
Lista Serbe po rikthehet në komunat e vendit, por me kushtet e shtetit të Kosovës, e jo të Serbisë, sikur deri tash!

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kur feja zë vendin e politikës, e gratë mbeten jashtë
Nga: Ahmet Pollogu
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, bëhet gjithnjë e më e qartë se partitë politike shqiptare — si ato në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë — po zhvillojnë një fushatë larg problemeve reale të qytetarëve.
Në vend që të flasin për papastërtinë, mungesën e ujit, çerdhet, transportin publik apo mungesën e investimeve, kandidatët duket se kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: instrumentalizimin e fesë.

Mungesa e grave në garë
Një nga problemet më të mëdha është fakti që asnjë parti shqiptare nuk ka kandiduar asnjë grua për kryetare komune.

Gratë figurojnë vetëm në listat për këshilltarë komunalë — jo si aktore reale politike, por vetëm për të plotësuar kuotën ligjore për përfaqësim gjinor. Kjo tregon se barazia gjinore në politikën shqiptare vazhdon të trajtohet si formë, jo përmbajtje.

Fushatë me xhami e flamuj fetarë
Në vend që të ofrojnë programe zhvillimore, shumë kandidatë shqiptarë po fokusohen në ndërtimin e xhamive dhe në promovimin e aktiviteteve fetare. Në Tetovë, kryetari aktual Bilall Kasami është mburrur se në planin urbanistik të qytetit ka futur ndërtimin e një xhamie të re. Në Bërvenicë, kandidati Enver Pajaziti zhvilloi takime me diasporën në një xhami në Hamburg, nën flamurin e Arabisë Saudite. Ndërkohë, në Plasnicë, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim nuk përdor as gjuhën shqipe e as flamurin shqiptar në fushatë, por mban takime nën flamurin e Turqisë, kryesisht në ambiente fetare.
Çairi, shembulli më i qartë i politizimit të fesë
Në Çairin e Shkupit, një nga komunat më të rëndësishme me shumicë shqiptare, dy kandidatët kryesorë — Izet Mexhiti (opozita) dhe Bujar Osmani (pozita) — janë bërë simbol i kësaj prirjeje të rrezikshme.
Në vend që të paraqesin plane konkrete për pastrimin e rrugëve, rregullimin e infrastrukturës, ndërtimin e çerdheve apo përmirësimin e shërbimeve komunale, të dy kandidatët garojnë se kush do të jetë më afër xhamive dhe ditës së xhuma. Në rrjetet sociale, fushata e tyre fokusohet më shumë në urime fetare, vizita në xhami dhe mesazhe për ditën e xhuma, sesa në diskutime për zhvillimin urban dhe mirëqenien e qytetarëve të Çairit.

Ky lloj marketingu politik jo vetëm që zbeh ndarjen mes fesë dhe shtetit laik, por edhe e zhvendos vëmendjen e qytetarëve nga kërkesat reale, duke e bërë politikën një instrument të emocioneve fetare në vend të politikave publike.
Politika pa vizion qytetar
Në tërësi, fushata e partive shqiptare po tregon një mungesë të plotë të vizionit qytetar dhe të kulturës politike moderne. Fushatat zhvillohen nëpër xhami, nën flamuj fetarë, me gjuhë populiste dhe pa asnjë program serioz për zhvillimin lokal.

Në një kohë kur komunat shqiptare përballen me probleme serioze — nga mungesa e pastrimit, infrastruktura e amortizuar, deri te mungesa e investimeve — politikanët shqiptarë kanë zgjedhur ta përdorin fenë si mjet për fitimin e votave, në vend të ideve për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Përfundim
Zgjedhjet lokale të këtij viti janë një pasqyrë e varfërisë së politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Asnjë grua në garë për kryetare komune, fushata të ndërtuara mbi fe, flamuj të huaj e mungesë totale e programeve konkrete — janë dëshmi e një sistemi politik që ende nuk ka dalë nga mentaliteti tradicionalist dhe fetar.
Në vend që të garojnë për shkolla më të mira, më shumë çerdhe, më pak papastërti dhe më shumë zhvillim ekonomik, kandidatët po garojnë për xhami, flamuj e fotografi në ditën e xhuma. E në këtë garë, humbësi i vetëm mbetet qytetari
Ku mbeti Zarfi im?!
Florim Zeqa
Reagim publik drejtuar KQZ-së:
Jam ndër të parët që jam regjistruar si votues jashtë vendit.
Kërkesën për regjistrim e kam bërë më 12 Gusht 2025.
Njoftimin për regjistrim dhe Dëftesën e Regjistrimit i kam pranuar nga KQZ-ja më 13 Gusht 2025.
E prita për një muaj rresht dhe për çdo ditë ardhjen e Zarfit tim, prita edhe deri në mesditën e sotme…, prisja sepse kisha besim në institucionin e KQZ-së dhe isha me shpresë për arritjen e Zarfit tim!
Por, paskam pritur kot!
Institucioni shtetëror për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor (KQZ) nuk e kreu punën si duhet!
Andaj, pas këtij veprimi skandaloz, kam të drejt që t’i kërkojë llogari publike Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ):
Çfarë ndodhi me Zarfin tim?!
Pse nuk më erdhi Zarfi për Votim?!
Ku mbeti dhe ku treti Zarfi im?!
Kush më privoj nga e drejta për votim?!
Kush do të votoj në emrin tim?!
Kush dhe pse?!
Kush dhe pse?!
Kush dhe pse?!
Kështu mund t’i parashtroj me qindra pyetje, por të gjitha janë të parendësishme tani.
Një gjë është e sigurtë!
Mbase dikush do të votoj dy herë në emrin tim: një herë nga Zarfi i pa ardhur dhe një herë tjetër në qendrën e votimit në Kosovë (Shkollën Fillore “Azem Bejta” në Grabanicë)!
Megjithatë mbetem me shpresën e fitores së dy kandidatëve të preferuar, njërit për Kryetar të Komunës dhe tjetres per Asambleiste të Komunës së Klinës, të cilëve KQZ-a ua ndaloj voten time!
Lutem që fatin tim të mos e kenë pasur edhe bashkatdhetarë të tjerë në shtetet evro-perëndimore!
Ishte ky lëshim, klasifikim apo diskrimin i votës së mërgimtarëve, mbetet të shihet nga reagimet e mërgimtarëve!
Lëshimin do ta pranoja me qetësi, por klasifikimin dhe diskriminimin (mosdergimin e zarfit) sipas bindjeve politike e konsideroj akt të turpshëm të KQZ-së, të ndikuar prej pushtetarëve të nivelit komunal apo qendror!
Dhunimi i vullnetit qytetarë është dhunim i demokracisë dhe akt i rënd kriminal!
Fundja, gabimet dhe lëshimet janë njerëzore, por klasifikimet e votës janë kriminale, dhe për fatin e keq, do të mbeten të pandëshkuara nga (pa)drejtësia kosovare siq kanë mbetur të pandëshkuara vjedhjet serike dhe sistematike të votave në Kosovë!
I zhgënjyer dhe me zemër të thyer: Florim Zeqa, Itali
E shtunë, 11 Tetor 2025, ora 13.00
Çka pas zgjedhjeve lokale në Kosovë…?

Gani I. Mehmeti
ÇKA PAS ZGJEDHJEVE LOKALE NË KOSOVË, A DO TË ARRIJNË TË PAJTOJNË TË MËDJHENJTË NGA TË VEGJLIT?
Me marrëveshjet për të ndihmuar fitoret në balotazh të njëra-tjetrës për kryetar komunash, ka gjasa që të vegjlit do të arrijnë t’i pajtojnë të mëdhenjtë. Atje ku janë LVV dhe LDK në balotzazh me të tjerët, mund të mirren vesh që elektorati i njërës parti ta ndihmojë tjetrën për të fituar, dhe kështu, do të ishte mirë të harrojnë kundërshtitë e tyre të ashpra të deritanishme dhe të pajtojnë e të formojnë bashkarisht edhe qeverinë.
Në këtë rast, do të fitonin që të dy partitë. Edhe LVV edhe LDK, ku, përveç se do të fitonin më shumë kryetarë komunash, do të formonin edhe qeverinë, pothuaj të përbashkët.
Meqë Albn Kurti nuk do e lëshojnë postin e kryeministrit, njëra prej ministrive më të rëndësishme për marrëdhëniet me jashtë, mbasi edhe është kritikuar shumë për “prishje” të marrëdhënieve me ndërkombëtarët, do të ishte mirë që LDK të marrë ministrinë e jashtme, nëse ajo këmbëngul dhe nëse për të i duket se është me rëndësi të madhe.
Ose, përse jo, do të ishte mirë që të ndahen edhe me short, por mbasi të merren vesh se nga sa ministri do i udhëheqin njëra dhe tjetra.
Përveç kësaj, për të vazhduar qeverisja, duhet të lënë të kaluarën dhe të jenë në radhë të parë të sinqertë e të hapur bashkë për ta çuar mandatin deri në fund. Po e them këtë sepse, ndodh nganjëherë që pas kundërshtimeve të mëdha, lindin edhe pajtime të mëdha deri në miqësi.
Dhe, kjo do duhej bërë për hir të Republikës së Kosovës, në radhlë të parë, pastaj edhe për hir popullit e gjendjes politike ku jemi.
Për të fituar sa më shumë komuna njëra dhe tjetra, ato do duhej të lidhin marrëveshje që ta ndihmojnë njëra-tjetrën atje ku gara zhvillohet me ndonjërën parti tjetër.
Për shembull: LDK do ta ndiihmojë LVV në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Kaçanikl, Rahovec, dhe Vushtrri. Kështu edhe LVV do ta ndihmonte LDK-në atje ku prëballet me cilëndo parti tjetër në balotazh, .
Atje ku në balotazh janë të dyja, fiton pa ndihmën e njëra-tjetrës ajo që votohet nga zgjedhësit, si në: Prishtinë, Gjilan, Pejë, Fushë Kosovë, Viti dhe Obiliq.
Kanë rastin të fitojë Kosova dhe të dyja të dyja këto parti.
Dosja e Prokurorisë: Fatmir Sheholli mori para nga BIA për ta komprometuar Ministrinë e Rashiqit, urdhërat i merrte nga zyrtari i BIA-s, Bojan Dimiq
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Fatmir Sheholli nën dyshimin se ishte i rekrutuar i Shërbimit Inteligjent të Serbisë dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimic.
Në dosjen e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, Sheholli thuhet se ka mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA përmes komunikimeve telefonike.
Sipas Prokurorisë, Sheholli, sipas udhëzimeve dhe planeve të Dimicit, më 26 shtator të këtij viti në Mitrovicë të Veriut kishte marrë materiale, audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat pastaj i ka publikuar në media online.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime, me dashje dhe vetëdije, Sheholli ka ndihmuar BIA-në duke zbatuar udhëzimet e tyre dhe rrjedhimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Kosovës e po ashtu edhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj.
Me këto veprime Sheholli dyshohet se ka kryer veprën penale “Spiunazh” nga neni 124 par. 3 të KPRK-s.ë
Ndërsa, sipas Prokurorisë, gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës me 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve ellektronike, dokumentacion dhe sende të tjera të cilat do të dërgohen në ekzaminim.
Kulti i grabitësve: kur vota shndërrohet në amnisti morale
Nga Agim Vuniqi, Vashington
Në Kosovë, vota është shndërruar nga akt qytetar në një ritual amnistie morale. Sa herë zhvillohen zgjedhje, qytetarët iu kthehen të njëjtëve njerëz që kanë plaçkitur vendin, i kanë kapur institucionet dhe kanë zhdukur ndjenjën e përgjegjësisë publike.
Fenomeni Sami Lushtaku është pasqyra më e qartë e këtij realiteti të deformuar politik, ku krimi dhe korrupsioni shiten si patriotizëm dhe ku nënshtrimi ndaj pushtetit lokal zëvendëson ndërgjegjen qytetare.
Privatizimi si grabitje legale Procesi i privatizimit në Kosovë, që duhej të ishte hap drejt ekonomisë së tregut, u kthye në një grabitje të planifikuar të pasurisë shoqërore. Nën flamurin e “reformës ekonomike”, u krijua një kastë e re ekonomiko-politike, që përfitoi nga lidhjet me partitë e pasluftës.
Në zonën e Drenicës, ku simbolika e luftës është përdorur si mburojë për pasurim të shpejtë, Sami Lushtaku është shembulli më i dukshëm: një ish-komandant që u shndërrua në milioner politik, me ndikim të pakontrolluar në strukturat komunale e partiake.
Në listën e zezë amerikane Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Sami Lushtaku figuron në Listën e Personave të Përcaktuar në Mënyrë të Veçantë (SDN) nën programin “BALKANS”, që përfshin individë që kanë kontribuar në kërcënimin e stabilitetit në Evropën Juglindore.
Në dokumentin e datës 27 qershor 2001, OFAC e liston LUSHTAKU, Sami (lindur më 20 shkurt 1961, Skënderaj) si individ ndaj të cilit zbatohen masa bllokuese të pronës dhe ndalimi i hyrjes në SHBA.

Votuesi si pjesë e folklorit politik Votuesi kosovar shpesh nuk voton për programe, por për “afërsi”. Vota është shprehje emocionale, fisnore dhe personale, e jo ideologjike.
Në vend të debatit qytetar, kemi një ritual besnikërie ndaj ‘komandantit’, ndaj ‘burrit që ka ndihmuar familjet’, apo ndaj ‘njeriut të fjalës’. Kjo votë nuk është as demokratike, as ideore — është folklorike. Në këtë folklor, edhe mëkati amnistohet përmes narrativës së “patriotizmit lokal”.
Në këtë mënyrë, demokracia e Kosovës nuk matet me integritet, por me lojalitet. Partitë që ushqehen nga amnezia shoqërore Partitë që trashëguan strukturat e luftës, veçanërisht PDK-ja, kanë mësuar të ushqehen nga amnezia kolektive e popullit.
Ato nuk ofrojnë vizion, por nostalgji. Nuk kërkojnë reformë, por besnikëri.
Kështu, individë me të kaluar problematike, përfshirë ata që janë nën sanksione ndërkombëtare, vazhdojnë të paraqiten si ‘heronj lokalë’ dhe fitojnë me vota plebishitare. Në këtë kontekst, fenomeni “Lushtaku” nuk është rastësi — është simptomë e sistemit.
Ai ekziston sepse sistemi e prodhon, e mbron dhe e riciklon. Kur turpi zëvendësohet me krenari Fakti që një individ nën sanksione ndërkombëtare mund të jetë më i votuari në zgjedhjet lokale tregon se Kosova nuk po përballet vetëm me krizë politike, por me krizë morale. Shoqëria nuk e ndëshkon padrejtësinë, por e voton.
Nëse një popull shpërblen ata që e kanë plaçkitur, ai pushon së qeni viktimë — bëhet bashkëfajtor.
Demokracia si farsë morale Në një shtet ku lista e zezë amerikane nuk përbën turp, por dekor, demokracia humb kuptimin. Ajo kthehet në fasadë për një moral të degraduar politikisht.
Kosova nuk mund të ecë përpara duke u qeverisur nga figurat që përfaqësojnë më së miri të kaluarën e saj më të errët.
Derisa vota të mbetet akt sentimental dhe jo qytetar, pushteti do të mbetet pronë e atyre që dikur e çliruan vendin, por më vonë e robëruan atë përmes pasurisë dhe frikës.
Fusnota 1. U.S. Department of the Treasury, Specially Designated Nationals and Blocked Persons List (SDN) – Program: BALKANS, sanctionssearch.ofac.treas.gov 2. Executive Order 13219 – “Blocking Property of Persons Who Threaten International Stabilization Efforts in the Western Balkans,” 27 qershor 2001, OFAC, U.S. Treasury Department, ofac.treasury.gov
Tradhëtia përmes marrëveshjeve politike (1)

Sak Muji, Rugovë-Zvicër
Kapitulli
-I-
Kronologjia e katër nënshkrimeve që e zbehën sovranitetin e Kosovës
⸻
Hyrje emocionale – Fjala që s’duhet harruar
Nuk është fjala për politikë të përditshme, por për fatin e një kombi që u lodh nga premtimet, që e humbi besimin në tri pushtete rresht, dhe që tani e kërkon shpëtimin tek vetëdija. Kosova e vogël, që lindi nga gjaku i brezave dhe u ngrit mbi rrënojat e robërisë, u përball pas pavarësisë me një tjetër formë pushtimi – pushtimin përmes marrëveshjeve. Jo me tanke e zjarr, por me nënshkrime të heshtura, që nën petkun e “dialogut” i dhanë Serbisë atë që ajo nuk e fitoi as me luftë.
Populli i Dukagjinit, i Podgurit e i Anadrinit e ndjeu i pari këtë tradhti: në tokën ku u derdh gjaku për liri, sot fryn era e marrëveshjeve të imponuara, të nënshkruara në emër të “normalizimit”, por që normalizuan vetëm padrejtësinë.
⸻
I. Viti 2011
– Fillimi i rrëshqitjes
Në vitin 2011, nën “dialogun teknik” të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova hyri në bisedime për tema që do të duhej të ishin të mbyllura me shpalljen e pavarësisë. Nënshkrimet e para për telekomunikacionin, doganat dhe energjinë u bënë pa transparencë. Serbia fitoi të drejtën të ketë ndikim në kodet telefonike, në sistemin energjetik dhe në rrjetet e tregtisë ndërkufitare.
Për popullin ishte “marrëveshje teknike”, por në thelb ishte lëshim politik.
Ishte akti i parë i dorëzimit të sovranitetit ekonomik.
⸻
II. Viti 2013
– Marrëveshja e Brukselit, plaga që s’u mbyll
Më 19 prill 2013, u nënshkrua ajo që historia e Kosovës do ta quajë përherë “Marrëveshja e Brukselit”.
Nënshkruesit: Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić.
Dokumenti që u prezantua si “marrëveshje normalizimi” përmbante nenin famëkeq për “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” – një strukturë paralele që rrezikon ndarjen e Kosovës në dy realitete.
Gjykata Kushtetuese e shpalli pjesërisht të papajtueshme me Kushtetutën, por ajo mbeti si kërcënim permanent ndaj shtetësisë.
Kjo ishte tradhtia e dytë – e nënshkruar në heshtje, pa pyetur popullin, pa pyetur ata që derdhën gjak për liri.
⸻
III.
Viti 2015
– Zajednica dhe rezistenca Në vitin 2015, qeveria e Isa Mustafës, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, nënshkroi dokumentet e zbatimit të “Asociacionit”.
Në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje, nën drejtimin e Albin Kurtit, ishte e vetmja forcë që ngriti flamurin e kundërshtimit.
Në Kuvend shpërthyen gaz lotsjellës, në rrugë doli populli. Skena politike e Kosovës u nda në dy kampe: ata që pranonin kompromisin me Serbinë dhe ata që mbronin sovranitetin. Ishte momenti kur u dëgjua zëri i parë i popullit të vetëdijshëm – zëri i vetëvendosjes.
⸻
IV. Viti 2020
– Marrëveshja e Uashingtonit, fasadë ekonomike
Më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, u nënshkrua një dokument i quajtur “Marrëveshje për normalizim ekonomik”.
Firmat: Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vučić. Pas parullave të bukura për “hekurudha, rrugë dhe energji”, fshiheshin nene që ndalonin Kosovën të aplikonte për organizata ndërkombëtare dhe e detyronin të pranonte projekte me ndikim serb e rus.
Në thelb, ishte marrëveshje që e lidhte duart e Kosovës, dhe i jepte Serbisë kohë për të forcuar ndikimin ekonomik dhe diplomatik në veri.
Exit-pollet e porositura – laboratorë të mashtrimit elektoral

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina
Tri exit-pollet e organizuara në Kosovë, ditën e votimit, nëse vërtetohet se promovimin e rezultateve të tyre e kanë ushtruar para afatit të përfundimit të së drejtës për votim (ora 19:00), atëherë është e kuptueshme se ato, përveç “huqjeve të qëllimshme statistikore”, kanë pasur edhe një varg qëllimesh të tjera politike.
Midis këtyre qëllimeve, po identifikoj disa nga to:
1. Shtimin e dyshimit në transparencën, llogaridhënien, përgjegjësinë dhe paanshmërinë e institucioneve shtetërore;
2. Devijimin e perceptimit real të votuesve gjatë procesit të votimit, që është rreptësisht i ndaluar si me ligjin zgjedhor, ashtu edhe me Kushtetutë;
3. Uljen e besimit në disa subjekte politike që kanë interesin dhe synimin e kompromitimit të rivalëve ideologjikë;
4. Shtimin e polarizimit ndërpartiak, i cili edhe ashtu ishte evident për shkak të frustrimit të shkaktuar nga ngërçi pesë- a gjashtëmujor politik;
5. Bartjen e këtij polarizimi edhe në shtresat e gjera qytetare, ku grupet militante do të bënin thirrje për thyerjen e rendit aktual kushtetues;
6. Tensionimin permanent dhe shkaktimin e dëmeve reputacionale midis klaneve dhe grupeve të ndryshme të interesit që zotërojnë monopole ekonomike në vend;
7. Manipulimin e qëllimshëm politik, për të ndërtuar narracione me imperative ekskluzive të kontrollimit të perceptimit të votuesve potencialë.
P.S.
Nuk e them rastësisht se Kosova, si vend me demokraci ende të brishtë, ka shumë më tepër nevojë për sondazhe të verifikuara shkencërisht, që realizohen nga ekipe të pavarura e kredibile, të gatshme të marrin përgjegjësi etike e morale, sesa për “laboratorë të mashtrimit elektoral” që prodhojnë krizë besimi, devijim perceptimi dhe destabilitet institucional të shtetit… dhe vendit!
Harbutërit, nuk duhet lejuar që të shpifin…!

Reflektim për librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të publicistit Shkëlzen Gashi, që u promovua dje në Ambasadën e Republikës së Kosovës
- 13.10.2025


