të realizuar ambicien e tyre personale nuk zgjedhin mjete e njerëz, ata lidhen me dreqin e t’birin, edhe me armikun qoftë nevoja për të ardhur deri tek karrigia e pushtetit!
Mos qofsha në lekurën pengut partiak!
Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi publik, duke e cilësuar këtë si një akt historik që pasqyron sakrificën dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për liri dhe sovranitet.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen përmes së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” ka shkruar Presidentja Osmani.
“Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshme këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona,” ka shtuar Osmani.


Nga: Safet Sadiku
Ese
Nga rrëfimet nr.112: Kjo vëmendje kushtuar sjelljeve të iriqit nënkupton, “njeriun që nuk del nga zona e tij e ngushtë, nga frika, egoja, ose mjedisi që e mban peng”. Iriqi është i vogël, por i mençur.
Ai e di se jashtë ferrave ka dritë, por ka edhe rrezik. Prandaj rri aty ku e njeh terrenin. Aty ku nuk e prek askush, por as nuk ecën askund. Nganjëherë, edhe ne njerëzit jemi si iriqat… E ndërtojmë ferrën tonë prej frike, zakoni, komoditeti. Mendojmë se aty jemi të sigurt, por në të vërtetë, jemi të burgosur brenda vetes. Shoqëria jonë ka shumë “iriqë”. Politikanë që nuk dalin nga mendësia e vjetër. Qytetarë që nuk dalin nga apatia. Të rinj që nuk dalin nga pritja. Jashtë ferrës është jeta me dritë, me stuhi, por edhe me mundësi. Por, kërkon guxim të dalësh.
Të përballesh me veten është njëlloj sikur të hapësh rrugë mes gjembash. Iriqi nuk del nga ferrat sepse i druhet botës!… Njeriu nuk del sepse i druhet ndryshimit!… Por as liria nuk rritet në ferra!… Ajo lind vetëm kur del jashtë tyre…
Mendimet rrjedhëse e reflektuese, nga përvoja jetësore, ku shprehja e ngulitur në fjalorin e popullit tonë: “Iriqi nuk del nga ferrat“, lidhet me gjendjen e demokracisë, frikën nga ndryshimi dhe mungesën e guximit qytetar e politik, natyrisht edhe për vendimmarrje historike… Ai nuk del nga ferrat! Të tjerët nuk dalin nga apatia! Dhe, pritja po bëhet si zbatimi më i mirë i ligjeve që nuk disiplinojnë asnjë përgjegjësi…
Në çdo kohë tranzicioni, shoqëritë përballen me një dilemë të thellë: të qëndrojnë në sigurinë e vjetër apo të dalin në pasigurinë e re. Logjika e vjetër “Iriqi nuk del nga ferrat” përshkruan me saktësi këtë gjendje. Iriqi, i mësuar me mbrojtjen e vet, nuk guxon të dalë në dritë! Ai zgjedh ferrat, sepse aty ndjehet i sigurt, megjithëse i kufizuar. Edhe demokracia jonë, shpesh, i ngjan këtij iriqi.
Pas lirisë së fituar me gjak, ne u përballëm me sfidën më të madhe: lirinë dhe përgjegjësinë për të ndërtuar shtet. Por në vend që të ecim përpara, shumëkush mbeti në ferrën e vet ideologjike, partiake apo personale. Institucionet tona, që duhej të ishin hapësira të debatit dhe përgjegjësisë, u kthyen në fole ferrash, ku secili mbrohet me gjemba, por askush nuk guxon të afrohet me mirëbesim.
Në vend të ndërtimit të përbashkët, u thellua ndarja dhe në vend të dialogut, lulëzoi dyshimi! Në vend të demokracisë së gjallë, mbizotëroi mbrojtja e interesave të ngushta. Zëri i studentit: Demokracia kërkon liri, por edhe guxim. Kërkon daljen nga ferra e frikës, nga mendësia se, “jam më i sigurt në heshtje se në ndryshim”. Ne nuk mund të forcojmë një sistem që mbrohet vetëm me fjalë, por jo me vepra.
Kur Kuvendi nuk funksionon, kur qeveria nuk votohet, kur populli e sheh politikën si lojë e jo si përgjegjësi, atëherë ferrat janë bërë shumë të dendura, dhe iriqët tanë nuk dalin më dot jashtë tyre. Të forcosh demokracinë do të thotë të dalësh nga ferrat e komoditetit politik. Të pranosh se ndershmëria nuk është dobësi, por është themel i lirisë.
Mbase kjo shprehje po na krijon nervozitet! Por, të kuptosh se shteti nuk është strehë e pushtetit, por pasqyrë e shoqërisë, edhe kjo gjë nuk është turp. Çdo qytetar që hesht përballë padrejtësisë, çdo politikan që manipulon ligjin, çdo intelektual që zgjedh neutralitetin pa funksionalitet është një iriç më shumë që fshihet në ferrat e tij, se sa është pjesë e zhvillimit të vendit. Në parim, pyetja ime është e thjeshtë: A do të vazhdojmë të fshihemi pas gjembave të frikës, apo do të dalim në dritë për t’u përballur me veten? Sepse demokracia nuk ndërtohet me iriqë që qëndrojnë në ferra, por me njerëz që guxojnë të dalin prej tyre, edhe kur toka jashtë është e ashpër, edhe kur drita është verbuese. Vetëm atëherë do të mund të themi se kemi mësuar jo si të fitojmë lirinë, por si ta meritojmë atë. Po mësojmë madje si ta ndërtojmë demokracinë në mes ferrave me shumë iriq!…
Por iriqët tanë nuk u shqetësuan as kur një institucion ndërkombëtar i tha shqiptarëve: “Ejani, merrni miliardëshin e parë për investime, zhvilloni vendin tuaj, sepse koha nuk ju pret.” Ata nuk lëvizën nga ferrat e tyre. Nuk i tronditi as mundësia për t’u hapur ndaj botës, as thirrja për bashkëpunim, as përfitimi që mund të vinte për popullin. Sepse iriqi, kur është mësuar të mbrohet vetëm me gjemba, e sheh çdo dorë të shtrirë si kërcënim, jo si mundësi.
Në vend që të shfrytëzohej rasti për ta treguar Kosovën si një vend të qëndrueshëm, me institucione funksionale e klimë besimi, disa zgjodhën të vazhdojnë lojën e vjetër të bllokadës dhe mosbesimit. Në vend të bashkëpunimit, prodhuan mosveprim, në vend të vizionit, sollën arsyetime, në vend të unitetit, mbollën ndarje. Kështu, ndërsa bota u thotë shqiptarëve, “dilni nga ferrat”, ata që kanë pushtetin, e të qenurit liderë politikë, të udhëheqin këtë dalje, që duhet të jenë të parët që të japin shembullin, përsëri qëndrojnë të fshehur, duke u mbrojtur me gjemba e heshtje.
Pamja është e shëmtuar, thotë bota, dhe me të drejtë: sepse nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të shohësh një popull të lirë që e mban veten të burgosur në ferrat e vetëkrijuara!… Demokracia, nëse nuk ushqehet me guxim dhe përgjegjësi, shndërrohet në një kopsht ferrash, të bukur nga jashtë, por plot gjemba brenda. Forcimi i demokracisë nuk fillon me deklarata, por me vendime.
Me kthimin e besimit, me lëvizjen e parë jashtë ferrave. Sepse përderisa iriqët tanë vazhdojnë të mburren me gjembat e tyre, vendi nuk do të ecë përpara, dhe as demokracia nuk do të piqet kurrë në diellin e lirisë që shumë të tjerë e fituan me gjak. Në fund, gjithçka zbret në një të vërtetë të thjeshtë, por shpesh të harruar: demokracia nuk ndërtohet me frikë, por me besim.
Ajo nuk kërkon njerëz të përsosur, por njerëz të ndershëm! Nuk kërkon pushtetarë të fuqishëm, por shtetarë të përgjegjshëm. Kosova nuk ka mungesë potenciali, ka mungesë besimi, dhe besimin për të ecur përpara duhet ta mbjellim të gjithë pa maska, pa alibi dhe pa ferrat e zakonit.
Të dalësh nga ferrat nuk do të thotë të braktisësh mbrojtjen, por të besosh në dritën që vjen nga përgjegjësia. Të ndërtosh institucione që nuk varen nga individët, por nga vlerat. Të kultivosh kulturën e llogaridhënies, jo frikën e transparencës. Sepse në fund, demokracia nuk matet me numrin e fjalimeve, por me sinqeritetin e veprimeve.
Ajo nuk qëndron mbi gjemba, por mbi parime. E vetëm atëherë kur politika, shoqëria dhe secili prej nesh do ta kuptojë këtë, mund të themi se jemi në rrugën e duhur për ta bërë lirinë të plotë. Të pranosh se ndershmëria nuk është dobësi, por themel i lirisë!…
Ky është mësimi që i duhet jo vetëm Kosovës, por çdo demokracie që kërkon të qëndrojë e fortë, e drejtë dhe e vërtetë ndaj vetes dhe gjithë shoqërisë sonë!
(Shkëputur nga dorëshkrimet)

Nga: Safet SADIKU
Promovim libri
Lea Ypi në zemër të Cyrihut
Një promovim ndryshe i Lea Ypit në Cyrih, ku fjala nuk shërbeu thjesht për të prezantuar një libër, por u shndërrua në një mjet për të ndërtuar kuptim të përbashkët, për të ndalur kohën dhe për të ftuar mendimin të ecë përtej zakonshmërisë së promovimeve letrare.[Text Wrapping Break]Mbrëmë në Cyrih, një promovim libri u kthye në një ngjarje mendimi, ku fjalët nuk u thanë për të mbushur kohën, por për të sfiduar harresën dhe për të kujtuar që liria, përveçse përjetohet, duhet edhe të kuptohet. Promovimi nuk ishte thjesht një ngjarje letrare, por një ftesë për të menduar thellë mbi kujtesën, lirinë dhe përgjegjësinë që mbajmë ndaj së kaluarës sonë.[Text Wrapping Break][Text Wrapping Break]Kur një autore vjen nga një vend i vogël me një histori të madhe dhe të ndërlikuar, dhe arrin të flasë me autoritet të barabartë për komunizmin dhe kapitalizmin, për lirinë si përvojë personale dhe si koncept filozofik, për dinjitetin individual dhe përgjegjësinë kolektive, atëherë prania e saj në një qytet si Cyrihu nuk është vetëm një ngjarje letrare, por një ngjarje kulturore me vlerë shumëdimensionale. Takimi me Lea Ypin, që bashkoi fjalën e shkruar me fjalën e folur, përvojën shqiptare me përvojën ndërkombëtare, dhe filozofinë me letërsinë, ishte më shumë se një prezantim libri. Në fakt ishte një reflektim i thellë mbi historinë, kujtesën dhe njeriun në botën e sotme.

Filozofia e kujtesës biografike dhe forca e fjalës
Lea Ypi është një nga zërat më të spikatur të mendimit bashkëkohor europian, që vjen nga Shqipëria. E lindur në Durrës në vitin 1979, Ypi është rritur gjatë viteve të fundit të regjimit komunist dhe ka përjetuar nga afër kalimin e vështirë drejt tranzicionit post-komunist, përvoja që do të shndërroheshin më vonë në temë thelbësore të veprave të saj. Është profesoreshë e teorisë politike në „London School of Economics“ (LSE) dhe bashkëpunëtore kërkimore në Institutin e Studimeve për Humanitetin në Universitetin e Humburgut. Studimet e saj ndërthurin filozofinë politike, teorinë marksiste, etikën dhe historinë e ideve, me një theks të veçantë mbi lirinë, drejtësinë dhe përgjegjësinë politike. U bë e njohur në arenën ndërkombëtare me librin “Free: Coming of Age at the End of History” (Liri: Të rritesh në fund të historisë), një autobiografi filozofike që trajton fëmijërinë e saj në Shqipërinë e vonë komuniste dhe trazirat e pas viteve ’90. Libri u vlerësua gjerësisht nga kritika dhe u përkthye në shumë gjuhë, duke e kthyer Ypin në një autore të lexuar në nivel global. Veprat e saj janë përkthyer dhe botuar në më shumë se 20 gjuhë, përfshirë edhe shqipen. Me veprën e saj të fundit, “Indignity” (Undyrë), Ypi vazhdon të eksplorojë dimensionin personal dhe politik të jetës nën dhe pas ideologjive të mëdha, duke sjellë një qasje më introspektive dhe universale ndaj pyetjeve që lidhen me identitetin, përgjegjësinë dhe dinjitetin njerëzor.

Ajo që e bën veprën e Lea Ypit, (siç figuron në botimet ndërkombëtare) të veçantë dhe thellësisht rezonante në ndërgjegjen e lexuesit është mënyra mjeshtërore me të cilën ajo ndërthur përvojat personale të fëmijërisë në një Shqipëri të mbyllur e të coptuar nga komunizmi, (ose “…në një Shqipëri të izoluar dhe të shtypur nën peshën e regjimit komunist”),me reflektime të thella filozofike mbi lirinë, dinjitetin dhe qenien njerëzore si subjekt etik, i aftë për të përjetuar e konceptuar botën përmes filtrit të ndërgjegjes morale dhe përgjegjësisë individuale. Struktura narrative e prezantimit të veprës së saj në Cyrih, e ndërtuar mbi një bashkëbisedim në gjuhën angleze për idetë që qëndrojnë në themel të librit, e ndërthurur me lexime të zgjedhura në gjuhën gjermane për ta afruar audiencën me tekstin letrar në mënyrë intime e të ndjerë, përbën një mënyrë jashtëzakonisht elegante dhe të sofistikuar për ta sjellë këtë tekst para një publiku jo vetëm zviceran, por ndërkombëtar që kërkon jo vetëm përmbajtje, por edhe përvojë kulturore dhe estetike.

Përmendja e detajeve të dukshme si “lagjja Komuna e Parisit”, “Shkolla Skënderbeu“ në Tiranë, apo përshkrimet e brendshme të shtëpisë si divani dhe aneksi i vogël familjar, nuk janë thjesht kujtime të konservuara në kujtesën personale, por shndërrohen në nxitës të një reflektimi filozofik, që shpesh arrin dimensione universale duke kaluar përtej lokalitetit, dhe duke i dhënë përvojës së jetuar një vlerë konceptuale. Në këtë kontekst, duket se vepra më e fundit, “Indignity” (e përkthyer në shqip si “Undyrë”), është në njëfarë mënyre një vazhdim logjik dhe emocional i librit të saj të mëparshëm, “Liria”, por me një zhvendosje të theksuar drejt introspeksionit të brendshëm, përqendrimit në ndërtimin e identitetit dhe ndërlikimet e marrëdhënieve njerëzore në një botë ku kufijtë mes privates dhe publikes janë shpesh të paqartë.

Ajo që i jep kësaj ngjarjeje një rëndësi të veçantë është fakti se salla e madhe e qendrës kulturore në Cyrih ishte mbushur plot me publik zviceran, i cili jo vetëm që e ndoqi me vëmendje dhe emocione të prekshme diskutimin e autores, por edhe reagoi në mënyrë të vazhdueshme dhe entuziaste përmes duartrokitjeve të gjata, pas pothuajse çdo përgjigjeje të Ypit, duke dëshmuar kështu një respekt të thellë dhe një admirim të pakursyer për të, jo vetëm si autore, por edhe si një prej mendimtareve më të rëndësishme bashkëkohore që vijnë nga hapësira shqiptare.
Ky përqafim i sinqertë ose mbështetje dhe interesim i fuqishëm nga një audiencë ndërkombëtare e përbërë nga lexues të formuar e të ndjeshëm siç janë zviceranët, nuk është vetëm një dëshmi e suksesit të ngjarjes në kuptimin sipërfaqësor të fjalës, por përfaqëson një shembull domethënës të mënyrës sesi një zë që rrënjoset në përvoja shumë specifike historike e kulturore, siç është ai i Lea Ypit, ku mund të kapërcejë me natyrshmëri kufijtë gjuhësorë, kulturorë dhe ideologjikë, për të prekur një dimension më të gjerë njerëzor dhe për të afirmuar universalen përmes së veçantës.[Text Wrapping Break]Bileta për të hyrë në sallën e promovimin e këtij libri të Lea Ypit, kushtonte 70 franga zvicerane, ndërsa çmimi i librit ishte 40 franga. Nga komuniteti shqiptar që ndodhej në Cyrih, numërova rreth 7-8 pjesëmarrës, përfshirë edhe veten time.

