Kreu Blog Faqe 420

Kulti i grabitësve: kur vota shndërrohet në amnisti morale

0

Nga Agim Vuniqi, Vashington

Në Kosovë, vota është shndërruar nga akt qytetar në një ritual amnistie morale. Sa herë zhvillohen zgjedhje, qytetarët iu kthehen të njëjtëve njerëz që kanë plaçkitur vendin, i kanë kapur institucionet dhe kanë zhdukur ndjenjën e përgjegjësisë publike.

Fenomeni Sami Lushtaku është pasqyra më e qartë e këtij realiteti të deformuar politik, ku krimi dhe korrupsioni shiten si patriotizëm dhe ku nënshtrimi ndaj pushtetit lokal zëvendëson ndërgjegjen qytetare.

Privatizimi si grabitje legale Procesi i privatizimit në Kosovë, që duhej të ishte hap drejt ekonomisë së tregut, u kthye në një grabitje të planifikuar të pasurisë shoqërore. Nën flamurin e “reformës ekonomike”, u krijua një kastë e re ekonomiko-politike, që përfitoi nga lidhjet me partitë e pasluftës.

Në zonën e Drenicës, ku simbolika e luftës është përdorur si mburojë për pasurim të shpejtë, Sami Lushtaku është shembulli më i dukshëm: një ish-komandant që u shndërrua në milioner politik, me ndikim të pakontrolluar në strukturat komunale e partiake.

Në listën e zezë amerikane Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Sami Lushtaku figuron në Listën e Personave të Përcaktuar në Mënyrë të Veçantë (SDN) nën programin “BALKANS”, që përfshin individë që kanë kontribuar në kërcënimin e stabilitetit në Evropën Juglindore.

Në dokumentin e datës 27 qershor 2001, OFAC e liston LUSHTAKU, Sami (lindur më 20 shkurt 1961, Skënderaj) si individ ndaj të cilit zbatohen masa bllokuese të pronës dhe ndalimi i hyrjes në SHBA.

Votuesi si pjesë e folklorit politik Votuesi kosovar shpesh nuk voton për programe, por për “afërsi”. Vota është shprehje emocionale, fisnore dhe personale, e jo ideologjike.

Në vend të debatit qytetar, kemi një ritual besnikërie ndaj ‘komandantit’, ndaj ‘burrit që ka ndihmuar familjet’, apo ndaj ‘njeriut të fjalës’. Kjo votë nuk është as demokratike, as ideore — është folklorike. Në këtë folklor, edhe mëkati amnistohet përmes narrativës së “patriotizmit lokal”.

Në këtë mënyrë, demokracia e Kosovës nuk matet me integritet, por me lojalitet. Partitë që ushqehen nga amnezia shoqërore Partitë që trashëguan strukturat e luftës, veçanërisht PDK-ja, kanë mësuar të ushqehen nga amnezia kolektive e popullit.

Ato nuk ofrojnë vizion, por nostalgji. Nuk kërkojnë reformë, por besnikëri.

Kështu, individë me të kaluar problematike, përfshirë ata që janë nën sanksione ndërkombëtare, vazhdojnë të paraqiten si ‘heronj lokalë’ dhe fitojnë me vota plebishitare. Në këtë kontekst, fenomeni “Lushtaku” nuk është rastësi — është simptomë e sistemit.

Ai ekziston sepse sistemi e prodhon, e mbron dhe e riciklon. Kur turpi zëvendësohet me krenari Fakti që një individ nën sanksione ndërkombëtare mund të jetë më i votuari në zgjedhjet lokale tregon se Kosova nuk po përballet vetëm me krizë politike, por me krizë morale. Shoqëria nuk e ndëshkon padrejtësinë, por e voton.

Nëse një popull shpërblen ata që e kanë plaçkitur, ai pushon së qeni viktimë — bëhet bashkëfajtor.

Demokracia si farsë morale Në një shtet ku lista e zezë amerikane nuk përbën turp, por dekor, demokracia humb kuptimin. Ajo kthehet në fasadë për një moral të degraduar politikisht.

Kosova nuk mund të ecë përpara duke u qeverisur nga figurat që përfaqësojnë më së miri të kaluarën e saj më të errët.

Derisa vota të mbetet akt sentimental dhe jo qytetar, pushteti do të mbetet pronë e atyre që dikur e çliruan vendin, por më vonë e robëruan atë përmes pasurisë dhe frikës.

Fusnota 1. U.S. Department of the Treasury, Specially Designated Nationals and Blocked Persons List (SDN) – Program: BALKANS, sanctionssearch.ofac.treas.gov 2. Executive Order 13219 – “Blocking Property of Persons Who Threaten International Stabilization Efforts in the Western Balkans,” 27 qershor 2001, OFAC, U.S. Treasury Department, ofac.treasury.gov

Tradhëtia përmes marrëveshjeve politike (1)

1

Sak Muji, Rugovë-Zvicër

Kapitulli

-I-

Kronologjia e katër nënshkrimeve që e zbehën sovranitetin e Kosovës

⸻

Hyrje emocionale – Fjala që s’duhet harruar

Nuk është fjala për politikë të përditshme, por për fatin e një kombi që u lodh nga premtimet, që e humbi besimin në tri pushtete rresht, dhe që tani e kërkon shpëtimin tek vetëdija. Kosova e vogël, që lindi nga gjaku i brezave dhe u ngrit mbi rrënojat e robërisë, u përball pas pavarësisë me një tjetër formë pushtimi – pushtimin përmes marrëveshjeve. Jo me tanke e zjarr, por me nënshkrime të heshtura, që nën petkun e “dialogut” i dhanë Serbisë atë që ajo nuk e fitoi as me luftë.

Populli i Dukagjinit, i Podgurit e i Anadrinit e ndjeu i pari këtë tradhti: në tokën ku u derdh gjaku për liri, sot fryn era e marrëveshjeve të imponuara, të nënshkruara në emër të “normalizimit”, por që normalizuan vetëm padrejtësinë.

⸻

I. Viti 2011

– Fillimi i rrëshqitjes

Në vitin 2011, nën “dialogun teknik” të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova hyri në bisedime për tema që do të duhej të ishin të mbyllura me shpalljen e pavarësisë. Nënshkrimet e para për telekomunikacionin, doganat dhe energjinë u bënë pa transparencë. Serbia fitoi të drejtën të ketë ndikim në kodet telefonike, në sistemin energjetik dhe në rrjetet e tregtisë ndërkufitare.

Për popullin ishte “marrëveshje teknike”, por në thelb ishte lëshim politik.

Ishte akti i parë i dorëzimit të sovranitetit ekonomik.

⸻

II. Viti 2013

– Marrëveshja e Brukselit, plaga që s’u mbyll

Më 19 prill 2013, u nënshkrua ajo që historia e Kosovës do ta quajë përherë “Marrëveshja e Brukselit”.

Nënshkruesit: Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić.

Dokumenti që u prezantua si “marrëveshje normalizimi” përmbante nenin famëkeq për “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” – një strukturë paralele që rrezikon ndarjen e Kosovës në dy realitete.

Gjykata Kushtetuese e shpalli pjesërisht të papajtueshme me Kushtetutën, por ajo mbeti si kërcënim permanent ndaj shtetësisë.

Kjo ishte tradhtia e dytë – e nënshkruar në heshtje, pa pyetur popullin, pa pyetur ata që derdhën gjak për liri.

⸻

III.

Viti 2015

– Zajednica dhe rezistenca Në vitin 2015, qeveria e Isa Mustafës, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, nënshkroi dokumentet e zbatimit të “Asociacionit”.

Në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje, nën drejtimin e Albin Kurtit, ishte e vetmja forcë që ngriti flamurin e kundërshtimit.

Në Kuvend shpërthyen gaz lotsjellës, në rrugë doli populli. Skena politike e Kosovës u nda në dy kampe: ata që pranonin kompromisin me Serbinë dhe ata që mbronin sovranitetin. Ishte momenti kur u dëgjua zëri i parë i popullit të vetëdijshëm – zëri i vetëvendosjes.

⸻

IV. Viti 2020

– Marrëveshja e Uashingtonit, fasadë ekonomike

Më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, u nënshkrua një dokument i quajtur “Marrëveshje për normalizim ekonomik”.

Firmat: Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vučić. Pas parullave të bukura për “hekurudha, rrugë dhe energji”, fshiheshin nene që ndalonin Kosovën të aplikonte për organizata ndërkombëtare dhe e detyronin të pranonte projekte me ndikim serb e rus.

Në thelb, ishte marrëveshje që e lidhte duart e Kosovës, dhe i jepte Serbisë kohë për të forcuar ndikimin ekonomik dhe diplomatik në veri.

Exit-pollet e porositura – laboratorë të mashtrimit elektoral

0

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina

Tri exit-pollet e organizuara në Kosovë, ditën e votimit, nëse vërtetohet se promovimin e rezultateve të tyre e kanë ushtruar para afatit të përfundimit të së drejtës për votim (ora 19:00), atëherë është e kuptueshme se ato, përveç “huqjeve të qëllimshme statistikore”, kanë pasur edhe një varg qëllimesh të tjera politike.

Midis këtyre qëllimeve, po identifikoj disa nga to:

1. Shtimin e dyshimit në transparencën, llogaridhënien, përgjegjësinë dhe paanshmërinë e institucioneve shtetërore;

2. Devijimin e perceptimit real të votuesve gjatë procesit të votimit, që është rreptësisht i ndaluar si me ligjin zgjedhor, ashtu edhe me Kushtetutë;

3. Uljen e besimit në disa subjekte politike që kanë interesin dhe synimin e kompromitimit të rivalëve ideologjikë;

4. Shtimin e polarizimit ndërpartiak, i cili edhe ashtu ishte evident për shkak të frustrimit të shkaktuar nga ngërçi pesë- a gjashtëmujor politik;

5. Bartjen e këtij polarizimi edhe në shtresat e gjera qytetare, ku grupet militante do të bënin thirrje për thyerjen e rendit aktual kushtetues;

6. Tensionimin permanent dhe shkaktimin e dëmeve reputacionale midis klaneve dhe grupeve të ndryshme të interesit që zotërojnë monopole ekonomike në vend;

7. Manipulimin e qëllimshëm politik, për të ndërtuar narracione me imperative ekskluzive të kontrollimit të perceptimit të votuesve potencialë.

P.S.

Nuk e them rastësisht se Kosova, si vend me demokraci ende të brishtë, ka shumë më tepër nevojë për sondazhe të verifikuara shkencërisht, që realizohen nga ekipe të pavarura e kredibile, të gatshme të marrin përgjegjësi etike e morale, sesa për “laboratorë të mashtrimit elektoral” që prodhojnë krizë besimi, devijim perceptimi dhe destabilitet institucional të shtetit… dhe vendit!

Harbutërit, nuk duhet lejuar që të shpifin…!

0
Nga: Afrim Caka, Gjakovë
___
Ka shumë vite që shkruaj për të mirën e Dardanisë.
___
Vetëm një cop shkruesi jamë. Të lexuarit e këtij shkrimi nuk është qëllimi në vetvete, por një mjet drejt qëllimit të përbashkët. Propaganda e të huajit vazhdon.
Në shoqërinë tonë nuk ka vend për dezertorët. Shumë analistë në media janë kryesisht të paaftë për qeshur, qeshin me fastkeqësinë e tjetrit, saqë e kanë humbur aftësinë t’u japin dikujt gëzim, sepse i vetmi objekt i kujdesit të tyre është të zymtësojnë çdo të arritur nga qeveria Kurti. Ata ecin nëpër një jetë në atë mënyrë sikur duan të shuajnë rreth e rrotull çdo dritë e shprese për këtë vend.
Ҫfarë mund t’u jap unë të tjerëve? Përpara se të kalojmë te analiza e tipareve të karakterit të analistëve në Debat Plus e Klan Kosova, duhet të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të tezave tashmë të analizuara nga këto dy media duke provokuar me tërbim rritje të tensionit psikologjik…
“Ai që lufton për një “popull injorant” është i njëjtë me atë që i vë flakën vetes për t’u ndriçuar rrugën e këtyre analistëve të verbër.”
“Këta gënjejnë në (Debat Plus) për ta mashtruar vetëveten, për t’i mashtruar të tjerët. Gënjeshtra është formë e poshtërsisë e gjakprishurve dhe vërtetim që janë bashkpunëtor të lindur. Shpifin në mënyrë krijuese, fantastike me shpikje e trillime që ju vinin nga Serbia dhe një bashkpunim miqësorë dhe i ngushtë me ta!”
Tipa të tillë, padyshim, ekzistojnë në (Debat Plus dhe Klan Kosova). Mirpo nëse ne jemi bërë ithtarë të ëksaj shkolle të psikologjisë mashtruese, pas pak do t’i vie fundi këtij tërbimi. Mendjemadhësia dhe ambicia e tyre nuk njohin kufij. Interesante është të shohësh se si lansohet gënjeshtra, por edhe në fantzinë e zjarrtë të ambiciozëve, synim drejt pushtetit në dëshirën për t’u bërë Kryeministër, ministër, deputet etj., në shërbim të të tjerëve. Dje zotërimi i pushtetit me anë të mediave është i lidhur me me zotërimin e parasë dhe të pronës, dhe synimi për të fituar sa më shumë para e pronë etj.
Shpifjet dhe deformimet e tjera analitike e politike është në interesin e tyre. Ulërimat e tyre të frikës i lejon ata të vendosinë lidhje më botën tjetër. Nëse veprimtaria e tyre antishqiptare sjell me vete pasoja kastrofike – për shembull “luftën vëllavrasëse” dhe gjithçka që i shoqëron ata, të tillë analistë në asnjë mënyrë nuk e pranojnë fajin e tyre. Të brejtur nga pasiguria e tyre ndaj vetes, këta turbullues përpiqën që për llogari të të tjerëve të fitojnë ndjenjën e epërsisë dhe pavarësisë vetjake. Fati i hidhur që do ti pret analistët, ky është izolimi…
Këtu i detyrohemi rrjeteve sociale një “falenderim të madh” me të gjithë poshtërsinë dhe censurën që na përball, sepse (rrjetet sociale) na ka dhënë një mundësi dhe një dritare ku ne t’i kthejmë përgjigje këtyre faqezinjëve që gënjejnë për ta fshehur mjerimin e tyre, Debat Plusit dhe Regjisë së TV – Dukagjinit, pasi t’i urojmë jo shëndet dhe mbarësi.
Sipas mendimit tim dhe sipas mendimit e të tjerëve se janë thellësishtë të bindur se analistët janë të korruptuar poltikishtë. Ata marrin parasysh vetëm anën e brendëshme të tyre, ndërkohë kur antishqiptarizmi qëndron shumë më thellë. Tani me falni kur opozita e humbi zgjedhjet vendin e kishin mbushur me gënjeshtra e shantazhe në mënyrën më përçmuese…
E kishin pastruar vendin, kishin mbetur vetem maçorret e hijenat në kancelaritë e tyre. Përhapja e një sëmundjeje të tillë mendore mund të shkatërrojë edhe një perandori të madhe. A mund të shpëtojë Dardania nga kjo aleancë shumëpalëshe.

Reflektim për librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të publicistit Shkëlzen Gashi, që u promovua dje në Ambasadën e Republikës së Kosovës

0
Dijana Toska, Shkup
___
Një reflektim i imi mbi librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të publicistit Shkëlzen Gashi, i cili u promovua dje në Ambasadën e Republikës së Kosovës
___
Kujtesa si themel i shtetit!
Kur mora në dorë librin, Masakrat në Kosovë të publicistit, Shkëlzen Gashit, fotografia në kopertinën e këtij libri më kapi shpirtërisht. Ajo dorë është dëshmitarja e historisë që nuk flet, por akuzon, bën thirje drejtësisë, ndërgjegjes sonë që të mos harrojmë. Është zë, testament jetësor, është dora e viktimës së një kombi që hesht e na kujton se dora e historisë duhet të shkruajë.
Çdo damar i kësaj dore të brishtë bart një emër, një fëmijë, një nënë, një krim të paemërtuar. Ajo dorë nuk kërkon mëshirë, kërkon betim për të mos masakruar historinë tonë, sepse kujtesa është forma e vetme e drejtësisë që nuk vdes.
Në thonjtë e ngurtësuar nga vdekja, dheu rri si pasqyrë e ndërgjegjes sonë, flet më fort se shteti, na kujton se toka nuk mbrohet me fjalë, por me jetën e atyre që ranë për të, ndërkohë që heshtja përballë krimit është pjesëmarrje në të.
Mosdokumentimi me kohë i masakrave, mungesa e një strategjie shtetërore për mbledhjen e provave dhe dështimi i politikës për të vendosur drejtësinë si prioritet është plagë që vazhdon të rëndojë jo vetëm mbi kujtesën e viktimave, por edhe mbi legjitimitetin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kosova, në vend që ta ndërtonte politikën e saj shtetërore mbi të vërtetën për të cilën u derdh gjak, e ktheu kujtesën në dekor ceremonial. Kujtesa u privatizua, ndërsa sakrifica u politizua.Përkujtimet u kufizuan në data, në përmendore, në fjalime oportune që përsëriten çdo vit pa ndjeshmëri njerëzore. Në vend të një dite shtetërore që do të nderonte të gjithë dëshmorët e lirisë, ushtarët e thjeshtë, gratë, burrat, civilët e vrarë, përkujtimi u monopolizua nga gradat e komandantëve. Sikur gjaku i tyre të ishte më i kuq, më i vlefshëm, më i denjë për t’u përmendur. Ky hierarkizim i sakrificës, kjo përzgjedhje e kujtesës, hodhi njollë të hidhur mbi lavdinë e UÇK-së, ku lavdia e një lufte u mat me grada, e jo me qëllimin dhe drejtësinë e gjakut që u derdh. Dhe kur drejtësia humbet në ceremonitë e pushtetit, edhe kujtesa bëhet e rreme, një monument pa shpirt, një flamur që s’e fryn më era e lirisë.
Në vend që Kosova të ballafaqohej drejtpërdrejt me krimet e kryera, qindra masakrave mbi popullsinë civile të ndërtojë një dosje të fortë morale dhe juridike kundër Serbisë, ajo u mbyt nga elitat politike të cilat vendosën interesin personal mbi atë kombëtar duke i dhënë hapësirë Serbisë të ndërtojë tregimin e saj të viktimës që edhe sot e kësaj dite e përdorë si propagandë.Një sprovë serioze për ta kompenzuar këtë strategji shtetërore, është edhe ky libër i Shkelzen Gashit i cili na ofron, jo vetëm një tregim autentik për vitet më të vështira të Kosovës në shekullin e kaluar, por na përkujton dhe cilat ishin faktorët vendimtar që ndikuan në vonesën e drejtësisë tranzicionale.
Dhe një ndër faktorët vendimtar që ndikoi në vonesën e drejtësisë pas luftës në Kosovë ishte edhe lufta për pushtet midis komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vitit 1999, shumë prej tyre kaluan nga uniforma ushtarake në poste politike e institucionale, duke u bërë figura dominante të jetës publike. Ky tranzicion i shpejtë u shoqërua me disa pasoja që e penguan procesin e ballafaqimit me krimet. Ish-komandantët u përpoqën ta ruanin prrallën heroike të luftës, duke shmangur çdo debat mbi shkeljet apo krimet që mund të cenonin legjitimitetin e tyre. Frika nga përgjegjësia individuale bëri që proceset e drejtësisë tranzicionale të shtyheshin ose të devijoheshin. Raportet ndërkombëtare që përmendnin emra të lidhur me strukturat e UÇK-së krijuan presion të madh politik, të cilit udhëheqësit vendorë iu kundërvunë duke bllokuar hetimet.Instrumentalizimi i institucioneve, sidomos gjyqësorit dhe policisë u përdor për të kontrolluar drejtimin e hetimeve. Në vend të një vullneti për të sjellë drejtësi, institucionet shpesh u vunë në shërbim të mbrojtjes së elitave të reja politike. Organet si UNMIK, EULEX dhe misionet e tjera ndërkombëtare kanë pjesë përgjegjësie, sepse shpesh nuk kanë vënë në funksion mekanizmat që të siguronin gjykimin e krimeve dhe bashkëpunimin me institucionet vendore. Vonesa dhe fragmentimi i përgjegjësisë ndërkombëtare lehtësuan manipulimin e rrëfimit nga Serbia.
Si pasojë, Kosova nuk e humbi vetëm një betejë politike, por edhe atë morale, humbi mundësinë të imponohej në arenën ndërkombëtare si viktima e qartë e agresionit dhe e spastrimit etnik. Në sytë e botës, konflikti u paraqit gjithnjë e më shumë si “dy palë që kanë bërë krime”, duke e relativizuar përgjegjësinë e agresorit.Sa më pak që u hetuan dhe u gjykuan krimet në Kosovë, aq më lehtë Serbia shmangu përgjegjësinë shtetërore dhe juridike për masakrat. Vonesat në dokumentim dhe në gjykime e bënë më të vështirë ndërtimin e një dosjeje të fortë ndërkombëtare kundër saj.Serbia e paraqiti mungesën e drejtësisë në Kosovë si dëshmi të “paaftësisë” së institucioneve kosovare, duke minuar kështu legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit të ri. Shumë individë dhe struktura të aparatit shtetëror serb, të përfshirë në krime, mbetën të paprekur dhe vazhduan karrierën e tyre politike ose ushtarake. Kjo jo vetëm që e pengoi drejtësinë, por i lejoi Serbisë të mos e pranojë përgjegjësinë morale dhe historike.Në këtë mënyrë, procesi i pajtimit mes dy shoqërive mbeti i bllokuar.
Pra, Kosova humbi betejën morale jo sepse nuk kishte të drejtë, por sepse nuk arriti ta mbrojë të drejtën e saj. Kosova nuk ariti ta kthej kujtesën në formë rezistence, duke treguar se historia nuk është thjesht e kaluar, por mburojë dhe busull për të ardhmen. Nuk arriti të ndërtojë kulturën e kujtesës si detyrë etike, si mjet mbijetese kombëtare, si përgjegjësi ndaj historisë. për të mos lejuar që historia të shkruhet nga të tjerët që është rrezik më i madh se vet lufta, është zjarr për ta zhdukur identitetin e një kombi.
Sot populli e ka të qartë se nuk mund të ecë përpara nëse ecën mbi harresë dhe se kujtesa nuk është luks kulturor, por kusht ekzistence. Lufta për të vërtetën nuk mbaron me armë, por me dokumente, libra dhe dëshmi të pakundërshtueshme. Pikërisht aty fillon mbrojtja e historisë. Çdo dëshmi që mbetet pa dokumentim, çdo varr pa emër, çdo krim pa dënim, është një fletë e grisur nga libri i së vërtetës. Dhe kur libri griset, të tjerët e rishkruajnë sipas interesit të tyre.
Sot, kemi nevojë për rikthimin e kujtesës morale për ta mbrojtur historinë tone.Kemi nevojë që të kujtojmë që të mos përsëritet, padrejtësia që i kemi bërë vetvetes.
Kosova ka nevojë për një qendër kombëtare të kujtesës që ruan dëshmitë e luftës, krimet, dëmet materiale e morale, ka nevojë për një “Yad Vashem” shqiptar. Aty duhet të flasin viktimat, dëshmitarët, gazetarët, mjekët e ushtarët që e kanë përjetuar luftën. Kujtesa duhet të bëhet arkiv i vërtetësisë, jo muze ceremonial.
Nëse çdo fakt ruhet, çdo krim dokumentohet dhe çdo viktimë ka emër, historia nuk mund të na vidhet më e as të manipulohet nga dikush nga brenda e jashtë që për interese të ndryshme, propagandojnë bile edhe nëpër studio tona televizive narrative helmuese e destabilizuese kundër shtetit .
Fëmijët e Kosovës nuk duhet të mësojnë vetëm për luftën si datë, por si dramë njerëzore dhe si mësim etik. Historia duhet të shpjegohet me dëshmi, me rrëfime reale, me letërsi dhe me kujtime të gjalla. Sepse arsimi është ura midis brezave e Kosova i ka borgj rinisë tia mësojë historinë e vërtetë që të mund ta kujtojnë me dinjitet, për të mos u nënshtruar. Ngase kujtesa nuk është vetëm për të kujtuar të shkuarën, është mënyra se si një komb mbron të ardhmen e vet.
Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe kujtesë morale e institucionalizuar. Ajo nuk kërkon hakmarrje, por nderim ndaj jetës. Kosova nuk humbi për mungesë heroizmi, por për mungesë institucionalizimi të kujtesës dhe drejtësisë. Çdo proces gjyqësor për krime lufte është një kapitull i shkruar në librin e së vërtetës, një themel për etikën ndërkombëtare, jo nga hakmarrja, por nga përgjegjësia historike. Sepse drejtësia e vonuar është kujtesë e lënduar. Dhe sa më shumë që institucionet tona dështojnë ta shkruajnë këtë kapitull me ndershmëri, aq më lehtë do ta përvetësojë Serbia të drejtën tonë morale. Në heshtjen tonë, ajo do ta ndërtojë prrallën e saj, derisa viktima të ngatërrohet me agresorin, dhe historia të rishkruhet pa ne.
Filmat, letërsia, poezia dhe gazetaria mund ta ruajnë më fuqishëm kujtesën se çdo monument. Një roman, një dokumentar apo një shfaqje teatri mund të bëhet dëshmi e pavdekshme, siç u bë “Ditari i Anne Frankut”. Arti e humanizon kujtesën, e bën të prekshme dhe universale. Në vend që të heshtim, ne dhimbjen duhet ta kthejmë në formë komunikimi dhe vetëdije kombëtare.
Dhimbja si kujtesë dhe film i ndërgjegjes!
Dhe a ka më mirë se dhimbjen ta kthejmë në komunikim e vetëdije kombëtare? Sepse, pothuajse pa e vënë re, Shkëlzen Gashi në librin e tij na ka dhënë një skicë të gatshme për një film dokumentar të kujtesës.
Rasti i kafeterisë Panda nuk është vetëm një kapitull i errët i historisë, por një metaforë për mënyrën se si e vërteta u përdor për të justifikuar dhunën.
Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar hapën zjarr mbi gjashtë të rinj serbë të paarmatosur në Pejë. Brenda natës, propaganda e Millosheviqit e shpalli aktin “terrorizëm shqiptar”. Filluan hakmarrjet, arrestimet, torturat. Gjashtë të rinj shqiptarë u dënuan pa prova, dhe pas një viti u liruan si të pafajshëm. Por jeta e tyre nuk u kthye më.
Vitet kaluan, dhe më në fund, vetë Vuçiçi, dikur shef i shërbimeve të sigurisë, e pranoi publikisht: “Krimi në Panda nuk është kryer nga shqiptarët.”
Edhe prokurori për krime lufte, Vlladimir Vukçeviç, konfirmoi: “Shqiptarët nuk janë autorët e krimit.”
Por e vërteta nuk u zbardh as sot. Sepse Panda ishte terrorizëm shtetëror. Një skenar i montuar në laboratorët e dhunës, për të justifikuar vrasjet që pasuan.
Në letrën që familjarët e viktimave i dërguan presidentit të Serbisë më 2022, shkruajnë:
“Z. President, ju e dini dhe ne e dimë se vrasja e djemve tanë në kafeterinë Panda ishte çështje shtetërore. Ishte terrorizëm shtetëror par excellence.”
Një nga të arrestuarit shqiptarë, edhe sot pas më shumë se dy dekadash, jeton me plagët e torturës.
Nëna e tij thotë:
“Djali im është si një i vdekur që ecën.”
E megjithatë, ai çdo vit kthehet te ajo kafeteri e rrënuar. Jo për hakmarrje, por për kujtesë.
Në 20-vjetorin e ngjarjes, njëri prej tyre, Vllaznim Përgjegjaj, tha me dinjitet që tejkalon çdo urrejtje:
“Do të doja t’i takoja familjet e serbëve të rinj që u vranë në Pejë. Të vendosim së bashku lule mbi varret e tyre. Ne të dyja palët po presim drejtësi.”
Deri më sot, për këtë masakër nuk është dënuar askush.
Por rasti Panda është më shumë se një krim i pambyllur është dëshmi se propaganda mund të vrasë po aq sa plumbi.
Një film dokumentar mbi këtë ngjarje do t’i shërbente Kosovës natyrshëm si një vepër e lart artistike, si një akt rezistence ndaj harresës, si një provë për drejtësinë, dhe një kujtesë universale për tragjeditë njerëzore që prodhojnë sëmundjet shtetërore.
Shkelzeni na kujton se për t’i hyrë kësaj pune, sa gjigante aq edhe humane, u frymëzua nga Bosnja nga mënyra se si ajo përkujton me gjithë shpirt krimet e luftës. Pajtohem plotësisht. Boshnjakët, me respektin që treguan ndaj viktimave, na dhan një leksion të gjithëve se, kujtesa është zëri i përjetësisë, dhe se kjo është trashëgimia më e madhe që mund t’u lihet brezave.Sot çdo emër në Srebrenicë është aktakuzë, është kujtesë që do të tingëlloj ndër shekuj si jehona e tradhtisë së ndërgjegjes europiane.
Por për të hapur një debat të sinqertë mes nesh, le të ndalemi te një tjetër shembull prej të cilit Kosova duhet të mësojë: mbrojtja e historisë kolektive hebraike. Një nga dëshmitë më të fuqishme në botë se si një popull mund të ruajë kujtesën, identitetin dhe narrativën e vet, edhe pas përpjekjeve për zhdukje.
Ata ndërtuan institucione që e kthyen kujtesën në sistem.
Yad Vashem, tempulli i së vërtetës historike në Jerusalem, është një qendër botërore e dokumentimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit mbi Holokaustin.
Muzeumet dhe arkivat hebraike ruajnë jetën e diasporës, kulturën, shkrimet dhe dëshmitë e të mbijetuarve, duke e shndërruar historinë në memorie të verifikueshme, të mbrojtur nga manipulimi.
Ndërkohë që artin, poezinë, filmin, e kthyen në kujtesën e përvojës universale.
Që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948, kujtesa është bërë identitet shtetëror.
Përmendja e Holokaustit, përndjekjeve dhe kthimit në “tokën e etërve” është pjesë e diplomacisë, politikës dhe edukimit. Ata e ngritën kujtesën në shkencë, në kulturë dhe në diplomacy, duke mbrojtur çdo dëshmi, çdo emër, çdo kujtim që flet për ta.Kështu historia u mbrojt nga manipulimi dhe u kthye në forcë diplomatike.
Edhe ne kemi një faqe të ndritur në këtë histori: shqiptarët dhe hebrenjtë.
Një histori kur njerëzimi fitoi mbi frikën, kur besa u bë mburojë kundër urrejtjes.
Nga besa që shpëtoi jetën dje, sot duhet të lindë kujtesa që shpëton të vërtetën.
Një popull që dikur ruajti të huajin, nuk duhet të lejojë sot të humbasë vetveten.
Le ta mbrojmë historinë si akt dashurie ndaj së vërtetës.
Si një thirrje për drejtësi, për një humanizëm të ri shtetëror, për kujtesën si themel të shtetit.Sepse një komb që kujton, nuk vdes kurrë. Ai rilind sa herë që ia thotë vetes të vërtetën.
Faleminderit, Shkëlzen, që me librin tënd na kujton se kujtesa është forma më e lartë e drejtësisë dhe se dhimbja, kur dokumentohet, bëhet vetëdije kombëtare.
  • 13.10.2025

The Morning Post (1913) / E ardhmja e Shqipërisë. — Intervistë ekskluzive me Ismail Bej Qemalin në Londër

0

Ismail Bej Qemali (1844 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Tetor 2025 

“The Morning Post” ka botuar, të mërkurën e 30 prillit 1913, në faqen n°11, intervistën ekskluzive me Ismail Qemalin asokohe në Londër mbi të ardhmen e Kombit tonë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

E ardhmja e Shqipërisë. — Intervistë me Ismail Bej Qemalin.

Burimi : The Morning Post, e mërkurë, 30 prill 1913, faqe n°11

Burimi : The Morning Post, e mërkurë, 30 prill 1913, faqe n°11

Ismail Bej Qemali, kreu i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, e cila ka pasur selinë në Vlorë gjatë tre-katër muajve të fundit, mbërriti dje në Londër nga Vjena dhe Parisi. Ismail Qemali synonte të arrinte në Angli tre-katër ditë më parë, por ai u ndalua në Paris për ankthin e tij dhe të ministrit të Jashtëm francez, z. Pichon, që çështjet shqiptare të diskutoheshin mes tyre. Ismail Bej Qemali është tosk, ose shqiptar i Jugut, mysliman nga feja. Për sa kohë që kishte ndonjë shpresë se Turqit e Rinj do t’u përgjigjeshin aspiratave racore të shqiptarëve, ai ishte i përkushtuar për reforma në Turqi. Ai përfaqësoi Beratin në parlamentet e Turqve të Rinj dhe për dy ose tre vitet e fundit, që nga fushatat e shtypjes së Turgut Shefqet Pashës në Shqipëri, ai ka qenë i lidhur me Unionin Liberal, një konglomerat fraksionesh, elementi i vetëm i të cilëve ishte urrejtja e përbashkët e të gjithë anëtarëve të tij për tiraninë e Turqve të Rinj. Ismail Bej Qemali ishte i lidhur ngushtë me Qamil Pashën, madje kohët e fundit, në prag të disfatës turke në Thrakë (Trakë), ishte në negociata me Vezirin e Madh të atëhershëm për t’i siguruar Shqipërisë të drejtën e lirë për t’u zhvilluar sipas kufijve të saj nën sundimin turk. Ai ka një aftësi të pazakontë diplomatike që ka qenë prej kohësh karakteristike për anëtarët më të shquar të racës shqiptare dhe që i ka dhënë Turqisë shumë Vezirë të Mëdhenj shqiptarë.

Në bisedën e djeshme me një përfaqësues të “The Morning Post”, Ismail Bej Qemali theksoi pamundësinë për të parashikuar diçka përfundimtare apo përfundimtare për të ardhmen e Shqipërisë :

“Më e vjetra nga racat në Evropë”, deklaroi ai, “Shqipëria është më e reja nga shtetet. Populli ynë i vogël, që numëron midis një milion e një çerek, apo edhe një milion e gjysmë shpirtra, nëse vendimi i Fuqive në lidhje me kufirin verilindor mbahet, kërkon të drejtën për të jetuar jetën e vet dhe për të zhvilluar shpirtin e tij racor aq lirisht sa grumbullimet më të mëdha racore të vendosura në kufijtë tanë. Ne nuk duam t’i bëjmë asnjë padrejtësi askujt ; ne nuk jemi luftëdashës dhe, nëse mbetemi ashtu siç jemi, nuk do të paraqesim asnjë rrezik për paqen në Evropë. U bëjmë thirrje popullit, qeverisë dhe shtypit të Anglisë që ta njohin drejtësinë e këtij pretendimi të racës sonë, sepse ju anglezë e dini vetë vlerën e lirisë dhe shtypi juaj është, par excellence, shtypi i lirë i Evropës. Pretendimi ynë është aq i drejtë dhe aq i bazuar saqë mjafton të kuptohet se merr mbështetjen e personave të paanshëm.”

I pyetur në lidhje me kryeqytetin e ardhshëm të shtetit të vogël, Ismail Bej Qemali tha :

“Edhe pse duhet ta kemi Shkodrën, dhe megjithëse ajo do të jetë qyteti ynë më i madh, është e mundshme që Elbasani, si qendër dhe si kombinim i veçorive të rajoneve veriore dhe jugore të vendit tonë të vogël, do të zgjidhet si kryeqytet. Është në distancë të barabartë nga portet tona të Durrësit dhe Vlorës, dhe e folura e tij është në mes të dialekteve toske dhe gege. Megjithatë, kjo nuk bën asnjë ndryshim për çështjen e Shkodrës. Nëse Shqipëria e re do të jetë e shëndetshme, ajo duhet të përfshijë fiset malsore të vendit verior, tregu dhe qyteti kryesor i të cilëve ka qenë gjithmonë në Shkodër. Ata janë disa nga pjesët më karakteristike të racës shqiptare, dhe vitaliteti i tyre është thelbësor për mirëqenien tonë. Kuptohej që Ambasadorët fillimisht vendosën t’ia jepnin Grudën dhe Hotin Malit të Zi, dhe së fundmi është sugjeruar që Mbretit Nikolla mund t’i jepej edhe Kelmendi për ta bindur të largohej nga Shkodra. Sidoqoftë, cilido qoftë kompromisi i arritur, nuk mund të ketë kompromis për Shkodrën nëse shteti ynë do të konsolidohet fort. Në këtë çështje nuk është e vërtetë që ne mbështetemi më shumë te një shtet evropian sesa te ndonjë tjetër. Ne i bëjmë thirrje të gjitha Fuqive të Mëdha dhe shpresojmë që të gjitha së bashku të veprojnë në dëbimin e mbretit Nikolla nga një qytet që nuk është as i tij nga farefisi racor i malazezëve me shqiptarët dhe as i tij nga pushtimi legjitim. Dihet mirë se ditët e fundit të rrethimit pati shumë pak të vrarë malazezë dhe qyteti nuk u pushtua nga një sulm i vërtetë i armatosur. Por nëse Fuqitë e Mëdha nuk veprojnë në harmoni, natyrisht, nga pikëpamja thjesht shqiptare, pasi ekzistenca jonë pothuajse varet nga kjo çështje, ne do të preferonim të mbështeteshim nga një Fuqi që vepron veçmas sesa nga asnjëra. Por dëshira jonë e fundit do të ishte të mos krijonim ndërlikime në Evropë. E tëra çfarë dëshirojmë, siç e kam thënë tashmë, është të jetojmë jetën tonë dhe të na njihet kultura jonë dalluese si e drejtë për një ekzistencë të veçantë.”

Ismail Bej Qemali nuk ishte në gjendje të thoshte asgjë të saktë në lidhje me organizimin e ardhshëm të Qeverisë Shqiptare :

“Aktualisht”, vërejti ai, “kemi një Qeveri të përkohshme me një Këshill në të cilin përfaqësohen fiset kryesore, përveç Mirditorëve, të cilët, kryesisht për arsye që lidhen me vështirësitë e udhëtimit etj., nuk kanë dërguar një anëtar aktualisht. Askush nuk mund ta parashikojë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Të paktën mund të jemi të sigurt se njohja e sovranitetit të Esad Pashës është jashtë diskutimit. Nëse do të inaugurohej një politikë e tillë, do të fillonte xhelozia midis fiseve dhe, për arsye të dukshme, nuk mund të ketë stabilitet. Ne duam një Sovran që nuk mund të ngjallë xhelozi lokale dhe të mos ngrejë dallime fetare. Sa për pjesën tjetër, kjo duhet t’i lihet kohës.”

Ismail Bej Qemali këmbënguli se ndryshimet e supozuara midis shqiptarëve të veriut dhe të jugut ishin ekzagjeruar për qëllime të caktuara. Ai nuk shprehu asnjë frikë për mirëqeverisjen e vendit në të ardhmen, me kusht që Fuqitë që do të mbështesin shtetin e ri, të tegojnë bujari dhe mençuri në hapat e tyre fillestarë.

Gjatë ditëve të ardhshme, Ismail Bej Qemali pret të takojë përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Britanike dhe shpresohet që, përpara se të largohet nga Londra, disa nga idetë në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë, të cilat aktualisht janë në një gjendje disi të paqartë, do të kenë marrë një formë më të qartë.

Burkat – “Ninxhat”, do të ndalohen gjithsesi në mbarë Kosovën, këtë ua garantoj

0
nga Bashkim Fazliu, Ferizaj
____
Veq vonim se kjo çështje nuk ka “shpëtim” – DO TË NDALOHEN!!!
Ideja ime, propozimi im publik për NDALIM TË BURKËS – ËSHTË PËRHAPË NË MBARË BOTËN SHQIPTARE!
Dhe pasi ky projekt i imi është PROJEKT KOMBËTAR në kuadër të ruajtjes së IDENTITETIT TONË KOMBËTAR, kjo çështje E NDALIMIT TË BURKËS – “NINXHAVE” – tashmë e ka KOHËN e NUMËRUAR!
Dhe gëzimi i anti-shqiptarëve radikalëve islam, talebanëve shqiptar, për mos-fitoren time, do të jetë gëzim i shkurtër i tyre!
Kush qesh i fundit, qesh më së miri!
Kjo frymë kombëtare vetëm do të rritet!
Shumë shpejt do ta FESTOJMË DITËN KUR DO TË NDALOHEN BURKAT dhe do të fillojë përfundimi i ëndrrës së agjenturave anti-kombëtare serbo-ruse për të vendosur SHERIAT në Kosovë, i cili në forma të vogla po shihet se ekziston në Kosovë, çuditësisht nën hundën e organeve të sigurisë së Kosovës dhe shpesh të mbështetura edhe nga media e strukturave të caktuara, disa prej të cilëve tashmë i kam identifikuar. Të gjithë do të demaskohen!
KJO KTHJELLJE KOMBËTARE TASHMË ËSHTË NGJIZUR DHE NUK MUND TË NDALET!
KY RIZGJIM KOMBËTAR KA FILLUAR!
Dhe siç kam thënë edhe më parë, NUK MUND T’MË NDALNI!!!
PA BURKA – PA “NINXHA”
13.10.2025
Anipse e kemi humbur një betejë politike, por luftën politike do ta fitojmë për të mirën e popullit shqiptar, për të mirën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Se me “BURKA” e “NINXHA” nuk mujna me hy as në BE e as në NATO.
Mos harroni se me pas pyet popullin UÇK-ja e Adem Jashari, me pas pyet popullin a po luftojmë, krejt ishin çu kishin thanë jo. Këtu jemi jetu, e di se çfarë niveli e çdarë qasje ka pasë populli atëherë. Prandaj nganjëherë duhet m’i shty proceset, deshën apo s’deshën masa, me mjete politike e demokratike në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Vazhdojmë!

Gjuha bashkon shpirtërisht dhe politikisht

0
___
-Nga fjala përshëndetëse në promovimin e veprës sime lerare në Tiranë
___
Në Tiranë, si shkrimtar, nuk jam për herë të parë. Në vitin 1985, në kuadë të “letërsisë kosovare”, pra sipas kriteteve të atëhershme ideologjike, u ribotua romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në një tirazh prej 15 mijë kopjesh. Mbas pak, romani u dramatizua nga Alfred Kanini. Radiodrama “Qyteti i dënuar me vdekje” nga Radio Tirana, u dha në kuadër të emisionit “Për bashkëatdhetarët”, valët e të cilit përhapeshin në një pjesë të madhe të rruzullit tokësor.
Sot, mbas afër katër deceniesh, romani im (i plotësuar së voni) bashkë me veprat e viteve të fundit: “Dushkaja”, “Jeniçeri i fundit”, “Dosja B” dhe “Mona”, rikthet në Tiranë. Por tash, në kuadër të letërsisë shqipe. Ky është kthim në realitet. Një fitore e madhe jona, që e solli rënia e perdës ideologjike dhe murit të saj midis nesh si dhe tranzicioni pilitik, ndonëse i papërfunduar në këto njëzet vitetve fundit. Kur thëm i papërfunduar, kam parasysh se ndryshimi epokal, te ne, në të dy anët, nuk mori kahun e natyrshëm të faktorizimit të mohuar në rajon dhe më gjerë.Ngaqë fillimisht ky ndryshim u shfrytëzua nga elementet kriminale, tuxharët dhe soji i tillë kudo i pranishëm, për t’u përcjellë me mediokër që në të dy anët vunë “aleanca”, ku u promovuan huqet e njohura dhe mentalitetet e çarshive dhe feudeve për të vazhduar te “bashkimi” i grupeve politike në të dy shtetet tona mbi interesat karieriste dhe kriminale, të reinkarnuar mbi simbiozën e monstrumitetit ideologjiko-fetar, tepër të rrezikshëm, që vë në rrezik identitetin tonë kombëtar dhe përkatësinë botës perëndimore dhe qytetërimit të saj, pikërisht atë postulat mbi të cilin u ngrit koncepti i rilindjes sonë kombëtare në shekullin e kaluar, që edhe solli të shkëputja nga robëria osmane.
Siç mund të shihet edhe nga motoja alegorike e manifestimi “Tetori i Librit” – “Gjuha i ka fajet”, refenca “gjuhë” , që si të çdo kulturë, paraqitet shënjë identitare, mbi të cilën edhe u ndërtua platforma politike e nacionalizmit shqiptar, që megjithatë solli të një “mozaik shtetëror shqiptar”, gjuhës tonë, ashtu siç veproi personazhi im Gjon Nikollë Kazazi dhe shumë të tjerë në letërsinë tonë, i bie barra që edhe më tutje, të luftojë që ajo si shënja më e çmuar identitare, të na lidh dhe të na bashkojë. Veçmas në rrethanat kur shfaqen përpjekje të hapura që identiteti ynë kombëtar të zëvendësohet me atë fetar dhe të ngjashme në përputhje me platformat e njohura hegjemoniste serbe të Çubrilloviqit dhe Qosiqit, ku shihemi si popull i megulluar, pa histori dhe si amallgam i mbetjeve orientale-islamike të rrezikshme për qytetërimin evropian! Misionarizmi gjuhësor dhe ai kulturor në përgjithësi me sistemin e vlerave shoqërore, në rrethanat e realitetit të të dy shteteve shqiptare, është më se i domosdoshëm, meqë politikat e papërgjegjshme në trëkëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup për intetesat e tyre meskine, gjatë këtyre viteve, rrezikuan dhe rrezikojnë që realiteti i dy shteteve shqiptate të mos shkojë drejt bashkimit të tyre në përputhje me vullnetin demokratik, por, me kauza mashtrimtare, siç janë ato të “arrnimit të territorëve” dhe të shkëmbimeve, të stimuluara dhe të dirigjuara nga Beogradi dhe Moska, të kthejnë në tryezë çështjen shqiptate për intersat e tyre hegjeministe.
Natyrisht se në këtë vorbull të dhjetëvjetshave të politikës së mbrapshtë shqiptare, impulset e tanishme intelektuale nga trëkëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup, siç u veprua këtu sot me ato që u thanë nga Besnik Mustafaj, Emin Azemi,Mimoza Ahmeti, Alda Bardhyli, Ardian Haxhaj, Anila Mullai dhe të tjetë, duhet të marrin përsipër timonin e bashkimit mbi bazat e atij shpirtëror, ku krijimtaria letrare me fuqinë e gjuhë dhe ajo kulturore, paraqesin identitetin etnik dhe historik si kohezion të brëndshëm që duhet të përcaktojë edhe konfigurimet politike dhe shtetërore gjithnjë në kuadër të botës perëndimore, si një interes yni ekzistencial, pikërisht siç e projektuan edhe rilindasit tonë të shtrenjtë.
Tiranë, më 12 tetor, 2021.

“Maqedonia nga antika deri te koha jonë” e historianit Jusuf Buxhovi, vepër e rëndësishme e historiografisë shqiptare

0
Nga: Qerim Lita
___
-Jusuf Buxhovi “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing”, faqe 1015.
___
Pas botimit të veprës madhore në tetë vëllime, “Kosova”, historiani Jusuf Buxhovi, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme: “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.
Në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”. Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtryrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasti”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).
Edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londërs,ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike.
Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.
Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.
Në fund, duhet cekur se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Exit-pollet, iluzioni që u shërben partive politike, jo qytetarëve!

0

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina 

1. Exit polli, si instrument dhe metodë e besueshme deri diku, nëse përdoret për qëllime shkencore dhe me një etikë të lartë profesionale, mund të shërbejë si një “road map” i rëndësishëm i paralajmërimit të hershëm për prirjet e votuesve gjatë procesit të votimit. Shikuar me dioptrinë e sociologjisë politike, kur exit poll-i realizohet sipas standardeve shkencore, ai mund të shërbejë edhe si një mekanizëm shumë i besueshëm i “perceptimit publik të realitetit politik” të një vendi gjatë procesit zgjedhor.Nëse është i qëllimmirë, ai mund të rrisë dukshëm transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjësinë në demokracitë në tranzicion. Por, i njëjti mund edhe ta deformojë realitetin, nëse përdoret për qëllime djallëzore dhe si mjet propagande apo legjitimimi të parakohshëm të pushtetit.

2. Tani, nëse exit polli nuk ka për synim matjen reale të preferencave të votuesve menjëherë pas votimit, por përdoret apo “shitet” në publikun tonë thellësisht të polarizuar dhe të politizuar, si një autosugjestion i qëllimshëm për të dezorientuar elektoratin, veçanërisht në komunat që shkojnë në balotazh dhe zgjojnë kureshtje në publik, atëherë ai mund të bëhet shumë i rrezikshëm dhe të deformojë si orientimin, ashtu edhe preferencat elektorale të qytetarëve të komunave përjatëse. Andaj, e them publikisht; Mos u bazoni tepër në këto matje, sepse shumë prej tyre janë të paguara mirë për të “aktivizuar” defetizmin dhe për të krijuar një perceptim të rremë tek votuesit e luhatshëm, e madje edhe tek militantët partiakë.

3. Poashtu, jam shumë i bindur se ky lloj defetizmi më së shumti ndez elektoratin e pasigurt dhe të pavendosur për peshën dhe rëndësinë e votës së tij. E them me kompetencë morale dhe etikë shkencore se exit-pollet në shoqërinë tonë ende gjenden në “prangat” e subjekteve që i paguajnë, për t’u fuqizuar përmes interesave klanore, grupore e ideologjike. Ngase, këto interesa si faktorë bazikë që e përcaktojnë edhe pjesëmarrjen politike ndërlidhen pa asnjë dyshim me dukuritë e tenderomanisë, klientelizmit, varfërisë së lartë dhe me pasigurinë ekonomike që po mbretëronë qe sa kohë në jetën tonë sociale…

P.S. Në demokracitë e brishta siç jemi ne, exit-pollet nuk duhet të mbrojnë interesat klanore të partive dhe grupeve të interesit, por kanë obligim moral dhe detyrim shtetëror të dëshmojnë të vërtetën për prirjet dhe orientimet reale të qytetarëve.